Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Në Prishtinë u zhvillua protesta me moton “Drejtësi për çlirimtarët”

| E marte, 30.03.2010, 09:58 PM |


  Prishtinë u zhvillua protesta me moton “Drejtësi për çlirimtarët”

 

Nga Milazim KADRIU

 

Me moton “Drejtësi dhe liri për luftëtarët e lirisë”, mijëra qytetarë nga Kosova të martën protestuan në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me ç’rast u kërkua lirimi i menjëhershëm nga burgu për ish- luftëtarët e UÇK-së, Arsim e Burim Ramadani dhe Arben e Jeton Kiçina, të cilët janë akuzuar për rastin e familjes Hajra, dhe sipas pjesëmarrësve tash e tetë vite mbahen në burg me mungesë provash. Simboli i Lëvizjes sonë kombëtare, Adem Demaçi ka deklaruar se shqiptarët e Kosovës kanë filluar të luhaten në besimin për demokraci, të propaganduar nga bashkësia ndërkombëtare. Ai është shprehur: “Ua bëjmë me dije miqve tanë amerikanë dhe evropianë se kemi filluar të luhatemi nga besimi. Ata na kanë dërguar këtu në Kosovë, njerëz që po punojnë për para, e jo për drejtësi dhe për ta bërë Kosovën shtet demokratik”, ka thënë Demaçi gjatë protestës  të organizuar kundër dënimit të katër ish-luftëtarëve të UÇK-së. Ai dërgoi kritika drejtuar  strukturave të  drejtësisë ndërkombëtare, të cilët janë vetë shkelës të drejtësisë. Në fjalimin e tij Demaçi tha se bashkësia ndërkombëtare është duke gabuar me minimizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, sepse ushtria nuk është ajo që merr lopatat dhe fshin sheshet e qytetit. Demaçi kërkoi që çështja kombëtare të mos shtrohet vetëm në rrafshin e Kosovës, por të zgjerohet në të gjitha trojet etnike shqiptare. Evropa na ka diktuar se jemi të përçarë në Kosovë në baza rajonale. E çështja kombëtare do të zgjidhet në tërësi. Vetëm kështu mund të shkojmë në Evropë, ka thënë mes tjerash Adem  Demaçi në fjalimin e tij para protestuesve në Prishtinë.

 

Inspektori i UÇK-së dhe anëtari i SH të UÇK-së gjatë luftës, Rexhep Selimi, në fjalën e tij të mbajtur   para protestuesve, në Prishtinë, ka deklaruar se bashkëluftëtarët e tij janë dënuar padrejtësisht. Ai drejtoi një varg akuzash institucioneve të vendit. “Të mos harrojnë ata, që po thonë se po i  ndërtojnë themelet e shtetit, sepse  themelet e shtetit janë ndërtuar me gjakun e dëshmorëve”, tha Selimi.

 

Kryetari i Këshillit organizativ, Visar Zogaj, vlerësoj se Arsim, Burim Ramadani dhe Arben Kiçina, tash e tetë vite mbahen në burg me mungesë të fakteve dhe se në këtë proces gjyqësor kanë ndodhur gabime të rënda procedurale që do të thotë dështim për drejtësinë në Kosovë. Ai nga EULEX-i kërkoj një shqyrtim të drejtë të lendes gjyqësore. “Ne si këshill organizativ jemi kundër vendimit të gjykatësve të UNMIK-ut si dhe kërkojmë nga EULEX-i një shqyrtim të drejtë të kësaj lënde gjyqësore”,

 

Protesta e sotme në Prishtinë është mbështetur nga  Lëvizja Vetëvendosje, nga shumë organizata joqeveritare nga studentë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare. Gjatë protestës u kërkua lirimi i menjëhershëm nga burgu për ish-luftëtarët e UÇK-së, Arsim e Burim Ramadani dhe Jeton e Arben Kiçina, të cilët janë dënuar 106 vjet burg nga “drejtësia” e UNMIK-ut për vrasjen e ish-inspektorit të policisë, Hamzë Hajra dhe katër anëtarët e familjes së tij, në vitin 2001 në Baicë të Drenasit. Këshillit organizativ i ka bërë me dije EULEX-it dhe mekanizmave ndërkombëtarë, si dhe institucioneve vendore, se gjykimi i këtyre personave duhet  të bëhet në mënyrë të paanshme dhe në bazë të fakteve e jo duke u mbështetur supozime. Protesta është zhvilluar e qetë dhe pa incidente.