E premte, 29.03.2024, 09:57 AM (GMT)

Kulturë

Felini: “Jeta është festë, le ta kalojmë së bashku!”.

E premte, 02.11.2007, 10:36 PM


Më 30 tetor 1993 çifti hyjnor duhet të festonte jubileun e vet të bashkëjetesës e të krijimtarisë kinomatografike, por, për fat të keq, jubileu i artë nuk u mbajt pasi regjisori i madh Federiko Felini vdiq ditën e mbrëmjes galà 

Nga Klodi Bufi

“Jeta është festë, le ta kalojmë së bashku!” Këto fjalë, që i përshkon një mendim i thellë, i shqipton heroi i filmit “Tetë e gjysmë”, duke iu drejtuar bashkëshortes së tij. Për Federiko Felinin dhe Xhuljeta Mazinën ato u shndërruan në simbol. Magjistarja e imët, siç e quanin, dhe ëndërruesi plot fantazi, shpirtmadh dhe shtatlartë, pasi u takuan për herë të parë në vitin 1943 kuptuan se ishin bërë për njëri-tjetrin. Më 30 tetor 1993 çifti hyjnor duhet të festonte jubileun e vet të bashkëjetesës e të krijmtarisë kinomatografike, por, për fat të keq, jubileu i artë nuk u mbajt pasi regjisori i madh Federiko Felini vdiq ditën e mbrëmjes galà. Felini, një jetë të tërë kinomatografike ia kushtoi femrës dhe sidomos asaj që pati përkrah për 50 vjet, Xhulietës. “Femra, thoshte Federiko Felini, është burim frymëzimi për çdo artist, domethënë ajo është krijuese”. Kështu e cilësonte ai Xhulietën, e cila e mbajti “për dore” dhe e udhëhoqi nëpër fusha të paeksploruara dhe kopshte të magjishme, ku fantazia e tij e pasur u shpalos lirshëm. Federiko Felini përfitoi një përvojë krijuese të konsiderueshme edhe nga yjet e tjerë të kinemasë si, Anita Ekberg, Klaudia Kardinale, Sandra Milo etj. Artisti nuk mund ta anashkalonte me indiferentizëm bukurinë që i ngjallte ndjenjën e admirimit e të habisë. Në jetë artisti shpesh gjendej në situata tragjikomike, të ngjashme me ato që i përjetonin heronjtë e tij të ekranit. Njërën prej tyre, të cilën e tregonte gjithmonë duke qeshur, ishte “Një herë kam përgatitur një drakë të madhe për pesëdhjetë veta dhe mysafirët e mi ishin 50 mace që qëndronin në oborrin tim të shtëpisë, duke ulëritur në një natë të ftohtë dimri.” Kështu e tregon regjisori i madh eksperiecën e tij të parë në gatim.

Vendi ku frymëzohej

I vetmi vend ku Federiko Felini e ndiente veten, siç thuhet, “si në shtëpinë e vet”, ishte Pavioni nr. 5 në kinostudion “Çineçitta”. Aty transformohej në një ëndërrimtar dhe magjistar, jashtëzakonisht i shkathët. “Atje e di se ku ndodhem,” pohonte mjeshtri. Kinematografia për të ishte streha e vetme e shpirit dhe ai këtë e justifikonte me vetë ekzistencën e tij. Në filmat e tij “Drita e varietesë”, “Sheiku i bardhë”, “Rruga”, “Mashtrimi“, “Netët e Kabirias” Xhulieta Mazina interpretoi rolet kryesore, por ajo e kishte shumë të vështirë të punonte me Federikon pasi ai shpesh ulërinte dhe nuk dëgjonte njeri, madje me Xhulietën ishte i patolerueshëm. Megjithatë, aktorja i përballonte të gjitha deri sa një ditë e bëri skllavin e zemrës së vet.

Çmimet e karrierës

Nuk kaloi shumë dhe vjen Festivali i Kanës, ku regjisori tashmë i famshëm Italian, Federiko Felini, merr çmimin e parë për filmin e tij “Netët e Kabirias”, por surpriza e asaj nate ishte edhe çmimi që mori bashkëshortja e tij, Xhulieta, si interpretuesja më e mirë femër në këtë film. Kështu, pas një pune të gjatë regjisori Felini kthehet në Itali, në shtëpinë e tij, me një trofe të madh që nuk e priste. Nuk kalon shumë dhe filmi “Rrugët” i regjisorit Felini shfaqet me sukses, duke marrë çmimin Oskar, ndërsa Xhulietës për interpretimin e saj në këtë film i ngjitet emri “Çaplini me fund”. Gazetat ameriane shkruanin për suksesin e artistit dhe çmimin e merituar, duke e krahasuar Mazinin me aktoren amerikane Ketrin Hepburn. Suksesi i regjisorit të madh vazhdoi më tej me të tjera krijmtari.

Jeta në çift

Raportet reciproke të Federikos me Xhulietën nuk futeshin në kornizën e marrëdhënieve standarde të pranuara nga të gjithë. Bashkëshortët nuk e njihnin mendjemadhësinë dhe i karakterizonte modestia dhe ndrojtja. Ata nuk ishin të infektuar nga ndjenja e zilisë që, për fat të keq, është e përhapur në rrethin kinematografik. Në shtëpinë e vet në Romë, Federiko gjithmonë i priste miqtë me një buzëqeshje në fytyrë, duke i ftuar të pinin kafenë, të përgatitur prej tij, ose një gotë grapa të famshme italiane (vodkë rrushi). Federiko Felini kishte tre miq të zemrës: gruan e vet, Xhulietën magjistare, kompozitorin Nino Rota dhe Marçelo Mastrojanin; gjithmonë këta persona Felini i kishte pranë në raste dyshimesh e hidhërimesh.

Karriera plot surpriza dhe peripeci

Gjatë kinofestivalit ndërkombëtar që zhvillohej në Pallatin e Kongreseve në Kremlin, Federiko Felini u paraqit me filmin “Tetë e gjysëm”. Premiera qe e madhërishme; i gjithë publiku fliste për orë të tëra mbi këtë film, ndërkohë që kinemaja ruse përfaqësohej nga filmi “Njihuni Ballujev”. Direkt pas shfaqjes së filmit Italian, për të gjithë u bë e qartë se ai dhe vetëm ai mund të pretendonte për çmimin e parë. Në të njëjtën kohë, të gjithë po e kuptonin qartë se lufta ideologjike do të ishte e vështirë dhe nuk e kishin zili kryetarin e jurisë ndërkombëtare, Grigori Çuhrajin. Megjithë presionin e madh të Komitetit Qendror dhe udhëheqësve më të lartë të tij, çmimi i parë iu dha Federiko Felinit. Vendimin e jurisë profesionale salla e priti me ovacione, që zgjatën njëzet minuta. Të ngritur në këmbë, spektatorët përshëndesin ngjitjen në skenë të mjeshtrit. I emocionuar e me një buzëqeshje të hutuar prej fëmije, me lot në sy, ai mbante në duar çmimin, duke u përpjekur t’u thotë diçka të pranishmëve. Atëherë Felini akoma nuk e dinte se çfarë lufte e fshehtë ishte bërë për filmin e tij. Ai nuk e dinte se filmin “Tetë e gjysëm” e kishte parë në vilën e tij në periferi të Moskës, vetë Nikita Sergejeviçi Hrushovi, i cili e quajti asgjë të jashtëzakonshme. Një gjë e jashtëzakonshme ndodhi më pas vërtet. Menjëherë pas përfundimit të filmit, Grigorij Çuhraj shtrohet në spital nga një infrakt zemre për shkak të presioneve, ndërsa çmimi i madh për filmin e Felinit quhet i pavlefshëm.

Ditët e tij të fundit

Gjatë fundit të tetorit të vitit 1993 në Milano binte shi, ndërsa italianët, duke u ndalur nëpër kioskat e gazetave në rrugë fshihnin me nxitim pikat e shiut nga fytyra, duke u informuar për gjendjen e keqe shëndetësore të gjeniut të kinematografisë. Në një ditë të ftohtë vjeshte ai gjendej në gjendje kome, në një nga klinikat e Romës. Mjekët nuk i dhanë më shpresë Felinit, i cili dergjej në shtrat nga një goditje në tru, e cila i kishte paralizuar dhe gjysmën e trupit. Pas një gjendjeje të tillë, artisti i madh vdes dhe bashkë me të dhe krijmtaria e tij, e cila mbahet si një krenari për të gjithë ata që e njohën Felinin e madh.

Histori dashurie
 
Një muaj para vdekjes, Federik Felini, i shtruar në spital, papritur u zhduk. Rastësisht e kish marrë vesh se Xhulieta, bashkëshortja e tij, ishte e sëmurë dhe, pa e zgjatur natën ia mbathi nga spitali. Policia e alarmuar nga miqtë dhe kolegët e kërkon dhe e gjen në klinikën fqinje, te shtrati i Xhulietës, të dëshpëruar e të hutuar. Ndërsa disa ditë pas vdekjes së tij, bashkëshortja Xhulieta Mazina do të shqiptonte fialët profetike: “Nëse Federiko vdes, unë nuk mund të jetoj më, sepse jeta do të jetë e zbrazët!”. Pavioni nr. 5 i kinostudios “Çineçitta”, ku Federiko Felinit i pëlqente kaq shumë për të xhiruar filmat e vet, përsëri e mori në gjirin e vet. Pa Federikon, Xhulieta jetoi vetëm tre muaj.
“Jeta është një festë, le ta kalojmë së bashku!”

Regjisori i pazëvendësueshëm

Krijimtaria e “magjistarit dhe ëndërruesit të madh” Federiko Felini, qëkur ishte gjallë u bë pasuri shumë e çmuar e kulturës popullore të mbarë njerëzimit. Nga filmat e Felinit buronte një forcë magjike. Krijimet e tij janë si një ëndërr e 1armishme, ato janë reale dhe irreale. Mbi të gjitha, janë ideuar për t’i kuptuar zemrat.
Në botën e artit kinematografik nuk ka një regjisor të dytë, që të ketë marrë kaq shumë çmime, njëqind çmime kombëtare e ndërkombëtare, si dhe pesë çmime “Oskar” të Akademisë Amerikane të Kinematografisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora