E enjte, 25.04.2024, 03:30 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Propaganda e dezinformimi, metoda të organizuar...

E hene, 29.03.2010, 09:59 PM


Propaganda e dezinformimi, metoda të organizuar shtetërore jugosllave ndaj shqiptarëve

 

Nga Prof. Dr Sabile Keçmezi-Basha       

 

Fill pas demonstratave të studentëve të 11 marsit 1981 shtabet politike të Jugosllavisë, që nga instancat më të ulëta e deri në ato më të lartat, që nga krahinat, republikat e deri në Federatë, që nga organizatat bazë e deri në Komitetin Qendror të LKJ- së, u mblodhën dhe diskutuan për ngjarjet në Kosovë. Të gjithë nxitonin se kush më parë të propozojë masat më drakoniane, se kush të parashtrojë planet më shtypëse  e më anti-humane ndaj atyre që morën pjesë në demonstrata.

         

Propaganda e organizuar shtetërore jugosllave ndaj shqiptarëve

 

          Edhe më parë, por sidomos pas ngjarjeve të vitit 1981 e gjer më sot, propaganda antishqiptare e serbomëdhenjve kishte marrë përmasat e një fushate të paparë. Me verbërinë e tyre logjike dhe miopinë e paparë politike, për t’i arritur qëllimet e veta të ulëta, ata shërbeheshin me shpifje e insinuata më të paskrupullta, para të cilave do të mbetej i hutuar edhe Gebëlsi. Gjatë tërë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore pushteti u angazhua me përpikëri që masës së gjerë t’i servirë dezinformata dhe të pavërteta lidhur me situatën politike në Kosovë. Propaganda si formë e të arriturave të qëllimeve politike ishte e futur në sistem dhe me anë të saj, si nëpërmjet shtypit, radios, televizionit, fjalimeve të ndryshme  dhe botimeve gjoja shkencore, mobilizonte opinionin e gjerë për t’ia mbushur mendjen se shqiptaret ishin armiq të përbetuar të popullit sllav. Pushteti okupues trillonte dhe shpifte gjithçka kundër tyre. Qëllimi ishte që në arenën ndërkombëtare të krijoheshin opinione që përkrahnin gjenocidin dhe plojën mbi popullatën e pafajshme.

          Në historinë shekullore të kulturës shqiptare nuk njihet ndonjë rast tjetër që ndaj saj të jetë ndërmarrë një sulm kaq i gjerë e plot mllef, ku barbaria me injorancën ishin në garë me njëra tjetrën. U mor nëpër gojë gjithë kultura shqiptare, e vjetra dhe e reja, u quajt përgjegjëse për prishjen e qetësisë në Ish- Jugosllavi, u cilësua si e mbushur me historicizëm, me “romantizëm kombëtar”, me mite, heronj dhe idhuj tepër të dëmshëm për “unitetin e popujve në Jugosllavi”. Këso dhe dhjetëra shpifje të tjera si këto mbushën faqet e shtypit jugosllav. Me fjalë të tjera, siç shkruante edhe shtypi botëror: “U bënë sulme të hapura kundër ndërgjegjes kulturore dhe kombëtare shqiptare”. Është e pabesueshme por e vërtetë, se vetëm në periudhën 1981-1990 u botuan 800.000 mijë artikuj, deklarata, diskutime, fejtone, fotografi, intervista, karikatura, komente dhe reportazhe për shqiptarët dhe për trojet tona, për doket, për kulturën dhe gjuhën shqipe, për jetën familjare, për tiparet e karakterit të shqiptarëve dhe për zakonet e tyre.  Karakter propagandues kishin edhe publikimet e ndryshme që u botuan gjatë asaj periudhe, si “Kush kërkoi Republikën“, “Të vërtetat dhe mashtrimet për Kosovën “, “Libri për Kosovën “, “Dhuna në Jugosllavi “, “Kohë të vrazhda për Kosovën e Metohinë“ etj.

           Gjatë kësaj periudhe nuk mbetën pa u marrë nëpër gojë edhe lindjet e nënave shqiptare, ngase, siç thoshin ata, edhe lindjet e shumta kishin qëllime politike. Gjatë kësaj periudhe si me ndonjë dekret të pashkruar u paraqitën gjoja dhunimet e shumta të popullatës shqiptare ndaj joshqiptareve, e qëllimi dihej. Me trillime  shumë të rinj shqiptarë u dënuan me shumë vite burgu. Akuzat dhe shpifjet nuk kishin të ndalur. Ato bëheshin në rrugë institucionale. Zëdhënës të krejt kësaj u bënë disa akademikë dhe vetë Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve. U shpikën dëmtimet e varrezave, kishave dhe  shtëpive. U trumbetua me të madhe se Kosova është tokë serbe, bile u shkua aq larg sa u keqpërdorën edhe të dhënat shkencore.    

         Edhe atëherë, por edhe tani, është shumë e qartë se fushatat e ethshme që u ndërmorën kundër kulturës, letërsisë dhe artit shqiptar në veçanti dhe kundër çdo gjëje shqiptare në përgjithësi, kishin vetëm një qëllim, të gjenin të gjitha pretekstet për të dënuar dhe për të bërë gjenocid mbi gjithçka që ishte shqiptare.

 

Qëndrimi i shtypit ilegal ndaj intelektualëve shqiptar

 

Organi kryesor informativ i organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës “Liria”, sjelljeve dhe qëndrimit të intelektualëve shqiptar iu kushtonte vëmendje të posaçme. Kjo gazetë në numrin 3. të vitit 1981, në lidhje me regjistrimin e popullsisë në Kosovë reagonte ashpër, ngase ishte kundër regjistrimit në gjendje lufte, se në të u thoshte se “Regjistrimi në Kosovë po bëhej nën hijen e tankeve”. Pushteti jugosllav lidhur me regjistrimin e popullsisë kishte zhvilluar një fushatë sa të ethshme aq edhe perfide në dëm të popullit shqiptar. Në shtyp thuhej se shteti zhvillonte propagandë e fushatë në dy drejtime. Drejtimi i parë kishte të bënte me propagandën dhe agjitacionin e organizuar shtetëror në disa pjesë ti quajmë skajore të popullsisë shqiptare, në të cilat pushtetarët jugosllav ia kanë dalë të ushtrojnë edhe më përpara njëfarë ndikimi ç’kombëtarizues e asimilues, siç ishin të ashtuquajturit “torbeshë” apo “maqedonas mysliman” në Maqedoninë Perëndimore dhe të ashtuquajturit “myslimanë” të viseve shqiptare  në Mal të Zi. Të mos flasim pastaj për popullsinë shqiptare të viseve të Sanxhakut, te e cila shovinistët e Beogradit  kanë arritur ta shtypin pa mëshirë ndjenjën kombëtare dhe ta çrrënjosin  në masë të madhe gjuhën amtare shqipe.

Ndërkaq, drejtimi i dytë,  kishte të bënte me frenimin e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve, kudo që të jenë ata, me presione të gjithanshme politike etj. Ky edhe ishte qëllimi i tejdukshëm që me anën e mjeteve  dhe metodave të njohura shoviniste të “shkencëtarëve” të dikurshëm sllavë si Cvijiqi e Gjorgjeviqi, te kjo pjesë e popullsisë shqiptare të thellohet edhe më tej apolitizmi, pacifizmi dhe asimilimi, duke iu ngulitur asaj në kokë mendimin se më parë mund të jetë gjithçka tjetër sesa popullsi shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe u shkruan shumë shkrime me karakter propagandues, u xhiruan shumë emisione televizive me popullatën shqiptare në Maqedoni duke i detyruar të pranojnë se janë torbeshë e mysliman maqedonas. Por, egërsia dhe kuazi-shkenca erdhi në shprehje nga 25 shtatori deri më 21 tetor, të vitit 1980, në gazetën “Veçer” të Shkupit, kur në një seri shkrimesh, Njazi Limanovski botoi fejtonin në 23 vazhdime me titull “Islamizmi i Maqedonisë”, duke u përpjekur  gjoja për tu dal zot “torbeshve” apo “maqedonasve mysliman” siç e quanin një pjesë të popullsisë shqiptare  pjesërisht të asimiluar. Gazeta në fjalë doli me sulme të hapëta shoviniste , të padëgjuara deri më atëherë. Në shtypin ilegal të kohës thuhej se është për tu habitur se ndaj këtij shkrimi dhe shumë shkrimeve tjera antishqiptare nuk reaguan as politikanët e as shkencëtarët, “pos njërit - Akademik Ali Hadri, doli dhe reagoi në mënyrë të thukët shkencore, duke i hedhur poshtë shkrimet e tija si të pa baza shkencërisht dhe politikisht tendencioze”. 

Ndërsa , po në të njëjtin vit (1982), gazeta ilegale “Zëri i Kosovës” nr.3/82, në shkrimin “Edhe një proces i montuar gjyqësor”, tërheq vëmendjen e opinionit të gjerë se duke e ditur se Universiteti i Kosovës është zemra e popullit shqiptar në Jugosllavi, kurse fakulteti Filozofik zemra e vet universitetit, kriminelet e Beogradit... mendonin ti japin një goditje vdekjeprurëse me qëllim se do ta tmerron popullin dhe inteligjencën shqiptare. Për të arritur një qëllim të tillë morën vendim, që të arrestojnë dhe të diferencojnë një numër të madh intelektualësh. Që të kenë sukses këto procese gjyqësore, dhe diferencimet, intelektualët shqiptar i rrahën dhe i torturuan me mënyrat më të tmerrshme (duke pasur gjithnjë kujdes që të mos vdesin gjatë torturave e të shndërrohen në idol të Kombit).

Në një shkrim tjetër “Mos ta durojmë tiraninë”, ndër të tjera ilegalët tanë shkruajnë për universitetin dhe për vet profesorët, nga të cilët populli dhe ilegalja shqiptare kishte mbështetur shpresat e fundit për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ata shkruan se “sulmi i egër kundër Universitetit daton që para lindjes së tij, por sidomos pas marsit të vitit të kaluar ai mori përmasa  furie...” dhe me pasoja shumë të mëdha ndaj kuadrit arsimor e shkencor.

 Në Universitet më së shumti i pengonte shkrimi i historisë dhe ata që e shkruanin këtë histori. Prandaj të gjithë ata që kontribuonin që rinia shqiptare  në vend të Car Dushanit, Nikolla Pashiqit  etj, ta mësonin historinë e ilirëve, ata automatikisht u bënë armiq të përbetuar të pushtetarëve të Beogradit. Për të vazhduar më tutje se “Objekt i  parë i këtij sulmi ishte dhe është akademik Ali Hadri. Menjëherë pas tij vie Rexhep Qosja, të cilit i zihej për të madhe pse ua ka çjerrë maskën e tyre prej kriminelësh në “Vdekja më vie prej syve të tillë”, ndërsa Fehmi Aganin e sulmonin pse nuk ka duartrokitur gjatë një fjalimi që kishte mbajtur një pushtetar...” Ata, dhe sipas tyre këta profesor e punonjës shkencor dhe shumë kolegë të tyre, qenka dashur ti njollosin studentët e vet dhe ( në çka insistohej më së shumti) të sulmojnë dhe përdhosin atdheun e të gjithë shqiptarëve, Shqipërinë se ajo na qenka shkaktarja kryesore  e Kryengritjes Popullore  të Kosovës më 1981. Këtë metodë të tejkaluar “devijo et impera”  nuk kaloi tek shqiptarët, sepse së pari akademik Ali Hadri nga i sulmuari u kthye në sulmues, pra nga Drajfus në Emil Zolë dhe i akuzoi serbomëdhenjtë  dhe veglat e tyre për inkuizicionin  mesjetar, për falsifikimin e fakteve  historike, për gjenocid, për tradhti, për moral të qindfishtë e për çka jo tjetër...” përfundojnë ilegalët shkrimin e tyre në gazetën ilegale.

Për intelektualët dhe qëndrimin e tyre dinjitoz  u shkrua mjaftë në shtypin ilegal të kohës. Ata u morën në mbrojtje gjatë tërë periudhës së diferencimit, ngase organizimi ilegal ishte i tillë, që degët e veta i kishin edhe në fakultet, dhe në çdo kohë ishin të gatshëm për t’iu dal në ndihmë atyre.       

 



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora