E enjte, 28.03.2024, 11:38 PM (GMT)

Faleminderit

Figurat që u ndanë nga jeta më 2006

E premte, 02.11.2007, 10:32 PM


Viti 2006 është viti kur nga jeta u larguan figura të spikatura të artit dhe të kulturës shqiptare. Në mënyrë kronologjike jepen më poshtë datat e ndarjes nga jeta të këtyre personaliteteve 
 
4 janar: Publiçisti, humoristi dhe shkrimtari i njohur Niko Nikolla ndëroi jetë mëngjesin e katër janarit në moshën 75-vjeçare. i njohur në Shqipëri, si njeriu i cili arriti të drejtojë për 25 vjet revistën “Hosteni” si kryeredaktor i saj, revista e parë opozitare në Shqipëri, Niko Nikolla e lidhi jetën e tij me gazetarinë sa edhe me humorin përgjatë 45 vjetëve.
Shkrimtari Teodor Keko e quante babain e gazetarisë shqiptare, titull të cilin ai me modestinë e tij nuk e pranoi asnjëherë. “Gazetarët duhet të jenë me zemër të madhe, me mëndje të ftohtë dhe me duar të pastra”, citonte gjithnjë Nikolla, i cili lindi më 20 maj 1931 në qytetin e Pogradecit .
Punoi prej më shumë vjetësh si gazetar pranë gazetës “Zëri i Popullit” dhe më pas si kryeredaktor i Revistës “Hosteni”, deri në vitin 1991 kur doli në pension . Me qindra e qindra janë fejtonet, artikujt dhe reportazhet që mbajnë firmën e Niko Nikollës, në të gjithë shtypin shqiptar.
Dikush e ka quajtuar optimisti i përjetshëm, dhe si i tillë pas viteve ’90, Niko Nikolla botoi libra në fushën e publicistikës, humorit, por edhe të prozës. Përmenden këtu “Shënime të një gazetari”, “Pushtimi i Amerikës”, “Një angleze në rrugën e Dibrës”, “Furtuna e janarit”, “Lamtumirë Vlorë”, “Njeriu pa emër”, “Zhyl Verni në katror”, “Mjaltë dhe Gjak”, “Kronika nga Fronti i Dytë”, “Vdekja e varrmihësit”, “Një lumë midis dy shenjtorëve”, “Dallëndyshet e dimrit”, “Koloneli me një sy”, ndërsa ka në proces botimi “100 novela e tregime nga Ballkani”.
Gjithashtu ai botoi një kolanë prej shtatë titujsh mbi temën e Ballkanit, ku përmes humorit sa edhe dramës arriti të shprehë ç’është Ballkani, ç’janë ballkanasit dhe si do të ecë Ballkani. “Ta kthejmë Ballkanin nga një fuçi baruti në një fuçi humori” është një nga shprehjet e humoristit, i cili në vitin 1991 botoi në këtë lëmë edhe revistën Ballkan, ku shkruan penat më të njohura të gadishullit tonë”. Më 2003 për “kontributin në fushën letraro-artistike, kontributin si gazetar, por edhe si veprimtar për qytetin e tij të lindjes”, Këshilli Bashkiak i Pogradecit unanimisht i dha Niko Nikollës titullin “Qytetar nderi”. Niko Nikolla thoshte “Gazetaria është një furrë e madhe që djeg, çdo gjë dhe që në fund të mbetet vetëm pasioni…”
Pasioni për gazetarinë, sa edhe për humorin e bëri atë që për gjatë dy javëve në gjëndje të rëndë shëndetësore edhe pse nën kujdesin e mjekëve , askush të mos i jpete në kartelën e tij një diagnozë të saktë. Ndoshta ky është pasioni, por edhe humori, apo thënia e famshme e tij “Mos e merrni jetën si tragjedi, por si komedi”.

21 janar: Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare. Ai ishte diagnostikuar me kancer të mushkërive shtatorin e kaluar. Zoti Rugova i cili u bë president i Kosovës në vitin 2002 konsiderohet themeluesi i lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Presidenti Rugova vdiq në një periudhë të ndjeshme, kur filluan bisedimet për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.
Zoti Rugova kaloi pjesën e parë të karierrës së tij si profesor dhe autor librash. Ai hyri në politikë në vitin 1989, duke themeluar Lidhjen Demokratike të Kosovës.Presidenti Rugova, përveçse ishte një politikan vizionar ishte dhe një letrar i talentuar. Kjo ka bërë që për veprat e tij letrare, Ai të marrë titullin “Doctor Honoris Causa”, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Europës.
Rugova do të kujtohet, si intelektuali, profesori i letërsisë, i cili guxoi të vihet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të sapokrijuar në një kohë të vështirë për shqiptarët e Kosovës. Padyshim mund të quhet ‘Gandi i Kosovës’, simbol i rrugës paqësore drejt fitores së Pavarësisë”. Ai do të kujtohet si figura, që megjithë rolin vendimtar të UÇK-së në përshpejtimin e proçesit për pavarësi, mori shumicën e votave të kosovarëve pas luftës së Kosovës.
Presidenti Rugova do të kujtohet si politikani që krijoi flamurin e Kosovës të ndryshëm nga ai i Shqipërisë, duke lëshuar me këtë mesazhin se ai kërkonte një shtet të ri Kosovar dhe jo bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pa e qartësuar kurrë nëse kjo ishte një strategji e tij apo qëllimi i tij final i vërtetë. Veprimtaria e tij është e prekshme dhe e ndjeshme në Kosovë, ku në sajë të kontributit të Tij, gjen njëherësh vlerat identifikuese të etnisë dhe trashëgimisë ndërkulturore”.
Me studimet e Tij, sidomos për autorët e vjetër, por edhe bashkëkohorë, ai u bë një nga lëvruesit më të mirë në fushën e teksologjisë. Dr. Rugova dha në këtë fushë një ndihmesë të vyer jo vetëm për brezin e ri, por dhe për kritikën letrare. Rugova ishte një kritik vizionar, gjë për të cilën kombi dhe ne duhet të jemi shumë mirënjohës”, u shpreh z.Rrokaj. Ibrahim Rugova është protagonisti i historisë moderne të Kosovës.
Ai la një trashëgimi të çmuar shkencore sepse me studimet e Tij ndriçoi aspekte të zhvillimit kulturor të shqiptarëve. Ndër studimet vecohen studimi fondamental për mendjen universale të Mesjetës Shqiptare, Pjetër Bogdani si dhe Doktoraturën për Historinë e zhvillimit të kritikës shqiptare. Ai ishte një studiues i rrallë i letërsisë dhe i kulturës shqiptare në përgjithësi. Ai ka botuar disa vepra me vlerë të veçantë, për kritikën letrare, historinë e letërsinë, filologjinë dhe kulturën shqiptare duke e bërë një nga studiuesit e mirëfilltë shqiptarë në fushën e kritikës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

3 Shkurt: Paraditen e datës 3 shkurt ndërroi jetë në Itali në moshën 70 vjecare shkrimtari, skenaristi dhe publicisti i shquar Vath Koreshi. Vath Koreshi u lind në vitin 1936 në qytetin e Lushnjes. Në vitin 1955 përfundoi politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, ndërsa në vitn 1960 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë. Vath Koreshi është autor i shumë librave, ku veçohen një sërë vëllimesh me tregime, novela dhe romane. Ndër vëllimet me tregime përmenden “Toka nën hijen e shtëpisë”, “Ndërrimi i qiejve”, novelat “Dasma e Sakos”(1980), “Haxhiu i Frakullës” (1980), “Balada e Kurbinit” (1987). Autorësinë e tij e mbajnë një numër romanesh si “Kur zunë shirat e vjeshtës” (1964), “Dy të shtunat e Suzanës” (1972), “Mali mbi kënetë” (1977), “Rekuiem për një grua” (1995), “Ujku dhe Uili” (1999), “Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s”, “I dashuri i saj i parë”, etj.
Vath Koreshi ka dhënë një kontribut të shquar edhe si skenarist. Përmendim skenaret e filmave “Rrugë të bardha” (1974), “Liri a vdekje”(1978), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Plaku dhe hasmi”(1979), “Në kufi të dy legjendave” (1981), “Nata e parë e lirisë” (1984), “Gjeneral gramafoni” (1987), “Botë e padukshme” (1987), “Balada e Kurbinit” (1990), “Dasma e Sakos” (1998), “Porta Eva” (1999), “Syri Magjik” (2005).
Vath Koreshi është nderuar në vitet ’80, me Çmimin e Republikës, për librin “Dasma e Sakos” dhe për skenarin e filmit “Gjeneral gramafoni”. Gjithashtu në vitin 2005, filmi “Syri Magjik” ku bashkëskenarist ishte dhe Vath Koreshi, fitoi Çmimin për Skenarin më të mirë në Festivalin e 29-të Ndërkombëtar të Filmit në Kajro. Vath Koreshi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë si dhe ministër i Kulturës në vitet 1991-1992.

7 Shkurt: Piktori i njohur Ibrahim Kodra ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare, mesditën e të Martës, më 7 Shkurt, në një spital të Milanos, në Itali. Kodra njihet si “Primitivi i Qytetërimit të Ri”. Ai u varros tre ditë më pas sipas amanetit të tij në Ishëm, të rrethit të Durrësit. Ibrahim Kodra e deshi njeriun dhe kjo dashuri u pasqyrua në veprën e tij, me gjithë origjinalitetin shqiptar, në artin e kubizmit, dhe post-kubizmit. Kortezhi që solli trupin e të ndjerit në Shqipëri kryesohej nga biznesmeni Bexhet Paçolli.
Kodra e ka prezantuar artin shqiptar në botë krahas personaliteteve më të mëdhenj të Artit Pamor. Ai krijoi figurën e tij duke ndërthurur e krijuar ritme edhe nga tradita popullore shqiptare. Tablloja e tij e frymëzuar nga bunkerët, që pa kur erdhi në Shqipëri, sjell një variacion të artit shqiptar me atë modern”, theksoi piktori Shijaku.
Për hir të artit Kodra nuk u kthye në Shqipëri si shumë të tjerë dhe pavarësisht se në shekullin XX, lindën shumë rryma në art, Ai i qëndroi besnik kubizmit, me përmbajtje “nostalgjinë ndaj Shqipërisë”.
Krijimtaria e Ibrahim Kodrës numëron ekspozita kolektive dhe vetiake të çelura në galeri dhe muze në mbarë Europën si Itali, Paris, Gjermani, Gjeorgji, si dhe në SHBA, Neë York, e Amerikën Latine, etj.
Ibrahim Kodra u lind në vitin 1918, në Ishëm të Durrësit. Kodra studioi në Akademinë e Breras, nga ku nisi dhe rrugëtimin e një artisti bashkëkohor. Në vitin 1944 hapi studion e parë në Milano, ndërsa më 1947 u njoh në rrethe artistike bashkëkohore si piktorit i ri në botë.
Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Studiues të artit pamor pohojnë se firmën e Tij mbajnë rreth 6 mijë punime në krijimtarinë e tij artistike.

10 Shkurt: Dionis Bubani u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare, pasi vuante nga zemra dhe ditët e fundit të jetës së tij i kaloi në spital.Ai lindi në Bukuresht në 18 shtator të vitit 1926. Studimet e mesme i kreu në liceun “Gjeorgj Lazer” në Bukuresht dhe sëbashku me familjen e tij erdhi në Shqipëri në vitin 1940. Si i biri i gazetarit patriot, Gjergj Bubani, i cili botoi gazetën “Kosova” në Kostancë, Dionis Bubani trashëgoi dhuntinë e të shkruarit në moshë të re në shtypin e kohës “Letrari i ri”, “Rinia”, etj. Në periudhën e vështirë të jetës së tij, kur i ati u burgos nga regjimi komunist si “armik i popullit” në vitin 1944, Bubani edhe pse një penë e shquar, punoi deri si shitës cigaresh, kartelist dhe daktilografist në Ministrinë e Jashtme.
Ishte viti 1946 kur shkroi për herë të parë në revistën “Hosteni”, ku do të kalonte një pjesë të mirë të jetës së tij. Bubani pak vite më parë fitoi “Pendën e Argjendë” si autori më i mirë i librave për fëmijë. Krahas gazetarisë dhe librave satirikë, Dionis Bubani iu kushtua edhe letërsisë për fëmijë, duke lënë një seri të tërë me “Aventurat e Çapaçulit”, për një fëmijë harakat që udhëtoi nëpër botë..., si dhe shumë tituj të tjerë librash për fëmijë. Madje për përkthimin e përrallave për fëmijë, ai fitoi edhe një çmim në vitin 1998. Si njohës i mirë i gjuhës rumune, Bubani ka përkthyer poezitë e Emineskut dhe autorëve të tjerë të njohur.
Në vitin 2005 Bubani botoi kujtimet “Shakatë tragjike të jetës sime”. Gjithashtu ai njihet edhe si autor i disa teksteve këngësh si “Fëmija i parë”, kushtuar mikut të tij Odhise Grillo, që fitoi cmimin e parë në 1961, “Mos më qorto”, “S’di të vallëzojë”, “Sot mbush 20 vjec”, “Kur jam pranë teje”, “Mjekut të ri”, “Të pajtohemi”, etj.

18 Shkurt: Nderon jetë piktori i njohur Kel Kodheli, një piktor i madh që arriti të ndjekë kohën si artist me një vendosmëri të admirueshme. Ai ishte një njeri i mrekullueshëm , një qytetar i mbarë Shqipërisë dhe piktori i fundit që mbylli ciklin e artistëve të brezit të vjetër që kanë studiuar në perëndim.Ishte një piktor që mbillte paqe, dashuri dhe mirësi. Përmes stilit të tij të ëmbël dhe të butë ai përcillte edhe artin e tij”.
Kel Kodheli u lind në Shkodër në vitin 1920. Studimet e larta i kreu në 1943 në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës. Punimet e Kodhelit, gjatë periudhës së shkollës, ku ai studioi me mjeshtrin italian Carlo Siviero, mbetën në Akademinë e Romës. Pasi kthehet në Shqipëri, piktori për 10 vjet punoi si dizenjues i monedhave në Bankën e Shtetit. Më vonë nisi mësimdhënien për vizatim në Liceun Artistik, kohë kur iu kthye tërësisht pikturës. Karakteristikë e punës dhe krijimtarisë së tij janë trajtimi i motiveve kombëtare. Kodheli i përjashtoi temat që kishin të bënin me tematikën e klasës punëtore dhe fshatarësisë. Veprat më të njohura të tij janë: “Vallja e shpatave”, “Shote Galica”, “Bajram Curri”, “Dropullitja”, “Skënderbeu”, “Lahutari”, “Portret shkodraneje”, etj. Aktualisht në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 35 vepra të artistit. Në dhjetor të vitit 2005 atij i akordohet titulli “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës dhe në Galerinë Kombëtare të Artit ekspozohet koleksioni i tij me një cikël nudosh, të krijuara pas 60 vitesh ndërprerje. Në kohët e fundit të jetës së tij, Kodheli realizoi pikturën në vaj “Takim i Bajronit me Ali Pashën”. Artisti kurrë nuk krijoi art modern, duke cilësuar se “Arti modern shkatërroi artin”.

16 Maj: Ndërron jetë këngëtarja Luçie Miloti, e cilësuar “Bilbili i Ballkanit”. Këngëtarja e papërsëritshme Luçie Miloti u lind në qytetin e Shkodrës më 11 maj 1930, në një familje qytetare, me tradita muzikore. Në moshën 12 vjeçare ajo doli për herë të parë në skenë në Shkodër, më pas këndoi në Radio Shkodra dhe u angazhua në shtëpinë e Kulturës së qytetit, nën dirigjimin e Prenk Jakovës.
Më 1946 u transferua familjarisht në Tiranë, ku u emërua si soliste në Radio Tirana, në drejtimin e Paulin Palit. Një vit më vonë u emërua si soliste në Filarmoninë Shqiptare. Me formimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, më 1957, Luçie Miloti, u emërua si soliste, ku dhe vazhdoi karrierën e saj deri në moshën 45 vjeçare, kohë në të cilën doli në pension për arsye shëndetësore, duke ndërprerë dhe karrierën e saj artistike. Turnetë e saj janë të shumta, në disa vende të botës, ku është vlerësuar me çmime dhe është cilësuar si zëri i rrallë i Ballkanit; në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”.
Luçie Miloti ka marrë titullin Artiste e Merituar më 1961 dhe urdhrin “Mjeshtër i Madh” nga ish- presidenti Rexhep Meidani.

19 Maj: Shkrimtari, gazetari dhe skenaristi i disa filmave të njohur, Anastas Kondo, ndërroi jetë më 19 Maj në Tiranë, në moshën 69 vjeçare. Anastas Kondo u lind në qytetin e Kuçovës, më 28 Nëntor të vitit 1937. Pasi mbaroi Politeknikumin e Tiranës vazhdoi studimet e larta në Shën Peterburg, në Rusi, ku u diplomua si inxhinier Paleontolog. Ai ka punuar për më shumë se një dekadë në Institutin e Studimeve Gjeologjike të Naftës në Kuçovë, e më pas në Fier.
Kondo u rrit në Tiranë, të cilën e deshi sa dhe Himarën e Vunoin, bregdetin e Jonit prej nga rridhte me origjinë, të cilave u kushtoi një vend të veçantë në krijimtarinë e tij. Anastas Kondo është autor i disa teksteve e studimeve shkencore, që hodhën themelet e shkencës së Mikropaleontologjisë në vendin tonë. Disa vjet rresht ai punoi në drejtimin e sektorëve të letërsisë, kulturës dhe arsimit.
Në karrierën e tij, Kondo ka punuar si Zëvendësministër i arsimit dhe kulturës, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve etj.
Ai njihet gjithashtu si shkrimtar, gazetar e skenarist i një sërë filmash. Veprat e tij janë vlerësuar me çmime në konkurset kombëtare të letërsisë. Kondo është laureat i disa çmimeve të Republikës për letërsinë.
Ndër vëllimet e tij me tregime veçohen: “Ura”, “Kur mbaron e vdes burri”, “Portat e diellit”, “Pse e vranë Odisenë”, “Kio”, “Njerëz dhe gurë”, “Kur zbardhi një ditë”. Disa filma janë realizuar me skenar të tij si “Misioni përtej detit”, “Dimri i madh”, “Kur zbardhi një ditë”, “Partizani i vogël Velo”, etj.

7 korrik: Pjetër Arbnori, politikan, ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shkrimtar, ka ndërruar jetë në një spital në Napoli (Itali) në moshën 71 vjeçare nga sëmundja e hemoragjisë cerebrale.
I njohur si Mandela e Shqipërisë, Ish Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet në pesë legjislatura,(1992-2005) një nga kundërshtarët e regjimit komunist, i burgosur politik për 28 vjet, Pjetër Arbnori, u lind më 18 Janar 1935 në qytetin e Durrësit. Që në moshën 14 vjeçare, shpërndau pamflete të cilat bënte thirrje për rezistencë kundër diktaturës komuniste.
Pas shkollës së mesme kreu studimet në Fakultetin e Filozofisë në Tiranë. Gjatë kësaj kohe së bashku me intelektualë të tjerë, punoi për ndërtimin e një opozitë socialdemokrate, programin e të cilës e përpiloi vetë Pjetër Arbnori. Në vitin 1961 u burgos dhe u dënua me vdekje, dënim i cili pas tre muajsh burgu u zvogëlua në 25 vjet. Edhe si i burgosur nuk heq dorë nga veprimtaria e tij, kështu pas një romani dhe disa tregimeve që përgatiti, dënimi i tij u zgjatë edhe për dhjetë vite.
Pas viteve të burgut, në gushtin e vitit 1989, Pjetër Arbnori del nga burgu dhe filloi të angazhohet në rrjedhat demokratike që e kishin kapluar Shqipërinë.
Më 14 janar 1990 në Shkodër, merr pjesë në demonstratën e parë antikomuniste. Më 1991 zgjidhet udhëheqës i Partisë Demokratike të Shkodrës.
Më 1992-1996 , Pjetër Arbnori zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Ai njihet si shkrimtar dhe historian.Pjetër Arbënori ka shkruar dhjetë romane dhe novela, një numër tregimesh të shkurtra dhe një Ditar sekret të cilin e mbante gjatë 28 viteve të burgut.
Ka përkthyer disa libra nga anglishtja, italishtja, frëngjishtja dhe rusishtja.
Ndër veprat e tij përmënden, “Murgut e Mesjetës”, “Kur dynden Vikingët” ku bëhet fjalë për diktaturat nacionaliste dhe komuniste. Pjetër Arbnori, është “Mësues i Popullit”, “Pishtar i Demokracisë”, “Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës” dhënë nga Ansamblea e Vendeve Frëngjishtfolëse. Qyteti i Shkodrës i ka dhënë titullin “Nderi i qytetit”. Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli e cilësoi humbjen e Pjetër Arbnorit, “një humbje të madhe për politikën dhe për kulturën shqiptare” duke e konsideruar atë “një figurë mbi të gjitha historike” . Në një intervistë dhënë ATSH-së Agolli u shpreh se ‘’vlera e Pjetër Arbnorit, i cili vuajti 28 vjet burg në kohën e diktaturës, qëndron në radhë të parë tek vlerat e tij njerëzore’’.
“Ndonëse me një jetë tejet të vështirë ai nuk i maste kurrë njerëzit me metrin e përkatësisë partiake por me vlerat e tyre njerëzore dhe morale”, tha Agolli, i cili ka qënë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, kur Arbnori ishte Kryetar i këtij Kuvendi(1992-1996).
“Arbnori, -kryetari i parë i Kuvendit pluralist në Shqipëri - në situatat më kritike, jo vetëm që nuk i acaronte ato, por mundohej të bindte, të falte dhe të urtësonte gjendjen” u shpreh Agolli, duke kujtuar se e kishte njohur Arbnorin që në ditët e para kur “kishte ardhur nga burgu”(1989) . “Që atëherë njoha tek ai një njeri të ekulibruar”, cilësoi Agolli, në atë kohë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëvë dhe Artistëve të Shqipërisë. “Ai është një shkrimtar i veçantë dhe origjinal.Veprat e tij shquhen për një realizëm të thellë; ai nuk i trillon dukuritë dhe fenomenet dhe ndonëse është një kundërshtar i komunizmit në letërsinë e tij, ato nuk gërthasin dhe as nuk politizohen”, tha Agolli .
“Kjo është edhe arsyeja qe veprat e tij dallojnë nga disa vepra të shkrimtarëve të tjerë disidentë, të cilët duket sikur duan të ndezin grindje në veprat e tyre”, u shpreh shkrimtari i përkthyer në disa gjuhë të botës, duke shtuar se “Arbnori në veprat e tij është kërkues i harmonisë dhe tolerancës”.
“Kam qënë në diten e lindjes së tij, kur mbushi 70 vjeç, sikundër edhe ai ka qënë në 70 vjetorin e lindjes sime, në ceremonitë e zhvilluara në Devoll, tha Agolli, duke nënvizuar, se megjithëse kundërshtarë politikë, kishte marrë pjesë në dasmën e Arbnorit në Shkodër në vitin 1991.
“Në këtë dasmë ngrita edhe një dolli dhe Pjetri si një njeri shume i kujdesshëm nuk harroi të më dërgonte edhe fotografitë e kësaj ceremonie, nga e cila ai pati një jetë të lumtur bashkëshortore dhe dy fëmijë që i donte shumë”, kujtoi shkrimtari i njohur.

17 korrik: Vdes tragjikisht Gramoz Pashko dhe djali i tij teksa transportohej me një helikopter në gjendje koma Në bord të helikopterit ndodhej edhe i biri 24 vjeçar, Rubeni, i cili shoqëronte të atin në këtë udhëtim të vështirë. Ngjarjet precipituan në mënyrë të paimagjinueshme për Pashkon i cili u rrëzua prej disa shkëmbinjve gjatë një dite plazhi në Dhërmi. Rrëzimi e la pa ndjenja dhe në gjendje rreziku për jetën. Një njoftim përmendte një parainfakt si shkaktar të rrëzmit. Mjekët në Tiranë nuk mund të bënin asgjë për të ndaj Zoti Pashko u dërgua me urgjencë në Itali. U vu në dispozicion helikopteri i Gardës në përdorim nga Kryeministri. Helikopteri u zhduk rreth 70 milje larg brigjeve të Pulias, në orën 22 e 17 të mbrëmjes.
Dr. Gramoz Pashko është ndër themeluesit e parë të PD në fillim të viteve 90. Anëtar i Kuvendit të Shqipërisë dhe në vitin 1991 edhe në postin e ministrit të Ekonomisë dhe zv.kryeministër ai u përballu me reformat e para ekonomike të një vendi që po ndryshonte tërësisht sistemin.
Vitet e fundit të qeverisjes së PD (pas 96) e gjetën Pashkon në front të kundërt me politikat qeveritare të së djathtës, sidomos për sa i përket skemave piramidale. Në vitin 2002 me themelimin e Universitetit privat Neë York në Tiranë, Pashko ishte në detyrën e Rektorit të këtij universiteti.
Zgjedhjet e vitit 2005 e gjetën sërish kandidat për deputet duke u rikthyer edhe një herë pranë PD. Pashko ka lënë pas një literaturë dhe studime të shumta në fushën e ekonomisë.

2 Dhjetor : Qamil Buxheli, një ndër penat me të spikatura të humorit shqiptar, ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare duke gdhirë 2 dhjetori pas një infarkti në zemër. Autor i një sërë romanesh satirikë, tregimesh , pamfletësh Qamil Buxheli ishte intelektuali dhe shkrimtari që i fali Shqipërisë, humorin modern që diti ta transformojë humorin në tregimet, skicat, romanet, artikujt ashtu edhe në komeditë që shkroi.
Kryeredaktor i revistës së njohur “Ylli”(revistë social-kulturore) në vitet ’70-90- të shekullit të kaluar, anëtar kolegjumi i revistës humoristike “Hosteni”, Qamil Buxheli, përcolli kontributin e tij njerëzor sa edhe intelektual mbi të gjitha problemet e jetës.
Ai dinte të përcillte edhe një fenomen të trishtuar të shoqërisë përmes humorit të tij i cili ishte një humor që nuk të shqitet kollaj nga mendja’..
Por kontributi i tij si shkrimtar nuk kufizohej vetëm në shkrimet apo në veprat e tij. Qamil Buxheli, nuk ishte një intelektual i mbyllur, ai ishte një njeri aktiv në lëmin e letërsisë, në problemet shoqërore dhe politike duke dhënë mendime shumë te vyera.

27 Dhjetor: Kompozitorja e njohur Dhora Leka , krijuese e këngëve partizane ka ndërruar jetë më 27 dhjetor në moshën 83 vjeçare në Tiranë. Sot në mesditë trupi i të ndjerës, do të vendoset në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku pritet që personalitetet më të larta të vendit, njerëz të njohur të muzikës dhe kulturës shqiptare të kryejnë homazhe në nderim të kësaj figure të spikatur të kompoziconit shqiptar të Luftës Nacional Çlirimtare.
Dhora Leka e cila në vitet 1935-40 të shekullit të kaluar kishte mësuar muzikë dhe luante bukur në piano, u lidh në qytetin e Korçës me grupet antifashiste dhe u angazhua familjarisht në luftën Nacional- Çlirimtare.Në vitet 1942-44, Dhora Leka kompozoi këngët partizane(asaj i përkasin gati 50 për qind e këtyre këngëve), ndërsa në vitet e regjimit komunist ajo u arrestua dhe më pas u burgos dhe u internua.
Mbas viteve 1990, Dhora Leka megjithëse e moshuar ndjeu respektin për veprën e saj në vitet e Luftës.
Takimi i fundit me publikun shqiptar, qe në marsin e këtij viti me operan shqiptare “Një jetë në stuhi”, me libret dhe muzikë të shkruar prej saj bazuar në romanin “Një vjeshtë me stuhi” të shkrimtarit Ali Abdihoxha. Një vjeshtë me stuhi” ishte pika e referimit artistik të kompozitores Dhora Leka, përfaqësuese e rezistencës kundër regjimit diktatorial në Shqipëri që nga vitet ’40 të shek. XX-të e deri në fund të tij.
E vlerësuar edhe në forume ndërkombëtare “Këngët e rezistencës” të krijuara nga Dhora Leka kanë një cilësi të lartë krijuese dhe janë konsideruar si kompozime autentike dhe me vlera të mirëfillta artistike, sikundër edhe i kanë rezistuar kohës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora