Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gur mbi gurë s'do lemë në Kosovë

| E enjte, 01.11.2007, 01:37 AM |


Shkruan: Ben Andoni

Andrej Haxhi Miliç
Kryekomandantin e Gardës së Car Llazarit, Andrej Haxhi Miliç e gjejmë falë një mbështetjeje të kolegëve tanë në Beograd. Ka pak ditë, që ka shpërndarë në të gjithë median një njoftim shtypi, ku bën me dije se më 31 tetor më Krushevac, Qeveria e tyre (janë të vetadministruar?!) do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe do të fillojë luftën më 10 dhjetor, ditën që është menduar se Kosova në rast shtyrje të afatit, do të shpallë Pavarësinë. "Nuk do lëmë gur mbi gur, na sqaron. Do t'i vrasim të gjithë po qëndruan". Pas kemi rusët, më sqaron. Në qeverinë e Zotit Putin shumë janë për mbështetjen e kauzës sonë. Edhe paratë aty i merni,- e pyesim. Përtypet. Jo, më bën, na mbështesin. Kthehet te tmerri sërish. i kujtojmë Kosovën dhe që ende nuk kanë kërkuar falje. Pse, sqaron, kërkohet falje në shtëpinë tënde. Eshtë e kotë që të bësh kërkuesin. Duhet ta lësh të flasë.
Ka fëmijë,- i them,- dhe gra. "Do të na vijë keq, por nuk do falim. Ne luftojmë kundër terroristëve". Kuptohet janë djemtë e AKSH-së, që kur i them se shqiptarët kanë armë njësoj dhe nuk tremben më thotë: "Të shohim. E di që është Drenica serbe, më thotë. Ndaj dhe Thaçi është serb". Muhabeti ndërthuret mes groteskut dhe çmendurisë ballkanike. Ai tregon se do t'i bëjë të gjitha.
Por, burri, me një surrat murgu, që kemi përballë duket se nuk i ka këllqet për këtë punë. Por, me një fytyrë, tepër haluçinante, i shikon gjërat sikur i ka përballë. Kur kthjellohet një moment, kthehet me saktësinë e një lunatiku dhe të sqaron: "Unë jam filorus dhe neve na ndihmojnë rusët". Eshtë krenar për këtë. Ka bërë një shkollë për teologji dhe prej vitit 2002 është kryekomandanti i një ushtrie deri më tani Fantazmë dhe i pari i qeverisë së ashtëquajtur së Krushevacit (vendlindjes së Car Llazarit). Si të gjithë të çarturit në ide e ka një përgjigje për të gjitha, por kur na udhëheq rrugën drejt kuartierit të vet, fillon e bëhet shumë më i mbyllur. Kuartieri i Gardës në Beograd është përballë stacionit të madh të hekurudhës dhe farë afër Bristolit, hotelit, nga ku Ahmet Zogu filloi inkursionin e tij me ndihmën e serbëve drejt fuqisë.

Pse ky mes-emër, “Haxhi” ?
"Kur ikën në varrin e shenjtë në Jeruzalem, sepse unë jam ortodoks si të gjithë serbët, atëhere merr emrin Haxhi dhe kjo është për nder të gjithë atyre, që kanë qëndruar në këtë vend. Kam qenë në këtë kohë dhe këtu e ka origjinën dhe mes-emri im. Pastaj, kam mbaruar shkollën për teologji dhe Patriarku Pavle është bërë sebep për të shkuar në shkollë".

Cila është struktura juaj dhe pse keni adoptuar këtë emër mesjetar?
"Ju e dini nga faqja jonë e internetit, që djemtë e Gardës së Car Llazarit kanë strategjinë për të mbrojtur shpirtin e madh serb. Ndërsa, emri i Car Llazarit, është emri i komandantit legjendar që ka udhëhequr trupat serbe kundër turqve në shekullin e XIV. Në këtë betejë, ai ka fituar ndaj perandorisë së tmerrshme otomane. Por, pushtimi më vonë, zgjati shumë. Ai ka qenë heroi ynë, por në të njëjtën kohë është edhe frymëzuesi ynë kryesor, që do që të fitojmë sërish në Kosovë këtë herë. Ne kemi luftuar bashkë me shqiptarët në këtë luftë".
Për mua (dhe nuk flas në emër të Gardës), nuk e di pse luftojmë me njëri-tjetrin. Unë kam studiuar historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe historinë ballkanike dhe të dy palët janë pasardhës të përbashkët të ilirëve. Nuk janë vetëm shqiptarët, por edhe serbët pasardhës të ilirëve. Nuk thuhet mirë që Garda do thjesht që të fitojë në Kosovë sipas idesë që dikur Car Llazari fitoi më 1389. Në fakt është qëllimi ynë që të fitojmë dhe patjetër që ne do të fitojmë".

Pse lindi Garda e Car Llazarit. Serbinë e mbron qeveria e saj?
"Ne e filluam idenë e ndërtimit të Gardës për shkak të situatës në Ballkan dhe ne do të luftojmë kudo dhe me këdo, që do tentojë të na heqë tokën tonë të shenjtë të Kosovës".

Juve jeni komandanti i kësaj Lëvizje. Çfarë formimi keni?
"Garda, që është themeluar më 5 maj të vitit 2005 në qytetin e Krushevacit, ka qenë ideja ime. Jam lindur në Dragaç të Shumadijes. Eshtë një fshat afër Çaçak. Kur kam qenë i ri kam qenë tregtar dhe kam pasur disa biznese. Më vonë, kam filluar biznesin tim në tregti. Kam pasur, lidhje me të gjithë tregtarët prej tim eti, sepse ai kishte burim ish-tregëtarët e vjetër…Më 1998, i mbështetur nga Patriarku sllav Pavle kam vazhduar Fakultetin Teologjik. Ndërkohë, që shkollimin e mesëm, e kam pasur për ekonomi në Beograd. Pas kasaj kam vazhduar fakultetin dhe në vitin 2000 kam ikur në Jeruzalem".

Si ju erdhi ideja për Gardën?
"Më 2002, kur kam parashikuar se çfarë do i ndodhte popullit serb dhe në fakt është ajo që po i ndodh popullit serb sot, unë themelova Lëvizjen Serbe. U bë në atë qytet, sepse Krushevaci ka qenë kryeqyteti i Car Llazarit dhe nga ajo kohë ka filluar strategjia për të mbrojtur Kosovën…Më 5 maj të atij viti, në dolëm në publik sepse deri atëherë akoma nuk ishim bërë të njohur në publik".

Sa e keni rrjetin e mbështetësve?
"Ne kemi për Beogradin 145 njësi bashkiake dhe po të llogarisësh minimumin për secilën, ku ne llogarisim 100-200 mbështetës për secilën njësi, atëherë mund të nxjerrësh një shumë për sasinë e mbështetësve tanë. Çdo njësi ka mbështetës për Gardën në çdo kohë".

Çfarë do të ndodhë më 31 tetor, ju keni shpallur me anë të një njoftimi shtypi, luftë?
"Më 31 tetor, ne do të shpallim në Krushevac, situatën e jashtëzakonshme për Kosovën. Nga 24 vjeç dhe deri më 45 do të jenë të gjithë të gatshëm për të qenë nën armë. Ne kemi për drejtimin e këtyre njerëzve shumë komandantë të Armatës së Jugosllavisë, që janë gati".

Kush ju financion?
"Garda e Car Llazarit vetëfinancohet dhe në çdo njësi bashkiake anëtarët më të vjetër dhe të rinjtë janë përgjegjës për financimin e njësisë së tyre".

Keni ndonjë lidhje me qeverinë e Koshtunicës?
"Ne nuk kemi, por ai e di që mund të vijë pavarësia e Kosovës dhe qeveria e tij gjoja punon për Kosovën, por e vërteta është se populli serb nuk i beson më këta politikanë.

Ku është ndryshimi i qeverisë së Krushevacit me Gardën e Car Llazarit?
"Qeveria e Krushevacit dhe Garda e Car Llazarit janë e njëjta gjë. Ato janë formuar për të ecur mbi Ganimestan (Fushë-Kosovë). Ne nuk kemi lidhje me qeverinë e Koshtunicës. Qeveria e Krushevacit ka 12 ministra, por ata nuk janë pjesë e qeverisë së Koshtunicës. Ne kemi faqen tonë të internetit, ku mund të konsultoheni dhe nuk keni pse të lidhni Krushevacin me qeverinë qendrore. Sepse marrëdhëniet nuk janë të ngrohta.
Eshtë e njëjta gjë qeveria e Krushevacit dhe Garda e Car Llazarit. Njerëzit e Gardës janë të integruar në këtë qeveri. Diçka tjetër. Nëse do të shpallet pavarësia e Kosovës ka shumë të ngjarë, që Koshtunicës t'i bëjnë atentat njësoj si Xhinxhiçit, bash në qendër të Beogradit".

Nga kush?
"Nga populli i Beogradit. Nga vetë populli?"

Si e shikon Planin e Ahtisarit?
"Sa për planin e Ahtisarit është aneksi 11 që thotë se NATO ka kontrollin e të gjithë Kosovës. Z.Koshtunica ka folur gjithmonë për aneksin 11 dhe është arsyeja kryesore, që ai do të bëjë që të ndihet nga populli serb. Por, Garda e Car Llazarit dhe qeveria nuk do e pranojnë kurrë planin e Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës".

Ku e gjeni tagrin, që të shpallni gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë?
"Unë dua të shpjegoj se vetëm qeveria e Krushevacit ka të drejtë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë ndërsa qeveria e Koshtunivës, Jo! Dhe, kur kosovarët të shpallin qeverinë e tyre më 10 dhjetor do të ketë shumë probleme për qeverinë e Beogradit, sepse populli serb nuk e do shkëputjen. Nuk do të bëhet në mënyrë jo të ndershme, por ne do të përpiqemi më 31 tetor që Qeveria e Koshtunicës të bjerë dhe duam t'i heqim mbështetjen e popullit. Qeveria e Koshtunicës nuk e ka mbështetjen e popullit serb. Ai përpiqet për Kosovën, ndërsa Agim Çeku ndërkohë e ka shpallur pavarësinë. Ne kemi shumë të drejtë të shpallim këtë qeveri sepse i takon të gjithë serbëve. E vetmja gjë që do bëjmë është të shpallim në Krushevac të ardhmen e idesë sonë, sepse ajo është afër lëvizjes sonë".

Kush ju mbështet për idenë tuaj?
"Qeveria jonë ka shumë mbështetje nga qeveria e Zotit Putin dhe ne do të lidhemi dhe do të bashkëpunojmë me rusët. Qeveria e Zotit Putin nuk e beson aspak qeverinë e z.Koshtunica. Ministrat e qeverisë së Zotit Koshtunica janë nën kontrollin e vendeve që e bombarduan Serbinë. Qeveria e Krushevacit është qeveri serbo-ruse dhe ne kemi shumë mbështetje dhe në vende të tjera që janë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndërhyrjeve të saj".

Dhe, në kuadër të kujt platforme e luftoni Perëndimin?
"Më 31 tetor, ne do shpallim ndarjen e dy blloqeve Lindje-Perëndim. Vija e demarkacionit kalon nga Mali i Zi, pastaj Republika Srpska, Moldavia dhe pastaj në Moskë. Në këtë moment, do të ketë divorc dhe për Kosovën sepse ajo do të mbetet sërish në pjesën tonë. Kosova dhe Metohia, por edhe Shqipëria, paçka suportit të saj nga SHBA-ja, do të mbetet në Lindje".

Kjo është sërish ndarje dhe i mungon sensi i drejtësisë, që ju shpallni?
"Për të fituar në Kosovë ne kemi parasysh ndryshe shqiptarët në Shqipëri dhe ata në Kosovë. Nuk janë të ndjeshëm kosovarët dhe shikojmë lëvizje të mëdha. Ne duam një Evropë pa kufij, por me këtë rast nga Perëndimi, po ndërtohet një Evropë me mur tjetër Berlini. Armiqët tanë më të mëdhenj janë njerëzit e NATO-s, që kanë dërguar okupatorët në Tokën tonë të shenjtë, Kosovë"..

Kundër kujt do luftoni në Kosovë? Eshtë një popull, që nuk e pranon kurrë autoritetin tuaj dhe në tokën e tij…
"Nëse do të shpallet pavarësia e Kosovës, Garda do të luftojë kundër NATO-s dhe të ashtëquajturve organizatave të saj dhe ne do të shkojmë për të mbrojtur njerëzit tanë. Nëse do të arrijë puna t'u shpallim luftë do t'i harrojmë ata.
Shqiptarët, që ne i quajmë shiptarë, duhet të dinë se jetojnë në tokën tonë të shenjtë dhe në shtetin tonë. Dhe, qeveria e Krushevacit nuk do e njohë kurrë Kosovën".

A e di, që vendi yt, nuk ka thënë ende më fal, për atë që u bë në Kohën e Millosheviçit?
Për çdo arsye, për të thënë 'Na falni' gjatë kohës së Millosheviçit nuk ia vlen. Nuk është se i kemi vrarë ne shqiptarët e Kosovës. I ka vrarë NATO, ashtu si edhe njerëzit tanë. Ata bombarduan shqiptarët dhe serbët gjatë agresionit mbi Serbi dhe Kosovë. Ne nuk do e humbim Kosovën dhe nuk duhet të gënjeheni për këtë. NATO, mbi të gjitha, ka ardhur në Kosovë, pa lejen e serbëve dhe ata kanë bërë agresion ndaj nesh më 1999. Millosheviçi, për fat, nuk i la të pushtonin Serbinë. NATO ka ardhur në Kosovë duke e fituar me të padrejtë. Por nuk ka qenë luftë, do ishte e tillë po të kishte rregulla të tjera. Ne do ta kthejmë luftën. Qeveria e sotme e Koshtunicës nuk lufton për Kosovën, ndërsa ne do të luftojmë. NATO ka aleatë tek qeveritarët tanë".

A e di që edhe shqiptarët janë të organizuar dhe nuk i tremben sulmeve tuaja?
"Dua t'i përshëndes, pjesën tjetër dhe t'u them 'Shëndet' dhe u them që 'flini dhe mos u zgjoni". Në fakt nuk do të zgjohen kurrë, sepse qeveria e Çekut dhe qeveria e Krushevacit nuk kanë gjë tjetër pse të luftojnë, veçse për Kosovën".

Çfarë armësh keni në formacionin tuaj?
"B-92 ka thënë që do të ketë bombë atomike, por unë them se Lufta nuk ikën dhe ne do të shpallim atë që do jetë një bombë atomike, dhe që do e bëjmë ne.
Përveç kësaj, kemi armë kallashnikov, shumë lloje armësh të tjera të lehta dhe të rënda, si dhe armësh amerikane. Kur të sulmojmë, të gjithë do jenë duke… fjetur.."

E di që lufta ka viktima?
"Po, por ne duam të themi na falni, për ndonjë viktimë. Ne nuk duam të luftojmë ndaj shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, por thjesht ndaj terroristëve".

A jeni vallë kaq të gatshëm?
"Nuk ka gënjeshtër në këtë që do të them: Prishtina do të shkatërrohet dhe nuk do të lëmë gur mbi gur në këtë vend. Fëmijët dhe gratë në atë ditë, fjala ime është të mos jenë në Prishtinë. Ne nuk duam të vrasim civilë, por terroristë. Hashim Thaçin me të gjithë shokët e tij. Të gjithë terroristët do t'i vrasim".

Po e di që ka shumë popull të pafajshëm shqiptar dhe serb?
"Kosovarët shqiptarë duhet të kuptojnë se është toka jonë e shenjtë. Ne kemi qenë të parët. Ka qenë toka jonë. Nuk është faji ynë nëse vritet ndokush nga kjo luftë".

Po ti ku do jesh me këtë rast?
"Lufta do të jetë e shpejtë. Kemi shumë gjeneralë të zotë dhe nuk kam frikë se jam i rrethuar me gjeneralët më të mirë të ish-armatës. Dhe, ne njerëzit e car Llazarit duam të ngjisim flamurin tonë të shenjtë si flaka e shenjtë, në malin e Sharrit. Ky është frymëzimi ynë".

A keni lidhje me Mlladiç?
"Kur të ndahet bota jonë në dy pjesë, Haga nuk do të ketë ndonjë vlerë. Ratko Mlladiçi është një serb që do të jetojë i lirë në vendin e tij në Evropën Lindore,. Dhe, ai do të jetë dhe lider ushtarak i Car Llazarit. Më vonë, ngjarja më e madhe do të jetë që në këtë situatë nuk do të jetë në Krushevac por do të vijë të jetojë i lirë, në vendin e tij".

A mund të jetojnë bashkë shqiptarët dhe kosovarët?
"Mbase. Por, unë nuk kuptoj sesi ata nuk e kuptojnë që Kosova është toka jonë e shenjtë?…

Revista MAPO