Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Andrea Stefani: Tani Kosova ja liri, ja vdekje!

| E merkure, 31.10.2007, 11:03 AM |


Nga Andrea Stefani

Sa më shumë afrohet 10 dhjetori, sa më shumë bëhet e qartë se kompromisi me Prishtinës dhe Beogradit është i pamundur, aq më shumë ngrihen në etere mediatike opsionet politike dhe diplomatike që tentojnë ta shmangin Kosovën nga pavarësia. Dhe janë dy llojesh. Ca opsione ofrojnë kulaçin e miliardave që do të vërshonin në Kosovë, mjafton që kjo të mos bëhej e pavarur. Ca opsione të tjera po aq hipotetike, ofrojnë kërcënimin e kërbaçit pra, të konflikteve deri edhe luftës që do të shpërthente, nëse Kosova do të guxonte të shpallte në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Janë opsione që nuk llogaritin se nuk ka gjë më të çmuar se liria për një popull të mbetur prej shekujsh nën një skllavërim, shtypje dhe përbuzje prej gjenocidi. Kemi arritur në një moment kur kosovarët asgjë nuk mund t‘i joshë as edhe të trembë për të braktisur opsionin e pavarësisë. Kjo e bën edhe Volfgang Ishinger të pranojë se "shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, është një mundësi reale".

***

Është e vështirë të fshihet një thelb gati i padukshëm, por cinik, që karakterizon bisedimet e stërzgjatura për pavarësinë e Kosovës. Aq më tepër kur orvaten për t‘i shtyrë këto bisedime deri në pafundësi. Sepse është sa cinike aq edhe absurde të përpiqesh t‘i mbushësh mendjen një populli që, pasi ka prekur lirinë, të rikthehet të jetojë (nëse mund të quhet jetë) përsëri nën qeverisjen e një kombi që e ka sunduar madje poshtëruar, për më shumë se një shekull. Dhe që kosovarët janë gjendur nën një sundim të egër nën ish-Jugosllavi dhe më pas nën Milosheviçin, kjo është një e vërtetë tragjike dhe e përgjakshme që tashmë e pohojnë edhe vetë intelektualë serbë që janë emancipuar nga shovinizmi. Kosovarët kanë qenë negrit tanë dhe armiqtë tanë - shkruan këto ditë një nga novelistët më të njohur serbë, Vldadimir Arsenijeviç. Ky diskriminim special ka pasur përherë një thelb nacionalist, madje deri edhe racor, sepse kosovarët, i përkasin kombit shqiptar.

Gjuha tyre nuk është gjuhë sllave si ato të pjesës tjetër të kombeve që përbënin Federatën Jugosllave. Ky diskriminim u përforcua me ardhjen e Milosheviçit në pushtet. Por sikundër pranon vetë Arsenijeviç, racizmi kulturor i kohës së Titos nuk ishte asgjë krahasuar "me urrejtjen vrasëse për "shiftarët" që mbërtheu serbët pas vdekjes së Titos". Dëshmi e kësaj "urrejtje vrasëse" ishin masakrat e kryera në Kosovë nga forcat militare dhe paramilitare serbe, si dhe përzënia biblike e popullsisë së Kosovës nga shtëpitë dhe trojet e veta. Dhe kush mund ta besojë se kjo "urrejtje vrasëse" është tretur si kripa në ujë për më pak se 7 vjet? Ndaj si mund të guxohet, pa qenë i pajisur me një dozë të theksuar cinizmi për fatin e një populli, që t‘u propozohet kosovarëve të kthehen nën qeverisjen serbe kur vetë intelektualë serbë si Arsenijeviç, pohojnë që pas luftës së Kosovës "shpresa për normalitet mes serbëve dhe shqiptarëve të zakonshëm, për mundësinë që ata të jetojnë krah për krah në një të ardhme të afërt, u zhduk"?

Sepse vërtet Milosheviçi nuk është më, por janë ende rrënjët shoviniste shekullore të atij pushteti. Ato nuk zhduken lehtë. Dhe është fakt që deshovinistizimi i Serbisë (përjashto korrentet intelektuale dhe ndoshta shtresa më të emancipuara urbane) nuk po ndodh. Vetë zhvillimet e kohëve të fundit kanë bërë që "pikëpamja jonë për shqiptarët e Kosovës të mbetet i pandryshuar edhe për një kohë të gjatë në të ardhmen" - pohon Arsenijeviç. Dhe shton se të rinjtë në Serbi kanë nisur të urrejnë përsëri. Testimet e opinionit tregojnë se "më shumë se 30 për qind e nxënësve serbë të shkollave të mesme besojnë se nuk duhet të shoqërohen me bashkëmoshatarë shqiptarë dhe as t‘i vizitojnë ata". Të gjitha këto janë premisa aparteidi dhe jo bashkëjetese evropiano-perëndimore. Shenjë e këtij antishqiptarizmi, që jo vetëm nuk është çrrënjosur, por ka vazhduar të mbillet në këto 7 vjet, është edhe këmbëngulja e politikanëve të rinj serbë për të mos njohur pavarësinë e Kosovës. Kuptohet që larg se kemi të bëjmë me një pozë elektorale, më së shumti e imponuar nga presioni i turmave shoviniste.

***

Kosovarët nuk mund të pranojnë të rikthehen nën pushtetin mbytës të antishqiptarizmit serb. Edhe sikur të sakrifikohen nën topat e Putinit dhe të Beogradit. Dhe në rast se bota nuk është bindur ende se ajo që u ofron Serbia kosovarëve mund të marrë çfarëdo lloj emri, por liri nuk mund të jetë, nëse provat e shtypjes, gjenocidit, eksodit biblik të kosovarëve nuk mjaftuakan që Evropa t‘i mbështesë njëzëri shpresën dhe etjen e tyre për liri, atëherë kosovarëve nuk u mbetet rrugë tjetër veçse t‘i qëndrojnë besnik shpresës së tyre dhe të përmbushin këtë etje që djeg prej shekujsh. Edhe nëse do t‘u duhet të sakrifikohen do të sakrifikohen për lirinë, për atë që është themeli i çdo ekzistence njerëzore, për atë që është edhe themeli, rrënja dhe zemra e vetë qytetërimit evropian.

Dhe nëse Evropa e tradhton Kosovën, ajo të tradhtojë zemrën e saj, rrënjët e saja. Duke i kthyer shpinën Kosovës, Evropa do t‘i kthejë shpinën lirisë. Thonë se regjimi serb nuk është më ai i Milosheviçit dhe se nën këtë regjim të sotëm, Kosova nuk do të jetë më e shtypur. Edhe sikur të qe kështu, Kosova do të mbetej një popull i ndaluar (Qose), një popull që nuk e lënë të ushtrojë vullnetin e vet, lirinë e vet. Nuk do të ishte një popull i lirë dhe ai që nuk është i lirë, nuk ka si të mos jetë i robëruar. Robëria mund të jetë e veshur edhe me petk demokratik, por do të mbetet megjithatë një robëri. Por nëse vërtet regjimi në Serbi nuk është më shovinist, atëherë ai duhet kishte dhënë me kohë prova të qarta për këtë. Dhe një nga më kryesoret është vdekja e etjes shoviniste për të mbajtur me çdo kusht nën Serbi, një popull që nuk dëshiron të rrojë nën Serbi.

Edhe sikur faktet historike të provonin se trualli i Kosovës i përket Serbisë (gjë që në nuk provohet aspak), fakti që atje mbi 90 për qind është shqiptare, i heq historisë të drejtën e çdo rivendikimi. Sepse një vend është mbi të gjitha njerëzit që e popullojnë atë prej brezash dhe jo dheu. Brezat e gjallë bëjnë që e kaluara të mos sundojë dot mbi të sotmen, e vdekura të mos mund t‘i kërkojë llogari të gjallës. Të mbështesësh një "të drejtë historike" duke sakrifikuar një të drejtë të ditës, një të drejtë të së djeshmes, duke sakrifikuar atë të së sotmes, do të ishte si të mbrosh të drejtën e vdekur kundër të drejtës së gjallë do të qe pra, një nekrofili shtetërore apo diplomatike. Prandaj, nëse vërtet politika serbe nuk është më ajo shoviniste dhe kriminale e Milosheviçit, duhet t‘i lërë kosovarët të shkojnë në lirinë që meritojnë. Sot Kosova i drejtohet me kërkesën për liri jo vetëm Beogradit, por edhe Evropës dhe botës me fjalët e Zotit dhe profetit Moisi: Lëre popullin tim të shkojë!

***

Është kërkesa më solemne që mund të paraqesë një popull. Prandaj nuk duhet pasur iluzion se kosovarët do të pranojnë të bëjnë pazar me lirinë e tyre, të shesin një pjesë të kësaj lirie vetëm sepse kështu ua do interesi disa shteteve të tjera, përfshi Rusinë, meqë ato kanë ca probleme me kombe të tjera ashtu sikundër dhe Serbisë me Kosovën. Është cinike të mendosh se Kosova mund të lëshojë nga interesi i saj më i lartë pavarësia, për hatër të interesave që nuk janë të sajat. Askush nuk ka të drejtë që për të tilla interesa, të diktojë një gjysmëliri për Kosovën. Sepse liria ose është ose nuk është. Të gjitha këto forma hemafrodite që i serviren sot Kosovës, janë si ata përbindëshat mitologjikë që edhe pse mund të kishin kokë apo gjymtyrë njerëzore, nuk ishin qenie njerëzore.

Edhe liria "vetëm ekonomike, por jo politike", edhe ajo "diçka më shumë se autonomi, por diçka më pak se pavarësi" mund të jenë gjithçka, por liri nuk janë. Dhe populli i Kosovës nuk do, as më shumë dhe as më pak, por lirinë që është për të e shenjtë dhe e shtrenjtë, ashtu sikundër është për të gjithë popujt e Evropës dhe botës. Ka shekuj që e pret. Kush ia privon, kush ia ndalon bën një krim të madh pavarësisht nga "arsyet" e ftohta dhe cinike që sjell. Sepse sado të argumentuara diplomatikisht dhe realpolitikisht, ato do të jenë "arsyet" e robërisë. Ndërkaq, kryearsyeja ekzistenciale e një populli është liria. Vetëm duke hequr dorë nga robërimi i Kosovës, regjimi i Beogradit do të dëshmojë shenjë evropianizimi dhe se vendos lirinë mbi robërinë, integrimin evropian të popujve të lirë, mbi izolimin dhe skllavërimin nacionalist.

Por nëse këmbëngul të mbajë Kosovën edhe nëpërmjet konflikteve dhe të tankeve, atëherë ku është dallimi me regjimin e Milosheviçit që futi përgjakshëm tanket në Kosovë? Paradoksalisht, ajo Kosovë që e kanë shtypur kaq kohë, bëhet sot prova e lidhjes së serbëve si komb me lirinë. Sepse, mesa duket, është e nevojshme të kujtojmë se që nuk mund të jetë i lirë ai popull që skllavëron një popull tjetër. Dhe nëse serbët duan vërtet të bëhen të lirë pas Milosheviçit, duhet të mbështesin lirinë e Kosovës, sepse mbështesin lirinë e tyre. Skllavëria është një virus që po u tolerua diku, përhapet si epidemi. Të skllavërosh Kosovën do të thotë të presësh rrugët e integrimit të Serbisë në Evropë. Sepse a mund të integrojë në gjirin e vet Evropa e lirë një popull që skllavëron një popull? Liria e Kosovës e afron Beogradin me Evropën dhe me Kosovën gjithashtu. Një afrim i përbashkët mbi shtratin e rrjedhës së pandalshme të lirisë.

***

Është e kotë që shpresës së papërmbajtur të kosovarëve për të qenë të pavarur, t‘i kundërvësh kostot e konflikteve të mundshme. Asnjë kosto, asnjë rrezik nuk mund të shërbejë për të shantazhuar dhe prapsur një popull kur i është afruar kaq pranë lirisë. Kosovarët kanë guxuar ta mbrojnë lirinë e tyre në kohë shumë më të errëta, kur aleat i tyre ishte vetëm huta dhe stralli i maleve. Kanë guxuar të bëhen ushtarë të çlirimit përballë makinës ushtarake të Milosheviçit, kur ende nuk ishin shfaqur aleatë të fuqishëm si NATO apo SHBA. Por edhe sikur të mbeten vetëm ata nuk mund të heqin dorë nga pavarësia tani që e kanë kaq pranë. Do të preferonin më mirë të vdisnin. Dhe do t‘i tregojnë botës mbarë se janë njerëz të lirë që nuk i durojnë më prangat. Do të preferonin të vdisnin për lirinë, duke i dhënë botës një tjetër mësim të shenjtë lirie.

Prandaj duan apo s‘duan putinët e kësaj bote, do ta shpallin mëvetësinë në dhjetor. Kupa u mbush dhe nuk ka më kohë për "diplomaci" që ushqen opsionin e skllavërisë. Nuk ka më kohë as për atë lloj "maturie" që i këshillon për të mos vepruar njëanshmërisht. Kosovarët iu përmbajtën me besnikëri paktit me të gjithë. Iu përmbajtën me durim afatit të Dhjetorit. Ndaj kosovarët do ta shpallin pavarësinë dhe 2008-ta do ta gjejë Kosovën sovrane. Edhe nëse i kërcënojnë me ferrin e luftës dhe konfliktit, kosovarët nuk do ta braktisin lirinë e tyre. Guximi i ndezur i popullit do t‘i imponohet kalkulimeve të ftohta të politikës. Yjet e Kosovës, "horoskopi" i Kosovës, tregon vetëm pavarësi. Sepse kurrë më parë çështja kosovare nuk ka qenë kaq në qendër të diplomacisë dhe opinionit botëror.

Kurrë këto opinione nuk kanë qenë kaq në shumicë të demokratizuara dhe pro lirisë së një populli. Dhe në këto kushte, një popull që nuk guxon të zgjatë dorën dhe të valëvisë flamurin e pavarësisë së vet, do të tregonte se nuk është i denjë për lirinë. Nëse ai do ta braktiste lirinë tani, liria do ta braktiste atë përgjithmonë. "Udhëheqësit në Prishtinë e dinë se pavarësia nuk mjafton për t‘i dërguar ata në Parajsë" - thotë Ishinger. Por ata ndërkohë ndoshta e kanë kuptuar se mosshpallja e pavarësisë, do të mjaftonte për t‘i dërguar në Ferr. Sepse populli i Kosovës e ka vendosur, më mirë të vdekur se të skllavëruar. Nën Serbi nuk kthehen më. Dhe ndaj dhe ofron vetëm dy rrugë: Ja liri, ja vdekje!