E premte, 26.04.2024, 12:49 AM (GMT+1)

Editorial

Sabile Keçmezi- Basha: Gjithsesi, historia duhet të rishkruhet

E marte, 23.03.2010, 10:59 PM


Gjithsesi, historia duhet të rishkruhet

 

Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha

 

Kohëve të fundit, në kuluaret shkencore me të madhe po flitet e po riflitet, po debatohet e po shqyrtohet, se gjithsesi duhet të rishikohet dhe të rishkruhet historia e jonë kombëtare. Në Lidhjen e Historianëve të Kosovës  qysh më herët kanë filluar debatet rreth kësaj çështjeje. Në një mënyrë të heshtur, nganjëherë fitohet përshtypja se tabori i historianëve është ndarë në dyshë. Një grup mendon se veprat që janë shkruar nuk ka nevojë të rishkruhen dhe të riplotësohen me të dhëna të reja.  Mendoj se tani nuk ka nevojë, që të zbresim shkallëve të shumta të historisë dhe, të shohim se në çfarë kushte kemi punuar dhe në çfarë rrethanash kemi shkruar historinë tonë. Rishikimi i historisë është në natyrën e historiografisë, andaj mendoj se në logjikën e shkencës, në çdo kohë dhe në çdo periudhë është i lejueshëm dhe shumë i arsyetueshëm rishikimi i saj. Mendimi shkencor mendojë, se ka edhe dialektikën e vet të zhvillimit, pikërisht në këtë mënyrë, ai mendim  thellohet dhe kapërcehet në kufizimet që si rrjedhojë kanë kushtet konkrete në periudha të caktuara historike dhe nga rrymat ideologjike që i përjetuam në kohë të ndryshme të historisë.

            Siç është e ditur, në rrugëtimet e gjata të historisë së hidhur, populli shqiptarë bëri shumë lufta, pati shumë personalitete, numër të panumërt organizimesh, pati shumë lëvizje e organizata të panumërta ilegale dhe, vlen të cekim që, gjatë historisë patëm edhe të arritura, të cilat kishin vlera të larta e të mirëfillta jo vetëm për ne, por edhe për historinë e rajonit e më gjerë, me të cilën me plotë të drejtë krenohet kombi shqiptar. Do të përmendja figurën emblematike të heroit kombëtar- Skënderbeun, Nënën e Madhe-Terezë e shumë e shumë personalitete të tjera që nuk do të ndalesha tani ti numëroja.

             Në rrugën e gjatë të lëvizjeve për çlirim, bashkim dhe përparim të kombit, para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke vazhduar para e pas Luftës së Dytë Botërore, e deri tek vitet e fundit të shekullit XX, për të kaluar në fillimet e shekullit XXI, dot shohim se me çfarë historie paraqitet populli i ynë. Historia  Kombëtare Shqiptare, më vije keç ta them, por shpeshherë për ngjarjet madhore historike kemi përdorur gjuhën e Ezopit, ndërsa ata, “të padëgjueshmit e pushtetit”, që shkruanin diçka që binte ndesh me sistemin okupues, e pësonin keç, siç e pësoi Akademiku i nderuar Prof. dr. Ali Hadri. Duhet pranuar se gjatë viteve 1945-1990 kryesisht historia e jonë është shkruar bardhë e zi ( me oscilime të vogla). Andaj tabori i dytë i historianëve mendojnë dhe thonë me të drejtë se gjithsesi, historia e jonë duhet të shkruhet dhe të rishkruhet, kuptohet vetëm aty ku është e shtrembëruar, të përmirësohet, dhe të plotësohet me të dhëna të reja që i kemi me bollëk dhe kujdes të veçantë ti kushtojmë historisë më të re të popullit shqiptar që deri diku është e pa hulumtuar.

             Më se gjysmë shekulli historia e popullit shqiptar, në ish-Jugosllavi, herë-herë ishte e kualifikuar si veprimtari antishtetërore dhe herë-herë mbante shifrën e fshehtësisë shtetërore të shkallës më të lartë- si tabu temë. Në qarqet shtetërore dhe ndërkombëtare, shteti ish-jugosllav kishte pas filluar një fushat të paparë antihistorike dhe dezinformative për popullin liridashës. Të gjithë historianët janë dëshmitar ( kuptohet ata që kanë hulumtuar në Arkivat e ndryshme në Serbi), se si kanë qenë të censuruara dokumentet arkivore. Mbyllja apo seleksionimi që u bënte në dokumente arkivore dhe censura e hekurt që u aplikonte në ish-Jugosllavi, kontrolli i plotë i shtypit, medies dhe mungesa e “rrjedhës” së informacionit, propaganda mbi “sukseset” e regjimit, kishin si qëllim të pengonin të vërtetën për historinë dhe historiografinë shqiptare. Për qëllime propagandistike antishqiptare, pushtetarët dhe “shkencëtarët” serb, për një kohë shumë të shkurtër opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar, gjatë viteve 1981-1989, i kishin pas servirur mbi 800.000 artikuj, deklarata, diskutime, fejtone, foto, intervista, karikatura, komente, reportazhe për shqiptarët, për jetën, luftën dhe të bëmet e tyre.

Nga kjo del e dhëna se shteti totalitar i Jugosllavisë, duke politizuar çdo qelizë të jetës shqiptare, nuk la pa prekur esesi as historiografinë. Ky politizim u shfaq në faktin se gjithë zhvillimin e proceseve  historike e lidhte vetëm me faktorin serbo-sllavë, me rolin e shtetit dhe luftën e tyre për çlirim. Në shkrimet dhe punimet e ndryshme të gjitha ngjarjet dhe figurat shqiptare vlerësoheshin vetëm sipas kutit të historiografisë serbe. Për çdo sukses, përcaktues ishte roli i këtyre të fundit. Madje, për këto ishin të pakta ose të papërfillshme gabimet apo të metat, gjë që fliste për një trajtim të njëanshëm e jo objektivë të realitetit. Ky trajtim i një anshëm i historisë linte në harresë ngjarje e figura të tjera të rëndësishme të historisë, që lidheshin me forca të tjera kombëtare e politike. Me këtë trajtim të një anshëm, historia kombëtare shqiptare ishte jo vetëm bardhë e zi, por dimensionet kombëtare të saja tkurreshin e ngushtoheshin deri në pa besueshmëri. Gjatë tërë kësaj periudhe (1945-1990), nga historia shqiptare u mënjanuan ose fare pak u shkrua për ngjarje e figura të shquara të kombit, vetëm e vetëm që vinin në kundërshti me qëllimet okupuese të shtetit jugosllav. Bile-bile, shkohej aq larg sa këto të fundit ishin trajtuar si forca reaksionare dhe antikombëtare.

            Por, pas vitit 1990, kur në Kosovë fillon të “jetësohej” sistemet shumë partiake (megjithëse i kufizuar), në një mënyrë, kjo kohë është edhe kapërcyell, kur ndërgjegjja intelektuale haptas dhe më këmbëngulje u vu në mbrojtjen e popullit të vet dhe filloi të shkruante  për të kaluarën e afërt nga një kënd tjetër, kur shkrimet historike, publicistike dhe politike filluan me rebelizëm të mos respektojnë censurën e hekurt serbo-jugosllave dhe të zhvishen nga ideologjizmat e censurat e ndryshme. Pikërisht atëherë, kur të dhënat historike filluan të quhen me emrin e vërtet e shkencor- fakte historike. Lirshëm mund të shprehem, se ndoshta edhe ashtu pa u vërejtur, filloi në një mënyrë të rishikohet dhe të rishkruhet historia e mirëfilltë e popullit shqiptar.

  Dhe, mendojë se, përkushtimi ndaj historisë së kombit, përbënë një detyrim për çdo penë të historisë, të letërsisë, të dramës e të gjinive të tjera. Pra, kjo ngel në ndërgjegjen e çdo njërit nga ne.

 

(Autorja është anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Historianëve të Kosovës)



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora