E enjte, 28.03.2024, 11:21 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Përse nuk dënohet komunizmi në Shqipëri

E hene, 22.03.2010, 09:57 PM


Përse nuk dënohet komunizmi në Shqipëri

 

Nga Reshat Kripa

 

Lexova artikullin e zotit Ajet Nuro në “Tribuna shqiptare” me titull: Kombet e Bashkuara i kërkojnë Shqipërisë të dënoj  krimet  e Komunizmit.

            Në artikull shkruhet:

Para disa ditësh lexova një lajm që më bëri shumë përshtypje. Aty thuhej se një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj komunizmin… Kuptojeni mirë, NJË DELEGACION I KOMBEVE TË BASHKUARA I KËRKON SHQIPËRISË TË DËNOJ KOMUNIZMIN...

            Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkoj që Shqipëria të dënoj komunizmin, punët janë shumë keq. Sepse ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo, aq sa është i shqetësuar. Dhe kjo 20 vjet pasi Shqipëria pretendon se e hodhi poshtë komunizmin. “

            Një fjalë e urtë popullore thotë: “Ku dhëmb dhëmbi vete gjuha”. Edhe mua ky shkrim më goditi atje ku më dhëmb  më shumë, në parashikimin e së ardhmes së vendit tonë. Por si mund të ndërtohet e ardhmja? Mos vallë duke harruar rrugën nëpër të cilën kemi kaluar? Personaliteti i njohur shqiptar, Ago Shero Agaj shkruante:

 “E ardhmja nuk na sjell gjë, ndaj ne duhet t’i japim asaj çdo gjë që të mund ta ndërtojmë. Por duhet të kesh që të japësh dhe ne nuk kemi asnjë mjet tjetër, asnjë fuqi tjetër veç thesareve të së shkuarës, thesare të cilat ne duhet t’i drejtojmë, t’i  thithim e të krijojmë rishtas.”

            Për fat të keq,  në Shqipërinë e sotme, zërat e burrave të shquar, apo zërat e rinj që kërkojnë një reflektim sa më të plotë të idealeve perëndimore, pothuajse nuk dëgjohen fare. Shqipëria po kalon një periudhë tensionesh të krijuara artificialisht për mbajtjen apo marrjen e pushtetit, të ngritur nga udhëheqës karrieristë dhe që mbështeten nga individë të ngjashëm me ta, pa moral dhe pa parime, apo nga turma militantësh fanatikë, që nuk shohin më larg se hija e tyre.

            Ndaj unë sot drejtoj pyetjen biblike: Quo vadis Shqipëri?

            Përse u dashka që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkoj Shqipërisë dënimin e krimeve të komunizmit? A nuk e dinë shqiptarët se komunizmi ishte ai që i la me shekuj prapa vendeve të tjera?  Atëherë, si mund të ndërtohet kapitalizmi me mentalitet komunist?

            Po kaloja me një mikun tim në bulevardin “Bajram Curri”. Po afroheshim te vendi ku ky bulevard bashkohet me rrugën e Kavajës. Në një pallat të kohës së perënduar,  ende i pa suvatuar  ndërtuar me tulla silikate, ishte shkruar me tulla të kuqe: “Rroftë Partia e Punës”.

            Nuk u besova syve të mi që, tani pas gati njëzet vjetësh, në vendin tonë të kishte parrulla të tilla të një diktature që themi se e kemi rrëzuar. Ia tregova mikut tim. Ai buzëqeshi dhe tha vetëm një fjalë: Katovica!   

            Në ato çaste m’u kujtua një pjesë e fjalës së mbajtur nga zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës: “Për dënimin e krimeve të rregjimeve komuniste”:    

            Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi  ka  ardhur    pushtet  dhe    ketë  qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

            Janë pikërisht këta lakej zotërues të politikës shqiptare. Por le të hyjmë më thellë.

            A ka në Shqipëri të djathtë dhe të majtë? Unë mendoj se ato i ngjajnë figurave të letrave të bixhozit që ngado t’i kthesh të del para e njëjta fytyrë. Sot në Shqipëri ka një të majtë ekstreme dhe një të djathtë që, në të vërtetë, është gjysmë e djathtë dhe gjysmë e majtë ose as njëra dhe as tjetra.

Ku shfaqet mentaliteti komunist në të majtën shqiptare? Partia Socialiste krijon Fondacionin Rinor që i ve emrin e një kreu të ish komunistëve, Qemal Stafës. Festohet kremtimi i Konferencës së Pezës dhe në skenë dalin portretet e diktatorit Enver Hoxha, duke ia atribuar atij meritat e kësaj konference, kur dihet se në të morën pjesë edhe shumë nacionalistë, midis të tjerëve edhe udhëheqësi legalist Abaz Kupi. Në mënyrë të qëllimshme mohohen luftrat e përbashkëta që kanë bërë forcat partizane me ato balliste gjatë luftës për çlirim kombëtar. Në syrin e socialistëve shqiptarë ballistët dhe zogistët, bile edhe të gjithë ata që e pësuan nga sundimi komunist, vazhdojnë të shikohen si armiq të klasës. Këtë ata e kanë treguar disa herë. Në vitin 2006, në çastin e miratimit të Rezolutës së parlamentit shqiptar në mbështetje të asaj të Këshillit të Europës, të cituar më sipër, deputetët socialistë braktisën sallën. Të njëjtën gjë bënë edhe kur diskutohej ligji mbi dëmshpërblimin financiar të ish të përndjekurve politik. Madje një nga krerët  e tyre, ish kryeministri Majko, i quajti “Plehra” të rënët në luftë kundër sigurimit të shtetit pas nëntorit 1944.  Në ekranet dhe  gazetat e  majta  për  çdo ditë shohim të shfaqen figurat e  personazheve përgjegjës të katastrofës që kaloi vendi ynë.

            Një gjë e tillë na bënë të besojmë se e majta nuk është ndarë me ideollogjinë komuniste. Një gjë e tillë duket më qartë në qëndrimin e udhëheqësit të saj. Edi Rama. I njohur në vitet 90-të si “ flamurtar i lëvizjes për liri dhe demokraci “, sot papritur është shndërruar në një ultra të majtë që edhe vetë diktatori Enver Hoxha do t’ia kishte zili. Ruana zot po të vijë në pushtet! Do të kemi përsëri një Enver të dytë, në mos më keq. Shikoni njerëzit që mban afër dhe do të bindeni për sa thashë më lart. Gramoz Ruçin, ish sekretar i parë në kohën e diktaturës. Ilir Gjonin, birin e ish antarit të byrosë politike Xhelil Gjoni. Ditmar Bushati, birin e ish sekretarit të parë Sulejman Bushati. Në aleancë me të janë figura të tjera të njohura të sistemit socialist si Skënder Gjinushi, ish ministër, historiani komunist Paskal Milo, apo papagalli i Edi Ramës, vocërraku Erion Veliaj. Edi Rama më kujton Musolinin që nga një eksponent i Partisë Socialiste Italiane u bë kreu i Partisë Fashiste, armikut të tërbuar të socialistëve. Shembull tipik i njeriut karrierist, njeriut anarshist.

            Por le të kthehemi tani nga e djathta dhe le të shohim se ku po shkon ajo. Nëqoftëse do hedhim një vështrim në vitet 1992 – 1997, do të konstatojmë se kjo e djathtë në atë kohë bëri disa përpjekje për t’u shkëputur nga mentaliteti komunist. Një gjë e tillë ra në sy më tepër në trajtimin që ajo i bëri shtresës së të përndjekurve politikë  dhe figurave të shquara nacionaliste që në fakt ishin përfaqësueset e vërteta të së djathtës shqiptare. Ky trajtim, në vështrim të parë, ishte i pranueshëm. Përfaqësuesit e këtyre shtresave mundën të gjejnë deri diku veten e tyre. Atyre që u ishte mohuar kjo e drejtë, tashmë mundën të depërtonin në shkallët e hiearkisë  shtetërore dhe partiake. Dhe kjo ishte një e drejtë që atyre u takonte dhe që nuk e fituan duke u lutur, por e merituan me vuajtjet e tyre, me sakrificat e tyre për gati një gjysëm shekulli. Dhe ata e justifikuan këtë trajtim me përkushtimin e tyre për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

           

Po sot si paraqitet gjendja? Si nata me ditën me atë të më sipërmen. Në shumë këshilla bashkish dhe komunash shumicën e kanë partitë e djathta. Por a keni parë ndonjë inisiativë të tyre për ngritjen e figurave të nacionalistëve të shquar në historinë shqiptare? Asnjë. Para ca kohe Këshilli Bashkiak i Durrësit vendosi t’i verë një sheshi emrin e komunistit Nako Spiru, thua se nuk kishte emër tjetër.  A nuk do ishte në nderin e tij t’i vinte emrin e organizatorit të parë të rezistencës antifashiste në këtë qytet, Abaz Kupit? Po një biblioteke, shkolle apo sheshi në Tiranë, përse nuk mendon njeri t’i verë emrin e                “Apostullit të Shqiptarizmës“, luftëtarit për lirinë dhë pavarësinë e Shqipërisë, Mit-hat Bej Frashërit? Solla vetëm dy shembuj, por historia shqiptare ka plot të tillë që qëllimisht janë lënë në hije dhe vazhdojnë të ngrihen në qiell akoma emrat e atyre që për një gjysëm shekulli, ishin objekt lëvdate dhe hymnizimi.

            Ky qëndrim vihet re edhe në miratimin e ligjit “ Mbi dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë “, ku në mënyrë të qëllimshme janë lënë jashtë kategori të tilla si të vrarët nga komunistët në periudhën deri në nëntorin e vitit 1944, Paradoksi i këtij ligji është se këta persona, po me një ligj tjetër të miratuar nga e djathta në qeverisjen e parë të saj, kanë fituar statusin e të përndjekurit politikë dhe si rrjedhojë edhe dëmshpërblimin e caktuar për ta në atë periudhë. Për më tepër, një pjesë e mirë e tyre, janë dekoruar nga Presidenti i  Republikës me titullin “Martir i Demokracisë“.

Çështja e pronave është një pikë tjetër që tregon se e djathta qeveris me metoda të majta. Këmbëngulja për zbatimin e ligjit 7501, një ligj i ngjashëm me atë të reformës agrare të vitit 1946, mendoj se është një nga gabimet e saj. Kjo ka ndeshur në rezistencën e ish pronarëve, por edhe  në veprimet spekullative të disa prej autoriteteve shtetërore që  ishin ngarkuar për ndarjen e saj, apo të organeve të drejtësisë që kanë çuar në ngjalljen e pakënaqësisë në qytetarët. Kompesimi financiar është një barrë shumë e rëndë për buxhetin e vendit tonë, pothuajse i pamundur për t’u realizuar. Kështu si po zbatohet ky kompesim do të mund të përfundojë të paktën pas njëqind vjetësh, në mos më shumë. Kthimi i pronave ish pronarëve duhet të jetë A-ja për një parti të djathtë.

Në tetorin e vitit 2006 u miratua rezoluta mbi dënimin e krimeve të komunizmit. Po mbushen katër vjet dhe nga të gjitha pikat e kësaj rezolute dhe është zbatuar vetëm një, ajo e shpalljes së 20 shkurtit si dita e përkujtimit të viktimave të komunizmit. Dua t’i drejtohem qeverisë demokratike:

1. Kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve të

parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave te përndjekurve, akademikve, historianëve si dhe eksperëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët?

2. Kur do të përmbushen detyrimet ligjore në lidhje me statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të vrarëve dhe të zhdukurve me ose pa gjyq për arsye politike?

3.  Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi, dhe ekzekutuesi i  sistemit më diktatorial të Europës Lindore?

4.  Kur do të rishikohen datat simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste, si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore?

5. Kur do të hapen dosjet e ish bashkëpuntorëvë të sigurimit të shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara?

6. Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e rregjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve?

7.  Kur do të bëhet rishikimi i historisë dhe i teksteve të librave shkollore, hapja e muzeumeve, kthimi në muze i burgjeve të tmerrshëm, ngritja e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë nga rregjimi totalitar?

  gjitha  këto  kërkesa  janë  pjesë    rezolutës      miratuar      Kuvendin   e Shqipërisë. Atëhere përse nuk po zbatohet?

Këto ditë, sigurisht nën presionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kanë filluar të ndihen disa zëra si për shembull ngritja e një komisioni hetimor për zbardhjen e krimeve të komunizmit apo e një task-force për gjetjen dhe rivarrosjen e të rënëve gjatë diktaturës komuniste dhe që ende nuk kanë një varr. Por, për të thënë të vërtetën, jemi dyshues në zbatimin e plotë të tyre. Kjo ka arsyet e veta.  Edhe herë të tjera është folur për inisiativa të tilla, por ato kanë mbetur në letër. Do të përmendja këtu debatet e zhvilluara për rishikimin e historisë dhe të teksteve shkollore, për heqjen e basorelievit në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, prototip i metodës së realizmit socialist në skulpturë apo debate të tjera të këtij lloji.

Para disa kohësh dëgjova intervistën që zoti Gabriel Partosh i  dha televizionit Top Chanel. Midis të tjerave ai tha:

- Në  Gjermani  dhe    Francë  dënohen  po  deklaruan  se  nuk  është  zhvilluar

holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më beri  përshtypje të madhe ky fakt, sidomos për  Gjermaninë. Kombi i lindjes dhe zhvillimit të nazizmit, për të cilin ata që e kanë jetuar atë periudhë, e dinë mirë se populli dhe sidomos ushtria gjermane e mbështeti me besnikëri atë rregjim, gjeti kurajon të hedhë poshtë të keqen e madhe që e vuri në armiqësi me popujt e botës mbarë. Në ato momente më erdhën ndër mend fjalët e Hamletit:

- O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe rro me gjysmën tjetër më të mirë!

E pra ku e gjeti populli gjerman këtë forcë? Ai e hodhi poshtë gjysmën  e keqe të tij dhe vazhdoi të jetonte me gjysmën tjetër më të mirë, deri sa arriti ta rikuperonte plotësisht atë, duke bërë denazifikimin e plotë të vendit.  Është gjenialiteti i këtij kombi që e bëri një gjë të tillë, gjenialitet që e shpuri Gjermaninë në nivelet ku ndodhet sot.

Të gjitha këto bëjnë që të mendojmë se të dy krahët e politikës shqiptare nuk kanë mundur të shkëputen nga kthetrat e komunizmit. Unë do të doja t’u thoja se një gjë të tillë e kanë gabim. Koha tregoi se idetë komuniste u shembën së bashku me themeluesit e saj. Kush vazhdon ende të ruajë atë mentalitet është i detyruar të pranojë fatin e paraardhësve të tij. Vitet do kalojnë. Breza të rinj do lindin. Dhe ata nuk do të duan më të dëgjojnë më për komunizëm dhe bëmat e tij. Nuk do të duan më të dëgjojnë për heronj donkishotesk dhe pallavra të tjera të këtij lloji. Ata ndoshta mund të dëgjojnë nga gjyshërit e tyre ndonjë përrallë që fillon me fjalët:

“Na ishte një herë një përbindësh me emrin komunizëm! “



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora