E premte, 19.04.2024, 08:55 PM (GMT+1)

Faleminderit

Eshref Ymeri: Kur kujtoj zotin Arbnori

E diele, 21.03.2010, 10:59 PM


Kur kujtoj zotin Arbnori

 

(dhe ca mbresa të pakëndshme nga Moska)

 

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Përmes faqeve të “Gazetës Shqiptare” të datës 08 mars 2010, u njoha me materialin e zonjës Fatmira Nikolla me titull: “Pjetër Arbnori. Zbardhen pjesë të ditarit të burgut”. Me këtë material, zonja Fatmira më bëri të kthehem prapa në vite dhe të kujtoi ca ditë, kur, për arsye shërbimi, kam qëndruar pranë zotit Pjetër Arbnori, asokohe Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ishte maji i vitit 1995. Një ditë prej ditësh, u takova me zotin Qemal Sakajeva. Asokohe ishte drejtor i televizionit shqiptar. Në kafe e sipër, ra fjala për Rusinë. Më pyeti nëse kisha pasur mundësi të shkoja për ndonjë vizitë në Moskë. Deri tani ndonjë mundësi e tillë nuk më është krijuar, - ia ktheva. Mund të krijohet ndonjë rast, - më tha, duke buzëqeshur. Pas ca ditësh,  zonja Pranvera Xhelo, punonjëse dhe përkthyese mjaft e talentuar e anglishtes në Sektorin e Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, më merr në telefon dhe më kërkon që mundësisht të paraqitesha në zyrën e saj për një takim. Shkova. Ishte fjala për të përkthyer në gjuhën ruse një ligjëratë të zotit Pjetër Arbnori, që ai do ta mbante në mjediset e Universitetit të Shën-Peterburgut, ku ishte ftuar për të marrë pjesë në përkujtimin e 5-vjetorit të vdekjes së albanologes së shquar ruse prof. Desnjickaja. Aktiviteti në nderim të kujtimit të saj do të zhvillohej më 02 qershor 1995. Ligjëratën e zotit Arbnori e përktheva me shumë kënaqësi. Pas ca ditësh, po zonja Pranvera më vuri në dijeni se isha caktuar si përkthyes për të shoqëruar për në Federatën Ruse delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, të kryesuar nga zoti Pjetër Arbnori, i cili, pas vizitës në Universitetin e Shën-Peterburgut, do të kthehej në Moskë, meqenëse më 4 qershor do të fillonte punimet Konferenca e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Vendeve të Detit të Zi (PABSEC - The Parliamentary Assembly of the Organization of the Black Sea Economic Cooperation). Asokohe Republika e Shqipërisë, që prej 01 janarit, mbante kryesimin e radhës të PABSEC-ut dhe zoti Arbnori ishte kryetar, post ky, i cili, për gjashtëmujorin e dytë të vitit 1995, do t’i kalonte Kryetarit të Parlamentit të Armenisë.

 

Në përbërje të delegacionit që do të nisej për në Shën-Peterburg, përveç zotit Pjetër Arbnori, do të ishin zonja Engjëllushe Shqarri (përgjegjëse e Sektorit të Jashtëm të Kuvendit, një specialiste dhe përkthyese kjo e përkryer e gjuhës angleze, me të cilën, bashkë edhe me zonjën Pranvera, për më shumë se dhjetë vjetë, kisha punuar në Redaksinë e Përkthimeve në Gjuhë të Huaja në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, për përkthimin e veprave të Enver Hoxhës), zoti Bardhyl Matraxhiu (me detyrën e gazetarit, pedagog i letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë), zoti Gëzim Qenami (operator i talentuar në TV shqipar), si edhe truproja e zotit Arbnori. Zotin Arbnori e shoqëronte edhe bashkëshortja e tij e nderuar, zonja Zana.

 

U nisëm nga Tirana në paraditen e 31 majit, me linjën e kompanisë ajrore zvicerane, dhe natën e kaluam në Zyrih. Të nesërmen udhëtuam drejt Moskës. Kërshëria ime ishte e madhe për të shkuar edhe një herë në Rusi. Gjatë dy viteve, prej 01 shtatorit 1959 e deri më 21 qershor 1961, atje kisha qenë student (në qytetin Pushkin, tani Carskoje Sjello, që shtrihet në rrethinat e Shën-Peterburgut, rreth 30 kilometra larg tij) dhe ende ruaja në kujtesë përjetime të bukura të moshës rinore, paçka se që asokohe kishin kaluar 34 vjet. Në aerodromin e Moskës na pritën përfaqësues të protokollit të sektorit të jashtëm të parlamentit rus. Në sallën e pritjeve të aerodromit u çlodhëm ca, para se të niseshim për në Shën-Peterburg. Më në fund, në orën e caktuar, përfaqësuesit e protokollit na njoftuan se duhej të dilnim për të hipur në avionin e linjës Moskë-Shën-Peterburg. Kur po i afroheshim avionit, zotërinjtë që na shoqëronin na drejtuan për nga shkallët e pasme të tij, jo nga shkallët e para. Ngjitemi përpjetë shkallëve dhe futemi brenda. Pra, futemi nga bishti i avionit. Sapo u futëm, vërejmë se avioni ishte mbushur cep më cep me udhëtarë, saqë s’kishe ku të hidhje kokrrën e mollës. Mendova se për delegacionin tonë do të kishte vende të rezervuara posaçërisht, aq më tepër për zotin Arbnori, si personalitet i lartë politik, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, dhe zonjën e tij të nderuar. Por jo. Ne, në atë mori njerëzish që gumëzhinin si koshere bletësh tej e ndanë, duhej të mundoheshim të gjenim vetë ndonjë ndenjëse për t’u ulur. Me siklet të madh mundëm të sistemoheshim, duke kërkuar gjithsekush poshtë e përpjetë nëpër avion për të gjetur ndonjë ndenjëse të lirë. Kësisoj “u rehatuam” në avion, të shpërndarë si zogjtë e korbit, që nga “Kamçatka” deri në “brigjet e Balltikut”.

 

       Në Shën-Peterburg na pritën mirë. Të nesërmen paradite, në mjediset e universitetit, u zhvillua aktiviteti në nderim të 5-vjetorit të vdekjes së prof. Desnjickaja. Pedagogët e universitetit të degës së gjuhës shqipe mbajtën kumtesa mjaft interesante për aspekte të ndryshme të shqipes. Me shumë interes u prit edhe ligjërata e zotit Pjetër Arbnori. Paskëtaj bëmë një vizitë në Ermitazh, një muze i famshëm ky i veprave të shquara të artit, një nga krenaritë e kulturës ruse. Gjatë pasdites ishim të ftuar në mjediset e Pallatit të Miqësisë. Aty mbajtën fjalën e rastit zonja Elisejeva, përgjegjëse e pallatit, ish-antëtare e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, dhe zoti Arbnori. Një ditë më vonë, më 3 qershor, u organizua një ekskursion në Petergof, ish-qendër rezidenciale e carit të Rusisë Pjetri i Parë, një qytet i vogël ky me bukuri të rrallë që vizitohet nga shumë turistë të huaj.

 

       Gjatë kohës që qëndruam në Shën-Peterburg, na shoqëronte edhe ish-ambasadori ynë në Moskë, zoti Arben Cici, prej të cilit ruaj mbresa të pashlyeshme, dhe punonjësi i ambasadës, zoti Ligor Cullufe, një mik i vjetër dhe shumë i respektuar imi, i cili i ka mbaruar studimet e larta për gjuhë dhe letërsi ruse në Universitetin e Tiranës në vitin 1970. Në mbrëmjen e asaj dite, zotit ambasador dhe zotit Ligor u propozova të bënim një vizitë në Carskoje Sjello. Ishte koha e netëve të bardha. Ata pranuan me shumë kënaqësi. I hipëm trenit elektrik dhe pas gjysmë ore zbritëm në stacionin e atij qyteti të vogël. Bëmë një vizitë të shkurtër në parkun e qytetit, kundruam pallatin e madh të careshës ruse Ekaterina II, i hodha një sy godinës së universitetit ku dikur kisha qenë student, kaluam pranë portës së konviktit ku kisha banuar asokohe dhe aty afër mesnatës, nën mbresat e pashlyeshme të netëve të bardha, u kthyem në Shën-Peterburg. Më kishin kapluar keq përjetimet e emocioneve të viteve studentore, të kohës së asaj rinie të shkujdesur që kishte perënduar njëherë e përgjithmonë.

 

       Të nesërmen u nisëm për në Moskë. U ndalëm në Hotel “Moska”, ku ishin sistemuar edhe anëtarët e delegacionit shqiptar, deputë të Kuvendit të Shqipërisë, që kishin ardhur më pas nga Tirana për të marrë pjesë në Konferencën e PABSEC-ut. Pak çaste më vonë, zotin Arbnori me zonjën Zana, zonjën Engjëllushe, truprojën e zotit Arbnori dhe mua, na çuan në Hotel “President”, një hotel ky i rezervuar për personalitete të larta të politikës vendase dhe të huaj. Pikërisht në sallën e konferencave të atij hoteli do të zhvilloheshin edhe seancat e Konferencës së PABSEC-ut. Në mbrëmje zbritëm në restorant për të ngrënë darkë. Pasi darkuam, na afrohet njëri prej kamerierëve dhe na kërkon që të paguajmë. Zoti Arbnori u çudit dhe më kërkon që t’i shpjegoj kamerierit se kush jemi ne. Pasi e sqarova kamerierin, ky largohet dhe, pas pak çastesh, kthehet bashkë me një punonjës të administratës së hotelit. Ky punonjës që gjoja nuk na e paskej ditur se kush ishim ne, pasi ishim vendosur nëpër dhomat e hotelit, na drejtohet me shprehjen “Prostitje, radi boga” (na falni, për hir të Zotit) dhe largohet bashkë me kamerierin. Ky qëndrim ndaj tryezës sonë, zotit Arbnori dhe të gjithë neve që ishim ulur rreth saj, na la një shije shumë të hidhur. Por zoti Arbnori nuk e bënte veten. Ai dallohej për një gjakftohtësi të mahnitshme. Si ishte e mundur që neve të na kërkohej të paguanim ushqimin, kur dihej që ai hotel priste dhe përcillte personalitete të huaja, të cilat aty nuk vinin për vizita private apo për shëtitje turistike, por për vizita zyrtare, me ftesë të autoriteteve të larta të Federatës Ruse. Duke e vlerësuar këtë qëndrim që u mbajt ndaj tryezës sonë në optikën e sjelljes që autoritetet ruse mbajtën ndaj nesh edhe kur u gjendëm brenda mjediseve të avionit që përmenda më lart, vetvetiu të lindte dyshimi se në këtë mes nuk kishim të bënim me gjëra të rastësishme. Por ky dyshim do të  më përforcohej edhe më shumë në një tjetër rast, edhe më skandaloz, për të cilin do të flas pak më poshtë.

 

       Pas seancës së parë të Konferencës së PABSEC-ut, u bë një pushim i gjatë. Gjatë atij pushimi, kryetarët e delegacioneve, të shoqëruar edhe me një ose dy anëtarë të tjerë, u mblodhën në një sallë të vogël të hotelit për të diskutuar për pranimin e Greqisë si anëtare të kësaj organizate. Kur kjo organizatë qe themeluar ca kohë më parë, me nismën e Republikës së Turqisë dhe të Federatës Ruse, Greqia nuk kishte pranuar të bëhej anëtare e saj, pavarësisht nga thirrja që i kishin drejtuar dy vendet nismëtare. Greqia, si anëtare e Bashkimit Evropian, me sa duket, e kishte hundën në lis dhe nuk pati denjuar të hynte në një organizatë me ca vende “varfanjake” përreth pellgut të Detit të Zi, paçka se detin në fjalë e ka në prag të derës. Më pas, Athina qerose dhe fodulle, na qenkej bërë pishman dhe kishte kërkuar që edhe ajo të anëtarësohej në këtë organizatë. Por Republika e Turqisë nuk pranonte në asnjë mënyrë. Ndërkohë, një delegacion grek kishte ardhur drejtpërdrejt nga Athina dhe ishte duke pritur në ca kolltuqe jashtë derës së asaj salle të vogël të hotelit. Debati vazhdoi për tre orë e gjysmë rresht. Zoti Arbnori, si Kryetar i PABSEC-ut, drejtonte debatin. Diskutimet qenë të nxehta. Pala turke nuk dëshironte të tërhiqej nga këmbëngulja e saj. Aty vura re stilin aq origjinal të zotit Arbnori në komunikimin me diskutuesit, gjakftohtësinë e tij befasuese, mendjemprehtësinë fenomenale dhe taktin e admirueshëm diplomatik. Anëtarët e delegacionit grek po prisnin jashtë derës çehrevrarë, si puna e atij dhëndrit të njëherenjëkohshëm që, me gjak të ngrirë, priste përgjigjen e njerëzve të nuses nëse pranonin ose jo ta fejonin vajzën e tyre me të. Greqia, e cila krekosej me anëtarësinë e vet në Bashkimin Evropian, vendet përreth Detit të Zi, deri asokohe, i kishte shikuar nga lart poshtë, kurse tani na e paskej ulur bishtin dhe kishte vendosur të vinte në “Kanosë”. Në ato diskutime e sipër, e merr fjalën një deputete e parlamentit të Ukrainës, një bukuroshe ezmere shtatlartë dhe me ca sy të mëdhenj shkëlqimtar që të “shitonin” në vend. Ajo, ndër të tjera, tha: “Tani jemi para një situate të tillë, kur nusja është bërë gati për t’u nisur për te burri, me të gjitha stolitë që ka veshur, dhe, në këto kushte, t’i thuash asaj se dhëndri ka çuar fjalë se nuk të do, është njëlloj sikur atë ta vrasësh në vend. Prandaj unë them që Greqinë ta pranojmë si anëtare të PABSEC-ut dhe propozoj që t’i mbyllim këto diskutime”. Me fjalën “nuse”, zonja deputete linte të kuptohej se e kishte fjalën për anëtarët e delegacionit grek, të cilët, atje jashtë derës, po prisnin një përgjigje pozitive nga zoti Arbnori, si drejtues i debatit. Kjo ndërhyrje e deputetes ukrainase, me sa duket, ndikoi për mirë dhe përfaqësuesit e Republikës së Turqisë dhanë pëlqimin e tyre që edhe Greqia të pranohej në PABSEC. Por, siç e përmenda më lart, debati zgjati shumë dhe kur u mbyll, unë u ngjita në dhomën time për t’u qetësuar ca se më shkoi gjak nga hundët nga tensioni që m’u desh të përballoja, pa bërë asnjë minutë pushim, gjatë përkthimit prej tre orë e gjysmë rresht.

 

       Në mbyllje të konferencës, në pasditen e 6 qershorit, u dha një pritje në mjediset e parlamentit rus. Të nesërmen në mëngjes mblodhëm bagazhet dhe u bëmë gati për të dalë nga hoteli. Kur zbritëm poshtë, para derës, na ndalon një përfaqësues i administratës së hotelit dhe na thotë se duhej të paguanim shpenzimet e bisedave telefonike. Prej zotit Arbnori kërkohej që të paguante 360 dollarë, kurse prej meje - 11 dollarë. Në pamjen e zotit Arbnori hetova një kreshpërim të brendshëm. Kishte plotësisht të drejtë të revoltohej, madje edhe të kundërshtonte me zë të lartë. Sepse ishte hera e tretë që autoritetet ruse mbanin një qëndrim të pahijshëm, një qëndrim me të vërtetë të turpshëm ndaj zotit Arbnori, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe si Kryetar i radhës i PABSEC-ut. Por ai, siç e përmenda më lart, ishte mjeshtër i vetëpërmbajtjes. Ndërkohë, unë derdha në arkën e hotelit 11 dollarë për tri biseda telefonike që kisha bërë me një inxhiniere të Telekomit të Moskës, zonjën Luba, sipas porosisë që më kishte dhënë kolegia ime e katedrës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, zonja Xhemile Zyka, e cila e kishte  mikeshë që prej dy vjetësh, dhe për një bisedë tjetër që kisha pasur me sekretarin e ambasadës sonë, zotin Islam Lauka, ish-studenti im mjaft i talentuar, diplomat i suksesshëm i karrierës, tani ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës. 

 

       [Më vonë, më qëlloi të shkoja me shërbim edhe disa herë të tjera në Moskë, ku kam bujtur në hotelet “Minsk”, “Moska” dhe “Rusia”. Gjatë atyre shërbimeve, pata disa biseda telefonike me shokë të ambasadës sonë dhe me të njohur të tjerë. Por kur kam dalë nga hoteli, askush s’më ka kërkuar të paguaja gjësend. Sepse në dhomat e hoteleve, bisedat telefonike brenda qytetit të Moskës ishin falas. Dukej sheshit që autoritetet e hotelit “President” kërkonin të na grabitnin ditën për diell.]

 

Në këto e sipër, zoti Arbnori më drejtohet me një ton të qetë dhe më thotë: “Shpjegoja këtij zotërisë se është në fuqi një marrëveshje e nënshkruar nga të gjitha vendet anëtare të PABSEC-ut se shpenzimet për bisedat telefonike të kryetarëve të delegacioneve i përballojnë vendet pritëse”. Ia përktheva zotërisë që na kishte zënë rrugën dhe s’na lejonte të dilnim. Ai telefonoi diku dhe priti të merrte përgjigje. Ajo përgjigjja vonoi një copë herë të mirë. Më në fund, ajo përgjigje e shkretë erdhi, por pas një odiseje të gjatë nëpër kanalet e mykura të burokracisë proverbiale ruse. Atëherë “cikllopi” që na kishte zënë derën u largua.  Dolëm nga hoteli dhe morëm rrugën për në aerodrom, të shoqëruar nga përfaqësues të protokollit të parlamentit. Por pasi arritëm në aerodrom dhe kaluam në sallën e pritjes, shoqëruesit rusë na thanë se sporteli i regjistrimit (check in-i) qenkej mbyllur. Kishim ardhur me vonesë. Dhe vonesën, nënkuptohet, e shkaktuan autoritetet ruse. Njëri nga përfaqësuesit e protokollit na njoftoi se autoritetet e aerodromit kishin hyrë në bisedime me komandantin e avionit të linjës zvicerane që të priste sa të hapej përsëri sporteli i regjistrimit për delegacionin tonë. Shoqëruesit rusë kërkonin të na mbanin me gajret se puna gjoja do të rregullohej, meqenëse po ndërhykeshin edhe ca autoritete të larta të Federatës. Pasi na “nanurisën” ca kohë në sallën e pritjes, më në fund na thanë se komandanti i avionit, për vonesën që do t’i shkaktohej për në Zyrih, kishte kërkuar t’i paguhej një gjobë prej një milion dollarësh. Me këtë shumë kompanisë ajrore zvicerane do t’i duhej të përballonte shpenzimet për të gjitha vonesat në linjat e udhëtimit nga Zyrihu për në Vashington, Nju Jork, San Paolo, Buenos Aires, Santjago, Los Anxhelos, Sidnej e shumë qytete të tjera të botës. Pas këtij njoftimi aspak ngushëllues, shoqëruesit rusë u detyruan që të na kthenin përsëri në Hotel “President”. Gjatë darkës na vunë në dispozicion një gjeneral në pension, i cili ishte i punësuar në administratën e parlamentit. Me të bëmë një dorë muhabet poshtë e përpjetë. Të nesërmen, me mbresa të pakëndshme, u larguam nga Rusia me avionin e Linjës Moskë-Vjenë. Në Vjenë e kaluam natën në Hotel “Rogner”, pronari i të cilit na e shtroi darkën me mish dhe verë, darkë që vazhdoi deri në orën 01-00.

 

       Pasi u kthyem në Tiranë dhe më vonë, pata vrarë mendjen shpesh herë se cilat kishin qenë arsyet që autoritetet ruse mbajtën atë qëndrim aspak të hijshëm ndaj zotit Arbnori. Madje pata menduar për të shkruar diçka. Por, me kalimin e kohës, hoqa dorë dhe ato përshtypje aspak të këndshme që pata nga Moska asokohe, i pata mbyllur në “sirtar”. Por artikulli i lartpërmendur i zonjës Fatmira Nikolla, më bëri që ta hap atë “sirtar”. Arsyet e atij qëndrimi ndoshta duheshin kërkuar diku larg. Ato duhej ta kishin zanafillën që nga Konferenca e Bukureshtit e vitit 1960 dhe sidomos që nga Konferenca e 81 partive komuniste dhe punëtore që u zhvillua në Moskë në nëntor të vitit 1961. Në atë konferencë Enver Hoxha, në dallim nga të gjithë udhëheqësit e vendeve socialiste të Evropës Lindore, që ranë në gjunjë para Hrushovit, Kremlinit ia vuri kufirin te thana. Udhëheqësit e atyre vendeve, fill pas vdekjes së Stalinit, Hrushovi i zëvendësoi sipas midesë së vet. Këtë zëvendësim ai kërkonte ta bënte edhe në Shqipëri. Por këtu i ngeci sharra në gozhdë. Për një shtet megaloman, si Bashkimi Sovjetik asokohe, ishte e papërfytyrueshme që udhëheqësi i një vend aq të vogël, si Shqipëria, të merrte guximin dhe t’ia përplaste në fytyrë të gjitha kundërshtimet e veta ndaj kursit të tij politik. Personalisht jam i bindur se Enver Hoxha, me atë qëndrim burrëror që mbajti, u nis nga motive krejtësisht vetjake, për të ruajtur pushtetin personal në Shqipëri. Pikërisht etja për pushtet e bëri atë që të shkonte drejt çarjes së dytë me sllavizmin, pas çarjes së parë që pati në vitin 1948 me titosllavizmin. Nëse Enver Hoxha, në krye të Shqipërisë, do të ishte nisur nga motive me të vërtetë nacionaliste në ndërtimin e kursit të vet politik, atëherë ai, pas vitit 1944, duhej t’i kishte kthyer krahët sllavizmit, si armikut më të egër shekullor të kombit shqiptar. Por ai s’mund ta bënte dot një gjë të tillë, s’mund të qëndronte dot në pozita nacionaliste se ishte katapultuar drejt pushtetit nga sllavotitizmi, i cili, në figurën e Enver Hoxhës, shikonte njeriun më të pështatshëm për varrosjen përfundimtare të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare. Rrjedha e mëvonshme e ngjarjeve, pas vitit 1944, vërtetoi në praktikë se kursi prosllavist i politikës së Enver Hoxhës rezultoi fatal për fatet e bashkëkombasve tanë në ish-Jugosllavi, veçanërisht për popullin shqiptar të Kosovës. Megjithatë, pavarësisht nga etja e papërmbajtur e Enver Hoxhës për pushtet personal, ai qëndrim i tij trimëror në Moskë në vitin 1961, mendoj, dhe jam i bindur për këtë, se e meriton dhe duhet ta meritojë plotësisht vendin e vet në historinë tonë kombëtare, meqenëse shënoi fillimin e procesit të ndarjes përfundimtare të kombit shqiptar nga sllavizmi (paçka se lidhjet e nëndheshme me sllavotitizmin Enver Hoxha nuk i ndërpreu asnjëherë), proces ky që u kurorëzua me pavarësimin e Kosovës dhe që është në zhvillim e sipër edhe për popullin shqiptar të Maqedonisë.

 

       Pikërisht ato mëritë e vitit 1961 ndaj Shqipërisë dhe sidomos qejfmbetja për kursin properëndimor të politikës së saj pas vendosjes së pluralizmit në dhjetor të vitit 1990, veçanërisht proamerikanizmi i saj i theksuar, duhej të ishin arsyet kryesore që autoritetet ruse u sollën në një mënyrë aq të padenjë ndaj zotit Arbnori, i cili jo më kot është vlerësuar si Mandela i vendit tonë për burgun gati 30-vjeçar që kaloi në kushtet e ferrit komunist. Këtyre arsyeve u duhet shtuar edhe situata në acarim e sipër në Kosovë pas shembjes së ngrehinës jugosllave dhe aspirata shekullore e popullit të saj për shkëputje nga Serbia, përgjërimin për të cilën Rusia e ka pas manifestuar me një zell përvëlimtar, të shoqëruar me një urrejtje të papërmbajtur kundër kombit shqiptar.  Me atë qëndrim që mbajtën ndaj zotit Arbnori, autoritetet ruse zbuluan “racionin” e urrejtjes së egër që shovinizmi rusomadh ka ushqyer kundër kombit shqiptar, që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresit të Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve  në Londër dhe deri te qëndrimi armiqësor që kanë mbajtur dhe që vazhdojnë të mbajnë ndaj çështjes së Kosovës edhe sot e gjithë ditën.

 

Santa Barbara, Kaliforni

21 mars 2010

eymeri@yahoo.com



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora