E enjte, 28.03.2024, 09:04 AM (GMT)

Editorial

Gjergj B. Kabashi: Ju që e porositët shkatërrimin tim, atë duhet t'a zhbëni sot dhe - menjëherë

E diele, 21.03.2010, 09:59 PM


Një tjetër përgjigje e shkruar pas dhjetë vitesh, drejtuar njëfarë elite “publicistike e kulturore” të Kosovës dhe një apel përfundimtar përpara se t’i deshifroj dhe t’i bëj publik emrat e tyre

 

JU QË E POROSITËT SHKATËRRIMIN TIM, ATË DUHET T’A ZHBËNI  SOT DHE - MENJËHERË!

 

Nga Gjergj B. Kabashi

Ish-gazetar i Gazetës ‘Rilindja’

 

Nuk ma merr  mendja qe ndonjë gazetari tjetër në Kosovë t’i ketë ndodhur të luftojë aq gjatë dhe me aq këmbëngulje për të drejtat e veta legjitime në vendin e vet të punës dhe, po ashtu, nuk besoj se ndonjë gazetar tjetër të jetë ndeshur me aq mohime për realizimin e këtyre të drejtave, ashtu qysh jam ndeshur unë! Dhe, jo vetëm që m’u mohuan të drejtat nga udhëheqësit kryesor të gazetës Rilindja, të lidhur me dreqin e të birin, por në këtë mohim janë bashkangjitur edhe të tjerë, jashtë kësaj tashmë ish-gazete, njerëz të vetëmashtruar apo të mashtruar nga kriminelë të ndryshëm shërbimesh sekrete! Nga UDB-ja shqiptare apo kundërshtarët e saj, apo nga mbikqyrësi i kësaj UDB-je, i përcaktuar për gazetën ‘Rilindja’, kjo për mua s’është aq me rëndësi, aq sa është me rëndësi fakti se edhe pse isha ndër gazetarët e paktë më të mirë të asaj gazete, udhëheqësve të saj nuk ua mbusha syrin për shkak se nuk u kisha pëlqyer mentorëve të tyre UDB-ashë që ”n’gojë t’anmikut hidhnin valle” ... Valle serbe, kuptohet!

 

Pësova për shkak të një mendësie mercenare në gazetari dhe lojërave të ndyra të tyre me shërbëtorët e armikut, patriotët paralelë, të cilët, kështu, arritën të më dënojnë jo vetëm mua por edhe familjen time, duke ma bërë të qartë se gazetari dhe intelektuali i tyre ”i vërtetë” porositet nga ta, punon për ta, është i lidhur me ta, kryen shërbime për ta, dhe ai nuk mund të ishte si unë, gazetaria e të cilit nuk mund të kontrollohej, ashtu qysh, për fatin e keq të tyre, nuk mundën të ma kontrollonin përkushtimin tim profesional si gazetar hulumtues-zbulues as dje e as sot!

 

Për rrugën time të vështirë në profesion nuk kam vajtuar as dje e as sot, por isha i detyruar ta pranoja realitetin, i vetëdijshëm se ky ishte një krim ndaj një njeriu dhe një familjeje vetëm e vetëm pse duhej të mbetej në syprinën e opinionit të rrejshëm e të shpifur publik shtabi i ”gazetarëve më të mirë”, do të thotë shtabi i mercenarëve të vërtetë në gazetari, që u shërbyen qëllimeve të tilla djallëzore.  

 

Një rrugë aspak e lehtë

 

Mbi 17 vite të kaluara si gazetar në gazetën Rlindja, duke filluar që nga 1 dhjetori 1982 e deri  kur u detyruam të braktisnim vendin ashtu si shumë familje të tjera nga kryeqyteti i  Kosovës,  Prishtina, si pasojë e ekzodit të shkaktuar nga ushtria e policia e Slobodan Milosevic-it në fillim të prillit 1999, është provuar të më bëhej me dije në mënyrë direkte a indirekte nga ana e eprorëve të ndryshëm se puna në gazete është e kotë dhe aty nuk mund të prisja për realizimin e ndonjë të drejte?!

 

Dhe, kjo që më ishte kumtuar nga eprorë të ndryshëm të gazetës, për mua ishte e qartë se ishte një porosi e tjetërkujt, porosi që ata si mercenarë që ishin duhej të ma përcillnin mua, t’i kryenin obligimet e atyre që fshiheshin pas tyre, që u diktonin se çka duhej të më thoshin, në mënyrë që ta kuptoja e ta kisha të qartë se çfarë do të më ndodhte?! Unë të gjitha këto i kam dëgjuar me vëmendje për vite të tëra, thuaja pajanda, dhe të gjitha këto i kam regjistruar, jo vetëm në mbamendjen time. Dhe, e gjithë kjo nuk ka qenë fare e lehtë për mua, ishte zhgënjyese dhe dekurajuese, sado që, përkundër të gjithave, unë nuk u dekurajova për asnjë çast të jetës sime profesionale në gazetën ‘Rilindja’, në ditët e në vitet më të vështira të Kosovës. Jo vetëm që nuk më lanë të qetë sa isha në Kosovë, jo vetëm që u përpoqën të më bënin të palumtur mua e familjen, por, këta gjarpij të gjakut, nuk më lanë të qetë as kur u detyrova të merrja rrugën e mërgimit dhe erdha thuajse në gjendje lypsari në Norvegji! Ky për mua ishte një fat i keq, për të cilin kisha qenë i paralajmëruar më herët, jo nga Zoti, por nga ca krijesa njerëzore të lindura për t’u shkaktuar telashe e brenga të tjerëve, nga krijesa të dyshimta njerëzore e profesionale.

 

            Kulmi i të gjithave dhe kumti më i trishtë se deri ku mund të arrijë çmenduria njerëzore e intelektualit të shpifur të viteve të pushtimit, të “intelektualit” të rritur nën përkujdesjen e pjesëtarit të atyre që po i quajnë ”thesare” të  Drzavna Bezbednost-it, të vetëquajturit Sigurim Shtetëror të Kosovës, është kjo letër, në dukje të pare e shkruar nga një person publik me emër, i njohur për të gjithë ne, por jo , ajo është një letër shkruar nga vetë Djalli dhe qerthulli kobndjellës  i tij! Ja përmbajtja e kësaj letre kobndjellëse, e shkruar prej një grupi “personalitetesh” që jetojnë në Kosovë dhe që kanë menduar e mendojnë se e përbëjnë “elitën” e atij vendi fatmjerë në fushat e caktuara, si në ”gazetari”, ”krijimtari”, ”polici” apo  ”politikë”. Letërkëmbin e “pranova” duke qenë shumë i vetëdijshëm se diçka zihej në kokat e tyre të shkreta, pasi që më parë kisha mundur të vëreja disa sjellje jonormale të ndonjë personi që paraqitej i afërt me mua, por që në realitet nuk ishte por shtirej si i tillë. “Gruaja” e të njejti person kah fillimi i tetorit 2000, ia dërgonte një letër gruas sime, ku i shkruante se si burri i saj, “…e kishte vështirë pa mua!”. Duke e njohur natyrën e personit, gruaja e të cilit shkruante ashtu pas “shpinës së burrit”, në një mënyrë që s’ishte në natyrën e saj “urbane”, mendoja edhe më shumë se ku tentohej të dilej me këtë dashamirësi e afri çuditërisht të shtirur? Atij isha munduar t’i krijoja iluzion se i besoja, e përse të mos ua plotësoja dëshirën edhe tashti, kur ishin bashkuar në qëllimet e këqija, kur, siç e kuptova më vonë, ma dhanë porosinë përfundimtare se nga puna ime në ‘Rilindja’, s’më ka takuar asgjë tjetër, pos vuajtjes e pësimit… Se a më vinte ky letërkëmbim nga Drzavna Bezbednosti Shqiptar - kjo kuçedër gjakpirëse me shumë koka e Sigurimit Shtetëror të Serbisë - apo nga “superpatriotët” e kyçur në lojërat e tyre, që për mua është pothuaj e njëjta gjë, për të cilën punonin e angazhoheshin edhe “elitat” më të zgjedhura të këtij kombi, qysh ishin edhe ata që fshiheshin pas e-mailit në emër të ‘Bujar Bukoshit’, kjo s’ishte aq me rëndësi për mua?!

 

Ja letra, të cilën ia ofroj opinionit publik “në dhjetëvjetorin e saj”(!), pa e bërë asnjë ndryshim, por vetëm ashtu qysh m’u dërgua , e shkruar me “gabime” dukshëm të bëra me qëllim:

 

Bujar Bukoshi bujarbukoshi@yahoo.com

From:

Save Adress-Block Sender

Subject: Me jep nje kontakt me saliun

Date: Fri,17 Nov 2000 18:55:16-0800 (PST)

 

 

Pershendetje,

I nderuari Bajram, me perpjekje te shumat arrita ta siguroje mezi kete adrese tuajen. Une i kam shkruar Saliut, ai me ka dhene nje pergjigje por jo tjeter ne interesimin tim per t'u ulur dhe per te biseduar për disa ceshtje me interes. Sidoqofte, duket se nuk qasje ne internet apo ngece dukund puna dhe spo marr kontakt dot me te. A mund te ma japesh adresen e sakte te tij,apo numrin e telefonit. Sidoqofte,domethane ideja eshte te bisedojme dicka ne ate stilin e librit Tuaj, "Baleta me ka thene..." dhe helbete t;i kujtoja kur pinim dikund neper kete bote nje kafe me te. Sidoqofte domethane, nese mundesh dil ne Grand nje mbremje dhe ti vete dhe marrim nga nje kafe bashke,

 

Shnet

PS.

A po punon ende ne Rilindje apo ke kaluar te Bota sot?

 

Në të vërtetë asnjë vështirësi s’ka pasur askush që ta kishte,siç thuhej në letër, ”adresën time” pasi atë e kishte ai dhe ata që më shkruanin me kohë, nuk ishte ndonjë fshehtësi dhe as nuk më kishte shkuar mendja që ta fshihja adresën time nga askush, pavarësisht se tashmë isha në një gjendje tjetër, shumë të rëndë, dhe në një vend tjetër, në mërgim, ku isha i detyruar ta planifikoja e të nisja një jete të re për së dyti, si Sizifi mitologjik, i mbushur me dilema të rënda jetësore, përplot ankth e pritje të etshme që më në fund të bëja diçka për përmirësimin e jetës së familjes sime, për të cilën nuk kisha mundur të bëja gjë në Kosovë, në vendin tim të punës që quhej gazeta ‘Rilindja’, se këtë nuk ma kishte lejuar udhëheqja e korruptuar dhe e zhytur në krime të ndryshme, edhe në ato të Drzavna Bezbednos-it ... Krimi kishte ndodhur dhe autorët e krimeve, gjakbamësit, më ndiqnin pas së bashku me ”kolegët” e mi?

 

Tashmë isha në udhëkryqin e jetës: Një gazetar i shquar për punë e cilësi në gazetën e vet deri dje, në moshën dyzetvjeçare, detyrohej të merrte rrugën e mërgimit , pasi ishte ndeshur me mohimin e porositur të ”shtetbërësve” me kundërmim ‘drzave’?!

 

Për interes të kujt donin të më hiqnin qafe? Përse?

 

Në një situatë të re mendoja se përse i gjithë ky mohim dhe përpara më dilnin mohimet e redaktorit të hershëm të kësaj gazete, Zenun Çelaj, njëherit Sekretar i parë i KMLDNJ-së së Kosvës:

 

-”Mos ia shkruej shkrimet, se po na jetë në derë!”, - i thoshte njërit për mua dhe

 

-”Këtu nuk ndajmë banesa!”, - na thoshte gjoja të gjithë neve kur u pranuam në gazetë...

 

D.m.th. unë do të mund t’i mbetesha në ”derën” e ‘Rilindjes’ që ky katil e kishte sjellë prej Vuthajve dhe sipas këtij ”mbrojtësi të të drejtave të njeriut”  nuk duhej të ekzistonte as ëndrra e as shpresa, ajo duhej mbytur, pasi ”këtu nuk ndajmë banesa!” ”Ata”, d.m.th., ai dhe të tjerët, nuk ndanin banesa se e dinin ”gjendjen e vështirë ekonomike” të gazetës e nuk e dinin se do të ndodhnin shumë e shumë krime, të kryera nga udhëheqës të tillë të kësaj gazete, e edhe më të zi se ai, qysh është Mehmet Emërllahu me skandalin e përvetësimit të pasurisë së kësaj gazete në vlerë prej miliona eurosh. Këto ai as nuk i dinte e as nuk ka dashur t’i dinte. Me rëndësi ishte që të mos “i mbetesha në derë!”  Donin të më hiqnin qafe? Përse? Dhe për interesin e kujt?! Nuk isha gazetar çfarë i përgjigjet shijeve të tij me formim serbo-jugosllav, nuk isha “gazetar” si Ramush Tahiri që aq shumë “kishte punuar” në ‘Rilindje’, dhe nuk e kishte as një javë pune e përvoje në gazetari, dhe nuk isha as si ai njeriu i mirë, K.H., pa asnjë ditë përvojë në ushtrimin e profesionit të gazetarisë, edhe pse ishte pranuar në punë për një ditë me mua, por që, “i plotësonte kriteret profesionale” të Zenun Çelajt?! 

 

Dhe, mbi të gjitha, këtij farë Zenun Çelajt, nuk i dukesha “gjins”, i aftë e i zhdërvjelltë sipas mendjes së tij. Të ishe “gjins”, sipas tij, duhej të mos merreshe me gazetari fare, apo duhej të merreshe me ndonjë krim, të vidhje para të gazetës dhe mundësisht t’i përvetësoje rezultatet e mundit e djersës së të tjerëve!… Nuk e them unë këtë, por kështu del nga ajo se çfarë thoshte e mendonte ai. Dhe kjo fjala “gjins” në vokabularin e Zenun Çelajt dhe dishepujve të tij mendorë, nga ajo fare gazetarie, merr kuptim edhe më banal, edhe më cinik në kuptim, zhvlerësohet tërësisht…

 

Gani Mulliqi, një ithtar i madh i gazetarisë së Çelajt, nxënës tipik i tij, një njeri i përulur përpara mësimdhënies profesionale të mësuesit të tij, edhe ai një përvetësues i pasurisë së të tjerëve, më pati thënë pasi ishim grindur njëherë me të për ato padrejtësi që ndodhnin në gazetë nga ai dhe të tjerët, pasi ia kisha përkujtuar se ka qëndruar në Zvicër më shumë se ç’ishte përcaktuar me vendim të Kolegjiumit të Gazetë Rilindja, më tha, njësoj si Zenun Çelaj dikur:

 

“Kush të ka faj që nuk je gjins?”

 

Duket se Mulliqi këtu nuk është treguar fare ”transparent”, duke e treguar përvojën e tij dhe zellin për t’ua mohuar të drejtat të tjerëve, shumë gazetarëve të shquar të kësaj tashmë ish-gazete, të cilët kanë derdhur gjak e djersë e ndonjë e ka dhënë edhe jetën në vitet më të rënda të pushtimit të Kosovës. Një ndër ata që i kanë ”gëzuar” frytet e këtij mohuesi të të drejtave njerëzore si dhe të kompanisë që i ka takuar ai, jam edhe unë. Une jam dëshmitar se si kafshatën e gojës që duhej ta ndanim të gjithë njësoj, përfundonte në gojën e tij dhe të ”elitave udhëheqëse” të kësaj gazete. Përderisa gazetarët e tjerë i thyenin brinjët terreneve të Kosovës e jashtë saj, ”aristokrati”  Gani Mulliqi me shokët e tij vegjetonte me kravatën e tij mbi tavolinën redaktoriale. Prej fillimit të viteve të ’90 të shekullit të kaluar e deri në mars të vitit 1999 kur ndodhi lufta e UÇK-së dhe popullin pothuajse e largoi tërësisht nga Kosova çizmja e ushtarit e policit të Slobodan Miloshevicit, jo vetëm unë por një grup i tërë gazetarësh të nëpërkëmbur deri në përbuzje dhe fyerje të dinjitetit njerëzor dhe poshtërimit të jetës familjare, kemi qenë në një luftë paralele; në luftën profesionale për të përhapur të vërtetën për krimet e pafundme të pushtimit serb dhe në ”luftën” tjetër edhe më të rëndë për ne,”n’luftë” me ata që do të duhej të ishin mbrojtës e garantues të të drejtave tona sikurse Mehmet Emërllahu, Binak Kelmendi, Gani Mulliqi dhe pothuaj me të gjithë redaktorët, zëvendëskryeredaktorët, kryeredaktorët  e ‘Rilindjes’, (‘Bujkut’) të atyre viteve!! Kjo dhunë e madhe bëri që shumë gazetarë të zotë që atëherë s’pati kush t’i mbronte, të zhgënjeheshin e deziluzionoheshin deri në pikëllim nga i gjithë ai poshtërim që i ishin nënshtruar. Dhjetë vjet pas mërgimit tim në Norvegji - mërgim që e nxiti edhe ”përvoja në mbrojtjen e të drejtave të njeriut” të Mulliqit e mulliqëve të tjerë të asaj gazete, ”përvojë” që ai dhe njerëzit sikurse ai e shfrytëzuan si rast të jashtëzakonshëm për pasurimin dhe mirëqenien e pamerituar të familjeve të tyre - nuk më shqitet nga mendja sjellja joprofesionale dhe panjerëzia e këtij pretendenti të çuditshëm për ombudsperson të Kosovës. Nuk më hiqet nga mendja mendimi se si mund të jetë aq mosmirënjohës dhe aq i pandjeshëm ndaj fatit të kolegëve të tjerë të gazetës që ishin zhytur në  mjerim social  duke iu ekspozuar edhe rreziqeve të nduarnduarshme për jetën e tyre, siç iu ekspozua fotoreporteri Ilaz Bylykbashi i cili tash jeton në Australi, gazetarët Behar Zogiani, Zeqir Bekolli, Rexhep Demiri i ndjerë, Agim Muhaxheri, Feim Tahirsylaj, Curr Mazreku, Pren Buzhala, i ndjeri Shefki Popova, Çerkin Ibishi, Hajdar Mekaj, unë, e shumë e shumë gazetarë të tjerë të shquar që nuk kursyen asgjë nga jeta e vet për profesionin e për Kosovën. Të gjithë këta e të tjerë që nuk i përmenda e që do të kenë kontribuar sicili në mënyrën e vet, nuk fituan asgjë të dobishme përpos mospërfilljes e indiferencës për punët e angazhimet e tyre të mëdha në atë kohë të rëndë. Gani Mulliqi, sikurse dhe udhëheqësit e tjerë të kësaj gazete, përkundër faktit se nuk dhanë asgjë, ata i fituan të gjitha meritat dhe rezultatet e punës së të tjerëve.

 

Kjo që e them dikujt mund t’i tingëllojë e pabesueshme nga kjo distancë kohore, por jo vetëm përmes këtyre fakteve që i ofroj, por edhe përmes shumë fakteve e dëshmive të tjera që jam i gatshëm t’i ofroj në të ardhmen, mund të ofroj dëshminë time të hidhur jo vetëm për këtë ish-pretendent për ”ombudsperson” të Kosovës, por edhe për udhëheqës të tjerë që e kanë turpëruar profesionin e gazetarisë nga kjo gazetë.  Mulliqi  së bashku me Binak Kelmendin etj., pesë vite kanë udhëhequr botimin e gazetës në Evropën Perëndimore, me qendër në Zvicër, anipse përmes kolegjiumit profesional të gazetës ishin dërguar që të ishin aty vetëm për katër muaj në mënyrë që kohë pas kohe të ndërroheshin me gazetarë të tjerë në mënyrë që të gjithë të fitonin ngapak  nga të ardhurat e ”shtëpisë së përbashkët”, por na është dashur pesë vite të plota pothuaj që t’i tërhiqnim pas; por, as atëherë nuk arritëm gjë, meqenëse ata u zëvendësuan me ekipin tjetër të ”përshtatshëm” partiakisht!?  Binak Kelmendi e Gani Mulliqi, kur shkuan me ”detyra” në Zvicër i kishin banesat e veta nga ‘Rilindja’ si ”kuadro të shquara”, ndërsa vetëm rroga mujore e tyre pa i marrë parasysh keqpërdorimet me reklamat e gazetës, e arrinte shifrën e pothuaj 4 mijë frangave në muaj. Dhe, rrogë të tillë ata kanë marrë muaj për muaj pothuaj pesë vite sa qëndruan atje në kohën kur ‘gazetarët-bujrobër’ të ‘Rilindjes’ në Prishtinë ndodhte që me dy muaj të mos merrnin asnjë rrogë ndërsa në vitin 1998/1999 pothuaj nuk morën fare. Sipas analizës profesionale të njerëzve kompetentë të gazetës - detyrë që e kishin marrë ta realizonin nga Sindikata e Pavarur  e Punëtorëve të gazetës Rilindja, vetëm pasuria e uzurpuar e Rilindjes në Tiranë nga ana e Mehmet Emërllahut, e arrinte shifrën e pothuaj 4 milionë eurove të sotme, pa i llogaritur keqpërdorime të shumta materiale që janë bërë nga udhëheqësit e tjerë të kësaj gazete. Si pasojë e këtij egoizmi të theksuar dhe pandjeshmërie për fatin e të tjerëve, Gani Mulliqi e të tjerët si ai kanë jetuar si ”bejlerë”  duke i pasur të gjitha e duke mos pasur asnjë brengë sociale për shkak se kanë jetuar nga mundi, djersa e gjaku i derdhur i gazetarëve të tjerë, duke mos iu ardhur aspak turp për veprimet e tyre kriminale. Madje, ky sojzëz edhe qe ngatërruar me mua në kohën kur unë i përfshirë nga një ankth i papërshkrueshëm luftoja ethshëm për të drejtat e mia të mohuara në gazetë… Një ndër mohuesit e mëdhenj të këtyre të drejtave të mia e të tjerëve, ishte edhe Gani Mulliqi!

 

-”Bajram, ban çka të bajsh, por emnin tem mos ma përmend!” më pati thane Gani Mulliqi i Sylevicës së Podujevës! Gani Mulliqi që, madje, deshti të bëhej Ombudsperson i Kosovës e që tash “u gjind” e u bë funksionar i Ministrisë për Punë të Jashtme të Kosovës!

 

Ky është një shembull e udhërrëfyes i keq për njeriun e Kosovës së re, një shembull që prek direkt ndërgjegjen dhe moralin njerëzor, që e vret shpresën dhe që e shpall të kotë rezultatin e punës e angazhimit të njëmendët… Dmth., ai ishte ‘i zoti’ e të tjerët ‘të pazotë’?!

 

Ai nuk ishte si unë e ai tjetri, jo-gjinsa(!), që nuk mund të ishim të tillë qysh kërkojnë shijet e Zenun Çelajt e Gani Mulliqit. Asi ‘gjinsi’ në Kosovë njeriu nuk mund të jetë se për të pretenduar diçka si ata në mënyrë normale e të kulturuar nuk mund të arrish gjë. “Aftësia” e tillë nënkupton të shtyhesh me bërryla e klane, të përdorësh dhunën e të jesh  i kundërligjshëm, “aftësitë” e tilla ndjellin vetëm pakënaqësi e dhunë…

 

Probleme të mëdha me udhëheqësit e gazetës

 

Me fjalë të tjera, ai kështu mua më kërcënohej që të mos hulumtoja e të mos e problematizoja veprimtarinë e dënueshme të tij e të tjerëve aty! Ai nuk donte ta kuptonte se as unë e as të tjerët aty, nuk “ngatërroheshim” me të për pasurinë e supozuar të tij a të tjetrit në Sylevicë të Podujevës, Llabjan të Pejës a Vuthaj të Gucisë, për pasurinë që ua kishin lënë prindërit, babai e nëna; por për të drejtat tona që na takonin nga puna në gazetën ‘Rilindja’, punë që e kishim bërë më mirë, më me rezultate, me përkushtim, me dashuri profesionale e atdhetare sesa që e kishin bërë ata duke e shfrytëzuar punën e të tjerëve në kohën e pushtimit… Dhe, unë jam njëri ndër ata që për të drejtat e mia jo vetëm që kam luftuar dje, por jam në gjendje të luftoj parreshur edhe sot, nesër a pasnesër, se mohimi i të drejtave që na takojnë, fjala e rëndë dhe krimi nuk harrohen e as nuk vjetrohen lehtë, sidomos kur ato shqiptohen me porosi të caktura,siç u shqiptuan ndaj meje. Fituesi i çmimit NOBEL për paqe, Dalaj Lama i tashëm, në gjithë veprën e tij të madhe e të jashtëzakonshme si përmbajtje e thellësi gjykimi e mendimi, si në ”Mendime për një mijëvjeçar të ri”, ”Arti për të qenë i lumtur”, ”Një det mençurie”, ”Zemra e mirë”, etj, etj; tërheq vëmendjen për mungesën e bashkëndjesisë për fatin e tjetrit, ashtu qysh gjithmonë e ka tërhequr vëmendjen për bashkëndjesi, tradita pozitive dhe zakonet e njëmendta shqiptare, që, po ashtu, të gjithë njerëzit dhe fatet e tyre i ka respektuar, çmuar, peshuar e vlerësuar njësoj në aspektin mirëkuptimit dhe solidaritetit njerëzor.

 

Për “Skandalin Emërllahu” tashmë është posaçërisht i angazhuar kolegu im nga Prishtina, gazetari i shquar Zeqir Bekolli. Gjatë këtij fillimviti (2010), pasi Pallati i Shtypit u bë pronë e qeverisë së Republikës së Kosovës, Zeqir Bekolli dhe ish gazetari tjetër i Rilindjes, Sheremet Krasniqi, kishin ndërmarrë një nismë për t'i ftuar ish-punëtorët që t'i bashkërenditin qëndrimet për hapat që duhej ndërmarrë për realizimin e së drejtës imediate për 20 përqindshin e vlerës (pasurisë) së përgjithshme, që u takon punëtorëve. Tubimi, sipas Bekollit, ishte mbajtur në lokalet e shtypshkronjës "Rilindja" në Prishtinë, ku kishin marrë pjesë mbi 30 veta dhe ku ishin pajtuar për t'i bërë publike keqpërdorimet e bëra për dhjetëra vite. Për këtë u kishte shërbyer edhe një padi e bërë nga redaksia e ish-gazetës "Rilindja" ndaj M. Emërllahut, e sajuar në qershor të vitit 2001, e cila edhe pse i ishte adresuar, deri tashti nuk ishte dorëzuar në gjykatë?! Nga ajo padi Mehmet Emërllahu akuzohej për 60 milionë marka të keqpërdorura, shumë kjo e keqpërdorur që i tejkalonte të gjitha llogaritë e deriatëhershme për keqpërdorime nga ana e tij dhe atyre që hapur apo fshehur e kishin përkrahur për këtë skandal të jashtëzakonshëm. Kështu, sipas dëshmive të Zeqir Bekollit, ajo kopje e padisë së bashku me nënshkrimet e mbi 30 vetave të pranishëm në atë tubim, i është dorëzuar Agjencisë Antikorrupsion, për ç'gjë bëhet e ditur se disa persona janë marrë në pyetje aty, skandal ky me të cilin pas hulumtimeve të duhura do të njihet edhe policia e Kosovës , sikurse dhe policia e Shqipërisë etj, ku është zhvilluar aktiviteti i tillë kriminal. Për këtë ne jemi shumë të vendosur dhe për këtë  nuk do të ndalemi asnjëherë përderisa fajtorët për krime të tilla ekonomike të mos i vëmë para përgjegjësisë ligjore. Pra, siç duhet ta ketë të qartë lexuesi, aty ku ka veprimtari kriminale ka edhe fyerje të mëdha, fyerje që iu nënshtruam ne, unë e ai akëcili koleg! Sepse, siç është bërë e ditur tashmë, ata që zhvillojnë veprimtari kriminale janë miq e shokë për interesa të veta e të klaneve të tyre. Nuk është fare e lehtë të durosh gjithçka, por kur llogarit se nuk mund ta luftosh një të keqe në planin afatshkurtër, atë dukuri duhet luftuar e mposhtur në planin afatgjatë…

 

Problemet më të mëdha në punën tonë si gazetarë i kemi pasur kryesisht me udhëheqësit e gazetës ‘Rilindja’, të cilët anipse formalisht ishin kundër veprimtarisë kriminale të Emërllahut e të tjerëve, në të vërtetë pas shpinës së opinionit publik ishin krahas së keqes, shërbëtorë të saj për  qëllimet që ata i dinin. Dua t’ia përkujtoj opinionit publik një sjellje shumë të panjerëzishme ndaj meje nga ana e Blerim Stavilecit, drejtor i NGSHB “Rilindja”, në dhjetor të vitit 1998, pasi me organizimin e Sindikatës së Pavarur të “Rilindjes”, e udhëhequr nga kryetari i saj i atëhershëm Zeqir Bekolli, e kishim mbajtur një mbledhje ku e gjykonim arbitraritetin dhe uzurpimin e pasurisë nga ana e Mehmet Emërllahut dhe gjendjen e vështirë matariale të gazetarëve… Përderisa në tubimin e punëtorëve ky epror i rrejshëm heshti apo foli me demagogji, pas tubimit, më tha:

 

 - “Bajram, çka po lypë këtu në Rilindje, kur ke shtëpi në Gurrakoc!?”

 

Në atë kohë isha zëvendës-kryeredaktor i Gazetës ‘Rilindja’ (‘Bujku’) në Prishtinë, andaj po t’i përgjigjesha në mënyrë primitive këtij halldupi, do të duhej të sillesha ‘vendçe’, por unë ashtu as nuk kam vepruar ndonjëherë e as nuk mund të veproj tani. Jam i vetëdijshëm se pakkush do të kishte  duruar ato që durova unë. Përkundrazi! Mirëpo unë “po godas” tashti me të vetmën gjuhë që e di, që është e lejueshme e që më takon ta përdori, me gjuhën profesionale, duke e treguar vetëm të vërtetën pa shtuar e pa munguar asgjë prej gjëje. Të shkretët e tillë për mend, me siguri që do t’i mohojnë të gjitha këto që i them une publikisht, duke u munduar të shpifin e sajojnë të vërtetat e tyre me gënjeshtra qysh e kan zakon, por kjo le të jetë çështje e tyre, çështje që mua s’më takon…

 

Tash do të mundohem, krejt shkurtimisht, t’ia bëj të njohur opinionit “bashkëbisedimin” tim me kriminelë e halabakë të fshehur pas e-mailit bujarbukoshi@yahoo.com, për ç’gjë unë edhe pse isha shumë i sigurt se nuk qëndronte pas tij ish-kryeministri Bujar Bukoshi me ndonjë “ekip” të vetin, pasi në natyrën e gazetarisë sime është që të pres e të vërtetoj .Pas shumë vitesh pritjeje e shestimesh, kah fundi i korrikut 2009 e takova Bujar Bukoshin në Prishtinë dhe biseduam për këtë çështje, pasi keqpërdorimi i emrit të tij për qëllime kriminale apo i kujtdoqoftë tjetër, fshehja e “gjuajtja me gur,” nënçmimi, përbuzja e sakrificës e angazhimit të tjetrit për profesion e Atdhe si dhe dërgimi i mesazheve përmes nofkash e maskash, jo që është i palejueshëm,por është veprim i dënueshëm sipas ligjeve evropiane dhe të Kosovës së sotshme. “Kadal ore beg, se ka hendek”, thotë ajo fjala e popullit, apo jo? Tashti as që kam nevojë të rrëfej se cila është përmbajtja e bisedës me z. Bujar Bukoshi, pos që ia rikujtova atë që edhe ai e di se askush nuk guxon që në emrin e tij t’i provokojë të tjerët. Meqenëse në një mënyrë jam para hapjes së kësaj çështjeje që dikush e ka menduar si të ”mbyllur” pasi halabakëria jonë  e përbërë prej gazetarësh-udbashësh etj, “ma pati pikur njëherë e përgjithmonë”, duke ma hedhur poshtë një jetë të tërë për profesion e Atdhe, detyrohem të them se vetëm zhbërja e gjithë asaj që më është dërguar në formë porosie qëkur ia kam nisur punës në gazetën “Rilindja”, pra zhbërja e plotë - tash dhe menjëherë, - do të më ndalojë që të mos e vazhdojë këtë çështje, të cilën unë në asnjë mënyrë nuk kam dëshirë ta shpie më tej, në mënyrë që duke e kërkuar një fije ”kashte” të më dalin gjashtë të tjera, që nuk kanë të bëjnë me mua. Por, sidoqoftë, dua t’ua bëj të ditur atyre që duhet ta dinë se kthim prapa për mua nuk ka, përpos asaj se kjo çështje duhet të zgjidhet në favorin tim, të të drejtave që më takojnë për angazhimin aq fisnik për Atdheun tim, angazhim që pakkush në gazetari e ka bërë në atë kohë, ashtu me sinqeritet e pa djallëzirat aq të njohura në vendin tonë.

 

Kur e shkruaj këtë shkrim-testament tjetër të jetës sime profesionale, përpara më del fillimi i marsit 1999 dhe një rrugëtim imi me prof.Dr.Shkëlzen Raçën e disa të tjerë në Gjilan në atë kohë kur në shumë pjesë të Kosovës ishte luftë përderisa Prishtina, Gjilani e disa pjesë të tjera të Kosovës jetohej ”në paqe,pa trazime!”. Kur u nisëm nga Prishtina thuajse e zbrazur, afër Ngrohtores së qytetit ”Termokos”  nuk kishte si të mos na binin në sy disa policë serbë në thellësi të Lagjës ”Emshir”, pranë Tjerrtores ”Kosovka” të Prishtinës. Ne kishim qenë të përgjuar nga epror të policisë serbe që nga largësia,të cilët duket se kishin qenë duke i survejuar lëvizjet e dyshimta të njerëzve e automjeteve, për shak se, siç kuptuam më vonë, në atë vend ishin vrarë tre policë serb nga Ushtrija Çlirimtare e Kosovës. Eprorët e lartë të policisë serbe vinin me shpejtësi pas nesh me automatikët e tyre drejtuar në veturën që e ngiste një koleg yni dhe na ndalën me sjellje të çmendurish në Kodrën e Veternikut!! Pasi na identifikuan të gjithëve, vozitësin e dy të tjerët i qitën jashtë ndërsa mua ma drejtuan automatikun në gjoks që të mos lëvizja. Na mbajtën një kohë aty duke na pytur egërsisht për atë që u interesonte kurse në fund pasi na urdhëruan të niseshim në prani të tjerëve, eprori që e udhëhoqi ndalimin tonë të përkohshëm aty, pasi na tha se nuk guxojmë ta shmangim rrugën askund deri në Gjilan e derisa të ktheheshim, mu drejtua mua:

”Kuptoje ti mirë..., kur të bëhen dy javë, nuk do të ketë më shqiptarë në këtë vend!?”

 

Ne shkuam e u kthyem nga Gjilani rrugës pothuaj të shkretuar, me ndalesa të tjera policore, por për fatin tonë pa pasoja për asnjërin prej nesh, por, siç doli përnjëmend më vonë, pas dy javësh Kosova pothuaj u boshatis nga shqiptarët nga ana e ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Ajo ishte një tragjedi më e madhe në historinë e këtij populli që detyrohej me dhunë mizore t’i braktiste vatrat e veta shumëshekullore, të trashëguara brez pas brezi, prej që kur mbanë mend historija e ekzistencës sonë në këto hapësira! Me 1 prill na ndoqën nga  Lagjia ”Taslixhe” ku banonim në Prishtinë. Gjithçka e lamë përgjysmë: disa copa buke të kursyera që s’përbiheshin, errësirën që e shkaktonin perdet e mbyllura, kafen e lënë përgjysmë, një libër që kisha filluar t’a lexoja,  një fletore shënimesh që s’u gjet më kurrë, një pranverë që sapo kishte ardhur, një zymti që e bartnim në shpirt,dhe një ëndërr të këputur e të vrarë jo vetëm nga ana e mesazhit të atij eprori të policisë së Serbisë që realizohej në praktikë në ato çaste, por edhe nga mesazhet që i kisha marrur me kohë e vite  nga eprorët e Gazetës ”Rilindja”! 

 

Qyqarët e fshehur pas e-mailit në emër të Bujar Bukoshit

 

Bashkëpunëtorët e Drzavna Bezbednos-it Shqiptar të Kosovës, të cilët më dhanë porosinë e fundit serbe përmes letërkëmbimeve të tilla provokative, duke e keqpërdorur emrin e ish-kryeministrit Bujar Bukoshi, njësoj siç vepruan pas lufte duke ia keqpërdorur emrin e tij deri në atë përmasë sa e detyruan ish-kryeministrin Agim Çeku që  t’i përgjigjej Bujar Bukoshit që nuk i kishte shkruar asnjë letër, se “…vërejtjet e parashtruara…, do të shqyrtohen!” 

 

Ma merr mendja se Kosova i ka disa kriminelë të shërbimeve të fshehta, disa qyqarë e injorantë të llojit të vet, që zor t’i ketë bota, ashtu sikurse edhe disa gazetarë të mjerë, kryesisht eprorë, që e shpallin veten gazetarë të mëdhenj duke shkelur mbi fatet njerëzore të të tjerëve, pa qenë gazetarë fare… 

 

Grumbulli i qyqeve të fshehura pas nofkës së Bujar Bukoshit, shkoi aq larg sa që pasi arrita t’i bindja se më kanë mashtruar, u shliruan fare dhe më ofruan bashkëpunim me udhëheqësinë e Sigurimit Shtetëror të Kosovës së para luftës, Jonuz Tërstenën, duke e sajuar,madje, edhe një e-mail të tij?! Meqenëse nuk jam marrë me ndonjë veprimtari politike, ashtu siç janë marrë një pjesë e të burgosurve politikë të Kosovës, kam qenë tejet indiferent ndaj këtij shërbimi, duke qenë i vetëdijshëm se mjaftonte angazhimi profesional në gazetari dhe shërbimi im si krijues jo pak i dalluar i opinionit publik në atë kohë. Duke e përfunduar këtë shkrim që mund të jetë një hyrje në shumë shkrime të tjera edhe më deshifruese të cilat kurrë nuk dëshiroj t’i shkruaj, për herë të parë e të fundit i lus të gjithë “bujarbukoshasit” - i lus deri në përgjërim e deri në neveri, që më në fund ta qesin gishtin në kokë e të angazhohen me të gjitha mundësitë e mjetet që ata e dinë se mund të jenë të duhura, që të m’i kthejnë të gjitha të drejtat që m’i kanë mohuar pa e humbur asnjë çast më tutje, duke ua bërë përfundimisht të ditur se i kam zbuluar deri në detalin më të vogël dhe secilit mund t’i them nesër se kjo është fjalia dhe mendimi yt. Unë e di se keni dashur të më bëni qesharak, keni dashur të më ‘zajebatni’ (kërkoj falje për përdorimin e shprehjes së tillë nga lexuesit e nderuar), qysh thuhet “në gjuhën tuaj serbe”, keni dashur të nxirrni “fjalë” prej meje, por unë ju kam gjuajtur vetëm me gjuajtje  të gjuajtura në kohë të duhur!? Asgjë tjetër! Keni dashur ta bëni qesharak vëllain me “vëlla” dhe kolegun me “koleg”!?

 

Me një ‘të rame’ - dhjetë të vramë!!?

 

Po të ndihesha i “zënë” prej jush, nuk do të isha paraqitur tash, me ardhjen “e pranverës” së shtetit juridik, e cila nëse nuk çel siç duhet sot, do të çelë nesër. Ngutuni! Duke ia bërë qejfin çmendurisë suaj njerëzore, lazdrimit e çuarjes suaj peshë, gazetarisë dhe intelektualizmit tuaj të shpifur pata arritur t’ua krijoja iluzionin se m’a hapët gojën e në të vërtetë është krejt e kundërta. Krejt për çka keni folur unë jam në gjendje të ballafaqohem me ju kurse ju “bujarbukoshas” të shkretë, sepse ju me ëndje kurrrë nuk keni dëshirë të ballfaqoheni me mua. Por, sido që të jetë: ky provokim tashmë e kërkon zgjidhjen urgjente e ajo mund të bëhet duke m’i kthyer të gjitha të drejtat që m’i keni mohuar ju “njerëzit e institucioneve”?!

 

Më duhet t’jua them edhe një gjë: personalisht kurrë nuk kam dëshirë të takohem me ju që e përfaqësoni pengesën më të madhe të Kosovës kah forcimi i shtetësisë së saj dhe emancipimi shtetëror e kulturor, me ju “gazetarë” dhe me ju “intelektualë” që lejoni të përdoreni e keqpërdoreni nga kriminelë të shërbimeve të fshehta, me ju të pafytyrë që heshtni para kufomave dhe viktimave, me ju viktima të rrejshme…; se të takohem me ju, t’jua heq maskat, t’ju deshifroj, është, me nder me thanë, sikur ta hapësh një thes me mut, nga i cili mund të kundërmojë Kosova e pafajshme.

 

Unë atë kurrë nuk do ta bëj me dëshirë, por kriminelët e mi të dashur po jua them se nuk ka të drejtë që s’ma keni shkelur e mohuar, nuk keni lënë asgjë pa bërë ndaj meje me kriminelët tuaj të shërbimeve të fshehta, kështu që po ua tërheq vërejtjen se unë që nuk e talli e nuk e përbuzi jetën e askujt, nuk lejoj askend të tallet me jetën time e të familjes sime. Unë ju kam mbrojtur ju, ore kriminelët e mi të dashur, por ju nuk keni pasur shpirt e as kokë të besoni, se jeni zier e stërzier me kriminelët tuaj të shërbimeve të fshehta, me gjuhën e tyre, mendjen e tyre të keqe, qëllimet e tyre serbe… Ju më keni dënuar mu ashtu qysh UDB-ja juaj i ka dënuar qindra e mijëra atdhetarë, prandaj ky dënim duhet të zhbëhet gjithsesi, ose si njerëz të “institucioneve” a të afërt me to, apo si “analistë” a “neoshqiptarë” me sjellje kretenësh, duhet ta njoftoni opinionin publik se për ç’arsye vepruat ashtu qysh vepruat ndaj meje. Unë as nuk ju kam tallur e as përqeshur juve, por nëse kujtoni se edhe më tej do të mund e luani lojën e strucit, e keni krejt gabim se nuk do t’ju lejoj se tashmë hajgarja ka përfunduar, e kush qesh i fundit, qesh më së ëmbëli apo jo?!

 

Ne nuk u ngatërruam për ndonjë pretendim absurd timin ndaj pronës suaj, por ju i dëgjuat udbashët gjakbamës dhe m’i mohuat të gjitha të drejtat që më takojnë nga puna në gazetën ‘Rilindja’, ndaj së cilës unë jam shumë i ndjeshëm e për të cilën nuk e fal askend.

 

Pra, asgjë tjetër nuk jam duke kërkuar prej jush pos që të m’i ktheni të drejtat që m’i keni mohuar me dhunë të gjithëllojshme. Madje, as që dëshiroj t’u shoh me sy, se po të vije deri tek ballafaqimi mes nesh do të turpëroheni të gjithë ju dhe familjet tuaja të pafajshme? Unë nuk e dua e as synoj koritjen a përralimin tuaj, por të drejtat e mia për të cilat jam aq i vendosur sa që nuk do të ndalem për asnjë çast, madje edhe në qoftë se e “korri” një fitore të Pirros?!

 

A po kuptohemi?

 

Ju nuk keni të drejtë ta injoroni jetën e askujt, as timen e të familjes sime e as të përbuzni deri në atë shkallë sa çmimit të punës e angazhimit tim t'i jepni vlerën e 7 mijë dollarëve e që, pastaj, të kërkoni falje se e keni harruar një zero!?

 

Ju duhet ta keni të qartë se, siç më cilësoi me ironi e përbuzje, njëri nga "intelektualët" tuaj të mëdhenj, unë jam, njëmend" si rakia e vjetër"! Merreni me mend se sa do t'i jetë shtuar cilësia dhe shija kësaj "rakie" dhjetë vite më vonë - në vitin 2010?! "Shijen" e saj do ta shijoni shumë shpejt..., nëse ende nuk keni mbledhur mend?!

 

Ngutuni nëse nuk doni që nesër ta përjetoni goditjen time profesionale:

 

“Jo vëllain me ”vëlla”, e as kolegun me ”koleg”, por kriminelin me kriminel!?”

 

Dhe, krejt në fund, për UDB-ashët!

 

E mbajtët fjalën dhe urdhërin UDB-ash! Më munduat duke ma bërë jetën të vështirë, mu ashtu siç keni planifikuar ju kriminelët e Serbisë, ju danaj dhuratësjellës për popullin tonë të vuajtur; ju që nuk më latë të lumtur as kur isha në Kosovë e as kur u detyrova të vija këtu, ku mu desh t’ia filloja një jete të re.Të gjitha i kam kuptuar… Por, kriminelët e mi të dashur, ju kënaqësia UDB-ashe e gazetarucëve të ‘Rilindjes’ me shokë, synimi juaj për të më shkatërruar ka rënë në ujë, nuk u realizua se ka Zot në këtë jetë madje, ashtu siç mendoj që e dini, ju them se në saje të vendosmërisë sime e të familjes jeta ime dhe e familjes që kishit planifikuar të na e shkatërroni, është krejt normale dhe stabile. Nuk po flas gjë tjetër… Ndërsa borxhi nga Kosova nuk ka se si të mos paguhet sot që të mos detyroheni ta paguani nesër ashtu qysh nuk duhet. Unë kam qenë i drejtë atje e jam edhe këtu ku drejtësia dhe ligji janë pjesë e sistemit dhe ku padrejtësia sanksionohet me ligj. Këtu nuk mund të sillesh me njeriun ashtu qysh u teket të tjerëve, t’ua mohosh e t’ua marrësh të drejtat, t’u thuash ashtu qysh më thatë ju mua,”.. po,po, ti ke punuar 17 vite në gazetë, por për atë punë do ta fitosh...”

 

Jo! Gjëra të tilla këtu nuk mund të ndodhin?

 

Këtu nëse ke mbetur borxh edhe pas vdekjes duhet paguar borxhi, qoftë ai edhe në vlerën e 50 centëve, dmth as një euro e Kosovës?!

 

Turpet si ”Skandali Emërllahu” këtu nuk mund të kenë as ardhmëri e as qetësi.

 

Këtu, ”bujarbukoshas” nuk mund t’i thuhet kolegut apo ”kolegut”, ”O veç n’ta jepsha gruen ore Bajram!”, siç thotë humoristi juaj me cinizmin e tij UDBash, apo t’ia mohosh kolegut dhe profesionit rolin e pyetjes në gazetari, qysh ia mohon ”neoshqiptari” juaj?!

 

A mos kujtuat se do t’jua dërgoja “200 pyetje me të cilat do të tronditej opinioni”?

 

Jo, jo, ore kokëshkretë! Unë nëse do të jem i detyruar do t’ua bëj vetëm tre-katër pyetje me të cilat do t’i trondisja vetëm kriminelët...

 

Ju jeni ata që nga pozita e redaktorit kur ua kidnapojnë gazetarin dhe ai rrezikon të vritet nga antishqiptarizmi jokoshient, në vend se ta mbroni, vetëm se e ka lajmëruar rastin, i thoni:

 

-”...Mos kqyr me u ba i madh prej rastit!”

 

Ngutuni ...

 

“Bujarbukoshas!”

 

E shihni tash se nuk kam rënë në kurrfarë ”kungji” apo ”grope” që e përgatitët për mua, pasi t’jua them të drejtën, përderisa komunikoja me ju, isha në gjendje komode dhe i ulur në fotele duke ju analizuar me nge se çka po thoni e çka po doni, çka flisnit e dërdëllisnit, kështu që as nuk kam pasur frikë nga vetja ime e as  nuk jam frikësuar ”prej kompjuterit”, se makina “nuk han”, por pasi lypët sherr vetëm jua krijova iluzionin e të mashtruarit dhe gjoja të ngashnjyerit nga ngashnjimet tuaja, duke u paraqitur, qysh e lypët,  një dhelpër e ndruajtur që i bën dy hapa përpara e një pas për t’ju mashtruar sikur i “rënë në prehërin tuaj”, juve që së pari e mashtruat veten, duke rënë vetë në atë gropën që e përgatitët për tjetërkend. Në këtë fillim të marsit 2010, afër dhjetë vite qëkur më shkruat, po u paraqitem në mënyrën më të mirë të mundshme, duke ua bërë të ditur se nuk thashë asgjë tjetër pos asaj që më takon t’jua them, dhe t’jua bëj të ditur se paraqitjen time duhet ta merrni seriozisht e të mos paraqiteni se nuk po kuptoni se nëse u flas pastaj ashtu qysh e meritoni atëherë do të jetë tepër vonë ndërsa unë këtë shkrim do ta përdori si dëshmi para jush se si u jam drejtuar pa jua përmendur emrat, që të mos u vija në pozitën që nuk kam interes t’ju vë tash për tash. Ju mund të vazhdoni me injorimet e nënçmimet tuaja, por ato nuk ndihmojnë aspak, përkundrazi. Unë nuk kam mundur të ngatërrohesha me ju se ishit shumë e UDB-ja prodhon shumë kundërshtarë për atë që e ka në shënjestër, kështu që mua nuk ma ka qitur me juve deri tashti.

 

Tash-po!!

 

Se ç’farë raportesh keni pasur me mua, patët treguar me serinë e letërkëmbimeve në emër të Bujar Bukoshit. Në rregull, por po ju tregoj se nëse keni qenë të pabesë ndaj meje, atëherë s’ka rrugë tjetër pos që edhe unë të jem profesionalisht i pabesë ndaj jush dhe në këtë vështrim nuk më intereson se kend e kam përpara, vëllain apo shokun që është paraqitur mik me mua. 

 

Mendja juaj është mendje e keqe,që prodhon vetëm ligësi, e jo mirësi, dhimbshuri e keqardhje!  Por, këta njerëz nuk kanë rënë prej qiellit në tokë, do të thoshte Dalai Lama aktual në librin e tij “Mendime për një mijëvjeçarë të ri”, dhe për njerëzit sikurse ju, do të shtonte: “Nëse për këtë është ashtu që një vend ka politikan të korruptuar, mund të vërtetohet se është vetë shoqëria që i mungon morali dhe që njerëzit e thjeshtë që e përbëjnë popullsinë, nuk jetojnë në mënyrë etike”. Kjo do të thosha vlen edhe për gazetarët e atij vendi, sikurse edhe për të gjitha shtresat e tjera intelektuale të tij.



(Vota: 28 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora