E marte, 23.04.2024, 09:53 PM (GMT+1)

Editorial

Sami Islami: Rreth reagimit të R. Megjuanit përkitazi me standardin e gjuhës shqipe

E diele, 21.03.2010, 10:58 PM


RRETH  REAGIMIT TË R. MEGJUANIT PËRKITAZI ME  STANDARDIN E GJUHËS SHQIPE

Nga Sami  ISLAMI

Libri i  Shkëlzen Gashit “Gjuha e këputun e shqipes” i botuar tash vonë, si duket u bë një prej temave më të debatueshme përsa i takon standardit 1972. Siç mund të vërehet, në kohë të fundit, në debate për standardin u futën njerëz të profesioneve të ndryshme, si gjuhëtarë, historianë, shkrimtarë, gazetarë, studentë... Pse jo? Gjuha është e të gjithëve! Po ajo çfarë ishte më interesante ishte fakti se tani u gjenden ballë për ballë dy taborre. Njëri ishte për ta  “mbrojtur” standardin e vitit 1972, ndërsa tjetri për ta “sulmuar” atë. Vendimet e Kongresit të Gjuhës Shqipe, i cili u mbajt në Tiranë këtu e gati 38 vjet më parë, nisën të kontestoheshin menjëherë pas triumfit të demokracisë në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në pjesët e tjera shqiptare. Këta zëra në fillim qenë vetëm disa, por  filluan të shtohen dita-ditës. Këta intelektualë, kryesisht të veriut të Shqipërisë, duke përfshirë këtu  edhe ata nga Kosova dhe pjesët e tjera shqiptare, nuk ishin të kënaqur me  standardin e gjuhës shqipe. Këta njerëz, nga disa institucione, por edhe nga disa intelektualë, filluan të etiketohen  si „antikombëtarë“, si njerëz që ishin për „ndarje“ të kombit, si njerëz që ishin kundër dialektit toskë etj.

 Një reagim të tillë më rastisi ta lexoj në „Albaniapress“ shkruar nga njëfarë R. Megjuani. Të them të drejtën një herë thashë të mos reagoj fare në shkrimin e tij, por meqë opinioni publik i painformuar mund të hutohet duke meduar  se z. Megjuani ka ndopak të drejtë vendosa  t’i them nja dy tri fjalë lidhur me këtë çështje.

Së pari,  z. Megjuani  ju duhet ta dini se gjuha nuk është politikë. Ju duke dalë në mbrojtje të Enver  Hoxhës (gjë që është e drejta e juaj)  i dilni në mbrojtje edhe standardit toskë, pra gjuhës së njësuar letrare të vitit 1972. Nëse  doni të merreni me gjuhën (pra me shkencë) ju  duhet të sillni fakte, nëse doni të merreni me politikë sillni opinione apo jo? Këto çfarë keni  sjellë në artikull janë vetëm opinionet e tua  z. Megjuani për  Enver  Hoxhën, kurse për gjuhën s’e thoni as edhe një fjalë të vetme! Si ta kuptoj unë konstatimin tuaj kur thoni:“ Enver Hoxha nuk ka qenë diktator, as nuk e ka burgosur, internuar e as asgjësuar fizikisht elitën intelektuale-kulturore, përkundrazi e ka përkrahur, ngritë dhe mbrojtë (përjashto ndonjë antikombëtarë, si tash që jeni ju me gjuhën gegë dhe me kombin kosovarë që nuk jeni as dhjetë veta)“. Vetëm kjo fjali e juaja mjafton për të parë se ju dini fare pak për Enver  Hoxhën, ose e doni aq shumë sa nuk doni t’i shihni anët negative të tij! Ju në fillim thoni se  „Enver  Hoxha nuk ka qenë diktator!“ Nëse thua se   Enver  Hoxha nuk ka qenë diktator  është njësoj sikur të thuash se papa nuk është katolik! Se ai ka qenë diktator e pranojnë të gjithë. Edhe ata që deri dje ishin afër tij. Tash  ndoshta, mbi 90% të shqiptarëve të shtetit amë, të thonë dhe e dëshmojnë se ai, ose më mirë të themi regjimi i tij,  ka vrarë e ka prerë me mijëra intelektualë, klerikë etj. Si do të mund t’i marrim të vërteta fjalët tua z. Megjuani? A më mirë e dinë ata që regjimin e tij e kanë pësuar në kurriz apo ju që  e keni parë  Enver Hoxhën  në televizor duke iu shpërndarë lule masës për „festat e majit“!

 Një herë ju thoni se „nuk  e ka asgjësuar fizikisht elitën...“ (lexo: Enver  Hoxha) pastaj vazhdoni „përjashto ndonjë antikombëtar!?“. Mirë. Ju thoni se  Enver  Hoxha ka qenë  „kombëtar“ (pra e ka dashur  kombin e vet). Në rregull! Ky është mendimi i juaj . Po në ç’bazë konstatove se Shkëlzen Gashi qenka  „atikombëtar“? Nga e more vesh këtë? Unë ju them haptas se autorin e librit nuk e njoh personalisht, por nga sa e lexova librin e tij nuk pashë se ai paska bërë punë të tilla sa të quhet „antikombëtar“. Qesharake është të thuhet kjo! Pra, sipas mendimit tuaj z. Megjuani  edhe  Enver  Hoxha i paska  asgjësuar disa intelektualë por vetëm disa „antikomëtarë“. A keni  fakte zotëri për ta dëshmuar se Enver  Hoxha paska likuiduar vetëm antikombëtarë?! Ju pastaj thoni se „Enver Hoxha nuk e ka ndarë gjuhën shqipe-gegë, siç po insistoni ta ndani toskërishtën. Përkundrazi E.Hoxha gjuhën gegë e ka bashkuar me atë toskë, siç kanë vepruar të parët tanë sdm. Rilindasit.  A e dini se në atë kohë çdo gjë ishte politike? As gjuha nuk mund t’i ikte politizimit, pra edhe standardi u bë nën ketë trysni politike, apo jo?

Nejse.

Le të dalim tek gjuha standarde.  Me duhet t’ju them  z. Megjuani se më mirë do të kishte qenë që ju vetë së pari të bëni një kurs intensiv të gjuhës shqipe dhe të mësoni të shkruani mirë e pastaj të merreni me shkrime, e sidomos  me probleme të gjuhës. Nëse doni të shkruani në „standard 1972“ atëherë duhet ta dini se, edhe fjalët „ngritë“ edhe „mbrojtë“ duhet t’i kishit shkruar „ngritur“ dhe „mbrojtur“ sepse standardi të cilin e mbroni e do kështu apo jo?. Pastaj fjalën „antikombëtarë“ e ke shkruar gabimisht. Nuk shkruhet me –ë fundore kur emri është në njëjës, por pa të, pra „një intelektual antikombëtar“ dhe ‚disa intelektualë antikombëtarë‘ . Ju e përmendni „gjuhën gegë“. A e dini ju se nuk ka gjuhë gege (bile edhe mbiemrin  „gegë“ e përdorni gabimisht). Po ka dialekt gegë. Dialekti është krejt diçka tjetër zotëri! Dhe në këtë fjali ju e përdorni edhe  konstruktin „komb  kosovarë“. Edhe këtu fjala „kosovar“ duhet të shkruhet pa „ë“ . E shikon zotëri sa sa gabime ortografike e gramatikore  ju i bëni vetëm në një fjali, se po të shkojmë më tutje zoti e di se ku mund të dalim!

Ju pastaj, më poshtë i citoni disa mendime të intelektualëve të tjerë, që kanë të bëjnë me “standardin”. Në mes tjerash ju keni shkruar se profesor Ajeti paska thënë: Beci e di fort mirë se të folmet toske kishin arritur të afrohen në atë shkallë sa që kishin krijuar një koine të përbashkët; në kohën e Rilindjes Kombetare toskërishtja e shkruar kishte marrë e ishte shtrirë nëpër masa të gjëra duke e lënë gegërishtën e shkruar shumë prapa.  O tempora o mores! Çka do të thotë kjo? Në kohën e Rilindjes dialekti toskë i paska dalë përpara atij gegë! Është një zbulim i juaji apo jo? Po ç’janë këta “margaritarë” z. Megjuani? A e di zotërote nga erdhi kjo toskërishte dhe gegërishte e shkruar?  A e dini  se mu kjo letërsi e shkruar si në gegërishte  poashtu edhe toskërishte ishte një vazhdimësi e ndritshme e autorëve të vjetër, pra e autorëve gegë:  Buzukut, Budit, Bogdanit, që shkruan shekuj më parë.

Ju e përmendni edhe Kongresin e Drejtshkrimit i cili u mbajt në Tiranë më 1972. Është e vërtetë se në atë kohë  ky kongres pati jehonë të madhe, sidomos për shqiptarët  e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare nën ish Jugosllavi. Në në atë kohë ne në Kosovë, p.sh. do të pranonim çfarëdo  standardi, vetëm dhe vetëm t’i tregonim botës se shqiptarët ishin një ngado qofshin ata. Dihet se aty morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova , Maqedonia, Mali i Zi dhe nga arbëreshët e Italisë. Delegatët që erdhën nga  Kosova dhe nga viset e tjera jashtë Shqipërisë, ishin të mirëseardhur për të vënë firmat ose për t’i legjitimuar më shumë vendimet e Kongresit! Se sa punë bënë ata u pa. Ata nuk bënë gjë madje edhe kur Kongresi e shpalli të “pavlefshme” edhe paskajoren e mirëfilltë të shqipes  “me punue”!

Ju zotëri më pastaj thoni, se “Enver Hoxha me këtë (lexo: me standardizimin e gjuhës shqipe) deshi ta bashkonte  kombin shqiptar“! Aferim të qoftë! Po si do ta bashkonte  kombin duke e injoruar më shumë se gjysmën e traditës së shkruar të shqipes? Po a e dini se mu ajo politikë, le që s’e bashkoi, por e ndau kombin! A e dini që në ulëset e publikut në Kongresin e Gjuhës Letrare (po themi Kongresi i Gjuhës Letrare Toske,  se në fakt as organizatorët e kongresit nuk e di a e patën të qartë a ishte Kongres i Drejshkrimit, Kongres i Njësimit apo i Standardit...?) po qëndronte edhe gjuhëtari i madh  Selman Riza i cili, për arsye politike nuk kishte të drejtën për të folur pikërisht nga Enver Hoxha! Pra a ishte ky kongres politik apo jo? Ai rrinte në një qoshte të sallës së madhe dhe dëgjonte të tjerët! A ishte edhe Selman Riza ‚intelektual antikombëtar‘ sipas jush? Pse nuk u lejua ta kryesonte kongresin, madje, as gjuhëtari i përmasave evropiane prof.  Çabej? A e  di  zotërote pse nuk u ftuan as A. Pipa e  as M. Camaj? Pse?

A u interesua të merrte vesh edhe delegacioni kosovar me në krye  akademik  Idriz Ajetin, akademik  Rexhep Qosen, pse nuk kishte të drejtë të fliste Selman Riza?  Sipas mendimit tonë , sidomos  delegacioni kosovar, ka qenë dashur ta bojkotonte kongresin po qe se nuk do të merrte pjesë  Selman Riza, i cili siç thamë ishte në sallë por s’kishte të drejtë të fliste sepse ishte cilësuar ‚armik‘! Pra Enver Hoxha dhe politika e tij  nuk e lejoi të fliste njeriun më kompetent për gjuhën standarde shqipe. Gjuhëtarët  e tjerë nga Kosova që folën  më mirë të mos kishin folur fare! Sepse edhe ato që folën i mori era.

Këta intelektualë të rinj, që sot janë duke e kontestuar standardin gabimisht po cilësohen si antikombëtarë, siç më zuri veshi të shprehen edhe disa njerëz publikë, me funksione të larta shoqërore. Fatkeqësisht  „njerëzit kompetentë“ për gjuhën, pra për standardin, si në Prishtinë, poashtu edhe në  Tiranë i kanë futur „veshët në lesh“,  si i thonë fjalës dhe nuk po shfaqin interesim as për t’i dëgjuar këta që po mendojnë se kanë çfarë të thonë për standardin. Akademitë e shkencave të Tiranës dhe  të Prishtinës shpesh dalin me deklarata se për çështje të gjuhës merren institucionet.

Po çfarë duhet të bëjnë këta intelektualë tani kur institucionet po flenë dhe nuk hapin rrugë për debat? Institucionet  në fjalë, kemi bindjen se po sillen me këta intelektualë  në mënyrë mospërfillëse. Kështu  nuk zgjidhet asnjë  problem, pra as problemi i standardit të shqipes. Nuk zgjidhet çështja e gjuhës, duke i quajtur këta intelektualë „antikombëtarë“ ose „tradhtarë“.

Një gjë duhet ta kenë parasysh të gjithë, e në rend të parë dy Akademitë e Shkencave të Tiranës dhe të Prishtinës, se po vazhduan ta injorojnë këtë fuqi intelektuale, mos të habiten se vetë janë duke i kontribuar  ndarjes, në vend se t’i kontribojnë bashkimit të kombit. Po nuk u shqyrtuan këto kërkesa të këtyre intelektualëve druaj se zhvillimet  brenda shqiptarëve do të shkojnë në drejtimin e krijimit të një “identiteti kosovar“. Dhe ky „identitet“ do të shkonte në favor të armiqve të kombit tonë, të cilët me shekuj kanë punuar të na ndajnë. Kurse ne sot , me veprimet tona këtë punë po e bëjmë vetë. Uroj që kjo të mos ndodhë! Uroj që kombi shqiptar të bashkohet sa më shumë, pra të gjejë zgjidhje edhe për standardin e përbashkët dhe ky të mos bëhet „mollë sherri“ ndër shqiptarë pa marë para sysh nga janë ata.



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora