Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Turpet tona

| E marte, 30.10.2007, 08:40 PM |


Nga Fatos Baxhaku

Ka do ditë që një qytet i yni, në skaj të kufirit dhe në skaj të një rruge, e cila të çon pakkund, i rrethuar nga male të lartë, e ndien veten të lagur deri në palcë. E ndien veten të lagur nga shiu, i cili ka vendosur më në fund të shpëtojë nga gracka e "ngrohjes globale", por më shumë të lagur nga lotët, që nuk rreshtin së drithëruari zemrën dhe ashtin e tij. Në Peshkopi, vetëm pak ditë më parë, ka ndodhur një hata. Një maniak - versioni zyrtar thotë se ka qenë me kohë i skeduar si i çmendur i rrezikshëm - i ka dhënë fund në mënyrë absurde jetës së një djali të vogël, krejt të paqtë e të qetë, sikurse janë zakonisht fëmijët e këtyre anëve.

Dje pasdite, edicionet e lajmeve nuk kanë reshtur së dhëni lajme nga pezmi i lagur i një qyteti, i cili befas e ka parë veten ngushtë. Ngushtë dhe të pafuqishëm përballë dhunës që pjell çmenduria. Bashkë me pezmin e dibranëve, lajmet na kanë sjellë në shtëpitë tona edhe lotët e Jozefina Topallit, Kryetares së Parlamentit tonë. Lotët rrallëherë gënjejnë dhe dje dukej se Topalli më shumë se politikane e ndiente veten nënë. Një gjest simbolik, pa dyshim krejt njerëzor dhe prekës. Njësoj si ajo kanë vrapuar këto ditë në qytetin e lagur nga dhimbja edhe gazetarë, policë, ekspertë, psikologë, psikiatër, analistë, kuriozë, kushërinj të parë, të dytë të tretë…

Të tërë i kanë mbushur sytë me lot, me gojën e mbyllur nga ngulshi, i cili të kaplon në të tilla raste. Të gjithë nuk kanë ditur se çfarë të thonë vetëm se kanë mërmëritur disa fjalë ngushëlluese dhe kanë vazhduar të qajnë sinqerisht. Por a mjafton kaq? Përse brenda një muaji të vetëm kemi tri raste fatkeqësish të rënda, që kanë përfshirë fëmijë thuajse të së njëjtës moshë? Përse të gjitha këto raste në Veri? A mjaftojnë lotët tanë ende të patharë, të sinqertë vërtet, porse disi të vonuar? Përse kujtohemi për fëmijët vetëm kur ata vdesin apo vetëm për 1 Qershor, ditë në të cilën të gjithë bëhen të mirë e të dashur dhe ndajnë çokollata majtas e djathtas vetëm e vetëm që të dalin në TV?

Pyetja nuk i drejtohet vetëm politikës, ndonëse ajo ka marrë përsipër barrën kryesore që ta çojë këtë vend drejt emancipimit. Pyetja u drejtohet shumë sektorëve të shoqërisë: shkollës, mediave, OJQ-ve, individëve, neve vetë.

Vetëm në 30 ditë kemi një fëmijë në Velë të Mirditës të vdekur në rrethana enigmatike, një tjetër në Peshkopi, viktimë e marrëzisë vrastare dhe, brenda pak ditësh, fare pranë viktimës së fundit, në Bulqizë, një fëmijë, i cili groposet i gjallë nga mali me mbetjet e mineralit ndërsa mundohej të mbante me bukë familjen e tij. "E çka dreqin po ndodhë në kto troje?", do vriste mendjen ndonjë plak i moçëm andej nga Veriu. Ne nuk do të kishim asnjë përgjigje që t‘i kthenim plakut të moçëm, i cili do të na shihte me ngulm drejt e në sy ndërsa do të thithte fort çibukun e tij. Ne ende kujtojmë se lotët, që thahen në pak minuta janë zgjidhja e problemit. Ne bëhemi të mirë, sa herë që ndodh një mort, qajmë bashkë me të tjerët, madje i lemë pas për ca kohë edhe punët tona për të bërë "qokat" e rastit. Bëjmë mirë, fare mirë, por kjo nuk mjafton. Madje, lotët tanë në këto raste duhet të na kujtojnë njëherazi turpet tona. Ne jemi një vend që aspirojmë të hyjmë në Evropë, porse aspirojmë të hyjmë në të së bashku me armatën e fëmijëve analfabetë, të fëmijëve të shfrytëzuar, të shitësve të vegjël të cigareve, të atyre që mësohen me dhunën ende pa mësuar të ecin e të flasin. E kush prej nesh nuk ka blerë cigare te shitësit e vegjël e të lagur, ndërsa kishim ndër mend të shkruanim gjëra të mëdha? Cili prej nesh nuk është bezdisur nga lypsarët e vegjël, që mbajnë në krah një fëmijë edhe më të vogël? Këta sigurisht na e prishin muhabetin tonë të rëndë dhe planet tona të mëdha. Ata jetojnë me ne, në krahun tonë, fare ngjitur dhe ne e dimë, porse bëjmë sikur nuk e vëmë re. Vetëm kur ndonjëri përfundon në kronikat e lajmeve, vetëm atëherë kujtohemi dhe nisim të qurravitemi duke luajtur njeriun e mirë. Lotët dalin vetvetiu, por - e themi edhe një herë - tashmë është shumë vonë. Lotët tanë na kujtojnë turpet tona. Madje, nuk e dimë as vetë se kë duhet të qajmë më parë: viktimën e shkretë e të pafajshme, prindërit e saj të mpirë nga dhimbja ngjethëse - dhe këta zakonisht qajnë më pak sesa ne të tjerët - fatin që e ka pllakosur këtë vend, apo zemërngushtësinë tonë.

Të nxirosur për ditë me radhë për lajmet e rënda që mësuam, morëm vesh këtë të diel edhe më të fundit: një djalë i Bulqizës është groposur i gjallë nga mali me gurë, atje larg te "Llamarinat" në lagjen më të varfër të krejt Shqipërisë, në Bulqizë, në qytetin, të cilin e merr era pak nga pak. Na e ka dashur puna, jo shumë kohë më parë, që t‘i takojmë këta fëmijë, që jetojnë mes grisë së gurëve. Janë të qeshur si të gjithë fëmijët e kësaj bote. Gërmojnë galeri të thella në malin me gurë dhe bëjnë shaka me njëri-tjetrin. Nuk ka lojëra elektronike si në qytetet e mëdha, nuk ka biçikleta, nuk ka madje as gomar me të cilin mund të bësh ndonjë xhiro. Ka vetëm gurë, gri, gri, gri dhe baltë pa fund, brenda së cilës u duhet të depërtojnë përditë. Pastaj, pas pune vjen padroni, ai që ua blen fëmijëve gurët. Si kanë dalë nga zgafellat e tyre fëmijët nuk ankohen, ata dërgojnë para në shtëpi. Për ta mali me gurë është jeta vetë. Padroni, i mirë a i lig qoftë, është njeriu, i cili u jep paratë dhe ata nuk e vrasin më mendjen. Sërish në mëngjes marrin trastën e tyre tashmë të lyrosur dhe zhyten në zgafellat, të cilat i kanë zgjedhur vetë. Kjo është jeta e tyre normale.

Askush prej tyre nuk ankohet, askush nuk synon për më mirë, ky paska qenë vetë fati i tyre dhe me këtë ata, prindër e fëmijë janë mësuar tashmë. Që të arrijnë në këtë gjendje pezulli, nga e cila i nxjerr vetëm vdekja kemi kontribuar edhe ne. Kemi shkruar mbase ndonjëherë, porse kemi shkruar njësoj sikur të përshkruanim një shfaqje thjesht folklorike. Nuk ulëritëm asokohe dhe tani qajmë. Kjo bën pjesë në turpet tona. Pa dyshim. Pastaj këtyre fëmijëve u kemi borxh edhe një tjetër gjë të madhe. Sikur të ishim marrë ca më shumë me prindërit e tyre, me hallet qyteteve e të fshatrave të tyre, mbase - asnjëherë nuk i dihet - tani nuk do t‘i kishim ende sytë me lot. Do të merreshim me halle vërtet, por me halle, që të kujtojnë zhvillimin dhe me jo me morte fëmijësh. Këtë ende nuk e kemi bërë mirë. Edhe kjo bën pjesë në turpet tona.