E enjte, 25.04.2024, 11:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Pilo Zyba: Një planet i banuar në orbitën shpirtërore poetike

E enjte, 18.03.2010, 09:43 PM


NJË PLANET I BANUAR NË ORBITËN SHPIRTËRORE POETIKE

Rreth librit “Këpucët e mjegullës” të  FATIME  KULLIT

Nga PILO ZYBA

Ka rrjedha dhe përrenj që mbushin lumënjtë dhe humbasin në detin e thellë të kulturës, por ka dhe burime  këngësh që krijojnë një lumë krijimtarie që i mbetet kohës. Ai vadit arat e ndjenjave e të mendimit, të dashurisë e të urrejtjes, të asaj pjese të jetës që nuk duket por shprehet, të asaj që nuk preket por që lexohet.Një lumë të tillë, shikon, ndjen, kur lexon krijimtarinë e shkrimtares, poetes dhe publicistes, Fatime Kulli.
Na është bërë zakon, që kur marrim në duart tona libra që shprehin botën intime në faqet e tij, tërhiqemi diku mënjanë , në intimitet, çkopsisim këmishën e bukur të mendimeve dhe shijojmë bukuritë e shprehjes, figurën apo fantazinë.Kështu ndodh edhe me poeten F.Kulli.Ajo me gurët e shkronjave bloqet e vargjeve
dhe godinat e poezive po ngren një arkitekturë të re, moderne dhe me themele të forta.Një arkitekturë me dritare të mëdha për të parë dritën, për të kapur trillet e ngjyrave dhe aromat e luleve që lulëzojnë shpirtin njerëzor.
Libri më i ri i saj “Këpucët e mjegullës” hapet me ciklin “rrënjët e mia”. Ajo i këndon me pathos prejardhjes, dashurisë saj, gjakut dhe gjenezës.Në të vargu është thirrës, kërkues, ose një tingull oshëtimëthellë, një Kambanë për ta dëgjuar shekujt e shurdhuar që ikën, ata që jetojmë dhe ata që vijnë.Ky cikël është pasaporta e identitetit të saj, me të cilën, ajo mburret me të drejtë në aradhën e madhe të letërsisë.Rrënjët e saj janë çelsi i hapjes së 20 dyerv të shtëpive të saj poetike që quhen, libra. Ata hapin derën e madhe të kozmosit të saj poetik.Këtu bie në sy herë një poezi thirrje dhe herë melankolike, e cila kurbohet, ulet apo ngjitet sipas peshës emocionale dhe ndjenjës së hollë që përshkon autoren në çastin e lindjes së fëmijëve, poezi.Po të lexosh poezitë “Gur i konakut” “Pije kulloshtrën e gjinjve të mi” “ Thinjat e tua” etj, kjo kuptohet krejt lehtë. Ja si shprehet ajo:

Eja, o djalë malësie
Pije kulloshtrën e gjinjve të mi!
Janë gjinj dhimbje,
Gjinj të ushqyer me dashurinë e Artës.
                                
“Pije kulloshtrën e gjinjve të mi”

Është gjiri i Rozafës mbetur jashtë murimit, për të pirë fëmija i porsa lindur, të pijë historinë, jetën, për të ecur në rrugën e moshumbjes si komb, si histori, si njeri.Legjenda e “Urës së Artës” është vazhdimësia e legjendës historike të saj, e Rozafës.E legjendës që bën lidhjen e gjakut dhe të identitetit kombëtar.
Më pas , në librin në fjalë, hapet një derë tjetër e cila ka të varur në shpatullat e saj emërtimin e thjeshtë:
 “ Beteja  mes meje dhe realitetit”. Derë kjo që të con në një botë të ndryshme nga e para, por prap të vështirë në lëvrim dhe pak të pa  njohur në thellësinë e lojës dhe larushisë me fjalën dhe përmbajtjen e saj.
Të gjithë ata që hyjnë në shtëpinë mikpritëse të poezisë Kullit shprehen: “Poezia e saj është e brishtë e liriko-erotike deri në palcë, intime deri në qelizat më të thella të ndjeshmërisë njerëzore”. Unë shtroj pyetjen, ku është çudia, ku është e pa qarta, ku është e pabesushmja? Në këtë kohë të vështirë nuk ka më  vlerë asgjë më shumë se ndjenja.Fatimja ka zbuluar suksesin e vetëm. Ndërtimet rrëzohen e ndërtohen të reja, sistemet zëvëndësohen, Kozmonoautët vajtën në Mars, në Hënë,çfar prunë? Asgjë!
U zbuluan kontinente, u emëruan kometat, u zbulua Amerika, po kontinenti i madh i botës njerëzore  u zbulua? At’herë Fatimja u bë kozmonaute e botës së madhe të shpirit, të qënies njerëzore, të asaj qënie që nuk vdes kurrë.Këtë bën Fatime Kulli.Poetja!Po-etja, etja e saj për të gjetur dhe burimin më të fundit në plantin e pyllnajën më të thellë të ndjenjës, dhe për ta bërë atë publik. 
Po cilat janë veçoritë e këtij lumi poetik, sasia e prurjes, kristalizimi, mënyra, forma, ngjyrat, rrjedhshmëria, mesazhi, shtrirja apo këndvështrimi? Të gjitha këto që përmënda  janë burime që mbushin shtratin e lumit të saj. Atë lumë që të bën ta duash kur lundron në brëndësi  te tij, ta urresh kur të përplas fuqishëm nëpër shpellat  e mendimit e të duket se të lodh. Të shlodh e të bën të shijosh shushurimën e rrjedhave, të metaforave peshq që lundrojnë  në lumin e krijimit, që godasin me bisht puthjet e hënës  mbi sipërfaqen e virgjër të  ujit, që fotografojnë gjelbërimin e pemëve dhe brigjeve.Tashmë çdo tingull, një zog që pi ujë në lumin e saj, qoftë edhe një gur i hedhur mbi sipërfaqen e tij që krijon rrathët e mendimit dhe drithërimën e ndjenjës, kthehet  në varg , në mbresë, në mendim.
Fatime Kulli është dhe poete dhe fotografe, dhe piktore dhe psikologe, dhe këngëtare e ndjenjës qoftë kjo e vrazhdë apo e brishtë. E di, mengadalë, do shprehet dikush, ulu pak më poshtë!Unë ulem por nuk më lë arti i saj. Ai ka një ndjenjë fluturimi, vegime mëngjesore, zjarre që digjen për të shuar etjen dashurore të ndjenjës së dashurisë. Unë, po, do ulem në tryezën e rrumbullakët të diskutimit për tu bindur për ato që thashë e për të tjera që do të them.Jo se dua të flas, se në kohën tonë flitet shumë  por mbeten pak, por t’u bind se në tryezën tonë poetike, poezia nuk është buke e mish për të mbushur stomakun, as gurë për të ndërtuar vila lavdie apo për ti bojatisua ato.Këto nuk kërkon të bëjë poetja në fjalë, dhe ky është suksesi kryesor i penës dhe mendimit të saj.
Në kapakun e librit të saj të fundit “ Këpucët e mjegullës” autorja ka varur një palë këpucë. Qesharake në pamje. Por në të vërtetë, pa mendoni! Të gjithë e njohim Fatimen! Me të drejtë asaj nuk i duhen këpucët.Në livadhet e artit të saj, mes luleve,ajo ecën zbathur për të mos shkelur lulet e ndjenjave, Ajo hapëzon lehtë, të mos dëmtojë ngjyrat e prishi aromat. Më pas poezia e saj zhvishet ashtu si është në të vërtetë, e bukur, e brishtë, spërkatur nga larushia e ngjyrave të diellit të dashurisë dhe fytyra e argjëntë e ndjesisë së hënës, femër.Për të qënë sa më afër ndjenjës, dashurisë, shpirtit, asaj nuk i duhen këpucët por krahët ëngjëllorë, dhe ajo i vesh ato. Që nga ai çast që kthehet në ëngjëll, Ajo nuk jeton me realitetin
por me ndjenjën, përshtypjet, prekjet.Fluturimet duken pak të përmasave egzagjeruese, por duhet të kuptojmë momentin që autorja flet, kur jeton në vullkanin shpirtëror të krijimit, ajo nuk mund të shtiret,
të ndalojë e të zgjedhë fjalë e figura, engjëjt janë vetë ndjenja dhe pafajsia.Ata nuk mendojnë për përshtypjet, dhe as për kornizat që njerzit i kanë krijuar ndjenjave të tyre.
Në një çast tjetër, Fatimja me aparatin e saj poetik fotografik bën me dhjeta shkrepje.Ajo i bën ashtu si i shikon aparati i saj, syri, dhe si i lexon kamera e saj shpirtërore prej poete. Të mbledhura së bashku këto blice, këto flashe poetike, përbëjnë një ekspozitë ku njeriu i futur në ekspozitën e ndjenjës
të krijuar nga Fatimja gjen vetveten të shprehur në mozaik, në moral. Këtu mund të përmënd, “Si qiriri” 
“ Adoleshente” “ Testamenti i pritjes” “ Nën gjuhë të pasionit” “ Me qumështin e syrit” etj.Mendoj se kjo ekspozitë poetike mund të ishte një libër më vete, i veçantë nga mënyra, forma dhe mendimi.Në këtë cikël
bie në sy një veçori. Ajo duket se nuk e zgjedh as vargun dhe as temën. Poezinë e nxjerr nga një shkrepje 
që del nga qielli i botës së saj, na e bie si moment të ndjesisë të nxjerrë nga bota e frymëzimit.Ajo është e qartë si drita, nuk hallakatet as në hamëndje, as në vargëzim, dhe as bie në moral. Ja një rast :

Derën e shpirtit tim, e di 
Për ty asnjëherë s’është mbyllur
Pakëz, vetem, pakëz shtyje
Do prehesh në një mal me mall...

Poezia “ Shtyje pakëz”

Kjo poezi i thotë të gjitha.Është ajo një poezi erotike? Mund të them edhe jo. Ja pse them jo! Kjo poezi më duket se u kushtohet prindërve të mi, fëmijëve të mi, që prisnin deri në të zbardhur të mëngjsit kur kthehesha nga mërgimi. Dera e shpirtit  të tyre nuk ishte për ta porta e një malli?Pra shumë prej tyre duken si poezi erotike por shtrirja, qëllimi dhe morali janë të fshehura diku thellë, duhen kërkuar për tu kuptuar e shijuar.
Ndërtimi i konstruktit të poezisë Kullit varet nga pesha, forca e mbresave.E  përpirë nga frymëzimi ajo zgjedh formën e shtrirjes së saj, figuracionin, mendon ta bëjë atë vizuale apo temë thelbësore.Këto ndodhin natyrshëm por ne na krijohet përshtypja se autorja lufton e përpiqet në krijimin e saj deri sa të lind;, dhe për tu mbarsur përsëri me një motiv të ri.
Në poezitë klasike të gjata e pa rimë, mendimi rrjedh i lirë e shushuritës i gërshetuar me figuracionin e dëndur, me një mbyllje si titull që të mbetet në kujtesë edhe pasi të kesh mbyllur librin. Për ata që njohin paksa dhe mizikën dhe kohët e saj, vargu krijon një ritmikë të thyer, jo monotone dhe një harmoni shkallzuese  e cila ndonse të zbret në shkallinën e fundit nuk ke kuptuar që poezia ka mbaruar. Në përhumbje e sipër kupton veten, ngjarjen, dhe përjetësimin e saj mbi tingullin e ndjenjave, e cila të shton dëshirën  përjetimit artistik. Kjo duket te poezitë: “Kam një zemër”, “ Duart e tua” “ Orgazëm Diellore” “ Në kështjellë të trazuar” etj.
Po të vëmë re me kujdes, fjala ëndërr  përsëritet në 60% të poezive të saj.Të vjen të mendosh se, në fjalësinë dhe arkitekturën e këngës së saj ka mungesë të leksikologjisë (Fjalëshprehjes, fjalës së shkruar) por më pas kupton që kjo fjalë e futur gjithnjë në të njëjtin tonalitet, është një refren i gjate që të jep të kuptosh veçorinë dhe identitetin  e tingullit, zërit dhe këngës së saj.
Një veçori e penës së Kullit është dhe proza poetike, si jemi mësuar ta quajmë. Formë dhe mënyrë kjo që e kam ndeshur shumë edhe te poeti grek Janis Ricos gjatë përkthimit të veprës së tij
shumëdimesionale. Këtu të bën përshtypje një tjetër stil, i lirë me muzikalitet, vështrim i thellë dhe i kujdesshëm i peizazheve, lëvizjeve e mbresave.Talenti i poetit ato që mërr nga ekrani i syrit na i bie në letër të ngritura në art.Të duket se ke hipur mbi një pjano të madhe e në ecje e sipër luan një sinfoni që të zgjon dëshirën  me tinguj e harmonishëm. Kjo lloj poezie shikoj të zërë vënd edhe te poetë të tjerë, por që nuk është vëndi për të përmëndur emra, por mendoj, se Kulli e ka më të arrirë në ngjyrë, në formë e më kryesorja në peshën e mendimit që mbart e përcjell te lexuesi.
Me pak fjalë, mendoj se poezia e Kullit, ka ngritur një kullë të veçantë në qytetit e madh poetik.Bota e madhe e ndjenjës së njeriut parë nga këndvështrimi dhe eksplorimi i syrit dhe talentit të saj  vlen për tu respektuar.
Librit i bashkangjitet edhe një cikël i përkthyer në anglisht. Dhe kjo një veçori dhe domosdoshmëri për kohën ku jetojmë. Gjuhët e huaja janë bërë pjesë e jetës sonë, dritare për të parë e shijuar më tej.Edhe këtë Fatimja e ka shfrytëzuar në interes të artit të saj.
Kullin nuk e njoh personalisht, por njoh artin e saj. Ai më flet, më shlodh e më frymëzon, pse ta fsheh. Kjo më bën të shikoj anët e vaçanta, ta analizoj e ta bie përpara jush që ta shijojmë sëbashku. Poezia e Kullit është e ndritshme, një planet i vogël, i veçantë në gjithësinë artistike. Mendoj se duhet folur për dritën e tij përpara se të tjerët të qeshin me heshtjen dhe naivitetin tonë. 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora