Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Shele: Rreth mrekullisë së poezisë Eseniane

| E enjte, 18.03.2010, 10:55 PM |


Rreth mrekullisë së poezisë Eseniane

Nga Agron Shele

        Të referosh rreth mrekullisë poetike të Sergei Eseninit,është njëlloj sikur të hapësh faqet e një libri të pambarimtë,ku kuptimi i analizës së vërtetë të botës tij,as fillon dhe as mbaron kurrë.Le t´a quaj guxim këtë mendim të vogël që dua të shpreh,për konceptin dhe frymën që ky autor i madh futi në poezinë e re dhe moderrne,për ndërthurjen që i bëri poezisë ruse me atë të motiveve orientale,ku padyshim natyra dhe vrulli rinor do të sillnin perlat më të bukura,që do të lexoheshin me një frymë në mbarë botën I paragjykuar për mënyrën e jetesës,për mbrëmjet e kaluara nëpër pijetore,për çapkënllëqet dhe natyrën prej sharlatani,do të endej rrugëve të botës,por me misionin e madh,atë të shpirtit dhe ndërgjegjies së lirë,mission që e ringriti dhe e ktheu në model të forcës shprehëse,të një bote ku mundësia për të arritur dhe për të ndryshuar qëndron vetëm tek vullneti dhe besimi që duhet të karakterizojë ç´do individ.Në këtë kontekst,bota e gjerë si vetë stepat ruse,do të përfshijë mendimin më substraktiv,nga modeli i pemës jetë,mështenkës bardhë, gjer tek muza e mbrëmjeve të veriut e cila ,shpreh dashurinë  dhe mallin pa kufi për nënën dhe me penën magji,i këndon dashurisë njerëzore,qan për atdheun në mërgim dhe krenohet për madhështinë e vendit të tij.
Kur lexon pozinë eseniane të duket sikur këndon,pasi embëlsia e fjalëve
muzikaliteti i tyre,përzgjedhja dhe forca artistike,të çojnë në një tjetër botë,përtej reales.Gjithçka e shprehur prej tij,në minaturë të jep përshtypjen sikur ka qënë pjesë e mendimt dhe botëkuptimit të tij,por thellë thellë,nëpërmjet rivijëzimit të ideve,nënkuptohet lehtë,se autori i madh,ka kërkuar të shfaqë hapur anën esenciale,dhe për këtë motiv ai u shkri një me huliganët,me pijanecët,me njerëzit e të gjitha kategorive,nga ku do të  perifrazonte mentalitetin dhe ndërgjegjien e kohës në të cilën jetonte.
                     “Ç´të pyesin e kush në këtë botë,
                       nuk ndihet shtegëtar,që ikën e vjen“

Që në fillim të faqes poetike të tij do të ndeshemi me konceptin për jetën,me mundësinë që i jepet njeriut për të jetuar,me plagën dhe dhimbjen për atë ç´shkon dhe për atë ç´farë ka humbur.Filozofia e këtyre vargjeve,të shkruara në emigrim,shpreh në një farë mase pesimizmin,lodhjen dhe braktisjen që e ndjen ç´do çast,për të vazhduar më pas,në po këtë poezi me nostalgjinë e kohëve të shkuara,plot dritë e jetë ,atje në viset e tij,pranë njerëzve të thjeshtë dhe të dashur,në atë botë që e bënte vërtet të ndihej krenar.Mendja depërton tek era e dëborës,tek lugina plot lule,tek shkrepëtima e yjeve të veriut,tek kënga e laureshës,tek hingëllima e kalit,e cila e ndjek që nga fëmijëria dhe e mban të lidhur fort me vendlindjen.
Letër nënës,eshtë tjetër simbiozë drithëruse,tjetër mall dhe dashuri,për atë që lind jetën.
                                         “Gjallë je,nëoke?Edhe unë
                                           Gjallë jam.Shëndet më paç,shëndet!
                                           Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume
                                            Izbën tënde që me mall më pret“
Shqetësim i përhershëm,mall i patreguar,ndjenja të papërsëritshme, pë-rvijim i  ç´do mendimi,respekt dhe përulje para figurës së saj.Shalli i vjetër dhe ecja e vetmuar në rrugë me të vetmin merak që kanë nënat në botë nuk është shkruar me bojë,por me lot,pasi aty përmblidhet foshnjëria e veprimit të fëmijës,ndjenja e fajit për çapkënllëqet dhe për gjëra të tjera të pakëndshme që mund të kenë shkuar në veshin e saj,por ajo ç´ka është më e rëndësishme,është se këtu kemi një monolog të tillë,që përjetëson këtë ndjenjë egzistenciale dhe e ngre  në kult.Jo pa qëllim ç´do ambient vishet me dritë dhe jetë,duke filluar nga figura qëndrore e nënës,shtëpia,kopshti i bardhë dhe gjithçka që rrethon,nisi jetë aty,dhe po këtu kërkon dhe prehjen e fundit.
Atdheu,merr tjetër kuptim në mentalitetin dhe ndërgjegjien e tij,ai është pa fund dhe pa anë,krijon hapësira për të gjithë,dhe të gjithë duhet të punojnë për lulëzimin dhe begatimin e tij.Ai e do atdheun njësoj,edhe kur ndihet i braktisur prej tij,edhe kur kaloi ditët më të bukura,edhe kur ka humbur mes kohëve më të vështira,edhe kur falte gëzim dhe shkëlqim.Shprehje të tilla”A jam në atdhe a tjetër kund;por sot s´u dashka arti im as unë”,marrin përgjigje në një kuptim figurativ ”Paçka se kënga ime nuk duhet sot/Unë këndova atëherë kur t´i ishe sëmurë”
Shpirti dhe misioni i një poeti,nuk mund të bëjë llogari të tilla,të cilat do gjykojnë mbi raportin individ-shtet,por me përgjegjësinë qytetare dhe me moralin oponent në lidhje me veset dhe të këqijat e shoqërisë,në kohezion të plotë,dhe i vetëm po të jetë nevoja,lufton që mirësia dhe  drejtësia hyjnore të triumfojnë.
Poezia e Eseninit do të shfaqet në të tjera përmasa,dhe do të marrë fizionominë e saj të plotë,kur në thelb dhe në përmbajtje,ajo do të trajtojë motivin e dashurisë.Si ç´do poet,veshur me patetizmin shpirtëror,këtë zjarrmi të pafund që shkon gjer në harbim,do të rrezatojë tablon e gjallë të ndjenjës më të hollë,dedikuar delirit të bukurisë dhe delikatesës femërore.
                                       “Shagane,shpirti im,Shagane!”
Në këtë poezi me motive persiane,fjalët janë radhitur si notat muzikore,leximi i tyre ngjason me nje simfoni”Bethoviane”,ku sinkroni i përgjithshëm nuk tingëllon në vesh,por drithëron zemrën,trondit tërë qënien,përçon emocione të papërsëritshme,duke mistizuar ndjenjat njerëzore.Fuqia dhe bota shprehëse e autorit paraqet tablon e ngjyrave të jetës,lidh natyrën e bukur plot lule me ëmbëlsinë e dashurisë së vërtetë,detajon bukurinë e trupit dhe të shpirtit.
                                     “Puthëm e dashur puthëm
                                     Gjer në dhimbje gjer në varr”
Këtu ndjenjat e autorit sigmatizojnë botën e një dashurie të zjarrtë,të një dashurie që shkon përtej lumturisë,e një dashurie që kapërcen ç´do limit,e një dashurie që nuk shkruhet me fjalë,por në trajtë llave djeg dhe përvëlon ç´do shpirt.
Të gjendur përballë një stili të tillë,një mënyre të veçantë,një lirike sa dinamike aq dhe të pasur,një rrjedhshmërie që të bën padyshim pjesë të saj,kupton përsojen dhe madhështinë e poezisë,këtij substrakti shpirtëror,që shumë njerëz mendojnë se mjafton të rimosh dhe ç´do gjë funksionon,dhe harrojnë atë ç´ka është më e rëndësishme ,shkrirjen e shpirtit dhe pasionit një me botën profetike që kërkon të shpalosësh.Gjenialiteti i këtij poeti,arrin të përthyejë konceptet e kohës,ta bëjë poezinë më kumbuse,më jetësore,duke e kthyer në një mesazh përjetus tek të gjithë njerëzit,anë e mbanë globit.Autori shpreh qartë dobësisë njerëzore,ai edhe për një zë zogu që nuk e dëgjon më shqetësohet,shkruan me zemër në dorë,me gjakun e ndjenjave të tij nënëshkruan jetën njerëzore,harrohet pas natyrës së llojit të tij dhe humbet në pyllin pa fund të botës së madhe. 
Sergei Esenini pa dyshim që do të mbetet në plejadën e atyre autorëve,që fjalën e kthyen në art,dhe artin e ngritën në piedestal,për t´u treguar gjithë njerëzve,se universi poetik rrezaton shkrepëtimat më mbresëlënëse.