E premte, 29.03.2024, 06:25 AM (GMT)

Kulturë

Camaj, i plotë në 85-vjetorin e lindjes

E merkure, 17.03.2010, 09:00 PM


Nga Alma Mile 

Për herë të parë do të vijë i plotë. Plot dhjetë vëllime, ku përfshihet vepra letrare, studimore, madje edhe variante, të cilat ai vetë i kish lënë mënjanë, si jo shumë të “denja”. Mbushen plot 85 vjet që nga lindja e poetit dhe albanologut, Martin Camaj. Një vit jubilar, i cili do të përkujtohet përmes aktivitetesh në Universitetin e Mynihut, ku ai themeloi degën e Albanologjisë, në shoqatën kulturore, që mban të njëjtin emër, por edhe në Tiranë nga Qendra e Studimeve Albanologjike. Drejtuesi i Degës së Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, prof.dr. Bardhyl Demiraj, thotë se tashmë përgatitjet kanë nisur për të festuar këtë vit. Dhe nuk bëhet fjalë thjesht dhe vetëm për konferenca shkencore, por për botime veprash, të cilat janë një trashëgimi e pashlyeshme e letërsisë shqipe. “Kemi në plan dy projekte, njëri prej të cilëve është i përfunduar. Bëhet fjalë për një vëllim përkujtimor, në të cilin shkruajnë studiues të disa fushave, jo vetëm letrarë, por edhe gjuhëtarë, etnologë e historianë të kombësive të ndryshme, që na bashkon të qenurit albanologë. Jemi 33 albanologë ndër më të njohurit në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që marrin pjesë në këtë vëllim me një kontribut që ia përkushtojnë këtij personaliteti të ekzilit dikur politik, pastaj kulturor, shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Nuk janë kontribute që kanë të bëjnë me atë çka personi Camaj i ka dhënë letërsisë, gjuhësisë, apo kulturës shqiptare në përgjithësi, pasi këtë nuk do ta donte as vetë Camaj, po të ishte gjallë, por është një punim që i kushtohet emrit të tij, ku secili specialist trajton një nga fushat e caktuara nga aktiviteti i vet shkencor”, tregon Demiraj. Sipas pasardhësit të Camajt, bëhet fjalë për një punim që i ka kaluar 600 faqet dhe botohet në shtëpinë më të njohur botuese në Gjermani, vetë Camaj, gjuhëtar dhe dialektolog i ka botuar studimet e veta shkencore. 

Vepra e plotë 

Projekti i dytë i Universitetit të Mynihut lidhet me atë faqe të figurës së Camajt, e cila është edhe më e njohur nga lexuesi: Camaj si shkrimtar. Është vepra e Camajt, e cila do t’i paraqitet lexuesit shqiptar e kompletuar. “Synimi ynë ka qenë që Camaj si shkrimtar të gjejë akses dhe tek lexuesit e thjeshtë në hapësirën kompakte shqipfolëse në perëndim dhe në qendër të Ballkanit, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi. Një punë e tillë është bërë edhe më parë, por kemi vënë re që tregu i librit ende ka boshllëqe në këtë drejtim. Që do të thotë se vepra letrare e Martin Camajt, si e tillë, nuk po gjen ende aksesin e duhur në këtë mjedis letrar shqipfolës. Është bërë shumë në këtë drejtim. Vepra e tij letrare thuajse është digjitalizuar e gjitha, ka kaluar faza e parë e korrekturës, tani do kalojë një tjetër korrekturë letrare, ndërkohë që janë gjetur për çdo vëllim, ata specialistë, që njohin veprën letrare të Camajt, që duhet të bëjnë një parathënie hyrëse, pasi vepra e tij ka deri diku probleme në perceptim”, vazhdon Demiraj, duke shtuar se mes specialistëve, ka edhe arbëreshë, pasi Camaj ka trajtuar tema që lidhen me ta, por janë edhe nxënës dhe studiues të tij, ndër ta është një prej përkthyesve më të mirë të tij në gjermanisht, Hans- Joachim Lanksch, apo Elvira Glaser që ka pasqyruar figurën e tij edhe në enciklopedinë botërore të letërsisë. Sipas tij janë të gjitha gjasat që ky projekt të përfundojë brenda këtij viti, ndërkohë që po bashkëpunohet edhe me institucione kulturore në Shqipëri, mes të cilave dhe Qendra Studimore Albanologjike. Demiraj thotë, se do të arrihet një kombinim i aktiviteteve që do të zhvillohen, mes të cilave dhe promovimi i veprës së plotë të Camajt. 
Në kolanën 10 vëllimëshe përfshihet vepra që është botuar në gjallje të autorit, që ai vetë ka dhënë dorën e fundit, për të vijuar me ato që janë botuar pas vdekjes. “Kemi vepra postume të autorit, që janë botuar pas vdekjes së tij, kemi gjithashtu në dy vëllimet e fundit, vepra të cilat ai ka parë si bij të njerkës e që i përkasin fillimeve të karrierës së tij dhe nuk i kanë plotësuar ato kërkesa dhe dëshira që kishte Camaj në fund të karrierës së tij si shkrimtar. Por fëmijët, si i sëmuri dhe i shëndetshmi janë fëmijët e vet dhe ne kemi menduar të përfshihen të gjitha”, tregon Demiraj. Po ashtu janë edhe disa vëllime të para poetike, disa tregime të botuar tek “Shejzat”, mbi të cilat lexuesi nuk ka më asnjë akses. Janë gjithashtu edhe dy drama, njëra është botuar pas vdekjes, si dhe variante poezish të shkurtra, të cilat kanë parë dikur edhe dritën e botimit dhe në këtë kolanë, ofrohen më të kompletuara. “Vëllimi i dhjetë është një risi, do të njohim Camajn përmes arkivit të tij letrar. Është ajo trashëgimi që ne kemi për Camajn si kritik letrar, mendimet që jep ai për zhvillimin e poezisë, prozës, së letërsisë shqipe në përgjithësi. Një lloj letre që bën autori për lexuesin dhe sqimatar dhe atë të thjeshtë dhe brezin e ri të shkrimtarëve, se si punohet me stilin, me vargun, metrikën. Kështu që vëllimi i dhjetë nuk mund të quhet i fundit për nga rëndësia e tij, në mos më tepër” thotë Demiraj. Nuk ka rëndësi numri i vëllimit, ajo çka i intereson të gjithëve, është që Camaj vjen i plotë.

Vepra 

- “Nji fyell ndër male”, Prishtinë, 1953
- “Kanga e vërrinit”, Prishtinë, 1954
- “Djella”, novelë, Romë, 1958
- “Legjenda”, Romë, 1964
- “Lirika mes dy moteve”, Mynih 1967
- “Poezi” (1953-1967), Mynih 1967
- “Njeriu më vete dhe me të tjerë”, 1978
- “Poezi”, 1981
- “Drandja”, Proza poetike, Mynih, 1981
- “Rrathë”, Novelë, 1981
- “Shkundullima”, 1985
- “Karpa”, Novelë, 1987
- “Poezi”, 1981
- “Tingujt e parë”


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora