Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Ali Pashë Tepelena, Bonaparti mysliman...

| E merkure, 17.03.2010, 09:44 PM |


ALI PASHË TEPELENA, BONAPARTI MYSLIMAN…  

Nga Këze Kozeta Zylo

(Rreth librit të Pukëvilit, për figurën e Ali Pashë Tepelenës, përkthyer dhe shoqëruar me parathënie nga Adrian Klosi) 

“…Eshtë turp, në një kohë ku kombi shqipëtar zuri të pendohet për pa-udhësit' e shkuara, në një kohë ku armiqtë tanë na bërtasin për ditë në faqe t'Evropës se kurrë nukë jemi përpiekur për lirimin t'onë, është turp, thom të ndodhen njerëz të lindur Shqipëtarë qi përpiqen të pakësojnë fytyrat  qi i dhanë çkëlqim Shqipërisë, në vënt që të përpiqen  të rëfejnë se fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre.
Eshte vërtet se, kur mendohem se ç'farë Shqipëtarë jan' ata qi duan të mbulojnë me këlbaza emërin e luanit qi i vuri spatën Turqërisë, shpejt ngushëllohemi..”
Faik Konica

Personaliteti i shquar i letrave shqipe, Faik Konica, qysh në fillim të shekullit të kaluar, nuk ka heshtur ndër të tjera dhe në lidhje me figurën kombëtare të Ali Pashë Tepelenës.  Pikërisht mendimet e Konicës botuar në fillim të shekullit të kaluar, nuk ka se si të mos më vinin në lëvizje penën time për të argumentuar me disa të ashtuquajtur “historianë” filologë, apo lloj –lloj titujsh, që kanë kohë që hedhin baltë mbi figurat madhore dhe simbolet e Kombit tonë.
Edhe pse kohën e kemi tejet të kufizuar për t’u marrë me njerëz që vlerën e kthejnë në antivlerë, prapë se prapë në lidhje me figurat dhe simbolet e Kombit, ja vlen të sakrifikosh qoftë dhe me çmimin më të lartë, ja vlen që si atdhetarë dhe patriotë të mos heshtim… 
Studimi i hollë dhe vlerësimi i Faik Konicës për  Ali Pashen, të cilin e quan Luan të Shqipërisë që i vuri spatën Turqisë, duhet t’i kthjellojë mendjet e mbrapshta të Kombit, të cilët po helmojnë historinë dhe po çoroditin mendjet e të rinjve apo dhe të brezave të  
mëpastajmë.  Gjithmonë më ka befasuar fakti se si këta shqiptarë “studjues”, marrin për bazë studimet dashakeqëse të të huajve, që as më pak e as më shumë vazhdojnë ta quajnë popullin tone një popull jo liridashës, një popull krejt shpellar dhe primitiv.  
Këta studjues shqiptarë iu mbajnë ison antishqiptarëve, duke marrë pozat e njerëzve që kanë marrë ne dorë për të ndryshuar historinë.  
Dhe është mjerim i madh  se po këta “studjues” vazhdojnë të përkthejnë librat e tyre dhe ajo që është më e keqja disa “shqiptarë”  vazhdojnë të jenë puthadorë të përkthyesve dhe të bashkohen totalisht me mendimin e tyre.  
Unë në këtë shkrim nuk do të ndalem në simbolin e Kombit Shqiptar Gjergj Kastriot Skenderbeun që i ka rrënjët që nga shekujt e kaluar dhe deri sa të ketë frymë shqiptari mbi dhe, dhe të argumentoj me “studjuesit e zellshëm”, pasi atë e ka bërë më së miri shkrimtari më i vlerësuar shqiptar në Botë në të gjitha kohërat tona, Kadare, si dhe shumica e popullit, por do të ndalem në figurën e Ali Pashë Tepelenës, që lindi nga një familje aristokrate në fshatin piktoresk të Beçishtit të Tepelenës.  
Duke qenë se jam me origjinë nga Tepelena, dhe pothuajse çdo vit kaloja ne fshatin Beçisht, ngase kishja gjyshërit e mi nga nëna ime, gjithmonë më tërhiqte mbledhja e burrave te mençur në Rrapin shekullor në hyrje te fshatit, aty ku ata mblidheshin për kuvende, dëgjoja për legjendat e Aliut të famshëm, dhe për rrjedhojë jam rritur me krenarinë e ligjshme të gruas shqiptare tepelenase. 
Nuk ka më emocionante për çdo udhëtar të ndalojë pranë kalasë së Ali Pashait ne Tepelenë, dhe të lexoj pllakën që është në përkujtim të Bajronit, i cili në kujtimet e tij do të shkruajë se ishte i mahnitur me natyrën magjepsëse të Tepelenës dhe mbi të gjitha me mikpritjen e popullit të tij.
Ai ndjeu një shpirt të veçantë, i cili ndezi imagjinatën e tij poetike për tema
ekzotike. Ne  poemën “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, ai shkruante për shqiptarët: “Më tërheqin shumë me atë ngjashmërinë e tyre me Hajlanderët e Skocisë, në veshje, në
pamje dhe në mënyrën e jetesës.  Malet e tyre të shumta ngjajnë me Kaledoninë dhe kanë një klimë të këndshme. Fustanellat e tyre të bardha, veprimet energjike që kryejnë dhe
dialekti i tyre, që përngjan me tingujt keltikë, janë mbresëlënëse.  Si kujtim ai mori një kostum tradicional shqiptar, me të cilin piktori Tomas Filips i ka bërë një portret. 
Ky kostum ka një histori më të gjatë. Ai aktualisht është i ekspozuar në Bowood Estates, Angli do të shkruhet në faqen elektronike tëTepelenës.
Lexova kohët e fundit përkthimin dhe parathënien e Adrian Klosit për librin e Pukëvilit, konsullit francez, në kohën e sundimit të Ali Pashait dhe ndjeva një trishtim dhe dhimbje të madhe gjer në palcë, se si ky përkthyes, me disa mbështetës të tij e quajnë Ali Pashën  antidemokratik dhe antikombëtar.  Te gjykosh Ali Pashen se nuk ishte demokrat, është tepër qesharake, pasi historia nuk duhet gjykuar në kohën në të cilën jetojmë, që në fakt dhe tani akoma se kemi shijuar demokracinë e plotë në vendin tonë, por duhet gjykuar në kohën që ata kanë jetuar dhe sunduar.  Adrian Klosi pretendon se Enver Hoxha e ka mbivlerësuar Ali Pashë Tepelenën, duke i ngritur monument në qytet.  
Jo zotëri Klosi, monumenti i Ali Pashës është ngritur pas përmbysjes së Diktaturës, atë e ngriti gjithë populli i Tepelenës, dhe do ta ruajnë në shekuj, si figurën e tij dhe monumentin, pasi vetë Ali Pasha na la ndërtesa nga më të fortifikuarat për t’u mbrojtur nga pushtimi turk, kalatë e tij janë madhështore në shumë qytete të Jugut dhe deri në Greqi, që aq shumë ai ndihmoi në çlirimin e Greqisë nga i njejti armik shekullor siç ishte Turqia…
Ndërkohë lexova nga mbështetësit e Klosit, që ndjenin keqardhje të madhe, se na qenkej Ali Pasha qe e ka shkatërruar kulturën e vjetër të Greqisë, por ndërkohë nuk kishin pikë dhimbje për të hedhur në humnerë shqiptarin e tyre, historinë, që nuk la këmbë turku dhe shovinisti të pushtone tokat tona…
Në kohën e diktaturës, për dekada të tëra kalaja brenda u la në shkatërrim të plotë, në mëshirë të fatit, ndërsa nuk më rezulton asnjë emër institucioni me emrin e Ali Pashait.
E thënë shkurt, po të ishte se e kishin vlerësuar, nuk e pengonte njeri Enver Hoxhën dhe Kuvendin Popullor me sekretar Bilbil Klosin për t’i vënë  ndonjë godine publike emrin  e tij.  Prandaj kur dalim në publik, është mirë që të flasim me gjuhën e fakteve dhe dokumenteve, se ndryshe kuptohet që ju ka rrëmbyer emocioni dhe zelli i madh për të“kthjelluar historine” me ujin e turbullt dhe të helmuar të armiqve shqiptarë në botë.
Tepelena është njera nga ato pak qytete të Shqipërisë që ka emblemën e vet, ka një Luan mbi një kala të zezë në sfond të kuq. Luani i verdhë përfaqëson Luanin e Janinës, Ali Pashë Tepelenën, ndërsa ngjyra e verdhë u zgjodh për të përfaqësuar pasurinë natyrore të qytetit. Kalaja e zezë përfaqëson qëndresën tepelenase ndaj armikut, dhe e kuqja është ngjyra kombëtare.  Kjo është përgjigja më e mirë që iu bëhet të gjithë atyre “filologëve”, që nuk mbështesin vëllezërit e tyre shqiptarë për të ruajtur historinë, por këta filologë me zellin më të madh bëhen puthadorë të “studjuesve” të zellshëm të  Shqipërisë, për ta renditur vendin tonë si vend të prapambetur, si vend që se ka dashur kurre lirinë… 
Ai ishte i pari që krijoi formacionet ushtarake në Ballkan për të luftuar kundër Padishahut.
Ja c’shkruan populli tepelenas për Ali Pashain, ku shumë këngë për të këndohen në shumë festa nga këngëtarë të dëgjuar, gjer këtu në Diasporë, këngë që ngrenë peshë shumë të rinj për të vallëzuar dhe për të kujtuar me nostalgji Bonapartin Mysliman, ashtu siç e quan shkrimtarja e njohur amerikane, Flemming!
Ja disa nga vargjet:

Koka në Stamboll, trupi në Janinë,
Të shtrinë Ali Pasha, o Pasha të shrinë,
Dhe një varr i vetëm, s’ta nxinte lavdinë,
Të shrine Ali Pasha, o Pasha të shtrinë…

Ose: Duro gjyle e kambana/ moj kalaja me bedena/ se lufton me padishah/ ALi Pashë Tepelena

Ali Pashë Tepelena me zgjuarësi synonte bashkimin e Shqipërisë, nën sundimin e Pashallëkut të Janinës, që të luftonin bashkarisht kundër Turqisë.  Kjo gjë nuk u 
Pllaka ne perkujtim te Bajronit gjate vizites ne Kalane e Ali Pashe Tepelenes
Pllaka ne perkujtim te Bajronit gjate vizites ne Kalane e Ali Pashe Tepelenes
arrit kurrë, pasi përçarja dhe tipat e Hamzait, kanë qenë gjithmonë pjesë e historisë, pjesë që po vazhdon mjerisht dhe në ditët e sotme…
Ai vazhdon të ngelet një nga personalitetet e rëndësishme të historisë në Ballkan dhe në Europë në shekullin e 18-të, rëndësia që ai pati për kohën në të cilën jetoi i bën shumë studjues që të ndërmarrin hapa të guximshme dhe të shkruajnë për këtë figurë të shquar në historiografinë shqiptare.
Prandaj libri i Pukëvilit, të krijon një neveri dhe ashtu siç thotë Faik Konica se: “të gjitha të sharat e frëngve e kanë të gjithe burimin në librat e tij, konsullit të përgjithshëm të Francës në Janinë”.
Më lejoni z.Klosi t’ju drejtoj pyetjen, në se do të bëjë një analogji me thënien e Faik Konices, i cili shkruan se të gjitha të sharat e frëngve e kanë burimin tek libri i konsullit të tyre francez, po për ty si shqiptar ku e kanë burimin gjithë këto mllefe për simbolet dhe figurat e historisë dhe të Kombit shqiptar!?
Ali Pasha ka qenë një burrë diplomat i shquar, dhe tërhoqi vëmendjen e shumë shteteve të fuqishme të Europës.  Portreti i Ali Pashe Tepelenës gjendet ne Muzeun Metroopolitan në New York, në muzeun më të madh në botë, cka më jep krenari si shqiptare dhe stërmbesa e tij.  
Portretet e tij të pikturuara nga piktorë të famshëm flasin pë famën e tij dhe njëkohësisht për respektin dhe detyrimet që kishin karshi kësaj figure historike të shekullit VIII.
Aleksander Dyma, shkrimtari francez me famë botërore, lartësonte në letërsinë e kohës figurën e Hajdesë tok me krenarinë e vashës shqiptare, ai fliste me pasion per fshatrat arbëreshe dhe mahnitej pas kostumeve të tyre të nusërisë, shkruante me zjarr per historine shiqptare deri ne gazetën e “L’Indipendentes” së 23 tetorit 1862 se: “Ja cila është Shqipëria, ja cili është populli që nxori nga gjiri i tij Pirron, Skënderbeun e Ali Pashën”.
Ndërsa Sabri Godo në një intervistë për ripunimin e librit: “Ali Pashë Tepelena” do të thotë se kohët e fundit kishte lexuar e  rilexuar me një frymë librin e shkrimtares së mirënjohur Katherine Flemming, me titull “Bonaparti Mysliman”.
Ai kishte ndjerë qysh në faqet e para një studim serioz nga një historiane moderne. Ajo mbron deri në fund idenë e orientimit të Ali Pashës drejt Evropës. 
Aliu është unik edhe nga kjo pikëpamje, nga kontradiksionet e forta që kanë burimet historike dhe ato që mund të quhen burime letrare lidhur me figurën e tij.
Ka që e fusin në fund të dheut dhe e ndëshkojnë pa asnjë lloj rezerve, ka albanologë dhe historianë që mendojnë se rajoni që ai qeverisi, veçanërisht Shqipëria, nuk do të mund të kishte kaluar nga mesjeta në kohët e reja, duhej vullneti dhe forca e Aliut për ta bërë këtë.
Dora d`Istria ne shkrimin "Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore", artikull 
në “Revue des deux mondes”, 1866), e quan Ali Pashe Tepelenen një burrë shteti të 
krahasueshëm me burra të tjerë shteti europianë.
Eshtë e pamundur që vetëm në një shkrim të japësh figurën komplekse të Ali Pashë Tepelenës, por unë u mundova të argumentojë me fakte se ç’kanë shkruar dhe si e kanë vlerësuar njerëzit e mëdhenj të botës Ali Pashën, Bonapartin Mysliman, pasi për figurat e ndritura, të historisë dhe simbolet e Kombit, do të bashkohem gjithmonë me miqtë e Kombit tim, ndërsa me ata që hedhin baltë mbi Kombin tim, nuk do të hesht kurrë!

Mars, 2010
Staten Island, New York