E premte, 26.04.2024, 12:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (V)

E merkure, 17.03.2010, 10:56 PM


DREJT STANARDIZMIT TË GJUHËS SHQIPE

Nga Dr. Nuhi Veselaj

V. Qëndrimi ndaj gjuhës letrare shqipe   gjatë periudhës 1918 - 1944                      

    Konstatime paraprake

Siç dihet pas LPB-së, kur Shqipëria, ndonëse e cunguar sa i përket trojeve shqipfolëse, u njoh ndërkombëtarisht si shtet, problemi që kishin shqiptarët më përpara rreth alfabetit kombëtar si dhe gjuhës zyrtare, tashti pas vendim-zgjidhjes që doli prej Kongresit të Manastirit dhe Komisisë Letrare të Shkodrës, mund të konsiderohej në parim se tashmë edhe letrarishtja ishte çështje e zgjidhur institucionalisht. Kjo pohohej, siç e pamë edhe nga fragmenti i nxjerrë nga fjalimi Atë Gjergj Fishtes. Po ia vlen të theksohet se po ai pohim i A. Gj. Fishtes bazuar në vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës rreth përzgjedhjes së nëndialektit të Elbasanit si bazë e letrarishtes shqipe u sforcua institucionalisht në Kongresin e Lushnjës (1920),  dhe u  dekretua nga ministria përkatëse më 1923, atëherë mbetej vetëm sendërtimin praktik i rekomandimit në fjalë, por tash dolën. probleme të tjera rreth asaj gjuhe që kishin të bënim rreth përpunimit të saj, duke pasur parasysh si dallimet ndërdialektore, po ashtu edhe ato brendadialektore. Ndërsa ato brendadialektore në krahun e toskërishtes nuk paraqiteshin shumë të koklavitura, sepse dy nëndialektet: labërishtja dhe çamërishtja shkrimisht qëndronin nën hije të toskërishtes së përgjithshme verio-lindore (Përmet Korçë-Berat), ku letrarishtja (toske) paraqitej pothuajse e unifikuar. Në anën tjetër në gegërishte gjendja qëndronte më ndryshe. Shkodranishtja që kishte traditë letrare, qëndronte me dallime mjaft të theksuara si ndaj toskërishtes, ashtu edhe ndaj elbasanishtes, ndërsa kosovarishtja  ekzistonte si gjuhë e folur, kurse si gjuhë e shkruar nuk paraqiste kurrfarë peshe. Sidoqoftë, gjuha e proklamuar letrare duhej përpunuar gjithsesi kjo mbeti barrë për gjuhëtarët e autoritetet intelektuale e politike të kohës.

Prof. Aleksandër Xhuvani edhe më përpara, por tashti u tregua shumë i sukseshëm edhe si organizator edhe si gjuhëtar standardolog. Pikërisht ky e drejtoi seancën e tretë të Kongresit të Lushnjës e cila u quajt me rëndësi historike, ngase po në atë seancë veç sforcimit me miratim të gjuhës së përbashkët zyrtare mbi bazë të elbasanishtes me disa përmirësime, aty u tumirën edhe 124 terma nga fusha e gjuhësisë shqiptare, terminologji kjo, të cilën A. Xhuvani dhe pasuesit e tij do ta zbatonin mjaft me përpikëri, gjatë punës së tyre rreth gjuhës mësimore shkollore e shkencore, ndërsa disa studiues të tjerë e zbatonin vetëm pjesërisht. Sidoqoftë, vendimet e kësaj mbledhjeje që u quajtën, pra, me të drejtë, me rëndësi historike, patën jehonë pozitive, qoftë për gjuhën e shkollës, qoftë për gjuhën e administratës e të shkencës në shtetin e ri shqiptar. Në të vërtetë, prof. A. Xhuvani, jo vetëm terminologjinë, por edhe bazën dialektore të gjuhës së propozuar do të përpiqej me tërë qenien e tij ta përpunonte dhe ta zbatonte, natyrisht, duke e kuptuar atë gjuhë zyrtare jo si një nëndialekt a dialekt sipas kuptimit të ngushtë të fjalës, por si gjuhë standarde me një koncept më të gjerë.

Së këtejmi ne në vazhdim: së pari do të ndjekim pikërisht gjuhën e A. Xhuvanit për periudhën 1918-1944, së dyti, do të përmendim dy gramatika sfiduese shkruar toskërisht, së treti, 3 gramatika shkruar gegnisht,  përkrahëse të normës në fuqi, së katërti, tri propozim-ide rreth përcaktimit ose të diskutimit të bazës së shqipes letrare dhe së pesti, do të japim dy-tri fragmente nga gjuha  e A. Xhuvanit pas LDB-së.

 

   1. Gjuha e A. Xhuvanit gjatë periudhës së zyrtarizimit

           të elbasanishtes si  bazë e gjuhës së përbashkët

                                  letrare shqipe

 

Për të kuptuar qëndrimin ndaj gjuhës letrare në periudhën 1918-1944, domosdo do të na ndihmojë qëndrimi i prof. A. Xhuvanit si dhe gjuha e tij e përdorur praktikisht në këtë periudhë, ngase ai tashti u bë figurë qendrore arsimore dhe në veçanti e politikës dhe e kulturës gjuhësore, pasi ai edhe pse del i ndërlidhur me pushtetet e kohës, qëndroi pingul pa u tundur nga pozita, duke shfrytëzuar poste të ndyshme, qoftë si profesor e drejtor shumëvjeçar i Shkollës Normale të Elbasanit, qoftë si veprimtar në ministrinë e arsimit, qoftë si inspektor i shkollave, madje pas LDB-së, edhe si drejtues i Komisonit për hartimin e drejtshkrimit, drejtues i Institutit të gjuhësisë etj. etj. Kështu ai me personalitetin e tij vërtet fitoi dhe gëzoi autoritet të merituar prej punëtori, aktivisti e atdhetari, por gëzoi respekt  të lartë si pedagog, gjuhëtar e shkencëtar nga çdo qeveri, sepse shembëlltyra e tij ishte e dalluar si me punë, si me sjellje e organizim ashtu edhe me vepra të shkruara që i takojnë kulturës gjuhësore, pedagogjike e shkencore. Pra,  pikërisht puna e palodhshme e tij e strehoi dhe e brumosi personin e tij  të fortë ndaj rrymave politike të ditës të asaj kohe dhe të kohëve të ardhshme. 

Ne, para se të njihem paksa me gjuhën e tij,  për periudhën 1918-1944, duke i përmendur kronologjikisht vetëm disa fragmente tejet të shkurtra nga punimet e tij gjuhësore që botoi në këtë periudhë, qoftë si tekste shkollore, qoftë në shtypin e ditës, po sqarojmë paraprakisht një fakt, me të cilin edhe është manipuluar e po manipulohet ende propagandisht nga disa mbrojtës fanatikë të standardit të sotëm të drunjëzuar mbi bazë të toskërishtes. Është e vërtetë se A. Xhuvani më 1905, ndërsa ishte student në Universitetin e Athinës në revisten Albania të F. Konicës pati botuar një artikull me titull Për themelim të nji gjuhe letrëtare ku veç tjerah, pati shprehur mendimin se: 

“... në shtëllisjet gjuhësis sonë, të cilat punë më mbushinë mendjen se toskënishtja ka ma shumë arsye me zanë kryesinë në gjuhët letrëtare të paskëtajme... por jo me damnimin e  gegënishtes.. (e cila) ka edhe ajo vlerën e vet e vetijat e saj... (Aty f. 5)

 

Po ashtu një mendim të tillë paksa më të politizuar pragmatikisht e rishfaq edhe më 1906 në artikullin tjetër me titull Çashtja e abesë, me këto fjalë:

Mendja ime asht kjo: për themelim të nji gjuhe letrëtare, të mirret toskënishtja ... e për shkronjat të një abeje të përgjithshme, të mirren shkronjat e shoqënisë së “Bashkimit”... Me kët mënyrë më duket që të dy palëve nuk do t’u vijë keq, sepse toskët  menj’anë  do të apinë dialektin e vet për gjuhën letrëtare, më tjetër anë gegët, vepr’ e të cilëve quhet “Bashkim” do apinë shkronjat e veta, të cilat sot janë ma të plrqyeshme dhe ma të përdorueme prej ma të shumëve shkrimtarë. (Aty f. 48-49.)

 

Është me interes të ceket se po në vitin 1906 A. Xhuvani në një artikull tjetër me titull Përmi themelim të një gjuhe letrëtare shqipe propozimet e mësipërme, jo vetëm se nuk i përmend fare, por jep me kuptue se paksa e ka ndryshuar mendjen lidhur me ato propozime. Ai, thua se, pajtohet me fjalët që i pati thënë në fund të artikullit të parë, kur pasi pranonte se ai nuk e ndien veten “as gjuhëtor e as shkronjëtor” po vetëm si “një atdhetar që do përparimin e lulëzimin e gjuhës shqipe”  jepte këtë përmbyllje:

Përpara se të mbaroj, nuk më rrihet pa thanë se mendimet e mia që tfaqësova sipër, të cilat toskënishten e gjejnë ma të dobishme për me u ba gjuhë letrëtare shkrimtare, ndofta ndonji bashkatdhetari s’kanë me i pëlqye ... Në qoftë se prapë udha që do të gjejnë për këtë punë asht ma e arsyeshme dhe pranohet prej të gjithë bashkatdhetarëve, unë jam gati me ju ardhë mbrapa”.  (Aty f. 7.)

 

Por ai, në të vërtetë, pa pritur që të tjerët të gjejnë udhë ma të arsyeshme a ma të dobishme në artikullin tjetër, pra më 1906 (si duket të fundit që boton për këtë çështje), veç tjerash, thekson  të vërteta të tjera:

Çdo dialekt ka nji vlerë, një çëmim me dialektet e tjerë dhe sa do i vobek e i ngurtë që të jetë në formet... mundet tyke u punue shkencërisht e tyke u shtellis me zanë vendin të nji gjuhe letrëtare shkrimtare...

Dhe, pa përmendur dialektin që mund të jetë ai, gegë a toskë, autori përfundon:

Asht pun’ e mirë të shkruejë e të këndojë gjithsecili në dialekt të vet ... por tyke u mendue gjithkush me nxanë e me përdor ndryshimet fonetike e sintaktike që i duken atij ma të dobishme të dialekteve të tjerë...(Aty f. 9)

 

Po propozimin e nxituar rreth përparësisë së një dialekti, d.m.th. atij toskë, prof. A. Xhuvani e rikujton në vitin 1953, pikërisht atëherë kur manipulohej, me atë thënie të tij në kohën kur toskërishtes me çdo kusht zyrtarisht (ose sipas stilit alla-partizançe) i jepej përparësi ndaj dialektit të gegërishtes:

 

Mbi çështje të gjuhës e t’ortografisë kam pasë shkrue edhe unë nja dy herë në atë revistë (Albania e F. Konicës n.v.) tue qenë student n’ Universitetet t’Athinës, por në mënyrë të përgjithshme pa e fillue mirë punën.

Pra, ai rrëfehet pas afro 50 vjetësh sinqerisht, se atëherë ende nuk e kishte fillue mirë punën, d.m.th. ai nuk ishte profiluar shkencërisht si ortolog, ndërsa tashti për tashti, më 1953, del më i matur dhe veç tjerash, lidhur me çështjen e standardit shprehet kështu:

Duhet nji kohë e gjatë përdorimi e shtjellimi të gjuhës së shkrimit, për të mundë me u ngulitë e me u kristalizue nji gjuhë nga ortografia e saj... Në përcaktimin e ortografisë mos me u ngutë, duhen marrë parasysh dy faktorë (gjuha e gjallë që ndryshon shpejt dhe gjuha e shkruar që është konzervatore)...  (Aty f. 81-82)

Me këto fjalë jepte për të kuptuar se ai ishte ”për mos me u ngutë” në  përmbysjen e normës në fuqi mbi bazë të gegërishtes. Prandaj, po shtojmë ne, se edhe tash e mbrapa, nuk është mirë të manipulohet me thënien e tij që e ka shprehur dikur si atdhetar pragmatist e jo si shkencëtar i mirëfilltë rreth përparësisë së toskërishtes, duke anashkaluar mendimet e tij të tjera më të arrira, siç u cekën, më sipër prej nesh

 

Sidoqoftë, ne në vijim krahas të përmendurit të titujve të veprave a punimeve përkatëse të autorit, do të riprodhojmë, siç e thamë, edhe fragmente të gjuhës së tij në mënyrë kronologjike sipas radhës së botimit, për me e kuptue më mirë se si e përdorte dhe e mbronte prof. A. Xhuvani gjatë tërë kësaj periudhe letrarishten mbi bazë të gegnishtes së mesme (me theks elbasanshten si simbol, e cila ishte gjuhë e zyrtarizuar gjatë tërë kësaj periudhe, duke vënë re edhe përpunimin e gjuhës së tij ndërkohë për arsye evoluimi ose me synim përbashkimi e afrimi të të dy dialekteve përkatëse.

 

 

1) Pra, pas një përvoje disavjeçare më 1919 A. Xhuvani doli me veprën Libri i gjuhës shqipe I, tekst shkollor, ku veç tjerash shpjegon:

 

“Sa për orthografin e trajtave të tjera gjuhësore, si mënyrën e shkrimit të  participeve, të mbiemravet etj. që nuk i ndau Komisija, ndoqa nji udhë të mesme, tyke përdorun edhe trajta toskënisht, por tyke mos dalë nga parimi  themelor që vuni ajo Komisi e që asht se ortografia e gjuhës do të ketë bazë dialektin e Elbasanit. (Aty f. 201.)

 

2) Po ashtu edhe në tekstin tjetër, të botuar pas një viti: Libri i gjuhës shqipe II (1920) autori shpjegon:

 

Mbasi jo vetëm asht tue u-rranjosë ndër Shqiptarët, por edhe tue u-vumë pak nga pak në veprim mendimi që si gjuhë  shkrimi duhet pranue e folmja e Shqipnisë së Mesme a ma fort ajo e Elbasanit, por e qërueme nga trajtat e gabueshme e dhialektore, pse përmbledh në vete gjith requizite për një të tillë gjuhë dhe unë të hartisun të kësaj pjese përdora në punë trajtat  e fjalëve të Shqipnisë së Mesme e në punë të të lidhunit të mendimeve  e gjithazi të të endunit të konstruktit i rashë mbrapa  të folmes së Elbasanit, por tue ruejtë trajtat që vyen si urë bashkimi në mes të dy dhialekteve, me qëllim për me mbushë nji mungesë në shkollat fillore dhe ka me gjetë pritje të mirë ndaj mësuesit. (Aty. 207.)

 

3) Gjithsesi e quajmë me rëndësi artikullin e botuar më 1921 në revistën Shkolla e re të Shkodrës me titull  Shumsi mbë -a i emrave mashkullorë, ku ndër të tjera, e quan gabim përdorimin e shumësit të emrave mashkullorë për emërtimet e njerëzve sipas, gjendjes, profesionit a veprimtarisë së tyre, me mbaresën -a, ngase, siç shpjegon ai:

A-ja asht mbaresë karakteristike e emrave femnorë” e së këtejmi “u influencuen edhe shumë emra mashkullorë mbë a, si:  doktorat, profesorat sherbëtorat, mësuesat etj. në vend të mbaresës -Ë, karakteristike për emrat përkatës të gjinisë mashkullore si: doktorët, profesorët, shërbëtorët etj, ose me -it mësuesit, - dhe vijon me arsyetimin: Ky shrregullim a ma mirë ky gabim, i cili haset vetëm në të folmen e Shkodrës e jo edhe në Shqipnin tjetër, duket se asht përgjithsuem, tue imituem shkrimin e ndonji të vetthani shkrimtar qi për herën e parë e vjellë këtë llomështi... e pastaj të tjerët kanë shkuem pas atij pa e vëzhguem si asht e drejta...

Edhe sot vërejtja e A. Xhuvanit vlen, ngase aktualisht shihet një tendencë jo e mirë që shumësi i emrave mashkullore veprues me marrë mbaresën -A, përkundër rregullës në fuqi që rekomandon mbaresën -Ë, veprim ky që autori e quan llomështi e vjellë!

 

4) Më 1922 A. Xhuvani, botoi veprën “Njohnit e para të sintaksës shqipe I, që ishte hartuar a konceptuarr 4 vjet më parë kur ligjëronte në Normalen e Elbasanit. Në Parathanë të këtij teksti shkollor, veç tjerash autori shpjegon:

 

Kjo pjesë e parë përmbledh njohnit e para e të thjeshta sintaktike qi pas gjykimit t’em e disa prej shokëve të mij, të cilëve ua shtrova përpara, i përshtaten fuqisë së nxanësve të klasëve të nalta të fillores.... Besoj se kjo sintaksë e hartisun n’at mënyrë ka me përmbushun nji të metë nëpër shkollat tona.

 

5) Më 1924 ky autor, botoi në Tiranë punimin Usus norma luquenti, ku tërheq vëmendjen se duhet me u largue nga krijimi i neologjizmave pa nevojë dhe jo në përshtatje me natyrën e rregullat e gjuhës shqipe dhe kështu fshikullon ata që pa përgatitje të duhur janë futur në krijime të tilla. Ai mendon se:

 Njerëz artistë të gjuhës, ... foltarë, vjershëtarë e shkrimtarë... mund të krijojnë fjalë të ra,  por tue ruejtë  analogjit e ligjet e caktueme të gjuhës ...(Aty f. 99.)

Të vihet re mbiemri të ra (= të reja), aty del në trajtën e toskërishtes.

 

6) Më 1929 te Gazeta e re e Tiranës është botuar artikulli i tij me titull Fjalët “ostrogote” të Normalistit,  me përmbajtje kundër vërejtjeve kritike që i janë bërë atbotë asaj gazete për disa fjalë të rralla shqipe e neologjizma të përdorur në këtë të përkohshme të nxënësve të Normales, duke këshilluar:

 

Secili asht i lirë kur e shef nevojën me bamë neologjizme në punë dhe në libër të vet; ai tjetri  që duhet të jetë i asaj lande a dege me atë që gatuen fjalën e re, sa t’i kritikojë me fjalë të kota, do të bante mirë që me i ndreqë e me i qitë të tjera fjalë ma të mira në vend të tyne. 

 

7)   Si vijim i veprës profesionale “Njohnit e para të sintaksës shqip” doli    

nga shtypi më 1934 pjesa e re me titull Sintaksi shqip II. Në këtë vepër pasi përsëritet shkurtimisht lënda nga pjesa I, bën me dije se këtu trajtohen njësi të reja. Përveç Parathanjes jepen plotësorët e pronës e plotësorët e tjerë si dhe periudha Këtu bie në sy fakti se gjuha e autorit del në një gegërishte mjaft të përpunuar, që dallon dukshëm në krahasim me gjuhën e shkrimeve të mëparshme. Ja një fragment:

 

Simbas zakonit, çdo rregull e kam sqarue me ushtrimin e duhun, ku jam përpjekë me zgjedhë fraza që përdoren si në veri ashtu edhe në jugë të Shqipnisë. Për skanje (terma) gramatike, deri sa këto nuk kanë marrë edhe ungji nji trajtë të vetme e të qëndrueshme, kam mbajtë po ato që kam përdorë ndër botime të tjera të mijat.

 

Vërtet në vepër (të vihen pjesoret e shkurta, po ndeshim edhe variante shembuj barasvlerës  (paskajore e mirëfilltë / emri prejpjesor asnjanës) që zgjojnë interes, si:  Maqinë me qepë a maqinë për të qepë ose të kujtuemit e të mirave apo me i kujtue të mirat etj.  Ja edhe ndonjë nga shembujt të ndërtuar me paskajore të mirëfilltë: Me qenë kohë e mirë kam me dalë. Fiton sa me jetue. Ti flet si me i ditë të gjitha  etj. Po shtojmë edhe këtë se në këtë periudhë prof. A. Xhuvani, përveç literaturës gjuhësore botoi edhe vepra origjinale nga fusha e pedagogjisë, psikologjisë, didaktikës etj. Kështu autoriteti intelektual, bashkë me atë gjuhësor e shkencor i tij vinte duke marrë shtrirje e ngritje gjithnjë edhe më masive.

 

8) Më 1936 botoi një recension për ortografinë e gjuhës greke, me qëllim që ajo përvojë të jetë e dobishme edhe për gjuhën shqipe. Pasi neve na intereson gjuha e autorit tonë, po shkëpusim një fjali-periudhë nga ai punim:

 

Këso-dore, me shkrue orthografisht drejt e pa  gabim në disa gjuhë, në greqishtet, në frangjishtet e n’englishtet, asht nji punë e randë tepër; e duhet studim e squetësi e frym’ e madhe shumë, për me mundë me shkrue drejt orthografisht, aqë sa të pakë janë ata që shkruajnë pa gabime ortografike n’ato gjuhë. (Aty f. 65)

Po veçojmë këto dy fjalë të prejardhura:  squetësi dhe orthografisht që zgjojnë interes edhe aktualisht. 

9) Gjatë periudhës së okupimit italian, 1939-1944, A. Xhuvani tërhiqte vërejtjen ndërlidhur me përkthimet. Kështu, më 1942 në punimin Puna e përkthimeve në gjuhën shqipe tërheq vërejtjen për përdorimin e një gjuhe të pastër dhe vërtet shqipe, kundrejt gjuhës së huaj: 

 

Të rijtë e studjuesit tonë, - thekson autori, - kishin me ba një punë me nder e me vlerë, tue u marrë me përkthime, por tue u rrekë  që të bajnë nji punë të pastër, me kujdes e me zemër”... sepse  “ai qi nuk kujdeset e nuk interesohet sot për gjuhën e vet nuk don as kombësinë e vet se gjuha asht shenja ma e dukshme e saj dhe urojma e saj.” (Aty, f. 40.)

 

Edhe këtu bie në sy se autori në këtë studim përdor mjaft shpesh shprehjet me dyfishimin e  paskajores së mirëfilltë, si: 

me hartue e me përkthye mirë;  me kapërcye e me i dalë në shtek punës, me rrokë e me përkthye, me ja përshtatë e me i dhanë etj.

 

10) Po këso shprehjesh ndeshim edhe në punimin tjetër të botuar më 1944 me titull Prap për përkthimet, ku veç tjerash autori këshillon:

 

Duhet me ditë e me na hy mirë në krye se puna e gjuhës asht një punë kombësie e patriotizmi. Gjuha asht nji shenjë e gjallë kombësie dhe një vegël përparimi e zhvillimi kombëtar. Naltësimi dhe lëvrimi i saj  shkon baras me zhvillimin e kulturën e kombit, pakujdesia për të, zvetënimi dhe prishja e saj asht nji shenjë e tatëpjetës dhe të jetës kulturore të kombit. (Aty f. 47).

 

11) Po atë vit (1944) në gazetën Bashkimi i Kombit botoi artikullin me titull Detyra të shkrimtarëve të rij për gjuhën shqipe, ku autori thekson rëndësinë që i duhet dhënë gjuhës si në vepra letrare, ashtu edhe në përkthimet e studimet të saj. Artikullin e përfundon me këto fjalë:

 

Shkrimtarët e rij po të kenë kujdes e vullnet, kanë se ku me e studjue gjuhën shqipe për ta përdorë mbasandaj me fitim në veprat e veta. Kjo punë u vihet për barrë  edhe si një nga detyrat e tyne kombëtare.

 

Nga sa u paraqit më sipër, siç mund të shihet sadokudo edhe nga këta pak shembujt që i shënuam me qëllim në origjinal, gjuha e autorit del në një gegërishte gjithnjë e më të përpunuar. Ndër të tjera vihet re përdorimi mjaft i shpeshtë e paskajores së mirëfilltë, por tashti kryesisht a vetëm me pjesoren e shkurtër. Lexuesi i vëmendshëm mund të vërejë edhe ndryshime a evoluime edhe në ortografinë e prof. Xhuvanit, por në përgjithësi, siç e thamë gjuha e tij i qëndronte besnikërisht të ashtuquajturës shqipe e mesme ose gegnishte me ndonjë element të toskërishtes, ashtu siç ishte rekomanduar në Komisinë Letrare të Shkodrës.

Po shtojmë edhe këtë se kjo gjuhë u përkrah edhe u dekretua si gjuhë zyrtare nga krerët e shtetit shqiptar më 1923, pastaj nënkuptohet edhe me 1928, kur u formua një Komision i posaçëm (Akademi) me emra të njohur studiuesish të gjuhës shqipe (vendës e të huaj), u përsërit si këshill a komision në vitin 1935, pas diskutimeve përkatëse, mirëpo, pasi ajo akademi apo ai këshill a komision nuk bën aktivizime të nevojshme, atëherë çdo mosndryshim i normës, në të vërtetë, zyrtarisht nënkuptohet se e linte në fuqi rekomandimin e mëparshëm.

Ndërkohë edhe u botuan tekste shkollore (gramatika), ndonjëra prej tyre sfidonte ngapak, por më shumë e përkrahnin po atë gjuhë zyrtare të kohës, d.m.th. e përkrahnin përgjithësisht gjuhën A. Xhuvanit, për të cilën prof. S. Riza pati shkruar me të drejtë se “Shkrimet e A, Xhuvanit, kampionit të gjuhës së mesme shijojnë ma të hijshmen e shkodranishtes”. (Vep. e cit., .f. 49.)

 

            2.  Rreth dy gramatikave sfiduese të shkruara

                            mbi bazë toskërishte

 

a) Gramatika e Jani Mingës (Vlorë, 1925)

 

Ndonëse shkollat punonin sipas gramatikave të A. Xhuvanit në vitin 1925 Jani Minga botoi në Vlorë, librin Gramatikë e gjuhës shqipe. E veçanta e kësaj gramatike është se i kushtoi mjaft vend edhe shumësit të emrave mashkullorë të shqipes. Vepra është hartuar mbi bazë të dialektit toskë, por përfshin edhe mjaft elemente të variantit verior.Autori i ka shfrytëzuar, por jo të gjithë termat që rekomandoheshin nga Kongresi i Lushnjës, siç u cek më sipër.

 

b) Gramatika e  Ilia Dilo Sheperit (Vlorë 1927)

 

Dy vjet pas gramatikës së Jani Mingës u botua, po në Vlorë, vepra e Ilia Dilo Sheperit me titull Gramatika dhe sintaksa e gjuhës shqipe (1927), vepër mjaft cilësore, ku autori që në fillim arsyetohet pse si gjuhë shkrimi ka marrë bazën toskërishte:

 

Gjuha letrare shqipe është sot në zhvillim e sipër, - thekson autori - dhe  e dimë  fort  se çdo gjuhë është zhvilluar në gjuhë letrare jo përnjëherthi, jo vetëm, po shkallësisht dhe së bashku me kombin që e flet dhe të cilit i përfaqëson nevojat... Gjersa, pra  gjuha jonë, si gjuhë letrare nuk ka arritur edhe në shkallën e dëshrueme, vepra të këtilla do të jenë nevojisht me të meta dhe plotësimi i të metave të tyre bëhet prej auktorëve, por prej tërësisë së intelektualëve të kombit, të cilët me shkrimet e tyre kanë shkaktuar kudo krijimin e gjuhës letrare. Nuk është gramatika ajo që e ka zhvilluar gjuhën duke e rregulluar të folurit dhe shkrimin e saj, po është të folurit dhe shkrimi i gjuhës  që cakton rregullat.... dhe i lidh me ligje gjuhësore të përgjithshme. Po kjo gjë nuk do të thotë  se gramatika nuk i ndihmon këtij zhvillimi....Që të jetë e mundur të kemi edhe neve gramatikën që na duhet, është nevoja të mbledhim më parë gjithë lëndën e gjuhës, ta studiojmë gjithë elementet e saj dhe të mos marrim syresh gjë nëpërkëmbë para se të bindemi që kjo është e pavlerfshme dhe për t’u hedhur posht... Dhe me qenë se askush  prej nesh nuk mund të thotë se i ka studiuar dhe i di mbarambarthi të gjitha hollësinat e të dy dialekteve, me të cilat kombi ynë e flet gjuhën e vet, është nevoja pikësëpari t’ia bëjmë të dy palët të ditura njëri-tjetrit këto hollësina ... I shtytur pra, prej mendimesh të këtilla i hartova këto faqe, duke marrë për bazë dialektin që flas dhe mbi të cilin më përket të flas, dhe e përdora të thjeshtë këtë dialekt, se nuk m’u duk e udhës të shpjegoja të tjera me të tjera, po fola mbi fenomenet e të dy dialekteve së bashku, duke i krahasuar nga pikëpamja e bazës që vura, po dhe duke mos harruar që u përket të tjerëve të flasin mbi gegënishten dhe ta krahasojnë toskënishten nga pikëpamja e saj.

 

      Autori me të drejtë theksonte rëndësinë dhe rolin që ka gramatika si faktor i parë për unifikimin dhe përmirësimin e gjuhës kombëtare. Bie në sy fakti se aty eponime quhen emrat që tregojnë familjen ose fisin prej të cilit është ai njeri dhe për këtë shënon dy shembuj me prapashtesat me -at Koço Koç-at (!), dhe me -aj: Hasan Hasan-aj.

 Sidoqoftë, siç thotë prof. Jup Kastrati:

Vepra e Ilia Dilo Sheperit ka shumë merita... Është për të ardhur keq që ky tekst  kaq i mirë i strukturës gramatikore të shqipes, nuk u përdor gjerësisht  në shkollat e vendit në periudhën 1927 - 1944 dhe përfundon: Me sa duket atij ia zuri vendin Gramatika e gjuhës shqipe e Aleksandër Xhuvanit.

Dhe me të vërtetë vepra e I. Dilo Sheperit edhe sot ia vlen të konsultohet për mjaft çështje që ende kanë mbeteur të hapura në gjuhësinë tonë.

 

 

  3.  Tri gramatikat në mbështetje të gjuhës zyrtare në përdorim

     

 a) Gramatika e Kolë Kamsit (Zarë, 1930)

 

Vlen të  përmendet edhe vepra e prof. Kolë Kamsit “Manual praktik i gjuhës shqipe”, Zarë 1930., kushtuar më tepër të huajve që duan ta mësojnë gjuhën shqipe dhe për këtë qëllim autori veprës ia ka bashkangjitur një fjalor shqip - italisht dhe anasjelltas. Sipas J. Kastratit teksti është metodik dhe i thjeshtë... Gjuha e përgjithshme e veprës  është një gegnishte e mesme, me mjaft  forma të zbutura dhe të afërta me toskërishten. Vepra shquhet për pastërti gjuhe

Gjithsesi, bie në sy  njësia drejtshkrimore e përdorur mjaft me pedanteri nga  hartuesi i tekstit.

 

b)  Gramatika e  Justin Rrotës (Shkodër 1942)

 

Në këtë periudhë u botua edhe libri mjaft me vlerë nga prof. Justin Rrota me titull Sintaksi i shqipes (Shkodër 1942), ku autori pas një pune shumë vjeçare në procesin mësimor jep kontribut të jashtëzakonshëm për sintaksën shqipe. Mund të themi -thotë J. Kastrati - se teksti shënoi një hap përpara nga disa anë. Së pari nga mbështetja e fuqishme në gjuhën e shkrimtarëve të mirë dhe në  gjuhën e gjallë popullore, së dyti, ka merita se e zgjeroi horizontin e fakteve sintaksore të shqipes me përfshirjen e mjaft materialeve e ndërtimeve të çështjeve që nuk njiheshin sa duhet më përpara.

Sintaksat e mëparshme nga aspekti shkencor e gjithpërfshirës mbetën në hije të kësaj Sintakse të re, prandaj M. Kruja e dekretoi si tekst mësimi të detyrueshëm për të gjitha shkollat e Shqipnisë.

Që në vitin 1931, kur gjuha letrare shqipe mbi bazë të gegërishtes ishte zyrtarizuar, por që kërkohej pëmirësim i saj edhe me elemente të toskërishtes, prof. Justin Rrota pati shkruar:

“E pra, tue kenë se faktori ma i parë i kombit asht gjuha, na kemi dosmosdo nevojë për nji gjuhë letrare të përbashkët... Bashkimi i gjuhës  asht bashkimi i mendimeve, i ndjesive e i karakterit kombëtar.” 

 

c) Gramatika e Osman Myderrizit (Tiranë 1944)

 

Vepra tjetër gjuhësore me titull “Gramatika e re e shqipes” (1944) u shkrua nga prof. Osman Myderrizi. Gjuha bazë e kësaj gramatike si ajo e Justin Rrotës  është gjuha e mesme (e Shqipërisë së Mesme), ajo gjuhë që qe vendosur si bazë në Kongresin e Elbasanit 1909 dhe qe pranuar më vonë më 1917 nga Komisia Letrare e Shkodrës si dhe nga Kongresi i Lushnjës më 1920.

Kjo gramatikë shërbeu për disa vjet si libër mësimi, sidomos në Kosovë deri në vitin 1968. Ajo shënoi një hap të mëtejshëm nga disa anë në zhvillimin e gramatologjisë sonë shkollore, duke qenë më e pasur e në një farë mënyre edhe më e ngritur se gramatikat  e mëparshme - vlerëson J. Kastrati.

Në këtë vepër, mjaft në hollësi e gjerësi trajtohen fenomenet morfologjike. Ky tekst  ndonëse i shkruar gegërisht ia vlen të konsultohet edhe sot për çështje të caktuara.ortografike, ngase tekstet ortografike të botuara në Prishtinë në atë kohë janë mbështetur edhe në materialin nga kjo gramatikë.

 

4. Propozim-idetë e tre studiuesve të njohur rreth bazës

    dialektore të shqipes letrare në fundvitet  e ’30-a

                     dhe fillimvitet e ’40-a

           

Në vitet e ’30-a ndonëse ishte në fuqi vendimi i Kongresit të Lushnjës rreth parapëlqimit të dialektit të Elbasanit si gjuhë zyrtare shtetërore, edhe dialekti i toskërishtes sidomos në mjete të informimit përdorej lirshëm, madje edhe shkodranishtja nuk e kishte ndërruar krejtësisht traditën. Grupet e caktuara intelektuale të kohës nuk arritën të binin në ujdi që çështja e gjuhës  të trajtohej dhe të gjejë zgjidhje më konkrete në raportin ndërdialektor. Vërtet, ndjehej e nevojshme që çështja e normës letrare të studiohej konsolidohej më tej, andaj doli e nevojshme të shqyrtohej ose verifikohej edhe vetë baza e shqipes letrare. Siç e pamë nga gramatikat e kohës asnjëra palë sa u përket ideve nuk e përjashtonte tërësisht vlerat e dialektit tjetër, qoftë ato mbi bazë të gegërishtes, qoftë edhe ato mbi bazë të toskërishtes. Përveç diskutuesve të tjerë të çështjeve të hapura në këtë periudhë, me idetë e veta, u dalluan këta veprimtarë: Selman Riza, Mustafa Mërlika - Kruja si dhe Namik Resuli.

Të shohim fare shkurtimisht, cilat ishin tezat kryesore të ide-propozimeve të tyre.

 

                 a) Selman Riza dhe pangegërishtja

 

Në këtë periudhë nga fundi i viteve ’30 një studiues i talentuar i gjuhës shqipe doli në skenë me një ide, si të thuash, të veçantë shprehëse për zgjidhjes e shqipes së përbashkët letrare. Është fjala për gjuhëtarin tashmë të njohur prof. Selman Riza. Ky lansoi tezën e pangegërishtes, tezë kjo që nuk u mor në konsideratë, madje edhe pati keqinterpretime të ideve të tij, edhe pse  në paraqitje ai nuk ishte larg ideve të tjerëve rreth shqipes së përbashkët lidhur me respektimin e vlerave të të dy dialekteve. Ja si shprehej prof, S. Riza në vitin 1936, lidhur me idenë e tij, të cilën do ta elaborojë më në hollësi më 1944:

 

Toskërishtja të mos jetë e destinuar të bjerë në radhën e një së folune vetëm të gjuhës popullore. Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë, Gjuhën e kombit  do ta kemi me dy kryedialekte.

 

Me pangegënishten e tij prof.  S. Riza, nuk parashihte kurrfarë degradimi të koinesë së toskërishtes, përkundrazi shihte probleme vetëm te raporti i  nëndialekteve të gegërishtes që sipas tij asnjëri prej tyre aktualisht i vetëm nuk mund të merrej bazë e shqipes letrare.  Sipas tij elbasanishtja  fryhej pa meritë, shkodranishtja, dilte mjaft i përpunuar, por edhe ky nëndialekt  nuk mund të bahesh  letrarishtje e Gegënisë tamam, sepse u gjend tepër i ndryshëm së gjithash prej toskërishtes letrare”, kurse kosovarishtja ishte ende e papërpunuar, prandaj sipas tij:

Së këndejmi dhe vetëm së këndejmi (d.m.th. për mungesë të një gjuhe unike gegëriishte) u shfaqen:

1) fushata e Aleksandër  Xhuvanit  për një gjuhë të mesme,

2) fushata e e Namik Resulit për një panshqipe eklektike dhe

3) fushata ime (e Selman Rizës ) për një pangegërishte letrare.

Dhe siç e arsyetonte ai kjo kishte të  bënte:

 

“aktualisht vetëm për Gegëninë dhe virtualisht për Shqipninë” dhe rruga që do të ndiqet ishtë kjo: “tue gjagjësue me letrarishten e jugut me anë të bashkëpunimit vetëm nëpëmjet të të gjitha nëngegënishtevet me kusht që kësi s’afrueni prej toskënishtes gegënishtja të mos dalë e vorfnuene as e bastadhuene...Kështu jo për short të lig, por për fat të bardhë, pos një letrarishte te Gegënisë që do të jetë edhe zyrtarishtja e Shqipnisë, shqipja do të ketë edhe dy dialekte: toskënishten dhe shkodranishten...

 

Sipas prof. S. Rizës: bashkëpunimi i gegërishtes me toskërishten ishte i domosdoshëm, ngase kultura kombëtare me privilegjimin e njërit kryedialekt  do të  vorfënohet prej degradimit të tjetrit ...

 

U tha se kjo ide nuk ishte pa bazë logjike dhe fundi i fundit mendime me elemente të tilla bashkuese të dialekteve janë shprehur edhe nga studiues të tjerë, siç do të shohim në vijim, ose më mirë do ta trajtojmë paksa ide-propozimin e Mustafa Krujës, që pothuajse ishte i ngjashëm me atë A. Xhuvanit dhe jo larg  me atë të Namik Resulit. 

           

      b) Mustafa Mërlika - Kruja dhe gegërishtja e

                        Shqipnisë së mesme

 

Në periudhën e pushtimin italo-gjerman 1939-1944 përsëri dhe në mënyrë të organizuar u diskutua çështja e gjuhës së përbashkët letrare shqipe. Në këtë kohë ishte formuar Instituti i Studimeve Albanologjike i kryesuar nga Mustafa Mërlika -Kruja dhe më 12 prill 1940 u mbajt Kuvendi i Parë i këtij Instituti me temën  bosht Mendime mbi trajtimin e një gjuhe letrare shqipe, temë kjo që ishte dhe temë referuese e i M. Krujës. Autori, në mënyrë mjaft profesionale e shtroi çështjen. rreth trajtimit të shqipes letrare. Ai u shpreh  që si bazë e shqipes letrare të merrej ose të përforcohej po ajo bazë që ishte në fuqi, pra, gegërishtja e nëndialektit të jugut, përkatësisht gegërishtja e Shqipnisë së Mesme. Veç tjerash  kjo bazë, sipas tij  kishte këto tri përparësi:

            1. dy të tretat e ma të popullit shqiptar flasin gegnisht dhe sa i përket infinitit  (d.m.th. paskajores së mirëfilltë me +pjesore) e kaluemja na ka mësuem me ecun në rrugën  e përtacave (!) me trajtën e cungueme (d.m.th. paskajorja me pjesoren e shkurtër);

            2. këndej rrjedh qi të parët atdhedashës të kujdesuem për formën e një gjuhe  kombtare patën caktuem si themel  të saj  djalektin e Elbasanit, prandaj gegnishjtja (me elbasanishten simbol) tashmë e kishte të drejtën e fitueme, veç tjerash edhe pse e kishte përkrahjen institucionale si dhe përkrahjen shkencore të albanologëve më në zë të kohës;

            3. gjuha e kryeqytetit i përkiste gegnishtes së mesme, andaj edhe kuptohet më lehtë si në Veri ashtu edhe në Jug.

           

M. Kruja arsyetonte se ndikimi i shkodranishtes ka me qenë i madh, por pa e cenuem themelin e gegnishtes edhe tosknishtja duhet të ketë në gjuhën letrare pjesën e vet me gjithë çka ruejtun ma të shëndoshë që ka ajo... Deri sa të mundemi t’u lëshojmë pe toskëve, por pa e cenue natyrën e gjuhës ... Tosknishtja ka për të veprue me nji fuqi shumë të madhe në formim të gjuhës  kombëtare, madje as të folmet s’kanë  për të mbetun pa i lanë gjurmët e veta në gjuhën letrare me thesarin e fjalëve dhe të frazeologjisë së tyne.

 

Gjithsesi, edhe kjo ide pragmatike nuk dukej e parealizueshme, duke pasur parasysh zhvillimin e deriatëhershëm të gjuhës letrare (zyrtare).

Studiuesit e veprës letrare-gjuhësore të M. Krujës  e  vlerësojnë lart punën e tij ditunore teorike-shkencore.  Studiuesja Ledi Shamku – Shkreli thekson se “shkolla e sotme e dijes mbi gjuhën i jep plotësisht të drejtë M. Krujës rreth aplikimit të analogjisë si faktor i modelimit prej kolektivës dhe kritereve fonologjike, shpërblesë kjo që shkon në vetë rendin e filozofisë mbi shqipen e përbashkët, andaj sot trashëgojmë filozofinë gjuhësore të  M. Krujës jo thjesht si dije, por si dorëzani, si dritë e si shtysë për t’i kthyer gjuhës aktuale njomështinë që i mungon..

Për të pasur një ide më të qartë rreth gjuhës së këtij dijetari e atdhetari, i cili ishte pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në Vlorë 1912 dhe në Kosovë më 1941, po japim një fragment të një proze- poetike që e shkroi  autori në vitin 1932, me titull Për djemninë  shqiptare, ku shihet autori edhe si stilist i arrirë::

Lirija i gjan nji bime delikate qi lyp ma të madhin kujdes e tokë t’aftë për me  qëndrue e me u zhvillue në mëyrë qi t’i napë kombit pemët e veta për ditë ma të mira të plota. Toka e kësaj bime asht edukata shoqnore e patrijotike e popullit...Ju mund të pyesni mallëngjyeshëm: Ku janë ata burra  që ngritën për të parët flamurin kombëtar? E unë ju përgjigjem: Ma mirë mos pyetmi për ta. Historia ata që meritojnë të kujtohen, do t’u tregojë brezave të ardhshëm... Shqiptarët ndërruen fe po kurr kombsin... Shqiptari luftoi për doket e zakonet e tija, për gjuhën e tij, për kombsin e tij, luftoi për liri... Lirija e një kombi fitohet e ruhet me sakrifica të mëdhaja, me sakrifica gjaje e gjaku, me vetmohimin e secili qytetas që e gzon dhe e trashëgon.”Shqipnia u ba tash duhet të bajmë shqiptarët” – kjo asht barra ma e randë e ma e shenjtë që i bie djelmnis shqiptare ajo qi do të sigurojë t’ardhmen Shtetit t’onë e bashkimin e të tanë kombit nën flamurin kuq-e-zi. Përpara, pra djelmni!

 

Sidoqoftë, edhe nga vepra gjuhësore M. Krujës, që tashmë nuk është e ndaluar, ka çka të mësohet, nga të gjithë e aq më tepër nga djemnia jonë.

 

         c)  Namik Resuli dhe shqipja e mesme 

                 me “shkrirje harmonike

 

Në këtë kontekst të ideve rreth bazës së shqipes letrare shquhet edhe studiuesi prof. Namik Resuli që ishte përkrahës e njëherazi edhe njohës i mirë i toskërishtes dhe i problemeve (ndërdialektore) të gjuhës letrare në përgjithësi. Ky pasi përmend përpjekjet kryesore të shqiptarëve për një gjuhë letrare të përzier, duke filluar nga Kanonizma e Stambollit cek gjuhën e Sami Frashërit, Gajtano Petrotës, Lumo Skendos,  Faik Konicës,  Zef Skiroit e të tjerë, spikat si “Përpjekje të fundit, gjuhën e Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila siç konludonte ai në ato vite, me gjithë gjurmët që ka lënë kjo në shumë shkrimtarë, sidomos gegë, nuk u pranua dhe as u përhap në gjithë Shqipninë, me një fjalë nuk u bë gjuhë kombëtare. Kështu që problemi i gjuhës së përbashkët  mbeti i pazgjidhur ... gjer në ditët tona”. 

 

Zgjidhja, sipas mendimit të tij, qëndron në bashkafrimin e elementeve gjuhësore të të dy dialekteve, kështu:

 

“Trajtat tepër të ashpërta dhe të vrazhdëta të gegërishtes së veriut dhe ato tepër të qullëta të toskërishtes së jugës, (të) vijnë e pastrohen e ëmbëlsohen në ujërat e Shkumbinit.

 

 Me fjalë të tjera ai përkrahte më në fund konceptin shqipen e mesme (me elbasanishten si simbol) të shërbejë si bazë e gjuhës letrare, po me një përzierje më të madhe elementesh të dy dialekteve, por ato elemente i shihte të pastruara dhe të ëmbëlsuara në ujrat e Shkumbinit me një “shkrirje harmonike”.

            Me fjalë të tjera mendimi i Namik Resulit përputhej pothuajse me mendimin e prof. Eqerem Çabejt, i cili qe shprehur kështu::

 

“Atje në Shqipëri  të Mesme, ku gegërishtja e toskërishtja duke u përpjekur zbutin veçorit’ e tyre dalluese, ku ka diailekte (të folme n. v.) gjysmë-gege e gjysmë-toske, atje duhet kërkuar djepi i gjuhës së përbashkët që do të vijë”.

 

Sidoqoftë, përfundimi i gjykimit të Resulit, sipas R. Ismajlit, ishte ky: gjuha e përbashkët shkon drejt dialektit të Elbasanit, por ky kërkonte një shkrirje harmonike të të dy dialekteve, jo sipas Konicës dhe jo as ashtu si u bë në Kongresin e Drejtshkrimit. Në të vërtetë N. Resuli kishte parasysh vendimet historike që ishin marrë deri atëherë në favor të gegërishtes si gjuhë letrare (zyrtare), andaj shprehej:

“Gjuha letrare e përbashkët shqipe do të merrte drejtim nga dialekti i Shqipërisë së Mesme, veçse në mos u vërtetofshin shkaqe të ra që do t’i këmbejnë drejtimin.

dhe vërtet, siç do të shohim në kreun vijues, ato “shkaqe të ra”, por jashtëgjuhësore, sipas Skëfter Këlliqit, erdhën bashkë me konsolidimin e sundimit  të komunistëve në Shqipëri.

 

 Si përfundim mund të nxjerrim se që të tria propozim-idetë e cekura më sipër mund të cilësohet si nisma pozitive drejt një zgjidhjeje të arsyeshme të  njësimit të shqipes së përbashkët letrare dhe është mëkat pse këta kolosë dhe të tjerë nuk kanë pasur mundësi të japin kontributin e tyre, para e me rastin e përgatitjes së Kongresit të Drejshkrimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe. Megjithatë, standardologët e sotëm kanë mundësi të marrin mësim nga veprat që na i kanë lënë trashëgim, në fushën e standardizimit këta tre doajenë të gjuhësisë shqiptare.

 

 

5. Fragmente nga gjuha e A. Xhuvanit shkruar pas LDB-së,

                        në vitet  e ’50-a

 

Në Shqipëri pas LDB, nuk u mor për bazë zgjidhja e ofruar nga Komisia Letrare e Shkodrës, përkatësisht Kongresi i Lushnjës etj., madje as idetë e tre studuesve që u cekën në nëntitullin e mësipërm, ngase tashti gjithnjë e më tepër praktikohej letrarishtja mbi bazë të toskërishtes e dirigjuar nga pushteti i kohës, megjithatë A. Xhuvani, duke e shfrytëzuar autoritetin e tij prej pedagogu e shkencëtari, u përpoq me e ruejtë, madje edhe me e kultivue sadokudo edhe mëtej gjuhën mbi bazë të gegërishtes letrare, me arsyetimin se nuk është kundër favorizimit të toskërishtes, por ai tashti si i moshuar s’mund  t’i ikte shprehisë që e kishte të rrënjosur.....

 Sidoqoftë, sa për ilustrim po japim disa fragmente të gjuhës së tij gjatë kësaj periudhe, duke i rradhitur burimet  kronologjiksht sipas viteve të botimit:

 

a) Shkruar më 1950:

Asht e drejtë, pra, që edhe ne të kujdesemi që ta pastrojmë gjuhën nga fjalët e hueja, Por me e pastrue gjuhën fill e për pe, nga çdo gja e huej asht e pamundun: popujt nuk kanë jetue e nuk jetojnë të vetmuem pa marrëdhënie njani me tjetrin, por në nji të hymë e të dalë të papreme shoq me shoq. (Vepr. e cit., f. 106-187.)

 

b) Shkruar më 1953

Gjuha asht nji prodhim shoqëror... Çdo popull ka gjuhën e vet, që e trashëgon brez mbas brezi dhe e përdor për nevojat e jetës së tij...Gjuha pra, asht shenja e gjallë e çdo populli dhe gjatë jetës së tij bahet vegël e çmueshme për kulturën e tij...; për të shkrue pastër gjuhën shqipe duhet:

 1) të studiojmë shkrimtarët e vjetër e të rij që kanë shkrue nji gjuhë të pastër shqipe;

2) të mendojmë shqip e t’u reshtemi fjalëve të hueja sa asht e mundshme e sa i ka gjuha jonë dhe konstrukteve t’u reshtemi  krejt së krejti;

 3) të studiojmë gjuhën e popullit, kudo, të maleve e të fushave tona. Të gjitha këto kërkojnë studim, vullnet e durim.  (Aty f. 113.)

 

c) Shkruar më 1956:

Konstatin Kristoforidhi u reshtet  fjalëve të hueja, sidomos fjalëve turqishte si djalli nga thimiani...edhe kur e shef të nevojshme me e ftillëzue ndonjë fjalë shqipe me fjalë turqishte të zakonshme e ve këte në paranteze. (Aty f. 118).

... Gjuha e shkrueme nuk asht e nuk duhet të jetë tjetër veçse gjuha e popullit e rregullueme dhe disiplinueme. Kjo gjuhë e popullit duhet studjue fellë e nga gjithë anët që të dalë soje gjith’ ai material leksikologjik e fraseologjik i nevojshëm për shprehje të natyrshme në gjuhë të shkrimit e për t’ua zanë vendin fjalëve e konstrukteve të hueja...Veçse nuk duhet të tregojmë një purizëm të skajshëm në këtë punë. Ka shumë fjalë të hueja, terma teknike ma fort, qi përdoren të njëjta në gjithë gjuhët, janë ba, si me thanë, ndërkombëtare... Këto të gjitha do t’i marrim me doemos, nga gjuhët e hueja, por tue u dhanë një trajtë mbas frymës e natyrës së gjuhës sonë. (Aty f.193-194.)

 

      Ne nuk do ta analizojmë gjuhën e A. Xhuvanit të viteve të ’50-a në krahasim me normën e re mbi bazë të toskërishtes, e cila dilte e rekomanduar në këtë periudhë, sepse do të na zinte shumë vend, por po cekim vetëm faktin e paskajores së mirëfilltë, të cilës në këto vite i ishte shqiptuar denimi për mos me thënë dënim me vdekje allapartizançe, po themi për mosqasje në shqipen letrare mbi bazë të toskërishtes. Ky gjykim hetohet jo vetëm në ortografinë gegnishte të redaktuar nga A. Xhuvani (1948)(!) por edhe në disa shkrime të tij, kur paskajorja në këtë periudhë del e përdorur gjithnjë e më rrallë. 

Krahaso:

duhet marrë = duhet me marrë, duhet studjue = duhet me studjue;

      që të dalë = për me dalë, të kujdesemi që ta pastrojmë = me u

         kujdesë për me e pastrue, për  të shkrue = me shkrue ose

         për me shkrue; të tregojmë = me tregue, të studiojmë = me

         studjue, të mendojmë = me mendue etj

               

Nuk dimë se një kthesë të tillë A. Xhuvanit  është bërë me vetëdije apo jo, ndërsa për shokët e tij si K. Cipo, M. Domi e të tjerë, thuhet se e kanë bërë me vetëdije, dikush, siç thuhet, me fitue bukë e karrierë, dikush  me ruejtë karrierën e dikush mbase edhe për me shpëtue kokën?            .

 

 Sidoqoftë, pas kësaj që u shtrua deri këtu mësojmë mjaft gjëra dhe sigurisht do ta kemi më lehtë për me i ndjekë ndryshimet dhe pikëtakimet e ortografive të gjuhës shqipe që u hartuan ndërkohë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë deri te Drejtshkrimi gjuhës shqipe 1973 dhe të mësojmë paksa pse u hap, tash 10 vjetët e fundit me të drejtë e pa shumë të drejtë, pa arsye a me shumë arsye, çështja e qëndrueshmërisë së normëzimit të Kongresit  të 1972-shit..

 

 Përfundim

 

 Përfundimi i LDB e gjeti gjuhën letrare shqipe mjaft të përpunuar në të dy dialektet kryesore të saj, gjë që dëshmohet edhe me gramatikat e kartuara në të dy dialektet, por që mbizotëronin rregullat mbi bazë të gegërishtes, por pa e përçmuar toskërishten.. Së këtejmi, mund të konkludohrt se secili prej tyre jo me shumë vështirësi mund  të ngritej si bazë e gjuhë e përbashkët, po duke i përvetësuar vlerat e domosdoshme përfaqësuese të dialektit tjetër. Në të vërtetë,  siç e pamë, më shumë gjasa për bazë kishte gegërishtja e përpunuar, jo si nëndialekt i elbasanishtes ose i shkodranishtes, po si  koine e përgjithshme gege, natyrisht e pajisur me ndonjë element të domosdoshëm nga toskërishtja. Siç u pa edhe në idenë e prof. S. Rizës, i cili pangegërishten e supozonte  jo aq të largët nga gjuha e A. Xhuvanit, të cilin e quante gramatikan të paktë e si fonolog të aspaktë, megjithatë sa i përket kontributit  për gjuhën letrare i jepte hakun: “me një instikt letrari dhe me një intuitë filologu që e nderojnë, kampioni militant i na falë sot shkrime, ku shijojmëi më të hijshmen e shkodranishtes.”

Madje e pranonte se në këtë periudhë gjuha e elbasanit ishte vërtetë urë bashkuese ngase, siç konstatonte ai (S. Riza):

Nuk mund të mohohet se toskë e gegë e kuptojnë ma lehtë elbasanasin se sa njëri jatrin.  Mirëpo kjo nuk mjafton prap se prap ta bëjë të mundur kalimin pa shkallë në një shqipe të përbashkët...

Andaj, si shkallë apo zgjidhjen e shihte në pangegnishte Ashtu edhe Mustafa Kruja zgjidhjen e shihte në gegnishten e Shqipnisë së Mesme. Madje edhe Namik Resuli, zgjidhjen e shihte në shkrirjen harmonike të dy dialekteve po në bazën më të afërme të gegërishtes, por të gërshetuar harmonishëm me elementet e domosdoshme  të toskërishtes.

Me fjalë të tjera, të gjithë këta nuk përjashtonin nga norma e shqipes letrare paskajoren e mirëfilltë,.ashtu siç nuk e përjashtuan nga norma paskajoren e mirëfilltë të gjithë hartuesit e gramatikave mbi bazë të toskërishtes. Elbasanishtja si (nën)dialekt, në këtë kohë, siç e thekson Bardhyl Graceni ishte “formuar duke shkrirë trajtat dialektore të krahiave të Veriut me ato të Jugur e të Lindjes”, dhe vërtet ajo gjuhë shërbente si gjuhë shkolle e gjuhë administtrate, madje edhe si gjuhë shkence  etj.

Po këtë të vërtetë, e ndeshim  të pohuar edhe në konstatimet e prof. Selman Rizës, i cili pranonte se:

Në saje të  përpjekjeve të vijuarshme të Ministrisë s’Arsimit  gjuha zyrtare që tashi  përfshin jo vetëm korrespondencën administrative, por edhe tekstet juridike, bashkë me librat shkollor për rendet e larta të filloreve dhe institutet e mesëm. Andaj mund të thuhet që Shteti Shqiptar ka që tashi një gjuhë zyrtare.... (Vepra e cit. f. 121)

 

Pra, në përfundim apo në kapërcyell  të LDB, shqipja  letrare e A. Xhuvanit ishte pajisur me më të hijshmen e shkodranishtes, përkatësisht kur shteti shqiptar kishte tashmë një gjuhë  zyrtare  mbi bazë të gegërishtës, siç do të shohim çështja e zbatimit të normës së tillë letrare në  Shqipëri mori kahe tjetër.

Siç do të shohim në kreun vijues.pas vendosjes së pushtetit të ri komunist në Shqipëri  1944-1945  përkatësisht pas parapërgatitjeve me bindje politike sipas direktivave në vitin 1952 u organizuan dy konferenca shkencore për ndryshimin e bazës së gjuhës letrare nga gegërisht në toskërisht dhe për këtë fillimisht në vend të gjuhëtarëve të afirmuar si A. Xhuvani, E Çabej e K. Cipo, referatet për ndryshimin e bazës së standardit i mbajtën shkrimtarët: Dhimitër Shuteriqi, Zihni Sako dhe Jakov Xoxa. Dhe kështu sigurisht pasi  u zbutën  ideologjikisht edhe gjuhëtarët në fjalë në mënyrë të displinuar kryen detyrimet e caktuara, duke hartuar vullnetarisht(!) edhe ortografitë përkatëse, siç do të shohim në vijim. 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora