E enjte, 25.04.2024, 03:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Nusret Pllana: Atdhetarët bëjnë faktet e historisë së një kombi

E merkure, 17.03.2010, 10:53 PM



Atdhetarët bëjnë faktet e historisë  së një kombi
        
(Bedri Tahiri,”Abdyl Krasniqi–frymëzues brezash”, Prishtinë, 2009)

Nga Dr. sc. Nusret PLLANA  

Krijuesi Bedri Tahiri, pas disa veprave shumë të suksesshme, në të cilat trajton rrugën e madhe të luftës për liri, në periudha të ndryshme kohore, deri te Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jasharin, në këtë vepër ka lidhur brezat e atdhetarëve që janë vënë në shërbim të atdheut. 
Tre breza luftëtarësh, secili më domethënës se tjetri, bëjnë tërësinë e veprës së këtij autori, i cili duke kërkuar shenjat për ata që kanë krijuar histori, edhe figurat për të cilat shkruan, i bën pjesë të historisë. Kështu ka ndodhur edhe me atdhetarin dhe veprimtarin e shquar Abdyl Krasniqin, i cili duke qëmtuar shërbimet e brezave të shkuar për atdheun, jo vetëm është bërë pjesë e këtyre shërbimeve, por ka vënë edhe shenjat e rrugës së tij jetësore në shërbim të çështjes së atdheut.
Asnjë shërbim që bën njeriu për atdheun nuk është i mjaftueshëm për të rrahur gjoks, së paku për gjallje, ngase mund të nëpërkëmbët dinjiteti i dëshmorëve të kombit, të cilët kanë ujitur me gjakun e tyre rrugën e ardhjes së lirisë. Mirëpo, shërbimet e këtilla për të mirën e atdheut janë ato shenjat që i japin kuptim jetës së tij, në radhë të parë, jetës së kohës së tij, si dhe jetës së brezave që vijnë, qoftë me ecjen vertikale sa është gjallë, qoftë për të pasur një vdekje të nderuar nga ata që lë pas, qoftë për të na mësuar se atdheu asnjëherë dhe askujt nuk i ka asgjë borxh.
I tillë është trajtuar edhe atdhetari Abdyl Krasniqi në veprën e Bedri Tahirit, aq më shumë, duke u bërë pjesë e përjetësisë që në sfondin e madh të historisë kombëtare, të gjithë ata që e meritojnë, i ka vënë Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Autori i veprës ka krijuar hallkat kohore të tre brezave, të Azem e Shotë Galicës dhe bashkëluftëtarëve të tij, që dhanë çdo gjë për lirinë e atdheut, vetëm për ta parë të lirë. Por, nuk ia arritën ta shohin. Kështu, ata u bënë mësimi i madh për të ecur rrugës nga vjen liria. Kësaj rruge ka ecur atdhetari Abdyl Krasniqi, jo vetëm për ta bërë shenjë të kujtesës historike varrin dhe eshtrat e Azem Galicës, jo vetëm për t’i nxjerrë nga thellësia e tokës, ose siç thuhet nga varri më i thellë në botë, eshtrat e heroit të lirisë sonë, por për ta bërë edhe udhërrëfyes të edukimit të brezave të shqiptarëve që luftonin kundër robërisë. Këtë edukatë atdhetare kishte marrë e bija, heroina e kombit, Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Si luftëtare e lirisë, bashkë me të shoqin, jo vetëm bashkëshortin, por edhe bashkudhëtarin e jetës dhe të lirisë, heroin e kombit Fehmi Lladrovci, janë kurora e brezit të tretë të atdhetarëve shqiptarë, që i dhanë kuptim edhe vdekjes për liri.  
Autori i këtij libri, përmes veprës dhe bëmave të atdhetarit Abdyl Krasniqi, ishte bërë ndërmjetës i mësimit të madh që vinte nga thellësia e Shpellës së përjetësisë liridashëse të Azem Galicës, se kur atdheu është i robëruar dhe i copëtuar, atëherë njeriu që ka mësuar rrugët e historisë lufton për lirinë e tij dhe për bashkimin e tokave të tij, në mënyrë që atdheu të jetë i lirë dhe i tërë. Nëse nuk kishte moshë Shpella-Varri e Azem Galicës, as Atdheu për lirinë e të cilit vdesin atdhetarët, nuk ka moshë, është përherë i ri, përkundër lashtësisë së tij. 
Nëse as vdekja, as barbaritë e pushtuesit sllav, nuk kanë arritur të shkaktojnë harrimin e vdekjes për liri të Azem dhe Shotë Galicës dhe të bashkëluftëtarëve të tij, atëherë Atdheu nuk ka vdekje.
Këtë e dëshmon edhe jeta dhe vepra e atdhetarit të madh, Abdyl Krasniqi, përpjekjet dhe përkushtimi i tij, fuqia e mendjes dhe ideali shpirtëror, të vënë në shërbim të edukimit të brezave për të sjellë lirinë e atdheut. Këtë e dëshmon edhe rruga jetësore e së bijës, Xhevës dhe bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit të saj, Fehmi Lladrovcit, por rënia e tyre për liri i jep kuptim të gjitha sakrificave të brezave të shqiptarëve atdhetarë.
Atdhetari Abdyl Krasniqi, kështu siç është dhënë në veprën e Bedri Tahirit, së pari na ka mësuar për të zënë dije, në mënyrë që t’i shërbejmë më mirë atdheut. Kjo pjesë e atdheut, që quhet Kosovë, pasi e kishte pushtuar dhe copëtuar, pushtuesi e kishte lënë në errësirën e padijes dhe të frikës. 
Kur e bija, heroina Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe luftëtarët e tjerë të lirisë, bëhen nxënës historik të pushkës çlirimtare të Azem Galicës, për të cilin atdhetari Abdyl Kransiqi kishte bërë çdo gjë që mund ta bëjë njeriu për të krijuar shenjat e pavdekësisë së tij, por e cila arrihej vetëm me lirinë e kësaj pjese të atdheut që ishte e robëruar. 
Jeta e atdhetarëve ka të veçantat e saj. Kështu e ka portretizuar atdhetarin Abdyl Krasniqi, autori i veprës “Abdyl Krasniqi–frymëzues brezash”, Bedri Tahiri. Pa u lodhur asnjëherë, së fundit ai fillon luftën e përjetshme në përpjekjet që të përmbushej amaneti i Dëshmorëve të Kombit, si dhe të mos stërkeqeshin proceset e mëdha historike që kishte hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pastaj lufta çlirimtare e UÇPMB-së, në Kosovën Lindore dhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e vitit 2001 në territoret shqiptare të Maqedonisë së sotme. 
Krijuesi i njohur Bedri Tahiri, me veprën e “Abdyl Krasniqi–frymëzues brezash”, është bërë bashkudhëtar i ecjes së madhe jetësore me atdhetarin e njohur të Drenicës heroike, bacën Abdyl. Lexuesi krijon përshtypjen se autori ka gjurmuar çdo të dhënë jetësore, çdo aspekt të veprimtarisë së tij atdhetare, çdo brengë dhe çdo dilemë që krijon ecja e jetës udhëve të historisë së një populli. Atdhetarët, edhe veprimtarinë e kanë të veçantë, pa zhurmë, pa fjalë të mëdha, por pa u lodhur kurrë, të vetëdijshëm se rruga e lirisë së atdheut as nuk është e lehtë, as e shkurtër. Një ecje gati njëshekullore e Abdyl Krasniqit, bashkë me të gjithë veprimtarët e tjerë në shërbim të çështjes së atdheut. Një ecje thuajse një shekullore bashkë me familjen e tij (dhjetëra djem e vajza të tij, luftëtarë të lirisë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), kurse rënia e së bijës, heroines së Kombit, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, e kuptimëson gjithë ecjen shekullore të bërjes së lirisë. 
Autorin e veprës Bedri Tahiri nuk e kanë lënë të qetë as shqetësimet e atdhetarit Abdyl Krasniqi për gjendjen e Kosovës nën protektoratin e OKB-së, sepse neofashizmi serb edhe një herë i kishte bërë bisht dënimit të historisë, falë ndërhyrjes ndërkombëtare. Ky veprimtar i çështjes së atdheut e dinte se padrejtësitë e mëdha historike as nuk shërohen lehtë, as nuk shërohen shpejt. Këtë bindje të tij, por edhe këtë angazhim të tij e ka dhënë edhe në krijimet e tij, poetike e publicistike, siç i ka hetuar edhe autori, Bedri Tahiri. Kjo brengë dhe kjo dilemë, është thënë hapur edhe pas Rambujesë, ngase trungu i tokave shqiptare, ende mbetej i copëtuar. Kosovës i mungon veriu i Kosovës. Tërësisë së saj historike i mungojnë Bujanovci, Medvegja, Presheva!
Andaj, sipas autorit të kësaj vepre, është krejt e natyrshme që atdhetari Abdyl Krasniqi përherë të merret me heronjtë e dhembjes së tij shpirtërore, me Azem e Shotë Galicën. Sa duket, nuk i ka mjaftuar as poema e tij, Dardania sot për ta dhënë të plotë gjithë përkushtimin shpirtëror, gjithë veprimet e bëra gati një jetë të tërë për aktin e nxjerrjes së eshtrave të kryetrimit Azem Galica. Lexuesi e di se eshtrat janë nxjerrë pas 47 vjetësh, por lexuesi e mëson për herë të parë në këtë vepër se atdhetari Abdyl Krasniqi përherë e ka thënë: Nga Azemi kisha ftesë.
Kur e fillon projektin madhor Kompleksin Përkujtimor, kushtuar Azem e Shotë Galicës, ndoshta nuk e ka menduar se ne të gjallëve na bie mbi supe barra e përgjegjësisë për të përfunduar veprën e nisur, ashtu siç do ta përfundojë heroina e kombit Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe heroi i kombit Fehmi Lladrovci, bashkudhëtarë të përjetshëm të rrugës së lirisë, të cilën e kishin lënë amanet Azem dhe Shotë Galica. 
Krijuesi Bedri Tahiri, me këtë vepër, kushtuar atdhetarit Abdyl Krasniqit, përveç përkushtimit të madh, për të shpaluar edhe anët e shpirtit, bashkë me krejt dilemat që ka jeta, por edhe drithëritjet e zemrës për gjithë tronditjet që ka kurdisur jeta, e bëjnë këtë veprimtar të çështjes së atdheut shëmbëllimin e edukimit më të mirë, për të bërë punë të vogla e të mëdha, por që janë në interes të lirisë së atdheut, në rrugën e bashkimit të tij, për të qenë i plotë, dhe modern. Autori Bedri Tahiri, ka marrë nëpër duar shënime e copëza rrëfimesh, dokumente e histori të shkruara, krijime shumë të rëndësishme e trajtesa publicistike me vlerë, për t’i përmbledhur në një libër, ku atdhetari Abdyl Krasniqi sikur nuk lodhej duke bërë diçka vetëm për ta parë Kosovën e trojet tjera etnike shqiptare të bashkuara në atdheun tonë- Shqipërinë.
Vepra e Bedri Tahiri, “Abdyl Krasniqi-frymëzues brezash” shpalon edhe shqetësimin e autorit për përgjegjësinë krijuese, që të mos shmangen dhe të mos stërkeqen faktet, sepse historia vetëm me kokëfortësinë e fakteve është bërë mësuese e jetës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora