E premte, 29.03.2024, 12:51 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Gjakmarrja, kjo "Kushtetutë zakonore" 500 vjeçare vetëgjyqësie që vepron edhe sot

E marte, 30.10.2007, 06:59 PM


Nga Përparim Halili

Fenomeni tragjik i gjakmarrjes, ka rrënjë të thella e të dyfishta, si tek mentaliteti e kultura e trashëguar ashtu edhe tek kriza shoqërore e shfaqjet negative të viteve të tranzicionit. Kur nuk kishin shtetin e tyre, Kanuni ishte kushtetuta e shqiptarëve. Gjakmarrja, si institucioni i këtij kanuni, sanksiononte dënimin me vdekje për vrasësin, apo dhunuesin e pronës e të familjes. Këto organizime ishin të justifikuara për kohën e tyre, për shkak se populli shqiptar, historikisht pa përkrahje, është përballur prej shekujsh me shtypjen dhe sundimin e regjimeve të huaja. Ky represion i vazhdueshëm e ka detyruar atë të kërkojë në vetvehte mjetin e mbijetesës. Për të mbrojtur jetën, familjen, pronën dhe ekzistencën si komb, shqiptarët themeluan e trashëguan për shumë shekuj ligjet dhe të drejtat e tyre të sanksionuara në Kanun, i cili ishte më i respektuar e më i dashur se Bibla apo Kurani.

Kanunin nuk e zvendësoi dot, as shteti i vitit 1912-1939

Me shpalljen e pavarësisë e themelimin e shtetit shqiptar në vitin 1912 filluan përpjekjet për vendosjen e shtetit ligjor. Por mosbesimi ndaj shtetit dhe tendenca e vetmbrojtjes e udhëhoqi ndërgjegjen e shqiptarëve edhe në shekullin e 20-të. Kjo tendencë u shfaq veçanërisht mbas vitit 1913, kur u bë ndarja e territorit shqiptar nga fuqitë e mëdha dhe vazhdoi deri në vitin 1928, me formimin e Mbretërisë Shqiptare. Mbretëria, gjatë viteve 1928 - 1939 dha një shembull të shkëlqyer për vendosjen e rendit të ri kushtetues. Çdo ligj i kushtetutës u hartua në konsultë me qytetarët e krahinave dhe përfaqësuesit e popullit, duke bërë që populli ta konsideronte kushtetutën pronë të tij dhe t'i përulej asaj me respekt. Në vitin 1939, gjakmarrja ishte drejt eleminimit të plotë për shkak të solidaritetit të qytetarëve me ligjin dhe ndikimit të madh që pati funksionimi i mirë i drejtësisë. Shqipëria u bë një shtet demokratik e modern.

Në vitet 1944-1990, gjakmarrja u frenua me dhunë

Mbas luftës së dytë botërore, me vendosjen e regjimit komunist ligji veproi arbitrarisht, ekzekutimin e vrasësit e mori përsipër shteti duke mos i lënë vend aplikimit të gjakmarrjes. Krahas masave ekstreme për kontrollin ndaj individit, shteti ndaloi me ligj edhe besimet fetare, asgjësoi institucionet e tyre si dhe shumë vlera të trashëgimisë zakonore duke bërë kështu efektin e kundërt e negativ tek bindjet e qytetarëve. Për të zbutur këtë efekt, përfaqësuesit e shtetit njëpartiak u detyruan të kërkonin bashkëpunimin me popullin duke aplikuar vendimmarrjet kolektive për vendosjen e rregullit në komunitet. Shteti ndërtoi urën e komunikimit me të gjitha nivelet e shoqërisë për hartimin e ligjit dhe konsolidoi regjimin me mbështetjen e qytetarëve.

Fatkeqësisht ky bashkëpunim e kjo urë komunikimi e klasës politike me popullin nuk u ndërtuan gjatë këtyre 17 viteve të pluralizmit politik. Papërgjegjshmëria e megallomania e kësaj klase politike ka bërë që mendimet e sugjerimet, tepër të nevojshme, që vijnë nga komuniteti, të mos përfillen. Të vetmet institucione që kanë bërë disa përpjekje të vakëta për të siguruar këtë urë komunikimi kanë qenë, presidenti i Republikës, policia e shtetit dhe avokati i popullit, por bashkëpunimi duhet të nisë me ndërtimin e ligjit. Shembull tipik i këtij mosbashkëpunimi, me pasoja shumë të rënda, ishte ligji 7501 mbi tokën, i cili u miratua me konsensusin e dy partive të mëdha. Në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë ky ligj as nuk u pranua as u vu në zbatim. Në zonat ku ai është zbatuar ka sjellë konflikte duke shkaktuar vrasje edhe midis familjeve me lidhje gjaku.

Pajtimet, tregues pozitiv, por jo mbyllje të gjakmarrjes

Në sajë të punës së admirueshme të misionarëve të pajtimit sot, realisht janë të ngujuara vetëm 720 familje me 260 fëmijë nga të cilët 93 të rrezikuar seriozisht për jetën. Strategjia e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për orientimin e traditës në mbështetje të shtetit të së drejtës kundër fenomeneve negative të shoqërisë ka gjetur mbështetje në popull, pasi Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar çdo çështje e ballafaqon në terrenin konkret, e konsulton me publikun dhe për zgjidhjen e tyre kërkon vendimmarrjen në komunitet. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka angazhuar në çdo fshat grupet treshe të punës të përbëra nga drejtori i shkollës, kryeplaku dhe një përfaqësues i komunitetit të cilët udhëhiqen nga bordet e rretheve e të qyteteve për zbatimin e kësaj strategjie. Kjo ka bërë të mundur gërshetimin e veprimtarisë së misionarëve me përfaqësuesit e shtetit, të policisë dhe intelektualëve duke i dhënë kështu rolin udhëheqës dhe autoritetin ligjit. Populli shqiptar e do shtetin dhe ligjin, por ai sot po vuan nën stresin e varfërisë ekstreme, të mungesës së shërbimeve më elementare dhe sigurisë për jetën. Shumica e qytetarëve kanë humbur shpresat për të ardhmen. Papunësia kap shifrat më të larta të vendeve të lindjes. Duke mos gjetur rrugëdalje, shumica e të rinjve kanë përqafuar rrugën e krimit, mijra vajza janë të detyruara të prostituojnë rrugëve të Europës. Gratë dhe vajzat e trafikuara janë nën kontrollin e plotë të trafikantëve që kanë kryer më shumë se një krim. Në çdo tre orë në xhepin e këtyre trafikantëve futen 2,1 milion dollarë. Për shkak të trafikimit të femrave 4600 familje janë në konflikt të thellë. Ky fenomen ka sjellë shpesh herë vrasje tragjike deri në hedhjen në erë të familjes së trafikantit. 40% e vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje janë pasojë e kësaj veprimtarie. Misionarët e Pajtimit kanë qenë të vetmit në përpjekjet për ndalimin e këtyre vrasjeve. Megjithëse pa përkrahje ata kanë arritur të mbajnë nën kontroll më shumë se 80% të konflikteve. Pjese e rëndësishme në punën e tyre ka qenë veprimi në mirëbesim për kthimin e vajzave të trafikuara dhe mbylljen e konfliktit pa e bërë publike, duke mbrojtur kështu dinjitetin e vajzës dhe shmangur gjakderdhjen. Fatkeqësisht strategjitë e qeverisë dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë hartohen dhe planifikohen sipas metodave dhe mënyrave të tyre pa njohur terrenin, mentalitetin dhe psikologjinë e qytetarëve. Mbi 90% e këtyre projekteve nuk kanë gjetur zbatim në terren dhe nuk njihen nga grupet në nevojë. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë kryesisht me strategjitë dhe projektet e luftës kundër trafikut të qenjeve njerëzore, gjakmarrjes e korrupsionit.

Statistika e hidhur e "pushkës së gjaksit"

Vetëm në Komunën e Bushatit dhe disa fshatra të Nënshkodrës numërohen 1600 familje të tilla. Në shkallë vendi, ky ligj ka sjellë hasmëri në mbi 15 000 familje, që në çdo çast mund të shkaktojnë gjakderdhje midis tyre. Kjo mungesë përgjegjësie e klasës politike dhe institucioneve shtetërore është prezente në çdo aspekt të jetës shoqërore duke i hapur kështu rrugë veprimit kaotik e çorganizimit të shoqërisë, përhapjes së krimit dhe vetgjyqësisë. Me vetegjyqesi u eshte marre padrejtesisht jeta rreth 5000 shiptarëve. Nga viti 1991 deri në vitin 1998, afro 2300 familje u futën në ngujim për shkak të hasmërisë midis tyre. Vrasjet dhe urrejtjet midis individëve apo grupeve brenda shoqërisë u shtuan veçanërisht në vitet 1996-1997 nga lufta e ashpër politike dhe rrëzimi i firmave piramidale. Vetëm në vitin 1997 pati 1500 të vrarë. Në vitin 2002, ishin larguar jashte shtetit per t'iu fshehur vrasësit 1270 burra duke lënë për vite me radhë peshën e vuajtjes dhe përpjekjeve për mbijetesë mbi gratë dhe fëmijët. Fatmirësisht, sot, shumica e tyre është bashkuar me familjet mbas sigurimit të azilit në vendet perëndimore.

Të ftojë vendet anëtare të BE-së të aktivizojnë të gjitha potencialet e mundëshme për të ofruar më tepër projekte për popullsinë e zonave rurale në Shqipëri.

Të ftojë Kuvendin e Shqipërisë të kontribuojë më tej në përmirësimin e ligjit në luftën kundër gjakmarrjes.

Të ftojë Qeverinë Shqiptare dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që të vënë plotësisht nën kontroll grumbullimin dhe regjistrimin e armëve.

Të ftojë Organet shqiptare të ndjekjes, hetimit dhe zbatimit të ligjit të ngrenë nivelin e bashkëpunimit me komuni tetin dhe shoqërinë civile për zbulimin, parandalimin dhe ndëshkimin e operatorëve të krimit të organizuar.

Të ftojë sistemin gjyqësor, të japë drejtësi dhe të luftojë elementët e komprometuar nëpër gjykata.

Të ftojë Qeverinë Shqiptare të marrë masat dhe vendimet përkatëse që, të gjitha institucionet e nivelet e adminis tratës së shtetit shqiptar, të kenë statistikat e familjeve në konflikt për shkaqe të pronësisë mbi tokën e trafikimin dhe të ndërmarrë veprime të posaçme për shmangien e vetgjyqësisë.

Të ftojë Qeverinë Shqiptare për të investuar më tej në ngritjen e qendrave mësimore dhe edukative për fëmijët jetimë e të ngujuar duke shfrytëzuar ish shtëpitë kulturore të ushtarakëve si dhe ndërtesat e tjera me karakter publik që lihen mbas dore për tu privatizuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora