E marte, 23.04.2024, 11:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Poezia e Arif Molliqit

E marte, 16.03.2010, 10:39 PM


POEZIA, VLERË DHE METAFORË ARTISTIKE 

Arif molliqi  „NJË HIJE BËNTE RRUGË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „FAIK KONICA“, Prishtinë 2009, faqe 117. ISBN 978-9951-06-290-9

Shkruan: Shefqet DIBRANI

PROLOG:

            Arif MOLLIQI, është poet që ka krijuar individualitetin krijues jo vetëm në poezinë e sotme shqipe që krijohet në mërgim, por përmasat e këtij individualiteti maten me nivelin e poezisë së sotme shqipe në shkallë kombëtare. Tashmë poezia e tij ka fituar një vlerë dhe peshë artistike. Kjo gjë më dukshëm vërehet, sidomos në krijimet poetike të viteve të fundit të këtij autori. Poezia e tij, ka marrë vlerë që duhet respektuar, sepse ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, për më tepër të asaj kategorie që leximin e poezisë e bëjnë më kujdesshëm dhe në mënyrë profesionale. Janë këto disa nga arsyet pse themi se Arif Molliqi është nga ata poet që poezinë e ka pasion, dhe atë e krijon jo për të plotësuar ndonjë vakum krijues, por thjesht shkruan për të shprehur ndjenjën dhe përkushtimin e tij letrar. Tash kur përmendim këtë autor, (sidomos në fushën e poezisë), duhet të besojmë se e kemi fjalën për një individualitet krijues, për një poet që krijon kujdesshëm i cili si prodhimtar i vlerave letrare duhet respektuar dhe duhet t’ia pranojmë suksesin e gjertanishëm për t’i dhënë vendin e merituar në kuadrin e letërsisë kombëtare

            Arif Molliqi i ka mbetur besnik krijimit të poezisë duke u dalluar si një krijues që më me përkushtim merret me poezinë. Ai nga libri në libër ka shënuar ngritje, vlera këto të tejdukshme, qoftë në aspektin estetik apo të qasjeve metodike për të sendërtuar vlera që ai i ka synuar. Janë veprat letrare që tashmë atë e kanë bërë më të dalluar dhe dita - ditës edhe më të kërkuar. Deri më tani ky poet ka shënuar rritje, duke i dhënë vlerë poezisë, dhe sharmin e duhur artistik, që pastaj poezia e tij të jetë më e pranueshme dhe si vlerë artistike më e qëndrueshme.

            Te poezia e Arif Molliqit spikasin tipare dukagjinase të kultivuara qysh në kohën e rinisë së hershme dhe të shprehura qysh në librin e parë të tij “Simfoni për darkën e qenve” (1994), me të vetmin ndryshim se melankolia për atdheun sikur e ka ndryshuar baraspeshën. Tashti kundrimi i fenomeneve bëhet nga larg dhe është bërë obsesion i tij krijues, duke e bërë poezinë më meditative, më të përjetuar dhe shumë më të dhembshme, ngase edhe ato nota lirizmi edhe ato fije gëzimi sikur i këputen nga një jetë e të qenit larg atdheut, larg realitetit për të cilin ai jeton dhe krijon.: Vjen një kujtim e ma ledhaton ballin/ Miqtë e mi vijnë dhe ulen rreth sofrës sime/ Me baladat e përgjumura...”, faqe 11.

            METAFORA DHE SIMBOLIKA E MËRGIMIT:

            Mërgimi, ky fat a fatalitet nuk është vetëm i Arif Molliqit si poet dhe krijues, këtë fat e kanë pas dhe e kanë përjetuar me mijëra e mijëra poet të rruzullit tokësor, madje as për poezinë shqipe nuk shënon ndonjë risi. Por, mund të konstatojmë se motivi i mërgimit te poezia e Arif Molliqit sikur lëshon një mallkim për “Tokën Arbërore” që nuk pat vend të mjaftueshëm për të gjithë poetët të cilët më mirë se kushdo tjetër e deshën dhe u dogjën për atdheun e tyre, prandaj ata më mirë se kushdo tjetër mbollën dashurinë dhe kultivuan kulturën e dashurisë për atdheun, për të cilin vazhdimisht gjakojnë dhe krijojnë. Këtë gjendje shpirtërore të tij më së miri e shpjegojnë këto dy vargje: “Këtu askush nuk më njeh/ Përveç atyre që jetojnë si unë”, faqe 12.

            Vëllimi poetik “NJË HIJE BËNTE RRUGË” , sikur i materializon dhe i sforcon këto bindje se: Mbi moshën e tij (time)/ Durimi ka ngarkuar barrë të rëndë”, faqe 10. Padyshim, kjo vlerë meditative dhe ky sublimin i gjithë kësaj dendësie ka prodhuar poezinë më të avancuar në aspektin artistik. Në një rast tjetër ja se si shprehet ai: Nëpër qytet lakuriq janë zhveshur rrugët”, e të njëjtën  poezi e mbyll me vargjet: “...pas muri/ Që kurrë nuk e kisha parë/ Nga etja për ta prekur piva vesën e syrit tim/ Pa lot ç´kuptim do të kishte lutja”, faqe 11.

Poeti merret shtruar me temën e mërgimit të cilën nuk e kundron përciptazi, ai është futur thellë në thelbin e çështjes duke na sjell një motiv e qasje të re të cilën nuk e hasim kaq artistikisht në librat paraprak. Prandaj kjo na gëzon dhe na shtynë për të besuar se autori poezinë e ka pasion ku i jep jetë, ashtu sikurse jeta e tij që i shërben artit dhe poezisë.

ZBRAZTËSIRË

 

Nëpër rrugët e Hamburgut

Kërkoj degë lisi

 

Ti var fjalët e turbullta

Që ecin bashkë me mua

 

Kërkoj ti var kujtimet

E mëngjeseve të lodhura

 

Shikimet nga udhë e sosur

Që humb nëpër ëndrra

 

Ca rrudha nga balli

Çdo ditë i kruaj

 

Dhembjen e tyre e bartë me vete

 

                                                (Faqe 29)

 

            MËRGIMI DHE SIMBOLIKA E VENDLINDJES:

 

Për jetën e të qenit poet i mërguar, larg atdheut, larg të dashurve dhe larg realitetit për të cilin jeton dhe krijon, Arif Molliqi, e ka konkretizuar në një sërë poezish të këtij libri. Temë kjo që nuk i shqitet nga vrojtimi, nga përjetimi dhe nga preokupimi artistik. Edhe në këtë përmbledhje poeti ka dhënë maksimumin e ndijimeve dhe krijimeve që për temë bosht kanë metaforën e mërgimit, mallit dhe të dashurisë për atdheun. Këto tri elemente sikur janë bërë bosht i temës së trajtuar në bllokun e poezive që për temë kanë mërgimin. Sikur këto motive e ndjekin si hije autorin, sikur këto motive ia nxinë jetën, ia shtuan dhembjen ia rritën mallin për Kosovën e tij të dashur, për gurët e varret, për Llukën e Epërme, për Rrafshin e Dukagjinit, për freskinë e Gjeravicen që nuk i shqitet nga mendja, apo për krenarin e pa fundme të Alpeve Shqiptare të cilat poezisë së këtij autori sikur i kanë dhënë një ylberim artistik me shumë ngjyra, një portret artistik mjaft i realizuar në të cilin metafora artistike e kurbetimit i ka marrë nuancat e një krijimi artistik, kurse autorin e ka renditur në listën e poetëve që me përkushtim iu ka qasur edhe këtij motivi.

 

“Në një natë të ftohtë

U ngroha me fjalën

 

Në një natë plotë zagushinë

U freskova nga kujtimet

 

Dashuri thuaje

Në këtë stinë fërmake

Cilën ta zgjedh

Hijen e Blirit te Ura e Haxhive

A syrin e vashës te Liqenet e Gjeravices

 

                                                                        (Poezia: “DILEMA”, f.51)

 

            KONTEKSTI LETRAR NË NJË METAFORË POETIKE:

            Arif Molliqi, ku më pak e ku më shumë ka dhënë prova të qëndrueshme se është poet dhe se poezinë e ka përkushtim. Ai di të merret me temat e përditshmërisë, duke i zgjeruar dijet dhe mundësitë me tema të tjera shoqërore e politike të cilat janë aktuale për një shoqëri në ndërtim e sipër, e cila ka synim identitetit e vet shtetformues  siç është rasti me Kosovën dhe qytetarët e saj se: Njeriu lind gënjeshtar/ Apo mësohet nga njeriu te gënjen”, ose “Kur marrëzitë e zhveshin shkëlqimin/ Njerëzit e humbin rrugën e vet”, faqe 16.

            Deri sa në librat e hershëm të këtij autori hasnim aty këtu thumbimin dhe pickimin satirik, sikur me qëllim në këtë përmbledhje poetike autori iu ka shmangur pothuajse tërësisht këtij fenomeni duke dhënë prova të besueshme se ka qëndrim më të arsyeshëm, më të kuptueshëm dhe shumë më të besueshëm, gjë që është për t’u gëzuar dhe që duhet lavdëruar gjithsesi aftësinë e tij krijuese. 

            Arif Molliqi, kujdesshëm e ka sintetizuar mendimin, ka një depërtim të thellë në brendësinë ideore të fjalës së shprehur artistike duke bërë përpjekje maksimale për ta thënë atë sa më bukur, sa më arsyeshëm, prandaj vargu i tij është edhe racional:Fali o Zot  mesjetaret/ Sa herë kthehen me guri n´krah/ I matin mezhdat e huaja/ Zoti ua ka falur tokën/ atyre që jetojnë aty”, faqe 42.

            Vlerat e librit maten edhe më vokabularin shprehës, bagazh ky i ngarkuar me shprehje të traditës dukagjinase duke hiperbolizuar mendimin artistik me doket dhe zakonet e trevës që i takon, si mjeti më i mirë dhe më i sigurt për t’u kushtuar vëmendje të veçantë mjeteve shprehëse, kulturës shprehëse që duken si një qasje origjinale dhe e mirëfilltë. Arif Molliqi edhe në këtë libër, (bile më me ngulm), është përpjekur për të dhënë një figuracion të bollshëm dhe mjaftë të pasur, dhe me një gjuhë sa të rrjedhshme, po aq  të kuptueshme e ka spikatur muzikalitetin e vargut dhe të fjalës artistike. Këto njohje dhe dije janë rezultat i punës dhe përkushtimit ndaj poezisë ose më saktë nga shoshitja e vlerave të traditës popullore, të gjuhës dhe kulturës, të njohjeve të historisë dhe mitologjisë të cilat duke i gërshetuar edhe me njohjet në fushën e poezisë, poezia ka marrë një ylberim specifik që e bëjnë më të dalluar, tipar ky i poezisë së sotme shqipe që krijohet jo vetëm në mërgim. Nga Univers i kaltër/ Le të shpërthejë qielli/ .../ Mbi kokën lë të bjerë/ Le të bjerë borë e bardhë/ .../ E në kopshtin tim/ Le të mbijë dashuria/ Që i solla nga fushat e Dukagjinit...”, faqe 45.

            KONCEPTI DHE IDIOMAT E NËNTEKSTIT:

            Arif Molliqi, si poet ka krijuar konceptin artistik të poezisë që krijon. Ai në një sërë ciklesh ka bërë përparim të thuktë në përkufizimin e mendimit dhe të formulimit artistik. Ngjyrimi dhe portretizimi i protagonistëve sikur ka qëllim  të të fut në brendësin e temës dhe mendimit,  duke përshkruar momente kuptimplota në njërën anë, kurse në anën tjetër ka atakuar mendimin negativ dhe veprimin e shëmtuar që mund ta bëjë njeriu (a pushtuesi?!): Në grykë  të Deçanit/ Kanë mbetur dhëmbët e ujkut/ .../ Guri i Nuses pikturon Gjeravicën/ .../ Lumenjtë e Kosovës u rriten/ Vrasësit i morën më vete/ .../ Dilni n´derë të Kullës le të na shohin/ Oxhaqet tona po tymojnë”, faqe 38.

            Gjithsesi Arif Molliqi e din pse shkruan dhe e din qëllimin e misionit poetik. Ai, gjithkund e gjithkah ka përshkruar momente të caktuara me finesa të stërholluara duke e detajuar qëllimin e krijimit si një idiomë artistik për fjalën e shkruar poetike.

            SIMBOLIKA DHE MOTIVI I VENDLINDJES NË POEZI:

            Simbolikën me motive të vendlindjes e hasim qysh në poezinë kredo të këtij libri e cila sikur ka për qëllim të na përball me elementin e atdhedashurisë dhe të simbolikës së vendlindjes. Kjo poezi, jo vetëm  që është ndër poezitë më të realizuara, por mendoj se ky shënim do të mbetej i mangët po sikur të mos e theksonim këtë simbolikë e cila te poezia e Arif Molliqit ka marrë konotacione të një legjende e cila tregohet e ritregohet në secilën kohë dhe në secilën stinë duke nga kthyer e rikthyer në kohëra e lëvizje që për dijen e poetit janë bërë simbolikë e veçantë, të cilës ai i rikthehet në secilin libër që shkruan: 

PËRSËRITJE NGA LIBRI I AMZËS 

Në Llukë të Epërm

Shtëpia tek më ngrohet nga zjarri

 

Brenda kam harruar

Të gjitha librat

 

Harruakam një mollë

Dhe një ftua

 

                                    (Faqe 5)

 

            Simbolika e vendlindjes te poezia e Arif Molliqit ka një tëbanë ideoemocional specifik duke u bërë tipar kryesor i poezisë së tij në përgjithësi e veçmas në këtë vëllim poetik ka shënuar një përparim ku disa simbolika ia vlen për t’i theksuar ngase poeti më shumë është shqetësuar për “Një mollë/ Dhe një ftua” që i ka harruar në shtëpinë që ngrohej nga zjarri, se sa për librat e radhitur në bibliotekën personale të lëna prej kohës në shtëpinë e tij në Llukë të Epërme.

Ndonëse poeti nuk e saktëson se për çfarë “ngrohje” të shtëpisë bëhet fjalë, (pasi ajo mund të kuptohet nga nënteksti), por ai shqetësohet se ka harruar “një mollë dhe një ftua” dhe mallin e hallin e ka se bashkë me librat iu ka djegur edhe libri i amzës ku mund të gjendshin shënimet përkatëse edhe për poetin e shqetësuar kaq shumë.

Elemente të tjera që shprehin në njëfarë mënyre simbolikën në poezinë e Arif Molliqit janë: Molla, ftoni, kulla, oxhaqet, kopshti te mani, lisi, lisi plak, lumi, ura, guri, guri i shpuem, hëna, Lugu i Dollajve, Ura e Haxhive, Rrasa e Zogut etj. Në një bllok tjetër janë marrë figura nga mitologjia po më shumë nga legjendat shqiptare ta zëmë: Heketa, Doruntina, Bardh Bregu, Gjergj Elez Alia etj. Kështu poeti ka ndërtuar simbolikën e vet krijuese të cilën e pasuron edhe me elemente të tjera nga topografia apo vendbanimet që janë pjesë e tij siç janë: Lluka e Epërme, Verrat e Llukës, Gjeravica, Liqenet e Gjeravices, Lumenjtë e Kosovës, Dukagjini, Fushat e Dukagjinit, Drini, Drini i Bardhë, Drini i Zi, Dy Drinat, Alpet Shqiptare, Kalaja e Ulqinit, Kukësi, Adriatiku, Çamëria dhe një varg tjetër duke krijuar një hartë gjeografike të tërësisë Arbërore në njërën anë dhe në anën tjetër për të vërtetuar se si poet kudo që ai të jetë, pashmangshëm është i lidhur me tokën dhe atdheun që e bëri poet.

            SIMPLIFIKIMI METAFORIK I TEKSTIT POETIK:

            Thjeshtësia (lat. simplicitas), e kësaj poezie është tendenca dhe përpjekja e vazhdueshme që poeti i ka bërë poezisë së tij që ajo (pra poezia), të jetë sa më e lidhur me motivin e vendlindjes. Këto poezi mund të llogariten  ndër poezitë më të realizuara e më të përjetuara. Por, tablotë e poezive që kanë përshkruar jetën e të qenit poet i mërguar sikur janë më brengosëse, më shqetësuese, më të tejdukshme, ku halli i vetëm i autorit duket se mbetet një kthim atje ku ka nisur kurbetimi fizik i tij. 

            Poezia e këtij autori për asgjë nuk dallon dhe as nuk ndryshon nga niveli dhe pikëpamja e asaj poezi që krijohet sot në Kosovë dhe mbarë hapësirën shqiptare. Shqetësimet dhe preokupimet më shumë mbeten tema e motive për të gjetur mendimin dhe metaforën e krijimit, se sa temë a preokupim për të përshkruar një realitet, një fatkeqësi që paska ndodhur në çastin e mërgimit fizik dhe praktik të autorit. Por, mënyra e qasjes dhe ai muzikaliteti i poezisë sikur ia shtojnë melankolinë këtij libri me vlera më të pranueshme dhe më të realizueshme, ndërsa harmonia e metaforës së mërgimit me atë të vendlindjes e sforcon motivin dhe përpjekjen për të dhënë maksimumin e vlerës së krijimit, gjë që ka dal edhe poezia nga përmasat e kontestit artistik.

            Përmbledhja poetike NJË HIJE BËNTE RRUGË”, është e pasuruar me figuracion artistik, madje sa origjinal po aq funksional. Nëpër mjaftë vargje shohim një detajim, një personifikim deri në imtësi të vetvetes dhe brendësisë së tij krijuese, duke e bërë krijimin më të pranueshëm më personifikues dhe më përjetues, ngase krijimi niset nga vetvetja, nga përjetimi i ndijimeve dhe krijimeve të shumta që ka dal si një poezi e përjetuar deri në instancat e fundit të personifikimit real të asaj që e krijon nga përjetimi real e faktik, por që me mjeshtri i ka dhënë atë vlerën artistike për t’u pranuar e dëshiruar edhe nga të tjerët si një krijim i mirë dhe i realizuar në kuptimin më pozitiv të kësaj shprehjeje letrare.

Gjetjet poetike për Arif Molliqin janë vetëm nuanca, a më mirë të themi vetëm substanca krijimi për të ndërtuar pastaj idenë e për të realizuar qëllimin ku ka sintetizuar me mjaftë mjeshtri idenë mbi metaforën si një sintezë poetike. “Në këtë kohë s´është turp/ T´ia bëni vetvetes një minutë heshtje”, faqe 60, ose “Te degë e kumbullës një bilbil këndon këngë dashurie/ Zëri i shkon gjer te pishat shtatgjata, te majat e malit”, faqe 63.

            Përplot motive lirike, përplot shprehje artistike dhe përplot realizime fisnike do të gjen lexuesi nëpër vargjet e këtij libri ku kanë breshëruar poezitë që për temë kanë motivin e mërgimit dhe shumë e shumë të tjera që për temë kanë vendlindjen dhe jetën përplot gjallëri në Rrafshin e Dukagjinit, në Llukë të Epërme, a gjithkund në hapësirën shqipfolëse. Por metafora e “një hije që bënë rrugë” del si njeri nga vargjet më të shqetësuara që shprehë drithërima reale ku ka dhënë një stad të ri të preokupimit dhe të shqetësimit autorial gjë që e kanë bërë më të prekshme dhe shumë më frymëzuese poezinë e këtij vëllimi  artistik. Shqetësimet janë pjesë e jetës të cilat ai i ka pranuar si realitet dhe me to ai sikur merret më shumë për të ndërtuar poezinë se sa thjesht si një nuancim a përjetim personal. Gjithsesi ai ka bërë mirë që është marrë kaq shumë me shqetësimin e tij personal si poet, i cili kaq shumë shqetësohet për fundin e pafundmë të këtij udhëtimi letrar, që kaq shumë shqetësohet për të tashmen shqiptare dhe për të ardhmen me perspektivë dhe përplot shpresë, emocione këto të cilat ku më shumë e ku më pak shfaqen nëpër cikle, nëpër poezi të caktuara, nëpër strofa a vargje të shumta të cilat vetëm e kanë freskuar poezinë, ia kanë rritë vlerën dhe ia kanë shtuar atë dinamizmin e zakonshëm në këtë epokë përplot tendenca e përpjekje për të zhvendosur identitetin në një koncept global, kurse njeriu i sotëm “nuk duhet më?!” ta identifikon vetën me atë që është, por duhet të bëhet një qenie e robotizuar në shërbim dhe interes të një pale të caktuar.

            PARA SE TË THEMI “EPILOGU I VLERES POETIKE”:

            Arif Molliqi edhe me këtë përmbledhje poetike ka dëshmuar vetën se është nga poetët e rrallë që ka ruajtur lidhjet shpirtërore dhe të pandashme me vendlindjen, me atdheun dhe me Kosovën përgjithësisht. Kjo thellësi shpirtërore, kjo ndjesi artistike lidhet edhe me temat dhe motivet me të cilat ai merret vazhdimisht, pastaj me mjetet artistike dhe me atë ylberimin e ngjyrave të vendlindjes i ka dhënë aromë, shije  e përjetim më fisnik poezisë që ka krijuar, pastaj i ka dhënë formë brendësisë së saj si një tipar i rregullt që duket  sikur të ishte një ujëvarë e kreshpëruar, që ka buruar atje në rrënjët e jetës dhe që ka vazhduar e kthjellët si kristalet e  vendlindjes edhe në mërgimin e tij në Hamburg të Gjermanisë, vlera këto të pasqyruara me mjaftë mjeshtri brenda vëllimit “NJË HIJE BËNTE RRUGË”.


            EPILOGU I VLERES POETIKE:

            Arif Molliqi ka ditur të manipuloj me shprehje artistike sa që me tema të përditshmërisë ka arritur të krijoj veprën poetike e cila ka një shije e timbër të pëlqyer. E gjithë kjo është realizuar pasi autori ka gërshetuar përvojën jetësore me figuracionin artistik duke vazhduar sendërtimin e mendimit dhe krijimit që barten nga libri në libër, ku me mjaftë sukses ka kristalizuar qëllimin e veprimit si një mendim i përkufizuar poetik me vlera të qëndrueshme artistike.



(Vota: 5 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora