E enjte, 25.04.2024, 11:04 PM (GMT+1)

Faleminderit

At Viktor Volaj, mbërrijnë dorëshkrimet e vyera në Arkivin e Françeskanëve

E marte, 16.03.2010, 10:30 PM


At Viktor Demaj, OFM

Urdhin Françeskan që sapo mbushi 800 vjetorin e themelimit të tij nëpërmjet Provincës Françeskane Shqiptare i ka dhurue popullit shqiptar Françeskan e idealista të vertetë që me jetën e veprën e tyne kanë përhapë paqe, dije, kulturë, vëllaznim mes bijve të Arbënit. Janë shque me përkushtimin e tyne në fushat e ndryshme të inteligjencës shqiptare. Po të mos ishte Fra Pali prej Hasit nuk do të kishim vjerrshat e para në gjuhen shqipe që janë të përfshime në veprën e Pjetër Budit. Nuk do të kishim Gramatiken e parë shqipe po të mos kishim misonarin fra Françesko Maria Da Leçe, e kështu me rradhë. Nji tjetër françeskan arbnesh, At Leonardo De Martino na dhuroi vjerrsha të bukura në gjuhën gege me nji stil të artë që u përket vetëm poetve të medhaj. Rreshti i tyne përfshin nji plejadë kolosësh ku arriten majat me Mons Vinçenc Prennushin poetin e ambëlsisë dhe shijes poetike, At Gjergj Fishtën, At Anton Harapin, At Zef Pllumin, etj. 
Bash në rreshtin e këtyne ban pjesë nji tjeter Françeskan At Viktor Volaj që, bashkë me zhgunin bojë kafe, me konopin tre nyjesh muer misonin me dashtë Shqipninë e me vashdue rradhën në rreshtin e françekanëve për Fe e Atdhe. 

Veprimtaria e tij shkencore 

At Viktor Volaj pak i njoftun prej publikut shqiptar ka dhanë ndihmesen e tij në fushën e studimeve shqiptare. Fatkeqësisht nuk ekziston vepra e tij e plotë, përveç veprës Famullia e Bizës e botueme në Kosovë në vitin 2005 nga françeskanët e atjeshem. Kjo për shumë arsye. E para se në kulmin e krijimtarisë së tij në Shqipni u instalue diktatura komuniste, që çoi në eleminimin e këtyne figurave nëpër fushat e ndryshme kulturore. U detyrue At Viktori të punojë në heshtje, në vetmi, i izoluem në boten e tij prej nji akademiku të vertetë. Edhe pse në ketë gjendje ai e dha kontributin e vet në studimet shqiptare. Arsyeja e dytë asht se krijimtaria e tij ndodhet e botueme nëpër vepra të ndryshme, dhe njikohësisht e shpërndame nëpër dosje dhe e pa botueme. 
Në fillim të muejit shtator u paraqitë në Biblioteken At Gjergj Fishta në Shkoder Z. Karlo Marlekaj prej bujarisë së tij na dhuroi nji dosje me shkrime e studime të ndryshme gjuhesore, etnografike, toponomastike, historike të At Viktor Volaj. 
At Viktor Volaj kje edhe redaktuesi i disa prej veprave të At Gjergj Fishtes. Nën kujdesin e Volajt u botue ne vjetin 1941 Mrizi i Zanavet, Vallja e Parrizit, Anxat e Parnazit, etj. Keto ribotime të kryeveprave fishtiane u shoqnuen edhe me nji aparat kritik spiegues. Nga ana tjetër nuk ishte e lehtë për Volajn të bante redaktuesin e vepres së Fishtes tue pa plejaden e madhe që françeskanet në vitet ‘30 e ‘40 të shekullit të kaluem i dhuruen popullit shqiptar. La në dorëshkrim të komentueme kryevepren epike Lahuta e Malcis. 
Studime, shënime, kërkime të At Viktor Volajt që tash sëfundmi na ranë në dorë përbajnë nji visar të çmuem në lamën e studimeve shqiptare. Zbardhja dhe botimi i këtyne studimeve do të jetë nji homazh dhe nji nderim për At Voljan, i cili me duresën e tij tue mos e mbajtë kohën në dobi të vetvetes por jau dhuroi të tjerëve. Në fund të fundit ky asht edhe misoni i “fratit” dhe i “studiuesit”, në shërbim të të tjerëve. Bash në kulmin e krijimtarisë së vetë ai e kaloi në heshtje, frikë e kërcenime, sa që diftojnë ata që e kanë njoftë se shpeshherë e ulte zanin gjatë bisedave (kjo mbasi kishte ra komunizmi) nga frika se mos e spiunonin. Edhe pse në heshtje, punoi me mjetet e tij të vorfna për hir të sistemit të asaj kohe për kulturën shqiptare. Fryt i punës së tij të palodhshme janë nji grumbull letrash, faqesh të zverdhuna prej kohet ku diftojnë njohuninë e tij dhe pregatitjen e tij prej nji shkencëtari të vertetë. Thash ma naltë se ka punue më mjete të vorfna për arsye të sistemit, tue u nisë nga disa studime të tij të lana përgjysë, të pambarueme, ose me citime librash që ai nuk i kishte në atë moment në duer por i kujtonte përmendesh. 
“Shkencëtarët” e akademisë së “shkencavet” të asaj kohe e kanë “shfrytëzue”, por asnjiherë nuk ja dhanë meritimin e duhun. 
Duhet të veçojmë në atë kohë gjuhëtarin Eqrem Çabejn i cili ruente dhe kishte nji respekt për françeskanet, sikurse edhe françeskanët e kishin nderue filologun e ndritun sapo u kthye nga studimet e tij, tue e perkrahë në misonin e tij shkencor në botimin herëpashere në revistën Hylli i Dritës, ku kulminoi në botimin e librit: Per gjënezen e gjuhës shqipe. Kjo perkrahje nga ana e françeskanve kishte krijue ne zemren e Çabejt nji respekt e nderim për Françeskanet e në veçanti ndaj dy gjuhëtarve: At Justin Rrotës e At Viktor Volajt. Do të ishte me interes dhe punë e madhe sikur të botohej korrespondenca mes këtyne gjuhëtarve. 
Në bibliotekën Françeskane At Gjergj Fishta në Shkoder gjatë sitemimit të librave më ra në dorë libri i Çabejt: Shumësi i Singularizuar në gjuhën shqipe, botue në vjetin 1967. Për çudi në nandor të po atij viti në kulmin e përsekutimeve ku u mbyllen Kishat, ky studiues ja dhuron librin mikut të tij At Viktor Volajt. Nji kushtesë, nji dedikim, nji kujtim i çmuem që vuloste përherë miqësinë mes këtyne dy gjuhëtarve, mes Çabejt e Françeskanve. 
Studimet e tij klasfikohen dhe ndahen në: studime gjuhësore që përfshijnë studime rreth prejardhje fjalësh, zhvillime etimologjike të tyne, neologjizma, etj. Kritika fjalëve me shtjellime të mangëta ose të gabueme të botueme në fjalorët zyrtar prej Akademisë së Shkencave, etj. Me interes asht edhe komenti i Lahutes së Malsisë nga At Viktor Volaj. Komenti përmban ma shumë se 6000 shënime. Këte e ka pohue vetë Volaj në nji leter dergue A. Kostollarit. Vepra Lahuta e Malsisë e komentueme dhe e redaktueme prej At Viktor Volajt simbas dëshmisë së At Zef Pllumit aty rreth vjetit 1944 asht dërgue në Firence të Italisë për botim. Me hymjen e komunizmit asht ndrepre gjithçka, nuk dihet fati i vepres. Në dorë kemi Lahutën botim i vjetit 1937 të shoqnueme nëpër faqet e saja me shenime e shpiegime fjalësh apo ngjarjesh rreth saj. 
Një vëmendje të veçantë At Volaj i ka kushtue edhe studimeve toponomastike. Këte e shohim tue shfletue materialet e ruejtuna gjatë punës së tij disavjeçare në rrethana të vështira. Studimet toponomastike janë kryesisht rreth zonës së veriut. Studime e toponima mbi rrethinat e Shkodrës, Malsinë e Madhe, Pukën, Mirditën me rrethina, Kurbinin, Kepin e Rodonit, Bizën, etj. Të gjitha këto studime ndoshta disa prej tyne të mbetun edhe përgjysë paraqesin dhe mbartin më vete randisë jo vetëm për njohuni të këtyne vendeve por kryesisht janë të vlefshme për studimet dhe vjetërsinë e gjuhës shqipe. Me fjalë të tjera i shërbejnë filologjisë shqiptare. Bash tue u nisë me emnat e vendeve, kodrave maleve, prrojeve, etj, gjuhëtarët kanë pa nji vazhdimsi qindravjeçare të gjuhës shqipe. 
Në studimet e kërkimet e tij historike spikasin: studime mbi Kepin e Rodonit, Bizën, etj. 

Botimet

Prej krijimtarisë së At Viktor Volajt janë botue këto studime: P. Viktor Volaj, OFM., Famullia e Bizës, Gjakovë 2005. Në këte studim autori jo vetëm që ban nji vëzhgim historik mbi këte trevë, por studion edhe të folmen, toponomastikën si dhe zakonet e doket e atyshme. Ka bashkëpunue me At Justin Rroten për përpilimin dhe redaktimin e vepres: Gjuha e shkrueme ase verejtje gramatikale, “sidomos në pjesën e I përsa i përket të damit e gjuhëvet, elemtavet autoktonë të shqipes, dhe burimit të huajtun nga greqishtja e rumanishtja. Njashtu edhe në pjesën e dytë të Morfologjisë, trajtimi mbi përemnin mund të thomi, se ashtë punue gati krejt prej tij” (Shënim i At Justin Rrotës). At Viktor Volaj, Smundja e deka, në At Gjergj Fishta 1871-1940, numër përkujtimuer neper kujdes t’A. Benedikt Dema O.F.M. Shkodër 1943, fq. 341-346. At Viktor Volaj, Gjon Kamsi, në Kumbona e se dieles, 1992, nr1, fq. 22-23. At Gjergj Fishta, Mrizi i Zanavet, me parathanje e komentueme prej At Viktor Volaj. Në lidhje me botimin e Mrizit të Zanavet nën kujdesine Volajt, Aleksander Xhuvani pat shkrue: “Kurrkush ma mirë se nji nxanës i Fishtës (në vështrimin e ngushtë të fjalës, pse nxansa po jemi të gjithë të Tijt) nuk kishte mujtë me ndërmarrë dhe me krye nji të tillë vepër komentimi, e kurrkush ma mirë se nji Vëlla i Tij në Shën Françeskun nuk kishte mujtë me e kuptue dhe me e qitë ne shesh si lypet frymën e tijë. Tue lexue lirikat e “Mrizit” të pertrihen po ato ndiesi qi Poeti desht me na i komentue me anë t’artit, dhe shumë ma tërheqese bahen të shoqnueme prej njij komenti, si ky i Atit Viktor, të mbatun dhe të plotësuem me njohtime historike shum të randësishme”. At Gjergj Fishta, Vallja e Parrizit, me parathanje dhe e komentueme prej At Viktor Volaj. “Treva e Rodonit në principatën e Skënderbeut. – Vëzhgim historik – etnografik, në Hylli i Dritës, nr.4, 2010 fq. 133-157. Edhe njiherë duhet me falenderue Z. Karlo Marlekaj, nipin e At Jak Marlekajt gjuhëtar dhe bibliotekofil, për këte vepër të naltë bujare e fisnike, tue ja dhanë dorëshkrimet e At Volajt Arkivit të Bibliotekës Françeskane At Gjergj Fishta. 

Jetëshkrimi i At Viktor Volaj 

At Viktor Volaj u lind me 06.12.1910 në Shirokë (Shkodër). Më 10.  09.1925 hyni në seminarin françeskan. Në vitet 1928-1929 kreu noviciatin në Troshan, ndërsa Kushtet e përjetshme në Rregullin Françeskan i muer në vjetin 1932. Tue fillue prej vjetit 1937 e deri në vjetin 1946 kje profesor i gjuhëve klasike, greqisht e latinisht në “Liceum Illyricum” Në vjetin 1941 sekretar e Provincës kur Provincial ishte At Anton Harapi. Kuvendet françeskane u mbyllen në dhjetor të vjetit 1946 me urdhën që dy freten të mos jetojnë bashkë. Tue qenë se ishte njohës i thellë i gjuhë shqipe në vjetin 1946 u thirr në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarve për punë gjuhësore. Komentoi vepren Lahuta e Malisë aty rreth vjetit 1942. Prej vjetit 1949 e deri në vjetin 1954 internohet në Tepelenë, Lundërz dhe Kamzë. Mbas internimi kthehet me vijue pune e tij baritore ku shërbeu si famullitar në Tiranë dhe në Bizë 1954-1967. Gjatë kësaj përiudhe sikurse u pa u muer intensivisht me studime gjuhësore e historike. Mbasi u mbyllen Kishat e deri në vitin 1990 qëndroi pranë të afërmve të vetë nën vëzhgimin e frikëshem dhe tmerrues të shtetit komunist. Vitet e fundit i kaloi në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Ndërroi jetë me 05 nandor 1995. Shkrimet e pabotueme të At Viktor Volaj, ruhen në Arkivin e Bibliotekes Françeskane At Gjergj Fishta - Shkodër. 

At Viktor Volaj i shkruan Kostallarit... 
Gjuhën shqipe po e zotëron stili gazetaresk

Këtë letër, At Viktori, në vjetin 1967 ja ka dërgue Androkli Kostallarit, që nga gazetar si profesion, sistemi komunist e vuni në krye të institutit të studimeve dhe kërkimeve gjuhësore. Me këte letër At Volaj i ban nji kritikë Kostallarit për librin e tij mbi Kompozita në gjuhën shqipe, e krahas kësaj sjell shumë risi dhe shtjellime fjalësh të reja në gjuhën shqipe. Ndalet edhe në analizime dhe paraqet fakte për përdorimin e tepruem të fjalëve të hueja në leksikun e shqipes. Këtu gjejmë të dhana mbi komentin e Lahutës së Malsisë, si dhe mbi një fjalor që Volaj e kishte pergatit dhe do ta dërgonte në Akademinë e Shkencave brenda vjetit 1968, për të cilin nuk dimë ende se ku ndodhet. Ndoshta ky fjalor do të jetë i ndrym nëpër arkivat e Akademisë sikurse ishte edhe Gramatika e At Justinit. 
Bizë (Rodon) 4/10/1963 

Shoku Androkli, 

Ka shumë kohë – gati një vjetë – që kishe në mend të ju shkruejshe në lidhje me studimin tuej mbi kompozitat: dëshirojshe t’u përgzojshe me Ju për këte studim të çmuem me të cilën po pasunohet gramatologjia shqipe. Ky ashtë një argument që ashtë trajtue vetëm për rrëshqit, së parit prej N. Jokl-it (1925) dhe ma vonë nga K. Cipo dhe A. Xhuvani. Me studimin Tuej trajtohet ex professo ky argument që pritte tash kohë dorën e një studiuesi kompetent. 
Studimi i Juej ashtë i plotsuem nga çdo pikëpamje, pse nisë me një analizë të hollsishme të gjithë gramatologëvet të shqipes. Mandej merr në shqyrtim edhe shumë kompozitat që na dëshmohen nga onomastika dhe toponomastika e herëshme, si edhe disa prej atyne që ndeshen qyshë në shkrimtarët e vjetër. Në këte anë studimi përforcohet me provë të gjalla për pasuninë e kompozitavet në gjuhën shqipe. Ndoshta Hahn-i dhe Camarda sulmohen pakëz tepër, kur të keni parasyshë faktorin psikologjik që ka ndikue në gjykimin e tyne; këta të dy përfaqsojnë dý gjuhë që janë ndër ma të pasunat për kompozita të ndryshme: i pari gjerman dhe i dyti, megjithëse arbëresh me shpirt e me zemër, ka si gjuhë greqishten gjuhë liturgjike dhe kulturore, gjykimet e tyne duhet të gjykohen nen prizmin e në barasim me këto dy gjuhë që janë gjuhët par excellance të pasuna për pasuni kompozitash. Si e dini, disa koncepte të greqishtes së vjetër vetëm me anën e gjermanishtes mund të përkthehen: mot a mot. Do të kemi mandej para syshë se ata nuk e njihshin sa duhet (as nuk ishin në gjendje n’atë kohë) pasuninë e leksikut të shqipes. 
Në dallimin e kompozitavet ju përdoret termat klasikë të K . Brugmann-it kompozita ezoncentrike dhe ekzoncentrike. Ndoshta ashtë mirë të theksohet edhe termonologjia që përdorin sidomos Francezët dhe italjanët e të tjerë: kompozita sintaktike dhe ____(fjalë që nuk kuptohet – damtue fleta). 
Një kritikë mbi trajtimin e fjalëve të reja, besoj, kishte për t’a plotsue argumentin nga çdo anë. Ndeshemi shpesh herë në neologjizma fjalë trajtimesh që nuk i përgjegjin plotësisht natyrës së shqipes. 
Do të më lejoni, nëse do të ndalem mbi një fjalë të përbame, që shumë kush e mban si t’ishte një neologjizëm e rilindasvet. Kurse në të vërtetë ashtë fjalë thjeshtë e popullit. Por n’atë kuptim që e përdoret një pjesë e madhe ashtë një neologjizëm veshtrimi, që nuk i përgjegjë veç aspak natyrës së shqipes. E kam fjalën për kompozitën shpirtëmadh, shpirtëmadhe. Në veri shpirtëmadh do të thotë pashpirtë, zemërgur, i pamëshirëshëm. Këte kuptim unë e kam pasë rasën me vërtetue në popull edhe në jug (në Kurjan). Në kuptimin që duen t’a përdorin sot ashtë një calque i gjuhëve të hueja (krhs.lat. magnanimus nga magni-animus, magno-animus; gjerm. Grossmut, grossmütig etj.) Argumenti deçiziv asht krejt vargu i fjalëtrajtimevet emën mbiemni i madh, kur tregohen veti morale. Kështu kemi; 
mendemadh, e; njiri që i duket vetja i madh, që mbahet i madh; 
fjalëmadh, e; ai që mburret me fjalë të mëdha, që nuk ashtë si ka fjalët; 
pasëmadh, e; ai që mbahet se ka, por që në të vertetën nuk ashtë si do t’a tregoj veten. 
Ndëgjohet në Shkodër, sidomos prej plakash, kur duen të kritikojnë një njeri që ban shpenzime përmbi fuqi vetëm për t’u dukë para së tjerësh se ka; 
punëmadh, e; ai që mburret kinse ban punë të mëdha; 
hatërmadh, e; që i ngel hatri me njëherë, që preket shpejt. 
Përkundër ndër fjalë që tregojnë veti fizike kanë kuptimin e natyrshëm. Kështu kemi: shtatmadh (që ka shtatin e madh), kryemadh (me kokë të madhe), symadh (me sy të mëdhaj), kambëmadh, burrëmadh. Për fjalën magnanimus shqip kemi zemërgjanë (zemërgjërë). 
Çdo gjuhë ka natyrën e vetë, si e dini. Në greqishten e vjetër (flas për të vjetrën, pse nuk e njoh greqishten e ré) megalo-nous do të thotë mendemprehët (por fjalë për fjalë do të thotë mendemadh). 
Shumë gjana janë tue hy hiri e pa hiri, pa pasun para sysh natyrën e gjuhës së popullit. Në këte pikëpamje rilindasit tanë kanë qenë ma të kujdesshëm në veshtrimin e gjuhës së popullit. Gjuha po ecë përpara dhe po ban përparime të mëdha, por ashtë friga se tue u studjue shkencorisht, po çveshet nga shumë karakteristika të shprehjevet popullore. Në gjuhën e shkrimevet tona po mbizotnon stili gazetaresk. Purizmi i gjuhës u flak. Nuk flas për fjalët e reja të tipit të Logorecit ase për kompozita ultrapuriste të shnatyrëshme të S. Rizës, por për shumë fjalë që i përdornë me shumë shije rilindasit dhe që u lanë mbas dore, jo për tjetër, por pse nuk njihet gjuha e shkrimtarvet. 
Vepra e A. Xhuvanit “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” duhet të jetë një “Vademecum” e nxanësve të shkollavet të mesme tona. 
Ç’nevojë kemi, p.sh. të përdorim foljen turqishte rastis, kurse kemi në gjuhën shqipe: ngjanë, ndollë, qëllon etj. përveç mënyravet të tjera perifrastike sot përgjithësisht përdorin fjalën rasë si term gramatikor që e ka fillimin te “Folëmarmja” e Bashkimit 1901, por kjo ashtë përdorë prej shkrimtarësh edhe për fjalën turqishte të sotshme rast. Gjuha italishte përdor fjlaën caso për të dyja kuptimet. Edhe gjermanishtja me ndryshimin e një parashtese përdorë: fall, zufall Pse të kthejmë te një turqizëm mbas sa kohësh që ashtë lanë mbas dore. Edhe pse ndoshta këtu kemi një kryqzim të fjalës shqipe me turken, kjo niset prej ranjës shqipe ram, rënë. Samiu si term gramatikuer përdorë rënjë (cas). Turqizmat të përdorën aty ku nuk mund të zëvendsohen. Ashtë qenë harrue fjala zarzavate, dhe ashtë përdorë barishte si e ka populi në veri. Sot lexohet gjithëkund në tabela. Këtu ma përpara kemi pasë përdorë barna për ilaçe, dhe neologjizma barnatore ka pasë zëvendsue farmacinë. 
Do të më falni në se do të kaloj te një pikë tjetër: te Fjalori i Gjuhës Shqipe. Me botimin e parë të fjalorit ashtë ba një punë shumë e mirë; kurrgja mos me qenë ashtë grumbullue një pjesë e mirë e materjalit të fjalorëvet të përparshëm së bashkut. Përmbi këte fjaluer ashtë shkrue disa herësh nga persona të ndryshme ku ma pak ma shumë, edhe me kompetencë. Due të theksoj vetëm një gja të vetme: ndër fjalorët e gjuhëvet moderne (flas për ato që njoh) që kanë tradita shekullore, edhe sot, mbas sa shekujsh, ndihet nevoja të vihen në beh lexuesët që mos të përdoret kjo ase ajo fjalë ase trajtë por të zëvendsohet me fjalë ase trajta ma të drejta. Kur gjuhët e punueme me tradita shekullore ndiejnë nevojën për vrejtje të tilla, pse mos të përdoret edhe ky kriter sot: në ata lexojmë: neologjizëm i papelqyeshëm. Barbarizëm për t’u zëvendsue me … Në fjalorin e gjuhës, për shembull, kemi: sergjen (sergji shk.), policë, lëpizë, shtreth-i (në Bizë përdorët trajta shtrethe-ja). Kjo e fundit ashtë krejt shqipe, pa dyshim, e para edhe e dyta të hueja (turqisht e slavisht) të cilat duhet me kohë të eliminohen dhe të zëvendsohen me fjalën shqipe. Prandej kishte për t’u dashtë në një botim të ri, jo me i vu ma verbëtas si përpara mbas të gjitha trajtat si sinonima, por të theksohet për ato, që asht e mundëshme që mund të bahet: turqizëm për t’u zëvendsue me. … slavizëm për t’u zëvendsue me … Kështu sidomos nëxanët edukohen dashtë e pa dashtë me shijen e gjuhës. Jo të gjithë janë në gjendje të dijnë të dallojnë egjrën prej grunit. Tash do kohë kam përfundue një monografi mbi famullinë e Bizës, ku kam përmbledhë gjithëçka. Përveç të tjerash kam shfrytue relacjonet e shek.XVII, sidomos ato të Marin Bizzi-t, i cili ka ndenjë në këto ana plot një muej. Kam mbërrijtë mbas sa përpjekjesh të indentifikoj disa vende të panjohuna, ndër të tjera ato dy fshate të zhdukuna që kishin ma se 60 shtëpi. Këto shenime i a kam dhanë Njac Zamputit, me gjithëse i ka vu, pa diftue se prej kuj janë qenë gjetë! Njëkohësisht këtij punimi i kam kushtue një kapitull mbi të folmen dhe një grumbull fjalësh të rralla ase me kuptime të tjera, disa fjalë që njihen për të tregue hapësinën e tyne, dhe që mund të mendohen se janë vetëm të zonavet të Veriut. Fjalori në këto ana nuk ashtë gjithëaq i pasun, por ashtë i pastër. Ja disa shembuj: 
kashtoj: qes kashtë gjedhevet, (F. GJ, ka vetëm: rrethoj me kashtë) 
vathoj: ngreh një vathë për gja të gjalla, (F. i GJ, ka: plehnoj arën duke vënë vathën e dhenvet në të.) Këto përdorin përgjithësisht, dhe jo vetëm me një kuptim të caktuem. 
ferroj, ferrose: (folje denominative që nuk e ka fjalori): theri me ferra, therem në ferra. Nga folklori: “m’ferroi ferra kambën. Rashë e thera kambën”. 
sodom: qes farë, shkatërroj në themel (fjalë që ndihet rrallë). Fjalori e ka vetëm si shprehje të Kanunit; e përdorë edhe Fishta. 
rröhem (rryehem), përdoret vetëm në kuptim reflektiv, me aorist sigmatik: u rrösh (u rryhesh): përpiqem, mundohem etj. 
rij, (pasuni): përtrij pusuni; përdoret vetëm si folje transitive; nuk ndihet këndej folje e përbame (përtrij) por vetëm e parmja. 
vapore: kam vapë të madhe. Fjalori i Gjuhës ka: kaloj vapën në një vend fresk. Nuk besoj të jetë ky kuptimi: kam frigë mos kemi ndonjë lapsus, pse kuptimin duhet t’a kishte shvapohem po të ekzitonte. 
kalaroj: i bie për rreth një vendi, qarkoj rrethoj (fjalë e zakonshme në këto ana). F. i Gj. ka kacavirem (për bimë që qepen në një dru); 
Mbas sa kohësh kam ndëgjue fjalën pukë, të cilën, si e dini, e ka Frangu i Bardhë: udhë puukë (via publica) prej kah duhet të ketë origjinën toponimi i sotëm Pukë. Këtu ndihet por rrallë për diçka të dukëshme, p.sh: pukë e bardhë, e kuqe, e zezë, etj. një vend një diçka e dukëshme e bardhë, e kuqe etj. 
Ka do kohë që shtyp lexohet numur për numër. Një asimilim dialektor për numër si thuhet gati në mbarë Shqipninë. Edhe në Shkodër thonë: sugurisht, fugure (asimilime të ngjashme me këto) por duhet të mbesin trajta dialektore. Unë për vete shkruej përherë: sigurisht, figurë. 
Fjalori si thashë përgjithësisht ashtë i pastër. Ja për shembull pjesët e parmendës: 1; vigu (shtijza); 2. kalostra (pjesa e kthyeme e dorzës); 3. dorëza (pjesa e kthyeme bashkë me pjesën horizontale, krejt një cope); 4. qajka (kunji që mbërthehet për zgjedhë; 5. sqapthi (një bosht që lidhë dorëzën, vigun e verzat); 6. pylka e sqapthit (pykëla e sqapthit); 7. qajka (kunji që mbërthehet për zgjedhë); 8. thikëza (pjesa e drunit ku shtihet plori); 9. verzat (veshlat); 10. javaçi (guzhma); 11. zjedha (zgjedha); 12. kulari; 13. qerfulli (kunji që shtihet në kular). 
Nuk po shkoj ma gjatë në numrimin e këtyne fjalëve: ju çeka vetëm disa sa për të pasë një ide: unë këte fjaluer do të u a dorëzoj kah fillimi i vjetit të ardhëshëm, si një kontribut të vogël për fjalorin e përgjithëshëm. Kam marrë vesht se në këte vjet ishte zhvillue një mbledhje e leksikografëvet: me andje do të kishe dëshirue të ishem n’atë mbledhje, për të marrë pjesë në diskutimet e zhvillueme. Me studimin e leksikut të shqipes jam marrë përherë. Rreth Lahutës së Malcis kam pasë ba në 1942 afër 6000 shenime. 
Studimi i leksikut të krahinavet të ndryshme ashtë i interesantshëm nga çdo pikëpamje. Para gjashtë muejsh më ndodhi rasa të ndëgjojshe prej një fshatari nga Kodërlaçi fjalën dölltinë. Tashti duhet dijtë se në këte të folme y-ja tonike shqiptohet si një ö e shkodranishtes (vö, orë); pra dylltinë. U interesova për këte fjalë edhe më diftoi se thirret kështu një tokë ngjithëse si dölli (dylli). Dhe atëherë thashë me vete: eureka (e gjeta)! Këndej dalin të kota elukubracionet e glotologëvet për t’i gjetë ranjën fjalës deltinë prej daltinë etj,etj. Unë këte fjalë e kam studjue në shkollë, por nuk dijshe se ku përdoret. Për mue etimologjia e saj ashtë e zhvillueme njëherë e mirë. Kështu na del se këto ana kanë dy fjalë për argjilë: dylltinë (argjila e kuqe) dhe grill-i (argjila ngjyrë hini). E para ndëgjohet shumë rrallë, pse argjila e kuqe ashtë e rrallë: në këto ana toka asht formacjon shtufi. Do të më falni për mërzi që ju shkaktova në këte letër. Edhe një fjalë të vetme: pse përdoret vazhdimisht në shtypin e sotshëm akoma greqisht e rumanisht tue pasun shqip ende (ene, nene dialektoret); tani një greqizëm i kallepit tà nyn për tash, i tashëm. 
Me kaq po përfundoj tue Ju kërkue ndjesë për merzi që mund të kemi shkatue në këte letër, por të jini të sigurtë se nuk jemi nga kurrgja tjetër por nga dashunija për gjuhën kombëtare. 

Me nderime të shqueme 
A.Viktor Volaj 
Ishëm – Bizë 


(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora