E premte, 19.04.2024, 11:35 AM (GMT+1)

Editorial

Ilir Hoti: Ndarja e buxhetit të Kosovës dhe mjerimi social i shërbyesve civil

E marte, 16.03.2010, 11:59 PM


NDARJA E BUXHETIT TË KOSOVËS DHE MJERIMI SOCIAL I SHËRBYESVE CIVIL

Nga Ilir Hoti

Shërbyesit civil të Kosovës janë kategoria më e diskriminuar dhe më e nënçmuar nga të punësuarit që marrin pagë prej buxhetit të Kosovës. Tani një polic me shkollë të mesme merr pagë sa dy ekspertë që punojnë në administrate publike e që e kanë të kryer fakultetin. Madje polici me shkollë të mesme (që mund ta ketë kryer privatisht pasi s`ka mësuar me kohë) merr pagë shumë më të lartë jo vetëm se juristi apo ekonomisti  i  diplomuar por edhe se shefi i sektorit, se drejtori regjional e madje edhe se drejtori i departamentit! Kjo nuk ngjan askund në botë ku ka ligje, ku ka  rregulla, ku ka sistem, por ngjan tek ne ku shpërndarja e buxhetit bëhet në mënyrën më të keqe të mundshme. Njerëzit në Kosovë veçmas ata që marrin të ardhura nga pasuria nacionale e Kosovës  janë të pasur ose të varfër jo për shkak të aftësive profesionale dhe përkushtimit në punë, por varësisht prej asaj se ku punojnë, a punojnë në PTK, KEK, Aeroport, polici, arsim , shëndetësi apo në administrate publike dhe punojnë aty ku paguhet më shumë jo për shkak të përgatitje profesionale dhe vlerave të tjera , po për shkak të lidhjeve me politikën ose se iu ka buzëqesh fati! Është krijuar kjo gjendje sepse qeveria e Kosovës nuk ka pas e as nuk ka ndonjë projekt i cili do ta shpërndante pasurinë pa i diskriminuar qytetarët dhe të punësuarit e vet, por vepron nga rasti në rast pa e respektuar asnjë parim dhe duke i shikuar interesat momentale të ndonjë klani. Dihet nuk ka kuptim, është absurde që një ekonomist në KEK të marr pagë sa katër ekonomistë që punojnë në administrate publike, në kushtet kur KEK-ut i jepen 50 milion euro nga buxheti i  Kosovës. Po ka buxhet me ju dhënë 50 milion euro KEK-ut, kur të punësuarit në këtë kompani marrin paga 2-3 herë më të larta se të punësuarit në administratë publike e nuk po ka mjete me i rritë pagat e shërbyesve civil. A nuk ka qenë më mirë që të ishte evituar kjo diferencë absurde duke ia ndal 10 milion KEK-ut të cilat do të shkonin për rritjen e pagave të shërbyesve civil të cilat do të nivelizoheshin me pagat e të punësuarve në KEK? Në kushtet kur KEK-ut i jepen 50 milion euro nga buxheti i Kosovës ndoshta do të kishte kuptim që të punësuarit në këtë kompani të merrnin paga sa shërbyesit civil, por nuk ka kuptim që ata të paguhen 2-3 herë më shumë se ata, sepse në një farë mënyre edhe ata po paguhen nga buxheti. Bile nuk ka kuptim as që ekonomisti që punon në PTK që ka afarizëm pozitiv të merr pagë sa gjashtë ekonomistë që punojnë në administrate, sepse PTK nuk është pronë e të punësuarve në të, po është pasuri nacionale e Kosovës. Sidoqoftë pagat marramendëse për realitetin e Kosovës që i marrin të punësuarit në kompanitë publike janë një absurd i trashëguar nga UNMIK-u të cilin absurd është dashur ta korrigjojë qeveria e Kosovës siç pat premtuar PDK sa ka qenë në opozitë, e që nuk u bë, sepse pushtetarë tanë e zgjodhën rrugën më të lehtë dhe më të dobishme për ta , i dërguan të punojnë atje familjarët, shokët, miqtë dhe militantët partiak.
Dihet pagesat e punëtorëve që marrin paga nga buxheti, përjashtuar funksionarët politik që mendojnë vetëm për vete dhe jo  për Kosovën dhe qytetarin e saj janë të ulëta. Megjithatë shërbyesit civil janë  shtrirë për toke, janë shndërruar në raste sociale. Qeveria e Kosovës do të  duhej t`i trajtonte njësoj njerëzit të cilëve ua ndan kafshatën e bukës e jo që të bëj dallime e diskriminime të paarsyeshme, për dikë të jetë nënë e për dike njerkë. Të gjithë të punësuarve që marrin paga nga buxheti kjo qeveri ua ka rritë pagat, përveç 14000 të punësuarve në administrate publike apo shërbyesve civil. Dhe për këtë çdokush dëshiron dhe përpiqet të dal të mos mbetet shërbyes civil sikur shërbyesit civil të ishin kriminel ta kishin ndonjë sëmundje ngjitëse ose të ishin armiq të Kosovës. Me fatin e mjerë e të shërbyesve civil veçmas të asaj pjese të madhe që nuk janë të korruptuar nuk merret askush, ata viktimizohen edhe pse nga ky viktimizim nuk fiton asgjë jo Kosova, po askush. Thjeshtë nuk e di dhe nuk besoj që e di ndokush se pse viktimizohet kjo kategori e njerëzve. Nuk besoj që e dinë as ata të qeverisë, por kjo vjen nga joprofesionalizmi i tyre, nga mungesa e përkushtimit në punë, nga mungesa e planeve dhe projekteve qeveritare dhe me gjasë nga fakti se qeveria është e papërgjegjshme dhe nuk e di çka është duke bërë. Nuk qëndron argumenti se nuk ka mjete për rritjen e pagave të shërbyesve civil. Pse po ka mjete për rritjen e pagave të funksionarëve politik të cilat tani janë më të lartat në rajon, kur pagat e shërbyesve civil nuk e arrijnë gjysmën e pagave të shërbyesve civil të rajonit, pse po ka mjete për rritjen të pagave të kategorive të tjera të punonjësve buxhetorë, që kjo qeveri i ka shkëput nga shërbyesit civil, për t`i nëpërkëmbë këta të fundit. Kjo qeveri është dashur që pagat e shërbyesve civil dhe pagat e policisë, të shëndetësisë, të arsimit … t` rris duke u bazuar në kritere në të cilat bazohen shtetet tjera evropiane, sepse e di që asnjë qeveri e asnjë shteti nuk ka bërë këso diskriminimesh e as që do të bëj ndonjëherë sepse nuk ka arsye t`i bëj. Është logjike që ekonomisti që punon në administrate të paguhet sa profesori që punon në shkollë të mesme, pak më pak se mjeku i mjekësisë familjare, më shumë se motra medicinale dhe kuptohet më shumë se polici i thjeshtë që nuk ka funksion udhëheqës. Kështu e kanë rajoni, kështu e ka Evropa .
Edhe pse vëmendja e opinionit publik nuk është kthyer kah pozita sociale e shërbyesve civil, mund të them se pozita e tyre është ndër më të rëndat në Kosovë, madje më e rëndë se e pensionistëve, më e rëndë se e gjysmës së shfrytëzuesve të ndihmave sociale. Nëse një pensionist që ka punuar më parë i merr 80 euro, ai dhe 45 euro bashkëshortja ose bashkëshorti, këto bëjnë 125 euro aq sa i merr pastruesja e cila punon në administrate publike. Dihet zakonisht pastruesja ose pastruesi është e vetmja që punon në shtëpi dhe me at pagë i duhet t`i rris mesatarisht 3 fëmijë dhe ta mbaj një familje.
Rreth  gjysma e shfrytëzuesve të ndihmave sociale nuk janë raste sociale, mund të kenë vetura të mira, (vetëm regjistrimi dhe mirëmbajtja e të cilave kushton)  shtëpi të mira dhe standard jetësor të mirë. Kanë edhe të ardhura, punojnë në të zezë ose mund t`i kenë deri në 30 lopë ose edhe 100 dele!  Ose marrin ndihma sociale si   persona me aftësi të kufizuara, ndërsa punojnë gjithë verën si mjeshtër të ndërtimtarisë! Kjo kategori nuk do të merrnin ndihma sociale edhe sikur të ishin në Suedi, ndërsa Kosova ka mjete t`iu jap ndihma edhe të tillëve, në kushtet kur atyre që njëmend kanë nevojë për ndihma ua jep nga 65 euro ose nuk u jep hiç se fëmijët e tyre  i kanë mbushur 5 vjet! Dhe për ironi shfrytëzuesit e ndihmave sociale që vozisin nevojë e pa nevojë automobila që kushtojnë mbi 10000 euro dhe kanë shtëpia të reja dhe të rregulluara e mobiluara mirë trekatëshe, ose i kanë 30 lopë ose 100 dele, ose që punojnë në të zezë, nuk paguajnë rrymë sepse ua paguan shteti (edhe atëherë kur shfrytëzuesi i ndihmës sociale i harxhon mbi 1000 KW ) i cili nuk ka mjete për rritjen e pagave të shërbyesve civil, i cili nuk ka mjete për ata që jetojnë në mjerim të plotë, dhe jo vetëm kaq por ata, vozitësit e veturave luksoze... nuk paguajnë as participim te mjeku, as…
Kosova nuk ka shumë mjete, buxheti i Kosovës është i varfër, por po të bëhej një ndarje më e drejtë e këtij  buxheti, të paktën aq e drejtë siç e bëjnë shtetet e rajonit, nuk do ta kishim këtë gjendje të rëndë sociale, do të kishim shtresë të mesme, në të cilën do të bënin pjesë edhe shërbyesit civil, do të kishim shtresë të mesme e cila në çdo shoqëri ekziston dhe e përcakton identitetin e asaj shoqërie.


*Autori është jurist dhe punon në shërbimin civil të Kosovës



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora