E premte, 29.03.2024, 12:52 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Intervistë me poetin Petraq Risto

E marte, 16.03.2010, 08:39 PM


Pse pushtetet nuk i kanë dashur poetët

Intervistë me poetin Petraq Risto

Intervistoi: Qazim Shehu 

Pyetje: Në një kohë të shkurtër ju dolët para lexuesit me dy libra të rinj vëllimin poetik “Apo-ka-lypsi”, një vit pas botimit të vëllimit tjetër “Lexuesi i buzëve: ar+sy+eja!”  dhe romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut”... Pra, në krijimtarinë tuaj, vihet re një ritëm jo i zakontë, çka tregon një tendencë, prirje për të kompensuar diçka, apo është një vazhdimësi e zakonshme pune?

Përgjigje: Shpjegimi vjen disi i komplikuar, megjithatë, për të qenë më i drejtpërdrejtë, them se ka të bëjë me misionin e poetit apo shkrimtarit, me thirrjet e tij të brendshme, me vizionin për botën dhe reagimin e tij, me shpirtin e protestës, por edhe me pozicionin e krijuesit profesionist. Duke qenë bashkëkohës dhe qytetar i një globi të vockël “kopsë në këmishën e gjithësisë”, që në këto dy-tre dekadat e fundit ka ndyshuar sa për dy tre shekuj bashkë, një poet i vërtetë futet në kafazin e kraharorit të epokës së vet dhe bëhet ose zemër ose mushkëri klithëse. Mbase kështu ai kupton edhe misionin. Natyrisht që edhe liria krijuese në këto dy dekada, na bëri të çlirojmë energji të një natyre tjetër, të paktën të zhveshur nga manteli i zi i frikës.

Pyetje: Në tregun mediatik gazetarët zakonisht rendin pas poetëve që lançohen nga politika, çmimet, si e gjykoni këtë?

Përgjigje: Në përgjithësi tregu mediatik, jo vetëm në vendin tonë, ashtu si grimcat, tërhiqen nga magnete të fuqishëm, që mund të quhet politikë apo çmim dhe ky për ta përbën lajm. Fakti që aktorja amerikane Bullok, brenda dy ditësh fitoi çmimin e aktores më të keqe dhe të nesërmen fitoi Oskarin si aktorja më e mirë, përbën lajm; festimi i 65 vjetorit të poetit tonë të shquar dhe mikut tim Xhevahir Spahiu, natyrisht përbën lajm, por për mua, si poet, lajm përbën edhe fakti që në aktivitetin e organizuar me këtë rast përmenden disa poetë dhe “kapërcehet” në harresë emri i poetit Fatos Arapi, i  cili është i vetmi poet shqiptar që ka fituar Kurorën e Artë të Strugës... Përbën lajm fakti që disa autorë, mes të cilëve edhe të talentuar, nderohen me çmime, por nuk përbën lajm fakti që juria nuk përmend të dytët apo të tretët, apo nuk arrin të shpjegojë se si mundet në lumin e rrëmbyeshëm të leximit të numëroj 1000 tituj librash që hyjnë çdo vit në fondin e Bibliotekës Kombëtare, që përbëjnë dhe gurët e këtij shtrati vjetor! E aq më keq pastaj kur nuk arrin të kuptojë apo bën sikur nuk e kupton se çmimet nuk janë vetëm sot për sot, por janë edhe për analistët nesër...

Pyetje: Me që është fjala te Çmimet, a mendoni ju  se uzurupohet e vërteta në kufij të besueshëm?

Përgjigje: Nga sa kuptoj unë, brenda konceptit që kam për të VËRTETËN, kur vjen puna te çmimet ajo (E vërteta) i ngjan kufomës që, pas një dite, sulmohet nga krimbat.

Pyetje: Në një intervistë tjetër që ju kam marrë disa muaj më parë, jeni shprehur se “Kalaja letrare merret nga jashtë”. Por, Migjeni, Noli, Lasgushi, Naimi, Kuteli s’e kanë marrë kalanë nga jashtë...

Përgjigje: Së pari, unë flas brenda kontekstit kohor, pra, brenda logjikës së kësaj kohe të çmendur mediatike, pra, kur bëhen promovime të shoqëruara me koktejle, që i nxisin “grimcat” të rendin, të bashkohen e të krijojnë pasqyrën magjike; kur një politikani apo shërbëtori të politikës i shërbehet më me seriozitet se sa një krijuesi modest, punëtor të palodhur e, natyrisht, të talentuar që punon pa u dukur brenda Syrit të Ciklonit. Flas dhe në kontekstin shqiptar. Edhe në intervistën e kaluar kam theksuar se Kadareja e ka marrë kalanë nga jashtë; kam bindjen se edhe Kadareja, nëse nuk do të botohej jashtë e për të nuk do të flitej përtej kufijve, kalaja brenda do ishte dëmtuar e në ledhe do të kishte ende fantazma të tjera letrare. Kurse emrat e poetëve e të shkrimtarëve tanë të traditës, që ju përmendët pak më lart, natyrshëm janë ngjitur në panteonin shqiptar të letërsisë, ata e morën kalanë nga brenda dhe kanë mbetur natyrshëm brenda në kala, por në kotekstin e vlerave globale dhe të krahasuar me bashkëkohësit e vet, ata janë thuajse fare të panjohur, madje, ne ende nuk ua kemi zbërthyer brinjët estetikë (seriozë e pa cinizëm) për të parë se sa plagjiatë kanë qenë (disa prej tyre)  në kurriz të bashkëkohësve jo shqiptarë...

Pyetje: Qarkullojnë mendime se poeti duhet të jetë i angazhuar, jo thjesht si angazhim politik, por si angazhim qytetar. Si e shikoni rolin e poetit në shoqëri?

Përgjigje: Përderisa poeti është plagë, përderisa poeti është klithmë, nënkuptohet se ai është një organizëm shoqëror i përsosur, është një profet, një moderator mes ideales dhe realitetit, mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes këngës dhe vajit... Poeti e luan rolin e vet me mjetet e veta, me vargje, me libra, njëlloj si aktori apo violinisti në skena. Natyrisht edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, në media apo në gazeta e revista, ai duhet të angazhohet, por ekziston gjithnjë rreziku që poeti, gjatë përplasjeve banale, të keqkuptohet, të injorohet, madje, edhe të luftohet, sepse poeti i mirë është edhe vizonar i mirë, ka disa antena të brendshme, disa busulla të brendshme, siç kanë eshtrat reumatizmalë vetinë e parashikimit të motit. Poeti është tejskajsërisht utopist, humanist, rebel, globalist, është ky shkaku që përgjithësisht pushtetet nuk i kanë dashur poetët, madje njihen me dhjetra e qindra raste nëpër botë e nëpër kohëra, natyrisht edhe tek ne, kur ata janë burgosur, janë persekutuar, janë internuar, madje edhe pushkatuar që nga Dantja e deri te Lorka. Por, sidoqoftë,  Poeti është më mirë dhe ndjehet më mirë kur lufton me armët e veta, plagët e së cilës kanë formën e një ylli, apo të një tërfili me tri fletë Liri - Vllazëri - Barazi...

Pyetje: Cilët janë sipas jush poetët më në zë sot dhe nga se vuan poezia shqipe?

Përgjigje: Poezia shqipe ka bërë hapa të dukshëm cilësorë, është bërë e ngjeshur, e mençur, e ndjerë, e thellë, e guximshme, e çlirshme e pa komplekse inferioriteti. Por shumë poetë nënvleftësohen. Kam mendimin se sot poezia vuan nga ngjashmëria, nga mungesa e individualiteteve, zërave të veçantë, pra, nga forca e novitetit, jo vetëm në kapjen e motiveve, po veçanërisht në origjinalitetin e trajtimit. Poezia e Moikom Zeqos kuptohet menjëherë që është e tij, e ngjeshur, me pancir e shpata metaforash;  poezia  Frederik Reshpjes kuptohet, sepse ka kafazin e kraharoit të një pëllumbi, me të cilën nuk mund të ngresh skafin e  anijes; poezia e Koçi Petritit njihet menjëherë nga muzika dhe ritmet që përçon, nga lirizmi dhe shtrirja dallgëzuese, apo nga gjuha e pasur baladike; poezia e Xhevahir Spahiut bie në sy për pathosin, klithmën dhe energjinë e brendshme; poezia e Faslli Halitit është ndërtuar mbi gjetjet anekdodike të tipit të Vezës së Kolombit, poezia e Luljeta Lleshanakut dallohet për racionalitetin dhe këndvështrimin origjinal, apo poezia e Anton Paplekës të bie në sy për shtrirjen vargmalore si të Ciklit të Kreshnikëve, për gjetjet e veçanta e të pakonsumuara, kurse Roland Gjoza vazhdon të të prek me lirizmin, ndjeshmërinë dhe misticizmin e natyrës njerëzore....e kështu mund të rradhisja dhjetra e dhjetra poetë të talentuar si Fatos Arapi, Sadik Bejko, Niko Kacalidha, Musa Vyshka, Sulejman Mato, Skënder Sherifi, Natasha Lako, Demir Gjergji, Jeton Kelmendi, Shefki Karadaku, Hiqmet Meçaj, Skënder Buçpapaj, Ervin Hatibi, Ali Podrimja, Xhevdet Bajraj, Visar Zhiti, Hamit Aliaj, Ruzhdi Gole, Agron Tufa, Arjan Leka, Skënder Rusi, Fatmir Alimani, Kostandin Dhamo, Nazmi Roli e shumë të tjerë. Në shtëpinë time botuese vazhdimisht vijnë poetë të talentuar dhe kam botuar libra cilësorë poetikë si të Dhori Qiriazit, Izet Shehut, Nuri Plakut, Luan Xhulit, Stefan Martikos, Sherif Balit, Kolec Traboinit, Vaid Hyzotit, Milanov Kallupit, Petraq Kotes, Feride Paplekës, Bajazit Cahanit, Prend Ukajt, Agim Bajramit, Qazim Shemajt, Bardhyl Agasit, Lindita Agollit, Brunilda Boçovës, Shpendi Topollajt, Nikolla Spatharit, Genti Banajt, e dhjetra e dhjetra të tjerëve, të cilët duhet të më falin që sot nuk arrij t’i radhis e me të cilët do merrem më gjerësisht në një shkrim tjetër. Poezi ka, poezi shkruhet e natyrisht që në magjen e madhe gjen edhe bukë të djegura, apo pakëz të pjekura. Kjo është tepër e natyrshme. Mendoj se botimet e internetit shpesh herë për vetë natyrën e përthithjes së tyre automatike, marrin edhe krunde dhe buka e bërë me krunde, natyrisht që nuk ka shije. 

Pyetje: Kontaktet autorë - lexues a mendoni se janë në një distancë të pavolitshme?

Përgjigje: Marrëdhëniet e autorit me lexuesin janë shumë komplekse dhe tepër të fajshme. Lexuesi e ka më komode të shkoj te autori i njohur, apo i cili, falë reklamave e promovimeve, bëhet menjëherë i njohur. Për romanin me shtatë vëllime të aventurave të Harry Poterit, kritiku i madh amerikan Harold Bloom në një shkrim të tij hodhi të gjithë baltën e  nënvleftësimit, por libri u shit në miliona e miliona kopje dhe autorja është mbase më e pasura shkrimtare në botë. Unë natyrisht jam me Bloomin, sepse ai flet për një letërsi të madhe, elitare, të thellë, të mençur, siç mund të jenë veprat e Shekspirit, Uitmanit, “Princi i vogl” i Ekzyperisë, “Murtaja” e Kamysë,  “Njëqind vjet vetmi” e Markezit, apo romanet e Saramagos. Autori ka mënyra të ndryshme komunikimi me lexuesit dhe autori përgjithësisht e kupton veprën e tij edhe nga reflektimi i lexuesit.

Pyetje: Pra, si ndihet shkrimtari në kohën e internetit?

Përgjigje: Jam duke shkruar një ese me titull “Shkrimtari në epokën e internetit”. Dje mora vesh lajmin se kandidat për çmimin Nobel për Paqen këtë vit do propozohet edhe Interneti. Ka ndodhur një revolucion i vërtetë. Shekulli XX-të, i mbyllur para një dekade, ishte i gjatë, i plotë, ku brenda 36 mijë e 500 ditëve tokësore, (shumë pak për galaktikën), u zhvillua transporti hekurudhor e autombolistik, u shpik telefoni, radio, televizioni dhe kompjuteri me linjat çoroditëse të internetit, (alfabeti mors dhe fajdet ishin shpikur një shekull më parë); u zhvilluan dy luftra botërore dhe u përdor me sukses bomba atomike (paraja dhe bankat qenë shpikur më parë); u bashkua (pjesërisht) Europa (SHBA ishte bashkuar një shekull më parë)... Kaq. Jashtëzakonisht shumë kur mendohet se ka mijëra vjet qytetërime tokësore. Ky shekulli i ri, i varur në një kremastar të vjetër, me një barrë të tmerrshme krize mbi supe, shpreson të kthehet në një babonatale me një thes dhuratash mbi shpinë... Në këtë shekull të ri duket sikur u shpik terrorizmi, edhe pse kamikazët “qenë shpikur” shekullin e kaluar. U shpik interneti dhe menjëherë ia behën hakersat, të gatshëm dhe të zotë që të vjedhin bankat dhe mendimet. Në këtë shekull futbollistët kushtojnë më shumë se çdo mall tjetër, kurse fituesi i Nobelit, më i miri krijues i globit, merr vetëm 1 milion euro... Në këtë fillim shekulli në cilin pozicion gjendet shkrimtari dhe poeti? Kështu fillon eseja që jam duke përfunduar.

Pyetje:  Krijuesi Petraq Risto si ndihet në këtë kontekst marramendës?

Përgjigje: Ndihem mirë. I mobilizuar si një ushtar fronti, por pa spaleta, pa armë, i armatosur vetëm me ndjeshmëri dhe mendime. Shkruaj. Lexoj. Shkruaj. Natyrisht edhe botoj. Jam duke përfunduar romanin “Salla me hijet prej letre” dhe vazhdoj punën për plotësimin e vëllimit poetik të titulluar (mbase) “Miq të dyshimit”. Gjithashtu, shpresoj që të botohem së shpejti në ShBA, Greqi dhe sërish në Francë.

Ju uroj suksese!


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora