Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pse nuk realizohet iniciativa për rivarrosjen e eshtrave të ministrit të mbrojtjes, Ahmet Krasniqit?

| E marte, 30.10.2007, 07:24 PM |


Nga Nazmi Lukaj
     
Shtypi i djathtë në Kosovë ka bërë mirë që edhe njëherë e ka riaktualizuar zbulimin e vrasjes së Ahmet Krasniqit. Dhe këtë çështje duhet ta trajtojë vazhdimisht, përderisa kriminelët dhe urdhërdhënësit e tyre të arrestohen e të dënohen për krimin që kanë bërë. Në Shqipëri e Kosovë kjo temë kurrë s’duhet të ndalet, sepse ajo ishte një vrasje shumë e rëndë, se ajo vrasje pati tronditur tërë Kosovën, kur ajo po ecte në tehun e thikës milosheviçiane

Kanë kaluar disa vjet që kur në Tiranë u vra komandanti i Forcave të Armatosura të Kosovës, Ahmet Krasniqi. Ai u vra nga grupet kriminale, për t’i shuar përpjekjet e forcave që i komandonte ai, në luftë për çlirimin e Kosovës, dhe që kjo luftë të udhëhiqej nga të preferuarit e këtyre grupeve. Edhe vrasësit e Ahmet Krasniqit vazhdojnë të shëtisin të lirë. Nuk dihet vetëm nëse jetojnë në Shqipëri a në Kosovë. Janë përmendur si vrasës të mundshëm të tij disa emra. Madje, për ta, është shkruar disa herë edhe nga gazetarët e “Bota sot”. Variante të ndryshme se kush ka qenë i implikuar në vrasjen e komandant Krasniqit, kanë shpalosur edhe mediat e djathta në Shqipëri. Vrasja e tij ishte një oguri i zi, që paralajmëroi vrasje të reja, të cilat edhe ndodhën në Kosovën e pasluftës, e që i organizoi e njëjta dorë vrastare. Ata që kishin dhënë urdhrin për vrasjen e tij, e kishin festuar këtë akt të shëmtuar. Dhe e kishin arsyetuar me argumentin e rrejshëm se “ky e kishte penguar luftën” (!!!). Ndërsa ky në Shqipëri kishte shkuar për ta organizuar atë dhe për të qenë ajo sa më efikase. Këtë “arsyetim” e shoqëruan edhe me një varg thashethemesh të tjera, ashtu siç di ta projektojë truri i thashethemxhinjve. Nuk u kënaqën që e vranë fizikisht, por donin t’ia vrisnin edhe kontributin kombëtar, vetëm pse ai luftën donte ta organizonte profesionalisht, dhe vetëm pse ishte komandant i Forcave të Armatosura të Kosovës. Thua se urdhërdhënësit dhe vrasësit e tij nuk mund ta bënin luftën kundër Serbisë, pa i luftuar edhe forcat e FARK-ut!!! Para se ta vrisnin kriminelët, ai u çarmatos nga forcat e rendit të Shqipërisë, kur në pushtet ishin socialistët. Varri i Ahmet Krasniqit mbeti ndërgjegje e vrarë e atij pushteti.
Eshtrat e Ahmet Krasniqit “prehen” ende në vendin ku iu shua jeta, në Tiranë. Disa herë u shkrua e u morën iniciativa që eshtrat e tij të rivarrosen në Kosovë, për lirinë e së cilës ishte përpjekur ai dhe të parët e tij. Por, iniciativa për këtë, nuk u realizua ende. Tash më në pushtetin e Shqipërisë nuk janë socialistët. Atje u bënë tri vjet që populli e riktheu njeriun që e shkatërroi komunizmin në Shqipëri, dr. Sali Berishën. Demokracia u rikthye atje, duke ua zënë frymën grupeve kriminale që vrisnin në Kosovë, e gjenin strehim atje. Kjo rrugë u është mbyllur. Prandaj edhe krime politike në Kosovë, s’ka më. Në këto rrethana, ku demokracia ka zënë rrënjë të thella andej e këndej kufirit që ndan të njëjtën tokë, në Shqipëri e Kosovë, janë krijuar kushtet që eshtrat e Ahmet Krasniqit të rivarrosen me nderime të larta. Dhe t’i ngrihet përmendorja këtu, për t’u përjetësuar kontributi i tij kombëtar. Ata që e morën iniciativën për rivarrosjen e eshtrave të kolonel Krasniqit në Kosovë, tash, sa më shpejt, duhet ta realizojnë këtë ide. Varri i tij do të jetë ndërgjegje e vrarë e atyre që ia shuan jetën. Ndërsa përmendorja - krenaria e këtij kombi, që nxori një atdhetar si Ai.

Tash po flitet e po shkruhet gjithnjë e më shumë për zbulimin e këtij rasti të shëmtuar. A kishte rast më të shëmtuar se të të vritet ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, në tokën shqiptare, që Ahmeti e deshi aq shumë. Shtypi i djathtë në Kosovë ka bërë mirë që edhe njëherë e ka riaktualizuar zbulimin e vrasjes së Ahmet Krasniqit. Dhe këtë çështje duhet ta trajtojë vazhdimisht, përderisa kriminelët dhe urdhërdhënësit e tyre të arrestohen e të dënohen për krimin që kanë bërë. Në Shqipëri e Kosovë kjo temë kurrë s’duhet të ndalet, sepse ajo ishte një vrasje shumë e rëndë. Se ajo vrasje e pati tronditur tërë Kosovën, kur kjo po ecte nëpër tehun e thikës millosheviçiane - të jesh a të mos jesh. Kur Kosova kishte shumë nevojë për njerëz si Ahmet Krasniqin. Por, së pari, duhet të kthehen eshtrat e tij në Kosovë dhe të varrosen me nderime të larta kombëtare, sepse Ahmet Krasniqi, me veprimtarinë e tij kombëtare, këtë e meriton. Dhe eshtrat e tij duhet të kthehen urgjentisht, ndërsa shkrimet për të duhet të vazhdojnë në kërkim të zbulimit të akterëve të krimit. Për kthimin e eshtarve të tij, duhet të angazhohen të dy qeveritë- edhe e Kosovës, edhe e Shqipërisë. Ky është një obligim që duhet ta realizojnë këto qeveri, për hir të Kosovës dhe për hir të shqiptarisë në përgjithësi…

Rapsodi i Popullit Agim Gashi: Këngë për Ahmet Krasniqin

Drejt Koshares e drejt Pashtriku
Ndër sy trimash Ahmet Krasniqi.

S´u skuq Bari as Selaniku
Kur nji trim nga jeta iku,
Iku trimi nën hije t`Nanës
Kur e vranë në mes Tiranës.

Tash sa vjet  për kob t`Shqipnisë
Shprazen plumbat e tradhtisë,
Si në gjoks t`Hasan Prishtinës
Të Ramë Bllacës, Ahmet Shtimes.

Djalë kreshnik  bir i Kosovës
Kishte gjak t`Aziz Zhilivodës
Kishte besën që kurrë s`e prishi
Koloneli Ahmet Krasniqi.

II.
Njiqind vjet nën kamë t`Serbisë
Dergjen krahët e Shqipnisë,
Dergjet koka që kurrë s`duron
Kah len dielli e perëndon.

Se mbi malet e Qyqavicës
Ngjiten trimat e Drenicës,
Shpërthejnë plumbat e lirisë
Tek ia kthejnë pushkën Serbisë.

Djalë kreshnik bir i Kosovës
Kishte gjak t`Azis Zhilivodës,
Kishte besën që kurrë s`e prishi
Komandanti Ahmet Krasniqi.

III.
O Ahmet, Ahmet Krasniqi
Gjoksin tand po kush e prishi,
Kush të vrau midis t`Shqipnisë?
- Do djem t`ligj- klysh të  Serbisë.

Si kur vritet Bajram Curri
Gjon Serreqi kur thehet guri,
Si kur vritet pa i dalë fjala
Trimi ynë Jusuf Gërvalla.

Djal Kreshnik bir i Kosovës
Kishte gjak t`Aziz Zhilivodës,
Drejt Koshares e drejt Pashtriku
Ndër sy trimash Ahmet Krasniqi.

55