E diele, 22.09.2019, 03:12 AM (GMT+1)

Komente

Albert Zholi: Apologjia e profesionit të vjetër

E marte, 30.10.2007, 02:19 AM


Nga Albert Zholi

Prolog

Albert Zholi
Prostitucioni "zanati" më i vjetër në botë, gjithashtu është një nga temat më të përfolura në tryeza kancelarish, apo bosësh purrothithës kudo në botë.
Nëse do të ndiqnim origjinën e " zanatit më të vjetër në glob " do të shkonim shume larg. Lind pyetja deri kur dhe ku? Sigurisht, rrugëtimi e ka zanafillën në kohërat e lashta. Dhe mbetemi gjithnjë në të njëtën kuotë veprimi: klienti është gjithnjë klient, prostituta gjithnjë prostitutë, tutori gjithnjë tutor dhe paraja gjithnjë motori i fuqishëm që vë në lëvizje tërë mekanizmin.
Parë në raport me kohën duhet ti referohemi shoqërisë primitive, ku është e rëndësishme te theksojmë se femra vihej gjithnjë në dispozicion të mikut. Deri kohët e fundit një zakon i tillë ekzistonte tek eskimezët. Më vonë, në kohët pagane femrat viheshin në shërbim të perëndive me praktika seksuale. "Ne gjuhën greke folja shes është rrënja e fjalës “Porneia” që përshkruan prostitucionin. Kjo folje do te thotë të trajtosh një qenie njerëzore si mall. Ajo që quhet "zanati më i vjetër në botë" është i lidhur me praktikën më të vjetër që të marrësh të afërmin tënd si skllav dhe të bësh tregti me të. Në Orientin e vjeter (Babiloni, Azi e vogël) dhe në Greqi (Korint) prostitutat e ashtuquajtura "të shenjta" jetonin në tempujt kushtuar perëndeshës Afërditë dhe pikturat murale të Pompeit tregojnë ato që ishin shtëpitë publike te antikitetit.
U bënë 17 vjet që Shqipëria është e hapur ndaj botës moderne. Bashkë me teknologjine e fundit, shtepitë e bukura, veturat luksoze, kompjuterat etj., dyert u hapën edhe për krimin, mafian, prostitucionin, drogën. Shoqëria shqiptare ende në embrion të një shoqërie demokratike dhe të një sisetmi të mirëfilltë kapitalist, e deformuar nga diktatura e proletariatit, u gjend plotësisht e papërgatitur për ndryshime të tilla që përmbysën botëkuptimet. E mrekulluar nga bota e panjohur që u hap para saj, shoqëria shqiptare u ngut të sulej drejt së resë duke hedhur të shkuarën pas si kujtim të hidhur, duke rrezikuar të flakë bashkë me pelenat, edhe foshnjën që ishte mbështjellë me to.
Fitimet e mëdha dhe të lehta joshën një pjesë të mirë të rinisë. Prostitucioni ishte njëra nga mënyrat për t'u pasuruar shpejt dhe pa u lodhur. Vajzave nga familjet e varfra u premtohej komforti i një jete pa kokëçarje, të tjera u shkonin pas "të fejuarve a burrave" të tyre. Nuk munguan premtimet për punë të mira, si modele e aktore. Shumica e viktimave ishin adoleshentet 15 - 16 vjeçare - të lehta për t'u gënjyer dhe burim i mirë fitimi për gjahtarët e mishit të bardhë. Kështu filloi odiseja e mijera e mijëra vajzave shqiptare përtej kufijve të vendit të tyre të varfër, në kërkim të një realiteti më të mirë.

Dhuna dhe “Ushtria” gjigande e profesionit delikat

Sot, nga rreth 20 milion femra që ushtrojnë në botë prostitutën, rreth 60 për qind janë viktima të dhunës e mashtrimit, pre e tutorëve dhe kontigjentëve të tjerë të botës së krimit.
Që nga hotelet e sërës së lartë ku zhgërrihet në pasionin e vesit të ulët elita financiare (për të mos thënë në vende dhe raste të vecanta dhe ajo politike), deri tek bodrumet e nëndheshme të “vulgut”, “dashuria” dhe mizantropia këmbëjnë vendet, gjakimet e errëta here-herë shoqërohen me veprime kriminale që shprehin thelbin e prostitucionit në të gjitha kohërat.

Realiteti i zymtë

Shumë vajza shqiptare përfunduan shtëpive publike dhe trotuareve të Italisë, Greqisë, Zvicrës, Belgjikës, Gjermanisë, Francës etj. Sipas statistikave, numri i vajzave shqiptare që ushtronin prostitucionin në Europe në vitin 1999 ishte 20 000. (Shifra është publikuar në gazetën "La Stampa" në Itali dhe të dhënat janë marrë nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara). Por është e vështirë që të jepen shifra të sakta, duke patur parasysh se janë mijëra familje shqiptare që jetojnë në emigracion, dhe mentaliteti i familjeve shqiptare bën të mos guxojnë të bëjnë denoncimin pranë organeve të specializuara si dhe mosbesimi ndaj këtyre organeve.

Debati

Aktualisht, nga shumë analistë, por edhe psikolog apo studiues, prostitucioni konsiderohet një ndër dukurit më të dhimbshme dhe më tragjike të tranzicionit shqiptar. Përhapja si murtaja e këtij fenomeni ka bërë shpesh që të hidhen mendime, hipoteza, pyetje, se në këtë moment në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare a duhet “legalizuar” apo luftuar kjo epidemi që është duke shkatërruar më mijra familje të cilat prej kohësh gëzonin një harmoni familjare të rregulluar Në vende të caktuara evropiane, legalizimi i prostitucionit u bë si rrjedhojë së pari i mospasjes së këtyre qeverive të një sfondi religjioz, së dyti duke kërkuar të kontrollonin një fenomen që për ato kishte marrë përmasa shqetësuese dhe nuk i dihet përfundimi. Nëse në Shqipëri duke parë qëndrimet dhe prononcimet shpeshherë të ndryshme të krerëve të shtetit, mund të konkludojm se një legalizim i tillë do të pritej, ngase ne
posedojmë identitet evropian dhe si mënyrë të vetme të integrimit ton në familjen e madhe evropiane një fenomen i tillë, do të jetë i mirëseardhur dhe jemi “pro” kësaj dukurie. Por lind pyetja tjetër se si do të favorizohej ky biznes. Nëse me herët ka pasur raste sporadike të këtij fenomeni, legalizimi do ta shëndrronte në një biznes duke krijuar edhe precedentin e përhapjes së tij. Legalizimi i prostitucionit prish kodin dhe etikën morale shoqërore e cila e ka konsideruar dhe vazhdon ta konsiderojë prostitucionin si vepër të shëmtuar. Legalizimi i tij përbën edhe precedentin për brezat e ardhshëm që dalëngadalë të humbin kuptimin e të moralshmes.

Kujtesë

Pavarësisht nga pabarazia në të drejtat e grave shqiptare, kundrejt burrave, apo pavarësisht padrejtësive në trajtimin e tyre, pavarësisht nga paja, prika apo shpërblimet në rast martesash etj., gruaja shqiptare kurrë nuk është konsideruar si mall që mund të shitet e rishitet apo blihet e riblihet. Pra, trafikimi për qëllim prostitucioni “nuk ka histori”, të paktën ai nuk është kurrsesi një fenomen tipik shqiptar. Nuk rezulton që ky fenomen të ketë pasur përhapje të krahasueshme me shumë vende të tjera evropiane, siç është Greqia apo Italia fqinje, Anglia apo vende të tjera mesdhetare, etj., në të cilat prostitucioni dhe trafikimi i femrave ka lulëzuar në çdo fazë të qytetërimit të tyre. Evropa në tërësi e ka njohur me kohë këtë fenomen që tashmë e rendit të tretin për nga saia e fitimit. Pra vlen të theksohet se, trafikimi nuk përmendet në librat mbi historinë e Shqipërisë, në të drejtën zakonore shqiptare, në libra kronikash, gjeografësh, albanologësh, në folklorin shqiptar etj. Ky “përjashtim” lidhet më puritanizmin (1) dhe përgjithësisht, me jetën tradicionale të institucionalizuar të shqiptarëve, një jetë të mbyllur, në një familje të mbyllur, patriarkale, në të cilën gjithçka, përfshirë edhe jetën seksuale të pjesëtarëve të saj, ishte rreptësisht e koduar dhe e kontrolluar. Pohimi se trafikimi "nuk ka histori" duhet kuptuar si një fakt: Shqipëria, përgjithësisht, nuk ka prodhuar të tilla dukuri "së brendshmi", dhe pse ky është ndër më profesionet më të vjetra të botës. Por, megjithatë, historikisht nuk ka qenë një vend i izoluar. Përkundrazi ajo ka qenë në udhëkryqe historike e gjeografike apo në udhëkryq të interesave të fuqive ushtarake të kohëve të ndryshme dhe është “populluar” nga pushtues të kulturave të ndryshme.. Prostitucioni është, pra një ndër dukurit më të dhimbshme e më tragjike të tranzicionit shqiptar, madje jo vetëm shqiptar. Por, për më tepër, në Shqipëri prostitucioni është parë njëanshmërisht dhe po ashtu mendohet të klasifikohet. Në pjesën dërrmuese të ekzistencës ky lloj profesioni në Shqipëri, jo mund, por mund identifikohet me dhunën. Parë në këtë këndvështrim, në mnëyrën e tafikimit dhe të organizimit, fillimi i tij ka në thelb këtë rezultat, trafikimin e detyruar. Pra qartazi dhe pa shumë koment, është vlerësuar se shkaku i parë dhe më kryesori i prostitucionit shqiptar janë rrëmbyesit, trafikantët, dhunuesit, deri vrasësit e femrave, të cilët gjithnjë janë vënë në rolin e viktimës. Buile për më tej, ata i kanë trajtuar si skllave si në mesjetë pa u dhënë asnjë të drejtë dhe pse nxirrnin apo nxjerrin fitime të majme.

Retrospektivë
 
Në mungesë të burimeve të mirëfillta (libra, studime), si burim informimi mbeten dokumentet zyrtare të Arkivit të Shtetit. Parë pa tendenca, ato dëshmojnë se në Shqipëri, prostitucioni i mirëfilltë, por ilegal, u shfaq në fund të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XX. Ai u shfaq duke filluar nga viti 1910, në qytetin e Shkodrës dhe, sidomos pas vitit 1920, në të gjitha qytete e mëdha të vendit. Edhe reagimi i parë zyrtar rreth këtij fenomeni përkon thuajse me fillimin e vetë shtetit shqiptar. Për disiplinimin e prostitucionit, shteti vendosi pa ndonjë hezitim të madh legalizimin. Ai fillimisht huazoi rregulloren e prostitucionit të Sarajevës. Më pas vijuan një varg analizash, të bazuara mbi raporte komisionesh të posaçme mbi prostitucionin, në organet vendore të Korçës, Durrësit, Elbasanit etj. Prej tyre u arrit në vendimet për të parat shtëpi publike në Shqipëri. Këto trajtesa lokale u pasuan
nga rregullorja e re e prostitucionit, miratuar nga Këshilli i Ministrave, me vendim nr. 196, datë 10 shkurt 1922. Pas miratimit në Parlament, kjo rregullore u shëndrrua në ligj Në bazë të kësaj rregullore të aprovuar nga Parlamenti i atëhershëm Shqiptar, ky “biznes” është ligjësuar, dhe “de facto” dhe “de juro”, nuk mund të ndërhynte askush në zhdukjen e kësaj dukuri ç’moralizuese të popullatës shqiptare në tërësi. Edhe përmes dokumenteve që egzistojnë në Arkivin e Shtetit Shqiptar, dëshmohet se prostitucioni profesionist ka ekzistuar ndër hapësirat shqiptare edhe para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në një letër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë drejtuar Mëkëmbësish Mbretërore të Përgjithshme (9 janar 1942), thuhet se shtëpia publike e vendosur në Vlorë, në rrugën “Viktorio Emanuel”, nr. 40, “rezulton e hapur që prej vitit 1919”. Por ushtrimi i prostitucionit është vërtetuar në një hotel në Shkodër, qysh në vitin 1910. Sipas këtij dokumenti, mund të themi se zyrtarisht prostitucioni në Shqipëri është njohur edhe para njohjes së Shtetit Shqiptar si shtet të pavarur. Fakte sikurse këto provojnë ekzistencën edhe në Shqipëri të ushtrimit të prostitucionit nga gra e vajza profesioniste apo të tjerë që e ushtrojnë atë “partë time”krahas atyre që kanë hyrë në tregun e mistershëm të prostitucionit të vendeve të tjera.

Post diktatura

Pas viteve 1990, prostitucioni është favorizuar nga papunësia dhe, përgjithësisht, nga gjendja e vështirë ekonomike, si dhe etja e shfrenuar për para e fitim. Nga anketimet e kryera del se opinioni publik shqiptar në masën 67.7% është dakord me mendimin se varfëria është një ndër shkaqet kryesore të trafikimit të femrave dhe ushtrimit të prostitucionit. Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, në Shqipëri, deri në vitet ’90-t prostitucioni, sikurse droga, homoseksualizmi etj., nuk njihej si fenomen. Vetëm në libra dhe filma. Për më tepër të themi i zyrtarizuar. Ky “përjashtim” lidhet, së pari, me jetën tradicionale shqiptare dhe të drejtën dokësore dhe, së dyti, me faktin se regjimi i hekurt komunist nuk lejoi përhapjen e tij. Këtu duhet shtuar ndoshta faktorin më relevant dhe më mbizotërues në këtë drejtim, fenë, e cila ka qenë, është dhe do të jetë mbrojtje më efektive krahas çdo institucioni edukativ arsimor.

Epilog

Sot në epokën e globalitetit dhe integrimeve, bota ndihet më e ekspozuar se kurrë ndaj fenomeneve plagë, ku më e dhimbshmja është prostitucioni, që po shtrihet në gjërësi dhe thellësi si një oktapod këcënues për lirinë dhe barazinë e femrës në shoqërinë botërore.
Por tabloja në shoqërinë shqiptare është unike, ku janë pikturuar të gjitha vijat dhe ngjyrat e trishta të një realiteti tronditës.
Shoqëria shqiptare, në këto 17 vjet tranzicion, është përballur më shumë elementë të rrezikshëm, të cilat i kanë sjellë dëme jo vetëm asaj vetë, por edhe politikës dhe ekonomisë së saj në tërësi. Por trafikimi i “mishit të bardhë” dhe i “miellit të bardhë” kanë qenë dhe mbeten dy “oktopodë” gjigandë të botës së krimit, me një kosto tepër të rëndë morale e fianciare për vendin e shqiponjave.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT