E shtune, 27.02.2021, 07:09 AM (GMT)

Lajme

Kryeministri ndërton shtëpi në lagje të paurbanizuar

E hene, 15.03.2010, 08:27 PM


Prishtinë, 3 mars - Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, së shpejti pritet të bëhet me shtëpi të re, të cilën është duke e ndërtuar në periferi të qytetit,  saktësisht në zonën industriale në “Veternik”, lagje kjo ende e paurbanizuar.
Sipas një shkrimi të gjerë, të botuar sot në “Koha Ditore”, përveç që është shtëpia e kryeministrit të Kosovës, objekti në ndërtim e sipër dallohet nga shtëpitë e lagjes edhe për shkak të hapësirës marramendëse prej dy mijë metrash katrorë në oborrin prej tre hektarësh. Shtëpisë së fundi i është vënë pullazi, por ajo nuk do të jetë e gatshme për banim deri në verë. Kjo për faktin se shtëpia kërkon angazhim dhe punë të veçantë, pasi që ajo është pronë e prijësit të Qeverisë, Hashim Thaçi. Kështu të paktën thonë punëtorët që janë duke punuar tash sa muaj në shtëpinë e kryeministrit.
“Kjo shpi është e madhe edhe i ka nja dy mijë metra katrorë. Na kemi nis me punu verës dhe ndoshta e kryjmë deri verën tjetër. Nuk e dimë sigurt a është kjo shpi e vllaut të kryeministrit a e kryeministrit, edhe pse neve na kanë thanë që është e vllaut të tij. Na kryeministrin nuk e kemi pa ktu kurrë e mundet me kanë edhe e tij, si dihet”, tregon njëri nga punëtorët. 
Ky punëtor thotë se për ndërtimin e shtëpisë dykatëshe të kryeministrit është angazhuar një kompani ndërtimi nga fshati Nekoc i Komunës së Drenasit. 
Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë se “ndërtimi i shtëpisë së kryeministrit është çështje e tij personale”. “Është mirë që kryeministri është duke ndërtuar shtëpi”, ka qenë konstatimi i zëdhënësit të Qeverisë. Në formularin për publikimin financiar të kandidatit për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2007, të cilin e ka “Koha Ditore”, Hashim Thaçi pati deklaruar se ka vetëm një xhirollogari bankare në Bankën e Re të Kosovës tash NLB, në të cilën shkruante se i ka vetëm 540 euro. Kurse si paga të përgjithshme vjetore pati deklaruar 7.800 euro si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe 28.421 euro si anëtar i Ekipit të Unitetit. Ndërsa si pasuri të patundshme kishte deklaruar shtëpinë e tij në lagjen “Arbëria” prej 200 metrash katrorë në vlerë prej 150 mijë eurosh, pastaj shtëpinë prej 250 metrash katrorë në fshatin Burojë të Komunës së Skenderajt në vlerë prej 70 mijë eurosh, si dhe shtatë hektarë tokë në vlerë prej 140 mijë eurosh po në fshatin Burojë. 
Por prej fundit të vitit 2007, kur kryetari i PDK-së u bë kryeministër e deri më tash, të ardhurat e kryeministrit duke iu referuar pagës së tij mujore, e cila është rreth dy mijë euro, nuk arrijnë as 50 mijë euro për dy vjet e dy muaj. 
Thaçi është larguar nga shtëpia e tij në lagjen “Arbëria” pas incidentit me Fazli Sejdiun, tashmë i akuzuar për tentativë vrasjeje kundër Thaçit. Aktualisht kryeministri është duke banuar në një banesë kolektive në lagjen “Kodra e Diellit”, në Prishtinë. 
Sikur edhe shumë politikanë të tjerë kosovarë ai ka preferuar të ndërtojë shtëpi në periferi, më saktësisht afër hotel “Gorenje” në “Veternik”. Në këtë pjesë janë ndërtuar shtëpi të shumta pa leje, pasi që Komuna e Prishtinës nuk ka plan urbanistik ende për këtë zonë. 
Pavarësisht kësaj kryeministri Thaçi i ka gjetur mënyrat që të pajiset me leje ndërtimi. Bazë për këtë ai ka pasur planin hapësinor të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në të cilin janë bazuar edhe zyrtarët komunalë. 
Shtëpitë e fqinjëve të ardhshëm të kryeministrit nuk kanë leje ndërtimi, mirëpo Komuna e Prishtinës i ka gjetur zgjidhje Thaçit. Drejtoria për Urbanizëm i ka lëshuar kryeministrit leje ndërtimi me arsyetimin se ai ka ndërtuar në një hapësirë shumë të gjerë, që sipas zyrtarëve komunalë është një ndër kriteret kryesore për të marrë leje ndërtimi në atë zonë.

Lejen e dhënë për kryeministrin Thaçi e ka konfirmuar për gazetën edhe prijësi komunal Isa Mustafa.
“Ai ka kërkuar leje si të gjithë qytetarët e tjerë dhe leja i është dhënë në bazë të Ligjit për planifikim hapësinor”, pati thënë kryetari Mustafa në një intervistë për “Kohën Ditore”. Ndërsa ish-vartësi i tij Spahiu pati deklaruar se me leje të ndërtimit në zonën e paurbanizuar janë pajisur edhe disa pronarë të shtëpive që tashmë janë fqinjë të kryeministrit Hashim Thaçi. 
 
Shtëpi pa leje sikur këta qytetarë jo shumë larg shtëpisë së kryeministrit ka ndërtuar edhe zëvendësi i tij Ramë Manaj. 
Edhe Manaj ka bërë kërkesë për leje ndërtimi, por Komuna ende nuk ia ka dhënë atë.  




(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora