E marte, 16.04.2024, 06:34 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Thirrja e ndërgjegjes

E diele, 14.03.2010, 11:00 PM


THIRRJA   E   NDËRGJEGJES

 

Nga Reshat KRIPA

 

Një fushatë e shfrenuar ka shpërthyer këto ditë në politikën shqiptare. Në këtë fushatë janë përfshirë të gjitha mediat, bile do të thoja që është përfshirë pothuajse i gjithë populli ynë. Ngado dëgjon zëra që thonë: “ Të hapen dosjet “. Në këtë kor janë përfshirë të gjithë, të djathtë dhe të majtë, kriminelë dhe viktima, ujqër dhe dele. Zhurma është aq e madhe sa nuk meret vesh se kush është fajtori dhe kush viktima.  Të gjithë thërrasin se qenkan të pafajshëm. Po fajtorë a nuk paska patur ajo periudhë e kobshme?

Me thënë të drejtën kjo pyetje më bren nga brenda. A do të zbardhet ndonjëherë e vërteta e këtij vendi? A po do të mbetemi vetëm në llafe dhe thirrje patetike gjoja patriotike? Dhe në këtë garë të shfrenuar janë vënë partiakë dhe qeveritarë, analistë dhe gazetarë, pedagogë dhe  intelektualë të tjerë, bile gara ka aritur deri në shtresat më të ulta, deri te ata që ndoshta nuk arrijnë të sigurojnë as bukën e gojës dhe jetojnë duke lipur.

Por ajo që më shqetëson më tepër është mungesa e vetëdijes për të pranuar të keqen që ka sejcili prej nesh brenda vetes së tij, brenda ndërgjegjes së tij. A keni dëgjuar ndonjë zë që të pranojë se në veprimtarinë e tij të asaj periudhe ishte i detyruar të kryente vepra që i shërbenin sistemit kriminal? Zërat janë fare episodik, për të mos thënë se pothuajse nuk ka patur fare zëra të tillë. Në këto momente ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks ( Estoni ) në debatin e zhvilluar në Këshillin e Europës:

“ Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste “

Një deklaratë kuptimplote, një thirrje e sinqertë e ndërgjegjes. Po në vendin tonë a keni dëgjuar ndonjë intelektual të bëjë një deklaratë të ngjashme? Të gjithë kemi jetuar në atë kohë të tmerrshme. Të gjithë e dimë se atëhere nuk guxoje të mendoje dhe jo të veproje. Të gjithë e dimë që për të mbijetuar ishe i detyruar të kryeje veprime që ndoshta ndërgjegja jote nuk i pranonte. Po sot, që kohët kanë ndryshuar, përse heshtin? Përse nuk e hedhin poshtë të keqen që i depersonalizoi?

Personalisht i përkas shtresës që në atë kohë bënte pjesë në kampin armik me rregjimin. Kur dola nga burgu u detyrova të mbyllesha në veten time për të mos rënë për të dytën herë në atë skëterrë.  Megjithatë edhe unë isha i detyruar të kryeja veprime që nuk m’i pranonte ndërgjegja. Edhe unë isha i detyruar të duartrokisja diktatorët , kur na nxirrnin detyrimisht nëpër mitingjet e organizuara. Edhe unë isha i detyruar të shkruaja për ato që nuk i doja, kur në shkollën e mbrëmjes profesori i letërsisë na jepte si temë hartimi përshkrimin e epërsisë së sistemit socialist mbi atë kapitalist, edhe unë isha i detyruar të dërdëllisja lloj lloj mbroçkullash nëpër mbledhjet që organizoheshin në qendrën e punës. Kurse sot më vjen turp nga vetja e ime për të gjitha këto.

Ku janë intelektualët e shquar të asaj periudhe? Përse nuk i thërret zëri i ndërgjegjes? Përse nuk e hedhin poshtë atë pjesë të aktivitetit të tyre që i shërbeu atij sistemi? Përse shkrimtarët e realizmit socialist nuk thonë asnjë fjalë për ato vepra të shkruara prej tyre ku hymnizoheshin diktatorët dhe bëmat e tyre? Përse  nuk  thonë  asnjë fjalë kineastët për ata filma ku degjenerohej borgjezia dhe ngrihej në piedestal llumi i shoqërisë shqiptare? Po kompozitorët, skulptorët dhe piktorët e shquar ku janë? Përse nuk i hedhin poshtë ato vepra që më shumë i diskreditojnë, mbasi populli vetë i ka hedhur ne koshin e plehrave. Dua të    kuptoni.  Nuk  jam  për  hedhjen  poshtë    gjithshkaje  të krijuar në atë kohë. Jam i sinqertë që janë krijuar edhe vepra dinjitoze. Por këto vepra i errësojnë ato bajatet, pa vlerë që bëheshin për t’i bërë qejfin idhujve të atëhershëm.

Nuk e di kush është shkaku për një gjë të tillë. Mungesa e kurajos, apo ndoshta nostalgjia për atë kohë. Në rast se do të ishte e para do ta quaja një pasojë të shtypjes së pësuar gjatë asaj kohe, ku edhe sot mbas gjashtëmbëdhjetë vjetësh nuk u ka dalë frika  që u kishte hyrë në bark nga ai system. Ndërsa po të jetë e dyta do t’u thoja se me veprat e tyre i shërbyen me ndërgjegje qëndrimit në këmbë të atij sistemi. Dhe kjo është shumë e rrezikshme.

Dua t’ju kujtoj të gjithë shqiptarve shprehjen lapidar të Hamletit drejtuar nënës së tij:

“ Nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës tënde dhe jeto me gjysmën tjetër më të mirë! “

Nuk e di nëse do të ketë vullnet inteligjenca shqiptare të bëjë një gjë të tillë. A mund të ketë “ dosje “ më të sakta se këto?

 

Kush është Reshat Kripa?

 

Kam lindur më 28 janar 1936 në qytetin e Vlorës. Rrjedh nga një familje tregëtare e këtij qyteti. Im atë. Qazim Hamdi Kripa, pasi mbaroi studimet në “Robert College” të  Stambollit, preferoi t’i  futet rrugës së tregëtisë. Ndërtoi një fabrikë ku prodhohej vaji i  ullirit dhe u mor me tregëtimin e tij. Tregëtinë e ushtronte kryesisht në Vlorë dhe Tiranë, por edhe jashtë shtetit si në Itali, Austri e të tjera. Kishte fituar disa çmime në konkurse të ndryshme të zhvilluara nëpër panaire. Pas vendosjes së sistemit totalitar gjithçka u shtetëzua dhe im atë mbeti i papunë deri ditën që mbylli sytë.

Im vëlla, Besnik Kripa, së bashku me dy shokë të tij, Lavdosh Beqon dhe Alajdin Alemin, në vitin 1950 krijojnë një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në gjimnazin e qytetit. Arrestohen dhe dënohen me nga 15 vjet burg. Lirohet në dhjetor të vitit 1961.

Në vitin 1951 unë së bashku me dy shokë, Myrteza Baboçin dhe Jorgo Beshon, të tre në moshën 15 vjeçare, formojmë një organizatë tjetër antikomuniste, duke shpërndarë trakte nëpër rrugët e qytetit. Arrestohemi dhe dënohemi me nga 5 vjet burg. Lirohem në dhjetor 1955.

Pas lirimit kam punuar në punë të thjeshta si punëtor apo murator në ndërmarrje të ndryshme. Përfundova gjimnazin e mbrëmjes me rezultate të shkëlqyera, por nuk m’u dha mundësia për të vazhduar më lart, megjithë dëshirën e madhe që kisha.

Që i vogël kam patur dëshirë për të shkruar. Kam tentuar me disa poezi dhe tregime, por drita e botimeve të tyre ishte e mbyllur. Atëhere heshta. Pas rivendosjes së sistemit demokratik rifillova përsëri të shkruaj. Kam botuar shumë artikuj nëpër gazeta të ndryshme si dhe kam mbajtur disa kumtesa nëpër mbledhje shkencore.

Në vitin 2004 botova përmbledhjen e parë me tregime të titulluar “Një tregim për mikun tim”. Në vitin 2008 botova romanin “Shkallët e ferrit” dhe librin me kujtime “Rini e copëtuar”. Tani kam gati për botim romanin tjetër “Trëndafila të bardhë” si dhe një përmbledhje me poezi modeste për të cilat nuk jam i sigurtë nëse duhen botuar apo jo.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora