E premte, 19.04.2024, 02:13 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Vënde të ndryshëm si edhe këndvështrime po të tillë

E marte, 30.10.2007, 02:04 AM


Ishujt grekë të egjeut – Egjypti – Turqia- Las vegasi

Edhe  pse  jetojmë  të  lirë  e  jashtë  çdo  trysníe  e  dhune,  e  kaluara   e  padrejtë   tashmë  fatkeqesisht i ka lënë vragët, në shpirt më shumë, se sa mosha në pamjen fizike tonën.
 
Shkruar nga: Mërgim Korça

Të përgjithëshme:

Mërgim Korça
Varet se cili e lexon titullin e temës që dua të trajtoj.  Të rinjtë, mbase të prirur nga kërshëría, mendojnë se ndoshta mësojnë ndonjë gjë të ré duke e lexuar materialin.   Kurse unë me përshtypjet e udhëtimeve dua t’u rikujtoj të moshuarve, (si edhe t’a mësojnë edhe të rinjtë), se si përgjatë diktaturës i lexonim pa frymë shkrimet e atyre të privilegjuarve që shkonin në perëndim e kur ktheheshin shkruanin rreth tërë të këqijave si edhe vuajtjeve që kishin parë në botën perëndimore. Kurse ne, në mes radhëve ... përpiqeshim të zbulonim ndonjë të vërtetë që unë sot do të mundohem t’a hedh në letër pa nënkuptime, pa druajtje :  ashtu siç e shikoj me syt’e mi.   Sa u takon pastaj ndjenjave që më ngjalleshin atëbotë të krahasuara me të sotmet, edhe ato do të mundohem t’i materializoj!  
Së pari dhe kryesisht, dua të pasqyroj se si shtypi si edhe lajmet e të dy poleve politike,  shtetit të atëhershëm të diktaturës proletare si edhe vëndeve demokratike perëndimore, mbështetej në vënjen në dukje të dy aspekteve respektivisht të pavërteta të sistemeve në fuqi.   Në shtypin e ashtuquajtur socialist pasqyroheshin vetëm suksese të ekonomisë së përbashkët !   Revistat vinin fotografi fshataresh të shëndetëshme dhe të bukura që duke buzëqeshur rrallonin ose prashisnin pambukun ... të lumtura për punën që bënin.  Ose paraqisnin plantacione me mollë të pjekura e shumëngjyrëshe.  Ndërsa shtypi i vëndeve demokratike perëndimore paraqiste të droguar shtrirë nën harqe urash, ose të pastrehë.   Që të dyja paraqitjet nuk përbënin realitetin e vëndeve përkatëse.   Fshataret punëtore bujqësije, në realitet ishin shumë larg harésë me të cilën paraqiteshin në fotot me ngjyra, kurse vetë mollët ishin frut ... i dëshiruar në tryezat e popullit, (aq sa familjeve të dëshmorëve më 5 Maj u jepnin autorizime për ndonjë kg mollë) !   Ndërsa për vëndet perëndimore të droguarët dhe të pastrehët ose krimet që përshkruheshin përbënin vetëm një fraksjon përqindjeje të realitetit perëndimor.   Mirëpo propaganda komuniste i qëmtonte me qirí sensacionet e shtypit perëndimor dhe këto, të ballafaquara me lumturínë e rreme të shteteve të kampit socialist, tregonin se sa bukur ishte të jetohej në Parajsën Socialiste.
Kaluan vitet.  Diktatura u shkërmoq.  Zoti na e dha mundësinë të jetojmë edhe ne, mbas thuajse pesëdhjetë vitesh jete si robotë, të lirë.  Së bashku me gruan e vendosëm një ditë të ndërmerrnim një udhëtim me anije, itinerari i së cilës do të na çonte të vizitonim disa nga ishujt grekë e gjithashtu na krijonte mundësínë të vizitonim edhe portin e Aleksandrisë si edhe kryeqytetin Kajro të Republikës Egjyptit, (ku turneu parashikonte udhëtimin nga Aleksandria në Kajro dhe anasjelltas me autobuse), e në vazhdim të vizitonim edhe portet turke të Izmirit si edhe Stambollit.  Në fakt ëndërra e s’ime shoqeje ishte të vizitonim Egjyptin ku mbase na jepej edhe mundësía të takonim dy vajzat si edhe dy djemt’e tezes së saj, tashmë e vdekur.  Ndonëse kushërinj të parë, falë lirisë që kishim gëzuar nën diktaturën e proletariatit, dy palët e kushërinjëve nuk ishin takuar kurrë.   Dinim një numur telefoni.   U lidhëm.  Ndonëse fatmirësisht ata të gjithë flisnin anglisht, qé shum’e vështirë të merreshin vesht njera me të tjerët :  mallëngjimi i thellë nuk i linte të dyja palët të flisnin !   U njoftuam datën dhe orën se kur arrinim në portin e Aleksandrísë.   Ky qe edhe akti i fundit i përgatitjeve për udhëtimin e ardhëshëm.

Kilometrat e para në tokë dhe pastaj ... anija :

Të shumtë ishin autobuset modernë që prisnin në aeroportin e Athinës t’i transportonin pasegjerët për në anijen Xhevahiri Norvegjez e ankoruar në portin e Pireut gati për udhëtim.   Gjatë asaj gjysëm ore udhëtimi mbresa që nuk mund të harrohen na lanë hedhurinat anash rrugës.  Ajo ishte zonë e re industriale.   Ndërtesat ishin mbaruar dhe firmat kishin filluar nga puna.  Kurse mbeturinat e kantiereve të ndërtimit  të jepnin përshtypjen e hekurishteve të mbetura rrugëve mbas lufte!  E pabesueshme!   Edhe porti i Pireut i zymtë, ndonëse dita ishte plot diell.   Rrugë të ngushta.  Trafiku me ngulç.   Vetë autobusi, për të na afruar tek dogana nga ku do të futeshim në anije, i a nxori djersën shoferit me manovra para – mbrapa.  Mbas kësaj vijueshmëríe përshtypjesh jo ngazëlluese, veç kur u përballuam me anijen e cila jo që emrin e kish Xhevahir, por vërtet ishte madhështore me 98.000 tonelatat e saja, treqind metrat e gjatësisë dhe  gjashtëdhjetat e gjerësisë.  Kishte 14 kate ku shërbenin tre blloqe ashensorësh të vendosur simetrikisht në tri gjatësi të ndryshëme të anijes e me nga pesë kabina paralele !   Kishte nja dhjetë restorante prej të cilëve gjashtë me shërbime  kamerierësh, kurse katër syresh me vetëshërbim.   Kohëzgjatja e shërbimit të ushqimit në vetëshërbimet ishte thuajse 20 orësh.   Ditën anija qëndronte e akostuar në porte dhe ne zbrisnim në steré e vizitonim limanet.  Natën dëfrenim dhe udhëtonim.  Kur them dëfrenim, duhet kuptohet larmía e çfaqjeve mbrëmjeve në teatër, (i cili kishte 1500 vënde ulur), kishte nga dy shfaqje të njëmbasnjëshme me këngëtarë, cirkus, prestigjatorë, etj. etj.  Teatri e kishte formën e një amfiteatri tek i cili mund të hyje si nga kati i gjashtë e gjithashtu edhe nga i shtati. Anija gjithashtu kishte edhe lokale "Bar" ku ekipe këngëtarësh ose instrumentistësh jepnin çfaqje.  Ne u dashuruam me njerin syresh ku ishte një pianist koncertist rus i cili luante si muzikë klasike e gjithashtu e ndërthurte edhe me muzikë vallëzimi.   Repertori i tij ishte i pambarim.  Kësisoji ishte edhe kënaqësía e jonë tek e dëgjonim.  E ai, duke parë se ne kishim kërkesa të zgjedhura lidhur me muzikën që ai luante, (unë gjithë jetën i kam ndjekur koncertet pianistike në radjo e më vonë në  TV), e duke e vënë re ai që ne uleshim në kolltuqet e barit fare pranë tij, na kënaqte dhe u binte pjesëve që zgjidhnim ne, se në pushime vinte e ulej me ne, pinim ndonjë pije me të, bisedonim rreth muzikës e doemos pastaj ai na i plotësonte edhe dëshirat rreth repertorit që ai luante.  Veç repertorit me pjesë klasike pianistike nga List, Shopen, Sindick, Brahms, etj., ai e njihte edhe gjithë repertorin e këngëve italiane të viteve 1950 – 1970.  Bashkë me nostalgjín’e atyre këngëve aq të bukura e që ne i dëgjonim me pasjon të shtuar edhe sepse i kishim patur të ndaluara dikur e që këndimi i tyre ndonjë fatkeq e kishte çuar edhe para trupit gjykues ku kishte marrë dënimin e merituar si agjitacion e propagandë kundër pushtetit, do të sjell në sipërfaqe edhe një ndjenjë të pabesueshme.  Ne atij pianistit filluam t’i kërkonim t’u binte edhe pjesëve që në rinínë tonë të herëshme i urrenim !   Po, me gjithë mënd i urrenim.  Natyrshëm lind pyetja ç’gjiní këngësh ishin këto e përse i kishim urryer ne ?   Përgjatë viteve 1945 – 1960 ishim të detyruar të dëgjonim vetëm dhe vetëm muzikë sovjetike.  Në shkolla, qëndra pune, ushtri si edhe mjedise publike po e po.  Por edhe nëpër shtëpi duhej të buçiste kënga sovjetike.  E sa më shumë detyroheshim të vepronim kësisoji, aq më shumë ne i urrenim ato këngë.   Mirëpo mbas gati gjysëm shekulli, ulur në barin komod të anijes pranë pianistit rus, nuk ishim më dy të rinj por, së bashku me t’ime shoqe,  ishim dy të moshuar të cilët motivet e këngëve ruse “Oçi Çjornie” (Sy të Zinj), “Moskovskije Vjeçera” (Mbrëmjet Moskovite), “Vollga, Vollga”, etj. etj. na merrnin me krahët e tyre dhe për pak çaste na e kthenin nostalgjín’e rinisë tonë tashmë të perënduar, Ato dy orë të mbrëmjes ishin një tjetër kënaqësi që na e mundësoi udhëtimi.  Kaq rreth qëndrimit në anije, ku kishte edhe dy pishina, sauna, fushë tenisi, etj. 
Për t’a mbyllur me anijen, 12 dit’edhe netë në anije, ku dhoma ishte bashkëshortore me gjerësí shtretërish “king size” e doemos me banjë brënda, e të gjitha ushqimet e paguara, çmimi i biletës ishte $ 910.00 për person !(?)  Të mendosh se i bije $ 75.00 për person dita, ku përfshihet udhëtimi, fjetja, të ngrënët si edhe çfaqjet.  Nuk e kuptoj se si ngjet, por edhe kjo është një e vërtetë e vëndeve që dikur na detyronin t’i quanim me përbuzje, “imperialiste” ! Një natë të flesh në një motel modest e paguhen $ 75.00 në steré.   I përshkrova këto hollësí jo për të bërë reklamë tregtare.   Aspak, por që t’i rikujtoj lexuesit anën tjetër të medaljes, atë të trishtën.   Ndonëse jetuam përgjatë 47 viteve në Europë, ishim aq dhunshëm të izoluar sa që propaganda komuniste dit’edhe natë, javë mbas jave e vit mbas viti, mundohej të na e mbushte mëndjen se ne jetonim në parajsë kurse bota e tregut të lirë ishte “ferri i njerëzimit”!   Një pjesë, fakirfukarenjt’e indoktrinuar e besonin këtë propagandë.   Por e keqja më e madhe ishte fakti se pala tjetër, ata që nuk u besonin atyre gënjeshtrave me bisht, ishim të detyruar e të shtireshim sikur u besonim se ndryshe, bëheshe objekt i nenit 55 me të gjitha pasojat e tija !   Përgjatë këtij konteksti nuk mundem t’i shmangem edhe një sqarimi.   E paraqita çmimin e 12 ditëve lundrim, fjetje si edhe ushqim si çmim shumë modest.  E vërtetë kjo për cilindo i cili jeton në njerin nga vëndet e tregut të lirë dhe ka një punë dhe si pasojë mundet t’ia lejojë vetes një udhëtim të tillë pushimi pa asnjë problem.   Për Shqipërinë e di se ndryshon çështja, e prandaj nuk mundem t’a le pa  cekur.   Përgjatë diktaturës të gjitha përparimet e ekonomisë socialiste krahasoheshin me nivelin e vitit 1938.   Arësyeja është aq e qartë sa nuk ka nevojë për koment.  Por, duke u thelluar në këtë drejtim, duhet t’a vazhdojmë bisedën mbi po ata binarë.   Inflacioni i vërtetë në Shqipërin’e diktaturës, parajsën e mirëqënjes botërore simbas drejtuesve komunistë të atyre viteve, ishte në nivele qiellore.   Çmimi i një frigoriferi shtëpijak ishte i barasvlerë me të ardhurat dhjetëmujore të një punëtori mesatar, ose me të ardhurat mesatare 14 mujore të një pensionisti, (sipas statistikave kombëtare të asaj periudhe).   Kurse sot, po ai frigorifer (ndonëse mikroskopik për kushtet e sotme) blihet me dy – tre pensione mujore ndonëse pensionet mujore, të krahasuar me nivelin e çmimeve të tregut, mund të quhen me plot gojën pensione uríje.   Prandaj edhe më nostalgjiku i diktaturës duhet t’ia verë gishtin kokës e të kuptojë se si, me të gjitha vështirësitë që ka ekonomia e sotme e tregut të lirë t’a kapërxejë mbrapambetjen skandaloze që u trashëgua nga diktatura, diferenca në mes të ardhurave reale, inflacionit si edhe fuqisë blerëse të shtetasit në mesatare, është si nata me ditën krahasuar me  periudhën e lulëzimit të ekonomisë socialiste  kur ne pretendonim t’i jepnim shëmbullin pozitiv gjithë botës !

Dy ishujt e parë grekë, e përgjithëshmja dhe e veçanta e tyre:

Nisja nga Piréu u bë më ora gjashtë pasdreke.  Ishte një dit’e mrekullueshme fund shtatori.  Qëndruam në guvertën e anijes derisa u err plotësisht.   Mbasi hëngrëm darkën filluam të shetisnim nëpër katet e ndryshëme të anijes të familjarizoheshim me lokalet e shumtë.   Të nesërmen, nga që ramë shumë vonë për të fjetur, nuk e shijuam dot akostimin e anijes në ishullin  grek Katakolon.  Në të vërtetë ai ishull nuk kishte asgjë të veçantë.  Një rrugë kryesore, jo më e gjatë se 100 metra, përgjatë së cilës ishin vendosur nga të dyja anët dyqane arturinash, objektesh karakteristike greke, si edhe ndonjë restorant edhe piceri.  Kjo e gjitha.  Ky ballafaqim i parë me një “mikrotreg” grek, na la një mbresë të papritur : shitësit e dyqaneve punonin sikur e kishin angarí detyrën.  Të prisnin me indiferencë tek hyje në dyqan e me po atë “flegmë” edhe të shërbenin.  E vetmja gjë mbresëlënëse ishte krahasimi i thjeshtësísë qytezës, ballafaquar me kapacitetin e kalatës së portit ku anija ynë 98.000 tonëshe qëndronte krenarisht e akostuar.
 Të nesërmen arritëm në Korfuz.  Tek hynim në portin e Korfuzit, pamja e qytetit me gjithë rrethina ishte e mrekullueshme.  Një gjelbërim mesdhetar që t’i çlodhte sytë.   Qyteti i Korfuzit ishte i bukur e të ngjallte kërshërí t’a vizitoje.   Ne, sapo zbritëm, u ballafaquam me të papriturën e parë : i telefonuam një mikut tonë që banon atje, të cilit deshëm t’i bënim një surpriz’e cila nuk na eci ... sepse asnjeri nuk  e ngriti receptorin.   Si duket ai kishte shkuar në Shqipëri.  Në vazhdim edhe e papritura e dytë :  në bankinë ishte i ankoruar një motoskaf që mbante flamurin shqiptar.   Pyetëm, e na thanë se ai bënte shërbimin Sarandë – Korfuz dhe anasjelltas.   Pamja e tij na mallëngjeu.   Nga porti, për të shkuar në qytet, morëm një taksi.   Me shoferin u gjet gjuha e përbashkët se ai e fliste disi anglishten.   Gjatë bisedave të përgjithëshme, tek e pyetëm në se ishte i lindur në Korfuz, ai çuditërisht na u përgjigj ... jo pikërisht këtu, por në Veri – Lindje të Korfuzit.   Për një çast mbetëm të hutuar, po duke menduar se Korfuzi si port detin e ka nga ana e Lindjes, i them shqip ... or djalë, mos je shqiptar ?   Na doli se ai ishte poliçanas !   Kur i thamë se kishim dëgjuar që trajtoheshin keq nga ana e autoriteteve greke refugjatët shqiptarë, tërë mllef na u përgjigj duke na thënë se mirë ua bënin.   Gjatë diktaturës kishin patur shkolla si edhe shtypin zyrtar në gjuhën greke.   Kujt i kishte shërbyer ajo politikë, e shtronte çështjen ai ?   Zhdukjes së ndjenjave kombëtare.   Nga ana tjetër thoshte se ekonomikisht, ndonëse ishin fshatarë, punonin tërë ditën në ara për kafshatën e bukës.   Kësisoji ata e shikonin tokën greke si ëndër e bukur.   Kur u krijua mundësia të largoheshin për në Greqi, ata s’e bënë dy :  një të marrë pleq’edhe kalamaj, katër trasta me vete, dhe e mbajtën frymën matanë kufirit.  Atje u ballafaquan me një trysní :  të pranonin të merrnin nënshtetësinë greke.   Mëdyshja e tyre, nga që nuk i kishin të shëndosha rrënjët kombëtare shqiptare, qe e papërfillëshme.   Me t’a pranuar atë, (nënshtetësinë), filluan të merrnin pensione e të rinjtë u lanë të lirë të gjenin punë.   Jeta që bëjmë këtu as krahasohet me atë që bënim në Shqipëri.   Prandaj kush nuk është i kënaqur, le të kthehet nga ka ardhur po deshi !   Po t’a dijnë se qeveria shqiptare po u a lan këmbët këtyre t’anëve këtu !    E pashë se ishte e kotë të debatoja me të, le që kishim arritur në qendër të qytetit.   I dhamë dhjetë eurot  që na kërkoi e u ndamë prej tij as pa ia dhënë dorën e t’i thonim faleminderit. 
Në Korfuz u ballafaquam edhe me një mungesë të theksuar shërbimi.   Le që në një bankë ku hymë të kthenim disa dollarë amerikanë me euro na u desh të prisnim pa ekzagjerim një orë e gjysëm.    Ishin vetëm tre sportele prej të cilëve vetëm njeri sportelist punonte.   Kur vinte i dyti ... veç largohej i pari e me radhë.
Shkuam në zyrën qendrore postare të blinim pulla. I drejtohem një nëpunëses në anglisht    dhe i kërkoj pulla postare.   Ma bën me kokë drejtë një “automati”.   Vete, dhe shoh se ishte afishuar një letër ku shkruhej  Jashtë shërbimi.   I kthehem nëpunëses e cila nuk kishte asnjë klient para tavolinës së saj.   Më kthehet gjithë nervozizëm dhe më thotë në anglisht :  as pulla nga automati nuk merrke dot pa të ndihmuar njeri ?   I u ktheva gjithë nevozizëm dhe i them se me nëpunës analfabetë që nuk dijnë të lexojnë shënimet e vëna tek automatët vërtet, nuk di të merrem vesh !  U ngrit gjithë nerva, (sikur i kisha borxh kush e di se çfarë), dhe vajti tek automati.   Kur e pa shënimin, erdhi me bisht ndër shalë tek tavolina e saj, çeli sirtarin dhe nxori pullat.   Faleminderit, i thashë, do të bëj edhe pa to.  Nuk i a mora pullat !  
Mbasi i ramë kryq’e tërthor tregut të Korfuzit ku blem’edhe shijuam ca fiq shumë të mirë, na kishte marrë etja.   Hymë në një pastiçerí të madhe dhe porositëm akullore.   Ndërkohësisht vajta në banjo të laja duart.   E shtypa butonin e shishes së sapunit, i sapunisa mirë duart e kur marr të hap rubinetën e ujit :  nuk kishte ujë !(???)   Edhe kjo na u desh dhe kësisoji ësht’e qartë se imazhi i Greqisë në sytë tonë sa vinte e bëhej më miqësor.  I fshiva si i fshiva duart e kur u ktheva, kishin kaluar nja 20 minuta të mira, akoma ime shoqe vazhdonte të priste kamerierin me gjithë akullore !   Mbas gjysëm ore erdhën edhe akulloret.   Ndërsa kamerieri po i vinte mbi tavolinë, e pyes ... në banjë nuk kishte ujë, si ia bëni ?   Mu përgjigj i habitur sikur unë vija nga një planet tjetër :  Ka tri ditë që po instalojmë konduktura të reja ... I paguam akulloret, doemos pa i lënë bakshish  kamerierit dhe u larguam pa i prekur ato :  kush e di me ç’ujë kazani i shplanin kupat si edhe lugët !  
Duke ecur rrugëve të Korfuzit, në çdo hap t’a ngacmonte nuhatjen era e byreqeve të freskët, e paidhaqeve, etj.   Ndonëse ne po bëheshim gati të ktheheshim në anije ku na priste ushqimi nga më të zgjedhurit që mund të përfytyrohet si nga shumllojshmëría e gjithashtu edhe nga cilësia, era ngacmuese para një restoranti që reklamonte me të madhe “Gyroshin”, (qebapin rrotullues grek), me mish viçi, na bëri të mos prisnim sa të shkonim në anije.   Nuk kishte asnjë klient të ulur.   Si të vetmit që ishim erdhi vetë i zoti i restorantit të na shërbente.   Ime shoqe, e cila nuk e ha mishin e derrit, pyeti para se t’a bënte porosinë ... është gyrosh vetëm me mish viçi dhe nuk ka mish derri ?   Pronari i u përgjigj me një anglishte mjaft të mirë, pa as më të voglën mëdyshje, se nuk e përdornin fare derrin, mos të kishte asnjë merak e të hante e shkujdesur.   Do ti që ime shoqe e vazhdoi bisedën, (gjë e cila edhe mua më mërziti, pa le që pronari, ma mori mëndja mua, duhej të mërzitej akoma më shumë), dhe i tha se ajo insistonte të pyeste lidhur me llojin e mishit të përdorur sepse vuante nga një alergji e tmerrshme të cilën e bënte të shpërthejë sadopak mish derri të hante.   E po të ngjiste kjo, ajo menjëherë përfundonte në urgjencë spitali.  Ndërsa mua kjo bisedë po më dukej tjerrje e kotë, ana komike e rrethanës qe përgjigja e restorantxhiut :   Zonjë, më vjen keq, por po qe kështu jo te unë po asgjëkundi mos hani gyrosh.  Të gjithë përdorim mish derri, ndonëse reklamojmë të kundërtën.  U ngritëm e ikëm duke e mbajtur frymën në anije.  

Dy ditët në Egjypt me të gjitha mbresat e tyre kundërthënëse:

 Pjes'e udhetimit ishte edhe lundrimi nga Korfuzi ne Aleksandrí që zgjati dy netë si edhe një ditë.  Nuk mund të harrohet kollaj ai lundrim.  Të shumta kënaqësitë që na ofronte anija me komoditetet e saja të cilat gërshetoheshin tejet këndshëm me ndjesítë e shumta që na shkaktonte arom’e detit të kripur, bukurija e papëshkrueshme e agimeve si edhe perëndimeve të diellit, pamja e një barke me vela, jo më shumë se dy metra e gjatë, që në atë prag muzgu aq larg e kishte shtyrë udhëtarin e vetmuar.   Sapo fillova të mendoja si e kishte hallin ai vetmitar, u shpërbë përqëndrimi rreth tij se ... një varg pulëbardhash i u drejtuan fushës tenisit anijes në gjysëm pikjate dhe zbritën në të të çlodheshin.   Kush e di, vetëm ato e dinin, se sa milje e milje të tëra fluturimi do të kishin akoma përpara tyre.  
Në Aleksandri arritëm një ditë të bukur më shtatë të mëngjesit.  Hyrjen në port, në atë port që nga deti na paraqiste një pamje jashtëzakonisht të bukur, e shijuam të ulur para dritareve të restorantit duke e ngrënë ngutshëm mëngjesin. 
Së bashku me t’ime shoqe ishim ndër të parët që, mbasi i morëm pasaportat e vulosura nga shërbimi doganor egjyptian në njerën nga sallat e anijes, u drejtuam për te dalja e anijes.  Mirëpo atje na priste burokracía e shtetit socialist egjyptian.  Tre funksjonarë me uniforma, (si duket policie), bisedonin njeri me tjetrin me fytyra tejet serioze dhe as e vinin ujin në zjarr se tek dalja e anijes sa vinte e shtoheshim ne që donim të dilnim në port.   Më në fund erdhi një oficer, para të cilit tre funksjonarët e parë, (që kur ishin vetëm dukeshin si të plotfuqishmit e vëndit), u ngrinë në drejtqëndrim.   Mbasi i raportuan ç’kishin për t’i thënë, ai me kokë filloi të na jepte shënjë t’i afroheshim.  E mori pasaportën nga duart e mia, e shikoi mir’e mirë, hapi faqen ku ishte vula e doganës Aleksandrisë e pastaj, si u mendua disa çaste, ma zgjati dokumentin dhe me kokë më dha të kuptoj se mund të dilja.  Miratimin ma kishte dhënë.  Tek e ktheva kokën prapa, të shikoja a po më pasonte ime shoqe, pashë se unë kisha patur nderin e madh që ai, personalisht ai, ishte marrë me mua.  Të tjerëve pasaportat po fillonin t’ua kontrollonin tre vartësit e tij. 
Sapo dolëm në port u krijua një gjëndje shumë prekëse.   Porsa jashtë doganës, na ndante një hapësirë me njerëzit që rrinin e prisnin për punët e tyre.   Mes tyre ishin dy gra dhe një burrë, te cilat gra u turrën drejtë s’ime shoqeje por edhe kjo e fundit u turr drejtë tyre.  U njohën si me magjí !  Ishte gjaku që i tërhiqte !  Rrethanë shumë prekëse ishte se ato gjithsecila kishin nga dy fotografi tonat, njerën të fejesës e tjetrën të ditës së martesës sonë !  Por edhe ne kishim vetëm dy fotografit’e martesave të tyre e pastaj letërkëmbimi i vjehrrës sime të ndjerë me të motrën, nënën e gocave, qe ndërprerë. E tani ato u ballafaquan me ne, dy pleq, (ndonëse koha e kishte bërë të vetën edhe për to) !   Kurse burri që ishte me to, ishte i shoqi i njerës prej dy motrave, më të madhes.  Ata të shkretët kishin ardhur një natë më parë në Aleksandri e kishin fjetur atje se Kajroja (ku ata banojne) ishte tri or'e gjysëm larg me makinë !   Në vazhdim unë pastaj hipa në makinë me burrin ndërsa ime shoqe  me dy motrat.  Gjatë udhëtimit në autostradë më binte në sy, ndonëse autostrada i kishte të ndara korsitë me vija të bardha, asnjeri nuk e respektonte rregullin e drejtimit të makinës brënda atyre vijave.   Herë herë vije re makina të cilat për kilometra të tëra, ecnin duke e shaluar vijën e bardhë mes tyre.   Bahkëudhëtuesi më tregonte palmat me tufat e bananeve të pjekura që vareshin nën degët e pemëve, hurmatë me tufat e mëdha të frutave të tyre e gjithashtu më shpjegoi se si nga të dy krahët e autostradës Shkretëtira e Saharasë ishte tërhequr drejtë brëndësisë duke ia lënë vëndin një farë bimësije si edhe gjelbërimi.  
Kur i u avitëm Kajros shoqëruesi im bisedoi me të shoqen në telefon dhe mbas pak ai e ndaloi makinën e mbas tij edhe ato.   Ai na shpjegoi se kishim arritur në qytetin e Gizës, pjes’e Kajros, dhe me që ai ndjehej i lodhur do të shkonte në shtëpi të pushonte, ndërsa dy motrat do të na shoqëronin të vizitonim Piramidat e famëshme si edhe Sfinksin.   Dita ishte e bukur dhe gjithë diell e si rrjedhoje edhe vapë goxha.  Kjo na mërziti, sepse më e vogla nga motrat jo vetëm që 26 vite të shkuara i ishte nënshtruar një mamectomíe, por ishte operuar ndërkohë edhe tri herë të tjera dhe ishte duke e vazhduar ciklin e kimioterapisë për herë të katertë !   E pabesueshme se sa vitalitet që kishte si edhe vullnet të na shoqëronte pa e dhënë veten fare !  
Sapo u avitëm tek zona e piramidave ku edhe e parkuam makinën në një shesh atje përpara, përjashto pamjen e piramidës së njohur nga ne me emrin Cheops, (sipas kushërirave të gruas Khufu), e cila me madhështin’e saj antike  ishte vërtet mahnitëse, të tjerat ishin krejtësisht zhgënjyese.   Një karakoll - barrakë policie ku paguhej vizita e pastaj vinin e të kapnin nga krahu kaçulër të ndryshëm që të ftonin t'i ndiqje e ata të ishin ciceronë ... ndonëse nuk dinin asnjë gjuhë të huaj veç arabishtes.  Me t’iu avitur piramidës së parë, këta "ciceronë" që me aparatin tënd të bënin disa fotografi, pastaj t’a zgjasnin dorën e të kërkonin "bakshish" !(?)  E këta bakshishe t'i kërkonin tash e parë gjatë shetitjes nëpër Piramida.   Sa kundërthënëse shtysa e jon’e brendshme e deriatëhershme të mësonim nga ciceronë, specialistë të fushës historisë dhe kulturës, më shumë nga ç’dinim  rreth piramidave, e ballafaquar kjo me realitetin e zbehtë të personifikuar nga një djalosh rreth të njëzetave që nuk e di se të ç’nivelit do t’a kishte edhe arabishten e tij të folur !   Ç’mund të dinte ai  “fakirfukara”  rreth lartësisë Piramidës që sipas njerit arkeolog ishte 139,89 m. e lartë e sipas tjetrit, llogaritur sipas apotemës së matëshme të saj, kishte rezultuar se ishte më e shkurtër 0.39 m.?   Pa lé të jepte një mendim ai ciceron lidhur me 2,3 miljon blloqet e gurëve të gdhendur e me peshë vetiake që shkonte nga 2,5 ton e deri në 15 ton secili, (sipas pozicionit të vendosjes tyre në objekt) ?   Kësisoji ballafaqimi ynë me realitetin e t’ashtuquajturve ciceronë, na e fashiti përgjithmonë shpresën se do të mësonim diçka më shumë nga ç’dinim rreth energjisë që emetonin piramidat e që materializohej me shërimin e artriteve rheumatizmale tek ata që flinin një natë nën piramida, ose të gjenim përgjigjen e pyetjes përse një copë mish e lënë në këmbët e Piramidës të nesërmen “qelbej” nga që qé fermentuar, kurse etalloni tjetër i mishit i vendosur brënda  Piramidës, e ruante freskinë të patjetërsuar ?   Në vazhdim ciceroni si edhe një shok i tij, na hypën në dy pajtonë shkatarriqë të tërhequr nga dy kuaj që të ngjallnin mëshirë, (por që ne nuk i shmangeshim dot shërbimit të tyre), se pa ta do të ishte shum’e lodhëshme për ne rruga më këmbë për të shkuar e vizituar Piramidën Khafre me gjithë Sfinks-in para saj, pa lé pastaj piramidën e tretë për nga madhësia, atë të quajtur Menkaure.  
Ësht’e qartë se me t’u nisur nga Piramida Khufu i arshivuam si të papërgjigje pyetjet tona që me padurim prisnim të na i sqaronin ciceronët eventualë rreth prejardhjes emrit të Sfinksit, (krijesës mitologjike i gdhëndur në gur me përmasa koke njeriu 10 m. me 4 m. dhe me krahë e putra luani 15 m. të gjata e me trup luani me bisht 80 m. i gjatë), a vinte nga arabishtja apo kish themel versioni i greqishtes lashtë sipas të cilit Sfinksi mbyste me putrat e tija udhëtarin që nuk i jepte përgjigje të saktë gjëegjëzës : Ç’është ai që kur lind dielli ecën me katër këmbë, në drekë me dy dhe në perëndim me tri ?  
Me kaq u tret si vesa e mëngjezit kur e ze dielli, shpresa e jonë se nga vizita në Giza do të mësonim të reja rreth piramidave dhe Sfinks-it nga ciceronët.  Mirëpo fare pa mësuar asgjë të re, nuk qe e thënë të largoheshim nga ai kompleks arti ndërtimi madhështor antik.   Tek bisedonim me njeritjetrin me kushërirat e gruas, i pyetëm ato fare pa asnjë shpresë se mund të merrnim përgjigje, rreth një fenomeni që binte dukshëm në sy.   Piramida Khafre rreth lartësisë së saj pak a shumë me sy sa 1/5 nga kulmi i saj,  nga ajo kuotë e poshtë, deri në planin e bazës së saj, ishte si e çvoshkur.   Me pak fjalë nga 4/5 e lartësisë e deri në kulmin e saj “manteli rrethues i blloqeve të gurtë” ishte i paprekur.   Nga ajo lartësi e poshtë vetë piramida dukej sikur i a kishin “qëruar” lëkurën si ndonjë portokalli lëkurëtrashë.   Ne, pa e përfunduar pyetjen, mbetëm të befasuar se si të dyja motrat me një gojë na shpjeguan se si themeluesi i shtetit modern egjyptian, shqiptari Muhamed Ali, kishte urdhëruar t’a çvoshknin piramidën në fjalë që të gjëndej eventualisht hyrja për në galerinë që çonte brënda vetë piramidës.   Mirëpo mundimi qe treguar i pafrut.   Hyrja nuk qe e mundur të gjëndej. 
Kaq lidhur mirëfilli me tri piramidat si edhe Sfinksin e Gizës. 
Tashti edhe një aspekt tjetër përshtypjesh më shumë karakteri shpirtëror.  Tek po e anashkalonim Piramidën Khufu, e ndaluam pajtonim sepse pamë një amfiteatër oval, parafabrikat, i cili dukej si ... rrenojë moderne.   Ishte evidente se po çmontohej.   Pra ishte një “perëndim” dhe jo një “lindje”.   E vetmja gjë e bërë nga mëndja si edhe dora e njeriut modern n’atë territor madhështishë antike 7000 vjeçare, ishte nisma për t’a çfaqur operan Aida të Giuseppe Verdit në mjedisin antik të Gizas.   E mua, n’atë vapë përvëluese, si në një përhitje (vegim)  më parakaluan në mëndje një morí  të dhënash ... Ismail Pashai, Khediu i Egjyptit ... dashuria e Aidas ... kundërvënja e kësaj të fundit ndaj dhimbsurisë për etiopasit e vet ... Amonastroja, Ati i saj krenar ... Radamesi luftëtar i zënë  ngushtë ... e përballë edhe Amnerisi, princesha egjyptiane ... Më nxori nga ajo kllapí me sy hapur zëri i kapso-ciceronit që seç më thoshte me arabishten e tij.  Nga shënjat e tia kuptova se ai donte t’a vazhdonim rrugën.   Ai nuk kishte faj, nuk ishte ciceron por karrocier.  Me pak fjalë, ç’më futi në mendime ishte prishja e skenës dhe e shkallareve ku vit për vit çfaqej Opera Aida e interpretuar nga solistët lirikë më të famshëm në botë. 
Radhisim fluturimthi faktet.  Ismail Pashai artdashës, i porositi Giuseppe Verdit më 1869 të kompozonte një opera se donte të përuronte themelimin e Operas së Kajros me kapacitet 850 vëndesh ulur.   Verdi brënda katër muajsh e përfundoi.   Në fakt opera u çfaq me vonesë sepse lufta franko-prusjane pengoi rrugëtimet nga Franca.   Kur opera u çfaq në janarin e vitit 1891, ajo përkoi me mbarimin e punimeve të Kanalit Suezit dhe kësisoji filloi të thurej një gojdhanë sikur dy ngjarjet ishin të lidhura së bashku.  Lidhur me ndërthurjen e operas në qendër të dramës është figura e princeshës etiopase Aida e zënë robínë nga egjyptianët që duke mos e ditur se ajo qe e bija e mbretit etiopas Amonastro, e çojnë si skllave t’i shërbejë princeshës së tyre, Amneris.  Të dyja princeshat dashurohen mbas luftëtarit egjyptian Radames dhe ajo dashuri sjell edhe dramën në skenë.  
Pak fjalë tashti rreth zhgënjimit tim.   E përshkrova në fillim të trajtimit vizitës ndër piramida, varfërinë si edhe mungesën totale të një infrastrukture rreth piramidave, asaj trashëgimie të mrekullueshme kulturore që Shteti Egjyptian e ka trashëguar që nga lashtësia.   Nisma kulturore për t’a çfaqur Operan Aida, me temë të mirëfilltë egjyptiane, në hijen e Piramidave dhe të Sfinksit të Gizas, ishte një hap i parë, një lindje e vështirë, a daç i themi një përpjekje me karakter artistiko-kombëtar, për t’a zgjeruar turizmin drejtë Egjyptit.   E kur ajo nismë priste bashkëshoqe natyre të tillë ... një urdhër i ministrit të Kulturës vendase dhe ... prishet teatri i hapur.  Pra lindjen premtuese e kishte zëvëndësuar një dështim vulgar.   Dhe për fat të keq dhe me keqardhje të madhe tonën, të nesërmen në darkë kur u kthyem në anije, pa përjashtim me këdo që biseduam e që kishin vizituar Piramidat e Gizës, pohonin se ... kurrë më nuk do t’a ndjenin nevojën të ktheheshin e t’i vizitonin ato, një mrekulli e botës e lënë në mëshirën e fatit ! 
Tek largoheshim me makinë duke i dhënë fund vizitës sonë në Piramidat e Gizës,  Piramida Khafre, e cila si pasoj’e ndërtimit në territor më të ngritur se të tjerat duket më e lartë edhe se vetë Khufu-ja dhe,  e kundruar nga larg, të jepte përshtypjen e një masivi që në krye kishte një kreshtë si ajo e luanëve.   Kjo përshtypja e fundit e lamtumirës prej tyre. 
Që atje, për t’i a plotësuar dëshirën sime shoqeje, shkuam e vizituam varrezat e gjyshërve, (nga ana e Nënës së saj), si edhe të tezes, nënës së dy motrave.  Ky është një kapitull më vete që tregon mjerimin e Egjyptit.  Në varreza, që është edhe Kajroja e lashtë, jetojnë një miljon të varfër pa ujë, pa drita e doemos as që mendohet për shërbime komunale.  Kur e ndaluan makinën para një shtëpije, pamë që dera ishte e mbyllur me dry.  Veç kur vrapoi dhe erdhi një meso grua e cila mbasi na përshëndeti me shumë mirëdashje, e çeli drynin dhe e hapi portën.  Ç’të shihnim ?  Dera dhe dy dritaret ishin vetëm fasadë shtëpie.  Hymë në korridorin që kishte nga të dyja anët nga një dhomë, por dhomat pa tavan e ... pa çatí !   Tek ajo që duhej të ishte dhoma e djathtë, kishte një dysheme druri dhe në mes një varr prej guri të gdhendur i lartë mbi dy metra.   Anash tij, në dysheme, ndodhej një kapanxhë me brinjë një metërshe që hapej dhe që andej i zbrisnin kufomat për t’u varrosur në katin nën dhé.   Ngjitur kësaj karabiná dhome, një zgëqe tjetër së cilës i kishin bërë një biçim “strehe” e atje shiheshin ca lecka si dyshek ku flinte ajo gruaja me familjen e saj.   E kështu ishin të gjitha varrezat :  fasadë shtëpije me derë dhe dy dritare e pas asaj fasade ... dhoma mortore me simbolin e varrit përsipër si edhe fukarenjtë që jetonin në atë mjedis varreze.   Sapo hymë ne, erdhi edhe një plak i veshur me galabíje (xhixhillëk), i cili u ul në bisht pranë varrit dhe filloi të këndojë sure nga Kurani.   E doemos atë “shërbim shpirtror” ai vazhdoi t’a bënte derisa ne i dhamë një “bakshish”.   Me pak fjalë, sado e sido që të përshkruhet ajo gjëndje skandaloze mizerjeje njerëzore, as me fantazinë më të çfrenuar ajo nuk arrihet të konceptohet dot!    Megjithatë, edhe varrezat doemos përbëjnë një kërshëri që duhet mësuar.
Që atje vajtëm në shtëpin'e motrës së vogël, asaj të sëmurës, që si ajo e doemos edhe ne të pushonim pak.  Në atë çast erdhi i shoqi, i cili nuk kishte patur mundësi të vinte e të na priste në Aleksandri.   Mbasi u bënë përshëndetjet e rastit e ai na kërkoi ndjesë qe nuk erdhi në Aleksandri me të shoqen,  na e shpjegoi me keqardhje edhe arësyen e mungesës së tij.
Mbas nja dy orësh shkuam tek motra e madhe.  Kur hymë brënda u befasuam se i shoqi i saj, i cili na kishte kërkuar leje të largohej e të shkonte të pushonte, e kishte patur sebep atë kërkesë. Ata kishin organizuar një darkë "iftari" madhështore, (me që ishim në muajin e Ramazanit), e kishin ftuar vajzat me burrat si edhe djemtë me gratë e gjithashtu fëmijët e dy vëllezërve të tyre, (prej të cilëve takuam vetëm njerin se tjetri ishte jashtë Egjyptit me shërbim), të gjithë edhe me fëmijët e tyre që të njiheshin me ne !  Ishte takim vërtet prekës dhe i bukur !  Përgjatë asaj darke të gëzuar sa më s’ka, të dyja motrat, si edhe burrat e tyre të ndërsjellë, me këmbëngulje na kërkuan të shkonim më gjithë vajzën, dhëndrin si edhe dy fëmijët e tyre të rrinim tek ata në Kajro një muaj a sa të donim ne, që të mund të çmalleshim me njeritjetrin e jo si këtë herë vetëm një natë.   Me pak fjalë ishin shumë, shumë të dashur e mikpritës !    Kjo vinte edhe nga fakti se që të dy baxhanakët, burrat e dy kushërirave të sime shoqeje, ishin në gjëndje të mirë ekonomike, që të dy inxhenjerë mekanikë e me punë të mira.    
 Hiq dy familjet që vizituam edhe doemosdo u kënaqem shumë me to, për të tjerat as që do të na binte më në mëndje t'a rishikonim Kajron.  Pisllëku i rrugeve ishte i madh.  Në Heliopolis, qyteti ku banonin dy kushërirat e s’ime shoqes e që ishte pjesa m’e pasur e Kajros,  megjithatë pastërtia rrugëve linte për të dëshiruar.  Doemos krahas ndërtesave të reja, kishte edhe kryevepra ndërtesash qindravjeçare pashallarësh etj. që ruheshin si relike.  Mirëpo lidhur me ndërtimet e reja shumëkatëshe, edhe tek ato binte në sy një fenomen i pazakontë. Shumë prej tyre dukej se ishin të banuara sepse kishte rroba nderur nëpër ballkone.  Kurse si ndërtesë dukej e papërfunduar.   Pamë një, pamë të dytën, po kur vumë re shumë prej tyre, pyetëm si ngjiste ajo punë.   Përgjigja qe e thjeshtë, bindëse por edhe shumë, shumë kuptimplote lidhur me horizontin që hapte sa i takon gjykimit të administrimit ekonomisë vendase.  Na ishte në fuqi një ligj i cili përcaktonte se për sa kohë që një ndërtesë banimi nuk suvatohej edhe nga jashtë, ajo përjashtohej nga taksat.  Kësisoji nuk do shpjegime evazioni fiskal në fushë të ndërtimeve urbane. Pasqyr’e mirëqenjes kryeqytetit Egjyptit ishte edhe vargu i pambarim i veturave të atij metropoli 15 miljonësh ku, hiq pak a shumë një 10 % që ishin të modeleve të fundit, të tjerat ishin autovetura prodhim i 20 - 30 viteve të shkuara !  Ata na shpjeguan se me revolucionin socialist që bëri Naseri si edhe me shtetëzimet që pati bërë, ai e kishte shkatërruar Egjyptin dhe ekonomin'e tij.  Sadatin që ishte vërtet patriot dhe i dhimbsej Egjypti ... e vranë të majtët e tashti Mubaraku e vazhdonte dhe e kishte thelluar regjimin policor !  Pa le që me qenë se i biri, që siç duket është m’i mënçuri i vëndit pas t’et, po punohet që me gjasë ai  t’a zëvëndësojë t’anë si president !(?) 
Se sa i begatë që ishte vëndi kuptohej edhe nga një fakt shumë befasues për ne :  çdo dyqind metra shihje nga katër a pesë policë së bashku që kishin edhe një biçim mburoje metalike të rrotullueshme paisur me ndenjëse si edhe me një frëngjí :  versioni egjyptian i bunkerëve tanë të diktaturës. Tamam shtet policor!  E doemos, kush ballafaqohej me atë realitet, e kuptonte që nga pamja e parë se ekonomia e atij shteti nuk kishte se si të ishte e begatë :  mbante në kurriz të gjith’atë armatë personeli joprodhues. 
Të nesërmen vizituam Muzeun e Kajros.  Ç’të shihje ?   Rreth Muzeut më shumë policë se sa vizitorë !  Brënda Muzeut ballafaqoheshe me dy realitete diametralisht të kundërtë.  Në një anë shikoje vepra arti dhe shkence të lashtë monumentale duke filluar që nga skulpturat në granit, gjerdanët e vyer të florinjtë, papiruset marramendës, mumjet etj. e nga ana tjetër e kuptoje se ai Muzé nuk kishte zot dhe malli ishte i të gjithëve dhe ... i askujt !  Kudo pluhura, merimanga, papastërtí, kondicionerë që vareshin shtrembër në mur se i qe këputur njera mbajtëse e ... ç’të them më parë !  Tamam mall i një shteti socialist ! Mbasi dolëm nga Muzeu, ku aparatet fotografikë në hyrje na kishin detyruar t’i dorëzonim, na i kthyen. 
Mbas vizitës në Muzé, ne frymën duhej t’a mbanim në Aleksandrí. Me gjithë këmbënguljen tonë që e kushërira e sime shoqeje, e vogla që ishte me kimioterapi, të mos lodhej deri në Aleksandrí, (se vetëm udhëtimi si kohë neto ishte shtatë orë vajtje edhe kthim), ajo meazalla se pranoi dhe erdhi me ne.  Ajo i tha të shoqit t’a ngiste ajo makinën po ai nuk e la dhe do ti e humbi hyrjen në autostradë dhe u fut nëpër qyteza periferike të Kajros gjë që u bë edhe objekt sherri me të shoqen e cila i tha “... të më lije mua t’a ngisja makinën nuk e humbisja rrugën, po ti nuk ke faj : ti je mësuar që të vjen shoferi me makinë, të merr e të bije në shtëpi”.  Mirëpo ngatërresa që bëri i shoqi na e tregoi edhe një pamje tjetër të Kajros.  Ne na qe dukur jo i pastër Heliopolisi ku banonin ata. Tek u ballafaquam me papastërtin’e atjeshme ... të vije duart në kokë!  Pa ekzagjerim plehrat i shihje vënde vënde që e zinin 1/3-tën e rrugës dhe ishin grumbulluar për njëzet metra rrjesht me lartësi 50 cm !  Pa frikë duhej “fadromë” t’i mblidhte !  E në atë pisllëk edhe pluhur, ulur në tokë shisnin simite, pas tyre mishra të varur në çengela ku tufat e mizave ishin si bletët ! 
Në Aleksandri na çuan në një restorant me prodhime deti ku u kënaqëm shumë e pastaj drejt’e në port.   Mendimi ynë mbizotërues në ato çaste ndarjeje ishte ... kur do të na jepej, në qoftë se na jepet, mundësia të takohemi së rishmi me ata njerëz aq të mirë, mikpritës dhe bujarë në shpirt ?   Me shpresën se ose ata do të vinin tek ne në Amerikë ose ne, veç për hatrin e tyre, (se jo më nga kërshëría për t’a parë Egjyptin), mund të shkonim së rishmi në Kajro, u ndamë me ta  duke shkëmbyer përzemërsí si edhe shumë përqafime të përmallura.

Së rishmi ishuj grekë:

Sapo doli anija nga porti i Aleksandrísë, e shijuam edhe në largim, ashtu si edhe në hyrje, hijeshínë vërtet mahnitëse të atij porti tejet të bukur mesdhetar.  Udhëtuam gjithë natën, (të cilat netë  për ne nuk ishin më të gjata se ... pesë orë gjumë secila). 
Të nesërmen, teksá anija i avitej portit Heraklion të Kretës, duke lundruar paralelisht me vetë ishullin, pamja nga anija ishte mahnitëse.    Deti, me një ngjyrë të theksuar të blertë tek shikonim pingul mbi të nga anija që lundronte ngadalë, shtrihej i qetë vaj deri ku i ndante kufijtë me sterénë.   Karakteristik’e atyre ishujve grekë ishte fakti që anijet e tonazhit shumë të madh, siç ishte rasti i anijes sonë, arrinin dhe e lëshonin spirancën tamam në pozicionin ku anija mbështetej në kalatën e portit.  
Qyteti Heraklion ish i shtrirë buzë detit.   I bukur.   I pastër.   Të krijohej përshtypja se vetë banorët e tij ishin të interesuar t’a mbanin e t’a ruanin të tillë, e jo shërbimi bashkijak.   Hym’e dolëm nëpër labirintet e rrugicave të qytezës bregdetare të mbushura me dyqane nga më të ndryshmit.   Aty e shikoje të theksuar se si iniciativa private u a mprihte mëndjet banorëve të atij qyteti të ushtronin një aktivitet i cili ... të ngjallte kërkesa.   Në të kundërtë, nuk do të arrinin të mbijetonin !   Në çdo hap ndesheshe me dyqane argjendaríje në vitrinat e të cilëve ekspozoheshin larmí e jashtëzakonëshme arturinash.   Arturina, po me vlerë e të një cilësie të lartë.   Nëpër rrugica, ngadó të ndiqnin aromat ngacmuese të byrekëve, bukës së porsadalë nga furra, gyrosheve që duke u rrotulluar i piqnin dhjetrat e shtresave të mishit që dora dorës pastaj qethej e mbushte pitet e ngrohta që u shiteshin klientëve, (ndonëse ato nuk e ngacmonin më fare oreksin e sime shoqeje që e kishte mësuar sekretin e tyre në Korfuz), dhe kalonte para tyre tanimë pa e kthyer fare kokën, bile me krenarí përçmuese !   Ja si rastisi që në atë ishull, ku nuk na e merrte mëndja kurrën e kurrës se mund të gjëndej, u gjënd edhe qumështi i dallandyshes.   Mora të fiksoja në aparatin fotografik një pamje nga ato rrugica karakteristike, veç kur aparati ngec dhe në ekranin e tij të vogël më del një shënim :   memoria plot.   Sapo e kishim kaluar gjysmën e ditëve të lundrimit.   Para nesh na prisnin edhe dy ishuj grekë e pastaj vinin vizita në Izmir e së fundi porti i Stambollit.   U mërzitëm pa masë.   Si t’ia bënim ?   Aparati fotografik ishte prodhim teknollogjik i vitit 2006.   Le në Heraklion, po nuk kishim shpresë as në Stamboll të mund të gjenim, në vijim, të tillë skedinë memorie.   Megjithatë, thamë me gruan, hajde të kërkojmë një herë.   U tha, u bë. Pyetëm në se kishte dyqan ku shiteshin aparate fotografike e me t’a mësuar se ku, me vrap drejt’e tek dyqani.  Mbrapa banakut një grua e hijëshme e cila na buzëqeshi miqësisht.   Sapo i u drejtuam anglisht me kërkesën tonë, u vrenjt.   I thashë sime shoqeje ... s’paskemi shpresë këtu, dhe desha t’i drejtohem derës daljes.   Kur ajo me kokë na e bën në drejtimin e një vetrine të dyqanit ku ... ç’të shihnim ?   Lloje, lloje tipe të ndryshme memoriesh aparatesh fotografike digitale!   E kuptova se ajo e dinte mirë se ç’i nevoitej tregut.   Mir’e gjetëm ç’deshëm, menduam, po sa do të na e skuqte çmimin.   U çuditëm.   I njejti çmim sa blihej edhe në Amerikë ajo memorie aparati.  E blemë të gëzuar e dolëm nga dyqani por prapseprap diçka na mundonte.   E kishim vënë ré në Katakolon, por nuk i dhamë rëndësí.  Vazhdoi në Korfuz, por e menduam rastësí.  E tashti përballoheshim me të njejtën dukurí në Kretë :  shitësit na silleshin sikur u a kishim borxh ne atyre, e jo ata neve.   (E harronim dot sjelljen e nëpunëses postës në Korfuz ?)  Do t’a mësonim në Santorini arsyen e mosmirësjelljes dyqanxhinjëve grekë.
Mes ngrënjes së drekës, me peshk të porsa sjellë në restorant nga peshkatarët, si edhe bredhjes së rishmi për të parë kërshëritë që paraqiste ishulli i bukur i Kretës, kaloi edhe pasdrekja dhe ne me vrap e në port për t’u imbarkuar në vërtet Xhevahirin Norvegjez që na priste hijerëndë, e t’i drejtoheshim objektivit tjetër të vizitave tona, ishullit grek Santorini.     
Ballafaqimi me këtë ishull  nuk kishte krahasim me asnjerin nga pararendësit e tij.   Vetë qyteza kryesore, majë mali.   E bardh’e bardhë, dukej si kresht’e mbuluar me dëborë e atij mali që zbriste shumë pjerrtas e përfundonte me bregdetin shkëmbor thuajse thik’e në detin thellësisht të kaltër.  Pamja e mbarë kompleksit det - ishull - mal - qytezë, të mrekullonte !   Ne mezi ç’po prisnim të shkelnim në steré.   Kur vetëm disa qindra metra na ndanin akoma nga bregu dhe ne po sodisnim si shtegun zig – zag me kthesa tamam këndore të mprehta që i ngjiteshin shpatit të malit që nga bregu e deri lart tek qyteza – kreshtë, e gjithashtu ndiqnim me sy edhe teleferikun i cili rëndë – rëndë i ngjitej thuajse vertikalisht faqes së malit, veç kur u fashit dridhja e lehtë që ndjehej vazhdimisht në këmbët tona.   U befasuam tek vumë re se anija qëndroi dhe i hodhi spirancat e saj.  Nuk do të kishte pra mbështetje të anijes në kalatë porti.  E para herë kjo gjatë të gjithë lundrimit të deriatëhershëm e prandaj edhe ne e kuptuam mesazhin e heshtur që na dërgoi mali ishull :  na vinte në dukje se ai ishte konservator.   Nuk u a shpaloste të gjithëve, q’e admironin nga larg, bukurit’e tija intime !   
Një varg motoskafësh që shkonin e vinin na transportuan pa fare vonesa në breg.   Atje mësuam se ai shteg zig – zag që ne shikonim nga anija e që të çonte nga bregu i betonuar i ishullit lart tek qyteza, nuk përshkohej në këmbë por kaluar në mushka.   Kështu dikush zgjidhte transportin ekzotik e dikush atë modernin, teleferikun.   Ne zgjodhëm këtë të dytin.   Ndërsa një çift gjerman, me të cilin e kishim një farë muhabeti, tek e takuam mbas disa orësh lart në qytezë, na foli me shumë entuziazëm rreth transportit me teleferik.  Dhe gjithatë vrull propagandimi në favor të transportit modern, kur të zbrisnin për në breg, na e treguan edhe të dokumentuar me fakte.  Arësyeja ?  E thjeshtë, shum’e thjeshtë.   Në mes të shtegut në ngjitjen zig – zage, mushka të cilën zonja gjermane e kalëronte, kishte vendosur mos t’i sillte më të ardhura pronarit kapitalist që e çfrytëzonte, duke përfituar nga puna e saj e papaguar dhe vetë qëndronte poshtë në breg e mblidhte paratë nga turistat, kurse mushkën, me turistin në shpinë, e niste që t’i shpinte ata lart e pastaj zbriste vetëm poshtë tek i zoti që i jepte ndonjë kalorës tjetër për t’a mbartur.  Kështu që në mes të shtegut mushka me gjermanen kaluar, kishte ngulur këmbët e para tamam ... si mushkë.   Jep e merr kalorësja gjermane me metoda bindëse veç kur, e flakur nga shala gjermanja, kishte ... përpiluar dokumentin i cili ia kishte zvjerdhur opinionin e saj miqësor ndaj mushkave dhe transportit primitiv :  një plagë e thellë dhe e gjatë rreth 16 cm. në pjesën e mbrapme të parakrahut të saj !  
Vazhdojmë tashti me të veçantat e tjera të këtij ishulli skajshmërisht tërheqës.   Sapo dilje nga stacioni i teleferikut, futeshe menjëherë nëpër rrugicat e mbushura me dyqane të qytezës.  Ndër dyqanet e para ku u futëm ishte një dyqan arturinash.   Që në vitrinë e pamë se çmimet nuk ishin nga ato më të përshtatëshmet për ne, ose më mirë mund të them se ata u jepnin shumë më shumë rëndësi zerove para presjes dhjetore se sa atyre pas saj.   Megjithatë deshëm edhe këtë dyqan t’a bënim pjesë të vizitës sonë.  Ballafaqimi me shitësin, me plot gojën, na befasoi.  Ne, pa hyrë mirë në dyqan, ai na doli përpara dhe me një anglishte të mirë  na u drejtua shumë buzagas duke na thënë ... how may I help you (si mund t’ju shërbej) ?   Ne, që me ardhjen në Greqi, këtë shprehje e kishim harruar e kështu unë i u përgjigja me shumë sinqeritet ... sjellja si edhe buzëqeshja juaj na bëjnë të gëzuar.  Cili qe sekreti i asaj sjelljeje ?   Ai djalosh ishte i lindur në Amerikë dhe studimet universitare i kryente doemos po atje.  Kishte ardhur tek gjyshja për pushime dhe i ndihmonte në dyqanin e saj.   Mbasi shkëmbyem disa mendime, një pyetjes sime ai i u përgjigj duke thënë se zihej me gjyshen e cila nuk i priste me mirësjelljen e duhur  klientët që vinin në dyqan.  E kështu na tha, sillen si rregull të gjithë dyqanxhinjtë, sjellje e cila atë djalosh e revoltonte.   Gjithashtu shtoi se nuk e kuptonte përse në përgjithësi në Greqi sundonte edhe një ndjenjë e theksuar antiamerikane, në një kohë që gjyshi i kishte treguar se nga fundi i Luftës së II-të Botërore, mos të kishte qenë për Amerikën, Greqia do të kishte mbetur në sferën e ndikimit sovjetik.   Ky djalosh na e sqaroi deri diku atë pikë të errët që na ishte krijuar nga ballafaqimet me grekër, (kujtoj nëpunësen e postës në Korfuz, sjelljen e kamerierit po në Korfuz, shuarjen e buzëqeshjes nga fytyra e shitëses së aparateve fotografike në Kretë, etj.etj.).  
Në vazhdim si edhe në Kretë, por në Santorini akoma e në mënyrë më të dukëshme, binte në sy një pastërti e spikatur e rrugëve dhe rrugicave të qytetit.   Këto të fundit, të ndërtuara me kalldrëm, dy anët  i kishin edhe të lyera me gëlqere të bardhë.   Tamam si dikur, para vendosjes diktaturës, rrugicat e sokaqeve të Korçës, Gjirokastrës, Pogradecit, Libohovës etj. ku qytetarët e quanin qytetin pjesë të pronës tyre e prandaj edhe kujdeseshin aq shumë për të.  Tek ecnim përgjatë shetitores së vetme të qytezës, nga larg dëgjojmë një motiv muzikor shumë të njohur por të kënduar nga një zë i bardhë, fëminor.   Kur u avitëm, pamë në djalë jo më shumë se sa dhjetëvjeçar, i cili motivin e luante në fisarmonikë dhe e këndonte këngën e famëshme “Djemt’e Pireut”.   Përbrinjë kishte një shportë të thurur ku kalimtarët hidhnin ndonjë monedhë.  Na trishtoi.  Ai me ato të ardhura mbase mundohej t’a mbante familjen me bukë.  
Tek qëndruam të kundronim një karikaturist i cili u a bënte klientëve me lapësa karboni karikaturën e tyre në fletë vizatimi të mëdha, një uturimë e madhe avioni u dëgjua.   Kur hodhëm sytë e veç kur shohim një avion pasagjerësh përmasash të mëdha që, jo më larg se 500 metra në vijë lineare nga ne, po ulej nën kuotën ku gjindeshim.   Atëbotë mësuam se Ishulli Santorini na paskish edhe aeroport të tijin ku në stinën verore për çdo ditë zbrisnin avionë të linjeve pasagjere greke që sillnin e merrnin turistë për e nga ishulli.  
Mbasi e shetitëm atë pjesë të qytezës ishullit kryq e tërthor, deri diku edhe të lodhur, i hodhëm sytë poshtë, andej nga deti.   Atje qëndronte e ankoruar anija e cila priste të na mblidhte e pastaj të merrte drejtimin e lundrimit për në ishullin e fundit grek që do të vizitonim, Mykonos.  Sapo zbritëm nga kabina e teleferikut në bankinën e portit, thamë të bënim një shëtitje rreth jo më shumë se 100-150 metrash gjatë saj dhe buzë detit, e t’i shikonim edhe dyqanet e fundit për t’u parë në këtë ishull i cili deri atëherë, pa as më të voglën mëdyshje, e kishte fituar notën maksimale për nga pamja, pastërtía e pse jo, edhe për nga ekstravaganca e mjeteve të transportit.  Parakaluam një restorant të vogël  nën tëndën e të cilit pamë klientë që hanin peshk, pa i kushtuar ndonjë vëmëndje të posaçme dhe i u drejtuam një dyqani me një vitrinë shumë të bukur, ku trupi i dyqanit ishte i shtrirë brënda një spelle të gdhëndur në shtatin e malit.   Sikur t’a kishim ditur se ç’kishim lënë për në fund :  një dyqan i cili tregtonte prodhime qeramike ornamentale të punuara me një mjeshtërí të rrallë e me ngjyra që kombinoheshin artistikisht në mënyrën më mahnitëse.   Pronari, tek e vuri re habínë tonë në mënyrën se si ne i shikonim eksponatet, na u afrua e doemos edhe jo pa krenarí na tha se ai ishte një biznes familjar i trashëguar që nga gjyshi i tij që paskish qenë me emër si dekorator punimesh artistike porcelani. 
Kur morëm rrugën e kthimit, ndonëse na kishte marrë uría, as që e kishim ndërmënd të hanim në restorantin e vogël të bankinës atij porti, sepse mbas pak do të ishim në anijen tonë ku përzgjedhja e pjatave ishte e pafund.   Mirëpo nuk i thonë më kot se hesapi i shtëpisë nuk del në pazar.  Kur u avitëm tek restoranti, një djal’i ri me një arkë në dorë na e preu rrugën dhe u fut në restorant.  Kjo qe pika që e mbushi kupën :  u futëm dhe zumë vënd edhe ne me gruan në një tavolinë të restorantit.  Sapo u avit kamerierja, e pyetëm në se do të na e përgatisnin nga një pjatë me sardele të tiganisura mirë, nga ato që ai djaloshi i kishte sjellë para dy minutash nga motoskafi i vogël që ishte akostuar dhjetë metra larg, përballë restorantit.   Ajo s’e bëri të gjatë, na i ktheu krahët e u drejtua nga kuzhina.   Mbas dy minutash, veç kur na drejtohet duke mbajtur në dorë një kullojcë të mbushur përgjysmë me sardele të cilat hidheshin apo nuk hidheshin përpjetë në kullojcë !   I doni më të freskëta nga këto, na tha me një buzëqeshje të çiltër ?  Edhe ne buzëqeshëm e me aq u vulos porosía.   Kur dolëm nga restoranti, mbasi paguam, kamerierja  na shoqëroi akoma m’e sjellur nga ç’na kish pritur.   Buzëqeshja e saj fillestare shkaktoi si pasojë dyfishimin e bakshishit që i lamë.   Kësisoji kur u larguam, ne të kënaqur e gjithashtu edhe ajo.  
Pesëdhjetë metra më tutje, sapo ishte akostuar njeri nga motoskafët e shërbimit i cili na çoi drejt’e tek anija jonë.   As na shkoi më mëndja jo të shkonim e të hanim, por as në dhomë nuk shkuam.   Drejt’e në guvertë t’a sodisnim, sa kohë që e kishim përballë, atë ishull aq të bukur e tejet të pastër që pas pak do t’a linim mbrapa krahëve e mbase kurrë më nuk do t’a rishohim.  
Kur u nis anija, të dyve me gruan na i përshkoi mëndjet tona i njejti mendim :  ç’ishte ai ishull – mal vullkanik, (ku mbresat vërtet na i la panorama si edhe puna që kishin bërë me dashuri banorët e tij), përpara madhështísë Piramidave edhe Sfinksit të Gizas ?   Asgjë !   Mirëpo në Santorini ishte investuar dashuria e shpirtit të banorëve për ishullin e tyre.   Ndërsa në Giza, madhështía e 7000 viteve histori ishte mall’i abandonuar :  mall’i të gjithëve dhe i askujt !   Reklamë e gjallë e socializmit në veprim !
Ishulli i fundit  grek për t’u vizituar na mbeti Myconosi, ishulli i tetëqind kishave, me kryeqendrën e tij Chora.   Ballafaqimi me portin e ishullit ishte disi kundërthënës përsa u takon ndjenjave që mua personalisht m’u ngjallën. Tek i afroheshim ishullit, me syt’e mëndjes,  përfytyroja betejat mitologjike të Zeusit me gjigandët ku trupat e ngurtësuar të këtyre të fundit, të vrarë nga Herkuli, e paskëshin formuar këtë ishull i cili edhe emrin e mori nga i nipi Apollos-it, Myconi.   I  përhumbur, ndërsa më dukej sikur akoma e dëgjoja si në vegim zërin e profesor Sinjarit që dikur, shumë dhjetravjeçarë të shkuar, na fliste gjithë pasion rreth atyre bëmave legjendare, ja edhe kthimi në realitet teksa zëri i profesorit u zëvëndësua nga ai i mprehti, i vrazhdi, i pakëndëshmi i agjentes së udhëtimeve që na kujtonte se kush donte t’a vizitonte qytetin e Chora-s, të hipte në autobusin që shkonte djathtas, ndërsa ata që donin t’a kalonin ditën duke shijuar kënaqësít’e plazhit nudist për homoseksualë me emrin “Parajsa”, të shkonin me taksi.    Ky realitet, me të cilin u ballafaquam aq papritur, ishte tamam sikur ajo agjentja të më kishte hedhur papritmas një kovë me ujë të ftohtë surratit !   Atëbot’e kuptova prekshëm se as unë konformohem dot me etikën t’ashtuquajtur moderne, por as brezat e rinj munden të na kuptojnë ne që akoma rrojmë me në mëndje zërat e profesorëve tonë të dikurshëm të cilët ne, akoma sot vazhdojm’e i respektojmë !
Duke përshkuar rrugicat e ngushta të qytezës Chora, një mall’i madh na kaploi së bashku me gruan, për Sarandën. Shkak’u bënë lulet e kuqe bougainville, (që në Sarand’i quajnë bukevile).  Faqet e shtëpive të Chora-s, në pjesën e brëndëshme të qytezës, ishin në përgjithësi të mveshura syresh !  
Që nga anija i kishim shquar disa si mullinj me erë të vendosur në një kep të lartë përskaj qytezës.   Kështu që mbasi e shetitëm kryq e tërthor qytezën, duke e humbur disa herë orientimin, (se ndërtimi i rrugicave atë qëllim kishte patur në të kaluarën që piratët eventualë t’a humbisnin drejtimin), iu avitëm bregut e që andej vijuam rrugën që do të kishte ndjekur edhe Don Kishoti, të kish qenë me ne.   Një pjes’e rrugës na detyronte të ecnim para disa kafeneve dhe restoranteve nga ku anashkalonim disa shtëpi që përfundonin brënda e në det.  Kjo, na thanë, quhej edhe Venezia e vogël.   Si emërtim, për mendimin tim modest, do t’a quaja mjaft të nxituar e disi mëndjellí !   Megjithatë, derisa banorëve të ishullit u pëlqente ajo përqasje, edhe unë nuk po e zgjas, pa le t’a kundërshtoj.  
Mullinjtë me erë i jepnin, kepit mbi të cilin ngriheshin, vërtet një bukuri të veçantë.   Të mëdhenj e si pasoj’edhe hijerëndë, e dominonin atë kreshtë bregoreje që zbriste e shuhej në det.
Tek ktheheshim drejtë qendrës së qytetit, dy gjëra na kishin mbetur pa bërë.   Nga një fotografi duke përkëdhelur kokat e dy pelikanëve të mëdhenj  të zbutur, (ata nuk fluturonin se u a kishin shkurtuar krahët e prandaj edhe ishin bindur t’i quanin të zbutur), si edhe të hanim një drekë të fundit me peshk të porsazënë.   Mbas fotografisë, momenti i fundit, si për të mos e prishur syrin e keq, e radhiti edhe Myconos-in përkrah me ishujt e tjerë grekë sa i takon pozicionimit antiamerikan.   Mos të kishim ngrënë drekë në njerin që na u duk si restoranti m’i fismë i shetitores buzë detit, do të kishim menduar se Myconosi bënte përjashtim nga rregulli.   Po ja që nuk ngjau ashtu.   Mbasi u ulëm erdhi kamerieri të merrte porosínë.   Ishte një djalosh’i gjatë, pak skeletik e disi i vrenjtur.   Ne jo se qe i vrenjtur, por e patëm nxitjen e brëndëshme t’a ndërronim tavolinën që të na shërbente ndonjë nga çupurinat kameriere, sepse nuk e quajtëm për ugúr të mirë të na shërbente ai që në njerin parakrah kishte si tatuazh fytyrën e Stalinit e nga parakrahu tjetër Mao Ce Duni na i kishte ngulur rreptas syt’e tij !  I mposhtëm ndjenjat tona dhe i u drejtuam anglisht, të bënim porosinë.   Ai edhe çasti kulmor.   Djaloshi nga i vrenjtur u kthye në tureçkan.   Me ngulç, mbaroi edhe dreka.   E theksoj me ngulç, sepse ai të pamundurën sajonte të na i vononte porositë.   Mbaroi edhe dreka.   E thirrëm të na e sillte llogarinë.   Tundi kokën në shënjë pohimi, dhe hiç.   E thirrëm së rishmi, ai po me kokë, dhe hiç.  Ne gjetëm rastin, kur ai ishte futur në kuzhinë, dhe vem’e ulemi brënda në lokalin e kafenesë dhe akulloreve të po atij restoranti, ku porositëm nga një akullore.   E shikonim tashti nga brënda se si ai, duke e parë se ne u larguam pa paguar, i binte qark restorantit nga jashtë se mos na shihte gjëkundi.   Kur ai e humbi shpresën si edhe parat’e drekës sonë sipas tij ... i qau, dola nga kafeneja dhe i drejtohem duke i treguar me shënjë ku të na e sillte llogarinë.    Për një çast i ndriti buza.   Po ajo ndritje nuk zgjati shumë se kur na e solli llogarinë, surrati i tij nuk kishte se si bëhej më i stërkequr.   Unë nuk e zgjata, lexova shumën dhe i a numërova paratë një e nga një në dorë.  Kuptohet se si u largua ai ... kur e pa se nuk i dhamë bakshish.  Mirëpo dardha e kishte patur bishtin nga pas.  Ime shoqe, më e vëmëndëshme se unë, më thotë t’a bëja një herë llogarinë sipas çmimeve të menu-së.   Ç’të shikonim ?   Na kishte marrë tetë euro më shumë !  Të na kishte shërbyer mirë, bakshish i bollshëm për të do të kishin qenë katër euro, baras me 15 % të vlerës konsumit që ne kishim bërë.  Kurse ai, idealisti i shkrirë me portretet e ideologëve me të cilët ishte njësuar dhe mësimet e të cilëve ndiqte për t’a risjellur edhe një herë në zbatim drejtësinë në administrimin e pronave, vlerave si edhe punës së të tjerëve, na kishte vjedhur barasvlerën e 30 % të konsumit.   Ngrihem dhe e thërras.   Erdhi këtë herë me vrap, duke e nuhatur si duket që e kishim kapur mashtrimin që kishte bërë.  Sapo ia krahasova shumën e dëftesës tij me çmimet e menu-së, ai filloi të na bombardonte me fjalë duke na thënë se na kishte sjellë bukë, paguheshin thikat e pirunët, paguhej mbulesa e tavolinës, paguhej shërbimi ... paguhej e paguhej ... etj. etj. plot.   Qetë, po prerë, i kërkova të ballafaqoheshim me  pronarin.  Ky i fundit erdhi menjëherë.   Sapo i a treguam llogarinë, pa folur fare, futi dorën në xhepin e tij dhe na ktheu tetë euro, duke na kërkuar ndjesë në mënyrë të përsëritur e duke na thënë t’a falnim kamerierin se ishte i papërvojë.  Që atje u drejtuam për tek stacioni i autobusit  i cili na çoi tek anija.  
Me që kjo e fundit ishte akostuar brinjazi në port e pra paralel me ishullin, të ulur së bashku me gruan në dy ndenjëse të rehatshme përgjatë brinjës anijes prej nga shikohej ishulli në gjithë gjatësin’e tij, gjithsecili për hesap të tij, ramë në mendime.   Mbas një copë here të gjatë, ime shoqe më pyeti se ç’po mendoja.   Kur i a shpjegova drejtimin që kishin marrë mendimet e mia rreth njerës prej mbresave më të spikatura që më la ishulli, ajo qeshi e më tha mos t’a vrisja mëndjen se bota ishte prishur.  
Mua, me t’u qetësuar në ndenjësen time, dy mendime mbështetur në themele diametralisht të kundërt, m’a krijuan atë shtjellë në mëndjen time e cila vonë, vonë ... u qetësua.    Shtjella u qetësua, ësht’e vërtetë.   Por zgjidhje logjike arësyes përse u krijua ajo shtjellë, as sot e kësaj dite nuk di t’i gjej saktësisht.   Ishulli i Myconosit njihej si ishulli i 800 kishave.   Ne vetë e kishim parë si edhe vizituar kompleksin kishtar të bardh’e të pastër me ato kupolat e tija të kaltra në krye.  Përshtypje të thellë na kishte lënë edhe asimetrija konstruktive e kishës me emrin Panagia Paraportiani.   Diçka vërtet mbresëlënëse.   Dhe, me sa mësuam ne, ato kisha ishin edhe funksionale, nuk ishin objekte muzeale.   Parë nga ky këndvështrim, nuk arrija t’a shpjegoja se si mund të bashkekzistonin plazhet nudiste për homoseksualët  si edhe lokalet e shumta nëpër qytetin e Chora-s që reklamonin, me shprehje shumë provokuese, hapjen e tyre mbas mesnate ku garantohej argëtim shkalle të lartë cilësije erotike, me pranín’e gjith’atyre kishave hijerënda ?  Ndonëse arrij t’a kuptoj se p.sh. frekuentuesit e asaj kategorie dëfrimesh mund të mos ishin pjesa më e madhe e banorëve të ishullit.  Dakord.  Po pronarët apo administruesit e tyre si mund të shkëmbeheshin qetësisht rrugicave të Choras e mbase, të shkëmbenin edhe nga një përshëndetje të ndërsjellë me Etërit hijerëndë me kamillafë në kokat e tyre ?  I vetmi shpjegim që më vjen në mëndje është ai që më bën të mendoj se banorët e Chora-s nuk e dashurojnë ishullin e tyre si ata të Santorinit !    Myconosi siç duket, nuk është më vetëm pron’e banorëve të tij.   Këtë barrikadë e kanë thyer avionët, tragetet si edhe yachtet e pafund që papushim sjellin e sjellin turistë e bashkë me ta edhe ... etikë të ré !

Nga ishujt grekë në portet e Izmirit edhe të Stambollit:

Pamja e Izmirit nga deti, tek i afroheshim kalatës së portit, një gjë e mrekullueshme.  Qyteti tejet i gjerë dhe i shtrirë, kështu që ne pamë prej tij ... thuajse asgjë.   Për aq sa pamë na mahniti mirësjellja e njerëzve.   Ne ishim mësuar që në dyqanet e ishujve grekë as e çante kokën shitësi tek ti i hyje në dyqan.   Kurse në Izmir ishte krejt’e kundërta !    Shitësit bëheshin copë si e si të t’i plotësonin kërkesat.   Kërkoje një palë këpucë e të sillnin dhjetë palë.  Nuk kënaqeshe, s’të linte të dilje nga dyqani.   Shitësi koleg i tij, ndërkohë kishte shkuar në dyqane të tjerë dhe vinte me dhjetë palë këpucë të tjera !  Një kujdes në shërbimin e klientëve sa që hera herës bëhej edhe i bezdisshëm.  Ndaluam një person rrugës.  Rastisi që ai fliste anglisht, dhe i u lutëm të na tregonte se ku mund të blinim bluza cilësije të mirë.   Duket e pabesueshme, por ai jo që nuk u  step aspak,  por mund të ketë bërë mbi një km. rrugë me ne nëpër labirintet e atij pazari gjigand të Izmirit, derisa na çoi tek një dyqan i cili tregtonte vetëm bluza.   Një larmí e pafund bluzash markash nga më të ndryshmet i mbushnin raftet e dyqanit aq sa ... nuk dinim se ç’të zgjidhnim më parë.  Edhe çmimet, mbas pazaresh të ndërsjella,  rezultuan mjaft të arsyeshëm !  
Ne, të mësuar me time shoqe me qëndrat e mëdha të tregëtimit në Amerikë, na befasoi pazari i Izmirit.  U ballafaquam me një realitet  krejt tjetër, por edhe të këndshëm.  Ai pazar ishte i thyer në qindra e qindra dyqane të vegjël.  Në Amerikë mirësjellja e shitësve vërtet që mund të emërtohet proverbiale.  Mirëpo  edhe në Izmir nuk mund t’i gjeje një të metë mirësjelljes së shitësve.   I vetmi ndryshim mes tregjeve të Amerikës dhe atyre të Izmirit, konsistonte në faktin se shitësit, (apo pronarë ç’ishin, nuk e kuptuam asnjëherë), kishin një përparësí krahasuar me homologët amerikanë.  Në Amerikë as që të shkon në mëndje t’a diskutosh çmimin e mallit.  Kurse atje shitësit, në masën 75 %, nuk të linin  të  largoheshe nga dyqani pa t’a pasë shitur mallin !   E kjo doemos bëhej duke bërë pazar rreth çmimit.   Me pak fjalë, mbas dy a tri uljesh çmimi, (ai e ulte çmimin e ti doje të largoheshe e ai s’të linte të dilje nga dyqani se prap e ulte çmimin), ti ishe i detyruar të blije qoftë edhe një mall për të cilin e kishe pyetur çmimin kot, pa patur as më të voglin mendim t’a blije.   Në ndonjë rast kur pazari hynte në rrugë pa krye, shoqëruesi ynë  i mirësjellë, i cili vazhdonte të na shoqëronte si t’a kishim patur djalë xhaxhai apo tezje, ndërhynte me shumë takt e na thonte t’a merrnim mallin se nuk kishte se si t’a ulte shitësi akoma më tej çmimin e tij dhe cilësia e mallit ishte nga më të mirat..  
Kësisoji, duke hyr’e duke dalë nëpër ata shtigje të pafund të pazarit Izmirit, erdhi edhe koha të ktheheshim në port.   Kështu që kur ne i thamë shoqëruesit të na falte për bezdínë, ai na tha se kënaqësía ishte e tija që mundi të na ndihmonte.   Në vazhdim na pyeti se ku do të shkonim.  Kur ne i thamë se do të merrnim një taksi e drejt’e në port, erdhi e vazhdoi rrugën me ne edhe për ndonjë kilometër tjetër e kur dolëm në një rrugë kryesore na tha “ ... më jepni 10 dollarë që t’a angazhoj një taksi.  Kur ne ia dhamë, ai vrapoi me dorë ngritur të ndalonte një taksi dhe u largua goxha nga ne, nëpër atë konfuzion këmbësorësh si edhe mjetesh qarkullimi.  Të dy me gruan menduam se më në fund ai do të zhdukej, por megjithatë hallall i kishte patur 10 dollarët për shërbimin që na kishte bërë deri atëherë.   Kur do ti që ai e ndaloi një taksi, na thirri e kur ne hipëm në automjetin hipi edhe ai, përpara te shoferi, duke thënë “... hajde se po ju përcjell deri në port e pastaj kthehem me taksistin”.  Tek zbritëm e pyetëm se sa i detyroheshim e ai me një buzëqeshje tejet miqësore na tha “... asgjë, ishte kënaqësía e ime të bëja pak konversacion anglisht me ju ... ju qoftë rruga e mbarë !”   Na la pa gojë.

Si t’a shpjegonim sjelljen e tij?  Tri ishin mundësitë:
  
- Sipas këndvështrimit amerikan, ai duhej të ishte një reklamues mallrash i një pjese dyqanesh të pazarit të Izmirit i cili, për çdo artikull të blerë nga ne, u kthehej në vazhdim dyqanxhinjëve dhe u merrte përqindjen sipas marrëveshjes së tyre bazë.  
Po mundësia e dytë, do t’u shkojë në mëndje lexuesve të këtyre radhëve, cila mund të kishte qenë ?  
              - Sipas kënvështrimit shqiptar, por me mentalitetin e kohës diktaturës, ai shoqërues gjoja i rastësishëm, duhej të ishte  punonjës i policisë sekrete turke i cili, që nga takimi në çastin e parë  e derisa na shoqëroi me sy  që hymë në portin e Izmirit, na kishte mbajtur nën kontroll !    
Kurse mundësin’e tretë e kuptuam krejtë rastësisht të pasnesërmen në Stamboll, në një dyqan shitje veshjesh lëkure.
- Sipas këndvështrimit turk, shoqëruesi i rastësishëm nuk ishte gjë tjetër veç një gentleman turk, siç e kanë për zakon të sillen mesatarja e popullatës turke. 
Me këto mendime si edhe mbresa në kokë, i a lamë lamtumirën portit të Izmirit dhe anija na drejtoi për në Stamboll ku arritëm të nesërmen në drekë.   Nuk do t’a përshkruaj bukurin’e asaj cope lundrimi tek përshkuam ngushticën e Çanakalasë (Dardanelet), lundruam përgjatë detit të Marmarasë, dhe derisa u akostua anija në njerën nga kalatat e portit të Stambollit, buzë grykës së Bosforit.  Kjo sepse për t’a përshkruar sado përciptas pamjen e panoramave që pamë në vazhdim, nuk do të mjaftonin faqe të tëra !  Një pohimi nuk i shmangem dot :  të mahnitëshme pamjet gjatë ditës dhe të pakrahasueshme natën !   
Arritëm në njerin e porteve të Stambollit në mesditë.  Zbritëm nga anija pa bagazhe, (sepse darkën si edhe fjetjen, edhe për atë natë, i kishim énde të garantuara në anije).  E theksoj këtë moment, sepse pikësynimi ynë i parë ishte t’a vizitonim pa vonesë Xhaminë Sulejmaníe, kryeveprën e arkitektit projektues me origjinë aq kundërthënësisht të përfolur, (jo armen, jo i krishterë grek, jo me origjinë shqiptare), Arkitekt Sinanit i mbiquajtur Arkitekt Sinani i Madh, e ndëtuar kjo përgjatë viteve 1550 – 1557.  
Porsa hymë në urën madhështore të Gallatës, kjo xhami, e ndërtuar si një ujvarë harmonike kupólash dhe gjysmëkupólash duke filluar nga ajo  qëndrorja, (me diametër të saj 27.5 m. dhe lartësí 53 m.) e duke zbritur nëpër harkatat e strukturave periferike disa nivelëshe që aq funksjonalisht e ushqejnë me dritë hapësirën e brëndëshme të vetë xhamisë, na u paraqit me të gjithë madhështín’e saj para syve tonë.  Ajo, me të katra minaret e saja ku secila kishte nga tri llozha ku mund të dilnin myezinët në nivele të ndryshme lartësie, vërtet që e dominonte me hijerëndësín’e saj Bririn e Artë të Marmarasë !   Tek i aviteshim xhamisë që ngrihej mbi njerën nga shtatë kodrat e Stambollit, duke ecur përgjatë urës, nuk kisha se si të mos i kuptoja më qartë të gjitha ç’kisha lexuar për të më parë.  Ndërsa për krijuesin e saj, Arkitekt Sinanin, që vlerësohej si m’i madhi arkitekt që kishte patur Perandoría Otomane, të panumurt ishin vlerësimet ndaj tij.  E kanë quajtur  Michelangelo-ja i lindjes.  I mbiquajtur Euklidi i epokës së tij.  Kur i kishin thënë se ajo xhami do të shpërbëhej në copa e thërrime sikur të binte ndonjë tërmet i fuqishëm, ai u ishte përgjigjur se Xhamija Sulejmaníe ose e përballonte çdo tërmet, ose ... shkëputej me gjithë themele si ndonjë shkëmb gjigant edhe rrokullisej në Bririn e Artë !  Vetëm ky pohim i tij të bën të mendosh se ç’llogari të ndërlikuara kishte bërë ai lidhur me njësimin e strukturës mbitokësore ndaj themeleve ku ajo strukturë ankorohej, e doemos sa të madh e kishte përzgjedhur ai raportin e peshave në favor të masës së themeleve !  Të gjithë atributet që i mvisheshin Arkitekt Sinanit i dija, por u desh t’a shikoja këtë xhami që të kuptoja se pa qenë një njohës i thellë i gjeollogjisë dhe i dinamikës dherave, pa qenë një specialist i përkryer në fushën e materialeve të ndërtimit, pa qenë një shkencëtar i madh në fushën e statikës ndërtimit, pa qenë ... e pa qenë ... mjeshtër i shumë fushave të tjera, ai ndërtim aq madhështor, harmonik edhe i përkryer në çdo drejtim, nuk mund të realizohej dot !   Po periudha e ndërtimit të saj ?   Filloi ndërtimi më 1550, (kur arkitekti i saj ishte 60 vjeçar), dhe përfundoi më 1557 !   Mjaft të mendohet me ç’mjete transporti punohej atëhere si dhe një morí pengesash të tjera qoftë të karakterit furnizimit apo organizimit, që të krijohet ideja se  i ç’kalibrit ka qenë ndërtuesi i saj !  
Me të gjitha këto mendime nëpër kokë, arritëm tek hyrja e Xhamisë Sulejmaníe.   Kërshëría për t’a vizituar qe e madhe.   Por m’e madhja nga kërshërítë ishte të shihja nga brënda se cilat ishin pikat e mbështetjes së të gjithë strukturës mbajtëse.   Ato ishin katër.   As më shum’e as më pak, por katër kollona që ngriheshin dhjetra metra lart.    I quanin këmbët e elefantit.   Funksjoni i tyre dihej :  mbanin kupólën qëndrore si edhe gjysëm kupólat.   Si qenë ankoruar e lidhur me themelet e xhamisë ?   Atë nuk dinte t’a shpjegonte njeri.   E kishte marrë me vehte sekretin arkitekti ndërtues q’e kish garantuar edhe qëndrueshmërín’e së gjithë strukturës nga ana statike !    
Kur hyje brënda, madhështía e të gjithë konstruksjonit  të jashtëm, i a linte vëndin atmosferës së madhëríshme të brëndëshme.    Një ndriçim natural që hynte nga të gjithë drejtimet duke u thyer nëpër xhamat e ngjyrosur të qindra dritareve harkore periferike të xhamisë që  ishin në harmoní me ngjyrat e sixhadéve, menjëherë të detyronin të bindeshe se kishe të bëje me një mjedis mistik !   Sixhadetë me nuanca të theksuara  të kuqe, të gjitha e kishin drejtimin për nga Jugu.    Drejtoheshin nga Qabé-ja.   Që nga veshja e katër kollonave të strukturës mbajtëse, atyre të mureve periferike ku kaligrafisti m’i shquar i Perandorísë Otomane kishte skalitur ose shkruar versete të Kuranit, dhe të gjitha detajet e ndryshme ornamentale të bënin t’a kundroje i habitur atë bukurí, pjesë përbërëse e madhështísë brëndëshme të atij xhevahiri ndërtimi mesjetar !  
Anash, në vazhdim të xhamisë, si pjesë përbërëse e saj një konstruksjon me harkata ku, veç të tjerash ishte edhe mauzoleumi i Sulltan Sulejmanit, porositësit të xhamisë Sulejmaníe.   Atij arkitekt Sinani i kishte ndërtuar një tyrbe ku ishte i varrosur me gjithë gruan e tij më të përzgjedhur, Roxelana.   Në njerin ekstrem të kompleksit mortor edhe varri i Arkitekt Sinanit me mbi të shtatoren e tij.   Mbi bllokun e gurtë të varrit qe gdhendur emri : 
                                     
Mimar Koca Sinan (Arkitekti i Madh Sinan)1490 - 1588

Ky fakt tregon respektin, mbas vdekjes së mjeshtrit, që kishte ushqyer për të Sulltan Sulejmani.    Kurse së gjalli, ditën e përurimit të Xhamisë Sulejmaníe, e papritura e madhe.  Kur pritej që Sulltan Sulejmani t’i drejtohej portës madhështore të xhamisë e t’a hapte me çelësin e saj duke qenë kështu i pari që të hynte brënda, ndërsa Sulltani qëndronte me pjesëmarrësit e tjerë në pritje, u shkëput syresh Arkitekt Sinani i cili vajti, e çkyçi dhe e hapi portën duke e ftuar Sulltanin të hynte brënda.  
Tani, para se të largohemi nga Xhamia Sulejmaníe, pak legjendë.   Arësyeja përse ishin katër minaret e kësaj xhamije, mendohet se ato rikujtojnë faktin se Sulltan Sulejmani ishte i katërti sulltan që sundoi në Stamboll.   Ndërsa dhjetë galeritë (ballkonadat) e ndërtuara brënda xhamisë, simbolizojnë qënjen e Sulltan Sulejmanit si i dhjeti i Dinastisë  Otomane.   Ndërsa fakti se ai sulltan ishte mbështetës i madh i kulturës si edhe arteve, konkretizohet me cilësorin që i kishin vënë dhe e quanin Sulltan Sulejmani i shkëlqyer.  
Mbas vizitës turravrapas të Xhamisë Sulejmaníe, me vrap shkuam poshtë në sheshin ku mbaron Ura e Gallatës të gjenim se si të shkonim e t’a vizitonim edhe Xhaminë Blu.   Duke pyetur kalimtarë, ku njeri ishte më i mirësjellë se tjetri, morëm tramvajin që na çoi drejt’e tek Xhamia Blu.   Është pak, t’a quash madhështore, pamjen e saj.   Para saj një lulishte me përmasa jashtzakonisht të mëdha ndër stolat e së cilës ishin ulur me qindra njerëz.   Një varg i pafund njerëzish që lëviznin përbrinjë njeritjetrit në dy drejtime të kundërta, ishin vizitorët që shkonin t’a admironin e t’a shijonin atë kryevepër arti si edhe ata që, pasi e kishin vizituar, ktheheshin prej saj.  Rastësisht takuam ballë për ballë me një polic.   Ai na sqaroi se atë ditë kishin rastisur jashtë mase të shumtë vizitorët e Xhamisë Blu e, në se na e lejonte koha, e mira ishte të vinim t’a vizitonim të nesërmen.  Me që u bindëm se atë ditë do të na qe e pamundur të hynim brënda saj, u munduam t’a shijonim bukurinë si edhe madhështin’e saj sa më shumë ... nga jashtë.  Vetë pozicioni i ndërtimit të saj ballë për ballë me aq madhështoren Kishë të Shën Sofísë, të bënte të mëdyshur se nga t’a hidhje shikimin në atë shtrirje hapsinore mes dy gjigantësh.  
Nga ana arkitektonike edhe Xhamia Blu kulmohej nga kubéja madhështore e saj e pastaj vinin me radhë gjysëm kubétë e në vazhdim edhe ato më të voglat.  Rrethimin nga jashtë i a bënin gjashtë minare ku katër ato q’e rrethonin korpusin e mirëfilltë të xhamisë, kishin nga tri ballkonada në nivele të ndryshme daljesh për myezinët, kurse dy minaret e skajit të drejtkëndëshit me mure të harkuar, kishin vetë nga dy ballkonada.  Tek e kundronim stilin arkitektonik të xhamisë, pa qenë nevoja fare që dikush të t’a thoshte, kuptohej se stili i ndërtimit të saj nga ana konstruktive e statike, (lidhur me shpërndarjen e forcave si edhe ngarkesave), ndiqte shëmbullin e Xhamisë Sulejmaníe.  I vetmi ndryshim qëndronte në faktin se ndërsa Arkitekt Sinani kishte zgjedhur variantin e mbështetjes së kubésë madhe fillimisht mbi dy gjysëm kubé e pastaj dora dorës shpërndarjen e ngarkesave nëpër kubét’e tjera duke zbritur lartësia e konstruksjonit, Mehmet Agai kishte zgjedhur variantin ku kubéja qëndrore mbahej nga katër gjysëm kubé e pastaj dora dorës gjithmonë vinin kubétë duke u zvogëluar.  Pavarësisht nga ky ndryshim, po të arrije në  përfundimin se statikisht Xhamia Blu ndiqte po atë skemë shpërndarje ngarkesash si ajo Sulejmanía, atëhere natyrshëm shtrohej pyetja :  mos ishte edhe i kësaj xhamie arkitekt edhe konstruktor Arkitekt Sinani i Madh ?   Përgjigja e menjëhershme do të qe mohuese.  Jo, arkitekt i kësaj xhamie kishte qenë  Mehmet Agai dhe punimet kishin filluar më 1609 dhe vepra kishte përfunduar më 1616.   Me një fjalë kjo kryevepër arti kishte filluar të ndërtohej kur Arkitekti i Madh kishte njëmbëdhjetë vite që kishte ndërruar jetë.   Po si lidheshin me një fill të padukshëm këta dy simbole madhështore konstruksjoni si edhe arti të besimit Islam ku,   dukej sikur e njejta dorë i kishte realizuar ato ?   Ishte vazhmdimësía e shkencës ndërtimit që i lidhte:  Arkitekti i Madh Sinan e kishte patur nxënësin e tij të zgjedhur arkitektin e ardhshëm  Mehmet Aganë !   Pra dishepulli jo vetëm që i kishte përvetësuar mësimet e mjeshtrit të tij, por nga ana e tij kishte lënë edhe gjurmë personale në përzgjedhjen e zinxhirit të transmetimit të ngarkesave në të gjithë strukturën e saj.  
E zumë në gojë mirësjelljen e cila na bëri aq përshtypje të mirë në qytetin e Izmirit.   E njejta gjë edhe në Stamboll.  E ndaloje një polic t’a pyesje diçka për informacion e ai, po të dinte anglisht vinte me ty derisa udhëzimet e tija të ishin të kuptueshme për ne lidhur se ku do të shkonim.  Kur nuk dinte anglisht,  thirrte me radio një koleg i cili vinte pa përtesë të na ndihmonte.  Të krahasuar këta policë me ata egjyptianë ishin si nata me ditën !   Të dyja palët kishin në brez kobure si edhe pranga.  Por sjellja e atyre të Egjyptit ishte gjithë mëndjemadhësí, (për aq sa pamë ne tek kryenin funksjonin e doganierëve që të dilnim nga anija), sikur na kishin në dorë fatet e jetëve tona.   Edhe tek Muzeu i Kajros ashtu silleshin.   Me një fjalë ishin personifikimi i prepotencës.   Kurse turqit ishin tamam personifikimi i mirësjelljes !  Kur shkuam t’a vizitonim të nesërmen Xhaminë Blu, bëmë si bëmë dhe tek ishte turma e njerëzve që dilnin nga Xhamia u përshkuam ne në drejtim të kundërt me ta.  Filloi ndërkohë edhe një shi i imët.  Tek holli na avitet një polic e na thotë gjithë mirësjellje se atje ishte dalja nga xhamia, kurse hyrja ishte diametralisht në anën e kundërt, po me që do të lageshim të bënim gjith’atë rrethrrotullim, na këshilloi që ne mos të mërziteshim se do të na ndihmonte.  Shkoi diku e kur u kthye na solli dy qese plastike ku na u lut t’i fusnim këpucët tona që në Xhami mos të futeshim me këpucë, dhe bashkëshortes sime i dha një sharpë t’a hidhte mbi supe e na çeli rrugën të futeshim nga dalja  Të na kishte nisur  polici nga hyrja ... do të ishim bërë qull !   Për vetë Xhaminë nuk kam se ç’të them :  ishte një konstruksjon i mahnitshëm për sallë madhështore pa kollonada mbajtëse ndërmjetëse.  Vetëm katër kollona gjigande e mbanin të gjithë strukturën me lartësi kulmore prej 43 metrash.  E qartë se ishte mbyllja në lartësi në formë harkade ku kupola e siguronte soliditetin statik, po hajde e realizoje në rrethanat kur qe zbatuar !  Brënda e gjithë qeramika mveshëse ishte blu.   Një gjë e shkëlqyer.   Xhamija Blu edhe sot ishte selí shërbimesh fetare për faljen e pesë vakteve.  
Kur dolëm nga xhamia, ballë për ballë saj dukej me pamjen e saj hijerëndë ish Kisha e Shën Sofísë e kthyer në vazhdim në xhamí e që tashti ishte muzé.
Si edhe në Izmir, tregëtarët ishin gentlemans si edhe policët.   Hymë në një dyqan veshjesh lëkure.  Nuk kishim ndërmënd të blinim gjë.   Po ke parë që i zoti i dyqanit, mbasi na i paraqiti të gjitha xhakaventot e lëkurës të mundëshme, të cilave ne u nxirrnim “bishta” se nuk kishim ndërmënd të blinim, shkoi e erdhi tri herë me vrap e vinte me dhjetra xhakavento sojesh të ndryshme sa që, për hír të djersëve që i kullonin nga vrapimet ... u detyruam e blemë një xhakavento për mua, se nuk kishte mundësi tjetër !   E pyetëm dyqanxhiun se si ishte e mundur që në dyqanet e ishujve greke shitësit as e çanin kokën kur u hyje në dyqan.  Shpjegimi i tij ishte shumë racional edhe bindës.  Së pari, tha ai, turqit edukatën familjare e ruanin të një shkalle të lartë.  Nga ana tjetër,  me që ishujt greke frekuentoheshin nga katërfishi i turistëve që shkonin në Turqí, këta të fundit u a bënin shërbimin klientëve ashtu si duhej, kurse greku e kishte të sigurtë se mos njeri, tjetri turist do të blinte diçka !     
Rrugëve të Izmirit si edhe të Stambollit binte në sy, ndryshe nga ishujt greke dhe Egjypti, mosha e kalimtarëve :  në Turqí ishte sunduese mosha e re.   Një pjesë vajzash ishin të veshura normalisht kurse pjesa tjetër me shami në kokë.  Me këtë rast i a vlen të vihet në dukje se e vetmja gjë e cila na dha të kuptojmë se edhe Turqia aq tradicionaliste ishte ndikuar nga i ashtuquajturi modernizëm, ishte fakti që le vajzat pa shami në kokë, por edhe ato të tjerat, në mes trotuarit ose të tramvait ... putheshin apo s’putheshin me të dashurit e tyre ! 
Edhe ditën që u nisëm nga Stambolli ... një kureshtí turke.   Hymë në zonën e aeroportit mbas kalimit të tuneleve me Rx.   Kishim në dorë nga një valixhe të vogël nga ato me rrota.   Hymë në një dyqan çokollatash mos gjenim vezë çokollate me peshqesh brënda për fëmijët, (megjithse kishim para nesh Amsterdamin ku e dinim që me siguri do të gjenim lloj lloj çokollatash për ta).  Nuk gjetëm ç’kërkonim dhe dolëm nga dyqani.  Me bishtin e syrit e pamë shitësin që u turr edhe ai jashtë dyqanit.   Mbas dhjetë sekondash dëgjuam një zë që thërriste “hanëm eféndi, hanëm eféndi“ (zonjë, zonjë).   E kthejmë kokën dhe ç’të shihnim ?   Shitësi, tek i cili nuk kishim blerë asgjë, po vraponte drejtë nesh me një karrocë të vogël që t’i vinim valixhet e t’i transportonim më kollaj !   Kjo qe mirësjellja e fundit me të cilën na përcolli Turqija.
Nisja nga Stambolli ishte më ora 5:30 të mëngjesit.   Me që praktikisht atë natë fjetëm vetëm dy orë, me t’u ngritur avioni nga pista, një rrethrrotullim mbi Stamboll sa mori lartësi, dhe ime shoqe ra në gjumë të thellë.   Desh u zhyta edhe unë po ... nuk më la Arkitekt Sinani.   Mendimet rreth tij fillimisht të vagëta, erdhën e hodhën shtat kur sa më thellë mendohesha rreth vlerësimit të tij, bëja edhe krahasimet përkatëse me vëndin tim.  Ai vërtet ka lënë mbi katërqind vepra mes faltoresh, urash, konstruksjonesh ushtarake e ndërtesash dhe ndonëse ka ndërruar jetë që më 1599-ën, shteti turk jo që nuk e ka lënë në harresë por, me shumë të drejtë, mburret me të dhe e quan një nga krenarít’e kombit.  Kësisoji, për bashkëshoqërim idéshë, mua m’u kujtua një tjetër kollos në fushën e inxhinierísë ndërtimit, inxhinier Karl Gega.   Pa u zgjatur me hollësí veprash të tija se nuk është rasti, sa për një kujtesë, ai ishte inxhenieri i parë në botë që zbatoi linje hekurudhore malore që i kalonte 350 metra diferencë kuote në ngjitje, (që Akademia Britanike e quante limit të pakapërxyeshëm), dhe arriti të ndërtonte hekurudhë me mbi 800 metra disnivel nga nisja e deri në arritje.  Pa hyrë në hollësira rreth ndereve që i ka përkushtuar Shteti Austriak atij kollosi shqiptar të inxhinierisë ndërtimit si p.sh. vendosjen e katafalkut të tij përbrinjë Berhoven-it, Mozart-it, Shtraus-it, etj. etj. e duke e ditur nga e ndjera Nëna e ime që në hyrjen e secilit prej Teatrove të Operas të Vjenës, Budapestit si edhe Zagrebit, (kujtim ky para Luftës së II-të Botërore), kishte nga një pllakë mermeri ku shënohej se ishin vepra ndërtimi akustike të inxhenier Karlo Gegës, dua t’i kujtoj lexuesit të këtyre radhëve se si është vlerësuar ai përgjatë diktaturës komuniste.  Gjatë periudhës pushtimit italian, qeveria e mbiquajtur kuislinge dhe tradhëtare e asaj kohe, në vitin 1942 i pati vënë emrin Shkollës Teknike, trashëgimtares së asaj të themeluar nga Fultz-i, Shkolla Teknike “Inxhinier Karl Gega”.   Me marrjen e pushtetit nga ana e Partisë Komuniste, shkollës teknike i u hoq pa vonesë ai emër që aq për shtat i shkonte atij institucioni dhe u pa e arsyeshme që ajo shkollë t’a kishte për nder  të quhej Politeknikumi  “7 nëntor” dhe emri Karl Gega i u vu një rrugice, paralele me rrugën e Barrikadave  e që  kryet e  kishte  tek  unaza  dhe  zbriste  te stacioni i vjetër hekurudhor i Tiranës, jo më e gjatë se 200 metra !(?) 
Ky paralelizëm mes dy kollosëve të inxhinierisë ndërtimit bëri që, kur desh të më merrte gjumi, lajmëruan se ishim mbi Amsterdam.         

Ballafaqimi me Las Vegasin:

Javën e fundit të lejes, (nga leja trijavore), vizituam Las Vegasin.  Shumë kishim dëgjuar për të e kësisoji edhe kërshëría jonë qe e madhe.  
Tek i aviteshim me avion pistës së uljes të aeroportit ndërkombëtar të Las Vegasit McCarran, ngelëm të mahnitur me atë shtjellë zjarri që krijonte ndriçimi i një rripi të qytetit i soditur nga lart !   Nuk ishte hera e parë që arrinim natën mbi qytete me emër, po Las Vegasi, ndonëse si shtrirje qyteti ishte relativisht shum’i kufizuar, nuk kishte të krahasuar me asnjerin syresh.   Kjo përshtypja e parë ajrore ... natën. 
Avioni zbriti në pistën e aeroportit ndërkombëtar të McCarran-it dhjetë minuta para mesnate.   Shkuam drejt’e te banaku i informacionit ku menjëherë e ndjemë se nuk ishim më as në Afrikën e veriut, Azín’e vogël apo në Europë por qemë ... kthyer në Amerikë.   Sapo panë dokumentat përkatëse, na drejtuan tek njera nga daljet e na thanë të prisnim filan autobus.   Kur hipëm i a treguam edhe shoferit dokumentat.   Ashtu vepruan edhe pasegjerët e tjerë.   Në stacionin e parë morëm të zbrisnim me disa të tjerë.  Jo ju, na tha shoferi.   Ju do të zbrisni tek stacioni i dytë.   Kur ndaloi së rishmi autobusi dhe ne zbritëm, pamë se ishim në një territor me hangare automobilësh tek i cili si dukej, ishte prenotuar automobili që do të merrnim me qirá.  Nga një barrake-zyrë atje pranë doli një nëpunës dhe na tha ... mos jeni ju zotërinjtë filan ?   Po, i u përgjigjëm ne dhe i treguam dokumentin e kontratës qiramarrjes automjetit.  Ai, pa luajtur vëndit, na tregoi me gisht një automjet të strehuar nën një strehë me dhjetra automobilë të tjerë e që ishte i ndaluar para tabelës me numur 516, dhe na tha se ai ishte automjeti i caktuar për ne dhe u kthye e hyri në zyrën e tij.   Pak mbasi hyri u kthye, se e kuptoi që ne nuk po lëviznim vëndit dhe na tha ... çelësin e kuadrit e keni në vënd.  Depozita është e mbushur me benzinë.   Planimetria e qytetit mbi ndenjëse.  Rrugë të mbarë. 
Pun’e parë që bëmë, mbasi u ulëm në ndenjëset e automobilit qé … konsultimi me hartën e qytetit ku e lokalizuam pa vonesë objektivin tonë, Hotel-kazinó-në “Circus-Circus”.   Mbas një milje (1,6 km.) udhëtimi përgjatë rrugës së quajtur Tropicana, trafiku i së cilës qé relativisht i rrallë, rruga kryqëzohej me bulevardin përgjatë të cilit do të gjenim hotelin tonë.   Teorikisht pra problemi qe i zgjidhur.   Emrin, në zyrat e kadastrës e kishte South Boulevard, kurse cilësorin me të cilin thirrej në Las Vegas i a kishin vënë The Strip (shiriti i tokës).  Duhej të futeshim në Strip me drejtim Veri-Lindje dhe mbas 2,5 miljesh në të majtën tonë do t’a shquanim Circus Circusin.  Edhe ne, me të na u hapur drita e gjelbër, kthesë djathtas dhe pa vonesë u reduktuam në një prej madhësive pambarimisht të vogla q’e përbënin atë rrymë të papërshkrueshme trafiku të mbas mesnate përgjatë stripit.   Atëbot’e ndjemë veten sikur ishim futur në një shteg përralle n’atë Strip të zjarrtë nga dritat e reklamave si edhe të pllakatave gjigande elektronike ku, vetë kazinótë ngrihen madhështore dhe dashur a padashur, të fusnin në një ekstazë madhështíe marramendëse !   Kishim lexuar se nëpër mjediset e tyre e rrisnin qëllimisht oksigjenimin që të shtohej euforía !(?)   Gjithashtu kishim dëgjuar se ... dhe gati, gati e kaluam nivelin e rrugës ku duhej të ktheheshim në drejtimin e kundërt me ecjen tonë, pra të ktheheshim drejtë Jugë-Perëndimit tashmë, po të donim të futeshim në parkingun e Circus Circusit, që ishte edhe pikësynimi ynë i menjëhershëm.   Mirëpo si dukej, edhe ne me gruan kishim inhaluar në mushkëritë tona një pjesëz nga ai oksigjenim mbi normë që eventualisht ventilohej në mjediset e kazinóve dhe, (duke e ditur se e gjithë gjatësía e Stripi-t nuk ishte më se 6 km.), një përshëndetje me dorë i bëmë që nga automobili hotelit tonë dhe ... edhe një herë përgjatë  Jugë-Perëndimit, drejtë rrugës Tropicana e cila që nga Aeroporti Ndërkombëtar McCarran na kishte futur para një çerek ore në rrjedhën e pafund të automobilëve që në të dy drejtimet e gjallëronin Strip-in si të qé mesditë !   Ai trafik i natës ishte i përbindshëm dhe të përfshinte si në tentakulat e një oktapodhi gjigand !  Dhe me që në fakt aq është ai Las Vegas sa i reklamuar e pse jo edhe i përfolur si qyteti i mëkateve, duke e përshkuar dy herë nga Jugë-Perëndimi drejtë Veri-Lindjes e një herë në drejtimin e kundërt, (ku gjatë natës ndriçimi artificial e bën shumë më të shqueshme madhështín’e mburrjes Las Vegas-it, vetë kazinótë), kur u zgjuam nga ora dhjet’e mëngjesit dhe nga dritarja e madhe e dhomës hotelit në katin e 12-të e shquanim mjaft qartë rrugën e përshkuar para disa orëve, na ishte mbushur mëndja se tashmë ... e njihnim mirë Las Vegasin.    Mirëpo, mbas kryerjes turravrapas të sharteve të mëngjesit, kur ditën për diell nxituam t’ia hynim aventurës tonë lasvegasiane duke u futur në Strip me drejtim kazinotë më në zë, atëbotë filluan edhe mëdyshjet e para.  Ku t’a mbanim frymën më parë ... ku do të parkonim ... ku do t’a hanim mëngjesin ... ku ... e këto ku-të nuk kishin të mbaruar sa që e kaluam kryqëzimin e South Boulevard-it me Tropican-an.  Me që dita ish dit’e ré, edhe ne vazhduam edhe pak drejtë jugut të zbulonim pjesë të reja të qytetit, (duke e lënë mbas dore hëpërhë, ngrënjen e mëngjesit).   Ky përshkim i Strip-it në dritë të diellit na krijoi, ndryshe nga përshtypjet e krijuara një natë më parë, (ç’them ... tetë orë të shkuara), një tjetër shpalosje para syve tona të Las Vegas-it.   Aty e kuptuam se qyteti ish i shtrirë mbi një luginë – gropë të gjerë.   Në sfond male të zhveshur formonin skenarin fundor të atyre ndërtimeve madhështore që ishin kazinót’e famëshme lasvegasiane.   Dhe m’e çuditëshmja ishte se atje pamë, në të dyja anët e Strip-it, tre kantiere të mëdhenj ndërtimi ku ekskavatorë gjigandë gërmonin e ngarkonin radhën e pafund të kamionëve përbindësh vetshkarkues me kapacitet bartës 45.000 kg. ndërsa vinça të fuqishëm me krahë të shtrirë konsol me gjatësi deri 70 m. e në lartësi 80 m. arrinin në skaj të krahut të ngrinin pesha 500 kg. kurse për anë kollonës vetë vinçit ngrinin deri 25.000 kg. !    Dhe e çuditëshmja e madhe ishte se në atë shesh gjigand ndërtimi nuk shikoje një gjë jashtë vëndit, pa le të shikoje rrëmujë ndërtimore.    Atje, në njerin krah shembej, gërmohej e transportohej e në tjetrin krah montohej.   Atje ku shembej e gërmohej kishte qenë një kazinó e cila për dhjetë ose maksimumi 20 vite kishte shkëlqyer.   Ky ishte kufiri i plakje-amortizimit të kazinóve me gjithë teknollogjit’e tyre.   Trille të reja arkitektonike e ndërtimi si edhe teknollogjie të ardhëshme zbatoheshin në kazinót’e reja.   Pra çdo gjë e vjetër atje rikrijohet e ré e kësisoji lavdia e Las Vegasit përjeton një rigjenerim të vazhdueshëm !  Kjo dinamik’e përtëritjes e ka bërë Las Vegasin që çdo vit e vizitojnë në mesatare 50 miljonë turistë !  
Në Las Vegas ka edhe një dukurí shumë kundërthënëse.  Atje bashk’egzistojnë dy pamje diametralisht skajore secila prej të cilave vepron si magnet mbi turistët vizitues.   Nga njera anë mrekullitë artificiale të Qytetit të Mëkateve të cilat ballafaqohen me mrekullitë naturale në distancë jo më të madhe se 60-70 km. me njera-tjetrën.   Veprat arkitektonike të fjalës së fundit të teknikës inxhenierike përballë kanjoneve të paprekura natyrore, kryevepër e krijuesit të gjithësísë.   Asnjera nuk i ngjet tjetrës, por që të dyja janë madhështore !   Kush vete në Las Vegas nuk duhet t’a humbasë rastin të vej’e t’a vizitojë pikën e ngritur që e kanë mbiquajtur Pamja e Shkëmbit të Kuq.  Që nga ajo pikë shpalosen pamje mahnitëse të greminave shkëmbore.   Duke përshkuar shtigjet e lakuar të kanjoneve arrihet pastaj në pikën prej nga shikohet Calico Basen-i ngjyrëshumë në distancë e, kur kthehet shikimi drejtë Jugut, si në mjegullë shquhen siluetat e kazinóve të Las Vegas-it !   Ky përshkrim i shkurtër i bukurive natyrore ka lidhje me përvojën tonë të krijuar në vazhdimin e vizitës sonë në Las Vegas, dhe jo si vijim i atij mëngjezi të parë kur na kishte marrë uria e meazalla se po bëheshim mbarë të shkonim për të ngrënë.
I rikthehemi pra shkuarjes me automobil disa kilometra më në Jugë të Strip-it, atë ditë të parë të vizitës tonë në Las Vegas, dhe kthimit e ndalimit tek kazinója me emrin Aladdin.   Ishte goxha ftohtë që, siç e mësuam më vonë, ishte e jashtzakonshëme për atë periudhë viti.   Sapo hymë na u duk se ishim në Persí, nga vetë stili arkitektonik i mjediseve si dhe arkitekturës së brendshme.  Shkuam në restorant - bufénë e kazinósë.    Paguam hyrjen e veç kur na thonë se mbas zënjes një tavoline ku pjatat, gotat, si edhe veglat e punës së ngrënjes na prisnin ne, të shkonim e të vetshërbeheshim në banaqet e ushqimeve.   Nuk do të zgjatem me përshkrime por vetëm do të doja t’i paralajmëroja vizituesit potencialë që, po t’a kenë problem mbipeshën trupore të tyre ... nuk do t’ua rekomandoja të ngrënët në atë lloj restorant – buféshë !    Kur dolëm nga bufé – restoranti me betimin në buzë se do t’i rezistonim atë çast edhe mbrapa çdo ngasjeje me karakter grykësíe, një vizitë të shkurtër nëpër dyqanet lluksoze me emra nga më të reklamuarët në gjinín’e veshmbathjeve italiane e franceze, kaluam sa për kureshtí nëpër sallën e madhe të qindra maqinave të fatit si edhe tavolinave të bixhozit dhe e vendosëm që dy a tri kazinótë pasuese t’i vizitonim duke u munduar të digjnim ca nga kalorít’e marra atë mëngjes-drekë tek Aladdini.   Pra, automobilin e lamë në parking e ne, o burra e tek kazinója pasuese por ... më këmbë. 
Me që e përgjithëshmja e të gjitha kazinóve është thuajse e ngjashme, nuk do të vazhdojmë duke përshkruar as sallat e mirëfillta të bixhozit, ndonëse madhështore, as sallat e çfaqjeve ku trupa artistike nga më të ndryshëmet jepnin çfaqje, ose iluzionistë niveli të jashtëzakonshëm profesional bënin që publiku t’a mbante frymën pezull me situatat që ata krijonin, as të flasim për rrjetin e dyqaneve lluksoze, njeri më i paisur se tjetri, e doemos as për ato   restorante – bufét’e tyre, ku larmía e përzgjedhjes së menyve ishte, me plot kuptimin e fjalës, marramendëse.   Po vazhdojmë pra me të veçantat e kazinóve, ose më mirë të shprehemi, me personalitetin specifik të ndonjerës prej tyre.    
Duke ecur trotuarit i u drejtuam Kullës Eiffel të kazinósë me emrin Paris Las Vegas.  Vetë lartësía e Kullës Eiffel vegasiane me shtatin e saj prej 153 metrash nuk mund t’i shpëtojë syrit të turistit i cili, tek përqëndrohet, e shquan edhe miniaturën e Harkut të Triumfit.   Brinjë tyre edhe rrokaqielli–hotel i atij kompleksi.  Ky i fundit, i ndërtuar mes stilit romantik dhe atij neo-klasik, të detyron të futesh n’atë mjedis ku gërshetohen shijet e njerit prej qyteteteve nga më romantikët e Europës  me gjallërínë rrëmbyese të vetë Las Vegasit !   Hyn brënda dhe shikon se nën këmbët e Kullës shtrihet salla e madhe e lojrave të fatit me të gjitha anekset përkatëse.   Përskaj këtij mjedisi shikon shënja rrugësh si të Parisit të mirëfilltë e ti pastaj hyje në dyqane tipi europian të vegjel ku kishte furra tek të cilat mund të haje bukë të porsadalë prej saj, pizza, ëmbëlsira, ose dyqane super elegate ku mund të blije lloj lloj gjërash si … ne Paris !  
Dilje nga kjo kazinó e vazhdoje ecjen dhe nuk mund t’i shmangeshe e të mos e vizitoje kazinónë me emrin Venetian of Las Vegas për vetë gojdhanën rreth saj.   Sa për një kureshtí, nje çift amerikan multimilionerësh kishin shkuar dhe vizituar Venezian.  Bashkëshortja ishte dashuruar aq me atë qytet tejet ekzotik saqë i kishte thënë të shoqit se nuk do të kthehej më në Amerikë por donte të rrinte në Itali e doemos të jetonte në Venezia. I shoqi atëhere i premtoi se do t'ia ndërtonte Venezia-n në Amerikë; dhe vërtet e bëri në Las Vegas pikërisht kazinónë që pamë ne.  Hyje në një holl gjigand me tavan harkor ku afresket e bëra me një llojshmërí ngjyrash ku predominonte do të thoja e kuqja e famëshme e Rembrandt-it, të kujtonin afresket e famëshme të Kapelës Sistina të Kishës Shën Pjetr-it në Romë !  Ky holl të çonte nga banaqet e regjistrimit e drejt’e te salla madhështore e kazinósë.  
Pjes’e kompleksit hyrës për në kazinónë veneciane është edhe muzeumi me famë ndërkombëtare i quajtur Madame Tussauds ku ekspozohen më se njëqind eksponate shtatoresh prej dylli, (kopje besnike deri në të dhjetat e milimetrit të origjinaleve të atij muzeumi), ku spikasin emrat nga më të njohurit të të gjitha fushave !   Ngjashmëria me personat e identifikuar atje ësht’e habitëshme dhe të duken të gjallë daç Presidenti Kennedy ose Julia Roberts, ylli i basketbollit amerikan Michael Jordan apo edhe Frank Sinatra !
Me që e zumë në gojë këtë gjiní tërheqëse arti, nuk mund të mos e përmendim edhe Muzeumin Guggenheim – Hermitage të Venetian-it galeria e të cilit muzé ruan eksponate të famëshme të paraqitur në muzét’e botës mbarë !  
Po të merrje një dalje tjetër rruga te çonte drejt’e tek i famëshmi “canaletto” i tipit venecian me gondola ku ti mund të hipje e të të bënin një xhiro.  Rreth canalettos dy radhë dyqanesh nga më luksuozët me emrat e njohur të "Gucci", "Polo", "Benetton", "Rado", etj.etj.  Gondolierët që i merrnin çiftet dhe i shetisnin përgjatë Kanalit të Venezia-s Las Vegasiane këndonin gjatë vozitjes këngë italiane, (e jo vetëm një gondolier por secili syresh).  Kishte tamam ura si ato në Venezia që e kalonin në formë harku Kanalin e pastaj kishte sheshe me dyqane, hotele etj. si në Venezia.  Në një shesh ishin dy kafe të mëdha all'aperto (të pambuluara) ku në një podium vinin trupa të ndryshëme të veshura me ato veshjet mesjetare e këndonin këngë italiane.   Veçorí e Venezia-s vegasiane ishin disa nga restorantet anash canalettos ku pronar’e shefa kuzhine ishin disa nga emrat më të përmëndur në të gjithë Amerikën si Wolfgang Puck, Emeril Lagasse, etj. Kafenetë ishin në qiell të hapur të krijuar artificialisht e i përshkuar nga rétë ku ndriçimi i qiellit vinte e venitej me ardhjen e darkës (natyrore kuptohet) jashtë këtij mjedisi vërtet të mahnitshëm.  
Kësisoji, atë ditë të parë vizite nëpër Las Vegas tri kazinó, mirë apo keq … i shkelëm !   Një hollësi e cila na çoi të bënim një përgjithësim, i cili lexuesin e këtyre radhëve mbase as e intereson fare por si kureshtí nuk shmangem dot t’ia bëj të ditur, në të gjitha kazinótë, po të uleshe  të luaje në ato maqinat e fatit apo kudo nëpër tavolinat e bixhozit, vinin kameriere me mini-mini funde, (e vërteta më detyron t’a theksoj dy herë përmasën mini), e me bluza që i quanin dekolté, por që ishin super të tilla, të cilat servirnin pije gratis duke filluar nga caffé, cappuccino, coca-cola, lëngje frutash e ç'të doje.   Gjëja tjetër që edhe ajo binte shumë në sy, ishte se në kazinó duhani vërtet ishte i lejuar por ti nuk shquaje tym duhani asgjëkundi !  Si, lind pyetja ?  Nuk e di, por si duket një sistem thithës tejet funksional u shërbente këtyre lokaleve.  Le pastaj sa i takon arkitekturës së vetë kazinóve :  kishte salla gjigande ku ti nuk e kuptoje dot se si ishte realizuar e tille hapësire drite pa kollona e që mbi atë kat kishte edhe dhjetra kate të tjerë që shërbenin si hotele.   Ndërsa habínë më të madhe e përbënin klientë që e fusnin kartën e tyre të kreditit në ato makinat e bixhozit e lúanin me orë të tëra !   Sa fitonin ?  Sa humbisnin ?  Një Zot e di, se ata vetë mbase jo !   E kësisoji, ditët e ardhëshme, vazhduam e vazhduam vizitat tona nëpër kazinót’e Strip-it ku edhe shijuam çfaqje artistikisht të përsosura.
Një nga kazinotë madhështore ishte edhe ajo me emrin LUXOR, (emër i huajtur nga lagja m'e pasur e Kajros).  Forma e saj ishte e një piramide gjigande me lartësín’e saj 116 metra si edhe gjatësi brinje baze 200 metra !  Sa për një krahasim, Piramida Khufu në Giza e kish lartësin’e saj 139 metra dhe me gjatësi brinje baze 252 metra, në një kohë që Piramida Menkaure, (e grupit prej tri piramidash pranë Kajros), ishte jo më e lartë se 65 metra dhe me gjatësi brinje baze 121 metra !   Ndërtimi i kësaj të Las Vegas-it ësht’i bërë me xham të zi e ajo ngrihet madhështore përgjatë South Boulevard-it të Las Vegas-it.  Kur ishte përuruar e kishin quajtur, as më shum’e as më pak, por mrekullía e tetë e botës !   Pastaj krejt’e veçanta e kësaj piramide  është fakti se mban vëndin e parë në botë sa i takon hapësirës vëllimore brënda saj !   Brënda ishte e mahnitëshme bukuria si edhe paisjet e saja ku binte në sy fakti se për t’i u ngjitur 31 kateve të saj nuk kishte ashensorë, (si pasoj’e trajtës së saj gjeometrike), por kishte shkallare lëvizëse nën një kënd ngritje prej 390 që ngjiteshin përgjatë shtigjesh zig-zag.
Para hyrjes kryesore, madhështore e krenare qëndronte kopja e Sfinks-it të Giza-s, por ky i Luxor-it vegasian 12 metra më i lartë se origjinali dhe 8 metra më i gjatë !  
Kërshëría e fundit e Luxor-it madhështor e që nuk mund të anashkalohet, ësht’edhe e veçanta e tij natën.   Kudoqofsh në Las Vegas, qoft’edhe duke fluturuar me avion 400 kilometra larg tij, (doemos në natë të kthjellët), do t’a shquash një tufë rrezesh drite të fuqishme e cila i drejtohet qiellit nën një kënd të caktuar!   Ajo tufë drite e ka burimin e saj tek maja e Piramidës Luxor !   Aq i fuqishëm ai burim drite sa që pohohet se, një astronaut i gjëndur në 16 kilometra lartësi vertikalisht nga toka dhe i përfshirë  nga ajo tufë rrezesh drite, mund t’a lexojë gazetën pa problem !   Pikërisht kjo rreze kaq e fuqishme drite, e prodhuar nga 39 copë llamba xenoni të vatërzuara në një bashkësi komplekse pasqyrash, i jep Piramidës Luxor edhe në këtë drejtim vëndin e parë në botë.      
E ne me t’ime shoqe mendonim se si në Las Vegas nuk ekzistonte piramide dhe njerëzit e kishin ndërtuar edhe e bëjne të vizitohet nga 50 miljonë turistë në vit që i sjellin shtetit të Nevadas të ardhura të mëdha.   Kurse shteti socialist i Egjyptit, i ka piramidat e mirëfillta historike, të cilat radhiten si mrekullía nr.1 e botës, e rreth tyre shkelje në baltra e pisllëqe!  Kjo është diferenca në mes botës së lirë, ku prona private është themeli i shtysës përpara të shoqërísë, si edhe i asaj socialiste.   Shprehur me përkufizim, sistemi i  konkurrencës së lirë është nxitje për t’a rritur mirëqënjen gjithsecili, në një kohë që sistemi i mbështetur në pronën e përbashkët, çon patjetër në barazim të gjithsecilit, por barazim në skamje !  
Përveç kazinóve që fluturimthi i përshkruam, përgjatë Strip-it janë edhe shumë të tjera, edhe ato vërtet madhështore, (ku, jo të gjitha i vizituam).   Kështu që gjatë këtyre mbresave nga vizita në Las Vegas – Nevada, do të sjellim fare shkurt edhe ndonjë përshtypje tepër të posaçme nga ndonjë kazinó tjetër e pastaj do të vazhdojmë edhe me disa mbresa të tjera, edhe ato, skajshmërisht … mbresëlënëse.  
Në anën  Perëndimore të South Boulevard-it, ngrihet tejet madhështor Kazinó – Hoteli Bellagio.   Emrin e ka marrë nga zona turistike në Itali e cila e ndan liqenin e Como-s nga ai i Lecco-s.   Para tij një liqen artificial që shkon deri buzë Strip-it e që ze një sipërfaqe thuajse katër hektarëshe. Në të funksjonon një shatërvan i pakrahasueshëm.  Në rrjetin e tubove q’e përshkojnë janë montuar njëmijë diza, (hedhës uji me trysní), që sinkronizohen me katërqind burime ndriçues si edhe me motive muzikore.   Lartësít’ e kollonave të ujit që hidhen deri në 76 metra lartësí, janë në sintoní me lartësít’e notave muzikore të motivit që luhet !   Kur nuk ekzekutohet muzikë, trajta e ujrave të nxjerrë me trysni nga hedhësit e tij merr, herë herë, pamjen e një kurore gjigande petalesh të një lules imagjinare.  E gjithë kjo lojë rrymash e spërklash uji, e kombinuar me drita shumëngjyrëshe edhe motive muzikore, mbas rënjes muzgut, fillonte e jepte shfaqje çdo një çerek ore.  Kurse gjatë ditës dy herë brënda çdo ore.   Edhe në Barcelonë e kemi parë një shatërvan të ndërtuar mbi principin e kombinimit hedhjeve të rrymave të ujit me muzikë.  Por ai shatërvan, me plot gojën, nuk është as hija e atij të Bellagios vegasian.
Pa mënd të le edhe ballafaqimi me hyrjen në Bellagio.  Sapo shkel në të, të del para syve një tavan me një sipërfaqe rreth 650 m2 i mveshur me lule të mëdha, petalet e ngjyrosur të të cilave janë realizuar prej qelqi modeluar me fryrje ! 
Bellagio-s nuk le dot pa i a vënë në dukje edhe çfaqjen ujore të trupës me famë botërore, Cirque Du Soleil  “O”.  Kjo trupë, këtë çfaqje, e jep vetëm tek Bellagio-ja.  Është një gërshetim thuajse i pakonceptueshëm mes  surealizmit, akrobacive artistike si edhe romancës teatrale, ku ndërthuren të trija këto bazuar në zhytje në ujë, akrobacira si edhe not sinkron të zbatuara me një profesionalizëm nga më të lartët botërore !   
Po për Caezars Palace të Las Vegasit ç’të them ?    Doemos edhe për të ka shumë, jashtëzakonisht shumë për të thënë.   Por një nga të veçantat e tij e që e shquan në këtë drejtim është fakti se kush do të shijojë çfaqjet e Célin Dion … duhet të shkojë e t’a shikojë në Caezars Palace të Las Vegas-it !  Ajo nuk jep çfaqje gjetiu.  Që nga viti 2003, katër herë në javë, vetëm në Colosseumin e kësaj kazinóje ajo këndon, vallëzon’e në skenë krijon universin e saj të cilin e ndan edhe me 4148 shikuesit që çdo natë e mbushin sallën plot e përplot !   Çfaqjet e kësaj artisteje të madhe e cila zë vëndin e parë për të gjitha kohët sa u takon albumeve të shitura prej saj, (170 miljon të tillë), në të gjithë botën, mund të shijohen vetëm në Caezars Palace-in e Las Vegas-it !  
E për të mos e lënë kureshtín’e lexuesve pa e plotësuar edhe me një të veçantë tjetër karakteri artistik, Caesars Palace-i ësht’edhe selíja ku, si mesatare mujore nga një herë në javë e deri më tri herë në javë vjen’edhe jep çfaqje tashmë legjenda e këngës anglosaksone që, edhe sot mbas tridhjetë vitesh, është po aq i njësuar me zemrat e amerikanëve, Elton John-i !  
Nuk mund të lihet pa u zënë me gojë edhe Kazinó – Hoteli madhështor MGM Grand, të cilin nuk ka tifoz boksi në botë që nuk e ka parë në ekranet televizive kur në hollin e tij  ngrihet ringu në të cilin zhvillohen ndeshjet nga më të ndjekurat për tituj botërorë.   Por, nga ana tjetër, edhe amatorët e muzikës i ndjekin me shumë pasjon  koncertet madhështore që jepen në këtë selí.  Një nga veçorít’e këtij Kazinó – Hotelit ësht’edhe kopéja prej gjashtë luanësh të cilët nëpër një  tunel vijn’edhe ballafaqohen me vizitorët, ku luanët janë të mbyllur brënda një mjedisi të qelqtë.  Kur largohen nga kazinója, zbutësi i tyre i çon në një fermë 18 km. larg kazinósë.   E për të mos u zgjatur më edhe me  MGM Grand-in, duhet thënë se ky është nga ana tjetër edhe si hotel më i madhi i botës me pesëmij’e pesëqind dhomat e tij !  
Gjatë këtij ravijëzimi  karakterizues edhe të MGM Grand-it, kërshërínë madhore e lamë për në fund.   Hyrja e bllok ndërtesave madhështore të këtij kompleksi, e ballafaqon vizitorin me shtatoren më të madhe prej bronzi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës :   mbi një piedestal tetë metrash të lartë ngrihet madhështor një luan përmasash sa dyfishi i vetë piedestalit dhe që peshon pesëdhjetë tonelata, i rrethuar ky nga një ndriçim kornizë tejet e veçantë diodash !    
Me kaq ia lemë lamtumirën kazinó – hoteleve si edhe Strip-it për të vizituar një vepër që njihet si triumf i arkitekturës moderne dhe njëkohësisht edhe si një nga mrekullitë më të famëshme të botës, digën me emrin e ish Presidentit Hoover.  Duke ndjekur autostradën drejtë Jugut të Las Vegas-it, mbas rreth 40 km. udhëtimi, na u shpalos para syve Liqeni Mead, liqen artificial ky me një sipërfaqe prej 630 km2 dhe shtrirje 180 km gjatësi :  liqeni artificial më i madh i botës.  Buzë tij qe ndërtuar një plazh vërtet fantastik.  Rreth e rrotull liqenit kishin filluar të shtoheshin vilat e bukura.  Vazhduam rrugën, kthesat e së cilës rrëzë malit, na kujtuan disi ato të Qafë Krrabës e mbas disa kilometrash ... veç kur na u shpalosën para syve tona dy Engjëjt Mbrojtës të Digës Hoover, një kompleks skulpturor madhështor ku paraqiten dy njerëz të ulur secili mbi nga një bllok të zi e me krahët lart nga qielli futur në mbajtëse ... pjes’e dy krahëve gjigandë fluturimi.  Nuk e di përse, po ato shëmbëlltyra ma kujtuan Icarus-in e Leonardos.     N’ato çaste po e ngisja makinën mbi të famëshmen Digë Hoover !    Diga kishte nje lartesi prej 261 metra dhe trashesi ne baze 330 metra.  Traseja mbi të cilin po rrugëtonim ishte e gjerë sa të shkëmbeheshin lirshëm dy automjete dhe e gjithë gjatësia e saj, deri në pikën e inkastrimit të shpatullës së saj në territorin e shtetit të Arizonës, ishte 379 metra.  Kapaciteti i prodhimit të energjise elektrike prej hidrocentralit ishte 2.080 megawatt. 
Kërshërí që nuk munden anashkaluar përbëjnë edhe dy kullat e sahatëve të vendosura secila në një të tretën e gjatësisë harkore të digës, (matur kjo nga dy ekstremumet e digës), ku ora e kullës në territorin e shtetit të Arizonës, pra përfshirë nga zona kohore malore e Shteteve të Bashkuara, shënonte një orë më shumë se sa sahati i kullës tjetër, i vendosur në territorin e shtetit të Nevadas, që e përfshin zona kohore e Paqësorit, gjithashtu të Sh.B.A.-ve !   Gjithashtu për t’u vënë në dukje si kultur’e lartë ndërtimi, janë edhe tre nivelet e parkimeve të automjeteve në rrugën përgjatë territorit të shtetit të Arizonës ku shpati i malit është gërmuar të krijohen ata vënd qëndrime nga lartësia e të cilëve dominohet Diga Hoover me gjithë luginën e daljes ujit që, mbasi e kanë çfrytëzuar si burim energjitik, vazhdon’i qetë rrugën për të vaditur 425.000 hektarët e tokave bujqësore !   
Mbresa e fundit që dua t’a ve në dukje, e cila për mua qé edhe një pikë kulmore, ishte pamja e faqeve të prera të malit anash digës madhështore.   Diga Hoover vërtet që është një kryevepër arti, siç mundohen të jenë të gjitha digat analoge kudo në botë, cila më shum’e cila më pak.  Por si i kishin transformuar faqet e prera të malit gjatë rrugës malore të Arizonës, e cila merr shteg në fundin e digës, përbënte një pamje nga e cila nuk i largoje dot sytë.   Vrimat e çpuara me baramina të gjata, mbas rrëzimit të faqes së malit, kishin mbetur gjysma vrimash në gjithë gjatësin’e  tyre  sikur objekti të ishte vizatuar në teknograf e pastaj t’i ishte bërë një prerje gjatësore !  Largësitë mes vrimave qëndronin  të barazlarguara në natyrë si në një fletë gjigande vizatimi projekti ! 
Të gjitha këto kërshërí ndërtimi që fillimisht na u shpalosën një e nga një para syve që nga Engjëjt Mbrojtës të Digës e me radhë, ne i kundronim tashti nga lart poshtë që nga sheshi i pushimit ku e kishim parkuar automobilin tonë.   Megjithatë, nuk ishim ne që e mbizotëronim pamjen e atij kompleksi, por ishte vetë ai i cili po na ndrydhte me trysnín’e madhështísë tij ! 
E kishim nën këmbët tona e megjithatë ai na mbizotëronte !  
Nga t’ia fillojmë ankimeve lidhur me këtë mbizotërim ? Nuk e kam fare lidhur me kapacitetin energjitik të atij kompleksi që është thuajse sa dyfishi i gjithë hidrocentraleve tona mbi Lumin Drin bashkuar edhe me dy hidrocentralet mbi Lumin e Matit, (Hooveri me 2.080 megawatt-ët e fuqisë së tij, krahasuar me 1.160 megawatt-ët e Komanit, Fierzës, Vaut të Dejës, Ulzës edhe Shkopetit  tonë, mbledhur të gjithë së bashku).   Ky një realitet i cili kushtëzohet nga ndryshimet në mes potencialeve të dy shteteve tonë e prandaj as e diskutoj, pa le t’a vuaj këtë ndryshim.  Por ajo që më bën t’a ndjej veten kërkushi, është fakti se në radhë të parë, pa e ditur fare se sa do të bëhej i gjithë ky kompleks hidroenergjetik objekt turizmi e si pasojë objekt të ardhurash financiare për Shtetet e Bashkuara, Shteti Amerikan, për t’a vlerësuar punën kolosale e plot sakrifica të të gjithë ndërtuesve të atij objekti, e vuri në çfrytëzim vetëm mbasi e transformoi edhe në një objekt muzeal për ta nderuar punën e projektues – ndërtuesve.   Kjo edhe provë humanizmi të pafund !   Kurse tek ne, me t’u bër’e mundur vënja në çfrytëzim e këtyre veprave hidroenergjitike, punonjësit e ndërtimit me ata të çfrytëzimit ... mbimbulonin njeritjetrin.  Njera palë, edhe mbas përurimit dhe dëgjimit të fjalimeve falënderuese për partin’edhe udhëheqësin, vazhdonin punime të mbrapambetura, kurse pala tjetër duhej të konformohej me atë mish – mash e t’a fillonin çfrytëzimin e veprës duke u munguar akoma kushtet më elementare jetësore !   E lemë edhe këtë aspekt më një anë.   Po si mund të shpjegohet fakti ku kundërthënja madhore ndërmjet potencialit ekonomik tonë krahasuar me atë amerikan nuk kanë krahasim, doemos në favorin e këtij të dytit, dhe objekti amerikan vihet në çfrytëzim vetëm mbasi edhe faqeve të prera të maleve u bëhet tualeti përfundimtar, ndërsa rreth e qark veprave tona gjen, edhe dhjetra vite mbas përurimit, këtu një grumbull kavosh çeliku të ndryshkura, atje një arganello dore q’e kanë nxjerrë vitet jashtë përdorimi e ca më tutje, ngulur në dhé, një tra dopio “T”, pa zënë në gojë thasët e ngrirë të çimentos shpërndarë sikur ish sheshi i  ndërtimit mos të kish qen’i tillë por ... shesh lufte !   Mir’edhe kjo, po si t’a ndjenim veten të qetë e mos t’a kishim shpirtin të shprishur, kur digës mbi Lumin Colorado ia kanë vënë emrin e Presidentit Hoover jo se ai u zgjodh president por sepse  ai, para se ta merrte atë post, ishte nismëtari i ndërtimit të objektit hidro – energjitik mbi Boulder – Canyon.  Në vazhdim, kundërshtarët e tij politikë, mbasi nuk u zgjodh më president për së dyti, ia hoqën emrin duke e quajtur Boulder Dam (Diga Boulder), e në vazhdim, me vendim Kongresi ajo digë u riemërtua së rishmi Diga Hoover, ashtu siç quhet edhe sot e kësaj dite.   Kurse tek ne në Shqipëri, jo që pa as më të voglin kundërshtim, por edhe me entuziazëm të madh popullor, të parin e hidrocentraleve e emërtuan Vladimir Iliç Lenin, tjetrin në vazhdim Karl Marx, e pastaj me radhë Frederik Engels, Mao Tse Dun e me radhë.  Mund të pyesë ndonjë komunist i ri, me nostalgji edhe kureshtje, si  nuk iu vu emri ndonjerit Enver Hoxha ?  Pa hyrë në shumë hollësira të cilat pastaj do të kërkonin analizë më vete, mbas Leninit,  i dyti hidrocentral, E.Hoxha u quajt.  Mirëpo erdhi puna e luftimit kultit individit dhe E.Hoxha, si shëmbëlltyr’e modestísë që ishte, kërkoi dhe ia hoqën emrin duke e zëvëndësuar me emrin e njerit prej klasikëve të komunizmit botëror !  (Por nuk mund t’ia lemë harresës faktin që, mbasi ai vrull i luftës kundra kultit individit u fashit, më të madhit nga hidrocentralet tonë së rishmi i u vu emri E.Hoxha).
E si mos t’a ndjenim  edhe tashti, ndonëse falë Zotit jetojmë të lirë, trysnín’e madhe me të cilën po na i mundonte shpirtrat tonë ai kompleks hidroenergjetik i Digës Hoover, të ndikuar né nga dhuna e madhe psikologjike e pësuar përgjatë gjysëm shekulli diktature ? 
Prandaj, ndonëse veprën e kishim nën këmbët tona, ishte ajo që na mbizotëronte dhe jo e kundërta !   
Dita kur e vizituam Digën Hoover ishte edhe dita e fundit e qëndrimit tonë në Las Vegas.  Fluturimin vërtet e kishim të vonshëm, më 11:30 para mesnate, por kishim akoma një detyrim njohjeje me mrekullit’e Las Vegasit, takim ky që fillonte në ora katër mbasdite.   Pa e mbaruar mirë drekën në restorantin e njerit prej hoteleve përgjatë rrugës kthimit, (me ushqim shumë të shijshëm e praktikisht tejet të lirë), e mbajtëm frymën tek hotel – kazinója  ynë Circus Circus.  Atje erdhi e na mori një mikrobus – limuzínë shumë, shum’i bukur.   Më katër e një minutë, me dhjetë pasagjerët brënda, shoferi u nis dhe mori drejtimin e jugut të Strip-it, tashmë të njohur.  Mbas nja tre a katër kilometrash hyri në një autostradë prej së cilës mori rakordimin e nyjes që na futi në një autostradë tjetër e cila na çonte drejtë lindjes.   Ç’të shikonim ?   Ana veriore e autostradës ishte një kantier ndërtimi i pafund.   Mbas nja katër a pesë kilometrash na ndaloi para një ndërtese ku do të zhvillohej takimi.   Pa u futur fare në hollësira, po hyjmë drejt’e në temë :  ata ofronin time-share dhe, duke na konsideruar klientë potencialë, i bënin reklamë ofertës së tyre.   Po ndalem të jap disa hollësira. Vetë termi time-share tekstualisht ka kuptimin e ndarjes së kohës. Ndërsa kuptimi i mirëfillt’i shprehjes është pronësí me kohë të pjesëshme.   Është praktik’e njohur në Sh.B.A. ku me një çmim mjaft të ulët mund të bëhesh pronar i një hyrjeje, (apartamenti të mobiluar), në një prej plazheve ose zonave malore turistike ku mund të shkosh një herë në vit për një ose dy javë dhe doemos pa pagesë për atë periudhë.  Kështu ajo hyrje ka 24 ose deri më 52 bashkëpronarë (si maksimum) dhe prona e lartpërmendur ësht’e trashëgueshme nga ana e pronarit si edhe pronë që ai, kur t’i mbusht mëndja ... mundet edhe t’a shesë.   Mirëpo e veçanta e time-share-ve lasvegasiane qëndronte në faktin se kompanit’e atjeshme, si pjesë gjigandësh ekonomikë të lidhur me kazinótë e atjeshme, kishin arritur t’u ofronin klientëve, (e mes tyre edhe ne), pronësí me kohë të pjesëshme me kondita të pabesueshme.   E theksoj cilësorin kondita të pabesueshme, sepse atë pronësí, doemos duke i njoftuar paraprakisht për planifikim simbas disa rregullave të caktuara, t’a ofronin deri në 86, e përsëris tetëdhjet’e gjashtë, vënde nga më të njohurat turistike të Sh.B.A,-ve si edhe gjithë botës mbarë !   Me pak fjalë, a doje të shkosh në Las Vegas, apo doje në Paris, ose e vendosje të shkoje në Ishujt Hawaj apo në Australi, periudhën e caktuar, banesën e mobiluar në mënyrën më të zgjedhur dhe me kuzhinën e plotësuar me të gjitha paisjet, i kishe të tuat.   E doemos, edhe në çmimin e blerjes së këtyre banesave, ndihej dukshëm dora e fort’e korporatave shitëse të cilat, nisur nga numuri i madh i klientëve, ia lejonin vetes të jepnin çmime aq konkurruese sa që ... të linin pa mënd.   Duket e pabesueshme po, me të ardhurat katërmujore të një punonjësi mesatar, blihej një apartament i tillë !   Dhe, thelë përmbi bisht, kjo blerje e një banese me pronësi të kufizuar në kohë, mund të bëhej edhe me këste, po në këtë rast doemos çmimi ishte diçka më i lartë.  
Dy nga pesë çiftet që gjëndeshim në mikrobus – limuzinën tonë, si edhe disa persona të tjerë me të cilët bashkarisht u zhvillua mbledhja, firmosën dokumentat e pronësisë me kohë të pjesëshme e doemos korrën edhe duartrokitjet e ne të tjerëve, kush më skeptik e kush më i pavendosur se tjetri. 
Rrugës së kthimit për në pikën ku ishim grumbulluar e ku kishim parkuar makinën tonë, me gruan doemos i shkëmbyem disa konsiderata paraprake si edhe nuk ndejtëm dot pa e çfryrë pjesë të trysnísë që ishte grumbulluar brënda nesh.   Por e keqja ishte se në vënd që të lehtësoheshim ... plagët që bartnim me vete erdhën dhe na u acaruan më shumë.   E ndjenim nevojën t’a diskutonim hollësisht, deri në ezaurim, problemin e ofertave time-share.   Mirëpo vetë ajo dukurí, e kundruar simbas përvojave të jetëve tona, ishte shumë m’e komplikuar se sa dukej në sipërfaqe.   Gjithashtu nuk duhet harruar se ne vinim atë ditë drejt’e nga vizita e Digës Hoover, ku vetë ajo vizitë na kishte ngarkuar aq sa nuk bëhet me elektricitet !    Shtoju këtyre edhe pesë ditët e vizitave në kazinó – hotelet e ndryshëm lasvegasianë ku qemë dëshmitarë në vetë të parë të mrekullive që kishin arritur të ndërtonin njerëzit duke qenë të lirë, e shikonim se nuk ishin diskutime për t’u bërë krahas gjërave tjera.  Prandaj u detyruam të merreshim me probleme që i kishim para majes së hundës si, ngrënja e darkës, dorëzimi i automjetit si edhe shkuarja dy orë para fluturimit në aeroport.   Atje, mbas formaliteteve zyrtare, të ulur në kolltuqet e rehatshëm ... na zuri gjumi.   Kur na zgjuan se na kishte ardhur radha të futeshim në avion, me t’u ulur në vëndet tona, duke e ndjerë veten të çlodhur, filluam nga analiza se ç’kishim par’e dëgjuar e sa më shumë që thelloheshim në analiza edhe arsyetime ... aq më shumë lëndonim veten dhe na ringjallej e kaluara ku jetët tona, padrejtësisht na kishin detyruar t’i hidhnim në plehra ! 
Sikur vetëm fenomenin time-share të analizojmë, lidhur me shkakun q’e kishte nxitur lindjen e këtij businessi, kuptohet se ishte konkurrenca.   Mes kujt kjo konkurrencë ?   Mes atyre që donin të gjenin një shteg të ri fitimi dhe industrisë hotelore, me moshë qindravjeçare, mbizotëruese e vetme a tregut turistik.  Kjo konkurrencë gjeti të tillë fushë zhvillimi me time-share-t duke u bërë e mundur që kush ble pronë me kohë të pjesëshme, automatikisht vete nëpër vëndet më me emër në fushën e turizmit dhe është një klient më pak i hoteleve ku një natë fjetje kushton në mes 200 dhe 300 dollarëve.   Pra, dy pronarë të tillë në dy javë pushime në apartamentin e tyre, ia ulin të ardhurat njerit prej hoteleve turistike me vlerën e blerjes një prone me kohë të pjesëshme !   E kujt e ardhmja ?   Pa as më të voglën mëdyshje drejtë tkurrjes  industrisë hotelore. 
Po gjatë diktaturës, cila gjëndja tek ne në Shqipëri ?  Për të angazhuar me qirá një kabinë boshe (pa asnjë paisje) në njerin nga plazhet tonë, ose duhej të kishe ndonjë mik në drejtorit’e komunaleve të Durrësit, Lezhës, Sarandës e gjetkë, e po kjo praktikë edhe për një dhomë hoteli në turizmet tona, (me kusht që fëmijë të mos kishe, se nuk i pranonin në to), ose ... të rrije pa plazh.  Kjo ana e sipërfaqëshme e problemit.   Po aspekti më dhunues ?   Duhet t’i pranoje ato kondita jetese edhe t’i duartrokisje si më të mirat në botë.   A nuk ishte ky një deformim i ulët i personalitetit të njerëzve ? 
Ndërsa avioni mori vrull mbi pistën e McCarran-it dhe u ngrit në ajër, i hodhëm edhe një herë vështrimet tona mbi atë ndriçim marramendës të Strip-it që po linim nën vete dhe në vënd që të gëzoheshim se i shijuam për një javë ato bukurí e mrekullí të ndërtuara nga njeriu, qanim jetët tona ku ajo javë kishte qenë jo vetëm si një ... por edhe e vetmja time-share e jetës sonë !   
   
Michigan, shkurt 2007



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora