E enjte, 28.03.2024, 05:59 PM (GMT)

Mendime

Halil Haxhosaj: Situata dhe intriga ne premieren e shfaqjes

E marte, 30.10.2007, 12:55 AM


Trajtesë
Teatër-Premierë
 Halil Haxhosaj

SITUATA DHE INTRIGA NË PREMIERËN E SHFAQJES

Eric Idle: “Hiqe ministrin nga priza”, premierë, regjia, Iliri Bokshi, ndihmës regjisore Zana Radogoshi, interpretoi trupa e përzier  në Teatrin Kombëtar të Gjakovës.

Halil Haxhosaj
Pas shfaqjes “Hanibali i nëntokës”, trupa e përzier e Teatrit Kombëtar të Gjakovës, më në fund e dha edhe premierën tjetër në skenën e sallës së madhe të Pallatit të kulturës “Asim Vokshi”. Në natën e premierës kjo sallë ishte e mbushur përplot dashamirë të teatrit edhe pse shumica e biletave ishin ndarë bashkë me ftesa. Madje disa nga shikuesit që ai arritën të blejnë bileta në bletoren e teatrit, atë natë nuk patën rend as vend të caktuar, por ishin të detyruar ta përcjellin shfaqjen duke ndenjur në këmbë.

Regjia dhe koncepti i shfaqjes

Shfaqjen “Hiqe ministrin nga priza” të dramaturgut anglez Eric Idle, e vuri në skenë regjisori Ilir Bokshi, i cili në dërrasat e këtij teatri i bëri hapat e parë prej regjisori. Koncepti regjisorial i Bokshit, u kurorëzua mirë sepse rrjedha e ngjarjes dhe e intrigës komike në shfaqje kishte një koncept, që tek shikuesi, e pse jo edhe te interpretuesit e roleve, nuk paraqiste ndonjë vështirësi absorbimi e as receptimi. Kështu zhvillimi i ngjarjes dramatike, në këtë rast komike, vepronte në momentet dhe situatat që dilnin dhe shfaqeshin në skenë. Duke e radhitur paraqitjen e komedisë në variantin e konfliktit të situatës, regjisori Bokshi bëri një shfaqje dhe regji të “lehtë”, ekzotike e pse jo edhe satirike. Mirëpo satira e mbështjellë me humorin që mund të quhet edhe “i zi”, nuk lë ndonjë vragë për t’u dëshiruar. Dimensioni i shfaqjes në shtrirjen horizontale është dominues, andaj shprehia e ndonjë “gafi” në skenë gjatë interpretimit nga aktorët, lehtë mund të kalohej, apo edhe të kompensohej pa ndonjë mund të madh. Interpretimet e tilla shpesh paraqiten si shabllone, apo si uniforma që burojnë nga një damarë. E ky burim i këtij lloj interpretimi dhe koncepti regjisoriale është i pranishëm në seritë televizive të Kosovës si “Familja moderne”, “Kafeneja jonë”, e disa të tjera. Kjo mbase është e arsyeshme sepse regjisori Ilir Bokshi në “Familja moderne” ishte regjisor i parë, ndërsa te “Kafeneja jonë” është ende. Duke pasur një koncept të vetin ai ia arrin që atë ta sendërtojë edhe në konceptin e shfaqjes, me këtë rast të komedisë, duke ia dalë në fund. Situatat e shfaqjes kanë një lehtësi interpretimi, madje edhe figuracioni, sepse përkojnë me përvojën dhe individualitetin regjisorial të Ilir Bokshit, që e ka krijuar tashmë.

Ngjarja e komedisë dhe intriga

Komedia “Hiqe ministrin nga priza” ka në fabulën e vet një rrëfim të njëtrajtshëm, i cili gërshetohet me intrigën duke u shpalosur nëpër fazat e situatave të komikes. Në familjen e ministrit ndodh diçka e jashtëzakonshme, ndodh një tragjedi-komedi. Ministri vrahet nga dikush nga familja, por vrasje mbahet sekret. Mirëpo konflikti dramatik e shtjellon më tutje rrëfimin dhe fundi i komedisë shpaloset madje bukur herët. Zonja e ministrit ka rënë në grackën e të dashurit të saj andaj atë duhet ruajtur si “karrem” për alibi, duke e futur në një friz të kyçur në korrent me prizë. Dhe të gjitha konfliktet e komedisë konsistojnë me kyçjen dhe çkyçjen e prizës, gjegjësisht të ministrit nga priza. Mirëpo, fshehja e vrasjes së ministrit nuk paraqet vështirësi për t’u zbuluar nga ata që vijnë për ta zbuluar. Edhe pse ky element është kyç në komedi, nuk paraqet ndonjë figurë që kishte për të dominuar në shfaqje. Por, e frizi ku është i vendosur ministri dhe priza paraqiten qartë në skenë si elemente të komedisë. Duke u zhvilluar ngjarja në këtë rrafsh skenik, komedia nuk shtjellohet duke u kapërdirë nëpër figura, por rrjedhë natyrshëm dhe qartë.

Rolet dhe dimensioni komik interpretues

Në komedinë “Hiqe ministrin nga priza” paraqiten tetë personazhe që interpretohen nga tetë aktorë që janë: Arta Muçaj (Rebeka, Ledi Çarls), Myrvete Kurtishi (Gjeneral Klementini), Ernest Malazogu (Roni), Gresa Pallaska (Anabela), Hysen Binaku (Billi Bigston), Ylber Bardhi (Shërbëtori), Ramazan Bërkani (Dani) dhe Ylber Mehmeti (Mjeshtri). Secili nga aktorët interpretoi një personazh, andaj nuk pati këtu ndonjë interpretim të dyfishtë. Dhe mund të thuhet se aktorët e angazhuar nga regjisori Iliri Bokshi e kryen mirë dhe me përpikëri detyrën e dhënë nga ai. Me një fjalë ishin në nivel dhe në vijë të konceptit të regjisorit të shfaqjes. Madje, secili prej tyre në përgjithësi i skalitën personazhet e veta ashtu siç i kishte konceptuar regjisori, edhe pse ndonjëri prej tyre nuk mundi të çlirohej nga rolet me të cilat identifikohet si aktor.  Kjo ndodhi me Ernest Malazogun, i cili shpesh me gjuhën dhe interpretimin e tij binte në konceptin e personazhit të Fisnikut te “Familja moderne”, por këtë grackë e kalonte me lehtësi. Dhe atëherë interpretonte rolin e besuar në komedi. Ndërkaq kjo nuk ndodh me aktorin Hysen Binaku. Ky aktor ka një bagazh rolesh komike, ku dallohet Shoku Gaf, por ai në natën e premierës nuk ishte aty. Interpretoi mirë rolin e Bill Bigstonit, që ishte edhe i dashuri i Anabellës, vajzës së ministrit, por mënyra e farkimit të këtij personazhi nga ai doli paksa tjetër. Mbase, sikur t’i ishte qasur pak më ndryshe, apo nga një dimension tjetër interpretimi, me siguri se do të krijonte rol edhe më të mirë. Por, edhe kështu siç e bëri ai shfaqi talentin dhe përvojën e tij prej aktori.
Aktorja Myrvete Kurtishi edhe në këtë rol ishte në nivelin e përvojës dhe aftësive të saja prej aktoreje. Rolin e Gjeneral Klementinit, kjo aktore e interpretoi mirë dhe me invencion. Interpretimi i saj kishte plasticitet, komikë, intrigë, madje edhe thellësi dhe ndjeshmëri. Gjendja e saj në situata dhe intriga të ndryshme në skenë nuk paraqiste vështirësi, madje as huti e artificializëm, por ajo shfaqte vërtet një kreacion prej aktoreje me përvojë dhe dimension interpretues. Edhe kur kishte intrigë, edhe kur kishte komikë, edhe kur kishte gjendje, Myrvete Kurtishi nuk rrëmbehej, por dinte me masë t’i koordinojë polet e secilës situatë. Kështu e kompletonte lehtë dhe shlirshëm rolin dhe interpretimin. Në nivel të rolit të vet qe edhe Arta Muçaj. Kjo aktore ka aftësi për të shfaqur talentin e saj, por duhet që të ketë një kujdes kur interpreton role në komedi. Mbase Arta më tepër ka luajtur në drama të tjera se sa në komedi. Megjithatë, ajo ia arriti që ta skalit me sukses rolin e Zonjës Çarls, gruas së ministrit që duhej hequr nga priza. Ylber Bardhi interpretoi rolin e Shërbëtorit në familjen e ministrit. Edhe pse ai u mundua ta paraqes këtë rol, mbase ishte i penguar sepse gjuha e tij skenike, gjegjësisht të folurit e kishte të karikuar. Kështu, me fjalët e shqiptuara “keq” ky aktor më tepër krijoi artificialitet se sa interpretim të mirëfilltë. Por, edhe me këtë formë interpretimi krijoi një atmosferë te një pjesë e shikuesve në sallë. Edhe Gresa Pallaska – Anabella, ishte në nivelin e rolit të saj, edhe pse ajo kishte lëvizje shumë të qëlluara skenike, nuk depërtoi në thellësinë e interpretimit të rolit, por ngarendte në horizontalen e vijës se regjisë. Ndërsa Ramazan Bërkani – Dani dhe Ylber Mehmeti – Mjeshtri kishin me tepër role teknike që plotësonin konceptin e shfaqjes.
Skenografia e Petrit Bakallit në këtë shfaqje kishte disa nuanca paksa të tjera. Skena e komedisë paraqiti atmosferën e salloneve të shtresave të larta të pushtetit anglez, por dukej paksa e mbyllur dhe nuk kishte frymëmarrje. Edhe kostumet e Ardita Prizreni-Rizvanollit realizuan konceptin e komedisë dhe përkuan me karakteret e personazheve të saj. Mbase rolin e skenografisë e uli paksa edhe ndriçimi, i cili në natën e premierës pothuajse ishte statik dhe nuk krijoi atmosferë. Përjashtim mund të jetë ndriçimi i skenës së fundit të gjetjes së fajtorit (Shërbëtori) të vrasësit të ministrit. Kurse muzika e Trimor Dhomit kishte një anë dalluese në shfaqje. Efektet e muzikës shpesh ishin momenti me i realizuar. Mbase, bashkëpunimi i regjisorit Bokshi dhe kompozitorit Trimor Dhomi ka një përvojë. Andaj u kurorëzua me sukses në natën e premierës.
Shikuar në përgjithësi, ky projekt i komedisë së dramaturgut anglez Eric Idle, pati një natë të mirë të premierës dhe u inkuadrua në mesin e projekteve të Teatrit Kombëtar të Gjakovës, duke qenë në rrjedhën e shfaqjeve të zakonshme të tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora