Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuri Dragoj: “Dialog” me Nënë Terezën

| E diele, 28.10.2007, 06:12 PM |


Duke “biseduar” me Nënë Terezën kupton se sa rëndësi ka sjellja njerëzore

Të lutemi përherë për paqe dhe dashuri

“Në Shqipëri insistojmë shumë për lutje, unitet dhe dashuri”
Nënë Tereza

Nga Nuri Dragoj
nuridragoi@hotmail.com

Nënë Tereza është cilësuar gruaja më e madhe e kombit shqiptar. Shqiptarët mburren me Skënderbeun, heroin kombëtar, i cili hapi rrugën drejt Evropës, por dhe që i tregoi se si mund të bëhet kjo Evropë. Nënë Tereza i tregoi Evropës dhe botës mbarë, se njerëzimi nuk mund të përparojë pa dashuri, se pa zhdukur varfërinë nuk mund të ketë qetësi. Ajo kurrë nuk e ka mohuar kombësinë e saj dhe asnjëherë nuk shprehu lodhje në shërbim të njerëzimit. Me plot gojën pohonte: “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Për sa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht zemrës së Krishtit". Nënë Terezën e shqetësonte raporti i zhdrejtë në shoqërinë njerëzore, njerëz të varfër në ekstrem dhe të tjerë të pasur në infinit. Ajo besonte se Zoti i do të gjithë njerëzit, ndaj ata duhet të ndihmojnë njeri-tjetrin.
 "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij".
Shëtiti tërë botën dhe kudo u lut për mirësi, për dashuri, për begati, për barazi. Miliona njerëzve të varfër u dhuroi buzëqeshjen, i ledhatoi me dorën e saj, lexoi në sytë e tyre botën shpirtërore, besimin te Jezu Krishti, shpresën për një ditë të bardhë.
Në shpirtin e saj, mbushur plot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për të, kishte një dëshirë të vetme: Të shuante etjen e dashurisë së tij për shpirtrat njerëzore. Me sytë te Krishti ajo lutej vazhdimisht që shpirtrat e njerëzve të preheshin në paqe. Krishti i zbulonte kështu dëshirën e zemrës së tij ndaj "njerëzve, që duke u flijuar për dashurinë… do të rrezatonin dashurinë e tij ndër shpirtra".
"Eja, të jesh drita ime… nuk mund të shkoj vetëm", iu lut ajo. I tregoi atij sa shumë vuante duke parë mospërfilljen ndaj të varfërve, sa i dhembte, kur mendonte se ata nuk e njihnin e sa dashuri të zjarrtë kishte për ta, dashuri që e përcillte me shikim, me veprim, me këshilla dhe ndihmë në të gjitha drejtimet, veshje e ushqim, ilaçe e, mbi të gjitha, me dashurinë e saj të madhe.
Nëse të gjithë do të kërkonin ndihmën e Nënë Terezës para se të kryenin një veprim, doemos që gabimet njerëzore do të pakësoheshin dukshëm dhe dashuria do të dilte në plan të parë. Sa të kërkosh ndihmën e saj, do të të shohësh se të hapet një horizont i paanë, një mëshirë njerëzore, ku pasi futesh, e sheh se humbet drejtimin e keq dhe drejtohesh nga e mira. Kush përpiqet të ketë si busull Nënë Terezën dhe kërkon ndihmën e saj, e sheh se ajo të çon drejtë mëshirës, drejt faljes.
Ajo thotë: “O Zot, bëmë mua instrument të paqes tënde”.
Nënë Terezës nuk i pëlqen të shohë urrejtje, as grindje e dëshpërim. Ajo kërkon vetëm harmoni, vetëm paqe e dashuri. Ndaj i lutet Krishtit që ta çojë në ndihmë të njerëzimit. “Atje ku ka urrejtje bën që unë të sjell dashuri”, atje “ku ka grindje bën që unë të sjell bashkim”, “ku ka dëshpërim bën që unë të sjell shpresë”.
Kur mendojmë se Nënë Tereza është aq pranë shenjtërisë, ne njerëzit e thjeshtë të shoqërisë, që nuk gjejmë dot mbështetje tek ajo, gjejmë frazën lutëse të përditshme të saj të lutjes ndaj Zotit.
Nënë Tereza, vërtet kërkon paqe e mëshirë, por ajo nuk heq dorë nga e vërteta. Këshilla e saj për shoqërinë është që të shkojë përherë në drejtim të së vërtetës, ndaj ajo lutet: “O Zot, bëj që atje ku ka gabime, unë të sjell të vërtetën”.
Duket se tërë njerëzit e Zotit janë të një mendimi. Baba Rexhepi kërkon që njerëzit të besojnë dhe të luten tërë jetën e tyre, pasi zakonisht ndodh që “njerëzit kur plaken fillojnë e besojnë në Zotin, pendohen e kërkojnë lehtësim të shpirtit nga mëkatet e tyre”.
Baba Rexhepi është një nga përfaqësuesit e filozofisë bektashiane. Këshillat e tij janë me shumë vlerë dhe për çdo kohë: “Luftoje egoizmin që të jesh në gjendje ta shohësh Zotin”,- këshillon ai.
Kohët ndryshojnë, mendimet e njeriut tundohen. Është e vërtetë se historia shpeshherë mund të krijojë një fizionomi gati të njëjtë me mostrën e vërtetë, por asnjëherë nuk mundet të imitojë në përpikëri të vërtetën. Profeti Muhamed në njërën
prej thënieve të tij shprehet: "Lutja e agjëruesit, udhëheqësit të drejtë dhe atij që i bëhet e
padrejtë, gjithmonë pranohet te Zoti".
Dhe njeriu që zbriti në rruzullin tokësor për të parën herë hasi në këtë
udhëkryq të madh, ndërsa vullneti dhe dëshira e tij u përflakën drejt egos dhe rrugës se hijezuar, ose shpirtit dhe rrugës së vizatuar me vija të
trasha. E drejta dhe e padrejta nuk mundën asnjëherë të paraqiten si sinonime të njëra -
tjetrës. Aq më shumë kur shtrohet çështja në bërjen e politikës, nga e cila varen fatet e njerëzve, madje dhe të kombeve. Ne kemi lenë pas një të kaluar të hidhur, ku politika e sistemit dhe etja e njerëzve për pushtet, përzierë me ligësinë e shpirtit, kanë bërë krime të shëmtuara. Njeriu duhet të punojë për të ndrequr sa të jetë e mundur nga padrejtësitë e tij. Në ekranet e televizioneve tona shfaqen lloj-lloj politikanësh që kërkojnë mbylljen e së kaluarës. Shumë prej tyre janë pjesë e krimeve të kryera. Ndaj e kaluara nuk mund të mbyllet aq lehtë. Një filozof boshnjak thotë: “Asnjëherë mos mendo se je i sigurt në vetveten dhe as se e kaluara është e kaluar". Fridrih Niçe ka thënë: "Mos u beso atyre që flasin për drejtësinë e tyre". Pra, nuk duhet menduar se krimi i sotëm mund të fshihet nesër, pasi një tolerancë e tillë do të çonte drejt fshirjes së njerëzimit.
Të këtij mendimi duket se janë dhe njerëz të mëdhenj që i kanë shërbyer postulatit të Zotit. Baba Rexhepi p.sh. nuk pajtohet kurrë me padrejtësitë, ndonëse nuk heq dorë nga falja. “Mua, bir, nuk më takon gjë tjetër, veçse të mëshirojë edhe të falë“. Por Baba Rexhepi nuk pajtohet me lënien e krimit të lirë, me mosndëshkimin e tërë të këqijave, pasi ato mund të bëhen të rrezikshme për shoqërinë. Ndaj sërish këshillon: “Shoqërisë i takon të gjykojë në bazë të së vërtetës dhe drejtësisë”. Se mëkatarët nuk duhet të nderohen. Falja ka një kufi, i cili mbaron atje ku rrezikohen të tjerët. Njerëz tërësisht të pastër nuk ka. Deri tani bota ka njohur vetëm një të tillë, Jezu Krishtin. Ai, si i dërguar i Zotit, e di mirë se mëkati bën pjesë në brendinë e njeriut, ndaj duhet të luftojmë për të mos bërë mëkate. 2000 vjet më parë ai e ftoi popullin që gurin e parë ndaj mëkatares ta hidhte ai që mëkat nuk kishte mbi shpirt të tij dhe asaj fatkeqes i tha: Nuk kam ardhur të të gjykoj, por shko në shtëpi, pendohu dhe mos bëj më mëkate.
Duke qenë se të pamëkatët nuk ekzistojnë mbi dhe, të gjallët le të nxjerrin mësim nga Krishti, me qëllim që të minimizojnë, në mos shuajnë fare mëkatet e tyre, për të shkuar drejt një shoqërie njerëzore, siç e dëshiron vet Zoti. Nëna Terezë na ka dhënë modelin e tejkalimit të tyre edhe në raste vështirësish, mjafton që të kesh zemër të pastër dhe qëllime të larta. Prandaj janë harruar zërat me hije dhe ka mbetur shkëlqimi i veprës së saj, të cilës iu përkushtua me shpirt deri në çastet e fundit të jetës, vepër që mund të shërbejë si busull për këdo, si një dritë për të ndriçuar rrugën dhe në errësirë.

“Dialog” me Nënë Terezën

Nënë Terezë, ju jeni engjëlli ynë! Ne jemi dy herë me fat. Me fat si njerëz që të kemi Ty, por dhe sepse jeni bijë e kombit shqiptar. Keni bërë shumë për të varfrit. Mbase nuk është me shumë vend, por do të dëshiroja të na përsërisnit edhe një herë se çfarë kuptoni ju me njerëz të uritur, të braktisur, që kanë nevojë për përkrahje?
- Nuk është fjala vetëm për uri buke. Ekziston dhe uria për dashuri. I zhveshur nuk do të thotë të jesh pa një copë veshje, por do të thotë të jesh pa dinjitetin njerëzor. Të jesh pa strehë, nuk do të thotë të mos kesh një shtëpi të vogël ku të jetosh, por domethënë të jesh i braktisur nga të gjithë, i padëshiruar, i padashur, i lënë pas dore, ku njeriu të ketë harruar çfarë domethënë dashuria njerëzore, çfarë është gëzimi njerëzor, çfarë është përqafimi njerëzor...
- Thonë se ju keni pasur shumë këshilla të vyera nga prindërit tuaj. Përmenden disa shprehje të babait tuaj që ju nuk i keni harruar dhe i keni përmendur në raste të veçanta. A mund të na kujtoni ndonjë prej tyre?
- Më ka dhënë shumë këshilla. Mbase të gjithë njerëzve prindërit u japin këshilla. Por nuk do të harroj kurrë shprehjen e tij: “Gonxhe, egoizmi është sëmundje shpirtërore që të bën rob dhe që nuk të lë të jetosh e as t’u shërbesh të tjerëve”.
- Pas kësaj ju vendoset t’u shërbenit njerëzve të varfër?
- Nuk e di, por unë thashë prerë: Dua të bëhem motër misionare që t’u shërbej të varfërve të botës.
- Këshilla ju ka dhënë dhe nëna, apo jo?
- Patjetër. Shumë këshilla më ka dhënë. Midis tyre mbaj mend shprehjen e ndritur të saj: ”Gonxhe, e dashur, kur bën diçka, ose bëje mirë dhe me dashuri, ose mos e bëj fare”.
- Natyrisht, ju i keni zbatuar me fanatizëm ato.
- I kam zbatuar se nuk mund të bëja ndryshe kur shihja “njerëz të shtrirë në rrugë, të padëshirueshëm, të padashur, të uritur”.
- Nëna juaj ka qenë e shkolluar që mendonte aq thellë apo kishte dhunti natyrale?
- E shkolluar nuk ishte, por kishte zemër të gjerë njerëzore. Ajo më thoshte: “Bija ime, kurrë mos shiko mbrapa, vetëm përpara, kurrë mos u dorëzo!”
- Nëna juaj ka pasur të drejtë. Të ndihmosh këta njerëz që jetojnë në mjerim duhet ta përjetosh vet gjendjen e tyre shpirtërore, të kesh zemër të pastër.
- Këtë u kam thënë shpesh motrave të mia dhe njerëzve kudo që kam takuar. “Duhet të kemi zemrën e pastër që të kuptojmë, sepse zemra e pastër mund të dashurojë. Ne duhet t’ua zgjasim dorën që t’u shërbejmë, ndërsa me zemër t’i duam për atë ditë kur të varfrit të jenë shpresë e shpëtimit të njerëzimit. Ne do të gjykohemi në bazë të asaj që bëjmë për ta”.
- Dhe ju e keni bërë një gjë të tillë gjatë gjithë jetës suaj, por keni parë dhe njerëz të varfër që kanë ndërruar jetë, mbase dhe në prezencën tuaj.
- Natyrisht që ka pasur. Por “asnjë nga pacientët tanë nuk ka vdekur i dëshpëruar. U kemi mundësuar vdekje të bukur. Ne i ndihmojmë ata të vdesin në paqe me Zotin dhe me dashuri e kujdes deri në fund”.
- Sipas jush, termi ndihmë nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit. Ndihmë mund të japë kushdo. Si ta kuptojmë këtë këshillë tuajën?
- Njerëzit e varfër të botës “mund të ndihmohen, pavarësisht nga mundësitë që kemi, qofshim të pasur apo jo. Mund të ndihmohen me shumë para e nëse nuk ka edhe me një qindarkë edhe me një kujdes, me pak respekt, me një buzëqeshje”.
- Mbase këtë keni dashur të thoni dhe ditën kur keni shkelur tokën shqiptare bashkë me Papa Gjon Palin e Dytë. Atëherë, duke iu drejtuar popullit shqiptar, Ju keni thënë: ”Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju do perëndia juve të gjithëve dhe lutuni! Sepse, duke u lutur në familje, e mbani atë të bashkuar. Familjarët që luten bashkërisht janë të bashkuar e duan njëri-tjetrin siç i do perëndia të gjithë, prandaj ne këtu në Shqipëri insistojmë shumë për lutje dhe unitet dhe dashuri në çdo familje. Zoti ju bekoftë!
- Ashtu vazhdoj të them dhe lutem sërish. “Vetëm dashuria mund t’i bashkojë shqiptarët”.
- Keni qenë shumë e angazhuar me njerëz që kanë vuajtur jo vetëm nga uria, por dhe nga droga, HIV/AIDS dhe vese të tjera të shoqërisë njerëzore. Përse jeni angazhuar kaq shumë për këtë kategori njerëzish?
- “Për lavdinë e Zotit dhe të mirën e njerëzve. Ata janë qenie njerëzore, vëllezërit dhe motrat e mia, ne duhet t’i falim ata. Këta njerëz më shumë vuajnë nga izolimi që u bëhet. Ata kanë nevojë për dashuri..”.
- Për gjithë këto të mira, të cilat mund të quhen dhe mrekullitë tuaja, jeni nderuar me çmimin NOBEL. A u gëzoi ky çmim?
- Ky çmim është një rast i mirë për të dëshmuar se dashuria është një rrugë e mirë për paqe. Dhe jo vetëm dashuria me fjalë, por dashuria në vepër. Ky çmim do t’i gëzojë mijëra njerëz anë e mbanë botës, të cilët bashkohen me mendimin se të varfrit janë vëllezërit dhe motrat tona.
- Njerëzit mbartin në vetvete dhe të këqija. Kur një grua p.sh. aborton, në një farë mase bën një krim. Ju edhe në këto raste keni qenë përkrah tyre. Si e shpjegoni një gjë të tillë?
- Është e vërtetë. Për mua aborti është shkatërruesi më të madh i paqes. “Nëse një nënë mund ta vrasë fëmijën e vet, ç’mund të thuhet për krim kur vritemi në mes nesh. Këta fëmijë të palindur po vriten në barkun e nënave të tyre. Mendoj se të gjithë ne duhet të lutemi të mos ndodh kjo. Nëse me të vërtetë e duam paqen, duhet ta ndalim vrasjen e fëmijëve të pafajshëm në barkun e nënave të tyre”.
- Nënë Terezë, shpesh njeriu haset në mëdyshje të mëdha. Nuk di si të veprojë. Se në jetë hasen njerëz të dashur, të afruar, të gjendur dhe të përkushtuar, bujar dhe dashamirës, madje edhe vetësakrifikues, të besës dhe fjalës, nderit dhe punës, të sinqertë dhe të çiltër. Dhe kur takon të tillë, njeriu lumturohet, ndihet mirë dhe fiton energji për punën dhe jetën e tij. Por në jetë gjen dhe të tjerë njerëz plot ligësi, mjeshtër intrigash, hipokritë, shpifës, dinakë, servilë, të zgjuar e të zotë për të thurur sherre dhe komplote, të pangopur për të bërë keq dhe shpirtligj të pafe. Në këto raste çfarë duhet bërë?
- S’ka rëndësi, njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egocentrikë, s’ka rëndësi, duaje!
- Mirë, Nënë Terezë, por këta njerëz të gjallë, siç na shkruante një vajzë pak ditë më parë, jo vetëm ecin me këmbë, por me këmbë edhe shtypin, flasin me gjuhë por dhe me gjuhë edhe ndyjnë, ushqehen duke përdorur dhëmbët, por me dhëmbë edhe kafshojnë, mbytin, puthin me buzë por me buzë edhe pështyjnë. Edhe këtyre duhet t’u bëjmë mirë?
- Të gjitha i di. Nuk gjen qenie njerëzore tërësisht të bardhë dhe engjëllore. Ne jemi shumëngjyrësh dhe shumë kompleks. Nëse bën mire, do të thonë se e bën për qëllime egoiste, nuk ka rëndësi, bëj mirë!
- Shumë studiues, sociologë e psikologë, thonë dhe shkruajnë se njeriu është produkt i natyrës dhe i shoqërisë,produkt i mjedisit dhe i edukatës. Ai lind i pastër e gjatë jetës zhvillohet biologjikisht, socializohet dhe arrin një shkallë të caktuar të vetëdijes. Në këtë proces zhvillimi ai formohet edhe si personalitet. Personaliteti është një tërësi, një abstrakt i marrëdhënieve shoqërore, ku në tërësinë e vet njeriu është mjaft i ndërlikuar dhe i përngjet një ajsbergu, nga i cili ne mund të shohim vetëm pjesën e jashtme dhe të dukshme të tij, brenda së cilës fshihet thelbi. Një shfaqje e jashtme e personalitetit mund të jetë në unitet me thelbin e tij, por mund të ndodhë edhe një shmangie nga ky unitet. E keqja është se njerëz me prirje negative jo rrallë janë të veshur me pushtet dhe kanë para nëpër duar, duke bërë presion dhe ndikuar edhe në personalitetin e të tjerëve. Kur u ndërhyn, i kritikon a kërkon të japësh ndihmesën tënde, ata shpesh reagojnë me zemërim e armiqësi. Po kësaj kategorie çfarë t’u bësh?
- Nëse i zbaton qëllimet e tua, do të gjesh miq të rrejshëm dhe armiq të vërtetë, s’ka rëndësi, zbatoi ato! Të mirën që e bën nesër do të harrohet, s’ka rëndësi, bëj mirë!
- Përgjithësisht, njeriu e njeh veten dhe është koshient për mendimet dhe veprimet e veta. Ai mund të drejtojë dhe e të kontrollojë veten. Kur tentojmë të shohim a studiojmë pjesën e zhytur të ajsbergut nën ujë, zbulojmë personalitetin real të një qenieje njerëzore, shkallën e zhvillimit të tij psikologjik, humanitar, shkallën e koshiencës dhe e subkoshiencës. Dhe shpesh ndershmëria shihet si naivitet. Njerëzit e ndershëm shihen si të lënë pas nga koha. Dhe në këto raste ndihemi keq dhe shpesh nuk dimë çfarë qëndrimi të mbajmë: Të vijojmë sërish me çiltërsi apo t’i bashkohemi grupit të zhytur në interesa meskine e ndonjëherë edhe në krim?
- Nderi dhe çiltëria do të bëjnë të lëndueshëm, s’ka rëndësi, të jesh i çiltër dhe i ndershëm!
- Kur mendohemi thellë kuptojmë se të gjithë ngjasojmë si aktorë në një skenë të madhe, aktor në role të ndryshme, në nivele të ndryshme. Vet jeta duket se na detyron të marrim role, të përshtatemi ndaj të tjerëve që të jemi sa më të pranueshëm. Lëvizim duke pranuar se po na vëzhgojnë, kritikojnë, na duan e urrejnë. Ndoshta në mënyrë inkoshiente bëhemi aktorë, kur duam që të mos lëndojmë njerëzit që na rrethojnë, aktorë kur duam të ruajmë lumturinë me njeriun e zemrës, aktorë kur duam të përfitojmë padrejtësisht, gati në çdo hap ndihemi aktorë, me përjashtime të rralla apo kohë të caktuara. Në thelb ky aktrim ushqehet nga personaliteti ynë i cili është unik në llojin e vet. Ky person shpesh bën që shumë njerëz të indoktrinohen, të braktisin bindjet e tyre për të mos u ndjerë të ndryshëm, për të qenë i njëjtë me atë që të ka lidhur puna, jeta, halli. Bie në këtë mënyrë nën pushtetin e tij dhe liria vihet në diskutim. Nuk di nëse kjo ndodh vetëm në Shqipëri apo kështu është kudo. Nuk jam i qartë nëse është vijim i denatyrimit të njeriut nga sistemi monist, kur u eksperimentua krijimi i njeriut të ri, apo pjesë e karakterit mbarë njerëzor?
- Atë çka ke ndërtuar vite me radhë mund të rrënohet fill, s’ka rëndësi ndërto! Nëse i ndihmon njerëzit, mund të ndodhë dhe të hidhërohen, s’ka rëndësi, ndihmoji!
- Mungesa e lirisë është e dukshme kudo në botë. Disa thonë se njeriu është i lirë, pasi mund të zgjedhë. Nga pikëpamja sociologjike, në një realitet social, ku shoqëria i kapërcen individët dhe qëndron mbi ta, nuk i lë pas dore marrëdhëniet e një individi me një tjetër. Njeriu, së pari jeton me të tjerët dhe jo me vetveten. Dashje pa dashje ne kufizohemi në lirinë tonë. Dhe kuptimi për lirinë është ende i paqartë. Liria ka kufizimet e veta. Disa thonë se njeriu mund të jetë i lirë derisa nuk cenon lirinë e tjetrit. Të tjerë e shohin lirinë sipas konceptit individual. Si çdo gjë, edhe liria është relative. Në kohën e Aristotelit ajo shihej në raport me skllavin. Atëherë nuk flitej për liri psikologjike. Homerianët lirinë ua atribuonin perëndive. Më vonë kur njeriu u fut në botën e brendshme, arriti në përfundimin se “është i lirë pasi asnjë nuk mund ta shtrëngojë miratimin e tij për të vërtetën”. Njerëzit e mirë shpesh ndihen në minorancë. Mbyten nga paudhësitë, nga lakmitë e të tjerëve. Ata përpiqen të ndikojnë sadopak për të ndryshuar diçka në këtë jetë me shumë të mira e mangësi, por herë ndihen entuziastë për atë çka arrijnë, herë bien në pesimizëm. Duket sikur nuk munden t’ia transmetojnë botës pjesën më të mirë të shpirtit të tyre.
- S’ka gjë. Jepja botës pjesën më të mirë të vetvetes. Do të jesh i shkelmuar, s’ka rëndësi. Jepe atë (pjesën më të mirë të vetvetes!)
- A nuk ka rrezik që duke toleruar kaq shumë, njerëz të caktuar me prirje kriminale, apo tendencë për t’u pasuruar pa fund, të bëhen shumë të pushtetshëm dhe të thellojnë më tej mjerimin njerëzor?
- Që të mos ndodhë kjo, unë lutem vazhdimisht: “O Zot, bën që atje ku ka gabime unë të sjell të vërtetën”.

Do të jetojmë përherë me këshillat e Nënë Terezës

Ajo është shprehja më e bukur e mirësisë, humanizmit dhe zemërgjerësisë

Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Largimi i saj u cilësua si një humbje e madhe për njerëzimin, por edhe ngushëllim, pasi ajo e la të qartë rrugën që duhet ndjekur. Kjo humbje u ndie dhe në varrimin e saj, ku morën pjesë me pikëllim të thellë, krahas të varfërve, edhe personalitetet më të shquara botërore. Ne do të jetojmë duke e pasur atë përherë me vete, duke ruajtur të gjalla në kujtesë dhe në veprimet tona këshillat e saj. Ngushëllohemi edhe për faktin që nuk kemi pse të qajmë që nuk e kemi, por të kënaqemi se patëm një të tillë që sot me të drejtë e respekton e gjithë bota, për gjurmët e mëdha që ajo ka lënë me zemrën dhe humanizmin e saj, në dobi të jetës dhe të njerëzimit. Pas kësaj humbjeje na ngroh gjithashtu dhe Volteri me thënien e tij: “Njerëzit e mëdhenj janë ata që i kanë sjellë dobitë më të mëdha njerëzimit”. Dhe ajo është një ndër të mëdhenjtë e njerëzimit.
Nëna Terezë u bë për të gjallë edhe më shumë pas vdekjes, inspirim për mendjet krijuese të të gjitha llojeve: për njerëzit e thjeshtë, për shkrimtarë dhe artistë, për të gjithë.
 Një ditë pas vdekjes së Nënë Terezës, Papa Gjon Pali II u shpreh:
“Nëna Terezë e ka shënuar historinë e shekullit të 20-të. E ka mbrojtur me guxim të pashoq jetën, i ka shërbyer qenies njerëzore për të mbrojtur dinjitetin dhe nderimin atyre që i kishte thyer jeta për t’i dëshmuar dashurinë e Zotit çdo krijese njerëzore. Kjo është dëshmia e dashurisë engjëllore që ushqehet nga feja dhe e përcjellë deri në vdekje. Kështu e përkujtojmë atë duke u lutur dhe duke i dëshiruar shpërblimin që e pret çdo besimtar në mbretërinë qiellore. Le të jetë shembulli i saj i gjallërishëm ngushëllim dhe frymëzim për familjen e saj, kishën dhe mbarë botën”.
Më 19 tetor 2003, ipeshkvi i Kalkutës i kërkoi Papës që Nënë Tereza të shkruhet në radhët e shenjtërve. Po këtë ditë, Papa Gjon Pali i Dytë, e shpall të Lumnueme Nënën tonë të madhe Terezë. “...Me autoritetin tonë apostolik, pranojmë që shenjtorja e nderuar e Zotit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet lume e që festa e saj të kremtohet, sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike kishtare, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell më 5 shtator.”
Bill Klintoni e quajti Nënë Terezën, vigan i shekullit tonë. Toni Bler vlerësoi se shpirti i Nënës Terezë do të rrojë si frymëzim për të gjithë ne. Zhak Shirak tha se pas vdekjes së Nënë Terezës, ka më pak dashuri në botë.
Piktori i madh shqiptar, Ibrahim Kodra, ka thënë: “Nënë Tereza është shprehja më e bukur e mirësisë, e humanitetit, e zemërgjerësisë, e flijimit e tërë asaj që mund të themi që është bujare…. Nëna Terezë është nëna e botës mbarë. Ajo ka shpëtuar fëmijët e botës! Kjo është Nëna Terezë. Shqiptarët mburren me emrin e saj. Ajo ka naltësu edhe emrin e popullit shqiptar, sepse me mirësinë që ka bërë në tërë botën emri i saj është i shkruar me shkronja të arta. Dhe e meriton se e ka çu nalt emrin e Shqipnisë.”
Ibrahim Rrugova, duke folur për Nënë Terezën, në vitin 1996, kohë në të cilën e shpalli atë Anëtare Nderi të Republikës së Kosovës, midis të tjerave, ka thënë: “Ne do të mësojmë gjithmonë nga filozofia e dashurisë që krijoi ajo. Kjo filozofi është dashuria për Zotin, dashuria për njeriun dhe dashuria midis njerëzve. Kjo është dashuria e nënës shqiptare, që Nëna Terezë e ndau edhe me njerëzit e popujve të tjerë. Këtë dashuri e ngriti në planin universal për veprën e bërë të bamirësisë. Nëna Terezë, mund të themi, është themeluese e filozofisë humanitare që aq shumë i duhet njerëzimit. Njerëzit e mëdhenj dashurinë e ndajnë dhe ua dhurojnë të tjerëve. E tillë ishte Nëna Terezë. Nga filozofia e saj ne mësuam të jemi së bashku.
Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, ka bërë këtë vlerësim për shenjtoren shqiptare: ”Nënë Tereza është figurë e madhe emblematike e kombit shqiptar. Me figura si Nënë Tereza historia e njerëzimit, vetë njerëzimi, është bërë më i pasur dhe më i ndritshëm. Populli shqiptar mund të jetë krenar që i ka dhënë botës një pasuri dhe një dritë të tillë. Me këtë ai dëshmoi edhe një herë se është një popull që bën pjesë në qytetërimin e madh evropian. Jam i lumtur që vite më parë e kam takuar këtë shenjtore. Çdo popull do të ishte krenar ta kishte pjellë Nënë Terezë. Prandaj krenaria jonë për të është legjitime. Në çastet tona të vështira ne e kemi kujtuar gjithmonë. Ajo na ka dhënë besim dhe kthjelltësi në shpirt. Në kohë të ashpra ne e kemi kujtuar po ashtu gjithmonë, ajo na ka dhënë fisnikëri dhe paqe. Nënë Tereza do të jetë e tillë për ne në jetë të jetëve.”
Nermin Vlora Falaski: “Nënë Tereza .. këtë grua të lartë edhe rrudhat që kishte në fytyrë e bënin jashtëzakonisht të madhe...
“Para Nënë Terezës të gjithë ndihemi të vegjël dhe të turpëruar për veten tonë...“, është shprehur Indira Gandi.

Republika date 25 tetor 2007