E enjte, 25.04.2024, 05:00 AM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Sulmet fizike kanë për qëllim pastrimin etnik

E premte, 12.03.2010, 12:28 AM


Sulmet fizike kanë për qëllim pastrimin etnik

Nga Valon Kurtishi

Në kuadër të politikave të veta tradicionale për zhdukjen e tërësishme apo uljen e pjesëshme të numrit të popullsisë shqiptare, pushteti jugosllav ka përdorur dhunën fizike në shkallë të gjerë apo më të kufizuar në periudha të ndryshme kohore dhe në varësi të rrethanave shoqërore. Këtë e ka bërë në mënyrë të planifikuar, të përpiktë e shumë shkencore duke u bazuar në projekte e elaborate të ndryshme që kanë hartuar inetelektualë të ndryshëm jugosllavë, d.m.th sërbë, sllavomaqedonas e sllavomalazezë. Në këtë kuadër edhe pushteti sllavomaqedonas i shtyrë e nxitur nga ai qëndror jugosllav ka organizuar veprime nga më të ndryshmit që qëllim kryesor e kanë pasur zhdukjen apo largimin sa më të madh të shqiptarëve nga IRJM. Sulmet janë organizuar dhe realizuar nga forca të uniformuara policore, nga organe tjera shtetërore si tatimorët apo inspektoratet e ndryshme ndërtimore e deri tek organizimi dhe instrukimi në fshehtësi i huliganëve të ndryshëm që gjoja skanë asnjë lidhje me pushtetin shtetëror. 

Skenat e tmershme të rrënimit të mureve reth shtëpive të qytetarëve shqiptarë nga vitet 80 të shekullit të kaluar janë duke u rikthyer në forma të ndryshme në vitin 2010. Atëbotë (1988) pushteti komunist sllavomaqedons në një fushatë tipike terroriste nuk u ndal as para trupit njerëzor të Nuredin Nuredinit në Haraçinë duke e varosur për së gjalli në rrënojat e shtëpisë së tij këtë martir të kombit tonë. Aksioni në fjalë ishte një nga format e përdorura në atë strategjinë e madhe për uljen e numrit të shqiptarëve në IRJM ku përveç prishjes së mureve rrethuese të shtëpive, hynte edhe prishja e shtëpive të ndërtuara gjoja pa lejen e organeve komunale, ndalimin e punësimit të shqiptarëve në ndërmarjet publike, ndalimin e emërtimit të fëmijëve shqiptarë me emra ilirë e shqip, inkurajimin dhe në shumë raste edhe detyrimin e shqiptarëve që të regjistrohen si turq dhe të largohen në Turqi, inkurajimin e emigrimit në Europën perëndimore ose edhe në Amerikë për shqiptarët e zonave periferike si Prespa, Manastiri apo Dibra, inkurajimin e shqiptarëve sllavishtfolës që të regjistrohen si maqedonas myslimanë, korruptimin e klerit mysliman për të përhapur sa më shumë në familjet shqiptare emrat arab dhe turq, hapjen e paraleleve të detyrueshme me mësim në gjuhën maqedonase në zonat e banuara me shqiptarë, mbajtjen e detyrueshme të evidencës pedagogjike në gjuhën maqedonase dhe largimin nga puna apo diferencimin e asaj pjese të vetëdijshme të mësuesisë shqiptare që i kundërvihej këtij vendimi diskriminues e asimilues, uljen e kuotave për shkollarët fillorë e të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, uljen e numrit të paraleleve dhe mbylljen e gjithë shkollave të larta në gjuhën shqipe, ndalimin apo pengimin e valëve të RTSH në territorin maqedonas dhe jugosllav në përgjithësi, diskriminimin e përditshëm nga administrata publike, zbulimet e kohëpaskohshme nga ana e Sigurimit Jugosllav të grupeve të a.q marksiste, leniniste apo nacionaliste, separatiste, iredentiste shqiptare, të cilët dënoheshin në procese tipike staliniste me burgime të gjata, fyerje dhe nënçmime ndaj shqiptarëve kudo në vende publike, rahjet dhe maltretimet e përditshme të qytetarëve nga policia e uniformuar, rahja e çdoditshme e shqiptarëve nga grupe bandash sllave apo edhe thyerja publike e objekteve afariste të shqiptarëve në Beograd, Nish, Zemun, Shkup, Manastir, Kumanovë e zona tjera ku shqiptarët ishin pakicë e popullsisë, e shumë akte e veprime tjera vandaliste që ndodhnin si në territorin e ish Republikës socialiste të Maqedonisë ashtu edhe në të katër anët e ish RSFJ.

Në një formë shumë interesante e të çuditshme bashkë, një numër i këtyre dukurive e fenomeneve shoviniste e primitive janë duke u rikthyer kohëve të fundit në shoqërinë fyromiane.
Duke qenë se rrethanat ndërkombëtare në dy dekadat e fundit kanë ndryshuar shumë dhe sot nuk mund të përdoret më në mënyrë të hapur para gjithë opinionit ndërkombëtar kundër qytetarëve të një vendi europian forca e uniformuar shtetërore, kundër qytetarëve shqiptarë ka filluar të veprojë më tepër krahu banditesk i përbërë nga kriminelë të rëndomtë. Sulmet e tyre në të shumtën e herës janë të “rastësishme”, dhe agresorët mbeten gjithmonë të paidentifikuar. Hetimet policore mbeten si zakonisht në “rjedhë e sipër”. Viktima të këtyre sulmeve janë qytetarë të thjeshtë shqiptarë të ndodhur në momentin e krimit në shtëpitë e tyre, në rrugë, në parqe publike, në stadiume, në qendra tregtare, në pishina, në vendet e tyre të punës, në organe të ndryshme shtetërore etj. Shihet qartë ekzistenca e një organizmi të panjohur kriminal antishqiptar, i cili punon ditë e natë për të krijuar një psikozë të frikës kolektive të shqiptarët në zona të caktuara të IRJM-së. Si zakonisht këto sulme të mirëorganizara ndaj njerëzve që e flasin publikisht gjuhën shqipe apo ndaj atyre që në pamje të jashtme vlerësohen se mund të jenë shqiptarë, ndodhin në zona qëndrore urbane të banuara dhe frekuentuara ekskluzivisht nga sllavishtfolës etnikë, apo edhe në qytete të tilla si Manastiri ku numrat e popullsisë shqiptare kanë rënë në nivele të tilla të pabesueshme prej 3 deri 4% të popullsisë, nga 60 – 70% sa ka qenë aty historikisht prania shqiptare. 

Para disa muajsh, më saktësisht në korrik 2009 në Nerez të Shkupit një grup i tifozëve të klubit futbollistik Vardari të njohur me emrin “Komitë”, organizoi një sulm kundër banorëve shqiptarë të kësaj lagjeje. Nerezi është një zonë shqiptare e cila për dekada të tëra nuk urbanizohet nga autoritetet lokale të Shkupit pasi banohet në shumicë nga popullsi etnike shqiptare. Kjo na bën të dyshojmë që sulmi i këtyre huliganëve të ketë prapavijë politiko-etnike dhe të jetë organizuar pikërisht nga organet shtetërore që nuk pranojnë të urbanizojnë këtë pjesë shqiptare të kryeqytetit. Sulmi më i fundit i para dy ditëve i këtyre huliganëve ndaj një grupi të qytetarëve ku u lëndua rëndë një fëmijë, ishte veprimi i disatë me radhë banditesk kundër qytetarëve shqiptarë në Shkup. Edhepse kanë kaluar dy ditë nga rasti tragjik, askush nuk është thirur në përgjegjësi ligjore nga ana e Policisë së shtetit. Kjo vërteton tezën e frikshme për një organizim dhe planifikim shtetëror të këtyre sulmeve të shumta kundër qytetarëve shqiptarë që ndodhin në kryeqytet apo pjesë tjera të vendit. 
Duke parë gjithë këtë fushatë kërcënuese, kërkohet që shqiptarët etnikë të punësuar në MPB të marin masa energjike në mbrojtje të jetës dhe integritetit fizik të qytetarëve shqiptarë, pasi pjesa sllave e këtyre strukturave duket qartë që jo vetëm nuk e kryen detyrën ligjore, por inkurajon aket e tilla që kanë për qëllim spastrimin etnik të zonave të piketuara për këtë punë në këtë vend dyetnik. Kjo u pa në rastin e sulmit në Nerez ku MPB në një akt të paprecedentë diskriminues antishqiptar dhe anticivilizues lëshoi 8 padi ndaj sulmuesve kriminelë sllavë dhe 20 padi të pabaza ndaj qytetarëve shqiptarë. 20 paditë e çuditshme u ngritën kundër familjarëve shqiptarë që në një akt dëshpërues vetëmbrojtës u përpoqën të shpëtojnë veten dhe familjarët e tyre nga dhunimi fizik. Nëse MPB si organ shtetëror i autorizuar me kushtetutë dhe ligje që të sigurojë dhe mbrojë jetën, pronën private dhe pasurinë e qytetarëve nuk e kryen punën e vetë, do të paraqiten forma alternative të organizimeve vullnetare për vetëmbrojtje të shqiptarëve. Dalja në skenë e organizatave të tilla alternative të forcës nënkupton fillimin e fundit të këtij shteti diskriminues. 
Sulmet e këtilla terroriste ndaj shqiptarëve në ambiente publike apo në shtëpitë dhe pronën e tyre private tregojnë qartë që në këtë vend në shtresa të gjera shoqërore mbretëron një frymë e sëmurë raciste antishqiptare. Ky është një fenomen i rrezikshëm social i histerisë kolektive i cili është rrënjosur thellë në shpirtin dhe ndërgjegjen e më tepër se gjysmës së popullsisë së vendit. Për më tepër, fenomeni i racizmit omniprezent antishqiptar del përtej kufinjve të Fyromit duke marë përmasat ballkanike të një aleance të sëmurë, primitive dhe ekstremiste antishqiptare të sërbëve, grekëve, sllavomaqedonasve dhe sllavomalazezëve. Ky është një problem serioz i llojit të urrejtjes kolektive të cilit Bashkimi Europian duhet ti kushtojë vëmendjen dhe seriozitetin e duhur në interes të stabilitetit afatgjatë në këtë rajon. Prezenca ndërkombëtare në Shkup duhet të ushtrojë ndikimin e vet duke bërë presionin e duhur tek pjesa sllave e pushtetit e cila duket se e kontrollon shtetin plotësisht, që të ndalë këto veprime terroriste në mes të Europës në shekullin e XXI. Përndryshe asgjë nga fjalët e mëdha për një Europë të bashkuar, demokratike e tolerante ku të gjithë ndjehen dhe janë të barabartë. “Të bashkuar në diversitet” të bëhet realitet edhe në Ballkanin e prapambetur sllavo-bizantino-otoman.


(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora