E marte, 23.04.2024, 05:16 PM (GMT+1)

Mendime

Dorian Koçi: Integrimi evropian dhe regjistrimi i minoriteteve

E diele, 28.10.2007, 07:07 PM


Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi
Në prememorien që qeveria greke paraqiti në Konferencën e Londrës në 1913,mbi kufinjtë dhe popullsinë e Epirit vërehet se popullsia e kazasë së Korçës(regjistrimi i vitit 1908) numëronte “69.609 banorë nga të cilët 35.438 “grekë” dhe 34.171 muslimanë.Nga këta 35.438 të ashtëquajtur “grekë”, 33.438 ishin shqipfolës dhe 1.544 vllehfolës.Me fjalë të tjera në kazanë e Korçës sipas kësaj prememorie kishte 34.171 shqiptarë muslimanë,34.894 shqiptarë ortodoksë dhe 1.544 vlleho-shqiptarë” dhe asnjë grek.Në raporte pothuajse të njëjta  është dhe popullsia e kazave të tjera të vilajetit të Janinës si Përmeti,Kolonja madje dhe në krahinën e Himarës kaq problematike sot, numri i popullsisë jepet 11.968 nga të cilët 3.865 ishin greqishtfolës.Me përjashtim të kazasë së Gjirokastrës ku egzistonte një minoritet grek në të shtatë kazatë e tjera të Shqipërisë sipas kësaj prememorie,numri i grekofonëve ishte i papërfillshëm.
  Ngatërrimi qëllimisht i kombësisë me besimin fetar ka qenë një tipar që ka ka karekterizuar politikën greke të asaj kohe dhe fatkeqësisht si shikojmë dhe nga disa deklarime të disa përfaqësuesve të lobit grek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të jetë dhe sot për disa qarqe.Kështu psh personi “non grata” i vitit 1994,i shndrruar si me magji brenda pak vjetësh në një person të mirëpritur nga kryeministrat  qeverive shqiptare-z Nikolas Geixh pretendon në një artikull të botuar në “National Herald” –gazetë e lobit grek në Sh.B.A se numri i minoritarëve grekë në Shqipëri “është 500.000 deri në 600.000”.Më andej z Geixh vazhdon të analizojë se numri mbetet i paqartë nga “frika e autoriteteve në Shqipëri,për të bërë numërimin e popullsisë” dhe se numri i minoritarëve grekë do të rritej pasi “vllahët në Shqipëri vetidentifikohen si grekë” .Nuk është e vështirë të kuptosh se në mes prememories greke të vitit 1913 dhe argumentave që përdor z.Geixh ka një lidhje organike,i cili është një qëndrim konstant që nuk është i ri për shqiptarët.
  Qeveritë greke në të shkuarën sa herë që u është dashur të mbështesin veprime të dënueshme nga komuniteti ndërkombëtar kanë gjetur rrugën e tretë për të promovuar pretendimet e tyre.Kështu psh, qeveria e Venizellosit në vitin 1914 kur i bëhej presion për tu tërhequr nga kufinjtë shqiptarë të njohur nga Konferenca e Londrës,organizoi lëvizjen famëkeqe epiriotase,ku kryetar i saj ishte një ish-ministër i jashtëm i Greqisë-renegati Kristaq Zografo! Bandat e Zografos dhe trupat e rregullta greke paraqiteshin si vendas të revoltuar që “s’duronin dot të qëndronin nën shtetin shqiptar”. Po kështu vepruan nacionalistët grekë dhe në rastin e Qipros në krizën e vitit 1974 ku sërish nacionalistë ekstremistë nga Athina organizuan grushtin e shtetit kundër peshkopit Makarios dhe në mënyrë të dhunshme dëshironin të shpallnin bashkimin e Qipros me Greqinë.Kur komuniteti ndërkombëtar reagoi kundër këtyre manovrave, qeveria greke nxitoi të distancohej por askush nga ata që e njeh politikën greke se vë në dyshim se në qoftëse do kish patur një miratim të heshtur ,Greqia do ta kish shpallur aneksimin e Qipros.
  Kjo lojë si “macja me miun” me parimet e së drejtës ndërkombëtare duke ndërthurur të drejtën e vdekur historike me të drejtën “vetvendosëse” që ka luajtur shteti grek në arenën rajonale dhe që ka reminishenca dhe në politikën e sotme, pavarësisht integrimit evropian të Greqisë, ka influencuar dhe në qëndrimet politike të minoritetit grek në Shqipëri.Është mëse i njohur parimi se minoritetet gjithmonë shprehin politikën e heshtur ,atë “të nën tavolinave” të vendit amë dhe minoriteti grek s’ka pse bëj përjashtim në këtë pikë.Shteti shqiptar ka ndërmarrë që në vitin 2001 një regjistrim të popullsisë i cili dështoi sepse qeveria greke e quajti jo të “kompletuar”,për shkak se në pyetësor nuk përfshihej pyetja për besimin fetar.Për të njëjtën arsye minoriteti grek në Shqipëri e bojkotoi këtë regjistrim dhe që atëherë bën thirrje për një regjistrim të ri të bazuar në “vetdeklarimin” dhe besimin fetar.Ndërsa në Bashkimin Evropian,ku prej kohësh është anëtar dhe shteti grek, besimi fetar ka kohë që është hequr dhe nga kartat e identifikimit dhe nuk përbën më aspak më ndonjë kriter për përcaktimin e kombësisë, ustallarët e Athinës dhe çirakët e tyre në Shqipëri kërkojnë ta imponojnë atë si të tillë.
   Po kështu parimi i dyshimtë i “vetdeklarimit” nuk mund të përbëjë një element bazë për përcaktimin e kombësisë,sepse do të ndodhë si me gjithë ata shqiptarë të Jugut në vitin 1914, që nën kërcënimin e bajonetave deklaruan se ishin grekë dhe kur u tërhoq ushtria greke,deklaruan sërish kombësinë e tyre shqiptare.Sot situata është pothuajse e njëjtë vetëm se është më e ulët moralisht përsa i përket zhvillimit të ndërgjegjies sonë kombëtare, bajonetat janë zevëndësuar me pensione të paligjshme që shteti grek ka pajisur një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare të jugut, e cila ka të përbashkët me grekët vetëm përkatësinë fetare,por aspak kombësinë.E pakuptushme mbetet politika e shtetit grek në këtë drejtim që pranon të pajisë me pensione shtetas të një shteti tjeter pa punuar qoftë dhe një ditë në Greqi!Ndoshta “evropianistët” tanë të integrimit mund të na japin një përgjigjie për këtë.
   Fatkeqësisisht i gjithë ky aktivitet kryhet nën hundën e shtetit shqiptar, përfaqësuesit e të cilit pranojnë se “në emër të integrimit euro-atlantik” mund të shkelin një sy, pa pyetur asnjëherë qytetarët e vet nëse do të deshin një integrim me identitete të deformuara?Arsyet që jepen herë pas here për të përligjur këtë pasivitet të shtetit shqiptar janë se “Greqia është patner strategjik dhe se fundi-fundit të gjithë do integrohemi në Europe”,tingëllojnë mjerane ndaj veprimeve të shtetit grek dhe shteteve të tjera në rajon.Ndonse ka një vit që është nënshkruar marrëveshja e MSA-së, parlamenti grek se ka miratuar akoma atë.A mund të përkthehet ky “diversion populist” i shtetit grek ndaj popullsisë shqiptare dhe një minoriteti të njohur prej kohësh si minoritet vllah dhe jo si grek,si politikë evropiane integrimi apo mund të përcaktohet si politikë e vjetër asimilimi?Kur Hungaria u pranua në Bashkimin Evropian,shpalli se të gjitha minoritetet hungareze mund të pajiseshin me karta nga shteti hungarez për të lëvizur lehtësisht në Evropë,një veprim i cili mori përgjigjien e shpejtë nga shteti rumun që përfshin brenda tij një minoritet të madh hungarez,duke e çuar çështjen në Bruksel.Bashkimi Evropian u dha të drejtë shqetsimeve rumune dhe e këshilloi Hungarinë të mos shkonte më tej në veprimet e saj.Nuk u vërejt ndonjë pengesë ndaj Rumanisë,e cila vazhdoi të zbatonte reformat e duhura dhe u pranua në Bashkimin Evropian në datën që ishte rënë dakort.
   Në këtë kontekst nuk e di pse politikanët tanë vazhdojnë të sillen me kompleks infioriteti pa i emërtuar kurrë gjërat si janë apo pa iu drejtuar Brukselit si kryeqyteti i vlerave demokratike që nuk mund të lejojë deformime të tilla regjistrimi në shekullin e XXI, por duke qënë se atdheu është i të gjithve ne nuk mund të lejojmë që të deformohet identiteti i disa bashkombasve tanë,në emër të një ëndrre që mund ta arrijmë dhe duke qëndruar shqiptarë.Kjo vlen për atë pjesë të politikës që shqetësohet vërtet për integrimin dhe u trëmbet influencës greke në institucionet euro-atlantike, kurse përsa i përket atyre që u trëmben kthimit në masë të emigrantëve dhe u gëzohen milionave që ata dërgojnë në Shqipëri për ti shitur efektet e tyre si suksese ekonomike apo atyre që janë drejtues bordesh në biznese greke-shqiptare u vlen t’u kujtohet shprehja e njohur e poetit Ali Asllani se “Koha është e maskarenjve/por atdheu është i shqiptarëve”.                        



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora