E merkure, 24.04.2024, 08:54 PM (GMT+1)

Editorial

Don Marjan Ukaj: Dashuria s’ka peshore!

E enjte, 11.03.2010, 12:39 AM


Dashuria s’ka peshore!

Reagim për mjetet pamo-dëgjimore mbi çështjen: Don Anton Kçira

Nga Don Marjan Ukaj, Toronto

Të dashur vëllezër dhe motra shqiptarë!

Në rend të parë e lus Zotin t’u bekojë kudo që gjindeni dhe të Ju dhurojë paqen për ta kuptuar drejt dhe mirë mesazhin e këtyre rreshtave që po Ju shkruaj.
Ditëve të fundit jemi tronditur nga një lajm i shpërndarë përmes Youtube, të cilin e kundërshton çdo njëri në këtë rruzull tokësor, pa dallim feje dhe kombi. Më lejoni t’u shprehi konsideraten time të thellë të gjitha Institucioneve të Popullit shqiptar, fytyrave të ndritura të Kombit, si dhe popullit mbarë për gjakftohtësi dhe maturi në këtë rast të veçantë dhe unik në historinë tonë kombëtare, ku, padashje, në shënjestër gjindet njëri nga patriotët më të mëdhenj të kombit Don Anton Kçira. 
Falënderoj në rend të parë Organet shtetërore të Kosoves si dhe ato të Republikës së Shqipërisë, për përmbajtje dhe respekt ndaj figurës së dekoruar të Kombit. Populli thotë: “Në pemen e heshtjes varet fryti i paqes.”
Në mënyrë të posaçëm falënderoj Bashkësinë Islame të Kosovës për deklaraten e saj, me anë të së cilës u bëri thirrje të gjithë besimtarve të fesë islame: “...që këtë rast mos ta keqpërdorin për qëllime të nxitjes së urrejtës e mos durimit ndërfetar brenda kombit tonë. – dhe vzhdon-  Apelojmë të të gjithë që rastin duhet parë ashtu siç është, dhe duhet tejkaluar me dinjitet e mençuri, ngase urrejtja e mosdurimi nuk na duhen ne si shoqëri. Fundja, rastin në fjalë e lëmë në ndërgjegje të tij. Ne si popull jemi të njohur për kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimin ndërfetar, andaj as ky rast nuk do të ndikoj në raportet tona që kemi me bashkësinë katolike në përgjithësi e me Ipeshkëvinë e Kosovës në veçanti.”
Të njëjtin mendim shprehu edhe Ipeshkëvia e Kosovës, e cila pas distancimit nga ajo që shihet dhe dëgjohet në këtë filmim, ndër tjera tha: “Te ky njeri të gjithë kanë gjetur mikpritje, mirëkuptim, përkrahje dhe bashkëpunim vëllazëror. Këto rrethana na bëjnë të shqetësohemi shumë dhe na befasojnë fjalët e tij, gjë që në asnjë mënyrë nuk e paraqet jetën dhe qëndrimet e tij të mëparshme në çështjen kombëtare dhe ndërfetare tek ne shqiptarët. Si duket, shprehjet e vrazhda ishin një çështje mllefi, zemërimi dhe hidhërimi, e të mos themi edhe dëshpërimi, për rrethanat në të cilat ai gjendej në momentin e këtij fjalimi.”
Ndër komentet e shumta të thëna me maturi dhe gjakftohtësi po e veçoj vetëm një të Xhemes, i cili fletë për llojet e aktiviteteve që zhvillohen në Famullinë e shën Palit në Detroit: “Do thoni se i dedikohet vetëm katolikëve??????? E keni gabim. Aty populli organizon edhe përvjetore te Pavarësisë së Shqipërisë e të Kosovës, pritjen e Vitit të Ri, dasma, kanangjeqe, eftebasha, mevlyda e po të jetë nevoja edhe synetija. Me një fjalë është meritë e don Anton Kçires që shqiptarët në Michigan të ndihen me dinjitet dhe si ne shtëpi të vet.” 
Komenti im shtesë do ishte ky: Don Antonin e njeh çdo shqiptar. Ai ishte iniciator i pajtimeve të gjaqeve në Kosovë. Atë gjithkund e gjen të shoqëruar me hoxhallarë, atdhetarë, luftëtarë, demonstrues, politikanë, burrështetas. Gjithmonë ka qenë i parë në demonstata, në pikëllime, në fatkeqësira, në bamirësi, në bujari, në bashkim kombëtar. Kurrë nuk është ndarë nga binomi fe-atdhe. Don Antoni punoi pa pushim për të ardhmen e kombit tonë, duke mos kursyer as kohë, as para; as penë e as gjuhë. Në njërën dorë mbajti kryqin dhe në tjetrën shpatën. Goja e tij s’kishte të ndalur në thirrje për ndihmë, bashkim, vëllazërim. Në meshët e tija predikohej dhe qortohej sa për fe, aq edhe për atdhe, sa për Kosovë, aq edhe për Shqipëri, sa për katolikë, aq edhe për myslimanë. Zemra e tij e madhe rrahi gjithmonë për lirinë që Kosova sot po e gëzon, për të cilën jo vetëm që e braktisi Atdheun, por ishte në gjendje ta flijonte edhe jetën. Don Antoni është simbol i bashkimit të Kombit, model i bashkëjetesës ndërfetare, trashëgues dhe përçues i kreshnikëve kombëtar, luftëtar i paepur i vlerave kombëtare, njeri që flijohet, flijohet, flijohet për kombin e vet deri në përjetësi. Dhe me këtë ai ngelet i pavdekshën në historinë e popullit shqiptar. Jeta e tij i përmbushi fjalët e Virgjilit: “Egsegi monumentum aere perinius.” (E ndërtova një monument më të përjetshëm se koha.) Ai është Pjetër Bogdani i ditëve tona, i cili për frymëzim jete ka laitmotivin: “Fati i popullit tim është fati im.” Pikërisht, meqë zemra e tij rrahu dhe vuajti gjithmonë për të gjithë shqiptarët, besoj se ajo do të mbetet e dashur për të gjithë ne. 
Një fjalë e urtë e popullit tonë thotë: “Se pret sopata bishtin e vet.” Don Antoni ka qenë bishti i asaj sopate që pa u ndalur ka prerë sajimet dhe gënjeshtrat, synimet dhe kurthet, mllefet dhe orekset e armikut tonë, por edhe bishti i asaj sopate që pa rreshtur i preu të gjitha të këqijat, urrejtjet, tradhtitë, primitivizmat, indoktrinimet, burokracitë, përçarjet, manipulimet që rrëzikonin popullin tonë shqiptar. Po i shkruaj këto, jo pse e miratoj një thënie të tillë, në asnjë mënyrë, por pse besoj ngultas se as ai kurrën e kurrës nuk qëndron pas kësaj fjale dhe për arsye edhe të kësaj të vërtetë që e shkrova më sipër. Aristoteli patë thënë: “Amícus Platon, magis amica véritas.” (Platonin e kam mik, por miku më i madh është e vërteta.) Për hir të kësaj të vërtete e kam zgjedhur një shembull, që në mënyrë më të drejtpërdrejtë ua zbulon lexuesve zemren e don Antonit dhe e vërteton qëndrimin dinjitoz të Bashkësisë Islame e cila veproi sipas fjalës së urtë: “Durimi dhe koha janë dy gjykatës të vërtetë.” 
 Një ditë një djalosh ishte në qendër të qytetit dhe deklaronte se zemra e tij ua kalon të gjitha zemrave të njerëzve të rrethit ku banonte. Numri i madh i njerëzve që ishin mbledhur aty pari mrekulloheshin me zemren e tij, sepse vërtet ishte e përsosur. S’kishte asnjë njollë, apo gabim në të, prandaj të gjithë e miratuan, se kjo ishte zemra më e bukura që kishin parë ndonjë herë. Djaloshi ishte kranar dhe mburrej haptas me zemren e bukur që ia kishte dhënë Zoti, por, papritamas në masë u gjetë një plak, i cili iu drejtua djaloshit dhe i tha: “Djalosh mos u mburr, se zemra jote kurrë nuk mund të krahasohet me të timen.” Djaloshi së bashku me njerëzit që po e rrethonin ia lëshoi sytë plakut dhe ia shikoi zemren, kur çka me pa: ajo rrahte fuqishëm, por ishte plot blanë. Për arsye të mungesës së pjesëve të saja dhe të zëvendësimit të tyre me pjesë tjera ato nuk pëlqeheshin si duhet dhe krijonin vende me kënde të dhëmbëzuara. Pikërisht në disa vende hullitë ishin aq të thella, sa dukej qartë mungesa e pjesëve të tëra. Njerëzit e shikonin habitshëm dhe mendonin: Si mund të ngulë këmbë ky plak i marrë se zemra e tij qenka më e bukur se zemra e këtij bukuroshi? Djaloshi e shikoi gjendjen e zemres së plakut dhe i tha plakut me ironi: “Je duke u tallur, apo vërtet mendon ashtu, kur e krahason zemren tënde me të timen. S’e shikon, vallë, se zemra ime është e re dhe e përsosur, ndërsa kjo e jotja e shkatërruar nga blanët dhe lotët?” “Po - ia ktheu plaku – e shikoj mirë se zemra jote po duket e përsosur, por unë kurrë nuk do ta ndërroja atë me të timen. Vërtet zemra ime ka shumë blanë, por çdo blanë e saja është shkaktuar nga njerëzit, të cilëve u kam dhuruar dashurinë time. Unë gjithmonë e kam shkëputur një pjesë nga zemra ime dhe ua kam dhuruar të tjerëve e kur, si kundërshpërblim, e kam marr pjesën e zemres së tyre, e cila për arsye të parametrave tjerë nuk i përshtatej krejtësisht zbrazëtirës së asaj times, ato formonin në mua këto kënde të ashpra, të cilat aq shumë i vlerësoj, sepse më përkujtojnë në dashurinë që ndajmë mes veti. Herë pas here kam dhënë pjesë, të cilat kurrë nuk janë kthyer prapa nga marrësi, prandaj mund t’i shikosh këto hulli të zbrazëta. Shpeshherë të dhurosh dashuri do të thotë të rrezikosh. Megjithatë edhe pse hullitë janë të dhimbshme dhe mbesin të hapura ato më përkujtojnë në dashuri që ndiej për këta njerëz. Unë shpresoj se një ditë ajo çka mungon do të kthehet prapa dhe do ta plotësojë hapësirën e krijuar në zemren time. A e kupton tash ku qëndron bukuria e vërtetë?” 
Djaloshi, lotët e të cilit filluan t’i rrjedhin rrëkajë, qëndroi një kohë të gjatë i heshtur pranë plakut të mençur dhe ma në fund e kapi zemren e vet të re qe e quante të përsosur, e hoqi një pjesë prej saj, iu afrua plakut me duar të dridhura dhe ia ofroi duke thënë: “Tani po e kuptoj se zemra e përsosur qenka ajo që vuan për të tjerët. Ma jep, të lutem, një pjesë të asaj zemre që edhe unë të bashkëndjej me njerëzit nevojtarë!” 
Plaku e pranoi këtë ofertë dhe e vendosi në zemren e vet, pastaj e mori një pjesë të zemrës së tij të vjetër dhe të shkrumuar dhe me të i plotësoi varrët e zemrës së djaloshit edhe pse nuk përputhej krejtësisht, për arsye të disa këndeve të dhembëzuara. Djaloshi e pa se zemra e tij nuk ishte e përkryer, por shumë më e mirë se ajo më parë, sepse tanimë filloi ta ndiente dashurinë kah rrjedhte nëpër të. E përqafoi plakun, u ndanë dhe shkoi çdonjëri në rrugën e vet.” 
Si përfundim, vëllezër dhe motra Ju falënderoj që po e kuptoni se duhet të jemi të bashkuar dhe jo të ndarë, sepse Kosova dhe populli ynë martir mund të mbijetojë vetëm në bashkim, paqe, dashuri, falje, flijim. Seneka thotë: “Dinakëritë e stërholluara nuk janë në asnjë mënyrë të pranueshme nga një shpirt që synon të arrijë qëllime të mëdha.” Prandaj edhe unë i bashkohem thirrjes së Bashkësisë Islame: “neve si popull: 
- feja duhet të na bashkojë e jo të na ndajë;
- feja duhet të na ofrojë e jo të na largojë;
- feja duhet të na bëjë më të dashur, e jo të na bëjë që ta urrejmë njëri-tjetrin;
- feja duhet të na fisnikërojë e jo të na hasmërojë.
 
Mbetem me shpresë se në fund edhe tek ne do të mbizotërojnë fjalët e të madhit Martin Luther King-ut: “Në fund s’do t’i mbajmë mend fjalët e armiqve, por heshtjen e miqve tanë.” 
Zoti Ju bekoftë të gjithëve! Zoti e bekoftë Kosovën, popullin shqiptar, të gjitha familjet e viktimave të terrorit dhe të luftës dhe ua dhashtë paqen e vet të gjithëve që ranë në altarin e lirisë! 


(Vota: 27 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora