E enjte, 25.04.2024, 10:49 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Neokolonializëm sllav në Kërçovë

E marte, 09.03.2010, 10:59 PM


Neokolonializëm sllav në Kërçovë

Nga Valon Kurtishi

Forcat nacionaliste dhe ekstremiste sllave brenda radhëve të qeverisë aktuale të IRJM nuk prajnë së zbuluari forma e metoda të ndryshme për të dëmtuar e diskriminuar sa më shumë që të jetë e mundur shqiptarët e këtushëm. Vërehet një strategji e qartë, e përpiktë dhe gjithpërfshirëse e cila punon me një seriozitet maksimal për të realizuar në praktikë plane e programe nga më të pabesueshmet që mund ti shpikë intelekti njerëzor. Shfrytëzohen momente historike, rrethana politike, kushte shoqërore, fonde financiare, organizata kombëtare e ndërkombëtare e deri individë të caktuar vetëm e vëtëm që të realizohen interesat e njërit komunitet etnik duke dobësuar dhe nënshtruar njëkohësisht komunitetin tjetër etnik.

Në vazhdën e këtyre projekteve me tendenca të qarta antishqiptare ishte edhe vendimi i fundit i Ministrisë së Mbrojtjes për të ndërtuar një numër të banesave kolektive për personelin ushtarak të armatës së këtij vendi në qytetet shqiptare të Tetovës dhe Kërçovës. Këto ndërtesa planifikohen të shfrytëzohen për strehimin e një numri të madh të eprorëve dhe ushtarëve profesionistë, të cilët si zakonisht do të jenë në shumicën e tyre dërmuese të përkatësisë etnike sllave. Këto plane i shpalli haptas në vizitat e tij të paradokohshme në këto dy komuna, vetë Ministri i mbrojtjes i këtij vendi, z.Zoran Konjanovski. Sipas tij, planifikohen të ndërtohen reth 200 apartamente në Tetovë dhe reth 300 deri 500 të tjera në Kërçovë. Ndërtimi i këtyre banesave në Tetovë dhe Kërçovë është pjesë e programit qeveritar të quajtur “ Armata – shtëpia ime e vërtetë”, i cili parasheh ndërtimin e reth 4550 apartamenteve në një numër të madh të komunave të vendit, (shtatë më saktësisht). Shkupi do të pësojë kolonizimin e rradhës me sllavë etnikë të sjellë aty nga të katër anët e vendit, pasi sipas fjalëve të ministrit “interesi më i madh për banesa paraqitet për kazermën “Ilinden” të Shkupit”. Këto apartamente do të jenë të lira pasi toka ku do të ndërtohen është pronë publike ose pronë e dhënë falas nga komunat e përfshira në këtë projekt. Shihet qartë se do të keqpërdoren përsëri fondet publike të mbledhura nga gjithë qytetarët e këtij vendi pa dallim përkatësie etnike për të realizuar synime kolonialiste sllave në tokat etnike shqiptare. Kjo politikë kolonizimi ka një histori të saj suksesi nga e kaluara në gjithë hapësirën etnike shqiptare që gjendej në të kaluarën apo ndodhet akoma sot nën sundimet sërbo-greke.

Kolonizimi paraqet një proces ndërtimi dhe të mbajturi të kolonive në një territor të caktuar nga qeveri apo njerëz prej një territori tjetër. Kolonizimi i territoreve të caktuara me koloni të banorëve nga një territor tjetër është një praktikë e njohur që nga kohërat antike. Uzurpimi i hapësirave të mëdha të tokave të punueshme apo pjesëve të caktuara të zonave tjera urbane ka qenë mjet i përdorur nga regjimet e ndryshme për të diskriminuar dhe eliminuar popullsitë autoktone. Edhe okupatori sërb në të kaluarën ka përdorur forma të tilla presioni ndaj shqiptarëve në Ish Jugosllavi. Madje edhe i mirënjohuri Vasa Çubrilloviq në elaboratin e tij famëkeq, “O iselevanje arnauta” ( Për shpërnguljen e shqiptarëve), propozon që në afërsi apo në periferitë e qyteteve të banuara me shumicë shqiptare të ndërtohen kazerma të mëdha ku do të stacionohen pjesëtarë të Ushtrisë dhe aparatit tjetër shetëror të dhunës bashkë me familjet e tyre. Në këtë mënyrë shteti manifeston prezencë, është i gatshëm për ushtrimin e dhunës fizike dhe me kalimin e kohës ndryshon strukturën etnike të banorëve të zonave të caktuara në favor të elementit të vet kombëtar. Këtë plan antishqiptar e pat realizuar ish Jugosllavia duke ndërtuar kazerma të mëdha në qytetet shqiptare të Podgoricës, Shkupit, Prishtinës, Manastirit dhe Kërçovës. Edhe pushteti grek e pat shpallur gjithë zonën kufitare të Greqisë veriperëndimore si zonë të ndaluar ushtarake, duke ndërtuar në Janinë një kazermë gjigande e cila kishte për detyrë jo vetëm sigurimin e kufirit më Shqipërinë por edhe ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë së atjeshme, duke sjellë personel ushtarak grek nga gjithë Greqia në atë zonë të banuar akoma sot në shumicë nga shqiptarë etnikë. Përveç ndërtimit të kazermave të mëdha ushtarake, në të kaluarën është shfrytëzuar ndërtimi i komplekseve të shumta industriale për të kolonizuar vendbanimet shqiptare me popullsi me origjinë sllave apo greke. Njihen projekte të këtilla në Malësinë e banuar me shqiptarë në Podgoricë, në gjirin e Ulqinit, në periferitë e Shkupit, në zonën industriale të Tetovës, në Janinë, në Novi Pazar e shumë të tjera, në të cilat janë punësuar dhjetra mijëra punëtorë, teknikë e menaxherë sllavë e grekë të sjellë nga të katër anët e Jugosllavisë apo Greqisë.

Rasti konkret me projektin për qytetin e Kërçovës është më i rrezikshmi për shqiptarët në IRJM sot shkaku i gjendjes faktike etnike në teren. Ndërtimi i banesave kolektive në Tetovë do ta dëmtojë paksa por nuk do ta vërë në dyshim superioritetin e padiskutueshëm numerik të elementit shqiptar të atyshëm. Krejt ndryshe paraqitet situata në komunën e Kërçovës ku balancat etnike janë në një rrezik të madh të prishen në dëm të faktorit shqiptar si pasojë e stacionimit të reth 2000 ushtarakëve sllavomaqedonas bashkë me familjet e tyre. Vendosja e kësaj mase të madhe të fuqisë njerëzore e cila gjendet në kulmin e fertilitetit riprodhues, rrezikon që për një periudhë 10 vjeçare të prodhojë një grup prej reth 8000 mijë banorëve të rinj me përkatësi etnike sllave në qytetin e Kërçovës. Sipas Entit shtetëror të statistikave, në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave nga viti 2002, Kërçova banohej nga 16 140 sllavë etnikë të paraqitur si maqedonas, 9 202 shqiptarë etnikë, 2 430 persona të regjistruar si “turq”, 1 630 romë, 76 vllehë, 86 sërbë, 7 boshnjakë dhe 567 të futur në rubrikën “të tjerë”. Personat e regjistruar gjoja si “turq” etnikë duhet të meren si shqiptarë pasi në realitet edhe janë të tillë dhe duhet të llogariten dhe regjistrohen në cenzusin e ardhshëm si shqiptarë etnikë. Dy komunat tjera të Osllomesë dhe Zajazit gjithmonë duke iu referuar shifrave zyrtare të Entit të statistikës së IRJM-së, banohen në shumicë të madhe nga qytetarë shqiptarë. E para me 10 252 shqiptarë përkundër 110 sllavëve maqedonas dhe komuna e Zajazit me 11 308 shqiptarë përkundër vetëm 211 sllavëve maqedonas. Bashkimi i dy komunave të banuara në shumicë nga shqiptarë etnikë të Zajazit dhe Osllomesë me komunën e Kërçovës, do të sillte një dominim të popullsisë shqiptare ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën struktura etnike e popullsisë së atjeshme. Por akti i bashkimit të këtyre dy komunave me Kërçovën i cili parashihej me Ligjin për organizimin territorial të vendit nga gushti i vitit 2004, është shtyrë për vitin 2013 në bazë të marëveshjeve gojore mes partnerëve shqiptarë dhe sllavë në qeveri. Duke qenë se kjo marrëveshje nuk është aspak e sigurtë në do realizohet apo jo, shtimi i reth 8000 mijë sllavëve të rinj numrit ekzistues të 16 000 vetëve, do të thoshte një ritje me metoda kolonialiste jodemokratike dhe jonatyrore të numrit të kësaj popullsie në këtë qytet shqiptar. Kjo tregon edhe njëherë intencën e vërtetë prapa planit për ndërtimin e banesave për ushtarakët dhe zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese të Kazermës “Çede Filipovski-Dame” në Kërçovë. 

Kolonizimi i Kërçovës dhe disa qyteteve tjera shqiptare të IRJM me personel ushtarak sllav, është një proces dhe fenomen i rrezikshëm shoqëror i cili do të shkaktojë domosdo tensione të shumta e të panevojshme për kohën në të cilën jetojmë. Duket se politikbërësit dhe elita aktuale sllave i ka hyrë me vetëdije të plotë një kursi të rrezikshëm kofrontimi ndëretnik. Kursi i tillë paraqet një ekuacion me shumë të panjohura dhe nuk dihet se çdo të prodhojë në fund. Faktori shqiptar në qeveri, opozita politike si dhe gjithë opinioni i vëmendshëm publik shqiptar këtu duhet të jenë shumë të vëmendshëm ndaj këtyre planeve tepër perfide e transparente për kolonizime territoresh me metoda moderne. Komuniteti civil si dhe aktivistët e ndërgjegjshëm do të ndërmarin gjithë çka është në kapacitetin dhe mundësitë e tyre që të sensibilizojnë dhe njoftojnë qytetarinë shqiptare për planet e kobshme që i përgatiten. Komuniteti civil do të organizojë edhe veprime konkrete në drejtim të përballimit të kësaj situate emergjente. Kolonizimi i qyteteve shqiptare të IRJM-së, qoftë edhe i mbështjellë me eufemizma të aritjes gjoja të standardeve të banimit të ushtrive profesioniste sipas modelit të NATO-s nuk ka gjasa të realizohet. Të punojmë gjithë bashkë për ta parandaluar një katastrofë të dytë etnike të shqiptarëve të Kërçovës dhe gjithë IRJM-së.


(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora