Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mërgim Korça: Historianëve, mashtrues të historisë kombëtare, t’a mësojnë se jo...

| E premte, 25.07.2008, 06:36 PM |


Historianëve, mashtrues të historisë kombëtare, t’a mësojnë se jo përjetësisht mund t’i mbajnë të përbaltur personalitete si Mustafa Merlika Kruja

(Komente rreth Letërkëmbimit Mustafa Kruja – Patër Paulin Margjokaj)

Shkruar nga : Mërgim Korça


Mërgim Korça
Jemi në mesin e dhjetvjeçarit të dytë qëkur de jure u përmbys diktatura, ai sistem i dhunshëm komunist, por praktikisht mendësía komuniste ësht’ajo e cila vazhdon e mbisundon në vëndin tonë lidhur me parimet e demokracisë si edhe gjykimin e historisë. Nisur nga ky pohim i përgjithshëm, që të jetë ky edhe i besueshëm, doemos që duhet t’a mbështes këtë arsyetim por, me që objektivi i këtij shkrimi nuk është analiza e krahasuar e dy sistemeve, atij diktatorial nga njera anë si edhe i atij demokratik, por analiza e letërkëmbimit të lartpërmendur në titullin e shkrimit, do të trajtohen vetëm themelet mbi të cilat duhet mbështetet demokracía që analizat historike të rezultojnë sa më racionale e po aq edhe të paanëshme.
I a fillojmë pra, hap mbas hapi, mbështetur në kriteret bazë të koncepteve lidhur me demokracinë, rreth të cilëve fatkeqësisht aq është spekulluar edhe vazhdon e spekullohet, të vemë në dukje se cilët duhet të jenë vetë këto koncepte.
Etimologjikisht koncepti demokrací nënkupton pushtet të popullit por, në regjimet diktatoriale në emër të këtij pushteti, për ironí janë ndërmarrë veprimet më antipopullore.
Koncepti i dytë themelor ësht’ai që u takon politikave demokratike. Këto duhet t’i mishërojë të zbatuarët e një qeverisjeje kushtetuese ku, përligja e ushtrimit të saj, të përcaktohet nga vullneti i lirë dhe i pavarur i popullit. E mbi gjithë këtë kollonë mbi të cilën duhet të mbështetet demokracía e vërtetë, themelorja e themeloreve është kontrolli si edhe kufizimi i pushtetit të udhëheqësit i cili kurrsesí nuk duhet të ketë pushtet absolut ! Në të tillë pushtete, e ka treguar përvoja, edhe historia deformohet simbas interesave të udhëheqësve.
Herodoti, i cili ruan veçorí arsyetimesh tejet bashkëkohore, ka shpjeguar qartë nga ana filozofike ndryshimin ndërmjet mythos (shtrëmbërimit me qëllim) dhe histora (fakteve historike). Ai tregonte se si Egjyptasit e vjetër i quanin barbarë të gjith’ata që nuk e flisnin gjuhën e tyre (Hist.II 158, 5) e njëkohësisht ka lënë edhe maksimën e madhe : ... është kusht i pakundërshtueshëm fakti që pushteti i pakufíshëm, detyrimisht çon në pushtet absolut !
Që këtej lind edhe koncepti i tretë bazë lidhur me domosdoshmërín’e njohjes hollësishme të fakteve të kaluara të pashtrembëruara, për t’a gjykuar të kaluarën si edhe për të mos rënë më në gabime të përsëritura. I konkretizuar ky koncept, gjëndet i zbatuar në hulumtimet tejskajshmërisht të gjera të Sokratit përtej normave e përtej tabúve !
U zunë në gojë këto premisa pikërisht sepse paralelisht ka ardhur duke u rritur nevoja e leximit të historisë sipas optikës gjyqësore, gati domosdoshmëría e vënjes nën proces e historisë ose së paku të episodeve të saja më tragjike. Planet e veprimit të historianit me të gjykatësit të paanshëm, dëndur thuajse mbivendosen ndaj njeritjetrit dhe sinteza e tyre duhet të shërbejë si udhërrëfyese për veprimet bashkëkohore si edhe të na bëjë sa më të vëmendshëm lidhur me të ardhmen. Gërshetimi kompleks ndërmjet historisë dhe kujtesës, ndërmjet dëshirës për drejtësí si edhe gjykimit historik, ndërmjet rindërtimit të së vërtetës dhe dënimit, (moral apo faktik), të personave përgjegjës për egërsín’e regjimeve të përmbysura, duhet t’i zhdukë përfundimisht disa nga fantazmat që veç makth vazhdojn’edhe mbjellin.
Mbështetur tashti në gjithë premisat e shtruara më lart ku sintetizimi i tyre na çon në përfundimin se : Mësimet e të vërtetave pa shtrembërime, të së kaluarës, kanë vlera absolute lidhur me të ardhmen, e ftoj lexuesin t’a ndjekë këtë analizë fluturimthi që do t’i bëhet vëllimit të botuar me letërkëmbim 11-vjeçar (1947 – 1958) ndërmjet Mustafa Merlika Krujës si edhe priftit françeskan Patër Paulin Margjokajt. Në qoftë se, mbas leximit të kësaj analize, lexuesi intrigohet t’a lexojë gjithë letërkëmbimin origjinal, suksesi do të jet’i dyfishtë : Së pari, kjo analizë do t’ia ketë arritur qëllimit, si ftesë në vetvete, që të lexohet krejtë vëllimi. Nga ana tjetër, lexuesi i ndershëm dhe objektiv, shpresoj se do t’a zgjerojë shumë këndvështrimin rreth gjykimeve që ka dhënë përparandej, i keqinformuar, krahasuar me ato që do të japë në të ardhshmen, mbas leximit të këtij margaritari patriotizmi, guri themeli të një sjelljeje shëmbullore etiko – morale si edhe të një erudicioni skajor !
E ndjej me vënd t’a filloj analizën e vëllimit me letërkëmbime, me portretizimin e bërë nga Tahir Kolgjini të figurës Mustafa Krujës : Dy gjâna ishin ato që mund t’ia lidhshin kâmbë e duer Mustafës në zbatimin e vendimit të vet : Kur çashtja paraqitej e pápajtueshme me interesat e Atdheut, ose kur ajo vinte ndesh me parimet e Tija morale.

Tek i shkruan Padres Mustafa Kruja se e ndjen veten në shkretí “... pa familje, por me uzdajë (shpresë) se nji ditë e shoh, veçse pa miq për gjithmonë ... un kam me kênë këtu deri qi mos të jetë gjetun në çdo skânj të botës nji kafshatë buke për mue e fitueme me djersën t’eme ... ” (Fq. 13). E lemë në një anë situatën e trishtë ku familja dhe gjiníja e tij u kalb burgjeve e internimeve e ai s’e pa kurrë më përgjatë jetës tij. Po a mund të mendohet e të bëhen përqasje me ish kryeministra bashkëkohës ? M.Kruja, sapo nuk e mban më postin e kryeministrit, për t’iu shmangur të jetuarit në kurriz dashamirësh e mirëbërësish, gjashtëdhjetëvjeçar ëndërron t’a nxjerrë kafshatën e bukës me djersë të tijën !
Mirënjohje Abas Kupit i cili, duke e marrë vesh se M.Kruja nuk e përballonte dot jetesën në Itali, e fton në Egjypt pranë Ahmet Zogut. E M. Kruja shkruan “... rrethanat më kanë pasë pajtue me Zogun qyshë më 1943, kur m’u mbush mêndja se populli shqiptar ka nevojë për Të. Tash po pajtohem edhe për s’afri ...! (Fq. 20).
Sa prekëse tek M. Kruja, duke zënë në gojë veprën e Patër Gjergj Fishtës Anzat e Parnasit, ku autori ka vënë mbishkrimin filozofik “Qeshem veç pse s’muj me kjá”, (marrë nga një autor latin), i tregon Padres se si ndërsa ai (M.Kruja) rrekej t’ia mbushte mëndjen më 1920-ën Patër Gjergjit të hartonin një program partije politike, Ai (Patër Gjergji) i kishte thënë “... Pse po lodhe, more Mustafë, Shqipnija qi duem ti e un nuk bâhet!” (Fq. 26).
E ftoj lexuesin t’a ndjekë me vëmëndjen e duhur, si edhe sipas optikës së sotme të viteve 2000, arsyetimin e M.Krujës hedhur në letër më 20 dhjetor 1949 (Fq.26 – 27). “... Nji dhunë, po, na kanë bâmë Tyrqit kombtarisht. Jo qi na sunduen katër shekuj e gjysë, se pa ta ndoshta do të na kishte pasë sundue Sllavi me konsekvenca shumë mâ të këqija kombtarisht, por qi na ndërruen fén, neve nji grusht gjind mjedis nji bote të krishtenë. Kjo gjâ mund të na e ketë vonue indipendencën t’onë nja 100 vjet e me atë vonesë pengue unitetin t’onë kombtar.”
Një mësim i madh nxirret teksa frati i lutet M.Krujës të mos humbasë kohë por t’i shkruajë kujtimet e tija, e M.Kruja i flet lidhur me dy pengesa themelore q’e bëjnë të stepet në atë drejtim. Pengesa e parë, ngurrimi para faktit se duhej të shkruante shumë si edhe gjerësisht për vete, duke pasë qenë gjithmonë protagonist në jetën politike që nga pjesëmarrja e tij në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor të 1912-ës e në vazhdim. Kurse pengesën e dytë, dhe më themeloren, M.Kruja e lidhte me faktin që “... Me shumë prej njerëzve qi bâjnë pjesë të padame të kujtimeve të mija kam pasun kundërshtime politike mjaft t’ashpra e prandej drue se nuk mundem me qênë nji gjykues aqë objektiv sa e lyp historija për ta e për veprat e tyne.” (Fq. 29). Duke mos dashur as të bëjmë përqasje konkrete, pa le të shprehemi me insinuata, por e ftojmë secilin nga ata që profesionalisht e kanë titullin historianë, t’a venë dorën në zemër e të shprehen sinqerisht rreth këtij pozicionimi të atij që ka qenë dhe vazhdon e mbetet nga personalitetet e shquara të kombit tonë mbi të cilët më shumë mllef, baltë dhe insinuata janë derdhur që nga traktet e para komuniste e përgjatë gjithë periudhës diktaturës. Po nuk e bënë shkencëtarët historianë këtë gjë, atëhere e ftoj lexuesin e gjerë që vetë ai, tashti që i ndriçohet ky pozicionim i M.Krujës të cilin vetë lexuesi kurrë nuk do t’a kishte menduar, t’a krahasojë me pohimet tendencioze e deri edhe me qëndrime rrugaçëríje të mbajtura nga pseudo-historianë, (t’ashtuquajtur edhe të shquar), përgjatë ballafaqimesh televizive !
Lidhur me përgatitjen e kryengritjes kundra Mbretit Zog për t’a rrëzuar atë nga froni, M.Kruja si përfaqësues i të gjithë patriotëve të emigruar, kur takon përfaqësuesin e qeverisë italiane, Giovanni Giro, i thotë se donin marrëveshje me karta të hapura. Kur italianët i zbuluan ato, patriotët shqiptarë njëzëri i refuzuan të tëra pikat duke i thënë M.Kruja, në Hotelin Exelsior – Gallia të Milanos, Giros : “Me këto kushte, njiqind vjet mbretnoftë Zogu mbi thronin e Shqipnis!”. A ka nevojë për koment ky qëndrim skajshmërisht kombëtar ku, para plotësimit të ambicjeve italiane, le të qëndronte më mirë mbi fron armiku i M.Krujës, por shqiptar e jo mik i huaj. Pa le të ketë nevojë e të fillohet nga përqasjet me pozicionimet e P.K.Sh. ndaj Jugosllavisë, pa le në vazhdim ! (Fq. 45).
M.Kruja, shtjellon një kuadër tejet të qartë, (Fq.54-55-56-57), si nga ana e prejardhjeve historike e pastaj edhe e zhvillimeve dinamike, që çuan në L.N.Çl., Konferencën e Pezës, qëndrimet e tri partive kryesore shqiptare, lindjen dhe qëndrimin ndaj fenomenit të vëllavrasjes, si edhe dredhítë komuniste ballafaquar me naivitetin dhe pavendosmërín’e nacionalistëve për t’a kuptuar qartë situatën. Përgjatë leximit të këtyre faqeve lexuesit, hap mbas hapi, i kthjellohen pyetjet të cilat kurrë nuk guxoi t’i bënte hapur, por dhe të cilave vetë, kurrë nuk u pati gjetur përgjigje. Le t’ia lemë lexuesit të gjykojë vetë. T’i bashkojë ai ato që dinte, (me gjithë ato që i dukeshin jo aq bindëse), me këto që M.Kruja me aq pozicionim hulumtuesi të drejtpeshuar, thjeshtësí dhe racionalitet i shpjegon, (e që lexuesi nuk kishte se si t’i dinte përparandej), dhe le t’a krijojë vetë mozaikun e atyre ngjarjeve që sido që të jetë, i krahasuar me mozaikun e mëparshëm aq të vagëlluar e me boshllëqe që kishte, do të ndikojë që jo vetëm rrethanat, por edhe gjykimin rreth personave aktivë në ato rrethana, t’a japë shumë më racional e të drejtë tashti e në vazhdim.
Tek u përgjigjet pyetjeve të Padres françeskan, (Fq.63-64-65-66-67), M.Kruja me vërtetësí nxjerr në dritë shumë momente që kanë qenë të vagëlluara nga historiografía komuniste ku me qëllim shtrembëroheshin të vërteta, liheshin pa treguar rrethana si edhe fakte, ose bëheshin insinuata që kuadri historik të deformohej simbas interesave komuniste. Kur lexuesi e ndjek se si M.Kruja e përshkruan dështimin e qeverisjes F.Nolit e gjithashtu se si ky i fundit i kërkon mbështetje B.Sovjetik, del në dritë të diellit se ajo nuk qe një nismë apo simpatí thjeshtë e F.Nolit ose e Kosta Boshnjakut komunist por patriot, por ai bashkëpunim kishte gjetur edhe mbështetje më të gjerë, bilé edhe bejlerësh të kamur. Kësisoji arsyetimi i M.Krujës pse e vetmja alternativë ndihme për t’a përmbysur regjimin e Zogut kishte ngelur kërkimi i mbështetjes nga B.Sovjetik është tejet bindës, sepse vëndet perëndimore europiane pa përjashtim e mbështesnin Zogun. Jo vetëm bindës, por edhe tejet domethënës shpjegimi i tij. Gjithashtu e posaçme dhe pa rrëmbime vërtetësía me të cilën M.Kruja referon pozicionimin e klerit katolik ndaj marrëveshjes eventuale me sovjetikët e se si, kur ata deshën të tërhiqeshin e të mos pranonin se e kishin mbështetur atë përkrahje, ngrihet Patër Ambroz Marlaskaj edhe e thotë të vërtetën në mes burrave pa u stepur fare se i nxirrte gënjeshtarë kolegët të tij klerikë. Këto janë momente kyçe të historisë së Kombit tonë të cilave u hidhet dritë që e vërteta, edhe kur ësht’e hidhur, të dalë në shesh. Kësisoji gjykohet drejtë e pa asnjë prirje, qoftë lavdíje apo errësimi figure, rreth atyre që ishin farkëtonjësit e së kaluarës të popullit tonë. E kjo në ndryshim me historiografinë komuniste e cila shihte vetëm heronj ose tradhëtarë e gjatë së cilës në fund, dilte në shesh, se udhëheqësi i vetëm dhe i pagabueshëm kishte qenë një dhe vetëm një, e të tjerët që e kishin rrethuar për 40 vite në masën 90 %, kishin qenë të gjithë tradhëtarë. Me gjithë shpjegimet e hollësíshme të M.Krujës lidhur me prirjen e F.Nolit, Padreja françeskan, në përgjigjen e tij shkruan së rishmi “ ... në letrën e ardhshme bani mirë me më diftue prap mâ gjatë mbi Fan Nolin. Prej kah vjen qi atij i ka hî aq fort në zemër Rusija me komunizëm? A thue âsht se ai don me u bâ papë i ortodoksve në Shqypni? ...” Në përgjigjen e tij, M.Kruja, i shtjellon edhe një herë edhe më thellë ngjarjet e doemos edhe ndërthurjen me to të figurës F.Nolit, por jo pa e theksuar qart’edhe shquar “... Âsht nji punë tepër e vështirë me u gjykue në se kjo rrjedhë e ndodhivet shqiptare në perjodën e mbasluftës botnore ka qênë historikisht nji fat i mirë apo i keq për Kombin (Fq.76). Kallzimet e mija këtu kanë vetëm karakter kronike e jo historije.” Nuk ka se si të mos vihet në dukje përgjegjësía e jashtëzakonëshme që e karakterizon M.Krujën në dhënjen e gjykimeve të karakterit historik e prandaj ai dëshmon vetëm faktet si kanë ndodhur e nuk jep asnjë gjykim për to ! Në këto rrethana ësht’e pamundur të mos i rikujtojmë lexuesit pozicionimin e M.Krujës kur Padreja françeskan e nxit të shkruajë kujtimet e ai, duke qenë se duhet të gjykojë edhe veprimet e kundërshtarëve të tij pohon “...nuk mundem me qênë nji gjykues aqë objektiv sa e lyp historija për ta e për veprat e tyne.” (Fq. 29). Pa dashur fare të jepen konsiderata apo të bëhen krahasime, vetëm një moment duhet theksuar : vetë lexuesi potencial i vëllimit me letërkëmbimin që po analizojmë, me gjithë indoktrinimin e pranuar të kohës kaluar, do të vrejë se sa më shumë që dora dorës shtohen faqet e lexuara të vëllimit, n’atë raport, por me kah të kundërt, do të vijë duke i u zvogëluar konsiderata për ata historianë q’e kanë shkruar historin’e kombit tonë duke mbajtur syze të kuqe.
Me që Padreja kërkon thellim, M.Kruja nuk përton dhe ia plotëson dëshirën. Kësisoji, përgjatë shpjegimeve dhe analizave që bën, (Fq.77-78), me një stil konçiz, elegant por edhe gjithëshpjegues, bën radiografinë e Fan Nolit nga ana shoqërore, vlerave të mëdha intelektuale si edhe figurës si politikan. Dhe jo vetëm kaq, por ve në dukje edhe burrërín’e tij tek rikujton se si, ndonëse Luigj Gurakuqi i lojti të gjitha kartat që Imzot Noli mos të emërohej kryeministër, ky i fundit jo që e mposhti egoizmin duke e emëruar Gurakuqin ministër financash, por, siç e citon tekstualisht M.Kruja, kur Faik Konica do t’a përbaltë Nolin duke shkruar në Gazetën Dielli, mbas ardhjes në fuqí të Zogut, se Noli qe bërë vegël si edhe kukull në duart e Gurakuqit, Noli përgjigjet gjithë modestí edhe madhështí njëheresh “... edhe në qofsha bâmë vegël e nji Luigj Gurakuqit, siç thotë Faiku, kjo gjâ s’do të ishte veçse nji nderë për mue.”
Pa le se si e përshkruan M.Kruja me penën e tij të fortë, po n’ato faqe, ngjarjen rreth takimit të Mussolinit me përfaqësuesin e Shqipërisë në Romë, Tefik Mborjen. Rreth bisedës tyre tepër sekrete, ku Mussolini këmbëngul mos të dilte asnjë fjalë se ndryshe do t’i quante të pabërë propozimet e tij, brënda tri ditësh biseda mori dhénë kafeneve të Tiranës. E M.Kruja intuitivisht merr pozicion duke i dalë zot T.Mborjes se veç kryeministrit Noli, Mustafa nuk besonte se Tefiku mund të kishte informuar as pjestarët e qeverísë. Por nga ana tjetër hedh dritë mbi rrethanat duke u shprehur “... sigurisht sekretarët e tij, miqtë e tyne e të vett sigurisht po ... fati i qeverisë së Fan Nolit ishte caktue qyshë prej atij çasi.”
Nuk mund të lihet pa u përmëndur përgjigja e fratit françeskan, sepse në përgjigjen e tij lidhur me F.Nolin, do t’a shohin veten shumë lexues të këtyre radhëve. “Letra e juej âsht nji minierë njoftimesh fort të randsishme. Kta mund të thohet tashmâ për të tana letrat t’Ueja. Përshkrimi i jetës së Fan Nolit më ka interesue fort. Me u diftue të drejtën, përpara kësaj letre e kam gjykue Fan Nolin krejt ndryshej. Un nuk dijshem kurrgja tjetër për te, veç se ai âsht mik i Rusve, e kjo më shtynte mue me formue nji gjykim jo aq të favorshëm për te.” Ndonëse Padreja e njihte mirë anën intelektuale të Imzot Nolit, duhet theksuar se sa i takon anës politike sa keq kishte ndikuar mosnjohja nga ana e tij e personalitetit te Nolit, mbetur deri atëherë në errësirë.
Ësht’e qartë se, po të mos ishin intriguese pyetjet që i drejtonte Padreja M.Krujës, letërkëmbimi do të kishte zgjatur jo më shumë se tri letra të ndërsjella. Por ishin pyetjet e françeskanit të atij niveli që ia ngacmonin fantazínë edhe M.Krujës të zgjatej me to. Rezultati ? Kemi para nesh një letërkëmbim hiç më të vogël po prej 123 letrash të ndërsjella. E përgjatë kësaj vazhde, në letrën me nr. 31, Padreja shtron pyetjen madhore “ Po t’u vête nji i huej e me të shá tue të përmendun punën e gjakut në Shqypni, (vendetta, ose Blutrache), shka kishi e si kishi me i përgjegjë Ju atij ? Trajtimi i problemit të gjakmarrjes nga ana e M.Krujës, (Fq.106-107-108-109), ndonëse zhvilluar fare shkurt prej tij, pa as më të voglën mëdyshje, është një leksjon i mirëfilltë akademik ku ai gërsheton këndvështrimin juridik teorik, (si duhet konsideruar nga shoqëría e organizuar në shtet), me filozofín’e të gjykuarit të kësaj forme barbare të shpagimit, që e sintetizon në mënyrë konçize : “... parimin e drejtsís s’ka bir robi në botë qi t’a mohojë e qi, kur kjo s’i bie krés së vet, të mos t’a dishrojë e mos t’a kërkojë me kâmbëngulje e me zâ të naltë ... Ndër shoqnít qi e kanë kapërcye kamot atë fazë drejtsíje, kërset shkandulli (skandali). E në vazhdim trajtohet me një kompetencë të lartë shkencore edhe problemi i parë nga këndvështrimi i besimeve fetáre ku M.Kruja shtjellon kthimin e shoqërisë Ilire pagane në fen’e krishterë e cila mbeti sipërfaqësore. E mbi këtë nënshtresë pagane “ erdh shqizma e Shqipnija u ndodh shí në kufi të Okcidentit e t’Orjentit ku s’prâni lufta fetare ndërmjet këtyne dyve deri në ditën qi i a mbërrini Tyrku me nji fé tjetër. Kështu qi ndërgjegja fetare e popullit t’onë, pa qenë formue ende mirë, u pështjellue e u bâ lamsh. Anarqija morale vazhdoi e nji pushtet i fortë s’u themelue kurrë në vêndin t’onë. Prandej zakonet e vjetra, me të mirat e të këqijat bashkë, mbetën gjallë. Ndër ta edhe ndiesija e shpagimit të gjakut.” Gjithashtu M.Kruja shpjegon se si këto zakone e kanë rrënjën kush e di sa mijë vjet para Lekë Dukagjinit.
I gjithë trupi i vëllimit me letërkëmbimin ndërmjet M.Krujës dhe Patër P.Margjokajt, përshkohet pandërprerë nga një mësim etike dhe morali niveli të lartë kur është fjala lidhur me të vërtetat historike. Padreja i kërkon M.Krujës hollësira rreth delegatëve në Kongresin e Paqës në Paris si Patër Gjergj Fishtës si edhe Imzot Luigj Bumçit. Do sqarime të hollësishme rreth Kongresit të Lushnjes, etj.etj. Pa dashur t’ia shuaj aspak kërshërínë lexuesit të këtyre radhëve duke u zgjeruar rreth përgjigjeve që i dha M.Kruja Atit françeskan, duke ia lënë kësisoji lexuesit të plotë kënaqësínë e të lexuarit të vëllimit të botuar, do të ndalem vetëm në disa momente kulmore që e ndjej të nevojëshme t’i nënvizoj. M.Kruja pohon dhe ripohon vazhdimisht se të dëshmuarit si edhe dhënja e gjykimeve rreth faktesh e rrethanash historike e ballafaqojnë studjuesin me vështirësí shkalle sipërore (Fq.161 deri 173). E këto ai i sheh akoma më të theksuara tek i duhet t’ia fillojë me autobiografín’e tij, para Padres. Nuk mund të mos vihen në dukje, përgjatë kësaj hullíje, disa momente kulmore që kanë të bëjnë me karakterin e M.Krujës. Princ Wiedi ishte larguar. Esat Pashë Toptani e kishte vendosur pushtetin e tij dhe i kishte burgosur të gjithë meshkujt Merlikas, përfshirë edhe të atin e M.Krujës. E sikur nuk mjaftonte me kaq, por burgosi edhe xhaxhan’e Mustafës, të famëshmin Xhiun e Fajës që kishte vrarë mu në Stamboll, tek Ura e Gallatës, të birin e vetë Vezirit të Madh të Turqisë. Në ato rrethana Esat Pasha lëshon një urdhër që, po të mos dorëzohej M.Kruja, të gjithë burrat Merlikas do të vareshin. Lind natyrshëm pyetja se ku e kishte shkelur në kallo M.Kruja Esat Pashën që ai të vepronte me aq armiqësí? Kur Pashai e kishte kërkuar bashkëpunimin e M.Krujës, ky i qe përgjigjur me shkrim: “ Juve ju ka falë Perëndija nji emën të madh e nji kambë të naltë, pare edhe gjâ; un s’kam veçse nji nderë, po t’a humb edhe këtê, s’më jet mâ kurrgjâ tjetër!” Ky refuzim i prerë i M.Krujës e kishte mbushur kupën e prandaj edhe Esat Pasha i vendosi atë kusht madhor alternativ M.Krujës. E Mustafa ç’bëri? Vete e dorëzohet me këmbët e veta. Tek e sheh në burg i ungji, Xhiu i Fajës dhe mëson se ai qe dorëzuar që të liroheshin Merlikasit e tjerë u hidhërua keq dhe tha: “Paj flaka t’i kish mbërrîmë në kupë të qiellit krejt familjes me sa ka e ça ka, veç ty mos të të shihshem këtu!”. Situata qe e rëndë. E.Pasha kishte varur në litar gjithë rebelët që mbas ikjes Princ Wiedit nuk ishin bashkuar me të. Kështu që veç kob pritej nga ai. Kurse, të nesërmen e vetdorëzimit të M.Krujës, gjithë burrat Merlikas u kthyen të lirë në vatrat e tyre. Le këta, por në vazhdim, jo që nuk e vari M.Krujën por edhe së bashku me 300 të burgosur të tjerë, mbas gjashtë muajsh kur pushteti i E.Pashës u lëkund, i ngarkoi në anije dhe i dërgoi në burgun e Barit. Vazhdimi është histori dhe lexuesi do t’a mësojë kur t’a lexojë gjithë vëllimin me letërkëmbime, por për t’u ndalur dhe nënvizuar janë dy momente. I pari, se si M.Kruja me ndershmërinë dhe drejtësínë që e karakterizon, rikujton faktin historik duke pohuar se si fjalën e dhënë Esat Pasha e mbajti : me t’u dorëzuar Mustafa, burrat Merlikas u liruan nga burgu. E pastaj vjen pohimi i dytë i M.Krujës që për armikun e tij pohon: Me mue u suell burrë (e ka fjalën për E.Pashën). Rebelët e zakonshëm i kishte varur në litar, ndërsa M.Krujën, jo. E M.Kruja e thellon gjykimin gjithmonë në favorin e armikut të tij duke shtuar ... Nuk bâni asnjânën prej dy anve të dilemës qi kishem drashtun un. Shërbimet qi i kishte bâmë familj’e ime s’i kishte harruem.
I kërkoj tashti ndjesë lexuesit por nuk mundem të hesht pa e bërë një përqasje. Të krahasohet mirënjohja e E.Pashës ndaj Merlikasve me qëndrimin e mbajtur nga Enver Hoxha jo vetëm ndaj mirëbërësve të tij ku miqtë e ngushtë i pushkatoi, por edhe ndaj atyre që duke rrezikuar kokat e tyre i kishin shpëtuar jetën atij gjatë luftës si edhe e kishin mbështetur diktatorin në vazhdim. Në këtë kontekst binomi E.Pashë – E.Hoxhë.
Nga ana tjetër pastaj marrim binomin M.Kruja – E.Hoxha. Si i pohon të vërtetat M.Kruja për E.Pashën e si i shtrembëron të vërtetat E.Hoxha për tërë viktimat e tija ku bukëdhënësit bëhen armiq kurse heronjtë bëhen herë tradhëtarë të atdheut e herë poliagjentë.
I gjithi ky material shtjellohet në letrën me nr. 49 të M.Krujës. E Padreja, duke e lexuar të gjithë atë letër me vëmëndjen më të madhe e duke patur parasysh qëndrimin e M.Krujës se si ai trembet se mos duke i trajtuar faktet historike mos nuk është skajshmërisht i drejtë ndaj vlerave të kundërshtarëve politikë të tij, Padreja pohon e thotë në letrën me nr. 50 ... Njerzt, qi nuk shofin veçse deri sa t’u mbërrijë maja e hundës, mâ vonë, edhe ata kanë me e justifikue veprimin t’Ând politik ... Shqypnija e shkretë në periudhën ndërmjet dy luftave nuk ka pasë tjetër alternativë, posë asaj: Itali-Jugosllavi ...
Padreja, në vazhdim, i bën edhe një analizë tamam radiologjike vetë popullit tonë. Ai e sheh si të keqe të madhe dembelizmin e tij, egoizmin, mosmbajtjen e fjalës së dhënë, të mos kuptuarit se vjedhja e shtetit është po aq e dëmshme sa edhe vjedhja e pronës së privatit, etj. etj. dhe përfundon me pohimin se ... Mkati mâ i madh i shqyptarit, mbas mendimit t’em, âsht ky : na e mbajmë vehten për dishka. Po t’i njihshim na mungesët e mdhaja t’onat, kishin me shkue shum punë fort mâ mirë se shkojn ...
Letra me nr. 51, ku M.Kruja përshkruan gjëndjen e tensionuar të fund vitit 1918 e në vazhdim, e gjithashtu sqaron se si duke pëgatitur materialet për delegacionin e Konferencës së Paqës të Parisit, gjatë 4-5 muajve pune gjithëditore së bashku me Luigj Gurakuqin, ata të dy nuk kanë ditur se ç’ishte e si ishte Parisi, duke i përshkruar në një mënyrë tejet bindëse rreziqet që i kanoseshin vëndit tonë nga qëndrimet shoviniste, i ve kapak me pohimin madhor konkluziv ... Çë çase trishtimi e dëshprimi kemi kalue n’at Paris ... 800.000 bajonetat e mobilizueme t’Austro-Hungaris në 1913 për me shpëtue qytetin e Shkodrës, tash s’ishin mâ. Italija mbahej në konferencën e paqës për njâj traktati që shënonte dekën e Shqipnis ... Franca përkrahte miqt e vet qi ishin anmiqt t’anë. Anglija, si gjithmonë kur s’luejnë interesa direkte të saja, kishte për ligjë oportunitetin. Wilsoni mjedis dhelpnave plaka t’Evropës i kishte harrue 14 pikat e tija. Me ç’vërtyt do të bâjshim mrekulli na të shkretët në kët lâmsh pasjonesh e padrejtsish ...
Vetëm nëntë janë faqet e kësaj letre. Por ato nëntë faqe hedhin dritë të madhe rreth zhvillimeve të asaj kohe si edhe ndikimeve ndaj së ardhmes së vëndit tonë.
Letra me nr.53, në përgjigje të letrës Padres ku ai i shtron M.Krujës pyetje karakteri themelor historije kombëtare, nuk mund të ishte e shkurtër, (Fq.191 – 214). Në përfundim vetë autori i drejtohet Padres duke i theksuar : “... me këtë kapitull Të kam dhânë çelsin e historis politike shqiptare ashtu siç e shoh e e gjykoj un vetë. Mund të jem i gabuem, mund të kemë harrue a mbajtun mênd keq ndonji pikë ndër hollsina qi s’e prek e s’e cënon themelin; por të jesh i sigurtë se me qëllim s’kam ndryshue asnji germë ...”.
Vetë ky pohim i M.Krujës në përfundimin e shtjellimit të pyetjeve që kërkonin përgjigje, menjëherë e intrigon lexuesin kureshtár të mësojë se si i trajton M.Kruja problemet. Unë as nuk do t’ia prish bukurinë leximit të materialit origjinal e as do t’ia shuaj kureshtjen atij që dëshiron t’a lexojë materialin e plotë, duke cituar ndonjë kalim. Përkundrazi, do t’ia mpreh akoma më shumë dëshirën e leximit të plotë duke cituar dy nga pohimet madhore të M.Krujës të cilët janë leksjone si edhe themele etiko – morale mbi të cilat duhet të jet’i mbështetur mirë historiani tek e fillon ai trajtimin e problemeve. M.Kruja pohon : “... gjyqtarët n’Angli përpiqen me i kufizue sa mâ fort qi munden miqsít e tyne. Edhe historjani mund të krahasohet shumë mirë me gjyqtarët, se edhe ai âsht nji gjyqtar, sidomos ky krahasim vlén aqë mâ tepër po qe se marrim me shkrue historín’e kohës s’onë.” Në vazhdim, gjithmonë përgjatë kësaj hullíje, M.Kruja këmbëngul në pohimin madhor : “ Miqsija e mirnjohja janë sende të shênjta, por ka përmbi ta nji gjâ tjetër edhe mâ të naltë : e vërteta.”
Që të dy këta pohime madhorë të M.Krujës, posaçërisht në kushtet e sotme të zhvillimeve post - komuniste në Shqipëri, do të ishin objekt trajtimi më vete si në shtrirje e gjithashtu edhe në thellësí të një analize konkrete shumë interesante. Ësht’e qartë se një analiz’e tillë në vazhdim, do t’a devijonte vetë objektin e temës që trajtohet, (e prandaj nuk po bëjmë përqasje as me gjyqtarë e as me historianë bashkëkohës). Prandaj, në sintoní me linjen që i kemi vënë detyrë vetes që të ndjekim, (përgjatë trajtimit të letrës me nr. 53), nuk i shmangemi dot sjelljes para lexuesit edhe të një pozicionimi të M.Krujës, i cili është shëmbëlltyrë e një qëndrimi karakterial konsekuent. Tregon M.Kruja se si Esat Pashë Toptani i drejtohet Xhemil Bej Vlorës duke i thënë për Mustafën : ... Ky âsht mâ i madhi kundrështar i im, ky qi kam pasë kujtue se s’do t’ia pritonte edhe pushkë me qitun për mue, si axha i vet ! E M.Kruja flakë për flakë i përgjigjet : Pashë, hiq dorë prej këtyne punëve qi ke nisun për dâm të Shqipnis e provomë atëherë a qes a s’qes pushkë për ty ! Ky qëndrim i M.Krujës patjetër që më shtyn t’ia drejtoj lexuesit pyetjen vërtet retorike, (që në rastin e M.Krujës aspak e tillë, sepse historiografia komuniste ç’nuk volli kundra tij përgjatë dhjetëvjeçarësh), se si e gjykon lexuesi tashti, nën dritën e re që hidhet rreth personalitetit të M.Krujës, patriotizmin si edhe karakterin e tij ?
Derisa M.Kruja ka mbajtur letërkëmbim të rregullt me Padren, siç është përmëndur edhe më parë, kuptohet se ai e vlerësonte lart vetë fratin. Mirëpo përgjatë kësaj analize të vëllimit me letërkëmbimin e cituar, nisur nga fakti se protagonisti është M.Kruja i cili sjell faktet historike edhe jep në vazhdim gjykimet e tija, doemos figura e Padres, ndonëse kuptohet se ai ka qenë nxitësi i bisedave, detyrimisht ka ngelur dishka si në hije. Për t’i dhënë pak larmí analizës e doemos edhe për të hedhur së rishmi dritë mbi figurën e Padres, po i sjellim lexuesit pyetjen nr.5 që françeskani i drejton M.Krujës (nga 12 pyetjet e letrës me nr. 56) :
5) Mons.Kaçorri, me të cilin - si më ke shkrue përpara – keni pasë punë sa heresh, a âsht kenë mâ fort italofil apor austrofil a por âsht kenë shqyptar i saktë si Ti e Luigji, qi mendojn kryekrejet të mirën e atdheut pa u fiksue në nji idé : jo Italí, jo Austrí, jo Francë e jo Gjermaní !
Me pyetjen që frati drejton si edhe me bindjen e tij të shprehur pa mëdyshje ose dyshime, duhet vënë në dukje së pari, se si ai me ndershmërínë si edhe atdhedashurínë që e karakterizojnë dhe pa u prirur fare nga fraternalizmi ekleziast heton, kur është fjala për besnikërí kombëtare, edhe Monsinjorin e tij ! Nga ana tjetër, sa bukur e shpreh ai pozicionimin e tij nga lartësít’e vitit 1952, lidhur me shqiptarofilínë e dy laikëve, Mustafa Krujës dhe Luigj Gurakuqit ! Çfarë shëmbulli për t’u marrë si model i një qëndrimi të prerë atdhetar, objektiv si edhe mospërfillës i shkarravinave pseudohistorike të kalemxhinjëve të periudhës komuniste, për të cilat ai ishte krejtësisht në dijení ! Qëndrova tek kjo pika “5” e pyetjeve të fratit françeskan, sa për të hedhur një rreze drite më të shtrirë edhe mbi Padren.
E tashti doemos duhet t’i kthehemi e t’i a përndritim lexuesit përgjigjen që jep M.Kruja : Kaçorri ka mendue thjesht e vetëm si mâ i kullueti Shqiptar idealist , e ashtu edhe ka veprue.
E donte dhe e priste këtë përgjigje frati, për Monsinjorin e tij; sepse e donte të pamëdyshur. Nga ana tjetër aq më shumë të vyer e konsideronte ai përgjigjen, se e dhënë nga një laik feje muslimane ! Nga ana tjetër M.Kruja, tejet objektiv dhe i ndershëm, duke dijtur t’i gjykojë qëndrimet të pandara nga rrethanat, kushtet si edhe mundësítë për të arritur sa më maksimalisht objektivat nga kënvështrimi atdhetár, jep gjykimin e tij të prerë !
Nuk qëndroj dot pa hedhur dritë edhe sa i takon pikëpamjes së M.Krujës lidhur me dokumenta që, po qenë të shkruara veçanërisht nga studjues të huaj dhe sjellin ujë në vijën e mullirit të historianëve shkarravitës të historisë kombëtare, merren si fakte historike të mirëfillta. Tek i citon frati se çfarë ka shkruar studjuesi italian Giannini rreth kërkesave të Kongresit të Lushnjes lidhur me kufijtë tonë kombëtarë, M.Kruja replikon me një pozicionim studjuesi të mirëfilltë ... Për mue ai tekst âsht apokryf (me autenticitet të dyshimtë - shënim i M.K.). Do t’a besojshem vetëm kur të më provohej me dokument authentik, b.f. (bie fjala – shënim i M.K.) me proces – verbalin e nënshkruem prej delegatvet ase nji kumtim diplomatik t’atij kongresi kancellarive të hueja. Giannini ka gabime edhe n’atë pjesën tjetër ...
Me këtë rast nuk kam se si të mos i kthehem edhe një herë atij që do t’a quaja postulati i M.Krujës, i cili duhet të jetë A-ja e moralo – etikës së studjuesit të historisë: Miqsija e mirnjohja janë sende të shênjta, por ka përmbi ta nji gjâ tjetër edhe mâ të naltë : e vërteta ! Dhe kërkimi i kësaj të vërtete i përshkon të gjitha letrat e përgjigjeve që M.Kruja i drejton fratit.
Përgjatë të gjithë letërkëmbimit bije në sy edhe një element shum’i veçantë i mënyrës së të shkruarit të M.Krujës. Se sa konçiz ishte ai, del në pah në dy përgjigjet që i jep Padres lidhur me personalitetin e fortë e karakterplotë të Luigj Gurakuqit. Rasti i parë është tek përshkruan skenën e ngjarë në shtëpin’e nipit të Ismail Qemalit, Xhemil Bej Vlorës ku e kishte selínë akoma qeveria e porsadalë mbas shpalljes së mëvehtësísë. Përshkruhet se si i zoti i shtëpisë i drejtohet me përçmim Luigj Gurakuqit duke i thënë ushak, (turqisht – shërbëtor – shënim i M.K.), shprehje përbuzëse me të cilën Xhemil Beu aludonte marrëdhënjet në mes L.Gurakuqit si edhe I. Qemalit. E Gurakuqi ç’qëndrim mban ? Ja si e përshkruan M.Kruja skenën : ... Gurakuqi u çue si rrufeja e i mbet me nji paravesh (shuplakë fytyrës – shënim i M.K.) turîjve. Tjerët e kapën beun e e çuen në harém te gratë e s’u bâ mâ kurrfarë reakcjoni. Luigji s’e hiqte n’ato kohna të turbullta kurrë alltijen (koburen – shënim i M.K.) nga brezi ... (Fq.219 – 220).
Rasti tjetër i një qëndrimi të papërkulshëm të Gurakuqit, ka lidhje me Faik Konicën. Ishte viti 1914. Esat Pashë Toptani, sipas mendimit të shumë patriotëve, ishte tradhëtar. Italia e mbështeste atë. Faik Konica bashkëpunonte ndërkohë me E.Pashën. Një grup patriotësh caktojnë L.Gurakuqin që të përgatiste një dokument i cili do t’i paraqitej Princ Wiedit. U mblodhën në Durrës shumë intelektualë që t’a miratonin dokumentin, mbasi t’i bënin vrejtjet që mendonin. Sapo del Gurakuqi para tyre me dokumentin në dorë që t’a lexonte, (vazhdojmë tani me fjalët e M.Krujës) ... Faik Konica s’e lên me çelë gojë : Ç’janë ato intriga italiane ? këlthet (Konica – shënim i M.K.). Gurakuqi edhe s’bâni tjetër, veç përlau shkopin qi kishte atje pranë dhe ia veshi krés si nji rrufé. Gjindja u çue në kambë, hyni ndërmjet e n’emën t’Atdheut, vûni paqë. U ndëgjuen spjegimet, u këndue memorandumi, u pëlqye pa asnji ndryshim, pa asnji objekcjon as prej Konicës e puna mbaroi me kaq. (Fq.225). Paraqitin interes të veçantë në këtë kontekst pikëpamja e fratit lidhur me incidentin e gjithashtu përgjigja që i jep M.Kruja Padres. (Fq.229) Padreja është çuditur se si Konica i hodhi Gurakuqit fjalët ... Ç’janë ato intriga italiane dhe vazhdon ... Luigji e tjerë nacjonalista bashkëpunojnë me Wiedin kundra Esatit, i cili asht i ndihmuem e i prujtun prej italjanvet, e si mund t’i hidhet Luigjit kjo fjalë ? E M.Kruja i përgjigjet ... Paj duhet me e pasë njohun Konicën. Cili shqiptar s’ka qênë për tê tradhtuer, intrigant, vagabond, kusar, ignorant, etj.etj.? Ai Luigjit s’i ka lânë vênd në vorr, se jo mâ kur ishte gjallë ... (Fq.233).
Në vazhdim lexuesi do të verë re se kemi kapërxime periudhash kohore. Kjo nuk shpreh moskujdesje nga ana e ynë, porse stilin pindarik me të cilin Padreja i drejton pyetjet. Megjithatë secila pyetje si edhe përgjigjet, në bashkësín’e tyre, hapin dritare që kanë qenë të mbyllura dhunshëm duke filluar që nga periudha e diktaturës e në vazhdim që të vërtetat të mos e shihnin dritën e diellit por të rrinin e t’i mbulonte tisi i harresës nëpër fondet e ndaluara të arkivave të ndryshme !
Përgjatë vazhdimit të letrës me nr.59, Padreja shtron tezën e tij se si lidhur me çfarosjen e elitës shqiptare fajin e kanë serbët që e dinin se si nuk mund të kishte patriot shqiptar i cili të mos ishte antiserb dhe vazhdon shprehimisht ... Mbas mendimit t’em prá, Enver Hoxha me klyshat e vet të kuq, s’ka bâ tjetër veçse me çue në vend urdhnat e Belgradit qi prá, simbas mendimit t’em, e ka plotsisht fajin e shfarosjes s’elitës shqiptare ... (Fq.230) Nuk shmangemi pa e vënë në dukje objektivitetin e fratit që krim primar quan hartimin e listave të personave për t’u pushkatuar, ndonëse vazhdon duke pohuar se si ... Mbas gjaset, edhe po t’ mos ishin kenë urdhnat e Belgradit, do t’ishin kenë shqiptarët vetë qi me u derdhë trûtë vllazënve të vet shqyptarë ... Si thue ti ? M.Kruja përgjigjet : a i a ka fajin pyllit spata apo bishti ? (Fq.234). Por në vazhdim pastaj ai, duke i bërë një analizë diferenciale të një niveli tejet të thellë problemit, e çon Padren drejtë përfundimit se kur një armik arrin e fut përçarje në familje, si në rastin tonë ku vëllai vret vëllanë për të qen’i parë, kurse armiku do t’a gëzojë grabitjen që po përgadit (Kosovën), padyshim që faji kryesor dhe më i madh u mbetet shqiptarëve ! Kjo sa i takon krimit të madh të zhdukjes së elitës të kombit tonë. Në vazhdim pastaj nuk ka nevojë për koment qëndrimi i qeverisë komuniste shqiptare nga njera anë lidhur me problemin e Kosovës e pa le pastaj se si, mbas aneksimit të saj Federatës Jugosllave pa plebishit, (votim i përgjithshëm popullor – shënim i M.K.), kur pyetet Enver Hoxha gjatë Konferencës Paqës në Paris më 1946-ën lidhur me marrëdhënjet Jugosllavi – Shqipëri, (ku pyetja i drejtohet me tendenciozitet ), ai përgjigjet ne nuk kemi asnjë problem me Jugosllavinë, përkundrazi ... Duke e lexuar këtë pohim profesorët tanë historianë në dokumentat lidhur me Konferencën e Paqës të Parisit të vitit 1946, e kuptoj se janë gjëndur para vështirësishë por, me që ato vështirësi si edhe të tjera partia dhe komandanti u kishin thënë se duhej t’i kapërxenin, historianët ashtu bënë. E pastaj në vazhdim doemos edhe u specializuan dora–dorës në këtë drejtim e s’pati më vështirësí që ata të mos i shmangnin dot, doemos jo pa ndihmën e partisë mëmë !
Letra me numër 61 e shkruar prej fratit dhe e drejtuar M.Krujës, mund të thuhet pa as më të voglën frikë, se është një dokument ku ndërthuren hulumtimet e bëra nga frati rreth së vërtetës lidhur me veprimet e karakterit “tërhiq e mos këput” të nacionalistëve shqiptarë, në ballafaqim me politikën italiane, për të arritur maksimumin e të mirave të mundëshme në favor të Shqipërisë, ku sinteza e Padres bëhet bartëse pyetjesh kardinale nga ana e tij. Frati citon pohimet e studjuesit gjuhëtar edhe historian Kostë Çekrezit, (botues në Londër më 1919-ën i punimit Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja – shënim i M.K.), i cili në një fashikull botuar nga fundi i vitit 1951 në Washington shprehet se pas dështimit të lëvizjes së Fierit ... parësia e vëndit dhe jo vetëm bejlerët, arriti në përfundimin logjik që, mbasi Zogu mbahej në fuqi me anën e përkrahjes që kishte nga Italija Fashiste, e vetmja rrugë për t’a hequr qafe ishte q’ata, si të parët e vëndit, të bënin një marrëveshje direkte me qeverinë e Romës. Ndërmjetës për këtë marrëveshje ishin Shefqet Bej Vërlaci i Elbasanit dhe Mustafa Merlika i Krujës. Marrëveshja u plotësua në Dhjetor 1938. E mbasi shtron pikëpamjen e Çekrezit, frati e fton M.Krujën t’ia kthjellojë mirë rrethanat, pozicionimin e Italisë si edhe përzgjedhjet që detyrohet të bëjë paría e emigracionit shqiptar, nisur gjithënjë nga parimi i veprimit sa më në favor të interesave kombëtare shqiptare. Në faqet 239 e deri në faqen 248, M.Kruja i bën Padres një paraqitje të plotë e me të gjitha detajet, (të cilat pikë për pikë gjënden në Arkivin e Shtetit Shqiptar si edhe në Arkivin e Ministrisë Jashtme të Italisë – shënim i M.K.), duke treguar hapat e ndërsjella të ndërmarra përgjatë bisedimeve si nga përfaqësuesi i qeverisë fashiste italiane Giovanni Giro e nga ana tjetër nga ana e M.Krujës si i caktuar të përfaqësojë të katër grupet e nacionalistëve shqiptarë jashtë Atdheut mëmë. Ësht’e qartë se vetëm leximi i plotë i atyre dhjetë faqeve shkruar nga M.Kruja në sqarim të pyetjes fratit, e ndriçojnë lexuesin. Megjithatë, me pak rrjeshta të mijtë sa për t’a ngjallë kërshërín’e mëtejshme të lexuesit, do të cek ndonjë moment kulmor pozicionimi nga ana e M.Krujës sipas marrëveshjes me grupet nacionaliste.
* Shqiptarët e pranonin një princ të shtëpisë Savoia (siç kishte qenë edhe Princ Wiedi). * Nuk pranonin regjim fashist në Shqipëri. * Asnjë koncesjon, (lëshim në dëm të vëndit), Italisë në kundërshtim me pavarësinë kombëtare shqiptare. E mbasi i shtrohen G.Giros këto sinore, M.Kruja e ndjen nevojën edhe t’i shtojë ... me që ndërmjet shteteve kurrë nuk është dhënë asgjë e as jepet pa një leverdí të ndërsjellë, e pyes Qeverinë Italiane nëpërmjet teje, në se Italia e ndjen veten plotësisht të kënaqur me një Princ të Shtëpisë Savoia mbi fronin e Shqipërisë apo mendon të parashtrojë edhe pretendime të tjera ... E kur Giro-ja shton se mendimi i palës italiane është që të ketë shkrirje të dy kurorave mbretërore, të ketë shkrirje të ushtrive, të diplomacisë si edhe financave, M.Kruja i pohon pa lëkundje ... Atëhere, i dashur Giro, në këto kondita dhe përsa më takon mua si edhe miqve të mi, Mbreti Zog mundet të mbretërojë edhe njëqind vite mbi fronin e Shqipërisë ! Pa dashur të zgjatem, i lejoj vetes t’i drejtoj vetëm një pyetje lexuesit : përgjatë 47 viteve të diktaturës komuniste, është ndeshur lexuesi me ndonjë qëndrim sadopak të krahasueshëm me pozicionimin krenár dhe dinjitoz të M.Krujës ndaj shtetit që ai priste t’a mbështeste ?
Edhe pak fjalë lidhur me një fakt me të cilin lidhen spekullime tejet të ulëta të bëra gjatë dhjetravjeçarësh për t’a ndikuar opinionin publik shqiptar në një drejtim krejtësisht të padrejtë ndaj realitetit. Fjalën e kam rreth telegrameve të drejtuar Mussolinit nga Grenobli. Kopjet e telegrameve ndodhen në arkiva dhe janë të botuara në gjithë shtypin italian të datës 8 prill 1939. Ata kurrë nuk janë botuar integralisht përgjatë diktaturës, kurse popullit, duke ia cituar me nënkuptime dhe insinuata, i janë paraqitur ata si kulmi i tradhëtisë ndaj Atdheut. Ja se si formulohej pak a shumë (sipas kujtesës së M.Krujës – shënim i M.K.) telegrami i parë : Në çastin që fati i Kombit t’onë gjëndet tashmë krejtësisht në dorën t’uaj, duam të shpresojmë se do t’a tregoni bujarínë t’uaj duke i respektuar të drejtat e tija si Shtet i pavarur.
Lidhur me telegramin e dytë, të nisur me 13 ose 14 prill 1939, M.Kruja pohon ... si pamë qi u shpall bashkimi personal, të cilin na e kishim prapsun, si dhe formimin e nji qeverije shqiptare me të gjithë ministrat, si ma parë, aty mbrenda edhe ministër të jashtëm, lufte e financash, na erdh pak shpirti e i dërguem Mussolinit nji telegrafë të dytë tue i thânë se i pranojshim vêndimet e atij kuvêndi me shpresë qi prej atyne vendimeve do të dilte bashkimi i të tânë Shqiptarvet nën flamurin e Skënderbegut.
Këta telegrame aq të përfolur nga historiografía komuniste, a nuk na dalin tashti në një dritë krejtë tjetër pa le edhe të gjindshëm (vetë telegramet) si qenë formuluar origjinalisht ? Dhe momenti që duhet theksuar e nënvizuar është se në telegramin e dytë i mëshohet të kujtuarit të marrëveshjes kaluar për t’u bashkuar gjithë Trojet Shqiptare, Kosova, pjesërisht Maqedonia si edhe Çamëria, nën flamurin e Skënderbeut !
Me këtë rast kërkimi i së vërtetës si edhe pozicionimi i ndershëm ndaj fakteve historike të paraqitura pa deformime, pa le pastaj shtrembërime në interpretim, më detyron t’ia nënvizoj lexuesit vullnetmirë faktin se si Mustafa Kruja, kur flet për pastërtín’e figurës historianit kërkon që historiani t’a pohojë të vërtetën siç është, qoftë ajo e vërtetë edhe kundra bindjeve patriotike të historianit vetë ! (Fq.285).
Siç e sheh lexuesi i këtyre radhëve, jemi munduar të vemë në dukje pohimet madhore të Mustafa Krujës përgjatë letrave të tija me përgjigje drejtuar Padres, ku si një fill i ngjyrosur duket qartë pozicionimi i tij tejet i ndershëm ndaj të vërtetave historike pa marrë parasysh interesa as partishmërí edhe kur është fjala të thuhen të vërtetat cilatdo qofshin ato, edhe kur bijnë ndesh me bindjet patriotike të hitorishkruesit !. Ja ku po e kujtojmë, mes shumë syresh, edhe një pohim gati – gati të pabesueshëm (Fq.315). Tek e pyet frati në se ishte e vërtetë që gjatë tërheqjes së ushtrive serbe nëpër Shqipëri, (mbas thyerjes që pësuan ato prej ushtrive austro – hungare), ato ishin sulmuar nga njësi ushtarake shqiptare, M.Kruja, ai antiserbi i regjur, pohon : ... Ça paske kënduem mbi trazimin e Sërbet prej nesh kur janë tërhjekun nëpër Shqipni përpara sulmit austro –hungar në fillim të 1916-s nuk âsht rrênë, mjerisht. Po thom mjerisht, se mbas mendimit t’em nuk na nderon aspak. Esati nuk kishte kurrfarë pushteti ndër malet asokohe. Ç’mësim niveli tejet të lartë etiko – moral duhet të nxjerrin nga ky pozicionim historianët bashkëkohorë ! E konsideron turp goditjen mbrapa krahëve të një ushtríe të thyer në ikje e sipër, qoftë ajo edhe ushtría serbe armike tradicionale e jona. Nga ana tjetër, edhe në rastin kur e kishte mundësínë të heshtëte, duke ia lënë përgjegjësínë Esat Pashës, armikut të betuar të vetë Mustafa Krujës, ky i del zot duke u shprehur se ai (Esat Pasha – shënim i M.K.) nuk kishte asnjë pushtet në malet shqiptare. A kanë nevojë për komente këto pozicionime shkencore jashtë ç’do kuadri politik dhe mëríshë personale të M.Krujës, pa le të bëhen përqasje me pseudostudime e pseudoanaliza historishkruesish të periudhës diktatoriale e që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite e mbahen akoma për historianë ?
Letra e 101-të është një model analize shkencore historike se si M.Kruja i përgjigjet Padres lidhur me pyetjet rreth rolit të Esat Pashës në vrasjen e komandantit të Shkodrës së rrethuar, Hasan Rizait.
Në faqen 382 M.Kruja u bën një ndarje krerëve kosovarë në katër kategori, lidhur me pozicionimin e tyre ndaj pavarësísë. T’a lexojë lexuesi atë faqe. Të qëndrojë pastaj dhe me mëndje të tijën emrat e Hasan Prishtinës ose Bajram Currit e në vazhdim, t’i zëvëndësojë me emrat e drejtuesve të sotëm të Kosovës, (doemos edhe në kushtet e rrethanave të sotme). E kur t’a ketë ndërtuar këtë kuadër në mëndjen e tij, nga përqasja a nuk vjen në përfundimin e M.Krujës që pohon se ... ndër krenët e Kosovës mbretnonte Khaosi ...? (rrëmuja – shënim i M.K.).

Përmbyllje :
Për një gjysëm shekulli historia u shkrua sipas fitimtarëve dhe pavarësisht nga deformimet dhe shtimit të radhëve të tradhëtarëve me armiq të rinj, historianët zyrtarë shkruanin histori të re sipas skenarit të urdhëruar nga udhëheqësi i pagabuar. Edhe sot, me inercinë e autoritetit shkencor të fituar në sistemin e kaluar, vazhdojnë të përkujtojnë dhe të shkruajnë nëpër tekste historie, sipas tyre te vertetat e ashtuquajtura historike !
Përgjatë kësaj hullíje nuk i shmangem dot dhe e ftoj grupin e personave që e kanë paraqitur librin e Çatin Saraçit si hedhje dritë mbi figurën e Ahmet Zogut, t’a dëgjojnë një këmbanë rreth ortakut të tretë të treshes A.Zogu, Jak Koçi dhe Ç.Saraçi, të cilët honoraret (lexo ryshfetet) i ndanin më tresh me përqindje të caktuara. Këta janë vallë njerëzit pohimet e të cilëve na rekomandohet t’i marrim si fakte historike ? Njihemi tashti me përgjigjen që i jep M.Kruja fratit, tek e pyet ky se si e njihte ai Jak Koçin. M.Kruja i përgjigjet duke e cilësuar si aventurier nga më të poshtrit në botë dhe të pashoq ndër shqiptarë. E bile shton se po të kishte qenë Jak Koçi personalitet historik, M.Kruja do të sillte në tryezë edhe fakte por shton ... Jaku s’e meriton as me ndymë gojë e letër me tê ...
Gjithsecili person që rreth M.Krujës nuk ka pasë dëgjuar asgjë tjetër veç propagandës komuniste, e mendon atë tradhëtar të atdheut, të shitur tek Italia Fashiste si edhe kriminel. Si pasojë as e përfytyron dot se si ky njeri ishte bashkënënshkrues i Dokumentit të Mëvehtësísë më 28 Nëntor të 1912-ës në Vlorë, bashkëhartues me L.Gurakuqin i të gjitha memorandumeve edhe notave që delegacioni shqiptar i paraqiste Konferencës së Paqës në Paris. Nga ana tjetër as që mund t’a mendojë se M.Kruja qe personi që për të pranuar portofolin e kryeministrit i vuri kusht Italisë që flamurit t’i hiqeshin dy simbolet e fashizmit si edhe nyja e shtëpisë Savoia. A i shkon mëndja këtij lexuesi se M.Kruja, duke parë se qeveria italiane i shkeli kushtet e marrëveshjes për rrëzimin e Mbretit Zog dhe e shkeli ushtarakisht Shqipërinë, qeverin’e tij e ndërtoi me antiitalianë të njohur ? Dhe cili qe pikësynimi i tij me këtë veprim ? Që qeveria, në të gjithë sferën e veprimtarísë së saj, të ishte sa më e ngurtë ndaj ndërhyrjeve të qeverisë italiane duke e frenuar shtrirjen e ndikimit të saj.
Mund të duket e pabesueshme, por M.Kruja qé kryeministri i cili jo që Qazim Koculin, ish udhëheqësin ushtarak të Luftës Vlorës të vitit 1920, e pati emëruar komisar të lartë të qeverisë, po kur italianët nxitën veglat e tyre t’a vrisnin me atentat Qazim Koculin, Mustafa Kruja në emër të qeverisë tij dha dorëheqjen e pakontestueshme dhe të prerë !
Mbasi të jenë lexuar këto radhë e pastaj të jetë zgjeruar fusha e njohjes duke e lexuar edhe vëllimin e plotë të letërkëmbimit, ësht’e qartë se secili që ka një minimum ndershmëríe në ndërgjegjen e tij do të duhet tani e tutje t’a rishikojnë me sy si edhe mëndje kritike gjithë morínë e pohimeve që janë paraqitur dhe predikuar si të vërteta historike deri më sot nga ata historianë shkarravinash pseudohistorike për të cilët folëm pak më sipër.
Kaq sa u shkrua deri më tani, ka për qëllim vetëm t’a tërheqë lexuesin potencial të vëllimit të plotë, për t’a parë Mustafa Krujën në dritën e tij të vërtetë që i takon si atdhetar i skajshëm dhe i papërkulshëm lidhur me pozicionimet e tija parimore të një qëndrimi etiko – moral shkalle nga më sipëroret.
Mirëpo diktatura veç baltës që hodhi e nuk pushoi së hedhuri mbi këtë figurë patriotike madhore të kombit tonë, me dhunë bëri të mbulohet me harresë ana tjetër, po aq e shquar e këtij personaliteti vërtet shumëplanesh, si studjues i gjuhës edhe prejardhjes së saj, aspekt i cili, për të mos u zgjatur shumë materiali, nuk u trajtua fare. Kërshërínë edhe në këtë drejtim lexuesi do t’a shuajë kur t’a ketë në dorë vëllimin e mirëfilltë origjinal.

Detroit, dhjetor 2006