E enjte, 28.03.2024, 11:51 PM (GMT)

Editorial

Valon Kurtishi: Seleksionimi etnik në polisin Fyromian

E hene, 08.03.2010, 10:00 PM


Seleksionimi etnik në polisin Fyromian

Nga Valon Kurtishi

Padrejtësitë dhe diskriminimi i i tmershëm e gjithëprezent i shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës në IRJM nuk është duke marrë fund. Duket sikur gazetarëve shqiptarë që lajmërojnë për çështjet ditore apo opinionistëve që shtjellojnë fenomene e procese të caktuara shoqërore, nuk ju mbetet temë tjetër por janë të detyruar të meren me këtë çështje edhe sikur të duan ta anashkalojnë atë. 
Kohëve të fundit është duke marrë përmasa tragjike çështja në lidhje me largimin masiv të popullsisë shqiptare pas heqjes të regjimit të vizave nga Bashkimi Europian. Problemi i njëjtë u shfaq edhe në zonat e banuara me shqiptarë etnikë në Luginën e Preshevës si dhe në zonat e banuara me shqiptarë etnikë dhe shqiptarë të sllavizuar myslimanë në Sanxhakun sërb dhe atë malazez. Heqja e vizave për IRJM, Sërbinë dhe Malin e Zi i goditi menjëherë territoret apo zonat e banuara eksluzivisht nga popullsi shqiptare, pa marrë parasysh përkatësitë e tyre administrativo-politike. Kjo tregon qartë se këto hapësira dhe kjo popullsi, pra zonat dhe popullsia etnike shqiptare janë më pak të zhvilluara në gjithë territoret shtetërore respektive të IRJM , Sërbisë dhe Malit të Zi. 

Kjo është kështu kur krahasohen gjithë treguesit e Indeksit të zhvillimit human (HDI) për zonat që banohen nga shqiptarë dhe sllavë etnikë në këto tre shtete. Është vërtetuar shkencërisht dhe ekzistojnë të dhëna reale statistikore të cilat ilustrojnë më së miri gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në këto vende. Standardi jetësor, nataliteti, mortaliteti dhe jetëgjatësia, vdekshmëria foshnjore, arsimimi i popullsisë dhe përqindjet e analfabetizmit, përkujdesja shëndetësore, shkalla e papunësisë së popullsisë e sidomos e të rinjve, niveli i industrializimit, specializimi dhe ndarja e punës, aplikimi në shkallë të gjerë i teknologjive të avancuara të informacionit, urbanizimi dhe humanizimi i hapësirës për jetë vizavi kaosit primitiv urban oriental, shkalla e dukurive devijante, gjithë jeta sociale e zonave të banuara me shqiptarë dallon në përmasa të pabesueshme dhe gati shokuese nga zonat e banuara me sllavë etnikë. Duket sikur kemi të bëjmë më dy botë të ndryshme e jo me territore që formalo-juridikisht dhe politikisht një periudhe gati një shekullore i takojnë një shteti të njëjtë. 
Kështu paraqitet situata si në Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun sërb të banuar me shqiptarë etnikë dhe shqiptarë të sllavizuar myslimanë ashtu edhe me zonat e Malit të Zi të banuara nga shqiptarë etnikë dhe shqiptarë të sllavizuar myslimanë e katolikë. Fotografia e njëjtë e tmershme paraqitet në një zonë më të gjerë gjeografike edhe në Fyrom, duke filluar me vendbanimet shqiptare të Kumanovës në veri e deri tek zonat e banuara me shqiptarë në jugun e thellë të Manastirit në kufi me Greqinë. Një nivel të përafërt zhvillimi ka konstatuar edhe studiuesja angleze Miranda Vickers (“The Cham Question”), për zonat veriperëndimore të shtetit grek, të cilat edhepse të pastruara etnikisht nga popullsia autoktone shqiptare që në mbarim të luftës së dytë botërore, përsëri janë lënë në mëshirë të fatit dhe sot paraqiten si rajonet më të pazhvilluara të gjithë Greqisë.
Çështja ka prapavijë sa historike aq edhe bashkëkohore e kushtëzuar para së gjithash dhe kryesisht nga përkatësia etno-kulturore dhe civilizuese e masave që popullojnë zonat në fjalë apo edhe gjithë gadishullin tonë. Këtu kemi të bëjmë me një seleksionim të pastër etnik në shpërndarjen autoritative të të mirave materiale të cilat gjenden në sasi dhe cilësi të kufizuara në botë. Një nga definiconet më të përhapura për politikën i studiuesve të ndryshëm amerikanë është ajo mbi të si një “shpërndarje autoritative e të mirave materiale”. Pra, autoriteti më i lartë publik në këtë rast shteti-komb, bën një shpërndarje të kontrolluar dhe të planifikuar të të mirave materiale që gjenden në formë natyrore, krijohen në forma industriale përpunuese apo importohen nga jashtë vendit në territorin nën kontrollin apo sovranitetin e tij. Autoritetet shtetërore sërbe dhe malazeze i kanë përjashtuar plotësisht shqiptarët nga vendimmarja politiko-ekonomike duke shfrytëzuar edhe numrin e tyre relativisht të ulët në popullsinë e gjithmbarshme atje.

Krejt tjetër paraqitet situata në Fyrom ku pesha, numrat dhe rëndësia e faktorit shqiptar duket sikur na përgënjeshtrojnë në një konstatim të tillë. Por proceset, fenomenet, rezultatet konkrete dhe ngjarjet e përditshme dëshmitarë të të cilave jemi të gjithë, na bindin se një gjendje e njëjtë pabarazie dhe diskriminimi mbretëron edhe këtu.

Largimi në masë kryesisht dhe vetëm i popullsisë shqiptare pas liberalizimit dhe heqjes së regjimit të vizave, tregon qartë se këto zona janë dukshëm më të pazhvilluara se zonat e banuara me sllavë etnikë. Përndryshe, largimet në kërkim të një jete më të mirë në botën e zhvilluar perëndimore do të ishin proporcionale mes sllavëve dhe shqiptarëve të këtushëm. Edhe një numër i indikatorëve të tjerë shoqërorë e vërtetojnë plotësisht këtë konstatim. Numri më i madh i individëve të veçantë apo familjarëve që kërkojnë të shfrytëzojnë ndihmat sociale është i përkatësisë etnike shqiptare. Kjo tregon se popullsia shqiptare si e tërë është një kategori e rrezikuar sociale në Fyrom. Në një efekt zinxhiror të kësaj si dhe duke pasqyruar pafuqinë ekonomike të këtij grupi, situatë e ngjashme mbretëron në gjithë fushat e jetës këtu. 
Nëse një grup i tërë shoqëror i cili ndan karakteristika të përbashkëta gjuhësore, kulturore, racore, civilizuese etj, i takon kategorisë së qytetarëve që jeton kryesisht me ndihma sociale dhe në margjina të një shoqërie dyetnike, atëherë shihet qartë se ndaj këtij grupi realizohet apo aplikohet politikë e diferencuar apo thënë më drejt politikë e planifikuar diskriminuese shtetërore. Këtu kemi të bëjmë me fenomenin e seleksionimit apo përzgjedhjes etnike në shpërndarjen e të mirave materiale dhe shpirtërore që për momentin janë në dispozicion të shoqërisë fyromiane. Prona publike, resurset natyrore publike, e mira e përgjithshme, që u takojnë të gjithëve që jetojnë në këtë nënqiell, shfrytëzohen në proporcion jo të drejtë me nevojat reale të grupeve të ndryshme shoqërore. Duket se përkatësia në një grup të caktuar etnik e paragjykon që në lindje dhe përcakton përfundimisht suksesin apo mossuksesin e mëvonshëm në jetë të individëve të caktuar në këtë shoqëri. 
Kështu, kultura e grupit etnik sllavishtfolës përfiton reth 97 % të buxhetit shtetëror edhe pse 35% e popullsisë së këtushme i takon grupit etnik shqiptar. Apo ndihma sociale në masë të madhe shfrytëzohet nga grupi etnik sllavishtfolës edhepse nevojat shumë më të mëdha reale për këtë asistencë sociale janë të grupit etnik shqiptar. Dhe ky trajtim i diferencuar dhe i pabarabartë në ndarjen e të mirave të përbashkëta vazhdon në gjithë atë që jetën njerëzore e bën të tillë duke mos e lënë të degradojë në subhumanizëm. Politika si diçka publike, e përbashkët, kolektive, pushteti apo vetë institucioni shtet si “res publica”, keqpërdoret në këtë rast për të diskriminuar një grup shoqëror si dhe për të favorizuar një grup tjetër shoqëror. Grupi shoqëror i diskriminuar nga ana tjetër duket i pafuqishëm të dalë nga gjendja aktuale e nënshtrimit total apo stadi aktual i zhvillimit social. Grupi shoqëror i diskriminuar nuk është në gjendje as në rrugë evolutive (1992-2010) dhe as me revolucion të armatosur (2001) të ndryshojë raportet aktuale të marrëdhënieve shoqërore këtu.
Përfaqësuesit, mbrojtësit, transmetuesit e interesave shqiptare këtu, apo politika shqiptare në IRJM parë si një dhe tërë, ka qenë në këto njëzet vitet e fundit dhe duket se është edhe sot e kësaj dite, jashtë kohe dhe hapësire. Mbetet detyrë historike e gjeneratave të reja që ti adresohen në mënyrë shkencore dhe me nje idealizëm atdhedashës e vetësakrifikues zgjidhjes përfundimtare të nyjes gordiane të shqiptarëve në Fyrom apo edhe më gjerë në Ballkan.  


(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora