E premte, 19.04.2024, 09:24 AM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Këze Kozeta Zylo: In memoriam, për profesorin elbasanas, Tomorr Domin

E diele, 07.03.2010, 09:23 PM


In memoriam, për profesorin elbasanas, Tomorr Domin 

Nga Këze Kozeta Zylo

U bënë vite që kishja menduar të mbillja nga një rrënjë trëndafili pranë qiparisave ku prehen mësuesët që ikën herët nga kjo botë, pa e mbaruar misionin e tyre nga më fisnik…
Mirëpo gjithmonë jam ndrojtur, se a do të mjaftonte mirënjohja ime vetëm me një mbjellje trëndafili, apo me një petale ëndërrimi poezie për ta?
Kjo ëndërr më ka ngelur si gonxhe e pikëlluar në sy, si manushaqet kokëulur që aq shumë i deshën mësuesit tanë ndër vite.  
Një ndër këta ishte profesori im elbasanas, i ndjeri Tomorr Domi që iu pre jeta në mes në moshë shumë të re…  
Dhimbja për pedagogun tonë të paharruar në Universitetin e Elbasanit, do të jetë gati e pashërueshme, ajo është një dhimbje që zgjatet në cdo cep të globit, atje ku flasin shqip ish studentët e tij, që ai  aq shumë i mësonte dhe i respektonte ata.  
Loti ynë për këtë pedagog që iku aq shpejt, ka qenë gati-gati një lot i trishtimit gërryes.
Profesor Tomorr Domi ishte një ëngjëll i bukur i fjalës shqipe, qe mbushte gjithë auditorin me rrezet e shpirtit të tij të dlirë.
Bukuria e fjalës së tij në Letërsi, dukej sikur mbinte si këngë në sqepin e zogjve, që qëndronin pranë dritareve tona të klasave dhe telave telefonikë, mbi këmbkat e tyre të holla, si ngjyre vjeshte.
Me mirësinë e tij prej një pedagogu shembullor, dukej sikur iu largonte studentëve perëndimin e shterpësisë, dhe gjerësia e tij mjaftonte për të qenë një diell ngrohës në orët e leksionit aq të shumëpritura nga ne, në një mjedis të trëndafiltë brenda zemrave tona rinore, por jashtë nesh, ishte paksa me copëza ngjyre gri…
Ai ishte një mësues me plot ëndrra, jo ëndrra të zakonshme si të vdekëtarëve normalë, përndryshe nuk do të më inspironte sot në prag të festës tradicionale të 7 Marsit, të shkruaja këtu në New York, në një ditë bardhësie ku qielli po hedh në tokë jo flutërza bore, po ca copa me forma të çuditshme që s’i kishja parë kurrë ndonjëherë…
Pushimi im sot i detyruar nga koha, ma hodhi mendimin larg, larg në vitet e hershme të rinisë sime, dhe hija e një mësuesi me shpirt të madh lëvizte kudo, ndërsa unë përhumbesha në leksionet e letërsisë, në bangat e shkollës, në shoqërinë aq të pastër të viteve rinore, në Elbasanin e shtëpive tradicionale, që kundërmonin erë trëndafilash kërmez, mbjellë nga amvisat e buta dhe mikpritëse elbasanase.
Nga trishtimi për të, m’u duk sikur papritur u thye xhami me kristale të akullta bore, dhe dita e bardhësisë së mahnitshme u mbush me buzëqeshjen fisnike të një mësuesi që bariste në kujtesën time.
Pishat shekullore të rënduara aq shumë nga bora, çuditërisht i fantazoja sikur çelnin lule, lule mimozash dhe më mbushën krahun tim për t’i vendosur në tavolinën e ish pedagogut tim, si dhuratë në festën e 7 Marsit.  
Kjo lloj fantazie ireale, ndoshta më erdhi nga mungesa që ndjej këtu në New York, për mimozat e verdha me pikëza vese të agimit të bardhë, në cdo 7 Mars…
Sa shumë më mungojnë…
Vitet kanë kaluar dhe koha është thinjur pak me brymën e harrimit…por dielli sidoqoftë nuk i ka fshehur rrezet e ngrohta të kujtesës në mjegullën mitike, ku shndrit shpirti i një mësuesi, me fijëza të zjarrta në memorjet tona.
Ai me punën dhe korrektësinë e një mësuesi jepte shembullin e tij, si të vetmen rrugë të spjegimit, pasi "Shembulli nuk është një mënyrë për të mësuar, por kjo është rruga e vetme për të mësuar." Albert Einstein

Pedagogu yne i Teorisë së letërsisë, Tomorr Domi, në moshë rinore, i sapodalë nga Universiteti, i bënte sfidë kohës, normave të ngurta pedagogjike.  
Të gjitha këto kujtime më shpalosen si kaleoidoskop imazhesh, me një dashuri të rrallë njerëzore.
Ndonëse ikja e tij e beftë para kohe, është zbehur me kalimin e kohës dhe as që kujtohet në faqet zyrtare, prof.Domi do të kujtohet gjithmonë në zemrat e studentëve, ai është një metaforizim i muzave të mësueseve që dolen nga duartë e tij dhe që do ta kujtojnë me mall të pashuar. 
Analizat e thella kritike në orët e teorisë së letërsisë i bënte herë herë me ca filigrana poetike, të argjendta, që studentët e tij shpesh herë mahniteshin me oratorinë e tij dhe nuk donin kurrë të dëgjonin tringëllimën e ziles, që lajmëronte mbarimin e leksionit.
Jo çdo mësues mund të jetë në memorje tek studentët e tij, por jam e sigurtë se profesor Domi është brenda kujtesës sonë, përgjithmonë.  
Sa fatlum është ai mësues që ngelet gjatë në kujtesën e brezave që ai mësoi, që iu dhuroi dije e kulturë… Pedagogu Domi e arriti këtë, ai vinte nga rrënja e pemës së Elbasanit, djepit të arsimit shqiptar. 
Ai ka kohë që ka ikur, por vepra dhe fjala e tij është si Fari që ndrin kodrat e ullinjve në Elbasan, dhe më ndriçon mua dhe ish studentët e tij, rrugën për të shkuar dhe mbjellë rrënjë trendafili, pranë qiparisave ku prehet profesori ynë i paharruar Tomorr Domi, 
“In Memoriam të tij”. 

7 Mars, 2010
Staten Island, New York



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora