E enjte, 24.10.2019, 05:36 AM (GMT+1)

Komente

Dorian Koçi: Kundërshtimet e Rusisë

E enjte, 25.10.2007, 06:04 PM


Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi
Shkrimtari i njohur çek Jarosllav Hashek,e fillon romanin e tij të famshëm “Ushtari i mirë Shvejk”,me një situatë ambiguiteti, ku personazhi kryesor Shvejku pasi merr vesh se është vrarë një Ferdinand nuk është në gjendje të dallojë se për cilin Ferdinand bëhet fjalë. Në të vërtetë ngjarjet me të cilat fillon romani nuk ishin aq komike dhe s’bëhej fjalë për asnjë nga Ferdinandët që kujtonte Shvejku,por për trashëgimtarin e fronit të Austro-Hungarise, arqidukën Ferdinand të vrarë nga terroristët serbë më 28 Qershor 1914 në Sarajevë.

Me këtë situatë tragji-komike, Shvejku niste karrierën e vet si personazh i pavdekshëm komik, ndërsa terroristët serbë me aktin e tyre nisnin themelimin e një shteti artificial të quajtur Jugosllavi-ku nacionalizmi serb do të dominonte ndaj nacionalizmave te tjerë. Veprimi i tyre do të prishte ekulibrin te forcave në Evropë dhe rrjedhimisht do të sillte dhe shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Ishte për të ardhur keq që për hir të ruajtes së ekulibrit të forcave, një vit me parë Fuqite e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kishin sakrifikuar fatin e një populli te vogël dhe fisnik si ai shqiptar,duke u dhënë pjesë të konsiderushme të territoreve të tij vendeve fqinje. Ishte kjo arsyeja që kryeministri anglez i asaj kohe Sër Eduard Grey deklaronte në dhomën e komuneve,se vendimet për kufinjtë e Shqipërisë”do të japin shkas për kritika të forta në shumë pika nga kushdo që e gjykon çështjen nga një pikpamje e ngushtë lokale”(dmth nga pikëpamja e kombësisë).Në të njëjtën linjë por pa ndonjë keqardhje të madhe, ministri i jashtëm rus Sozanov do ti shkruante kryeministrit serb Pashic të asaj kohe, se “kemi bërë të pamundurën për tju dhënë krahina krejtësisht shqiptare” Një lexim i vëmendshëm i historisë, duke shmangur sensin e ambiguitetit të Shvejkut do t’i mjaftonte Rusisë së sotme, që të mos veçohej nga bashkësia e shteteve që përkrahin pavarësinë e Kosovës, por të jepte kontributin e vet si një shtet-anëtar i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të zgjidhur njëherë e mirë një padrejtësi ku diplomacia e saj e fillimit të shekullit XX mban peshën kryesore të fajit. Rusia nuk do të jetë kështu e vetmja fuqi e madhe që korrigjon vetveten. Edhe Anglia në fillim të shekullit XX ishte një përkrahëse e fortë e Greqisë në konfliktin Greko-Turk, të pas Luftës së Parë Botërore, duke përkrahur pretendime territoriale të Greqisë në Azinë e Vogël, por pas ngjarjeve tragjike të 1921, filloi ta braktiste gradualisht politikën e vet pro-greke duke ndërtuar ngadalë-ngadalë një politikë balancuese në marrëdhëniet e saj me Greqinë dhe Turqinë. Ishte kjo politikë largpamëse që e rreshtoi Turqinë në grupin e vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore (edhe pse Turqia hyri në luftë vetëm në Maj të 45) dhe e radhiti atë në një nga shtetet themeluese të NATO-s. Duke vepruar kështu Anglia dhe më vonë SHBA, krijuan një klimë stabiliteti në Egje që pavarësisht se është prishur shpesh herë në incidente të pakëndshme, gjithnjë kanë gjetur zgjidhje në kuadër të dialogut midis shteteve anëtare të NATO-s. Në këtë sens, Rusia duhet të jetë e ndërgjegjëshme se prania e shqiptarëve në disa shtete në rajon, i faktorizon ata njëlloj sa dhe aleatët e tyre tradicionalë – serbët, për më tepër që të gjitha rrugët energjitike për në Europë kalojnë dhe do të kalojnë nëpërmjet territorit shqiptar, rrugë për të cilat Rusia është shumë e interesuar për të eksportuar gazin e vet. Loja me gazin që ajo po luan me disa shtete të dobëta europiane kufitare me të,duke i detyruar që të shprehen kundër pavarësisë së Kosovës është një politke presioni, që Rusia ka ndjekur ndaj fqinjve qysh nga koha e Pjetrit të Madh. Është e vërtetë që për disa momente të caktuara në histori ajo ka dominuar mbi ta, por asnjëherë nuk ka nganjëllyer.Hegjemonizmi rus kurrë nuk ka ditur të krijojë marrëdhënie patneriteti,por vetëm marrëdhenie vasaliteti të bazuara mbi arrogancë dhe prepotencë Rusia me të njëjtin hegjemonizëm, kësaj radhe për llogari të aleatëve të tyre serbë, është duke vepruar në çështjen e zgjidhjes së Kosovës, duke dhënë shembullin më të keq se si një shtet anëtar i Këshillit të Sigurimit mund të keqpërdorë veton. Alibitë e ndryshme juridike-parimore për moscënimin e territoreve të shteteve të tjera nuk janë gjë tjetër vecse një përpjekje për t’iu imponuar botës sërish si fuqi e madhe, një veprim që vjen në një kohë të gabuar dhe kundër një populli që i detyrohet moralisht.Vjen në një kohë të gabuar se bota nuk është më ajo e fillimit të shekullit XX,ku diplomacia cariste lozte me fatin e popujve të vegjël,por është tashmë një botë e integruar dhe e ndjeshme ndaj problemeve etnike dhe lirive dhe të drejtave të njeriut,koncepte të cilat Rusia me sa duket e ka të vështirë ti kuptojë siç e tregon rasti i Çeçenise. Rasti i Kosovës është unikal përsa i përket zhvillimit të ngjartjeve historike-kostuticionale dhe si i tillë po trajtohet dhe do të trajtohet nga diplomacia botërore,përveçse Rusisë.Serbia nuk ka më të drejtë morale të rikthehet në Kosovë sepse ushtroi një genocid të pashembullt ne vitin 1999,genocid për të cilin akoma nuk ka kërkuar falje publike.Fundi-fundit Rusia do të mbetet vetëm përballë kualicionit të vendeve që përkrahin pavarësinë e Kosovës,sepse ashtu sic deklaroi dhe shefi i diplomacisë europiane Havier Solana,para së gjithash Kosova është një çështje europiane” dhe shume shpejt Bashkimi Evropian do te marrë përsipër “përgjegjësitë e veta.” Kërcënimeve të Presidentit rus Putin se me “dhënien e pavarësisë së Kosovës shikon nje konflikt të ri boteror” ndoshta duhet t’i tregohet ana tjetër e medaljes të fillimit të Luftës së Parë Boterore,ku paraardhësi i tij Car Nikolla,me hyrjen e tij ne luftë për të mbrojtur Serbinë,pothuajse nënshkroi fundin dinastisë së tij treqindvjeçare.”Historia kur përsëritet,përsëritet ne mënyrën më të keqe”shkruan Aristoteli dhe autorët klasikë ashtu si ka treguar koha pothuajse gjithmonë kanë pasur të drejtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT