Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Masakra e 2 prillit '91 në Shkodër, e ëma e Arben Brocit akuzon Gramoz Ruçin

| E diele, 07.03.2010, 08:27 PM |


Ministri i Sigurimit të Shtetit urdhëroi ekzekutimin e katër studentëve që protestonin kundër diktaturës

Lije Broci, e ëma e Arben Brocit, Dëshmorit të Demokracisë akuzon si vrasës të martirëve të të Shkodrës, Ramiz Alinë dhe Gramoz Ruçin. Me plagën e madhe të nënës për humbjen e djalit në moshën më të bukur, rrëfen disa detaje lidhur me atë që ndodhi në atë ditë të zezë të prillit. Sipas nënës së Dëshmorit të Demokracisë, personat që urdhëruan vrasjen e katër të rinjve dhe plagosjen e disa dhjetëra të tjerëve janë Ramiz Alia e Gramoz Ruçi. Ajo thekson se ka njohur në mënyrë të rastësishme edhe personin që ka shtënë mbi të birin. Sipas Lije Brocit, vrasja ka qenë e qëllimshme. "Im bir ishte përcaktuar të vritej. Ai e dinte këtë dhe shpesh më thoshte se do të më vrasin nënë, por t'i duhet të jesh e fortë. Ishte pikasur që në dhjetor të vitit 1990, në takimin që studentët e Dhjetorit, patën me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë. Pas fjalëve mashtruese të Alisë, im bir kishte kundërshtuar duke i kujtuar Presidentit qëllimin e atij takimi, pluralizmin", kujton nëna e Dëshmorit të Demokracisë. "Kur dolën, shton ajo, Beni më ka treguar se Ramiz Alia i kishte kapur lehtë flokët. Ishte një veprim tipik i Enver Hoxhës, që u rrihte shpatullat atyre që donte t'i eliminonte. Beni e kishte kuptuar këtë dhe e ruajtën rastin më 2 prill", tregon Lije Broci. Sipas saj, ajo që ka ndodhur më pas ka qenë edhe më e rëndë, kur, dy muaj pas ngjarjes, është thirrur nga Ramiz Alia. "Edhe pse nuk desha në fillim, më pas më shtyu kurioziteti. Ai më është lutur të mbyll çshtjen. Ti, më ka thënë Alia, duhet të falësh, ose të dhurosh gjakun e djalit tënd dhe ne mund të të përgjigjemi edhe me lekë sa të duash në milionë. Ndërsa unë i jam përgjigjur se edhe sikur të më shtrojnë në ar të gjithë Shqipërinë nga Vermoshi në Konispol, nuk e fal gjakun e tim biri. Pas kësaj, Alia më pyeti nëse ndokush e dinte qe isha aty. I thashë se kam biseduar me doktorin (Berishën) dhe se kanë ardhur me mua të paktën 2000 shkodranë. Edhe një fije floku po të më preket, do të bëhet nami në Tiranë. Kur dola nuk kam folur me askënd deri në Shkodër", shton me tej Lija. Ajo thekson se është e zhgënjyer nga vendimi i drejtësisë lidhur me masakrën, ndërkohë që është e dukshme se sa dhimbje i shkakton kapardisja e vrasësit të të birit në Parlament si kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste. "Nuk doli asnjë nga të vërtetat. Gjyqi dihet se u shpejtua nga që ne, nënat e dëshmorëve, e kërkuam sa më shpejt. Ata që ishin në bankën e të akuzuarve nuk ishin pa faj. Në radhë të parë, për shkak se pranuan të qëllonin me armë", thotë Lija, duke shpresuar për një rihapje të gjyqit dhe vënien e drejtësisë në vend. Ajo rrëfen edhe për një moment tronditës kur ka njohur njeriun që qëlloi mbi të birin. "Një ditë teksa po vija nga varrezat një polic i kohës së regjimit donte të më paguante 20 lekëshin e biletës së urbanit. I thashë të më linte të qetë dhe ai reagoi shumë keq. Nuk desha ta vrisja, më tha. Më urdhëruan. I gjithë autobusi reagoi keq. I thashë se kishte shumë për të paguar dhe për këtë jam e tronditur akoma ", thotë Lije Broci. Ajo mban të njëjtën plagë që duket se nuk ka për t'iu shëruar kurrë. Jeton në Tiranë dhe herë pas here shkon në Shkodër vetëm për të vajtur në varreza për të takuar të birin që tashmë nuk jeton më. "Kam shkuar edhe në mes të plumbave në 1997. Madje, mbaj mend se një djalë i ri më ndaloi dhe më pyeti se ku po shkoja. I thashë tek im bir, Beni. Kur mori vesh se kush isha, u foli me zë të lartë shokëve dhe i urdhëroi që të mos qëllonin sepse isha nëna e Arben Brocit", shprehet me lot në sy Lija. Sipas saj, Arbeni që u vra në lule të moshës, nuk është vlerësuar aq sa duhet. Lija si nënë vazhdon të jetë e zhgënjyer po njësoj si pak ditë pas ngjarjes.

2 prilli i '91

Më 2 prill të vitit 1991, në qendër të Shkodrës vriten katër djem të këtij qyteti. Me urdhër të Gramoz Ruçit, në atë kohë ministër i Brendshëm, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, morën plumbat e "bishës" që përjetonte ditët e fundit të saj. Pak kohë pas ngjarjes, të katër u nderuan me emrin "Dëshmorë të Demokracisë", ndërsa me një vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit, 2 Prilli do të ishte dita e "Dëshmorëve të Shkodrës". Për 19 vite me radhë, krimi përkujtohet si një ndër më makabrit, që kishte në sfond motive politike. Festimet e çdo viti mbajnë emrin e përbashkët të shoqatës "2 Prilli", që së bashku me Bashkinë e Shkodrës, organizojnë në sheshin me të njëjtin emër, ceremoninë përkujtimore, ku nën tingujt e bandës së qytetit, pranë përmendores së ngritur në kujtim të këtyre martirëve, kryhen ritet. Kjo ditë në qytetin verior, njihet edhe si dita e fitores së demokracisë.

Shqipëria rast unik ku ministri i Sigurimit të Shtetit ngjitet në një post kaq të lartë

Janë me mijëra familjet shqiptare në të cilat daljet publike të Gramoz Ruçit shkaktojnë dhimbje, neveri e përbuzje. Këto janë familjet, të afërmit e të cilëve u vranë me urdhrin e ministrit të fundit të Sigurimit të Shtetit nga falangat e krimit në kufijtë e vendit apo në sheshet ku protestonin kundër diktaturës. Jo vetëm për këto familje, por për shumicën e shqiptarëve fytyra bolshevike e Ruçit është simboli më i goditur i makthit 50-vjeçar që kaloi vendi, të cilin pasardhësja e Partisë së Punës po kërkon ta riciklojë. Me zgjedhjen e tij në krye të Grupit parlamentar të PS-së, duket se daljet publike të Ruçit do të jenë edhe më të shpeshta, çfarë nënkupton se dhimbja për këta qytetarë do të shumëfishohet. Çdo përvjetor, shtëpia e Lije Brocit mbushet plot me njerëz dashamirës, miq dhe të afërm. Por asaj i mungon Arbeni, djali inteligjent dhe një prej të rinjve që në vitin 1991, njihej si potencial për të ardhmen e vendit. Shfaqjet e Gramoz Ruçit dhe sidomos leksionet e tij për demokraci, e pezmatojnë aq shumë Lijen dhe mijëra nëna e baballarë të tjerë shqiptarë, fëmijët e të cilëve u vranë në lulen e rinisë për fajin e vetëm se guxuan të protestojnë kundër diktaturës apo tentuan të kalojnë kufirin për të lënë pas krahëve jetën makabre që u kishte krijuar partia-shtet. Me riciklimin e Gramoz Ruçit në krye të Grupit parlamentar të partisë kryesore të opozitës, Shqipëria shndërrohet në vendin e vetëm të Europës ish-komuniste, që ka në një post kaq të lartë politik një funksionar të Sigurimit të Shtetit. Kjo sigurisht është tepër lënduese për ata mijëra qytetarë që kanë përjetuar mort në familjet e tyre vetëm nga një urdhër që ish-ministri i fundit i Sigurimit ka dhënë për vrasjet e njerëzve të tyre të dashur.

Martirët e 2 prillit

Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik

Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik

Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik

Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bota Sot