Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Laureta Mema: Vallja e mllefit…

| E merkure, 24.10.2007, 05:48 PM |


Nga Laureta Mema

 

Përse mllefosemi ne emigrantët shqiptarë? Nga malli për atdheun, gjuhën, kulturën, familjen, kujtimet…? Malli imagjinar shkarkuar në mllefe? Mllefet e një jete të shtyrë kaq zhurmshëm e dhunshëm nga padrejtësia. Se ishte padrejtësi të bije nga anijet si hije, të përgjoje para ambasadave në vite, të ikje me shpresën për të mos u kthyer më, të lije çdo gjë nga mbrapa, të vrisje nje ideologji, një sistem të tërë, të stërmundoheshe për të harruar… Se ishte padrejtësi të ja filloje nga e para, pa gjuhën tënde shqipe, pa kulturën tënde për te cilen dikur ishe krenar, pa dashurinë e atyre që mbetën nga pas, pa shpresen per tu kthyer. Se ishte padrejtësi të shkelje mbi aq shumë dhimbje; dhimbje e shumëfishuar nga imagjinata më shumë, edhe atje larg; dhimbje e pjellur në vazhdimësi nga dhimbja. Pastaj kthejmë kokën prapa se duam një lajm nga larg. Nje lajm të mirë për të harruar se mllefi s’është i ëmbël, se as dhimbja s’është e ëmbël. Pastaj kthehemi… Kthehemi… Pse kthehemi? Mos vallë mllefi kërkon të shpërthejë diku, në një plasaritje? Është vërtetë një mekanizëm i tërë mllefi që s’mund ta ndalosh. E si ta ndalosh kur s’ke arësye e mundësi për ta qetësuar. Se ikëm! Mllefi ndaj sistemeve të dhunës na bëri të ikim. Morëm me vete mllefin, pa valixhe, e palosëm bukur në shpirt dhe ikëm, jo si turistë por si endacakë. Ngjallëm arbëreshët e vdekur me hapat tanë në heshtje…

Kthehemi! Por kur kthehemi mllefi zë përdore gjithë mllefet e tjera dhe ia hedhin një valleje, ashtu të gjithe së bashku, kapur dorëpërdore, saqë këmbët e mallkuara duan veç të ja mbathin. Se mllefi rizgjohet e të shurdhon me ulëritjet e tij pa fund: “Ç’deshe që u ktheve? Ç’deshe që më hape dyert e dhimbjes? Ç’deshe të luash me mua sipas tekave të mallit?” Mllefi na bashkon, na bën të kthehemi, të mos harrojmë, të shpresojmë se fjalët s’do fshihen, se dhimbja nuk fshihet jo. SE DHIMBJA NUK FSHIHET JO!!! SE PADREJTESIA VAZHDON, jo se s’ka padrejtesi kudo, por kjo padrejtësia ime shqiptare se ç’ma kall mullarin e dhimbjes, se ç’ma bën mllefin prush…

Një shpresë më lindi nga një mendim që me erdhi nga larg, mendim i padëgjuar, mendim që lindi vetveten: PO SIKUR MLLEFIN TA PASQYRONIM NË SY? Atëherë do ju shihja të gjithëve e do ju njihja, atëherë do shihja me sa hijeshi na bashkon mllefi ne vallen e lashtë kapur dorëpërdore, do shiheshim me sytë e mllefit, do kapeshim me duart e mllefit, do putheshim me buzët e mllefit… po te paktën s’do iknim më! Se do kishte vend për të gjithë … ulur këmbëkryq në SOFRËN E MLLEFIT!


S’është për të qeshur!

Jetoj në shumë planete njëkohësisht
Rrethuar me qelqe gabimisht
Nganjëherë me gishtat e këmbës
Gudulisem te kokrrizat e ftohta të rërës

Pa kullën, nuk jam pishman
Në një shtëpizë të huaj, bam-bam
Do ta shqyej një gardh, prapëseprapë
Pa arritur kurrë… të pulldis qerpikët e mi
                        Pas xhamave të tu të zjarrtë!