E marte, 23.04.2024, 11:16 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Poezi për vrasje në mes të natës së 26 shkurtit 1951

E enjte, 04.03.2010, 07:14 PM


Nga Agim Xh. Dëshnica
 
Pak fjalë për ngjarjen e kobshme/Më 26 shkurt 1951, diktatura e egër komuniste, veproi sërish me vrasje barbare, pa ligj, pa gjygj e pa turp, kundër 22 qytetarëve të pafajshëm.  Akti i egër u krye në terr të natës, pranë Urës së Beshirit. Lajmi tok me mallkimin u përhap kudo me pëshpërimë, sepse për çdo krim dëshmitari është i pranishëm përherë. Qysh të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, fshatarët e asaj zone trokitën të tronditur në dyert e miqve të tyre dhe sipas një zakoni të vjetër, treguan se ç’kishte ndodhur në mes të natës.   
Përse i vranë këta njerëz të mirë? Dokumentet gjyqësore të pafirmosura që ruhen edhe sot, hedhin dritë për ato ditë e net të frikshme. Një bombë ishte hedhur përtej murit në anën e shkretë të oborrit të Ambasadës Sovjetike, pa dëmtuar askënd. Krerët e trembur të diktaturës, me E. Hoxhën e M. Shehun në krye, u mblodhën menjëherë dhe hartuan listën për arrestime dhe njëkohësisht morën vendimin e jashtëligjshëm ndaj dhjetra qytetarëve të Tiranës, nga këta 22 vetë me pushkatim. Asnjë seancë hetimi nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari, as i pandehuri. Mungonin dëshmitarët dhe avokati. Dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta, pas ekzekutimit të viktimave që shkuan drejt vdekjes pa e ditur përse. Nga qelia i transportuan me një kamion, të lidhur tok me tela me gjemba, i hodhën në një gropë të përbashkët dhe i pushkatuan pa mëshirë. Me këtë akt barbar uzurpatorët e Shqipërisë, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kënaqën miqtë e tyre rusë dhe qetësuan jetën e tyre të mbrapshtë. Edhe Shekspiri i tragjedive s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, se si brenda një nate u vranë nga dora gjakatare, aq mizorisht, 22 njerëz! Në të vërtetë  kjo ndodhi tragjike ishte vazhdimi i vijës terroriste të PKSH. Zbatuesi më i vendosur i kësaj vije, ishte padyshim Enver Hoxha, që e lau me gjakun e shqiptarëve rrugën drejt pushtetit të tij totalitar.
Ata njerëz të pafajshëm që humbën jetën, të gjithë banues në Tiranë, ishin: 1-Sabiha Kasimati -lindur në Ankara 1912, dijetare e talentuar. 2. Reiz Selfo- lindur në Gjirokastër, tregtar. 3. Pjerin Guraziu-lindur në Shkodër më 1906, ekonomist dhe sportist. 4.Anton Delhysa-lindur në Prizren 1904, specialist ndërtimi. 5. Zyhdi Herri-lindur në Tiranë më 1921, gazetar. 6. Gafur Jegeni-lindur në Dibër më 1908, oficer. 7. Myftar Jegeni - lindur në Dibrën e Madhe më 1915, oficer. 8. Manush Peshkëpia- lindur në Vlorë më 1912, poet i njohur. 9. Niko Lezo - lindur në Delvinë më 1891, kimist. 10. Lluka Rashkoviç- lindur në Mal të Zi më 1900, shofer-mekanik. 11. Haki Kodra-lindur në Dibër të Madhe më 1921, tregtar. 12. Thoma Katundi-lindur në Katund të Korçës më 1887, ish Vatran në SHBA. 13.Tefik Shehu-lindur në Gjakovë, ekonomist dhe jurist. 14. Gjon Temali - lindur në Shkodër më 1904, farmacist. 15. Ali Qorraliu-lindur në Tiranë më 1890, jurist. 16. Fadil Dizdari - lindur në Kavajë, librashitës në Tiranë 17. Jonuz Kaceli- lindur në Tiranë, tregtar. 18. Hekuran Troka-lindur në Kuçovë më 1919, tregtar. 19. Petro Konomi-lindur në Kajro më 1921, punonjës i ATSH. 20. Qemal Kasaruho-lindur në Gjirokastër, ekonomist. 21. Pandeli Nova-lindur në Opar më 1892, ekonomist. 22. Mehmet Shkupi- lindur në Shkup më 1893, kalorifist.

Rrjedha e lumit nën urë

Kushtuar shqiptarëve të vrarë, pa gjyq e pa faj, në vitin 1951, pranë Urës së Beshirit

Erzeni trishtueshëm te Urë e Beshirit rrjedh,
e sillet e shtillet  vorbull, te bregu nën gjeth.
Me zhaurimë në zall, mbi bar hedh lot-stërkala
sado krim  në terr, me pëshpërimë përhapet fjala…
Dritaret e hijet, dushqet e shkurret, tregojnë,
për gropë martirësh në heshtje dhe gurët vajtojnë.
Dhe toka e zezë për njerëz të mirë pa faj,
ndër tela me gjemba thurur gjallë, skaj më skaj.
Cilës epoke tiranësh u përkasin, o antropolog,
këto eshtra shpupurisur në pluhur, lidhur tok?!
Mos janë ilire, në errësira kohësh vrarë
nga spata , shigjeta e ushta, hordhish barbarë?
Jo, jo! Vrastarët nuk janë prej fisesh leshtorë,
por komisarë të  kuq  me yll të kuq gjëmbor!
Komisarë qelish pa gjyqe, pa firmë e vulë.
Komisarë pa shpirt, pa besë, pa mend e pa turp.
Komisarë me hakërime, goditje e mandatën 
me ngjirje, plotonë, krisma e plumba natën.
Dhe bisha fle, kur ngryset në pyll a në shpellë! 
Dhe ujët fle, drurët prehen në gjumë të thellë!     
Më kot fërkojnë duart me gjak komisarët,
më kot mundohen të harrohen gjithë të vrarë!
Nga gropa, nga gropa shpirtrat fluturuan lart,
me fllad Perëndie u qetua çdo lëngatë!
Një poet qiejsh ndër muza, libra diturie,
Një bir Kosove e burrë i urtë malsie! 
Njeri fisnik nga derë artistësh lulëzimi!
Ekonomist një tjetër me ëndrra përparimi!
Tjetri vatran, zhuritur nga mall mërgimi!
Një ëngjëllore, nimfa e gjallërisë ujore,
Sabi, Sabihaja, puhiza mëngjezore!
Në lumenj, det, oqean, dëgjohet thirrja e saj,
shpirti fëminor endet livadhesh në parajsë.
Mërmërojnë valët: Sabi! Sabi! Sabiha!
Buçasin dallgët: Sabiha! Sabiha! Sabiha!           
Erzeni u zgjua, te urë e Beshirit rrjedh,
e sillet e shtillet nën lule e gjeth,
me zhaurimë në zall e mbi bar hedh lot-stërkala, 
për krime terri me oshëtimë përhapet fjala!...


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora