E premte, 19.04.2024, 11:00 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Debati për "Shkupi 2014", kush nga shqiptarët do të jetë në sheshin qendror

E enjte, 04.03.2010, 06:13 PM


Nga INA
 
SHKUP- Bustet e rreth tre apo katër personaliteteve historike shqiptare do të jenë në sheshin e Shkupit, si pjesë e projektit "Shkupi 2014". Lajmi jepet sot nga burime qeveritare, të cilët theksojnë se marrëveshja parimisht ka marrë dritë jeshile nga ana e Qytetit të Shkupit, por edhe nga kryeministri Nikolla Gruevski, në një takim të fundit me partnerin e tij të koalicionit Ali Ahmeti.

Në mediat e afërta me qeverinë, por edhe nga burime qeveritare konfirmohet se ndër propozimet më të përafërta për t`u vendosur janë personalitetet dhe atdhetarët shqiptarë Josip Bageri, Nexhat Agolli, Hasan Prishtina, etj. Mirëpo me propozimet e saj qëndron edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni (SHHSHM).

Përfaqësues të kësaj shoqate theksojnë se ata janë më të interesuar për të vlerësuar se cilët personalitete historike ndërlidhen me historikun e shqiptarëve në territorin e Maqedonisë aktuale apo Shkupit.

"Ka shumë figura dhe ne kohë më parë në adresë të Ministrisë së Kulturës dhe Parlamentit dorëzuam 100 emra me personalitetet historike shqiptare këtu", ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA kryetari i shoqatës së historianëve, prof.dr. Nebi Dervishi.

Ndër figurat që tanimë ka marrë dritën jeshile për t`u vendosur është Nexhat Agolli, ministri parë i Maqedonisë pas pavarësimit të saj në vitin 1945, i cili nga SHHSHM konsiderohet si një personalitet dhe atdhetar i shquar i historisë më të re shqiptare.

"Nexhat Agolli e ka meritën, ai ishte një patriot dhe kombëtar, që u pushkatua më 28 prill 1949, pasi kishte kërkesa dhe vizion të palëkundur për kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni. Ai ishte zëvendëskryeministër i parë, ministër i drejtësisë, themelues i gazetës Flaka dhe Radio Shkupit", ka theksuar historiani Dervishi, duke shtuar se Agolli u pushkatua në mënyrë mizore në sheshin e sotëm të Shkupit. Ndër propozimet e tjera që dalin nga shoqata e historianëve janë edhe: Jashar Beu- prefekti i parë i Shkupit në kohën e Lidhjes së Prizrenit, Azem Morana, kreu i lëvizjes NDSH në Shkup, gazetari dhe shkrimtari Jashar Erebara, deputeti i shquar Nexhip Draga, Nikolla Bojaxhiu, babai i Nënës Terezë, i cili u helmua në vitin 1918 nga regjimi serb, Isa Boletini e Bajram Curri që janë të lidhur me historinë e Shkupit dhe shumë emra të tjerë.

Siç bëhet e ditur, partia shqiptare në pushtet BDI po zhvillon takime intensive me krerë të institucioneve dhe shoqatave të specializuara lidhur me gjetjen e figurave më të përshtatshme që janë sinonim i Shkupit. Gjitha emrat e propozuar janë në skaner të partnerëve të koalicionit dhe mbahen në heshtje, derisa të marrin dritën jeshile në kuadër të komunës Qendër të Shkupit. 

Nga ana tjetër, edhe Lëvizja "Zgjohu!" kohë më parë dorëzoi pranë komunës Qendër propozimet e saj për ngritjen e busteve dhe përmendoreve për personalitetet historike shqiptare, ndër të cilat ishin edhe emrat e Adem Jasharit, Ismet Jasharit-Kumanova, Ibrahim Rugovës, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës dhe emra të tjerë të historisë shqiptare. Gjatë ditëve të ardhshme pritet edhe seanca e bllokuar në këshillin komunal të komunës Qendër, ku në rend dite pritet të jetë propozimi për "Burmali Xhaminë" si dhe propozimi i "Zgjohu!" për personalitetet historike shqiptare.

Kisha dhe xhamia - anashkalohen nga axhenda
Ndërtimi i xhamisë "Shën Konstantini dhe Elena" si dhe propozimi i shpalosur për ndërtimin e "Burmali Xhamisë" janë hequr nga agjenda e projektit "Shkupi 2014". Kjo bëhet e ditur për agjencinë e lajmeve INA nga burime qeveritare, që bëjnë të ditur se këto objekte të kultit për momentin do të hiqen nga agjenda.

"Nuk është në axhendë edhe kisha dhe sigurisht do të shkohet në propozimin që të mos ketë objekte të kultit në shesh. Ky sugjerim sërish ka ardhur edhe nga ana e zyrtarëve evroperëndimor nga Brukseli, të cilët tentojnë të ulin tensionet krijuara ndërfetare, që u ngritën me futjen në planin urbanistik të kishës në kuadër të komunës Qendër, ndërsa u përjashtua xhamia", ka theksuar zyrtari i lartë i Qeverisë.  


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora