Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jeton Kelmendi: Intervistë Ekskluzive me regjisorin dhe dramaturgun Fadil Hysaj

| E hene, 08.10.2007, 08:45 PM |


Fadil Hysaj
Kultura është viktima e parë e tranzicionit 

Drama shqipe nuk po arrin ende  të konsolidohet, sepse ajo varet nga niveli në të cilin është vete teatri. Krahasuar me situatën nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri, me përkrahjen që  sot ka teatri nga institucionet përkatëse, konsideroj se kemi shfaqje të nivelit shumë të lartë.

Intervistoi Shkrimtari dhe publicisti Jeton Kelmendi - Zemra Shqiptare

Zemra Shqiptare: Kosova e presioneve politike për statusin, ku e ka kulturën dhe si merr fryme kultura ne ditët e sotme? 
 

Hysaj: Kultura është viktima e parë e tranzicionit  dhe periudhës së statusit të pazgjidhur të Kosovës.
- Dhe është për çudi që havaria nuk është më e madhe se sa do të ndodhte të cilido popull në situatë ngjashme  me garniturë  qeveritarësh çfarë i kemi ne. Por edhe ne  një situatë të tillë, njerëzit e artit kanë bërë atë që  kanë pasë mundësi të bëjnë. Artisti krijon diçka ne çfarëdo rrethane. E bën ketë  i shtytur nga gjeni i tij krijues, e bën ketë  sepse ndryshe vyshket dhe nuk ekziston me.

Zemra Shqiptare: Ju jeni edhe profesor në Akademinë e Arteve, cilat janë problemet me të cilat merreni, fjala është për vështirësitë, qofte materiale, qoftë organizative të  funksionimit normal, karshi vendeve tjera?

Hysaj: Vështirësitë kanë qenë dhe ende vazhdojnë të jenë të shumta. Punohet në kushte mizore. Por megjithatë kem nxjerre disa gjenerata studentësh të mirë të cilët me punët e tyre nuk janë aspak nen nivelin e kolegëve të tyre në rajon.
 
Zemra Shqiptare: Teatri Kombëtar përpiqet  të bëj diçka, brenda mundësive, çka është e vërteta me të?

Hysaj: Po përpiqet, por mjerisht  shumëçka ka  ngelë në nivel të përpjekjes. Nganjëherë ndodhin edhe shfaqjet e mira. Por hapësira e teatrit shfrytëzohet edhe për aktivitete tjera, për manifestime edhe të  karakterit politik, për mbledhje komemorative,  etj. Një herë, tetari u shfrytëzua edhe për një manifestim të organizuar nga një shoqatë e frizerëve.  Por në teatër pos përgatitjeve të shfaqjeve  ndodhin edhe manifestime të karakterit artistik, si festivali i filmit të shkurtë, festivali ndërkombëtar i tetarit “Kosova infest”, festivali i filmit dokumentar, festivali ndërkombëtar i shfaqjeve dhe filmave studentor “Skena up”  etj.
 
Para teatrit mbahen manifestime tjera publike, koncerte e protesta. Teatri dhe hapësira rreth tetarit është bërë një pikëtakim, për të gjitha  ngjarjet pos për atë për çka ai ekziston, për shfaqjet teatrore. Ajo që më së paku trajtohet si ndodhi në këtë shtëpi dhe rreth saj janë shfaqjet, qofshin ato të dobëta, mesatare apo shumë të mira. Pjesa më e madhe e njerëzve të politikës  kanë hipe në skenën  e këtij teatri, kanë mbajtur, aty ndonjë fjalim politik, por rrallë ka ndodhë të vijnë në teatër përë të parë ndonjë shfaqje teatrore... Dhe kjo shpërfillje cinike që ata i bëjë këtij institucioni ka pas,  si pasojë degradimin e teatrit nga një institucion elitar çfarë duhet të jetë tetari në një shoqëri serioze, në një shtëpi të rëndomtë kulture ku ndodhin gjithfarë aktivitetesh dytësore...

Zemra Shqiptare: Z. Hysa ju jeni edhe dramaturg, a mund te na thoni se ku është niveli i dramës që krijohet sot dhe dramës shqipe në përgjithësi?

Hysaj: Drama shqipe nuk po arrin ende  të konsolidohet, sepse ajo varet nga niveli në të cilin është vete teatri. Në Shqipëri drama lëngonte deri vone nga folklorizmi dhe socrealizmi, e tash lëngon nga modernizmi anakronik dhe vulgar... Ndërsa drama në Kosovë nuk po arrin ende të lirohet nga  konstruksioni simbolikë-alegorik. 
Dramës shqiptare i mungon ende, drama e mirëfilltë, asaj i mungon rrethana jetësore në të cilën personazhet veprojnë,  me karaktere  të përafërta, me ata që i njohim nga jeta e përditshme... 

Zemra Shqiptare: Edhe filmi, disi po zhvillohet, disa thonë se gjithë filmat e pas luftës, si serjalet ashtu edhe filmat e tjerë, kanë  një nivel te dobët artistik, nga ana tjetër ka disa filma që edhe janë shpërblyer në festivale ndërkombëtare, ku është e vërteta këtu? 

Hysaj: Po kjo është e vërtetë. Sikurse me shfaqje, ashtu edhe për filma ka pasur  disa depërtime në nivel ndërkombëtar, që e demantojnë tendencën për të parë gjithçka keq  në këtë fushë. Është fakt se një numër i vogël i kineastëve kanë pasur mundësi të punojnë.   Dihet që filmi është produkt i shtrenjtë, mirëpo, më e shtrenjtë se kjo është pasoja e mos investimit në këtë fushë. Me një kinematografi të zhvilluar, kemi pasur mundësi të mëdha që të ndryshojmë imazhin tonë në Evropë. Shikoni çka kanë bërë boshnjakët:
Ata kanë investuar në film edhe në situata shumë më të renda se ato nëpër të cilat kemi kaluar ne. Ne kemi edhe tema edhe  kuadër të kualifikuar, që të bëjmë filma të të njëtit nivel si ata në Bosnje, por ka disa vite që kjo punë nuk i intereson askujt në Ministrinë e Kulturës. Qe tri vite, prej  që kur është bërë Qendra Kinematografike në kuadër të MKRS-së  dhe nuk është bërë asnjë film i metrazhit ët gjatë...
 
Zemra Shqiptare:  Ju jeni edhe piktor, unë kam parë një pikturë në shtëpinë tuaj, e cila dallon krejtësisht për nga fryma imagjinative që krijohet ne Kosove. Çka mund te na thoni për ketë?

 
Hysaj: Oh jo. Unë i jam kthyer pikturimit  për relaksim personal, pas 37 vitesh. Si nxënës i shkollës së mesme kam pikturuar, bile gjimnazin e kam mbaruar në një pikturë si punim diplome. Por rruga e ime e mëvonshme ka vazhduar kah teatri. Dhe tash mbase kam pas nevojë t’i rikthehem pak vetvetes,  të rinjoh diçka të panjohur brenda meje përmes pikturës. Kjo edhe ka qenë një nga temat e një pikture e cila ju ka pëlqye shumë. Përmes saj jam munduar ta ridefinoj vetveten nga një aspekt psiko-gjenetik. Në “autoportretin” tim  janë prezent edhe portretet e  paraardhësve te mi  që në një mënyrë apo një tjetër vazhdojnë ekzistencën e tyre brenda meje në një trajtë të re. Nuk ja kam treguar as këtë piktura e as të tjerat asnjë piktori. Ju ishit ndër të paktit që e keni parë.
 
Zemra Shqiptare: Në Kosovë, po mbahen disa festivale, madje edhe te karakterit ndërkombëtare, ku është esenca e tyre?
 
Hysaj: Është mirë që po mbahen, sepse kështu së paku iu mundësohet të shohin shfaqje të huaja, atyre që nuk kanë mundësi të vizitojnë teatro nëpër botë. Në festivale pastaj është e rëndësishme edhe atmosfera festive dhe kulturore që përshkon venin ku mbahen shfaqjet, si dhe qytetin. Edhe pse kam përshtypjen se këto festivale ende vuajnë nga organizimi joprofesional i tyre, dhe nga entuziazmi, që pas pak vitesh sa vije e tretet. Është shumë vështirë të organizohet  një festival i mirë.
 
Zemra Shqiptare: Çfarë projekti mund të shohin artdashësit tuaj nga ju, në një të ardhme jo te largët?

 
Hysaj: Ka vite që kam nëpër duar një skenar, për film të metrazhit të gjatë në të cilin trajtohen tri momentet më dramatike të historisë së Kosovës së pas viti 45.  Kosova në periudhën e aksionit të armëve (1956) , Kosova në vitin 1981, dhe Kosova në vitin 1998-99.
Për realizimin këtij filmi, duhet buxhet  dhe përkrahje shtetërore të cilën, unë nuk e kam pas edhe pse ky skenar në një konkurs të Ministrisë për Kulturë është shpallë më i miri. Po pres deri sa të bëhet shteti i Kosovës dhe derisa në krye të kuturis të vijnë, njerëz që dinë pse është e rëndësishme të investohet në kinematografi dhe atëherë besoj se do t’i vije koha të realizohet ky film. 

Zemra Shqiptare: Dhe pyetja e fundit, ku qëndron Kosova, sa i përket arteve skenike, nëse krahasojmë me vendet e tjera te Ballkanit?
 
Hysaj: Nëse e krahasojmë me situatën nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri,  me përkrahjen që  sot ka tetari nga institucionet përkatëse, konsideroj se kemi shfaqje të nivelit shumë të lartë. Por në të njëjtën kohë statusi social dhe material i aktorëve dhe i të gjithë të punësuarve në teatër është më i keqi në rajon. Mjafton të përmend se paga e një aktori është 140 euro. Më e vogël se e një mësuesi në shkollën fillore. Një deputet në parlamentin e deritashëm të Kosovës i cili asnjëherë gjatë gjithë mandatit të tij nuk ka dalë në foltore (skenë) të thotë një fjalë është i paguar (po ashtu nga buxheti i Kosovës) dhjetëfish më shuam se një aktor. Ndërsa shkollimi i një aktori kushton 30 herë më shumë se shkollimi i  një juristi , ekonomisti apo mësuesi.  Gjendja e tillë është pasojë jo e mungesës së mjeteve në buxhetin e Kosovës por e mungesës së  vetëdijes, se këtij vendi i duhen këta njerëz, si  dhe tetari në përgjithësi.
Për ata, (ata që sjellin vendime)  edhe teatri edhe aktorët, dramaturgët regjisorët, konsiderohen të panevojshëm. Sepse ata, nuk  ndjejnë uri  artistike dhe rrallë,  apo kurrë nuk e shijojnë këtë “gjellë”.  Prandaj, për ta kultura është gjëja më  panevojshme e kësaj shoqërie. Ata, edhe kur ju ndodhë të vijnë në teatër, aty nuk ndjehen mirë. Nëse ndodhë ndonjëherë të vijnë për të bërë hapjen e ndonjë festivali, posa të bëjnë këtë ikin, pa filluar shfaqja ose gjatë kohës sa zgjatë shfaqja. Por duhet të shpresojmë se kjo gjendje do të ndryshojë në të ardhmen. Teatri shqiptar në Kosovë, nuk e ka merituar ketë trajtim. 

Faleminderit, Zemra Shqiptare

© www.zemrashqiptare.net