Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhamisë së Marinës i vihet dryni - Arrestohet imami Duka

| E merkure, 03.03.2010, 10:19 PM |


Arrestohet imami Duka

Nga Express  më 03.03.2010

Policia e Kosovës ka arrestuar Xhemail Dukën, i vetëshpallur imam i xhamisë në Morinë të Skenderajt. Arrestimin e tij nga njësitet speciale të policisë së Kosovës e kanë konfirmuar për Express zyrtarë policorë.

“Arrestimi i këtij personi është bërë për shkak se ai ka thyer ligjin aktual për të huajt”, ka thënë një zyrtar policor, në kushte anonimiteti. 

Policia sqaron se Xhemail Duka nga Elbasani kishte thyer ligjin për të huajt në vend, duke u vetëshpallur imam i xhamisë së Marinës në Skenderaj. 

Po ashtu, policia ka thënë se pas kryerjes së të gjitha procedurave, Xhemail Duka është dëbuar nga Kosova për në Shqipëri. 

Ditë më parë me vendim të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, komuna e Skenderajt kishte mbyllur xhaminë në Marinë ku kishte shërbyer Duka si imam i saj, pavarësisht se ai nuk përfillte asnjë nga programet dhe hierarkinë e Bashkësisë Islame të Kosovës. 

Në një intervistë për Express, Xhemail Duka ka thënë se dëshiron që aktivitetin e tij ta vazhdoj në Kosovë duke shërbyer në një organizatë humanitare.

Mësohet se sot në Skenderaj do të ketë një protestë nga banorët e fshatit Marinë në lidhje me zhvillimet e fundit në xhaminë e Marinës.


Xhamisë së Marinës i vihet dryni
 
Mbyllja e xhamisë është bërë rreth orës 9, kurse derës kryesore të saj i është ndërruar doreza. Në mbylljen e kësaj faltoreje nga inspektorët, e cila është ndërtuar pas luftës në vend, ka asistuar edhe Policia e Kosovës. Ata kanë vënë edhe shiritin përkatës përreth objektit. Mbyllja e xhamisë është bërë pa shumë problem, ndërkohë që imami i vetëshpallur i kësaj xhamie, Kastriot Duka, i cili e ka ndërruar emrin në Xhemajl, deklaroi se “me rëndësi është që kjo xhami është ndërtuar”.

Nga Jeton Musliu,Express,02.03.2010
 
Është mbyllur sot nga autoritetet lokale të komunës së Skenderajt, xhamia e fshatit Marinë. Inspektorët e komunës kanë zbatuar vendimin e marrë disa ditë më parë nga Asambleja Komunale e Skenderajt për mbylljen pa afat të kësaj xhamie, pas një peticioni prej 6 mijë nënshkrimesh të qytetarëve, të mbledhura nga Organizata Joqeveritare “Prehja” në këtë qytet.

Mbyllja e xhamisë është bërë rreth orës 9, kurse derës kryesore të saj i është ndërruar doreza. Në mbylljen e kësaj faltoreje nga inspektorët, e cila është ndërtuar pas luftës në vend, ka asistuar edhe Policia e Kosovës. Ata kanë vënë edhe shiritin përkatës përreth objektit. Mbyllja e xhamisë është bërë pa shumë problem, ndërkohë që imami i vetëshpallur i kësaj xhamie, Kastriot Duka, i cili e ka ndërruar emrin në Xhemajl, deklaroi se “me rëndësi është që kjo xhami është ndërtuar”.

Sipas tij, ai ka arritur që fshatin Marinë ta modernizojë sadopak, me vendosjen e kanalizimeve dhe rregullimet përreth, duke përfshirë edhe ndihmat për familjet skamnore. “U mbetët fshatarëve nëse duan të reagojnë për këtë veprim”, tha Duka, i cili sqaroi se do të largohet nga Kosova, por jo me kokën ulur.

“Do të largohem me nder, pasi të jetë sqaruar gjithçka deri në fund”, tha ai. 

Problemi me këtë xhami, përkatësisht imamin e saj ka qenë për disa vjet rresht, por ditëve të fundit kjo çështje është problematizuar më shumë. Kjo për faktin se imami i saj, Xhemajl Duka nga Elbasani i Shqipërisë, nuk ka qenë nën Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili është institucioni më i lartë që rregullon veprimtarinë fetare të myslimanëve në Kosovë.

Tash pritet reagimi i kësaj bashkësie se çfarë zgjidhje do të gjejë për këtë xhami. Vetë Duka ka thënë disa herë se është i gatshëm të largohet nga detyra e imamit të vetëshpallur, por kërkon që atij t’i lejohen disa ankese të xhamisë për të ushtruar veprimtarinë e tij humanitare në kuadër të shoqatës bamirëse “Rahma Mercy”.