Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Saga e Marinës

| E marte, 02.03.2010, 09:39 PM |


Xhemajl Duka (Foto: Jetmir Idrizi)
Xhemajl Duka (Foto: Jetmir Idrizi)
Xhamia e Marinës nuk është mbyllur. Inspektorati komunal nuk e bëri këtë, edhe pse Komuna ka marrë vendim. Policia thjesht qëndroi në oborrin e xhamisë për të asistuar në mbylljen e përkohshme të këtij objekti. Imami Xhemajl Duka beson se do të arrijë marrëveshje me Bashkësinë Islame. Deri më tash, askush nuk di t’i bjerë në fije këtij problemi.

Nga Lirita Halili & Jetmira Rexhepi

Xhemati i imamit Xhemajl Duka, në xhaminë e fshatit Marinë të Skenderajt, të hënën, nuk ishin të zakonshmit. Në mesin e tyre kishte edhe njerëz me uniformë të policisë. Në fakt, policët nuk shkuan për t’u falur, e as për të dëgjuar vaizin e imamit kontrovers. Ata thjesht dolën të vëzhgojnë situatën. Këta policë duhej të asistonin në momentin kur inspektorët e Komunës do të zbatonin vendimin komunal për të mbyllur përkohësisht këtë xhami.

Por, vendimi nuk u zbatua. Policia përsëri u kthye drejt Skenderajt. 

Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, konfirmon për Express se deri më tash ata nuk kanë marrë kurrfarë njoftimi nga Komuna e Skenderajt. Sipas tij, për mbylljen e një objekti të tillë, janë inspektorët komunalë ata që mund ta bëjnë këtë, kurse policia thjesht asiston.

“Policia nuk merr urdhra nga Komuna, por janë inspektorët komunalë që eventualisht mund të mbyllin ndonjë objekt, në këtë rast xhaminë. Pra, policia vetëm asiston. Nuk kemi asnjë njoftim nga Komuna”, thotë zëdhënësi Hoti.

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Abdyl Ymeri, ende është në hamendje. “Është marrë një vendim lidhur me të vetëquajturin imamin e Marinës, Kastriot Dukën. Ky vendim është përpiluar dhe pritet shumë shpejt që të hyjë në fuqi. Nuk ka ndonjë datë të caktuar, sepse mund të hyjë në fuqi sot, nesër apo në ditët e ardhshme”, thotë Ymeri për Express. Sipas tij, vendimi për mbylljen e xhamisë dhe largimin e hoxhës është marrë mbi bazën ë nënshkrimit të një peticioni, të cilin e kanë nënshkruar mbi 6 mijë qytetarë. 

“Për këtë peticion kanë qenë disa fakte për hoxhën, si hapja e mejtepeve ilegale, manipulimi me shami, duke i mbuluar vajzat fare të vogla, nuk bashkëpunon me organet legjitime, qarkullon me mjete financiare që nuk dihet se nga vijnë e shumë e shumë dëshmi të tjera”, shton Ymeri.

Lidhur me këto akuza ndaj tij, imami Xhemajl Duka, i cili e ka ndërruar emrin nga Kastriot, ka organizuar një protestë më datën 3 mars, në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. 

“Këto nënshkrime nuk janë mbledhur nga qytetarët, sepse ne kemi dëshmitarë që tregojnë se këto nënshkrime janë mbledhur në emër të Albin Kurtit. Pastaj kanë dalë këto nënshkrime për mua, gjë që i ka bërë konfuz edhe qytetarët”, thotë imami Duka për Express.

Por në peticionin që ka siguruar Expressi lidhur me largimin me çdo kusht të hoxhës së Marinës, specifikohet saktësisht emri i tij dhe disa arsye pse ai duhet të largohet.

“Nëse ata marrin një vendim të tillë për largimin tim, unë nuk do të qëndroj më në xhami si imam. Le të vijë imami i dërguar nga Bashkësia Islame. Mirëpo, do ta vazhdoj aktivitetin në shoqatën humanitare me të cilën kam filluar qysh pas luftës”, sqaron imami Duka. Madje ai tregon se është i gatshëm të largohet nga fshati Marinë, por në mënyrë të ndershme.

“Jo me shpifje të cilat po qarkullojnë, që kinse jemi Al-Qaeda, jo ekstremist ose akuza të tjera për çështjet e nderit”, shton ai. Imami Duka tregon për historinë se si ka ardhur në Kosovë. Thotë se ka ardhur pas luftës, derisa gjatë luftës ka strehuar refugjatë në shtëpinë e tij që vinin nga Prizreni.
“Erdha në Kosovë dhe pashë gjendjen katastrofike që ishte në tërë vendin. Por në gjendje më të rëndë ka qenë fshati Marinë. Së pari kemi ardhur këtu me shoqatën humanitare ‘Rraman Mercy’ nga Anglia. Kurse në vitin 2002 është ndërtuar kjo xhami”, rrëfen hoxha, për të cilin opinionet e qytetarëve për të janë të ndryshme.

Por, autoritet në Skenderaj kanë një rrëfim tjetër për ardhjen e hoxhës në Kosovë. Ata dyshojnë se familjet e varfra kanë shtyrë atë të vijë në Kosovë, duke besuar se të tilla ka sa të duash edhe në Shqipëri, vendi nga ai vjen.
“Kryetari i Komunës dhe Bashkësia Islame kanë pasur një marrëveshje kur ka filluar ndërtimi i xhamisë. Është bërë një memorandum mirëkuptimi që në rastin e ndërtimit të xhamisë, kjo e fundit t’i kthehet Bashkësisë Islame. 

Ky nuk i është përmbajtur këtij memorandumi, por ka vazhduar me aktivitetet e tij, fillimisht në ndihmë të fëmijëve bonjakë, pastaj ka filluar ta zgjerojë aktivitetin, duke hapur disa mejtepe, disa nga të cilat Komuna i ka mbyllur”, vlerëson nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Abdyl Ymeri.
Por, hoxha Xhemajl Duka përveç Marinës, detyrën e imamit thotë se e ushtron edhe në xhaminë tek Ura e Lizës në Elbasan. 
Express