E enjte, 28.03.2024, 10:05 AM (GMT)

Kulturë

Halit Bogaj: Zeqir Gërvalla, përmbledhje poetike

E diele, 28.02.2010, 09:24 PM


ZEQIR GËRVALLA,PËRMBLEDHJE POETIKE’’ME O(R)Ë KOSOVE,2009

Nga Halit Bogaj

Vitin e kaluar lexuesit tanë u begatuan edhe me një vepër të re letrare nga poeti i Mërgimit Zeqir Gërvalla, i cili momentalisht është me banim në  SHBA.Zeqir Gërvalla në letërsinë tonë është i njohur  edhe me gjashtë përmbledhje të botuara më parë.

Pas shpërnguljes sonë biblike, të përjetuar pas Ferrit të njohur të Bllacës, Zeqir Gërvalla kishte emigruar atje prej nga na erdhi çlirimi dhe ku e kishin pritur në mënyrë madhështore.Larg Atdheut  dhe i përmalluar për të gjithë njerëzit e tij në Kosovë, poeti kishte vazhduar misionin e tij të lartë- krijimtarinë letrare, për të na i dhuruar disa nga vjershat e tij më të fuqishme, siç është edhe ajo në Kopertinën e fundit’’Amerikë dëgjoje zërin e Kosovës’’të cilën e kishte shkruar menjëherë sapo kishte arritur atje.Të njejtën e kishte lexuar edhe presidenti Klinton i cili ishte mahnitur me përmbajtjen e saj aq të fuqishme nga e cila kishte derdhur lot dhe e kishte shtruar një darkë për poetin tonë të shquar.Dhe vërtet poezia në fjalë ishte bërë shumë e popullarizuar në mesin e shqiptaro-amerikanëve, duke ia hapur rrugët poetit edhe për krijime të tjera antologjike.

Mbase nuk do të jetë e tepërt t’i theksojmë disa nga vargjet e bukura dhe mallëngjyese të saj:/Jemi popull i lashtë ilir/Në trojet tona etnike/Gjithë botën e duam të lirë/Të përparuar dhe mike/,/Por ju lutemi shumë, Amerikë o botë/Të mos na lini të ndarë e të shpërndarë veç e veç/Të mos na bëni vazhdimisht të derdhim lotë/Se s’paska më rëndë, se s’paska më keq/,/Në Kosovë të na ktheni/Të na ndihmoni të ndërtojmë shkolla, shtëpia.../Këtë të mirë që ne sot na bëni/ Nga Zoti më shumë do T’ju buzëqesh liria/, vargje këto, pra, që e kishin prekur aq thellë zemrën e Madhe të Presidentit Klinton i cili na ktheu në atdhe dhe pasardhësi i tij, Presidenti Bush i riu , e pranoi Pavarësinë tonë  aq gjatë të pritur për të cilën ishte derdhur aq shumë gjak.

Duke i lexuar vjershat e tij, na kujtohen edhe peotët e tjerë të mërguar shqiptarë, si Naimi, Çajupi, Filip Shiroka, Asdreni dhe shumë të tjerë  nga të cilët, natyrisht, është  ndikuar Zeqir Gërvalla.Ai kudo që është, kudo që shkon dhe kudo që lëviz e ka në shpirt, në kujtesë dhe si barrë të përhershme Kosovën e tij të dashur nga e cila e ndajnë detet dhe oqeanet. Ai e mori rrugën e mërgimit nga Kampi famëkeq i Stankovecit nga i cili shkuan edhe shumë refugjatë të tjerë kosovarë nëpër vende të ndryshme të Evropës, në Turqi, madje edhe në Izrael e deri në Australinë e largët.Shkuan atje për të gjetur pak prehje dhe qetësi nga dhuna dhe mundimet e përjetuara në atdhe.I tillë, pra ishte edhe Zeqiri ynë me shpirt skofiar i cili mallin për vendlindje dhe atdhe e shprehu në mënyrë të paparë në vjershat e tij të botuara me titullin e lartë shënuar në fillim të këtij artikulli.

Siç kemi shkruar edhe më herët, Zeqir  Gërvalla ishte i burgosur nga regjimi serbosllav dhe i dënuar me shumë vite heqjeje lirie, të cilat i mbajti dhe i përjetoi kokëlartë dhe me dinjitet të paparë ngase ishte i ushqyer me një ideal të lartë çlirimtar , duke u përpjekur përherë edhe për bashkimin tonë kombëtar dhe të trojeve të coptuara  etnike, çfarë e shohim në pjesën dërmuese të poezive të tij.

Zeqir Gërvalla shkoi atje ku shumë dekada më parë kishin emigruar edhe shumë atdhetarë të tjerë të ikur nga regjimi barbar që ushtrohej ndaj popullit tonë këndej e andej kufirit të cilët punuan pa rreshtur për mbarëvajtjen e atdheut të tyre dhe çlirimin definitiv të popullit tonë nga dhuna dhe terrori i ushtruar ndaj nesh. Zeqa shkoi atje me lotë në sy, por duke qenë se në Kosovë i kishte lënë të afërmit dhe shokët e vetë të shumtë, vazhdonte t’i  kujtonte të gjithë ata përmes vargjeve të veta bombastike nga të cilat na shqetësohet shpirti.Vendosi që të gjithë atyre dhe atdheut të vetë t’ua kushtojë disa nga vjershat e veta të bukura, të dhembshme dhe krenare të cilat janë ndër margaritarët më të rrallë të poetikës sonë .

Si një lirik me sens të veçantë poetik dhe me ndjenja të thella shpirtërore, Zeqir Gërvalla mund të radhitet ndër figurat më të ndritshme të poezisë sonë bashkëkohore. Në çdo poezi të tij shohim mallin e madh të ushqyer  ndaj Kosovës.Edhepse jeton në vendin më të pasur të botës dhe nuk vuan për asgjë që nevojitet për jetën e njeriut, ai nuk është i qetë duke menduar për dheun e të parëve të vetë dhe për brezin më të vjetër të cilit/përmes disa personazheve/ ia kushton disa poezi. Ai përmallohet për tokën, lulet, gjethet, natyrën dhe për gjithçka që levëz , gjallon dhe i përket Kosovës.Edhepse aq larg atdheut ai e ndien veten shumë afër me ne, duke na mbajtur përherë në zemër dhe në kujtimet e veta.Me mallëngjim dhe dashuri të pashterrshme  e kujton historinë tonë të përgjakshme, të lavdishme dhe krenare, duke u thurë vargje heronjve dhe martirëve tanë të njohur të cilët ranë dhe u sakrifikuan në altarin e lirisë kombëtare.Në këtë rrafsh, na bën përshtypje edhe poezia kushtuar’’Fehmi dhe Xhevë Lladrofcit’’të cilët luftuan heroikisht deri në frymën e fundit për t’u arritur ajo, që falë atyre dhe shumë të tjerëve , gëzohet sot nga ne..Ajo që na mbetet në kujtesë është edhe fakti nga i cili mësojmë se poeti e kishte pasur nxënës Fehmi Lladrofcin në shkollën fillore të fshatit Dobroshefc të Drenasit.Madje martiri legjendar edhe gjatë zjarrit të luftës i kishte dërguar përshëndetje mësuesit të tij të dashur/Zqeqës/ nga i cili qysh i vogël  i kishte marrë edhe mësimet e para patriotike, sepse Zeqa ishte i tillë dhe patriot i madh kudo që gjendej, duke na bërë që ta donim sa më tepër atdheun tonë të robëruar nga sllavobarbaria karpatiane.

Toka e Ilirisë dhe trojet shqiptare e preokupojnë parreshtur dhe e përcjellin prore në pjesën dërmuese të poezive të tij. Për shembull, si mund t’i harrojmë vargjet:/...Kjo tokë jona- iliroshqiptare frytplote/Përherë lakmi e fqinjve tanë grabitçarë/./Ti je gjaku  dhe loti ynë...Ne jemi mishi dhe kocka jote.../O Zot, po si mbetëm ende në pritje...copëtuar e ndarë...!!!

Gjithashtu, ndër poezitë e tjera që na mbesin në kujtesë, është edhe’’Shi vjeshte’’, në të cilën ai e pyet edhe shiun për plagën e rëndë të mërgimit.Dhe duke menduar për atë shi të ashpër, ai sjell ndër mend Kosovën e tij të dalur nga lufta, e cila , nga largësia  dhe malli për të, i duket parajsë e vërtetë, por e mërzit fakti që akoma nuk e ka shijuar lirinë e saj.Prandaj edhepse gjendet mes miqve dhe popullit që e përkrahu çlirimin tonë, ai përherë e ndien veten të vetmuar dhe në një botë tjetër që është ndryshe nga ajo e vendit të tij ku kishte lindur dhe ishte rritur, edhpese me mundime dhe dhembje shumë të mëdha .Në këtë kontekst na mahnisin dhe na lëndojnë shpirtërisht edhe vargjet:/Liri e shtrenjtë sa s’ka/ Që kurrë s’po mund të të takoj/Që kurrë fati s’më ra njëherë të të përqafoj.../Oh!U linda, u rrita, u moshova/Nën robëri...Gjithnjë i etur për Ty!

Mes  tjerash përshtypje të mëdha na bën edhe poezia kushtuar Ujvarës së Niagarës, të cilën poeti  e kishte vizituar dy herë , për t’i parë  dhe shijuar bukuritë aq të rralla dhe mahnitëse  të krijuara nga Nëna Natyrë, por sidomos titulli i veprës’’Me o(r)ë Kosove’’i cili edhe kohën dëshiron ta matë përmes atdheut të vetë.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora