E enjte, 28.03.2024, 01:57 PM (GMT)

Mendime

Politika përballë afatit të 10 dhjetorit

E hene, 22.10.2007, 06:08 PM


Nga Xhavit Haliti

Nuk e kam fjalën vetëm për politikën kosovare, por edhe për atë ndërkombëtare. Si mes tyre, edhe brenda vedit, si politika në Kosovë, ashtu edhe politika ndërkombëtare, ndajnë mendime të ndryshme lidhur me kuptimin që bart 10 dhjetori për njohjen ndërkombëtare të statusit të Kosovës. Në politikën aktuale kosovare janë shfaqur deri tani, rreth këtij problemi, mendime e qëndrime të ndryshme, që janë bërë publike nga kryetarë partish, përfaqësues apo zëdhënës të tyre, madje edhe nga anëtarë të Ekipit të Unitetit. Në thelb, të gjitha këto deklarime mund të grupohen në dy kuptime të 10 dhjetorit për njohjen ndërkombëtarisht të Pavarësisë së Kosovës.

Një nga këto kuptime, që mund të ketë si simbol domethënës deklarimin kundërshtues të Kryeministrit tonë, njëherësh edhe anëtar i Ekipit të Unitetit, z. Çeku, për zhvillimin e zgjedhjeve vendore e kuvendore në Kosovë, para njohjes ndërkombëtare të statusit të saj. Një deklarim i tillë, që nuk mund të mos kishte ndikim në opinionin dhe në politikën tonë, por pati jehonë edhe në diplomacinë edhe në politikën ndërkombëtare. Deklarimi pasues i disa figurave tona të njohura politike dhe drejtuesve të disa partive mendoj se ishte i nxituar. Edhe sot, kur është vendosur që zgjedhjet të zhvillohen më 17 nëntor, nuk e di nëse z. Çeku do t‘i qëndrojë besnik deklarimit të vet dhe të mos marrë pjesë, pra të mos konkurrojë për t‘u zgjedhur?!

Kuptimin, që 10 dhjetori do të shënojë zgjidhjen e statusit të Kosovës, e mbështet edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, kur deklarohet: "10 dhjetorin e konsiderojmë fundin e fundit të një procesi, ku nuk ka të shkohet më tutje". E mirëkuptoj z. Isufi, që e konsideron "fundin e fundit" këtë datë, sepse me sa duket e ka harruar se populli i Kosovës, nuk e përjetoi lehtësisht shtyrjen e afatit të njohjes së pavarësisë nga Serbia prej ndërkombëtarëve nga viti 2006 në 2007, dhe tani që duhet të presë edhe fillim vitin 2008 si do ta presë! Por e kam vështirë të kuptoj z. Surroi, kryetarin e Partisë Reformiste Ora dhe anëtari i Ekipit tonë të Unitetit, që është deklaruar për 10 dhjetorin si cak fundor të njohjes ndërkombëtare të Statusit të Kosovës.

Në deklarimet e politikanëve kosovarë, anëtarët e Ekipit të Unitetit, institucionit tonë përfaqësues nën ndërmjetësimin 120-ditor të Treshes, mes Prishtinës dhe Beogradit dallohen dukshëm vetëpërmbajtja, arsyetimi i argumentuar në njohjen e konjukturës ndërkombëtare dhe përgjegjshmëria për çka thotë, të Kryetarit të PDK-së, z. Hashim Thaçi. Me besimin e patundur se Kosova do të bëhet së shpejti e pavarur, z. Thaçi është deklaruar: "Ne kemi besim të plotë se pavarësia do të ndodhë shumë shpejt dhe vendimi e njohja ndërkombëtare, gjithashtu, do të përshpejtohen menjëherë pas 10 dhjetorit".

Në përqasje të thënieve e qëndrimeve të z. Thaçit, që kryeson partinë me ndikim të dukshëm mbi shumicën e opinionit në Kosovë, Presidenti Sejdiu, njëherësh edhe kryesues i Ekipit të Unitetit, shfaqet për opinionin tonë kombëtar edhe atë ndërkombëtar i matur dhe "besimshumë". Duke thënë që shtyrja e njohjes së Statusit të Kosovës pas 10 dhjetorit "…mund të jetë një kohë shtesë e atyre aspekteve proceduriale apo tentativave për të pasur një konsensus në vendimmarrje".

Ky është qëndrimi i zyrtarizuar dhe i publikuar i politikës së deri sotme ndaj 10 dhjetorit, që, me sa duket, ushqehet jo vetëm nga sentimentet kombëtare, por edhe nga qëndrimet e deklarimet e politikës ndërkombëtare. Në këtë të fundit janë përvijuar qartë dy linja:

- Bisedimet, e ndërmjetësuara nga Treshja e Grupit Ndërkombëtar të Kontaktit, mes Prishtinës dhe Beogradit, kanë si cak fundor 10 dhjetorin 2007. Shanset për arritjen e një konsensusi mes palëve në këto bisedime, siç ka pohuar ditët e fundit ministri i Jashtëm i Francës z. Kushner, që ka qenë edhe kryeadministratori i parë i Kosovës "janë afro 10%". Për këtë arsye SHBA-të dhe shumica e vendeve të BE-së, kërkojnë që pas 10 dhjetorit, datës së dorëzimit të raportit të Treshes Ndërmjetësuese për rezultatet e bisedimeve 120-ditore mes Prishtinës dhe Beogradit, të përcaktohen rrugët dhe të fillojnë procedurat për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë faktike të Kosovës. Politolog në zë të Perëndimit ofrojnë dhe argumentojnë zgjidhjen përmes kësaj rruge.

- Këto bisedime, të ndërmjetësuara nga Treshja e GNK-së, nëse nuk arrihet një konsensus mes palëve në konflikt, mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të vazhdojnë edhe pas 10 dhjetorit, deri në arritjen e një marrëveshjeje të miratuar prej tyre. Kështu janë deklaruar dhe këtë kërkojnë Serbia dhe Rusia. Qëllimi i këtij qëndrimi është fare i qartë: shtyrja pa afat e bisedimeve pas 10-dhjetorit mes palëve synon shmangien e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës sipas Planit "Ahtisari" dhe shndërrimin e konfliktit mes palëve në një "konflikt të ngrirë".

I parashtrova qëndrimet e politikës kosovare dhe ndërkombëtare për të dhënë edhe mendimin tim. Sipas meje 10 dhjetori nuk është fundi, por është fillimi i procedurave për njohjen ndërkombëtare të statusit, pra, të Pavarësisë së Kosovës. Çdo kundërshtim mediatik i këtij përfundimi, në rastin më të mirë, mund të jetë i karakterit elektoral, për të fituar vota personalisht apo praktikisht, por kurrsesi i argumentuar dhe aq më pak realist.

Njohja ndërkombëtare e Pavarësisë së Kosovës është e pashmangshme. Afati i këtij akti vështirë të parashikohet edhe nga aleatët tanë të mëdhenj. Mendoj se të gjithë ne, që u pajtuam me shtyrjen e njohjes së këtij statusi nga 2006 në 2007, që miratuam bisedimet 120-ditore, kur prisnim njohjen nga Këshilli i Sigurimit, do të dimë të presim qetësisht zgjidhjen e fatit tonë të merituar deri në pranverën që po afron.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora