E premte, 19.04.2024, 12:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujdesi i “dy bijve” të Kodrës...

E diele, 28.02.2010, 05:38 PM


Nga Suzana Varvarica Kuka

Një ditë të bukur shkurti, gjithësesi realisht nuk janë ditë aspak të bukura në këtë shkurt plot lagështi, shi, tërmete, përmbytje, çarje asfaltesh, rënie e shkarje dheu, marr në via E-mail një mesazh, për të lexuar një artikull, ku “topic”- u i tij ishte çelja e një muzeu arti me emrin e Ibrahim Kodrës. Natyrisht më erdhi shumë mirë, por njëkohësisht nxitova ta lexoj dhe kuptova se “dy bijtë” e Kodrës, të shpallur të tillë prej tij, ishin takuar bashkë në Lugano, njëri-Bexhet Pacolli, shqiptar i Kosovës, si pronar i një sasie veprash origjinale të Kodrës dhe i këtij muzeu të ri dhe tjetri-Fatos Faslliu, shqiptar i Shqipërisë, si kryetar i një fondacioni kulturor me emrin e Kodrës dhe pronar i një sasie tjetër veprash të këtij artisti. Ky takim i përbashkët është një ngjarje pozitive, e cila na shtyn të mendojmë që muzeu i Kodrës mbase do të jetë shumë më i pasur. Na shtyn të shpresojmë se do të stimulojë të dy individët që të kërkojnë grumbullimin e veprave dhe promovimin e tyre në publikun e sotëm dhe do të rrisin interesat e tregut për të. Por ç`ka është shumë e rëndësishme mund të nxisë ballafaqimet e ideve dhe mendimeve të specialistëve të huaj dhe atyre shqiptarë për vlerën dhe vendin e piktorit në kulturën pamore europiane, italiane dhe shqiptare. 
Shumë kush e di, që në mediat shqiptare, të dy individët janë paraqitur si dy prej njerëzve të afërt të piktorit Kodra, të cilët i qëndruan pranë deri në ditën e tij të vdekjes, u kujdesën për shëndetin, u kujdesën për varrimin dhe po kujdesen edhe në ditët më të fundit të kohëve që po jetojmë për ruatjen, për grumbullimin dhe ekspozimin e veprave. Edhe pse mësohet që të dy individët zotërojnë në pronësinë e tyre sasira të paditura në numër të veprave të piktorit, mund të themi, nga bisedat dhe fakte që dihen, se vepra të Kodrës gjen në merkaton italiane me çmime të ndryshme dhe shumë më të ulta sesa në disa faza të mëparshme, kur Kodra ishte gjallë apo kur vepra e tij blihej menjëherë në studio apo në ekspozitat e radhës. Por një merkato e re ndihet e interesuar për veprat e Kodrës në Shqipëri dhe kjo tregon për një rivlerësim të krijimtarisë së tij. 
Duke njohur fakte si: rreth më pak se 20 vepra, në vaj mbi telajo, të Kodrës ruhen në Galerinë e Artit të Kosovës në Prishtinë, të cilat i ka dhuruar me dëshirën më të madhe; shumë pak vepra të fillimit të krijimtarisë së tij ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë; disa koleksionistë në Shqipëri kanë një ose diçka më tepër vepra të tij; disa koleksione, galeri private me emër apo dhe galeri qytetesh, mjedise instutucionale në Itali apo dhe në vende të tjera, konservojnë piktura të tij, tregon se Kodra mund t‘i ketë të shpërndara veprat dhe në shumë drejtime të tjera se sa në faktet e lartëpërmendura. 
Për jetën dhe veprimtarinë e Kodrës, vet Kodra me një fanatizëm dhe kujdes ka grumbulluar të gjithë materialin e shkruar në gazetarinë e kohëve kur jetoi dhe krijoi. 
Për Kodrën është shkruar një libër në formën e një katalogu arti ku dokumentohen periudhat kronologjike të krijimtarisë dhe jetës së tij. Në një tjetër libër kronologjik janë përmbedhur fakte gazetareske të datave të çeljes së ekspozitave të tij; janë përmbledhur në mënyrë bibliografike titujt, datat dhe emrat e autorëve që kanë shkruar rreth Kodrës dhe evenimenteve ekspozuese; janë konservuar foto të tyre dhe të veprave. Gjithashtu për Kodrën është shkruar një libër i vlefshëm në formë interviste dhe janë xhiruar disa dokumentarë seriozë dhe pasionantë, ku Kodra ka të rregjishtruar figurën, çaste pune, ide, mendime rreth proceseve të ekzekutimit piktorik dhe muzikalitetin e zërit. Duhet përmendur se janë botuar katalogë, kartolina, libërtha të vegjël promovues dhe faktues rreth veprës, jetës dhe mendimeve që të tjerët kanë lënë të shkruar për artin dhe personalitetin e Kodrës. 
Mendimi i menjëhershëm dhe të gjitha këto fakte tregojnë se personalitetin artistik të Kodrës mund ta zbulojmë, ta formojmë dhe ta cilësojmë si një individ të rëndësishëm të kulturës shqiptare që e zhvilloi dhe e shpenzoi jetën dhe intelektin e tij krijues në Itali. Edhe pse i rrjeshtova të gjithë këta fakte, një e nga një, përsëri mbroj mendimin e shprehur se krijimtaria, fazat e saj, vepra konkrete apo origjinale të këtyre fazave, kalimi apo tjetërsimi i tyre figurativ, motivet apo ndikimet që i nxitën këto ndryshime, referencat dhe ndikimet stilistikore, botkuptimet e tij narrative, tregimtare e filozofike, marrëdhëniet e Kodrës me imazhet, me subjektet, me temat, me ngjyrat, me simbolet, me idolin e tij kuadratik, me teoritë artistike, me dualitetin e tij meditues mbi Shqipërinë dhe Italinë, marrëdhëniet me mjedisin artistik të Kosovës, marrëdhëniet me historinë e artit dhe historinë e përgjithëshme të Shqipërisë, për vlerësimet apo preferenat e tij ndaj artit pamor të Kosovës dhe të Shqipërisë, për preferencat e tij figurative në krahësim me drejtimet dhe shkollat e artit europian e më gjërë e për shumë fije të tjera që lidhen me personalitetin, mentalitetin, psikun dhe artin e Kodrës, janë pak të njohura nga sistemi akademik dhe historia e artit në Shqipëri. Në këtë arsyetim të përgjithshëm dhe në brendësi të sistemit tonë të studimeve theksoj se Kodra është një piktor i njohur fizikisht, se krijimtaria e tij është e njohur pjesërisht dhe se tërësia e artit të tij mbetet ende për tu zbuluar. Në se rritja e njohurive do të ecë vertikalisht atëherë do të na lejojë të flasim qartë rreth vendit që duhet të zërë piktori Kodra këtej dhe përtej kufirit artistik. Shpesh herë jam ndeshur me mendimin e kundërt, i cili mbron idenë se tashmë ai njihet në Shqipëri. Natyrisht shteti shqiptar i kohës komuniste, shteti shqiptar i kohës pluraliste e ka vlerësuar Ibrahim Kodrën. I pari duke e lejuar të vizitojë vendin e tij aty rreth viteve 70 dhe i dyti duke e nderuar me titullin më të lartë “Nder i Kombit”. Kjo është vetëm një shenjë e mirë dhe nxitëse për të ngulur këmbë që prania e Kodrës në vendin e lindjes është e njohur, por rreth vlerësimeve të kapaciteteve të tij krijuese i mbetet studjuesve të hulumtojnë e të racionalizojnë nivelin e tij krijues. Duke qenë se Kodra tashmë e ka mbyllur krijimtarinë e tij, duke qenë se krijimtaria e tij është e prekshme dhe më shumë jashtë Shqipërisë se sa brenda saj, duke qenë se veprat e Kodrës janë blerë dhe shitur në merkotan italiane, duke qenë se veprat e tij po rrisin interesin e koleksionistëve shqiptar mendoj se është mirë që vlerësimet mbi krijimtarinë e tij të na vijnë edhe nëpërmjet vlerësimeve historike, kritike dhe studimore serioze të botës italiane të artit, qoftë ajo e shkruar gjatë shekullit XX, qoftë ajo që do të shkruhet në shekullin XXI. Kjo botë e specializuar, e qëndrueshme dhe me përvojë të kahershme botërore mund të ftohet të ndërmarrë në bashkëpunim me palën shqiptare studime kronologjike, hap pas hapi mbi të gjitha rrethanat e zhvilluara në rrugën e formimit të Kodrës si piktor. Studimet estetike do të mundësojnë hedhjen e ideve që përcaktojnë vendin e krijimtarisë së tij në mjedisin e pikturës italiane të gjysmës së dytë të shekulli XX dhe referencat e tyre mund t`i drejtohen botës së peripecive të artit pamor shqiptar të metodës së realizmit socialist, që u zhvillua në të njëjtën periudhë, për të realizuar dhe kuptuar nëpërmjet mënyrave të krahasimit këto dy botë të ndryshme artistike. Një ndërmarrje e tillë, ndërmjet profesionistëve, mund të na qartësojnë krijimtarinë, vlerën dhe arsyen e nderimit kombëtar. 
Në Shqipërinë e sotme faktet tregojnë se për personalitetin e tij artistik është biseduar në mënyrë pasionante, qofshin këto diskutime pozitive dhe të llojit “Kodra, mjeshtër i madh i pikturës së shekullit XX”, qofshin këto më pak vlerësuese dhe të llojit “Kodra, vetëm një piktor”. Kjo dilemë shpesh herë, dhe jo thjesht ndërmjet kafenesh, por edhe opinioniste-gazetareske, më nxit të kërkoj ende se Ibrahim Kodra e arti i tij edhe pse janë mbrojtur, duhet të mbrohen nga politikat kulturore të shtetit shqiptar. Ato në bashkëpunim me tregun, me pronarët e veprës mund të të stimulojnë dhe mbështesin përpjekjet serioze intelektuale për të punuar, kërkuar dhe dëshmuar mbi vlerën e veprës së piktorit Kodra dhe mbase jo vetëm të tij, por të çdo shqiptari që punoi dhe la shenja në një mjedis kulturor të ndryshëm nga yni. Kam mendimin se të gjitha këto shenja duhen respektuar jo thjesht në arsye kombëtare, por edhe pse janë të domosdoshme për një komb problematik si ky i yni. 

Disa ide të dhëna nga Fatos Faslliu rreth muzeut të hapur në Lugano janë një fakt që i shtohet kronologjisë së tyre rreth artistit Ibrahim Kodra. 
Përshendetje Fatos e lexova artikullin dhe më ka lënë pa fjalë. Urime të dyve, zoti dhëntë që të dy të bëni gjëra të mira për Kodrën. Ju ishit i pranishëm në muzeun me të ri kushtuar Kodrës në Zvicër. Të lutem mund të më përshkruash ngjarjen e asaj dite? 
Ajo ditë për mua ishte fillimi i realizimit të ëndërrës sime. Edhe dita ishte plot me diell, pothuajse pranverore. Mendoj se ishte një muze dinjitoz kushtuar Maestro Kodrës. Museu ishte i mbushur tejet kapacitetit. 

Përse u ngrit ky muze? Nismë e kujt ishte dhe me financimet e kujt u realizua? Kush e drejton? Funksionon në muze puna e kuratorit? 

Ky muze është ngritur tërësisht me financimin e zotit Pacolli duke vënë në vend amanetin e maestro Kodrës. Kuratore e këtij muzeu është Prof. Elena Pontiggia, docente në Akademinë e Breras. 

Si u ndjetë Fatos në mjedisin ekspozues, të cilin keni një kohë të gjatë që e njihni nga koha kur mjeshtri ishte gjallë edhe pas vdekjes së tij. Pasi mendoj që ju përpiqeni për njohjen, respektimin e emrit dhe të veprave të tij? 

Kur e sheh veprën në muret e salle muzeu ajo merr një vlerë tjetër dhe t‘i e sheh me tjetër sy dhe mendon rreth saj me të tjera ndjesi. Veprat e mjeshtrit atë ditë më bën nostalgjik dhe emocional. Më kaluan në kujtesë shumë çaste nga bisedat me të dhe u ndjeva krenar për punën e Bexhetit në çeljen e muzeut, i cili për mua është një nga ndalesat historike në promovimin e veprës së Kodrës. 

Sa dhe çfarë veprash u ekspozuan në muze? Cilat janë periudhat që përfshijnë, teknikat, dimensionet dhe materialet? 

Në ekspozitën e parë të këtij muzeu janë ekspozuar 27 vepra. Ato përfshijnë periudhën krijuese të viteve 1944-2005. Vepra janë vaj në pëlhurë, vizatime në letër, skulpturë në mermer dhe punime në qeramikë. Në ekspozitë janë paraqitur shumë objekte dokumentuese dhe të përdorura nga Mjeshtri, që sot kanë marrë karakterin e relikeve të ndryshme. Në këtë atmosferë kodraniane janë paraqitur diploma, tesera e studentit në Brera, medalja dhe çertifikata e titullit “Nderi i Kombit”, certefikatat e titullit “Qytetar Nderi” i Milanos, i Palermos, i Pozitanos. Figura e Mjeshtrit është pasqyruar nëpërmjet fotografive të tij në periudha të ndryshme. 

Sa është hapësira e këtij muzeu? 

Hapësira e tanishme e Muzeut është rreth 300 m2. Mbas 10 muajsh do të ketë një sipërfaqe prej 900 m2. Këtë e premtoi zoti Pacolli në ditën e çeljes së muzeut. 

Cilat do të jenë marrëdhëniet tuaja me z. Pacolli dhe këtu e kam fjalën për ecurinë e veprimtarive të fondacionit që ju drejtoni? 

Marrëdhëniet e mia me zotin Pacolli janë miqësore e korrekte dhe kemi vendosur që shumë shpejt të përpilojmë një plan pune për të ardhmen në mënyrë që të sensibilizojmë publikun artdashës si dhe institucionet shtetërore shqiptare dhe kosovare. 
A mendoni se ka ardhë koha që ju të dy të jeni bashkë e të përpiqeni si një skuadër e vetme për mbarëvajtjen e veprimtarive që lidhen me Kodrën, pasi mendoj se vetem kështu do të jeni më të sigurt dhe të fortë, për të orientuar publikun dhe kulturën shqiptare të respektojn mjeshtrin në nivelet që kërkohen? 
Mendoj se në të mirë të promovimit të veprës së Kodrës duhet të veprojmë së bashku dhe pasi është e pa kuptueshme indiferenca e institucioneve të artit dhe të shtetit shqiptar ndaj këtij korifeu të kulturës mbarëshqiptare. 

Pse mendoni se ka indiferencë apo mbase e keni fjalën në çështjen e pazgjidhur të varrimit të tij? 

Përsa i përket çështjes së varrimit gjithçka është e qartë. Ne jemi të vendosur të çojmë në vend amanetin e Maestro Kodrës. Dhe nëse kjo nuk do të përfillet siç ka ndodhur deri tani do të detyrohemi të sjellim eshtrat dhe ta rivarrosim në Milano. Vetem biseda me presidentin Bamir Topi e ka ngrirë këtë vendim që është drastik nga ana jonë e nuk po ndërmerret ende. Por unë jam i bindur në zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrën më të mirë, pasi kemi besim absolut tek Presidenti ynë. Ndërsa indiferenca lidhet me vështirësinë në organizimin e ekspozitave me krijimtarinë e Kodrës në Tiranë. 

Ju mendoni se Kodra është një personalitet që e meriton një vend nderi, një shesh apo një mjedis ku ai të qendroj i qetë në vendin e tij? Dhe si mundet fondacioni apo muzeu Kodra të kontribuojë në arritjen e këtij akti? 

Përsa kërkohet në këtë pyetje për emrin e ndonjë rruge apo sheshi në nderim të Maestro Kodrës mund t‘ju them se para 3 vitesh kemi depozituar pranë bashkisë së Durrësit një kërkesë për dhënien e një nderimi të tillë, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. 

A mendoni se shteti shqiptar e ka vleresuar si duhet Kodrën dhe a mendoni se Kodra duhet të jetë shumë më i pranishëm në mjediset qendrore akademike, ekspozuese dhe edukuese të artit në vendin tonë? 

Mendoj se personaliteti njerëzor i Ibrahim Kodrës është respektuar në kohë të ndryshme pas viteve ‘90 nga shteti shqiptar. Ai në vitin 1996, për meritat e veprës dhe humanizmit patriotik e nderoi me titullin më të lartë “Nder i Kombit”. Por kjo nuk mjafton, pasi shteti shqiptar shtrihet deri tek institucionet e artit, të kulturës dhe ato akademike e edukuese. Arti i Maestro Kodrës duhet të jetë i pranishëm gjërësisht në mjediset artistike-kulturore, si dhe do të ishte shumë e dobishme që jeta dhe krijimtaria e tij të studiohen në shkollat e mesme dhe ato artistike në Shqipëri dhe në Kosovë. 

A keni ndonjë propozim se çfarë duhet të bëhet që Kodra të jetë shumë më i pranishëm në Shqipëri? Mendoni për simpoziume, të cilat do t‘i japin shkas për njohje edhe më të madhe mbi jetën, për ekspozita për njohjen e disa periudhave të tij artistike apo për libra arti ku të botohen mendimet e kritikës italiane dhe asaj shqiptare? 

Së bashku me zotin Pacolli i bëjmë thirrje dy ministrive përkatëse të kulturës së Shqipërisë dhe të Kosovës dhe në bashkpunim me fondacionin Kodra të organizojmë në Tiranë dhe Prishtinë një ekspozitë ashtu siç e meriton titulli i fituar “Nderi i Kombit” për Maestro Kodrën. Ministri ynë i Kulturës z. Xhaferri është durrësak siç edhe unë. Edhe për këtë fakt i kërkoj leje që të bëjë sa më shumë për Kodrën. Unë dhe z. Pacolli jemi të vendosur për çështjen Kodra dhe për këtë duhet t`i kujtoj publikut artdashës se 3 vite më parë me rastin e 1 vjetorit të ndarjes nga jeta, komuna e Palermos dhe ajo e Pozitanos, ku Maestro Kodra ishte qytetar nderi, u organizuan 2 ekspozita madhështore. Mendoj se edhe kritikët e artit duhet të jenë më aktivë në këtë fushë. Ata duhet të hulumtojnë dhe kërkojnë në universin artistik të Maestro Kodrës. 


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora