E premte, 29.03.2024, 12:36 AM (GMT)

Kulturë

Helena Kadare: Plagët dhembin kur ftohen

E shtune, 27.02.2010, 09:47 PM


Plagët dhembin kur ftohen

Nga Helena Kadare 

Në një ditë të ftohtë janari, midis pirgut të letrave të ardhura atë mën-gjes, gjendej edhe një zarf i trashë. Vinte nga Londra. Mikesha ime e kahershme ...gazetarja Sanije Gashi, me anë të një e-maili elektronik, më kishte njoftuar se po më niste librin e saj të porsadalë. Po ia jepte kunatës që nisej në Londër, për më shumë siguri. Libri ishte tani ndër duart e mija. Ai titullohej: "Histori të tmerrit -1999". Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave.
Një libër për Kosovën. Para syve më doli Sanije Gashi në takimin tonë tê parë në Paris në vitin 1991. Bashkë me Luljeta Pulën dhe avokatin Fazli Balaj kishin ardhur me materiale të shumta, kaseta dhe foto, për t'ia bërë të njohura zonjës Mitterrand, atëkohë zonjë e parë e Francës, represionin e egër të serbëve në Kosovë. Vrasjet, burgimet, rrahjet... Libri që më dërgonte ishte një vazhdimësi e punës së saj të gjatë, të palodhur. 
I lashë të gjitha gjërat e tjera që kisha për të bërë dhe iu vura menjëherë leximit të tij... për ta përfunduar në mbrëmje vonë.
Dua ta them qysh në fillim: Të lexosh një libër të tillë, në mbarim të tij nuk je më ai që kishe qenë disa orë më parë. Shumë herë m'u desh të ndalem, të vështroj jashtë nga dritarja, për t'u bindur se bota reale ekziston vërtet, se njerëzit vazhdojnë të ecin normalisht, se ata bisedojnë si përherë, se ata nuk e kanë humbur buzëqeshjen, se bëjnë ende plane për jetën... Megjithatë, pas këtij libri, kurrsesi s'mund të jesh më ai që ke qenë. Sepse në botë, jo kushedi se sa larg prej këtej, po këtu, mu në zemër të Evropës, ka ndodhur diçka e kobshme, e paparë, hollësitë e së cilës njerëzit duhet t'i mësojnë me urgjencë, për të ditur si ta mbrojnë atë bisedë, ato plane, atë ecje të përditshme, gjithçka që mban në këmbë atë që quhet jetë njerëzore.
Me një durim të pashoq, Sanije Gashi, kjo gazetare e përkushtuar kosovare, ka arritur të mbledhë fshat më fshat e qytet më qytet gjithë dhimbjen dhe vajin e grave shqiptare, që e përjetuan këtë llahtarë të paparë: kalvarin tragjik të luftës së fundit 1998-1999 në Kosovë. Si ka mundur ajo t'i bëjë ballë e të dëgjojë prej gojës së tyre gjithë atë oqean vuajtjeje? Si kanë mundur ato ta nxjerrin jashtë vetes atë helm të rëndë, që i ka shtypur shpirt e trup për një kohë të pambarim? Ishte një pyetje që dhjetëra herë ia bëja vetes, duke shfletuar dhe duke ndalur, për të mbledhur përsëri frymën e duhur, për ta çuar më tej këtë lexim të trishtë.
Ne të gjithë, sikurse gjithë bota, i ndoqëm me ankth para ekranit televiziv ato që ndodhën atje, në Kosovë. Para syve të të gjithëve u shpalos drama e një populli të tërë, që, kokulur, i poshtëruar, u përzu dhunshëm nga trojet e veta. Një eksod masiv i organizuar prej forcave militare serbe, për ta spastruar Kosovën nga vendasit e vet.
Kam qenë në Kosovë fill pas mbarimit të luftës me bashkëshortin dhe vajzën e madhe dhe i kemi parë me sytë tanë ato plagë të pashlyeshme të pasluftës. Historitë që na tregonin njerëzit për çka kishin përjetuar, ishin njëra më makabre se tjetra. Gjurmët e krimit të përgjakur ishin ngado. Në hotel "Grand", ku kishim bujtur, ishin ende të freskëta dhe të papastruara gjaku dhe shenjat e turpshme të torturave. Në Prekaz, para shtëpisë të dikurshme të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, varret ishin të freskëta, Peja e bukur me dyqanet e vogla të artizanaleve të dikurshme ishte shkatërruar e nxirë nga flakët, Gjakova martire po ashtu… Por, të lexosh tani, dhjetë vjet pas luftës, rrëfimet e grave dhe vajzave të mbijetuara, që e provuan mbi kurriz të tyre këtë fat të zi, të patekundshoq, është një hata tjetër. Fotografitë në libër flasin më shumë se fjalët. Vajza të reja, vajza të bukura si yje, të masakruara e të hedhura në lumë a në pus, fëmijë të gjymtuar të lënë rrugëve, me atë shprehjen e pafajshme, të ngrirë e të habitur në fytyrë, si të të gjithë fëmijëve në botë, që nuk do të mund më kurrë të shpjegojnë ç'u ndodhi dhe përse...Përse?  Ngelesh pa gojë. Askush në botë nuk do dijë, nuk do mund të flasë për ta se çfarë iu kanë parë sytë. Buzët e tyre të njoma janë mbyllur përgjithmonë!
Janë 450 puse me trupa të vdekur, pohon Josef Martinsen, udhëheqësi i projektit të spastrimit të puseve në Kosovë më 1999. Nëpërmjet faqeve të librit të Sanije Gashit  gjejmë rrëfimet e grave që kanë mundur të dëshmojnë. Sepse të tjerat, dergjen pa jetë puseve. Të tjerat, që janë gjallë, ende nuk arrijnë të flasin, të tregojnë…Ato vazhdojnë të  rrinë të murosura, në heshtjen e tyre tragjike, të rrëzuara përjetë nga turpi dhe moskuptimi. Njeriu bën pyetjen: Sa janë ato? Qindra, në mos mijëra, thonë vëzhguesit, por numri i tyre s'ka për t'u ditur kurrë...
"Slobodan Millosheviçi dhe ata që komplotuan bashkë me të, shkruan ambasadori amerikan për Kosovën, William Walker, në parathënien e këtij libri, e kuptuan plotësisht se nuk ka asnjë akt tjetër që mund të shkatërrojë në atë mënyrë një femër shqiptare dhe familjen së cilës ajo i përket, sesa përdhunimi. Ky është poshtërimi më i madh, përvoja më e turpshme që i nënshtrohet një grua…Duke e ditur këtë, forcat paramilitare serbe, në mënyrë qëllimkeqe e përdorën përdhunimin si instrument të fushatës tyre të genocidit".
Pikërisht me këtë mënyrë e peshë plumbi në shpirt  vazhdojnë të jetojnë ato që përjetuan çnjerëzimin: nuset e reja, vajzat e brishta, gratë e të gjitha moshave. Si kanë mundur? pyes pa pushim veten. Shpjegimet e neopsikiatrit Skënder Boshnjaku, që ka dëgjuar e ndihmuar aq shumë syresh, do të thyenin në mes edhe një përbindësh po t'i dëgjonte. " … në radhë të parë është goditur shembëlltyra, është goditur bukuria, është goditur merita historike, është goditur funksioni dhe aftësia e nënës ! ", shpjegon ai.
 "Kam parë kaq shumë tmerre sa nuk dua të kem më sy", thotë një nënë shqiptare kur takon zonjën Clinton në kampet e Bllacës.
Ndjek rrëfimet e tyre faqe pas faqeje. E ndërpres leximin. Marr frymë përsëri, për të vazhduar. Nuk është e lehtë të vazhdosh një libër të tillë.
 Nuk janë vetëm forcat speciale serbe që merren me ketë punë të ndyrë. Dhunuesi është shpesh fqinji i tyre. Deri dje punonin bashkë, vinin në të njëjtën shkollë… " Erdhën e hynë në shtëpinë tonë serbët e fshatit me maska, të tjerët pa to. Po ata serbë, me të cilët kishin punuar djemtë e mi në Bodrumin e Rakisë, që kishin ndenjur, kishin ngrënë e kishin pirë bashkë!", shpjegon Hanëmshaja nga Krusha e Vogël. Ky lejtmotiv të ndjek kudo: në Dushkojë, Deçan, Rahovec, Krushë e Madhe e Krushë e Vogël, në Maznik, Bardhaniq, Zhebeli, Dobërçak, Sveçla, Grashtica, Zhazhë, Bradashë, Celina, Pisjak, Hoqa e vogël, Stenkovec, Dyzi, Vitomiricë, Studenicë, Istog, Suharekë, Raçak, Llaushë, Qyshk, Korenicë, Poklek i vjetër... Lexoj rrëfimin për tri gratë e Kozhicës që u dhunuan në Qirez dhe që përfunduan në puset e vdekjes. "Së pari i kanë dhunuar e mandej i kanë hedhur në bunar", flet babai i njërës nga viktimat, Xhemajl Xhema, për gratë e vajzat e dhunuara e të hedhura në puset e Qirezit. "Plumbi është diçka tjetër…punë e pastër, por kjo që ndodhi me femrat tona është përtej tmerrit", shton ai me pikëllim. 
 Emrat e dhunuesve vendas i hasim ngado. Ata përmenden  radhë, fshat më fshat, lagje më lagje: Nenad Paviqeviqi, "Cërna ruka" (Dora e zezë), Millutini, Llazar Gligorovski, Nuska Stojanoviqi, (komshija e dikurshme që ua dinte edhe lugët në dollap, ngaqë hynte e dilte lirisht në shtëpitë e tyre), Novak Pituliqi, Lilë komshija e shumë e shumë të tjerë. Si ta shpjegosh, si ta gëlltisësh tërë këtë urrejtje të zezë? S'gjej fjalë!
Tmerret e kësaj lufte kundër civilëve të pambrojtur janë të papërshkrueshme. Kanë filluar me një hovëzim të ri fill pas bombardimeve të NATO-s, pohojnë ato të gjitha. Janë kryesisht datat 24, 25, 26 mars. Të gjithë i kishin sytë nga qielli për shpëtim dhe, edhe pse ato bomba binin edhe mbi ta, ata e uronin, e bekonin rënien e tyre. Që ky llahtar të mbaronte, që më në fund, të dilnin në liri.
Kush nuk i pa nëpërmjet kamerave të televizionit lotët e dhimbjes të atij adoleshenti, hipur mbi një karro, kur sapo ka marrë vesh asgjësimin e krejt familjes së vet? Imazhi i tij përshkoi gjithë kamerat e botës. 
"A ka më kuptim jeta pas kësaj?", "Zor e kam të rroj". Janë fjalë që do t'i ndeshim jo rrallë në rrëfimet tronditëse të këtij libri. Është një pyetje për jetë a për vdekje. Kur i ke humbur të dashurit e shtrenjtë, lulen e zemrës, a ka më kuptim jeta pa ta?
 Ishin orët e para të natës kur na e shqyen derën e ne ishim të gjithë një gjumë...Kështu nis së shumti tregimi i tyre për atë që ka ndodhur. Për një natë të tillë, të pashlyer nga sytë dhe zemra e saj, flet Nekibe Kelmendi, (tani "gruaja me të zeza") bashkëshortja e avokatit të shquar Bajram Kelmendi. Është një natë e fiksuar përjetësisht në kujtesën e saj. Nata kur i rrëmbejnë në shtëpi të shoqin bashkë me të dy djemtë, që nuk do t'i shohë kurrë. Kjo grua e fortë dhe e papërkulur, në varrim të burrit e të djemve e merr fjalën vetë e, duke i mbajtur lotët u jep zemër të tjerëve: "U bëj apel nënave të tjera se luftë është kjo, se këto janë sakrifica që po japim për Kosovën". Lufta e saj për të nxjerrë të vërtetën në shesh vazhdoi vite me radhë. Ajo nuk rreshti së shkuari derë më derë në instancat dhe organizmat më të larta, deri në Tribunalin e Hagës, për ta zbardhur të vërtetën e hidhur.
Në planet e mbrapshta të forcave militare serbe, një nga aksionet më eminente ishte, në radhë të parë asgjësimi i intelektualëve të Kosovës. Kudo që të ndodheshin ata. Çfarëdo emri të shquar apo të pashquar të kishin. Ata e dinin se pa ta një popull mbetet si pa krye. Ekzekutimi i akademikut e politikanit të shquar Fehmi Aganit, i avokatit B.Kelmendi me të bijtë në Prishtinë, i doktor Izet Himës, i ekzekutuar pa mëshirë në Gjakovë, i prof. Latif Berishës e ekonomistit Agim Hajrizi në Mitrovicë… keqtrajtimi i të mrekullueshmes doktoreshë, Drita Mekuli, ndërtueses së mjekësisë kosovare, dhe vajzës së saj Drita Mekuli, gjithashtu mjeke, për të përmendur veç një numër të vogël prej tyre. 
Dhe tmerri vazhdon e nuk ndalet. Ndaj të gdhirë, në mesnatë, në terr, disa herë në mes të ditës… Janë kaq të shumta dëshmitë, janë kaq të padurueshme. " M'i vranë të pesë djemtë!" thotë Zojë Preni nga Korenica. "Ku po don me ta pre djalin?", i thonë kriminelët Trashe Sokolit nga Meja. 377 persona të likuiduar brenda një dite të vetme, një çasti. "I shihni këto varre? thotë Gjokë Sokoli. Të krishterë e myslimanë në një vend. Serbi nuk ka shikuar je mysliman a katolik, veç a ke folur shqip, a e ke kapuçin e bardhë!". "Këtu në Gjakovë, ka qenë jo luftë, por ferr! Flet rrëqethshëm Nesrete Vejsa Nuka, për natën e ekzekutimit të 20 familjarëve të saj, prej të cilëve 13 fëmijë, që në Gjakovë njihet si Rasti i Vejsave. Veç kësaj familje janë ekzekutuar edhe 68 vetë të tjerë. Dhe numri i viktimave shkon kështu me radhë, me radhë, pa u ndalur, pa u tutur nga asgjë.
Aty ku ndërroi epoka për shqiptarët. Kështu titullohet kapitulli më tragjik i ngjarjeve, ai i masakrës së Reçakut, janar 1999, që për herë të parë ktheu vëmendjen e tërë opinionit botëror, për atë çka po ndodhte në Kosovë dhe ku historia, më në fund, do të kthehet nga shqiptarët. Gjithsej 42 viktima. Gazetarët dhe fotoreporterët i nisën raportet e xhirimet e një tragjedie ende të panjohur nga bota. Ishte diplomati i lartë amerikan që dha kushtrimin i pari, duke e quajtur ngjarjen si një nga episodet më të errëta të historisë moderne evropiane. Në Reçak do të vijnë edhe hetuesit e Tribunalit të Hagës. 
Ambasadori amerikan, William Walker, njeriu që hyri në historinë e shqiptarëve si një mik i tyre, në parathënien e këtij libri të madh, thekson se "nuk beson se autorja e këtij libri (S.Gashi), apo shumica e atyre që kanë vuajtur e janë përgjakur në duart e qeverisë së tyre në Beograd, shtyhen nga dëshira për hakmarrje apo shpagim…Ata që këmbëngulin që bota t'i dijë këto krime besojnë në sundimin e ligjit, në kërkimin  e së vërtetës dhe të përgjegjësisë. … Si e tillë (S.G.) është një mbështetëse e fuqishme dhe bindëse për deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës së 17 shkurtit 2008 ".
 Libri i gazetares së përkushtuar, Sanije Gashi, është  shërbimi më i madh që ajo i ka bërë popullit të vet, për të nxjerrë në dritë të vërtetën.
"Plagët dhembin kur ftohen", thotë me të drejtë mjekja dhe poetja e mirënjohur, Flora Brovina. Tani që po ftohen, ato po dhembin më fort. Dhe kjo ndihet më shumë kur ka shurdhëri, kur ka moskuptim. Siç ishte rasti i Prokurores së Përgjithshme të Hagës, zonjës Carla Del Ponte, që nga qëndrimet e saj ndaj viktimave, deri te libri i çuditshëm që nxori më pas! Ajo që dëgjoi zonjën Kelmendi për tërë atë dramë të madhe e që nuk e thirri asnjëherë për të dëshmuar! Pse? "Dy-tri herë jam kontaktuar me të dhe i kam thënë: Ti u ke hyrë në hak shqiptarëve që nuk e ke akuzuar Millosheviqin për genocid. Më thoshte: Nuk kam pasur prova! - Po si nuk ke pasur prova kur atje e ke gjithë arkivin shtetëror dhe ushtarak!... Kam pritur se do më ftonte, por nuk ndodhi! Ajo grua ka qenë e anshme!", pohon me trishtim N.Kelmendi.
Serbia e sotme duhet të gjejë forcën e të tregojë gatishmëri për të pranuar shkallën e krimeve të saj në Kosovë. Gjë që deri tani nuk ka ndodhur.
Ndërkaq, në Kosovë, në Kosovën që u bë shtet në sajë të këtyre sakrificave të mëdha, jeta ka nisur ta rimarrë veten.  Kanë lindur me qindra fëmijë të tjerë, mbi gërmadhat e shtëpive të djegura janë ngritur të reja. Jeta po ripërtërihet dhe njerëzit e gjymtuar dalëngadalë, me vështirësi, po hyjnë në të. Duke mbajtur secili brengën e vet, ata të gjithë i gëzohen Kosovës së lirë. Ndërkaq, ajo që ndodhi nuk do të mund të harrohet. Do të mbahet mend në kujtesën e njerëzve që i përjetuan ato ngjarje, do të kujtohet prej fëmijëve që asokohe ishin foshnja dhe të tjerë, që do të lindin më pas, duhet ta mbajnë mend këtë. Jo për të nxitur urrejtjen, as për të provokuar armiqësi të reja, siç thekson dhe zoti Walker, por për t'u siguruar se diçka e tillë nuk duhet të ndodhë më kurrë.


(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora