E premte, 19.04.2024, 09:09 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Masakrat. Historia më se 160-vjeçare e barbarizmave sllave ndaj shqiptarëve

E hene, 22.10.2007, 06:42 PM


Nga Veli Haklaj

Dëshmi tronditëse të barbarizmave çnjerëzore

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është sot kryefjala e të gjitha kancelarive kryesore diplomatike dhe qendrave vendimmarrëse në botë. Në këto ditë të ardhshme, pritet të marrë zgjidhje raporti dramatiko-tragjik mes serbëve dhe shqiptarëve. Ky raport u ndërtua përmes një ballafaqimi shekullor të dy strategjive të kundërta: të asaj serbomadhe në agresivitet e shfarosje të shqiptarëve dhe të asaj shqiptare në vetëmbrojtje e vetëqenie.

Genocidi serbomadh mori formë të organizuar shtetërore, më 1844, me programin “Naçertanija“ të Ilia Garashaninit, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, për të vazhduar me programin e kolonizimit të shqiptarëve, prezantuar në formë memorandumi Parlamentit në Beograd, më 7 mars 1937 nga akademiku Vaso Çubrilloviç. Këto platforma ideologjike dhe të tjera që dolën në vitet ‘80 dhe ’90 të shekullit të kaluar kishin si objektiv shfarosjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e plotë të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare nën Jugosllavi.

Në luftën serbo-turke, 1876-1878, agresionet e forcave të organizuara serbe sollën pasoja shfarosëse për shqiptarët në viset e Moravës jugore, perëndimore dhe lindore. Në kujtesën e bashkëkohësve të atyre viteve llogariteshin 35 000 viktima shqiptarë të çdo moshe e seksi. Ishte fakt se fshatra, qytete e krahina të tëra zbrazeshin nga këto tmerre. Konsulli i Perandorisë Osmane në Nish njoftonte se nga një lagje thjeshtë shqiptare e Nishit, prej 300 shtëpish shqiptare, vetëm 20 shpëtuan. Të tjerat u rrafshuan me tokë. Në kazanë e Leskovcit u shkatërruan 1228 shtëpi me 88 fshatra e u shpërngulën rreth 20 667 banorë; në rrethin e Përkupës, në 73 fshatra me 1771 shtëpi, shumica u dogj ose u shkatërruan; nga 67 fshatra me 1 531 shtëpi shqiptare u shpërngulën rreth 12 480 banorë. (Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike IX-1979, Prishtinë, 1980, fq. 142).

Në vitet 1912-1913 dhe në vijim politikat shfarosëse ndaj shqiptarëve marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Më 12 nëntor të 1912-ës shkruhej se në afërsi të Shkupit, 2000 dhe jo larg Prizrenit 5000 shqiptarë myslimanë u masakruan. Shumë fshatra u dogjën dhe popullsia e tyre u masakrua. Në rrethin e Prishtinës vetëm gjatë periudhës 18 tetor-12 nëntor 1912 u zhdukën nga terrorizmi masiv serb 5 000 shqiptarë. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 8-9)

Në krahinën e Lumës u shkatërruan 27 fshatra dhe u vra popullata deri tek fëmijët. Këtu u kryen mizoritë më të tmerrshme që njeh lufta shfarosëse kundra shqiptarëve. Këtu ndodhi që gratë dhe fëmijët, të mbështjellë me kashtë, u dogjën të lidhur përpara syve të burrave dhe baballarëve të tyre të lidhur. Grave shtatzëna u nxirreshin në mënyrë të tmerrshme fëmija nga barku dhe kalohej në bajonetë. Edhe të dorëzuarit vriteshin si në “kasaphanë”. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 15-16).

Ngjarje të tilla tronditëse kemi në vijimësi deri në Luftën e Dytë Botërore, ku pardoksalisht, nën pushtimin e të huajve fashisto-nazistë, shqiptarët në Kosovë fillojnë të ndihen më mirë dhe të shijojnë ëndrrën e bashkimit me trungun amë. Kapitullimi i Jugosllavisë, prill 1941, krijoi një gjendje të re në Ballkan. Ky shtet u copëzua nën ndikimin Italo-Gjerman. Mbretëria shqiptare përfitoi një pjesë të trojeve të Kosovës, çka solli një gjendje të re për hapësirën shqiptare, duke rritur shkëmbime në të gjitha fushat, të cilat ishin ndërprerë që nga vitit 1912. Me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijua Ministria e Tokave të Liruara, e cila ekzistoi deri në shkurt 1943. Në Qeverinë e Ekrem Libohovës (18 janar-11 shkurt 1943) emërohet ministër sekretar shteti për Tokat e Liruara Ismet Kryeziu. (Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-1905, Tiranë 2006, fq. 470)

Emërimi i Ismet Kryeziut në këtë post ministror nuk ishte rastësor. Në biografitë e ministrave të rinj të kabinetit Libohova, gazeta “Tomori” jep këto të dhëna për Ismet Kryeziun: Lindi në Gjakovë, në vitin 1889, bir i një prej familjeve më të njohura të asaj krahine. Mbasi ndoqi studimet fillore dhe të mesme në qytetin e lindjes e plotësoj përgatitjen e vet në Stamboll. Kur u kthye në atdhe (Kosovën nën Serbi), zgjidhet deputet, por në Shkupcinë të Beogradit, qeveritarët serbë i përgatisin atentate prej të cilave shpëtoi mrekullisht. Më 1926 kaloj kufirin dhe u emërua prefekt në Berat dhe pastaj me radhë në Vlorë, Durrës e Korçë. Më 1936 u zgjodh deputet i Kosovës në Parlamentin shqiptar. Më vonë u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit dhe tani së fundi zëvendësprefekt në Durrës. (Gazeta “Tomori”, 20 janar 1943)

Më datë 17 shkurt 1943, pasdreke zhvillohet mbledhja e përgjithshme e parakohshme e Këshillit të Epërm Fashist Koorporativ, ku Kryeministri i sapoemëruar, Maliq Bushati paraqiti programin. Ai, ndër të tjera, theksoi:

“…Me qëllim që të mblidhen tok të gjithë qytetarët e ndershëm dhe besnikë të Atdheut edhe të ngrehur kështu ma të fortën mbrojë në mbrojtje të independencës e të integritetit etnik të kombit tonë, është vendosur të themelohet “Rojën e Shqipërisë së Madhe”, që do të jetë organizata totalitare e shtetit shqiptar…Prandaj është detyrë e të gjithë nacionalistëve shqiptarë ta ndihmojnë Qeverinë në ndëshkimin e pamëshirshëm të atyre q veprojnë në dëm të Shqipërisë së Madhe…Është detyrë e nacionalistëve të ndihmojnë me mish e me shpirt veprimet e ushtrisë kur ajo të thërrasë për të mbrojtur brenda Atdheut ose në kufijtë e Atdheut, Shtetin Shqiptar…

Një ndër pikat e programit të Qeverisë Bushati ishte: -Ta vinim Shqipërinë e Madhe në kondita për t‘u mbrojtur nga çdo rrezik i brendshëm e i jashtëm që mund t’i kërcënohet.

I pari që mori fjalën mbas Kryeministrit ishte këshilltari epror z. Ibrahim Fehmiu, përfaqësues i Kosovës, duke thënë: Populli kosovar, në lidhje të pazbërthyeshme me krejt popullin shqiptar, një mendjeje dhe një shpirti me të, përshëndet deklaratat programatike të Qeverisë Bushati zotimin e bujshëm të kryerit të aspiratave të shenjta të të gjithë kombit shqiptar…Ne kërkojmë në emër të popullit që përfaqësojmë, prej Qeverisë sonë një gjë të vetme: Që ajo t’i përvishet me gjithë fuqi punës së zbatimit të rrufeshëm të të gjitha pikave të programit të saj. Këtë kërkim e bëjmë të gjithë njëzëri në një çast historik si ky i tashmi, bash pse mbas masakrave të tmerrshme që pësoj një krahinë shumë e gjerë e tepër fisnike e Shqipërisë, ku u kositën si bari mijëra e mijëra fëmijë, gra e burra, pleq e plaka nga furia e egërsisë së mbrapshtë sllave, nga çetnikët serbo-malazezë. Në këtë çast lajme të hidhëta, shumë të hidhëta, po arrijnë nga kufijtë tonë. Prapë po përgatiten sulme të mëdha kundër krahinave të veriut, d.m.th. Prishtinës, Pejës, Plavës, Gucisë dhe Shkodrës. Koha nuk pret. Çdo minutë e që vjen, mund të jetë e kobshme për të ardhmen tonë të përgjithshme dhe për popullin kosovar të kërcënuara drejt për drejt veçanërisht…” (Gazeta “Tomori”, 18 fruer 1943)

Ndërkohë që me dekret të Kryetarit të Këshillit të Ministrave krijohet një komision nën kryesin e shkëlqesës Iljaz Agushi dhe me anëtarë shkëlqesat Mustafa Merlika-Kruja e Dhimitër Berati, si dhe z. Hasan Dosti, Patër Anton Arapi, Hamdi Kazazi e Thoma Luarasi me qëllim që të mbledhë të gjitha dokumentet e shtypura në çdo gjuhë që të ndodhen e gjithçka mund të shërbejë për të vërtetuar shqiptarizmin e Kosovës. (Gazeta “Tomori”, 5 maj 1943)

Paralel me veprimet e mësipërme, nga ana e prefektëve në Tokat e Liruara, me porosi të pushtetit qendror, ju kërkua kryetarëve te komunave në Kosovë që të dokumentonin barbarizmat sllave të bamë ndër shqiptarë nga viti 1912 e në vazhdim. Përgjigjet e ardhura shpalosin një pjesë të tragjedisë së popullit kosovar nën sundimin serb.

Dosja 58, e cila ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, në Fondin 410 (Prefekturat dhe komunat e Tokave të Liruara), Viti 1944.

Shteti Shqiptar

Komuna Lubizhdës

Nr. 324 Prot. Lubizhdë, më 10. 01.1944

P. T.

Prefekturës Prizren

Përgjigje e urdhrit nr. 1063, datë 17. VII. 1943.

Kemi nderin që t’iu paraqesim mbi sa kërkohet me urdhrin e sipër si më poshtë vijon:

1. Në vitin 1913 janë prerë me sëpata prej ushtrisë jugosllave të bashkuar me serbët e vendit personat që poshtë shënohen:

Mulla Adem Hoxha, Isuf Hoxha, Xhem Hoxha, Beqir Hoxha, Adullah Dema, Shaban Dema, Ahmet Rahmani, Shaban Mehmeti, Bafti Hajdari, Mustaf Hajdari, Isuf Hajdari, Miftar Hajdari, Tahir Dervishi, Zyber Hoxha, Vejsel Hoxha, Rexh Iliazi, Fetah Muça, Fazli Fetahi me të birin, Hysen Rama, Smajl Rama, Jashar Arifi, Ali Hasani, Hasan Alija, Isuf Etemi, Adem Haliti, Qerim Rama, Selim Rama, Ram Jemini, Abaz Iliazi, Syl Abazi, Abaz Iliazi, Syl Abazi, Arif Shabani, Hajrullah Arifi, Abdullah Arifi, Shaban Arifi, Rexhep Uka, Bislim Bajrami, Liman Murtezi, Tahir Mala, Salih Ademi, Bajram Hajdari, Ali Hajdari, Shaban Zenuni, Hajra Shabani, Haxhi Jemini, Sinan Haxhija, Sherif Rahmani, Rexh Rahmani, Hazir Ademi, Imer Bajrami, Dem Alija, Imer Maliqi, Halit Imeri, Sadri Ademi, Kadri Ademi, Bajram Syla, Hysen Beqiri, Mullah Hyseni, Destan Beqiri, Azem Rexhepi, Selim Rexhepi, Hajdin Rexhepi, Ahmet Mehmeti, i cili është varrosur në derë të kishës, Bajram Abdyli, Rexh Arifi, Ali Uka, të gjithë nga katundi Kabash. Personat e lartpërmendur janë premë në kishën e Kabashit me sakica prej ushtrisë jugosllave të bashkuar me serbet e vendit. Si komandant i vullnetarëve serb ishte Spiro Delloci nga katundi Delloc i komunës së Mushtishtit. Po atë ditë kanë djegur në zjarr Kaden, e shoqja e Ali Hajdarit, si dhe Haken e Muharrem Rexhepit, të dyja nga katundi Kabash.

2. Në vitin 1913, në katundin Korishë, prej serbëve të vendit, duke pasur si komandant Spiro Dellocin, janë marrë edhe janë vrarë në një përrua të quajtur Sherif Haxhija, Zeqir Asllani, Berat Abdyli, Sahit Abazi, Abaz Sahiti, Jashar Haziri, Brahim Rexhepi e Imer Muhaxheri.

3. Në vitin 1913, në katundin Lutogllavë janë marrë të quajturit Pren Çeta e Zef Çeta, prej ushtrisë jugosllave. Pren Çeten e kanë prerë me sëpatë tek kisha e Kabashit, kurse të vëllanë e tij, Prenin, e kanë pushkatuar afër Prizrenit.

4. Në vitin 1913 është vrarë një i quajtur Idriz Abdullahi nga katundi Skorobisht prej një të quajturi Mila Verbiçan. Edhe Azem Baftjari nga katundi Skorobisht ëshët vrarë prej serbëve të katundit Lubizhdë sepse ka qenë atdhetar.

5. Në vitin 1918, me kthimin e serbëve në viset e Kosovës, janë mbytur me dajak prej Naçallnikut të Prizrenit, Matijeviqit, të quajturit Shaban e Jemin Mustafa nga katundi Korishë. Po në vitin 1918, me urdhër të Naçallnikut, Matijeviqit, janë pushkatuar prej Vuksan Cvetkit, nga katundi Smaq, të quajturit Adem Murati, Ahmet Rustemi e Ahemt Sahiti.

6. Në vitin 1921 janë vra të quajturit Mahmut Haliti, Rexh Sahiti e Brahim Ademi, nga katundi Kabash, prej sekretarit të Naçallnikut, Zhivanoviqit, e burgosë e vdekur në burg të quajturit Isuf Uka, Shaqir Abdyli, Xhem Bajrami e Ali Hasani, po nga katundi Kabash.

7. Në vitin 1925 janë vrarë prej sekretarit të Naçallnikut të Prizrenit të quajturit Hamëz Rama e Selim Bilali nga katundi Skorobisht, duke u falur në xhami.

8. Në vitin 1926 është mbytur në mal me sëpata Asim Rexha nga katundi Gerniçar, prej serbëve të katundit Dojnicë të kësaj komune.

9. Në vitin 1930 janë marrë e internuar në Nish të quajturit Haxhi Jaha, Kamber Jaha e Selman Sallahi, nga katundi Gerniçarë, dhe mbas gjashtë vjetëve, prej dajakut, kanë vdekur në burg në Nish. Kryetari iKomunës/Shyqyri Kabashi/ d.v.

Vërtetohet

Kryesekretari i Prefekturës

/Niko Lafe/

Prizren, më 30-X-1944

(AQSH, Fondi 410 (Prefekturat dhe komunat e Tokave të Liruara), Viti 1944, Dosja 58, fleta 1)

L I S T A

E personave shqiptar të mbytur prej vullnetarëve e ushtrisë jugosllave, në kohën e shkatërrimit të ish-regjimit jugosllav, më datë 11-15 prill 1941, në rajonin e komunës së Vogovës.

Nr. Emni e mbiemni Vendbanimi Besimi Data e mbytjes Vërejtje

1. Ndue Frrok Prendi Kushovac Katolik 12. IV. 1941
2. Prenk Bardhok Ndou Dol „ „
3. Dedë Cuf Hoshi „ „ „
4. Musë Cuf Hoshi „ „ „
5. Nikoll Mark Biba „ „ „
6. Lekë Mark Biba „ „ „
7. Gjok Prekë Lleshi „ „ „
8. Tun Ndrek Paluca „ „ „
9. Ndue Prenk Tahiri „ „ 13. IV. 1941
10. Lilë Prenk Tahiri „ „ „
11. Hajdar Ali Mustafa „ Mysliman „
12. Tom Ndoc Beshi „ Katolik „
13. Palush Ukë Bezhi „ „ „
14. Martin Zef Marku „ „ „
15. Gjok Nikoll Leka „ „ „
16. Nikoll Prend Nikolla „ „ „
17. Frrok Prek Kizma „ „ „
18. Ded Prek Nikolla Kusar „ „
19. Gjon Prek Nikolla „ „ „
20. Simon Gjok Nikolla „ „ „
21. Kol Gjok Nikolla „ „ „
22. Tom Gjok Nikolla „ „ „
23. Çun Dedë Ndreca „ „ „
24. Franë Ndrec Deda „ „ „
25. Ndue Nikol Ndou „ „ „
26. Frok Prend Ndreca „ „ „
27. Marash Kol Maksuti „ „ „
28. Frok Nikol Ndoci „ „ „
29. Zenel Abdyl Rustemi Brekoc Mysliman „ Plagos
30. Zef Tuc Marku Kusar Katolik „ I vdekur
31. Ndrec Nikoll Marku „ „ „ Plagos
32. Dila Zef Ahmeti Dol „ „ Plagos
33. Zoja Tun Zefit „ „ „ Plagos

Kryetari i Komunë Ndue Perlleshi d.v.

Brekoc, më 18. I. 1944

Vërtetohet

Kryesekretari Prefekturës /Niko Lafe/

Prizren, më 30-X-1944

(AQSH, Fondi 410, Viti 1944, Dosja 58, fleta 2)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora